NJERIU DHE SJELLJETE TIJ

Njeriu

Njeriu është një qenie e pajisur me ndjenja të larta, e aftë për virtyt dhe e shtënë pas përjetësisë. Edhe në shpirtin e një njeriu në dukje si më i mjeri, madje, është e pranishme një klimë e shumëngjyrtë si ylber e formësuar prej idesë së pavdekësisë, pasionit për të bukurën dhe ndjenjës së virtytit, prandaj edhe lartësimi i tij gjer në arritjen e pavdekësisë varet prej zhvillimit dhe daljes në shesh të këtyre dhuntive në natyrën e tij.

* *

Njerëzorja te njeriu duhet kërkuar jo në trupin e tij shtazor e të vdekshëm, por në shpirtin e tij të shtënë e të pasionuar pas të përjetshmes. Prandaj ka ndodhur që, kur njeriu është trajtuar vetëm si trup duke iu mohuar ana shpirtërore, assesi nuk ka arritur të ngjitet në pikën e ngopjes dhe kurrë nuk ka mundur të kënaqet.

* *

Njeriu më fatbardhë e i lumtur është njeriu me ndërgjegjen gjithnjë të dehur me dëshirën dhe ashkun për përtej. Ata që e kalojnë jetën në errësirën e kufizuar, të ngushtë e mbytëse të trupit, edhe nëse ndodhen në saraje, në fakt janë në errësirë...

* *

Detyra e parë dhe numër një e çdo njeriu është ta zbulojë dhe njohë veten dhe, në saje të këtij zhvillimi cilësor, të orientohet kah Zoti i vet. Fatkeqët që nuk e njohin veten, pra, s’e dinë se ç’janë, për çka edhe nuk munden të krijojnë lidhje me Krijuesin e Lartë, jetojnë si hamallët që bartin, por nuk e dinë se ç’bartin dhe, po ashtu si ata, ikin nga kjo botë pa kuptuar gjë!

* *

Është e vërtetë se njeriu në vetvete është një qenie e dobët, por është gjithashtu e vërtetë se, në saje të mbështetjes te Fuqia e Pafundme, zotëron një pushtet të jashtëzakonshëm. Sigurisht, është në saje të kësaj mbështetjeje që njeriu është një pikë uji e bëhet përrua, është një molekulë e bëhet diell, është një lypës e bëhet mbret!..

* *

Në atë masë që njeriu të bëhet i afërt me ekzistencën dhe librin e ndodhive e të njehsohet me to, në atë masë shfaqen në botën e tij të brendshme vezullimet e urtësisë. Për rrjedhojë, ai njeh esencën e vet, arrin aftësinë për ta njohur dhe ndjerë Zotin e, më tej, shkon e bashkohet me Të! Mjafton që kjo ecuri e ky udhëtim që kërkohet të realizohet në planin ideor, të mos jetë i varur nga mohimi dhe ateizmi!

* *

Njerëzit e vërtetë, aktet e përbashkëta me kafshët, vazhdimin e llojit dhe brezit, i kryejnë dhe plotësojnë me vetëdijen e detyrës dhe brenda kufijve të domosdoshmërisë. Kurse ata që jepen pa masë pas kënaqësive trupore, e ngushtojnë distancën mes tyre e qenieve të tjera dhe i cenojnë kufijtë njerëzorë!

Respekt ndaj njeriut

Kafsha, pasi vdes, harrohet dhe gropa i humbet. Por njeriu s’është kështu... Kombet që nuk i mbrojnë kujtimet dhe varret e etërve, s’e di, a janë të vetëdijshëm se i zbresin ata në nivel të kafshëve? Në të vërtetë, respekti ndaj të vdekurve është një garanci e dhënë të gjallëve për të ardhmen...

Drejtpeshimimes trupit dhe zemrës

Jeta e vërtetë është jeta e bërë në nivelin ndjesor. Njeriu që ekziston me botën e tij ndjesore, duke i parë të shkuarën e të ardhmen si dy fytyra të një të vetmeje, kthehet e bëhet një qenie mbikohore. Një shpirt i tillë nuk ndrydhet as me dhimbjet e së shkuarës, as me frikërat e së ardhmes. Sa për ata që nuk kanë mundur ta gjejnë dot veten në botën e vet ndjesore, e jetojnë jetën e vet mëngjarashe të kredhur në pesimizëm. Në shikimin e të tillëve, e shkuara është një varrezë e frikshme, kurse e ardhmja, një humnerë që s’i duket fundi. Keq të vdesin e keq të rrojnë...

* *

Lidhja e njeriut me një të shkuar të gjatë dhe me një të ardhme që s’di të mbarojë, varet vetëm nga njohja e gradës jetësore të shpirtit e zemrës. Shpirtrat fatbardhë që çojnë një jetë në këtë nivel e që e kuptojnë atë, të shkuarën e shohin në formën e çadrave e të froneve të etërve tanë, kurse të ardhmen, në formën e rrugëve që zgjaten për në kopshtet parajsore dhe ikin të lumtur nga vendbanimi i kësaj bote që e lidhën me botën e vet ndjesore. Kurse fatkeqët që nuk munden ta përjetojnë jetën në këto përmasa, jeta që jetojnë u është më e keqe se vdekja, po ashtu edhe vdekja, krejt një skëterrë, errësirë mbi errësira.

* *

Mes jetës së brendshme dhe sjelljeve e veprimeve të individit ekziston një marrëdhënie reciproke mbështetëse, rregulluese e maturuese. Këtë, si kundërvënie ndaj rrethit vicioz, mund ta emërtojmë “rreth i hapur”. Sipas kësaj, ashtu siç do të ndodhë që sjelljet e njeriut si vendosmëria, këmbëngulja, qëndresa, duke u reflektuar në botën e brendshme të tij, ta ndriçojnë atë, do të ndodhë edhe që ndriçimi i ndërgjegjes, duke ia nxitur vendosmërinë dhe vullnetin, t’i tregojnë atij horizonte edhe më të larta...

* *

Fatmirët, të cilët, me sjelljet e tyre, ndodhen nën urdhrin e shpirtit, marrin udhë gjithmonë drejt pëlqimit të Krijuesit, drejt virtytit dhe njerëzores; busullat e tyre shënojnë gjithmonë të njëjtën pikë orientuese, po ashtu edhe kahjet e lëvizjeve të tyre. Edhe nëse rrallë u ndodh ndonjë shmangie, me një pendesë të sinqertë e me një rënkim të thellë i tresin në shpirt mëkatet që ua rrethojnë zemrën dhe vazhdojnë në rrugën e vet...

* *

Të lumturit, të cilët i çojnë në vend me një korrektesë të jashtëzakonshme e gjer në hollësitë më të imta të gjitha detyrimet e tyre, krahas rregullit, harmonisë dhe dashurisë për detyrën në botën e tyre të jashtme, e jetojnë edhe botën e tyre të brendshme dhe, duke marrë flatra disa herë në ditë, arrijnë në botën e engjëjve...

* *

Një botëkuptim i cili duke u zierë dhe ngjizur me shekuj me idenë e pafundësisë, na pati tharmuar në zemra pasionin për pavdekësinë, me kohë ia la vendin prirjes për formula të pashpirt dhe një sofizmi bosh që sillte me vete drogimin e mendjeve. Dje e sot, këto mendime të mbrapshta që i njëvlerësojnë rrezet ndriçuese të zbulesës hyjnore me frymëzimet e tyre sa xixat e xixëllonjave, duke fryrë mjegull e tym në rrugën tonë të ndriçuar, janë duke e errësuar qiellin e njeriut tonë!

* *

Pas të gjitha këtyre, njeriun e së vërtetës mund ta kornizojmë, sipas nesh, kështu: Për nga aspekti material, ai është një trup i bërë çelik saqë t’i vërë gjoksin çdo lloj fatkeqësie; për nga aspekti ideor, është një kokë konstruktive që e zien dhe e përzien deklaratën hyjnore me botëkuptimin e arritur nga shekulli dhe, ashtu si një kimist mjeshtër, arrin çdo çast në sinteza të reja; për nga aftësitë shpirtërore dhe ndjesore, është një shpirt i fërguar, i pjekur e i formësuar prej shekujsh në potën e Mevlanave e të Junusëve; më në fund, është një zemër e formuar që i beson filozofisë, “të jesh një njeri mes njerëzish” dhe një flijues, i cili, për hir të lumturisë së të tjerëve, ka harruar kënaqësitë e veta!..

Toleranca dhe mirëkuptimi

Hapja çdokujt zemrën sa mund t’ia hapësh, le të të jetë si oqean! Tërhiqu me besim dhe për njeriun dashuri ndje. Të mos mbetet zemër e dëshpëruar që s’u interesove për të e s’ia zgjate dorën!

* *

Brohoriti të mirët për të mirat dhe ndaj zemrave që kanë besuar, bëhu bujar! Mosbesuesve afroju aq butë, sa neveritë e urrejtjet t’u treten e shkojnë e ti, në frymëmarrjet e tua, gjithmonë bëju Mesih!..

* *

Në marrëdhëniet me qiejt në më të shumëngjyrëshmen e rrugëve e me më të spikaturën e fjalëve, mos harro se ndodhesh pas Udhërrëfyesit të Lartë!5 Mos harro dhe, duke menduar për ata që nuk zotërojnë as edhe njërën prej këtyre veçorive, bëhu i matur!..

* *

Përgjigjiu të keqes me të mirë, sjelljeve të pahijshme ndaj teje mos i kushto rëndësi! Çdo njeri, me sjelljet e veta reflekton karakterin e vet. Ti zgjidh rrugën e tolerancës e të mirëkuptimit dhe, përballë atyre që s’dinë se ç’është tradita dhe edukata, tregohu bujar!..

* *

Ta duash dashurinë dhe të jesh armik i armiqësisë, është karakteristika më e spikatur e një zemre që ngazëllen me besim. Kurse urrejtja për çdo njeri është ose lëshim i zemrës djallit, ose një vepër marrëzie. Ti duaje njeriun, mahnitu pas njerëzores!..

* *

Duhet të ruhesh që qoftë edhe një herë të vetme të mos biesh nën pushtetin e egos sepse, sipas saj, të gjithë njerëzit veç teje janë mëkatarë dhe çdo individ është një i pafat! Dhe kjo, për atë më fjalëdrejtin, do të thotë shkatërrim i personit. Ti ji mjaft i ashpër me egon tënde, kurse me të tjerët, më i buti i të butëve!...

* *

Tregohu i vëmendshëm ndaj sjelljeve e veprimeve që të bëjnë t’i duash të tjerët e që i tregojnë ata të dashur para syve të tu! Mos harro se të njëjtat gjëra mund të bëhen pretekst që edhe ti të pëlqehesh e të duhesh nga të tjerët. Sillu gjithmonë si njeri dhe i mëshirshëm ji!..

* *

Duke pranuar si etalon trajtimin që të bën Zoti ty, edhe ti ashtu duhet të sillesh ndaj popullit. Atëherë ke për të qenë bashkë me Zotin mes njerëzve dhe për të shpëtuar nga egërsia e të dy vetmive...

* *

Se ç’je para Zotit, mund ta vlerësosh me anë të vendit që i ke veçuar Atij në zemrën tënde, kurse se ç’pozitë ke mes popullit, duke e peshuar e matur me qëndrimet e tua. Mos u shkëput nga Zoti qoftë edhe për një çast dhe, mes njerëzve, njëri prej tyre bëhu!..

* *

Në qoftë se në shpirt të ka zënë vend mirë ideja se njerëzit që besojnë mund të të bëjnë keq, dije se kjo është një mungesë aftësie gjykimi dhe e rrjedhur prej mangësisë së mendjes, prej dobësisë ndaj një egoje si dhe mjerimit shpirtëror! Dhe menjëherë drejtoju një prijësi shpirtëror që do të ta ngrinte zemrën peshë e do të ta përlotte syrin!..

* *

Shkurt, për ta mbrojtur dashurinë dhe konsideratën tënde mes njerëzve, duaj për hir të Zotit, urre për hir të Zotit dhe bëhu një njeri me zemrën të hapur ndaj Tij!..

Thjeshtësia

Njerëzit kokulur arrijnë shpërblime të pasosura si në lartësinë e Zotit, ashtu edhe mes njerëzve. Kurse e kundërta e këtyre, hundëpërpjetët, mendjemëdhenjtë dhe ata që e shohin çdokënd nga lart poshtë, në çdo kohë janë përzënë nga njerëzit dhe janë goditur nga ndëshkimi i Zotit!

* *

Fakti që njeriu e pëlqen vetveten e mbahet me të madh, është provë e çalimit të mendjes dhe trashësisë së shpirtit. Njeriu që ka arritur pjekurinë e mendjes dhe shpirtit, çdo gjë që ka merituar e di prej Zotit dhe, me ndjenjën e falënderimit, përkulet gjithmonë më dysh para Tij!

* *

Përballë vlerësimit të Zotit dhe poshtërimit të njerëzve, thjeshtësia i përfton zemrës së njeriut ndjenjën e prehjes dhe qetësisë. Sigurisht, dikush që qysh në krye, duke e ditur se sa vlen, është treguar kokulur, do të thotë se është futur nën mburojën më të sigurt ndaj çdo lloj përbuzjeje e poshtërimi që mund t’i vijë nga njerëzit si dhe ka marrë masën parambrojtëse më të shëndoshë ndaj tyre!

* *

Thjeshtësia është tregues i pjekurisë dhe vlerës të individit, kurse mbajtja me të madh, i papjekurisë dhe mangësisë së vlerave te individi. Njerëzit më të formuar janë ata që rrinë më shumë mes njerëzve e bëhen gjithmonë me ta, kurse njerëzit më të mangët në vlera janë ca të pafatë me nam të keq të cilët e kanë për turp të rrinë mes njerëzve e t’i ndajnë gëzimet e hidhërimet me ta!

* *

Ata të cilëve s’u dihet vlera nga shoqëria mes së cilës jetojnë, herët a vonë, në saje të thjeshtësisë në karakter, lartësohen e arrijnë të fitojnë ndere të mëdha, kurse ata që vuajnë nga kompleksi i të mbajturit me të madh, me kalimin e kohës, lihen mënjanë nga populli nga pak e përditë, duke u kthyer në elemente të huaja në mjedisin ku jetojnë!

* *

Lartësimi i një njeriu në vlerat njerëzore del në dukje me anë të thjeshtësisë tek ai; edhe thjeshtësia vetë del në dukje kur atë nuk munden ta ndryshojnë gjërat që shoqëria u jep vlerë, si posti, detyra, pasuria dhe dituria. Për atë njeri, te i cili njëri prej elementëve të sipërpërmendur arrin të shkaktojë ndryshim në mendime e sjellje, nuk mund të bëhet fjalë as për thjeshtësi, as për lartësim në vlerat njerëzore!

* *

Thjeshtësia ka vlerën e çelësit të pothuaj gjithë shprehive të mira; kush e shtie në dorë atë, mund të fitojë edhe shprehi të tjera të bukura, kurse kush nuk e ka, për rrjedhojë, mbetet i privuar edhe prej shprehive të tjera. Ndërsa kur Profeti Adem rrëshqiti dhe i humbi të gjitha gjërat me vlerë të trajtimit qiellor, i rifitoi ato me anë të thjeshtësisë, djalli i rënë në të njëjtën fatkeqësi, u bë kurbani i krenarisë dhe mendjemadhësisë së vet!

* *

Për shkak se madhështia është nga atributet e Individualitetit të Lartë, ata që janë mbajtur me të madh, e janë treguar tekanjozë, pothuaj gjithmonë janë përlarë nga dora “Ndëshkuese” e Tij duke u shkatërruar. Kurse ata që e kanë njohur veten se sa vlejnë e janë treguar të thjeshtë, janë lartësuar duke u ngjitur gjer në audiencën e Tij!

Njerëzorja

Duke e pranuar egon e vet si peshore për të gjitha sjelljet dhe qëndrimet e mira apo të këqija të tij ndaj të tjerëve, njeriu duhet ta peshojë çdo gjë me të: të dojë edhe për të tjerët ato gjëra që do për vete dhe kurrë të mos e nxjerrë nga mendja se sjellja apo veprimi që s’i pëlqen për vete, nuk u pëlqen as të tjerëve. Kështu, ai ka shpëtuar edhe nga sjelljet e këqija, edhe nga të bërit keq të tjerëve!

* *

Duke menduar se të mirat që të janë bërë, ta kanë zbutur zemrën dhe se ndaj personave që të kanë bërë mirë, ndjen dashuri dhe interesim, mund të nxjerrësh si përfundim se edhe të tjerët do të tregojnë dashuri dhe interesim për ty nëse u bën mirë. Thonë se “njeriu është robi i të mirës që i është bërë”; e mira është strehimi më i sigurt ndaj njerëzve për të cilët ti dyshon se duan të të bëjnë keq.

* *

Pjekuria dhe maturia e njeriut del në dukje kur ai nuk heq dorë nga qëndrimi i drejtë edhe ndaj njerëzve prej të cilëve ka parë keq, për më tepër, vazhdon t’u bëjë mirë me ç’i vjen doresh! Sigurisht, njeriu duhet të vazhdojë të sillet njerëzisht dhe bujarisht edhe ndaj njerëzve që i kanë bërë keq, sepse keqbërja është një veprim shtazor; përgjigjja ndaj të keqes me të keqe tregon për mangësi serioze të karakterit te njeriu, kurse përgjigjja ndaj së keqes me të mirë flet për burrëri dhe dinjitet!

* *

Në përpjekjet për t’u bërë i dobishëm nuk ka kufi. Njeriu me zell të lartë mund të bëhet altruist gjer aty sa të jetë i gatshëm për ta flijuar edhe jetën për të tjerët. Vetëm se, që kjo lloj burrërie të bëhet për njeriun virtyt, duhet që sinqeriteti, bujaria dhe kthjelltësia e qëllimit të jenë larg fanatizmit racor dhe fisnor të njeriut!

* *

Njerëzorja dhe bujaria e një personi janë të mundura me anë të afërsisë ndaj miqve e shokëve si dhe me vazhdimësinë e kësaj afërsie. Bërtitja me të madhe për bujari pa treguar afërsi për ta, është një pretendim abstrakt, po kështu, kushtëzimi i të mirave tona ndaj tyre me të mirat e tyre ndaj nesh dhe, aty-këtu, ndëshkimi i tyre duke ua ndërprerë të mirat që jemi duke u bërë, janë shprehje e një vulgariteti shpirtëror dhe e mosnjohjes së të vërtetës...

* *

Një tjetër prej të mirave të mëdha që mund t’i bëjë një njeri një tjetri, është të bëjë sikur s’ia sheh sjelljet e papërshtatshme e të mbyllë sytë ndaj të metave të tij. Të rrëmosh për të mësuar të metat e tjetrit, është paturpësi, ta përflasësh atë majtas e djathtas, ves i pafalshëm, kurse përplasja syve e të këqijave që ka bërë, një goditje e rëndë mbi zinxhirin vëllazëror në të cilin janë lidhur e jetojnë në unitet individët e një shoqërie. Eh, sikur egot e plagosura nga një goditje e tillë të mund të bashkoheshin sërish për të formuar një unitet!..

* *

Ata që i quajnë të parëndësishme edhe të mirat më të mëdha që u bëjnë të tjerëve, ndërkaq që edhe të mirat më të parëndësishme që u bëjnë të tjerët, i vlerësojnë lart, janë njerëz të përsosur që kanë arritur në lartësitë e moralit hyjnor si dhe prehje në ndërgjegje. Njerëz të tillë as mburren me të mirat që kanë bërë, as ankohen për mosinteresimin që u bëhet...

Burrëria dhe bujariasi veti të larta njerëzore

Trajtimi që ti pret prej njerëzve është trajtimi që presin njerëzit prej teje.

* *

Të vraposh në ndihmë të të tjerëve është ftesa më shprehëse e ofruar bujarisë së Zotit!

* *

Nuk duhet të mungosh ta gëzosh tët vëlla qoftë edhe me një buzëqeshje!

* *

T’i duash njerëzit dhe t’i bësh ta ndiejnë se i do, është gjysma e mençurisë.

* *

Vendi yt mes njerëzve është sa vendi i tyre tek ti!

* *

Ata që vazhdimisht thërrasin e bërtasin përreth, në kundërshtim me dëshirën e vet, i humbin miqtë e i gëzojnë armiqtë!

* *

Ai që fut hundët në çdo vend, kurrë nuk shpëton dot nga dyshimi i rënë mbi të!

* *

Mos harro se gjërat që do të të lënë të kënaqur ty, do ta lënë të kënaqur edhe botën!

* *

Njeriu i mençur është ai që di ta përdorë për llogari të vet edhe fuqinë e mjedisit të vet. Kurse të patrutë e të pasuksesshmit, jo vetëm që s’e përdorin, por duke sulmuar lart e poshtë, e kthejnë këtë fuqi kundër vetes!

* *

Fqinjësi i tregohet fqinjit...

* *

Provoje një herë me të mirë personin nga e keqja e të cilit ke frikë.

* *

Fal kur duhet të ndëshkosh në mënyrë që falja të fitojë vlerë!

* *

Kurrë mos harro se ke edhe shumë vëllezër që s’janë ulur në prehrin e nënës tënde!

* *

Përjashtuar ata që binden pa kushte, tipat fanatikë thyejnë e copëtojnë çdo gjë që u zë dora.

* *

Aftësinë për t’i lënë të gjithë të kënaqur, nuk e ka çdo trim.

* *

Rruga për të parë mirë kalon nga vendi ku bëhet mirë...

* *

Marazi e lë njeriun pa sy, pa veshë e pa zemër.

* *

Mirë a keq, ç’u kemi bërë të tjerëve, janë farërat e gjërave që kanë për të na dalë nesër përpara.

* *

Në pasqyrën e shpirtit, pranë të mirave janë vendosur edhe të këqijat radhë-radhë.

* *

Njeriu ideal digjet si qiri për t’u bërë dritë të tjerëve...

* *

Edhe nëse gjuha e gjatë dhe dora e shkurtër i ka hije gjarprit, njeriut jo, se bëhet gjarpër.

* *

Vlera e faljes është në raport të drejtë me pushtetin dhe mundësinë për të ndëshkuar.

Mëkati dhe pastrimi

Nëse mëkati është një shformim në krijim, pendimi dhe pendesa janë rikthim në origjinalin e krijimit.

* *

Mëkati që ka lënë ndryshk në zemër, është si një virus që i ka rënë në qafë trupit; herët a vonë do ta tregojë veten.

* *

Të mos mendosh për vdekjen, ndodh ngaqë zemra është e ndryshkur, kurse frika prej vdekjes, nga varfëria e dijes...

* *

Keqpandehma është ose sëmundje trush, ose ndyrësi zemre. Shpëtimi prej saj është te vetëdijshmëria e njeriut për mëkatet e veta.

* *

Nga gropa ku kemi rënë për shkak të nënvleftësimit të gjërave, mund të dalim vetëm duke i vënë në vend ato që kemi nënvleftësuar.

* *

Nëse shtëpinë e ke prej kristali, mos i hidh gurë as qymezit të tjetrit, madje!.

* *

Kush merret me turpet e të tjerëve, gjithë jetën vetëm turpe bën...

* *

Thonë se “s’ka trim që të mos ketë rënë prej kali e s’ka kalë që të mos ketë zënë në thumb!” Puna është që, pasi të jesh rrëzuar, të dish të ngrihesh e të vish sërish në vete!

* *

Mendimi “e bëj nesër” është një shprehje tjetër e mungesës së vullnetit.

* *

Mëkatet më të mëdha janë ato që hedhin shtat e zhvillohen në korijen e epshit. Pushteti mbi epshin është pushteti më i madh.

* *

Nënvleftësimi i mëkatit është mëkati më i madh...

* *

Nëse pema s’është tharë, e ndjen pranverën...

* *

Kur sheh se Zoti nuk të ndëshkuar, mos merr krahë; mendo se të ka dhënë afat dhe rrëqethu!

* *

Besimtar i vërtetë është ai që mban lidhje çdo çast me Zotin. Mëkatet janë shkëndija të dëmshme që e këpusin këtë lidhje...

E fshehta dhe ruajtja e saj

E fshehta është si një burim force e papërballueshme e si një ushtri e pamposhtshme.

* * *

E fshehta është nder; ai që e mbron të fshehtën, qoftë ajo e vetja, qoftë e dikujt tjetër, ka mbrojtur nderin. Kurse ai që e nxjerr në shesh, do të thotë se i ka lënë zbuluar nderin dhe dinjitetin, duke mos treguar konsideratën e duhur për to!

* *

Ka punë të tilla ku e fshehta i përngjet Hizrit: ka vlerë kur mbetet e padukshme.

* *

Edhe heshtja është urtësi, por të urtët e saj janë të paktë a mund të thuhet se nuk ka.

* *

Personi të cilit dikush do t’ia besojë, do t’ia lërë amanet të fshehtën, duhet të jetë i besueshëm e i sigurt sa për t’ia lënë amanet edhe nderin dhe në mbrojtjen e të fshehtës, duhet të jetë aq pedant sa në mbrojtjen e nderit të vet. Amaneti nuk i duhet besuar atij që s’është i besueshëm e i sigurt, po ashtu edhe e fshehta nuk i duhet dhënë atij që s’njeh të fshehtë e nder!

* *

Kush e burgos gjuhën, shpëton nga robëria e fjalëve të veta.

* *

Mbajtja e të fshehtës dhe respektimi i të fshehtës së të tjerëve është një virtyt njerëzor i lidhur krejtësisht me vullnetin dhe njohjen. Ashtu siç nuk pritet që njerëzit e pavullnetshëm ta mbajnë të fshehtën, po ashtu nuk mund të mendohet që njerëzit naivë, të tillë që të mos jenë në gjendje ta parashikojnë përfundimin e punëve që bëjnë dhe fjalëve që flasin, të jenë gojëmbyllur...

* *

Fakti që një njeri i beson sërish një të fshehtë dikujt që gjer atë ditë ia ka nxjerrë në shesh disa herë të fshehtën e besuar, tregon tek ai mungesë vullneti dhe paaftësi për të zgjedhur shok. Një njeri që, në saje të besimit, i janë hapur sytë dhe zemra i ka zënë vend, nuk duhet të gënjehet, nuk duhet të mashtrohet kaq shumë!

* *

Njeriu duhet të ruhet jashtëzakonisht nga përhapja e të fshehtave të veta andej-këtej, sidomos nëse këto do të jenë gjëra të shëmtuara, të padëshiruara e si rezultat, të padobishme... Ndërsa do t’i turpërojë miqtë, kjo mund të bëhet shkak për lindjen e situatave të pakëndshme që do t’i gëzonin armiqtë...

* *

Gjokset janë krijuar si nga një arkë e vogël për të fshehtat. Mendja është dryni i tyre, kurse vullneti, çelësi. Për sa kohë që në këtë dry dhe çelës të mos ketë prishje, askush s’ka mundësi të zbulojë se ç’fshihet në arkë...

* *

Ai që bart të fshehtat e tjetrit për tek ti, mund t’i bartë edhe të fshehtat e tua për te tjetri. Prandaj kurrsesi nuk duhet t’u japim rast njerëzve të tillë të njohin qoftë edhe gjërat tona personale më të parëndësishme!..

* *

Zemra e kokëtrashit është në majë të gjuhës, kurse gjuha e të mençurit, në skajin më të fshehtë të zemrës...

* *

Duhet ruajtur nga shoqërimi me kokëtrashët. Më e keqja është se, jo vetëm mund të kenë qëllime të këqija, por, edhe në s’paçin të tilla, mund të të bëjnë keq pa qëllim...

* *

Ka të fshehta që kanë të bëjnë me individin, ka të fshehta që kanë të bëjnë me familjen, por ka edhe të fshehta që kanë të bëjnë dhe prekin një shoqëri e një komb të tërë... Me zbulimin e të fshehtës së individit, i jepet rast vënies në lojë të dinjitetit të individit, me zbulimin e të fshehtës që i përket familjes, vënies në lojë të dinjitetit të familjes, kurse me nxjerrjen në shesh të të fshehtës që i intereson shoqërisë e kombit, vihet në lojë dinjiteti i shoqërisë e i kombit, sepse, ndërsa e fshehta është një forcë për sa kohë mbetet e tillë dhe në dorë të atij që i përket, kur zbulohet, kthehet në një armë të rrezikshme që mund të përdoret kundër të zot. Prandaj dhe të parët tanë kanë thënë: “E fshehta është robi yt, por, po e zbulove, ti bëhesh robi i saj!”

* *

Është një parim që shumë punë me vlerë të madhe kërkojnë mbajtjen e të fshehtës; kur ka ndodhur që ata që i kanë pasur në dorë këto punë, nuk e kanë mbajtur të fshehtën, nuk ka qenë e mundur të hidhet qoftë edhe një hap përpara, madje, iniciativat janë rrezikuar seriozisht. Kjo gjë merr rëndësi dhe përmasa krejt të veçanta kur është fjala për çështje delikate që kanë lidhje me jetën dhe të ardhmen e një kombi!..

* *

Nëse një shtet u ka lëshuar të fshehtat e shtetit armiqve, nëse një ushtri ia ka zbuluar strategjinë e lëvizjes forcave armike, nëse një afarist është zbuluar nga konkurrentët, s’ka më mundësi që ai shtet ta rimbledhë veten, që ajo ushtri të fitojë dhe që ai afarist të dalë me sukses...

E keqja e gjuhës

Të folurit e shumtë është një sëmundje që shërben si provë e çekuilibrit mendor e shpirtëror. Fjalë e përshtatshme është ajo që, me rrugën më të shkurtër, i tregon diçka bashkëbiseduesit pa ia trazuar kokën. Për t’i treguar ca gjëra bashkëbiseduesit, nuk është nevoja të flasësh gjerë e gjatë, madje, e folura e gjatë shpesh sjell me vete një sërë dëmesh sepse krijon mundësi për kontradikta që nxjerrin në shesh pyetje të reja gjë që, për bashkëbiseduesin, përbën dëm e jo dobi!

* *

Njeri i mençur është ai që, në vend që të flasë vetë, vë të flasin persona që do të ishin të dobishëm si për vete, ashtu edhe për të tjerët. Në fakt, fjala e dikujt tjetër në vend të personave, mendja e të cilëve është e mbushur dhe pjekur me shkencat e natyrës, kurse zemra, me kulturën hyjnore, është mungesë respekti dhe dëm për shoqërinë që i përkasin.

* *

Të flasësh pak e të dëgjosh shumë është virtyt dhe shenjë lartësimi shpirtëror, kurse dëshira e vazhdueshme për t’u dëgjuar, edhe nëse s’quhet çdo radhë marrëzi, nuk ka dyshim se është çekuilibër absolut e paturpësi!

* *

Çdo fjalë që do të thuhet, duhet të jetë e tillë që të sqarojë ndonjë çështje dhe t’i japë përgjigje ndonjë pyetjeje. Dhe, duke folur, duhet ruajtur me çdo kusht nga shkaktimi i mërzitjes si tek pyetësi, ashtu edhe tek dëgjuesit.

* *

Është normale dhe e natyrshme që njeriu duhet të heshtë atje ku s’duhet të flasë dhe duhet të hapë gojën atje ku duhet të flasë. Ndërkaq, çdo herë duhet të parapëlqehet fjala e personave me më tepër përfitim. Dhe kjo, para së gjithash, është një çështje edukate dhe varet nga njohja e vlerës së heshtjes. Sa bukur kanë thënë etërit tanë: “Fjala është argjend, heshtja është flori!”

* *

Njeriu e rrit vlerën e vet jo duke thënë shumë fjalë, por kur fjalët që thotë, janë me vend e me vlerë. Në të kundërt, personi që flet mbarë e prapë e kudo, sidomos nëse tema e bisedës ka të bëjë me koncepte të larta e që kërkon kompetencë, bie në shumë gabime dhe e rrëzon edhe vlerën e vet. Sa me vend është fjala që thotë se “ai që flet shumë, bën shumë gabime!”

* *

Me fjalët që thotë, njeriu e tregon veten dhe me sjelljet reflekton lartësinë e shpirtit. Llafazanët që nuk ia lënë fjalën askujt tjetër sikur të ishte e nevojshme që çdo fjalë duhet ta thoshin ata vetë, me kohë nisin të ndjejnë neverinë dhe përbuzjen e të gjithë miqve. Dhe një situatë e tillë bën që të mos u vihet veshi fjalëve të bukura që herë-herë do t’u takojë atyre t’i thonë, për rrjedhojë, të nënvleftësohen të vërtetat e larta pikërisht pse i tha një llafazan, gjë që do të thotë mungesë respekti për ato të vërteta të larta.

* *

Ashtu si e ngrëna e paktë dhe e fjetura e paktë, edhe e folura e paktë është bërë që në krye të herës tipar i njerëzve të pjekur. Porosia e parë e dhënë njeriut për zhvillimin e aftësive shpirtërore është sundimi i gjuhës dhe ruajtja prej fjalëve të pavend e të panevojshme. Kështu, gjuha e atyre që kudo që të ndodhen, e hapin gojën e flasin mbarë e prapë, e cila u është më e madhe se koka dhe zemra, do të bëhet vazhdimisht shkak për humbje edhe këtu, edhe në botën tjetër...

* *

Sidomos puna e atyre që thonë gjëra që s’i kanë bërë, është krejt e hidhur dhe të vë në mendime...

* *

Njeriu bëhet i afërt e i dashur për Krijuesin dhe krijesat në atë masë sa të qëndrojë larg sëmundjes së të folurit të shumtë, të pëlqimit të fjalës së vet dhe mosnjohjes të tjerëve të së drejtës së fjalës. Në të kundërt, nuk e gjen dot atë që shpreson as te Zoti e as te njerëzit!..

Premtimi

Është më mirë të premtosh një herë e ta çosh në vend, se sa të premtosh një mijë herë e mos të bësh asgjë!

* *

Qëndrimi në fjalën e dhënë është domosdoshmëri e qenies njeri dhe e njohjes së vlerave njerëzore!

* *

Ndjeshmëria për ta çuar në vend premtimin buron nga besimi, mosmbajtja e premtimit buron prej dyfytyrësisë!

* *

Një pjesë njerëzish gjatë gjithë jetës përpiqen për ta çuar në vend marrëveshjen e nënshkruar në zemra, kurse një pjesë tjetër jetojnë pa ditur gjë për një marrëveshje të tillë. Ja, në këtë pikë ndahen besimtari nga hipokriti!

* *

Mos thuaj, “premtoi, por nuk e çoi në vend premtimin”! Mendo ato që u premtuan e s’u çuan në vend. Mos dëno kënd duke thënë se s’u tregua njeri! Kujto rastet që ti vetë i le të të ikin për t’u treguar njeri!

Kujdesi dhe maturia

Edhe sikur të të ngjisin qiejve, mos harro se toka është më e sigurt. Kush bie nga avioni, copëtohet, kurse ai që i ka këmbët në tokë, mbetet ashtu siç është!

* * *

Kurrë nuk duhet të heqim dorë prej maturisë sepse nga ajo lindin mendime të shëndosha. Në të kundërt, hapen plagë që mbyllen me vështirësi dhe krijohen të thyera që duan shumë kohë e mund për t’u ngjitur. Sjellja e përshtatshme pasi të bëhet e keqja, as mundet t’i mbyllë ato plagë, as mund t’i ngjisë ato thyerje...

Mirë - më mirë

Jeta është një dhunti hyjnore; dhunti më e madhe se jeta, është ta jetosh atë pa borxhe!

* *

Njeriu më fatlum është ai me mëkatet më jetëshkurtra. Kurse më fatlum se ai është njeriu që mundet të jetë gjithmonë i mbyllur ndaj mëkateve.

* *

Ka njeri që e gdhend kohën për llogari të vet; ka njeri që sa është gjallë, koha rri dhe e gdhend...

* *

Brenga më e madhe që e shumëfishon pleqërinë brenda pleqërisë, është shqetësimi i pleqërisë...

* *

Është mirë të mbash qëndrim ndaj errësirës, por më mirë është që, në vend që ta shash errësirën, të ndezësh një pishtar qoftë edhe të vogël për ta ndriçuar atë.

* *

E mira e paktë por e vazhdueshme është më e begatshme se e mira e shumtë që ndërpritet herë pas here.

* *

Një hap në profilaksi është më i dobishëm se njëqind hapa në mjekim.

* *

Një dele e gjallë që jep qumësht është më e dobishme se një mijë dele të therura.

* *

Nderi dhe respekti burojnë nga tipari muhamedan i myslimanit.

* *

Trumcaku në dorë është më i mirë se pëllumbi në erë.

Sjellja dhe veprimi

Besimi fetar konkretizohet me veprim.

* *

Gjërat që bën, besimtari i bën me mendimin se i nënshtrohen kontrollit të Allahut.

* *

Shiu ndodhet në ajrin me re, kurse sjelljet e mira, në zemrat e lidhura pas Allahut!

* *

Çdo gjë mund të vihet nën kontroll, por karakteri, vështirë...

* *

Është turp për njeriun e moshuar që të pijë gji, por edhe prerja prej gjirit, e vështirë.

* *

Nxehja e njeriut që nuk nxehet kurrë, është e veçantë...

* *

Ashtu si hija e shkopit të shtrembër nuk do të jetë e drejtë, ashtu edhe sjelljet e dikujt që nuk e ka balancuar mirë peshoren e zemrës, nuk mund të jenë të drejta.

* *

Nëse njerëzit të kanë dhënë ty një vend sipas sjelljeve të tua, është e kotë të presësh një trajtim tjetër prej tyre pa e ndryshuar veten.

* *

Nuk ka gjë më të ëmbël se kënaqësia, më të hidhur se nevojtaria ndaj të tjerëve dhe më të rëndë se besimi kur kushtet nuk e lejojnë.

* *

Fjala pa punë, miqësia pa besë dhe jeta pa kënaqësi s’janë tjetër veçse nga një gënjeshtër më vete.

* *

Afrohuni e shkrihuni me njëri-tjetrin si të dashurit, por në punë e veprime silluni sipas parimit të të qenit të huaj.

* *

Lëre, mos fol ti për veten tënde, të flasin punët dhe sjelljet e tua për ty!..

Tërësia e ndjenjave të larta

Ata që tregojnë armiqësi të hapët ndaj nderit, janë të poshtër, kurse armiqësi të fshehtë, janë injorantë që nuk kanë turp prej Zotit dhe që s’e njohin veten. Në të vërtetë, ata që s’kanë ndjenjë nderi, s’kanë as ndjenjë kombi e atdheu.

Dhuntia dhe vetëdija e dhuntisë

Ka dhunti të panumërta të Zotit për njerëzit; më e madhja prej tyre është dhuntia për të qenë i vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre dhuntive...

* *

Shëndeti është një dhunti atllasi në shpinë të njerëzve të shëndoshë, e tillë që vetëm të sëmurët ia dinë vlerën...

* *

Dhuntia më e madhe e Zotit për njerëzit është besimi, kurse falënderimi i kësaj dhuntie të madhe është moskundërshtimi i Tij!..

* *

Përgjigjja për çdo dhunti duke falënderuar me të njëjtën monedhë, është shprehje e dashurisë për vlerën!..

* *

Jetesa në shumë raste e injorantit në mirëqenie e lumturi, kurse e të diturit dhe e të urtit në varfëri tregon se dhuntitë vijnë në botë jo sipas vlerës së personit...

* *

Është e rëndësishme të dihet jo çmimi i gjësë, por vlera e saj...

* *

Bamirësitë e Allahut janë në masën e madhështisë së Vet, kurse kërkesa për falenderim, sipas vendit të atij që i është bërë bamirësia.

* *

Dhuntia që e largon njeriun nga Allahu, është fatkeqësia më e madhe!

Altruizmi

Kontributi i secilit është sipas vlerës së vendit që ka. Ai që mendon vetëm veten, ose s’është njeri, ose është një krijesë e metë. Rruga që shkon te njerëzorja e vërtetë, kalon nëpër mendimin për të tjerët gjer te mohimi i vetes për ta nëse paraqitet e nevojshme!

* *

Njeriu duhet të jetë përballë turpeve të veta hetues, kurse përballë të metave të të tjerëve, avokatmbrojtës i tyre.

* *

Njeri i pjekur dhe mik i vërtetë është ai që si në të dalë nga ferri, ashtu edhe në të hyrë në parajsë, di të të lëshojë rrugë duke të thënë: “Urdhëro, kalo!”

* *

Njeriu i vërtetë, pavarësisht nga kushtet, duke mjelë e mbushur kovën e vet, nuk i le zbrazët as kovat e të tjerëve...

* *

Ti hidh farën e shko, kush të korrë, le të korrë!..

Besimi monoteistdhe dashuria për Allahun

Kur dikush thotë diçka, nuk do të shihni kah ai që flet, por kah ai që e bën të flasë dhe do të thoni: “Atë Allahu e bëri të flasë!” Kjo mënyrë të menduari është edhe e pagabuar, edhe e parrezikshme.

* *

Ai që e kërkon nga Allahu atë që kërkon, kurrë s’mbetet pa gjë!..

* *

Ai që mbështetet te Allahu, është gjithmonë i gjallë; edhe po të vdesë, meqë është mbështetur te Ai dhe e ka përcaktuar veten të Atij, quhet se jeton...

* *

Më e bukura e dashurisë për Allahun është ajo e rrethuar nga njëra anë me respektin, nga ana tjetër, me frikën ndaj Tij!

* *

Ç’fitim i madh për ne që Allahu na ka dhënë mundësi ta duam!..

* *

Është e provuar një mijë herë se kur është thënë “qëllimi arrihet me këto e këto forca”, pa kaluar shumë, ato forca janë përmbysur e shkatërruar! Ajo që na takon neve, është të shtrëngojmë dhëmbët e të punojmë duke u mbështetur tek Allahu, duke e pasur Atë si dorëzanës!

* *

Edhe nëse ti nuk e prek me dorë atë që me siguri ka për t’u ndëshkuar e shkatërruar, kur t’i vijë koha, Fuqia e Zotit e çon të drejtën në vend!

Pishtari i errësirës

Namazi i pasmesnatës,tehexhudi,është si një pishtar në duar të njeriut përballë errësirës së gjatë të natës. Në fakt, edhe secili prej namazeve të pesë kohëve është kah ndriçon një pikë të errësirës së njeriut, kah u lëshon dritë fragmenteve të caktuara të kohës. Po të mos jetë namazi, njeriu nuk mundet të ecë në vijën e fesë dhe nuk mund të bëhet i drejtë. Kur Profeti nuk e pati falur në kohë namazin e pasmesnatës, e pati plotësuar ditën. Me këtë, gjithsesi, pati dashur të na jepte mësim që të mos lemë zbrazëtirë në jetën tonë...

Bota e brendshme

Çdo mendim që na hyn në shpirt dhe lëshon rrënjë atje, herët a vonë e jep frytin e tij. Ky fryt mund të jetë edhe i ëmbël, parajsor, edhe helmues, skëterror... Zemra e një njeriu, në trutë e të cilit ndodhen embrionet e së mirës, së bukurës, mirëkuptimit e faljes, gjithmonë të kujton kopshtet e parajsës. Dhe kurrë nuk mund të mendohet që një njeri i tillë të ngrihet papritmas për të vjedhur e grabitur, për t’u përfshirë në imoralitete a për të vrarë, për të pirë alkool a drogë. Për të gjitha këto sjellje e veprime të këqija është kusht që në trutë e tij të ndodhen që më parë disa ide apo plane të këqija. Ndërkaq, gjërat e bëra nga njeriu, trutë e të cilit janë plot me ide të këqija e destruktive, janë krejtësisht reflektime të botës së tij të brendshme. Prandaj ndodh që çdo individ, kur ende s’ka arritur të vendosë në botën e tij të brendshme rregullin dhe orientimin, kurrsesi nuk mund të bëhet i bukur, nuk mund të duket i bukur në pamjen e tij të jashtme; edhe nëse duket, pa diskutim që kjo është kalimtare dhe pa diskutim që nuk mund të vazhdojë gjatë...

Mendimi për mirë

Njëra prej rrugëve më të rëndësishme që çojnë në ngadhënjimin e zemrës së njerëzve, është vazhdimisht ruajtja e rastit për t’u bërë mirë atyre dhe, sapo të jepet një rast i tillë, bërja e së mirës pa humbur kohë. Eh, sikur t’i akordonim zemrat sipas mendimit për të bërë gjithmonë mirë!..

Shoqëria dhe miqësia

Ai që i çmon shokët e miqtë duke i pritur e gostitur, fiton mbrojtës kundër armiqve dhe njerëz që kanë për t’i dalë për zot...

* *

Nevoja e njeriut për shok besnik nuk është e dorës së dytë, si dhe më e parëndësishme se nevojat e tjera. Individi që ndodhet në prehje e siguri lidhur me shokët e miqtë, quhet se ndihet i sigurt edhe në shumë anë të tjera.

* *

Njeri i mençur është njeriu që, kur i prishen marrëdhëniet me mjedisin, di ta fshijë shpejt e shpejt pakënaqësinë e krijuar me ta dhe ta rinojë miqësinë. Kurse më i mençuri se ky është njeriu që, duke u treguar i kujdesshëm e i vëmendshëm, kurrë nuk i prish marrëdhëniet me miqtë...

* *

Ashtu siç ka armiq të fshehtë, ka edhe miq të fshehtë. Miku i fshehtë ose, më saktë, ai që s’do të duket, e quan hipokrizi të flasë për veten e ta tregojë me fjalë miqësinë. Atëherë duhet të themi se, ashtu siç bëjmë përpjekje për t’i njohur armiqtë, duhet të bëjmë edhe për të kërkuar miq, sepse miqtë e gjetur pa i kërkuar mund të mos jenë aq të sigurt sa mund të shpresohet...

* *

Vazhdimësia e dashurisë dhe interesimit mes shokësh varet nga mirëkuptimi dhe ndjenja e gatishmërisë për sakrificë që do të tregojnë ndaj njëri-tjetrit në rrugë legale dhe punë të pëlqyeshme. Miqësia e personave, të cilët në mendime, sjellje e veprime nuk tregohen vetëmohues ndaj njëri-tjetrit, është e shkurtër dhe kalimtare...

* *

Besnikëria e një njeriu ndaj miqve është në po atë masë që të ndiejë në vetvete dhimbjet dhe kënaqësitë e tyre. Miku që nuk qan kur i qajnë miqtë e nuk qesh kur i qeshin miqtë, nuk mund të quhet mik besnik...

* *

Miqësia dhe vëllazëria e vërtetë mes miqsh e vëllezërish del në pah në atë masë sa të jetë në gjendje ta vazhdojë marrëdhënien mes tyre edhe në ditë të vështira për ta. Ai që nuk ndodhet pranë miqve e vëllezërve në ditë të vështira e çaste rreziku, s’është mik, s’është vëlla!

* *

Mik i vërtetë është ai që të zgjat dorën kur sheh se je duke u rrëzuar, jo ai që të tund kokën me miratim për çdo gjë...

* *

Ata që herë pas here kapen e grinden me mjedisin, i kanë të paktë miqtë. Ai që dëshiron edhe të ketë shumë miq, edhe t’i ketë të besës, duhet të ruhet shumë nga debatet e panevojshme me ta...

* *

Nëse ti e mban veten të çmuar, edhe të tjerët të mbajnë të tillë...

* *

Miqësia është, para së gjithash, një çështje zemre. Ata që kanë pandehur se do ta fitojnë miqësinë me gënjeshtra e hipokrizi, gjithmonë kanë mbetur të gënjyer. Edhe nëse përreth tyre mblidhen përkohësisht katër a pesë naivë të gënjyer nga ca grimasa, nuk mund të ketë mundësi që këta ta shtyjnë gjatë miqësinë e tyre!

Njerëz të shtrenjtë

Mes njerëzve, ashtu siç ka njerëz të lirë që mund të blihen fare lirë, ka edhe njerëz të shtrenjtë që nuk mund të blihen as me arin e tërë botës! Pikërisht këta janë njerëzit që i lartësojnë kombet. Njerëzit e shtrenjtë, ashtu si retë e ngarkuara me shi, janë të ngarkuar me ideale e virtyte të larta. Të njihen a të mos njihen, ku shkel këmba e tyre, mbin bar e lind jetë...

* * *

Omer Muhtari u thotë italianëve: “Unë po vdes, por do të ekzistoj pa fund, kurse ju, bashkë me vdekjen, do të merrni fund!” Myslimani e shet jetën shtrenjtë, e jep jetën e vdekshme dhe merr jetën e pavdekshme. Shëndeti që na mban lidhur ne pas kësaj bote, është si bukuria dhe freskia e fletës së trëndafilit. Fleta e trëndafilit është shumë tërheqëse kur është e gjallë, e freskët dhe e shëndetshme, por, kur vyshket, s’i mbetet asnjë vlerë!..

Kapitali më i madh

Morali dhe ndërgjegjja, edukata dhe delikatesa janë si një monedhë që shkon në çdo vend dhe si një margaritar, vlera e të cilit nuk preket nga lëkundja e kursit të monedhës. Ai që i fiton ato, u ngjet tregtarëve me kredi të lartë që, edhe sikur të mos kenë kapital tjetër, mund të bëjnë tregti në çdo vend!

Vdekshmëri

Tiktaket e zemrës janë mërmërimë e melodisë së vdekjes filluar me lindjen...

* *

Pothuaj çdo njeri e di se kiameti është afër. Mirëpo sa vetë ka që t’i bien në të se ai shpërthen çdo ditë e nga pak?..

* *

Po qe se të rinjtë do ta parashikonin qysh më parë se sa të pavlerë do të bëheshin pasi t’u kalonte rinia dhe bukuria, gjithsesi do të kërkonin pa pushim rrugët e rinisë dhe bukurisë së përjetshme...

* *

Ka shumë gjëra që njeriu u jep vlerë, të cilat vdesin e shkojnë së bashku me të, kurse idetë dhe veprat e dobishme të tij mbeten të gjalla edhe pasi ai vetë të varroset dhe jetojnë gjer në pafundësi...

Të qash e të qeshësh

Të qarët është përpjekja e shpirtrave të ndjeshëm për t’u qetësuar si dhe akti i shuarjes me lot të zjarrit që digjet në ndërgjegje. Por ç’e do se shumica e njerëzve qeshin kur është për të qarë dhe qajnë kur është për të qeshur...

* * *

Kur shpirti merr flakë, ndërgjegjja nis të digjet dhe pikërisht atë kohë njeriu qan. Atëherë vijnë në ndihmë lotët dhe e shuajnë flakën e shpirtit. Sipas meje, lidhja mes fjalëve çeshm dhe çeshme prej këtu vjen...

Mbi frikën dhe shpresën

Frika nga njerëzit e paralizon njeriun, kurse vështrimi lypsar në duar të njerëzve për të pritur diçka prej tyre, shpesh bëhet shkak për shuarjen e ëndrrave për jetën dhe humbjen e shpresës. Shpëtimi i vetëm nga frika prej njerëzve është frika ndaj Atij i cili duhet pasur frikë dhe rruga për të mos rënë kurrë në pesimizëm është mbështetja tek Ai që është gjithmonë i fuqishëm e i aftë për ta çuar në vend premtimin!

Dy ditë për çdokënd

Kemi besimin se për çdo njeri ka dy ditë: e para, dita e vet e çdo njeriu; e dyta, dita e brezave që do të vijnë... Edhe nëse ne mund të qajmë për të sotmen, duke i besuar favorit të të Gjithëmëshirshmit, kemi shpresë se në ditën tjetër kemi për të qeshur...

Spektri i të qarit e i të qeshurit

Një shpirt që, me përparimin e moshës, nuk bëhet njësh me idenë e të qenit rob i Zotit, bie në fatkeqësinë e humbjes atje ku pret të fitojë... Po qe se do t’i binte dot në të kësaj, do të qante për çka sot po qesh dhe do të përthyhej më dysh prej pendimit...

Ai me jetën të begatë

Më jetëgjatët nuk janë ata që jetojnë më gjatë, por ata që, duke u përpjekur, dinë të marrin më shumë prodhime nga jeta e vet. Sipas këtij kriteri, ashtu siç do të ketë njëqindvjeçarë jetëshkurtër, do të ketë edhe pesëmbëdhjetëvjeçarë që, me prodhimet e marra qysh në atë moshë -prodhime që njeriut të zakonshëm do t’i duheshin mijëra vite për t’i siguruar- u ka arritur kryet në qiej...

Jeta e vërtetë

Jeta është, në fëmijëri, një bulëzim dhe hare, në rini, tensionim metafizik dhe shpirt përpjekjeje e lufte, në pleqëri, emërtimi i të mbeturit gjallë me dëshirën për t’u takuar me miqtë. Por sa e hidhur është që syri mohues e pa jetën herë një komedi e, herë një tragjedi dhe e vrau mendimin e kënaqësisë dhe falënderimit te njeriu!..

Vetmi

Ndjenja e vetmisë është vuajtja e pashërim e njerëzve të mjerë e të paqëndrueshëm që nuk e kanë rregulluar zemrën sipas të përjetshmes, që nuk e kanë tharmuar mendimin e të përjetshmes në shpirt. Është e qartë se këta, gjersa ndjenjat t’u marrin hov me besimin, gjersa shpirtrat t’u shohin fytyrën e vërtetë të qenies, as do të mund të shpëtojnë nga atmosfera e mjegullt e pesimizmit, as do të mund të bashkëjetojnë me të gjithë qenien duke u bërë shok e mik me gjithçka!..

Thellësi

Struktura ndjesore te njeriu zhvillohet në përpjesëtim të drejtë me jetën që jetohet, me brengat dhe ankthet që përjetohen. Botët ndjesore të njerëzve që s’e kanë vrarë mendjen, që s’kanë ndjerë brengë e ankth, pra edhe që kanë mbetur gjithmonë jashtë jetës, ashtu si edhe aftësitë e tjera, kurrsesi nuk u zhvillohen dhe ata kurrë nuk mund të bashkohen e të bëhen një me qenien...

E keqe

Edhe sikur atyre që bëjnë keq, askush të mos u bëjë gjë, është e pashmangshme që një ditë pa tjetër të kapen nga vetë e keqja e vet. Sigurisht, rruga e të këqijave që zgjatet e shkon, herët a vonë do të soset duke përfunduar në humnerën e asgjësimit!..

* * *

Të këqijat aksidentale, edhe nëse duken të vazhdueshme, janë të përkohshme. Kur t’u mbushet jetëgjatësia e natyrshme, edhe ato, si gjërat e tjera, vdesin e shkojnë. Ç’e do se, disa herë, na i rrëmbejnë edhe vlerat tona njerëzore...

Ca sëmundje zemre

Besimtar i vërtetë është ai që, në të njëjtën kohë, është edhe zotërues i një morali të lartë. Në adhurimin e tij nuk ka gjë për dukje, në punët e tij nuk ka gënjeshtër dhe në zemrën e tij nuk ka maraz dhe dyfytyrësi! Veprimi për dukje e largon njeriun nga Zoti, kurse gënjeshtra, edhe nga Zoti, edhe nga njerëzit. Marazi bëhet shkak që ai të kujtohet me urrejtje, kurse dyfytyrësia, me mallkim...

Pangopësia

Pangopësia është një ndjenjë rrëmbyese që e bën njeriun t’i duket luani mi. Kush bie në dorë të saj, nuk ka më shpëtim...

* *

Pangopësia është një demon që i vë me shpatulla për tokë edhe trimat më të vështirë!..

* *

Ai që s’vuan nga pangopësia, me kalimin e kohës bëhet njëri prej atyre me të cilin njerëzit s’kanë të ngopur...

* *

Zilia te ziliqarët, pangopësia te të pangopurit është një skëterrë e përshtatur kësaj bote...

* *

Pangopësia është një kular robërie në zverk të njeriut...

* *

Nevoja është si një turjelë që shpon ndjenjën e turpit; pa le po ta shtyjë edhe pangopësia...

* *

Njeriu jep shpirt në krahët e gjësë pas së cilës është i pasionuar...

Zhgënjim

Në kërkim të një Mehlika Sulltanës, drejt sa e sa të panjohurave hapëm velat! Megjithatë, as Lejlën, pas dashurisë për të cilën ramë shkretëtirave, nuk e gjetëm, as në brigjet prej të cilëve u larguam, nuk mundëm të kthehemi...

* *

Sapo një shoqëri të largohet nga rrënja shpirtërore e vet, këndvështrimi i ndryshon, po ashtu dhe konkluzionet mbi vlerat i përmbysen krejtësisht. Në një shoqëri të tillë, luftës për vetëmbrojtje i jepet nami i dhunës, dhunës, nami i drejtësisë, mbi historinë vërshojnë mallkime, shëmtitë e ditës ngrihen në qiell, edukata përbuzet, paturpësia duartrokitet, pafytyrësia konsiderohet e natyrshme; ndërsa besnikëria ndaj kombit dhe së kaluarës nxihen në mënyrën më të ulët, ideja e mohimit të së kaluarës, pra, e kombit pa histori dhe përkrahësit e saj pothuaj ngrihen në qiell!..

* *

Dobësia për të qenë vazhdimisht bashkë me gjininë tjetër është ose dëmtim natyre ose shenjë e bartjes së karakterit të asaj gjinie.

Injoranca

Injoranca është si një perçe e lëshuar mbi fytyrë të materies. Fatkeqët që nuk arrijnë ta largojnë këtë perçe nga fytyra, kurrë nuk mund t’i njohin të vërtetat e larta të gjithësisë. Injoranca më e madhe është të mos e njohësh Zotin dhe, kur kjo të bashkohet me egoizmin, kthehet në një lloj marrëzie më në fund të pamjekueshme.

Fytyra e vërtetë e kësaj bote

Disa e quajnë këtë botë ca para e ca kënaqësi. Edhe nëse kjo është e drejtë për ata që, duke e mbështetur çdo gjë te materia, e vlerësojnë botën siç e shohin e siç e dinë, në sy të njerëzve të mendimit, të aftë për ta rrokur të vërtetën, s’është gjë tjetër veçse vetëmashtrim.

* * *

Ata që sot përpiqen ta prishin botën, duken edhe më të shumtë, edhe më të pushtetshëm se ata që e ruajnë rregullsinë e saj. Po të mos jetë një fuqi shpirtërore që do të ndikonte mbi ekuilibrin e forcave, është e vështirë që, me gjendjen e sotme, të thuash se do të arrihet diçka për të mirë.

Shpirtrat mëkatarë

Shpesh njeriu i sheh të tjerët me dylbinë e ndjesive të veta dhe, për shkak të turbullirave në to, gjithkënd e gjithçka i sheh turbull. Për rrjedhojë, vendimet e marra prej tij në këto kushte, janë krejt të errëta e të pamëshirshme. Ç’është e drejta, egoisti i rënë në këtë situatë, e pandeh gjithçka përreth të shkatërruar, por është ai vetë që është shkatërruar.

Çiliminjtë

Duke e quajtur konsideratën e të mëdhenjve për ne, nevojën tonë dhe shenjë të madhërisë së tyre e, pastaj, duke i shfrytëzuar edukatën dhe respektin tonë si pretekst të vazhdimësisë së asaj konsiderate, duhet të ruhemi nga sjelljet e padenja në mënyrë që të mos biem në pozitë rrugaçërie. Mjerë për ata që, si të ishin çiliminj tekanjozë, e shpërdorojnë konsideratën e të tjerëve për ta!..

Shënimet

  1. 3.Është fjala për poetët e mëdhenj Mevlana Xhelaledin Rumi (1207-1273) dhe Junus Emre (1240-1321). 5 Profeti Muhamed, pqmT.
  2. 4.Hizri: Një ndër njerëzit e bekuar që sipas besimit islam ka gjasa të ketë qenë Profet. Njihet si simbol i mirësisë dhe i ndihmesës.
  3. 5.Heroi kombëtar i Libisë në luftën kundër italianëve.
  4. 6.Këto dy fjalë persishte do të thonë, respektivisht, sy dhe burim uji.
  5. 7.Mehlika Sulltana, figurë mitologjike e letërsisë antike të Lindjes.