MBI UDHËTIMIN PËRTEJ

O më i Larti i të lartëve!

Ndërsa merrnim krahë me shpirtin tonë duke soditur ekspozitat që i shtrove përgjatë rrugës sonë e pastaj na ftove për t’i parë, duke soditur më të spikaturat, më të çuditshmet veprat e Tua artistike,të cilave u dhe trajtat më të përsosura, duke soditur më të shkëlqyerën e më poetiken e atyre pikturave syverbuese e marramendëse, që i vendose në zemër të natyrës e cila është një revistë arti e Jotja e që Ti i solle ato në formën e një valleje mijëra ngjyrash si shfaqje të bukurive të Tua të fshehta, si dhe duke të ndjerë e duke të parë Ty në gërvimën e lapsit Tënd e në harmoninë e librit Tënd,të cilin e shkrove me atë laps dhe e vure në shesh, pra, ndërsa merrnim krahë, kështu, me anë të shpirtit tonë, na mbetën sytë në burimin e të gjitha rregullsive dhe akordeve të dukura nga të çarat e hapura nën dritën e emrave të Tu, në burimin e të gjitha ngjyrave dhe trajtave të soditura, në burimin e tingujve dhe zërave të dëgjuara prej gjithkah, si dhe të koreve e simfonive të krijuara prej tyre, dhe atëherë, zemrat, me atë enigmën e botëve të larta që është burimi i gjithçkaje, na ranë në dalldi...

Duke u kredhur në soditjen e së përtejshmes nga ato dritaret veç e veç të hapura për syrin e zemrës e të besimit, guxuam të vëzhgonim formën origjinale, si një pemë të bërthamës së Tuba-s së zemrave tona dhe u nisëm drejt një udhëtimi shumë të gjatë, shumë të vështirë, por dhe shumë kënaqësi dhe kërshërindjellës për përtej, drejt një udhëtimi që zgjatet e shkon përtej e më përtej. Dhe, duke e bërë këtë, duke e bërë Fjalën Tënde prijës për shpirtin tonë, u derdhëm rrugëve të bërë me flatra nën rrezet ndriçuese të emrave dhe atributeve të Tua, të bërë me flatra me të vërteta dritash që shkojnë rrugë-rrugë drejt pafundësisë.

Dhe nëse në një udhëtim të tillë sublim të përshkruar dhe lejuar në Fjalën Tënde, me hartën të vizatuar me hollësitë më të imta, në një udhëtim për të cilin, pas hapjes, më në fund, të të gjitha dyerve me miraxhin e një të Lumturi, lindi mundësia për secilin burrë të zemrës të ngjitet në ato botë me anë të karrocës mbretërore të zemrës, e kapërcyem masën dhe prekëm në tokmakun e dyerve enigmatike të Tua, po ia lemë fajin paturpësisë së shpirtrave tanë të pagdhendur, që s’dinë se ç’është edukata dhe mirësjellja dhe, duke u strehuar në mirëkuptimin Tënd të gjerë, të lutemi të na falësh...

O Krijues i Lartë, i Bukuri i të bukurve, që na ke dhënë ekzistencë e që i ke bërë ndjesitë tona të shijojnë kënaqësinë e pafundme të ekzistencës! Ti je, që na e ke shtruar para si një libër këtë gjithësi të stërmadhe, dhe prapë je Ti që na i ke bërë ndërgjegjjet ta ndjejnë enigmën e saj,asisoj që ndërgjegjjet tona i ke bërë një breg për dallgët e enigmës hyjnore! Ne nuk do të ekzistonim po të mos na kishe bërë Ti të ekzistojmë. Po të mos na e kishe hapur këtë gjithësi të shkëlqyer para si një libër e të na e tregoje dhe shpjegoje me anë të protokollarëve dhe ciceronëve të Tu të lartë2, do të shembeshim e do të shkonim si një tufë injorantësh që s’të njihnin, që nuk kishin mundur të arrinin dot nëpër thellësitë e ndjesive. Dhe si do t’i njihnim këto, dhe Ty, dhe si do të jepeshim me mahnitje pas rrugës Sate, nëse nuk do të kishe mirësinë të na e përshkruaje Veten, nëse nuk do të shtresoje në shpirtin tonë atë miratuesin e parë që kap e mbërthen gjërat që dimë e nuk dimë për Individualitetin e Lartë, duke siguruar lidhjen mes botëve të jashtme dhe ndërgjegjeve tona e u jep atyre gjërave formë e orientim, që e bën diturinë dituri dhe intuitën intuitë?

Ne jemi robërit me kular në qafë të portës Sate, kurse përshndritjet që reflektohen pa prá ndërgjegjeve tona, janë drita e ekzistencës Tënde. Ç’të kemi ne në dorë, është e dhënëprej Teje, dhurata Jote. Edhe një herë tjetër po e shpallim këtë; me pohimin se jemi robëri e portës Sate që s’pranojnë çlirim, po duam të përsërisim betimin tonë!

O Mbreti i zemrave, përmendja e të cilit u jep besim e siguri shpirtrave që mendojnë! Për t’ua çuar gjërat që ua mësove dhe përçove shpirtrave tanë, atyre me zemra të vdekura e endacake sikurse zemrat tona, u përpoqëm të hulumtojmë dhe përcaktojmë dritaret që shohin kah gjërat që ndodhin, dhe nga kjo ecuri e përgjithshme për kah ekzistenca Jote, duke u futur vende-vende në vorbullën e materies dhe dukurive, e duke u kthyer kohë më kohë edhe në vetvete, rrugët që do të na ngjisnin për në audiencën Tënde! Ndërkaq, duke dashur t’ua bëjmë të ditur zemrave nevojtare Individualitetin Tënd të Lartë dhe atë ditë të lumtur kur do të takohemi me Ty pa pasur kurrfarë pengese, nuk mundëm t’u mbeteshim besnikë të vërtetave të larta të vizatuara dhe qëndisura nga shprehjet më të hapura e më të kthjellëta. Me mendimin për t’u treguar disa gjëra ca shpirtrave të pagdhendur të mbetur në lëvozhgë e me zemrën të dhënë pas bukurive sa për dukje të kësaj bote, u hoqëm nga një lustër lëndës dhe konkretes duke lëkundur muret e shenjta të abstraktes. Mos ndofta mëkatuam se nuk mundëm t’u ofronim të vërtetat më të hapura brenda dëlirësisë së tyre origjinale, mos ndoshta u bëmë shërbim dëshirave dhe iluzioneve tona?

Në paçim bërë gabim, kemi bërë duke ardhur tek Ti dhe duke u përpjekur për t’u treguar udhë të tjerëve. Në paçim bërë faj, në udhën Tënde kemi bërë. Gabimi mbetet gabim,gjithmonë, e faji, faj. Me zemrat në dridhje, me shpirtrat përthyer më dysh, me kularë në qafa, jemi duke pritur me tërë qenien tonë vendimin që ke për të dhënë ndaj nesh. Dhe, duke thënë këtë, e dimë se mëshira Jote që zgjatet e shkon gjer në pafundësi, gjithmonë është kudogjendur para ndëshkimit Tënd. Është jashtë çdo diskutimi se rojave të portës Sate që i kanë njohur favoret e Tua, nuk u ka hije faji, vetëm, të lutemi, ki mirësinë të na lejosh të themi se falja Ty të ka hije shumë!

Po, Zoti im, Mbretit i ka hije mbretëria dhe lypësit, përgjërimi!

E, tani, në na falsh, duke ruajtur të vërtetën e udhëtimit për përtej, për në vendin më të veçantë të zemrave tona, duam t’i trazojmë fletët e librit Tënd të kësaj gjithësie, të kridhemi në lexime tejet të gjata me një mendim udhëtimi të ri, t’i dëgjojmë lajmëtarët që flasin për Ty dhe saora të biem në ekstazë me thirrje drejtuar Ty.

Dhe, duke u dhuruar krahë për fluturim nevojtarëve e endacakëve që kërkojnë të arrijnë në kuvendin Tënd, gëzoji ata me takimin me Ty!

Shënimet

  1. 1.Pemë në Parajsë. Shënim i përkthyesit. 2 Është fjala për Profetët. Shën. i përkth.