Udhëtari
Njeriu është një udhëtar, kurse botët, ekspozita shumëngjyrëshe, ofruar studimit të tij, libra të dendur me informacion e të ilustruar. Udhëtari është dërguar në këtë botë për t’i lexuar këta libra, për ta shtuar kulturën dhe për t’u lartësuar më tej si njeri. Ky udhëtim i këndshëm e shumëngjyrësh çdo njeriu një herë të vetme i mundësohet dhe pandeh se për ata që i kanë zemrat të zgjuara e mendtë në kokë, ky udhëtim i vetëmith mjafton dhe tepron për të ngritur parajsa si ato kopshtet e famshme të varura të Babilonisë! Kurse ata që jetojnë me sy lidhur për të mos parë, s’merret vesh se kur erdhën e kur shkuan: vijnë e ikin shpejt sa një frymë, pa lënë asnjë gjurmë pas...
Dikush që mendon thellë mbi ligjet e natyrës e të jetës, duke i vlerësuar ato, sheh, që nga ngjyrat përshndritëse të luleve, te degët e pemëve që lëkunden, nga bubullimat drithmështirëse të rrufeve te zërat harmonikë të zogjve, në çdo gjë, lojërat e një bukurie të pafundme, duke ndjerënë çdo zë reflektimin e Qenies Fuqipashtershme; në dritën, nxehtësinë, gravitetin, marrëdhëniet kimike dhe dukuritë dhe ligjet e prirjes dhe administrimit të gjallesave, vëzhgon gjurmët dhe shenjat e shfaqjeve hyjnore.
Kur shpirti largohet nga kjo atmosferë e zhurmshme e rrapëllimtare e botës lëndore, duke u zhytur në thellësitë e botës unike, bie në dalldi duke soditur atë shfaqjen shkëlqimplote të Krijuesit të Lartë në tërë gjithësinë. Për ata që në ndjenjat e tyre kanë arritur në një takim të tillë hyjnor, dhe e kanë lëshuar veten në baticë-zbaticë mes dallgëve të ekstazës dhe mbylljes në vetvete pafundësisht, trazia dhe gjëmimi që përshkon tej e tej oqeanet, peizazhi i pazë i korijeve të qeta, qëndrimi hijerëndë i majave të maleve që maten me retë, hijet e mbrëmjes që luajnë në rrëzë të kodrave të blerta dhe aromat lloj-lloj, që e dehin mjedisin përreth, të përhapura nga bahçet me ato pamje magjistare të shtrira nëpër të gjithë sipërfaqen e tokës, lulet e vockla që përkëdhelen me flladin, dhe vesa që ka ngritur fronin te lulet e që lëshon buzëqeshje përgjithkah, për ata, pra, të gjitha këto, ç’mund të jenë tjetër, përpos reflektimeve mbi bukuritëe pashtershme të Tija.
Pasi që çdo zë të jetë një thirrje prej Tij dhe çdo gjë një shenjë e Tij, ç’rëndësi ka nëse ne e njohim apo jo natyrën e Tij? Poeti gjerman, Gëte, thoshte: “Ne e ndiejmë ekzistencën e Zotit edhe në natyrë, edhe në shpirtin tonë. Ç’rëndësi ka nëse nuk ia dimë esencën? Me të vërtetë, ç’dimë ne mbi natyrën e Hyjnisë? Fundja, ç’vlerë kanë mendimet tona të kufizuara e të ngushta për Zotin? Edhe sikur ta kujtoja Atë me qindra emra dhe një sërë atributesh, prapëseprapë do të mbetesha shumë shumë poshtë nivelit të së vërtetës. Meqë qenia e lartë që i themi Hyu, shfaq atributet e Tij në çdo trajtë, jo vetëm te njeriu, por edhe te të gjitha dukuritë e mëdha e të vogla të gjithësisë, te zemra e pasur dhe e fuqishme e natyrës, a mundet që ideja sipas karakteristikave njerëzore që mund të përftojmë mbi një Individualitet të tillë të Përsosur, të jetë e mjaftueshme dhe e patëmetë?” Me këto fjalë Gëteja tërhiqte vëmendjen mbi atë Qenien e Panjohur, që e tregon veten me anë të veprave të veta, teksa nuk është e urtë që të shfaqet me Individualitetin e Tij në jetën e kësaj bote.
Edhe ne mendojmë udhëtarë dhe udhëtime për atë Individualitetin e fshehtë për sytë, i Cili kërkon të na e bëjë të njohur Veten me anë të veprave të Veta, jemi kah kemi dalë në një udhë që s’i vjen fundi, për t’u ndodhur gjithherë në udhën e Tij duke kapërcyer portat e hapura për tek Ai. Dhe jemi të vendosur që, sa të jetë bota, ta gjëmojmë gjithkahjen me këngë kushtuar Atij... E si të mos e gjëmojmë kur ne dhe çdo gjë jemi këtu për ta njohur Atë dhe për ta bërë të njohur dhe kur nuk dimë detyrë më të lartë se këtë? Të gjithë ne s’jemi veçse hije të qenies së Tij, kurse Ai, burimi i çdo gjëje, synimi përfundimtar i çdo gjëje!
Ai është që i bën të shpërthejnë ujërat nga thellësitë e tokës dhe të rrjedhin çezme nga bujaria e Tij, që i lidh diellit brez prej drite e i vë në kryet kurorë prej nxehtësie, që e zbukuron tokën me lule ngjyra-ngjyra e që i vesh sipërfaqes një mijë e një forma. Prej Tij e kanë qenien qiejt, dheu dhe detet e pamatë. Retë rrinë e e shohin Atë me sytë e deteve, kurse detet e përmendin Atë me gjuhën e reve. Ai është që e mbush barkun e tokës me një mijë e një dhimbje, që i ngjyen në gjak të kuq mushkëritë e koraleve. Diejt janë roje të portës së Tij, kurse botët, skllevërit me qafën nën kular të
Tij!
O Krijues i Lartë! E gjithë pasuria dhe mbretërimi i kësaj bote të është nënshtruar Ty nën flamurin Tënd dhe të gjithë mbretërit shërbejnë si shërbëtorë në portën Tënde! Çdo gjë vrapon për tek Ti, qenia prej Teje lypet, kurse Ti je i qenë në vetvete! Qeniet e krijuara krijohen, trajtësohen dhe, pastaj, shuhen e mbarojnë, kurse Ti je diametralisht i kundërt me to! Ti je një i vetëm. Je i pashoq. I tëpanevojë! Të gjitha qeniet, tek uniteti Yt e kanë shpresën. Uniteti Yt është uji jetëdhënës i të mbeturve në shkretëtirë, parajsa e tyre. Këto toka, me urdhrin Tënd rrinë në vend. Kupa e qiellit, me fuqinë dhe vullnetin Tënd e ruan harmoninë. Po qe se të gjitha këto nuk do të mbështeteshin tek Ti, yjet do të shpërndaheshin nëpër gjithësi si kokrrat e një rruzareje të këputur e këtë askush nuk do të mund ta pengonte!
Ne të gjithë, me Ty e arritëm lumturinë. Duke të njohur Ty, e njohëm se ç’do të thoshte lumturi e vërtetë. Ne ikim prej lumturisë që s’vjen prej Teje e s’mbështetet tek Ti, e mallkojmë lumturinë që bën të harrohesh Ti. Është e domosdoshme të heshtet e të ndihet zemërim ndaj çdo gjëje që s’flet për Ty e të lihen në harresë ata që s’të kujtojnë Ty!
O Krijues i Lartë me mëshirë të pasosur! Si skllevër të portës Tënde dhe rob të Tu besnikë e të vendosur për të kaluar, me këtë synim, nëpër botë dhe përjetësi, s’iu përkulëm e s’iu bëmë rob askujt gjer më sot! Askujt tjetër s’ia hapëm zemrën për t’ia qarë hallin tonë. Edhe nëse ia hapëm, u penduam shpejt e, me një mijë pendesa, u kthyem nën strehën Tënde sërish për t’u strehuar! Mbushua Ti me dashurinë Tënde kupat atyre që s’janë ndarë nga kjo portë dhe bëjua fytyrën t’u qeshë atyre që prej shekujsh s’u ka parë buza buzëqeshje!
O Ti, shpresa dhe qetësia e të mbeturve në zi! O i zoti i të vetmuarve! O shërimi i të pashpresëve për shërim! Hap një perde për robërit e Tu të mbetur pa shërim, shuajua urinë dhe jepu shërim! Deshëm të të tregonim Ty me anë trajtash dhe pikturash dhe bukuritë e Tua që i ndjemë në ndërgjegjjet tona me këto, deshëm t’ua përcjellim edhe të tjerëve që t’i ndjejnë... Nëse me këtë përpjekje i kemi dëmtuar të vërtetat e larta që s’mundëm t’i njihnim, të kërkojmë falje, falna ne!