ÇËSHTJE MORALE, ETIKE DHE SHOQËRORE
Kombi
Nëse individët të cilët kanë vendosur të jenë nga një shtyllë e mirë për kombin e vet, janë të sinqertë në këtë gjë, duhet t’i harrojnë interesat e veta ndërkohë që edhe interesin më të vogël që ka të bëjë me kombin, nuk duhet ta nxjerrin nga mendja qoftë edhe për një çast!
* *
Kombi me nivel më të lartë është kombi që, duke i menduar të gjitha punët në unitet, i jep peshë vështrimit të shumicës. Natyrisht, është shumë e rëndësishme që individët e atij kombi, në veçanti të tilla jetësore si feja, gjuha, vetëdija historike, të kenë marrë të njëjtën edukatë!
* *
Gjëja që do të na kënaqë më shumë, duhet të jenë kritikat e ardhura nga njerëzit që duam, dhe për dashurinë e të cilëve jemi të sigurt. Në të kundërt, ashtu siç do të ndodhë që, si pasojë e disa të metave tona, të humbim shumë miq, nuk do të dimë edhe t’i rregullojmë shumë prej të metave e dobësive tona!
* *
Njëra prej veçantive më të rëndësishme që na ka dobësuar ne, si komb, është naiviteti ynë ndaj hileqarëve me fytyrë miku që na kanë rrethuar gjithandej. Kurse njeriu s’duhet mashtruar nga çdo premtim, s’duhet t’i besojë çdo udhërrëfyesi.
* *
Nëse mes individëve të një kombi vjen puna që dredhia, gënjeshtra dhe mashtrimi të quhen zgjuarsi, do të thotë se atë komb e ka zënë një sëmundje, tashmë, e pashërueshme. Ndërkaq, gjërat që në një trup të tillë duken si shenja përmirësimi, s’janë veçse një vetëmashtrim sikurse pandehja se majmja e gungave në një trup që e ka zënë veremi, është shërim.
* *
Në qoftë se mes të gjithë individëve të një kombi ka një lidhje si të ishte familjare, në saje të kësaj lidhjeje fati, pa diskutim, do të spërkatë ujë në rrugën e atij kombi drejt majave. Kurse kombet, individët e të cilëve nuk e duan njëri-tjetrin, të cilët punojnë kundër njëri-tjetrit e, që, për pasojë, nuk ndjejnë besim dhe siguri te njëri-tjetri, jo vetëm që s’janë kombe në kuptimin e vërtetë të fjalës, por dhe as që bëhet fjalë të kenë të ardhme!
I riu
I riu është fidani i forcës dhe zgjuarsisë. Po qe se edukohet e mësohet, mund të bëhet një Anté, një fuqi që u premton zemrave ndriçim, e botës harmoni.
* *
Shoqëria është një enë kristali, kurse të rinjtë, brenda saj si një lëng që merr formën dhe ngjyrën e enës dhe me atë duket. S’e di, apostujt e rregullit dhe harmonisë, të cilët u bëjnë thirrje atyre për përulje dhe bindje, a janë në gjendje të kthehen e të hedhin një vështrim mbi veten e vet?
* *
Dëshirat u përngjajnë të ngrënave të ëmbla, kurse virtytet, të ngrënave pak të tharta a të kripura. Po qe se i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se cilat do t’i zgjedhë e cilat do t’i lërë? Kurse ne jemi të detyruar t’i përgatisim ata si miq të virtytit e si armiq të imoralitetit dhe fëlliqësisë...
* *
Gjer në çastin kur t’i shkohet në ndihmë me anë të edukimit, i riu është satelit i dëshirave dhe kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një i marrë e i përgjakur që përsillet diku shumë larg personalitetit dhe logjikës. Edukata e mirë që, duke e lidhur atë me të kaluarën e vet, do ta përgatisë për të ardhmen, do ta shndërrojë atë në një hero të perspektivës!..
* *
Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..
* *
Ata që kërkojnë të jenë orakujt e së ardhmes së një kombi, po t’i hedhin sytë edukatës së dhënë të rinjve, kanë për të qenë qindpërqind të saktë në parashikimin e tyre.
Rinia
Qasja me dhembshuri ndaj brezave të rinj është një hap me kuptim i hedhur në rrugën tonë për t’i dalë për zot kombit e vendit. Ndërkaq, nëse kjo ndjenjë dhembshurie bëhet e dobishme me aq sa t’i orientojë ata kah jeta shpirtërore; kur shërben për t’i nxitur për një jetë materiale, i shndërron në qenie thjesht fizike, madje i hibridizon ata!
* * *
Çdo komb që u ka dhënë vlerë brezave të rinj, është lartësuar, kurse kombet që i kanë braktisur të rinjtë në rrjedhën e dëshirave rinore, e kanë paguar shumë rëndë pasojën e këtij nënvleftësimi. Nëse mjedisi ynë sot vlon nga poshtërsia dhe brezat e rinj tërbohen çdo ditë e më shumë, kjo është krejtësisht rezultat i nënvleftësimit tonë! Sigurisht, ndërsa kryet na shëtisnin në qiej, nuk i ndjemë dot kobrat që po na kalonin nëpër këmbë, duke u zgjatur gjer në odat tona të gjumit, dhe të sotmen tonë të hidhur me duart tona e përgatitëm...
Martesa dhe foleja familjare
Martesa nuk është për kënaqësi e dëfrim. Martesa bëhet për të ndërtuar familjen, për të siguruar vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit, për t’i shpëtuar nga hallakatja mendimet dhe ndjenjat e individit, për t’i marrë nën kontroll dëshirat trupore. Ndërkaq, ashtu si edhe në shumë çështje të tjera të krijimit, dëshirat dhe kënaqësitë fizike janë një përparësi dhe element nxitës.
* *
Personat që do të martohen, nuk duhet të vendosin sipas veshjes e mbathjes së njëri-tjetrit, madje as sipas pasurisë dhe bukurisë; në këtë çështje tepër serioze, duhet të vendosin sipas bukurisë shpirtërore, kuptimit të moralit dhe nderit, virtytit dhe lartësisë së karakterit.
* *
Për ata që, duke u martuar, nuk kanë bërë dot analizën e nevojshme ose nuk kanë gjetur rastin për ta bërë, kur të vijë puna në prag të ndarjes, nuk kanë për t’u vlejtur as dhe kriteret më të mençura. Sigurisht, çështja nuk është të shpëtohet foleja familjare nga zjarri me sa më pak dëme; e rëndësishme është të mos futen në familje elementet me rrezik zjarri!
* *
Nuk duhet t’u japim vajzë njerëzve që s’i njohim dhe nuk duhet të kërkojmë vajza që s’i njohim. Marrëveshja e bërë bazuar mbi të panjohura të tilla, ose finalizohet me një rezultat si ndarja që Allahu s’e pëlqen, ose bëhet për palët shkak torturash për gjithë jetën!
* *
Ka fole familjare të bekuara, të ngritura mbi logjikën dhe gjykimin duke u mbështetur qysh në hapat e para te Zoti, që funksionojnë gjatë gjithë jetës si një shkollë, dhe me nxënësit që përgatisin, sigurojnë vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit që i përkasin!
* *
Martesat e bëra për martesë pa u menduar e peshuar dhe bashkëjetesat e këtij lloji janë finalizuar me bashkëshortë që qajnë e zvarriten nëpër rrugë, me jetimë të braktisur në jetimore e me kriminelë që i plagosin familjet në zemër.
* *
Nëse interesi dhe dobia e martesës për individin është një, interesat dhe dobitë e saj për kombin janë të shumta. Nisur nga kjo, si martesa e prishur, ashtu dhe ndenjja pa u martuar fare janë një kolerë që i turpëron djemtë, i zhyt vajzat në mjerim dhe kombit i shkakton hemorragji.
* *
Foleja familjare e themeluar qysh në krye mbi parime të shëndosha e ku sundon lumturia materiale-shpirtërore, është guri themelor më i shëndoshë i ekzistencës si komb dhe një shkollë e bekuar ku përgatiten individë të virtytshëm e të vlefshëm. Kombet që i bëjnë shtëpitë të begatshme sa dhe shkollat, dhe shkollat të ngrohta sa dhe shtëpitë, konsiderohet se kanë realizuar reformën më të madhe dhe kanë vënë nën garanci qetësinë dhe lumturinë e brezave të ardhshëm.
* *
Kombi formohet prej pjesëtarëve të një familjeje. Kështu, nëse shtëpitë janë mirë, edhe kombi është mirë; nëse shtëpitë janë keq, edhe kombi është keq! Sikur ata që kërkojnë paqen e kombit, të përpiqeshin së pari për paqen e familjeve!
* *
Shtëpisë i thuhet “shtëpi” sipas njerëzve që rrinë atje. Pjesëtarët e një shtëpie quhen të lumtur me aq sa ndajnë mes tyre vlera njerëzore. Po, mund të themi se njeriu rron si njeri në saje të shtëpisë; edhe shtëpia bëhet “shtëpi” kur ka brenda njerëz!
* *
Familja është një komb i vogël, kurse kombi, një familje e madhe. Një person që ka mundur të arrijë me sukses ta qeverisë një familje të madhe a të vogël si dhe t’i ngrejë pjesëtarët e saj në nivele të larta njerëzore, mund të bëhet i suksesshëm me pak përpjekje edhe në organizime më të mëdha.
* *
Çrregullimi dhe shpërbërja në një shtëpi tregon çorientimin dhe shkatërrimin shpirtëror të pjesëtarëve të asaj shtëpie; fëlliqësia, parregullsia dhe çrregullimi i shtëpive, dyqaneve dhe rrugëve të një vendbanimi, gjithashtu, është tregues i nivelit kulturor dhe të interesimit për punën e kuadrit të pushtetit vendor.
Divorci
Divorci është veprimi i largimit të individit nga kushtet e kurorës martesore. Edhe nëse ndarja mund të duket rrallë si qetësuese, shumë herë sjell me vete shqetësim dhe mjerim...
* *
Sipas fesë, divorci është më e papëlqyera e akteve të lejuara. Ç’e do se aq sa lejueshmëria, edhe pengimi i saj janë të panatyrshëm e jonormalë!
* *
Nënvleftësimi i domosdoshmërive që kërkojnë divorcin, buron nga mosnjohja e natyrës njerëzore dhe veçantive të kësaj. Të presësh që çdo çift që martohet, të arrijë një përputhje të plotë mes vedi, do të thotë të besosh në mënyrë naive se të gjithë njerëzit janë njëlloj, të një kallëpi, të një natyre, të një ndërtimi dhe karakteri...
* *
Çdo divorc për qejf, e pajustifikueshme, është për atë që kërkon të ndahet, një burim pendimi, për atë që detyrohet të divorcohet, një padrejtësi si dhe për pjesëtarët e familjes që shkatërrohet, një burim shqetësimi të tillë që disa herë, dhimbja e saj, si ajo e një plage që kullon gjak, vazhdon gjatë gjithë jetës...
* *
Nëse divorci është një ndërhyrje kirurgjikale mbi një gjymtyrë të sëmurë, vazhdimësia e martesës në një linjë logjike e racionale lidhur me kushte të shëndosha, është një ndjeshmëri higjienike. Prandaj, para se të vritet familja me anë të divorcit si dhe ndërgjegjja me anë të ndalimit të divorcit, martesa duhet të trajtohet me kujdesin dhe harmoninë e ëndjes dhe nuk duhen bërë lëshime në kushtet që e sigurojnë këtë harmoni!
* *
Për shumë shekuj me radhë, një botë u përpoq t’i mbante bashkë ata që s’dëshironin të bashkëjetonin, duke penguar divorcin ose duke vënë kushte të parealizueshme. Kurse një botë tjetër e pa femrën si një plaçkë, si një send që mund ta merrte kur të donte e ta hidhte kur të donte. E para s’qe tjetër veçse shprehje mundimi e ndëshkimi mbi mashkullin, kurse tjetra, shprehje e trajtimit çnjerëzor të femrës.
Prindërit
Prindërit janë të parat qenie që duhet t’i respektojë njeriu. Kush e le mangët respektin për ta, quhet se ka kundërshtuar Zotin. Kush i trajton keq ata, herët a vonë ka për t’iu nënshtruar vetë trajtimit të keq...
* *
Nga dita kur njeriu fillon të ekzistojë si një qenie ende e vogël, zhvillohet vazhdimisht si një barrë në supet e prindërve. Lidhur me këtë, është krejt e pamundur të përcaktohet e vlerësohet thellësia e dhembshurisë qoftë e nënës, qoftë e babait ndaj fëmijës, si dhe kufiri i shqetësimeve që heqin ata. Nisur nga kjo, respekti për ta është jo vetëm një detyrim njerëzor, por edhe një detyrë që duhet kryer.
* *
Ata që, duke e ditur vlerën e prindërve, i konsiderojnë ata si pretekst për të fituar mëshirën e Zotit, janë ndër më fatlumët si në këtë botë, ashtu edhe përtej. Kurse ata që duke ua përbuzur qenien, tregojnë bezdi ndaj jetës së tyre, janë ca fatkeqë të paracaktuar për t’u hequr zvarrë, pastaj, në këtë botë e përtej...
* *
Njeriu quhet se e respekton Zotin po aq sa i respekton edhe prindërit. Kush s’ka respekt për ta, s’ka respekt as për Zotin. Sa çudi që, në ditët tona, tregohen krejt të parespektueshëm ndaj prindërve jo vetëm ata që s’kanë respekt për Zotin, por edhe ata që pretendojnë se e duan Atë!
* *
Fëmija duhet të jetë jashtëzakonisht i respektueshëm e i bindur ndaj prindërve; edhe prindërit, duke i dhënë jetës shpirtërore të fëmijës po aq rëndësi sa edhe trupit dhe shëndetit të tij, duhet t’ia dorëzojnë atë sa më parë edukimit të të urtëve më të aftë. Ç’injorantë janë prindërit që e harrojnë shpirtin e fëmijës e ç’i pafat fëmija që shkon viktimë e një miopie të tillë!
* *
Biri që i mohon të drejtat e prindërve e që ngre krye kundër tyre, është një lugat me fytyrë njeriu, kurse prindërit që s’bëjnë përpjekje për ta garantuar jetën shpirtërore të fëmijës së vet, janë ca mizorë të pamëshirshëm. Pa le ata prindër që, edhe pasi fëmija ta ketë gjetur vetë rrugën e vet e të ketë hapur krahët për fluturim, e paralizojnë...
* *
Familja është elementi themelor i shoqërisë. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është shoqëria. Ndryshe, është e kotë t’i kërkosh në shoqëri dhembshurinë e respektin e humbur në familje.
Fëmija
Ç’vlerë të ketë fara për vazhdimësinë e llojit dhe brezit të një peme, po atë vlerë ka edhe fëmija për vazhdimësinë e llojit dhe brezit të njeriut. Kombet, që i lenë pas dore fëmijët, janë të dënuar të shemben, kurse kombet që i braktisin ata në duar të huaja e në ndikimin e kulturave të huaja, janë të dënuar të humbin origjinën!..
* *
Brezi që e përbën pjesën më aktive e më produktive të një kombi në çdo tridhjetë-dyzet vjet, janë fëmijët sot. Ata që i shohin fëmijët si të vegjël e të pavlerë, duhet ta kuptojnë dhe të rrëqethen se sa me mendjelehtësi e morën një element të rëndësishëm në jetën e një kombi!
* *
Përgjegjësit e të keqes që duket në brezat e sotëm, paaftësinë e vëzhguar në një pjesë administratorësh dhe shqetësimeve të hequra si komb, janë elementët sundues të tridhjetë vjetëve më parë. Edhe fatkeqësitë apo vlerat e një çerek shekulli më vonë do t’u përkasin atyre që e kanë në dorë arsimimin dhe edukimin e brezave të sotëm.
* *
Çdo komb që kërkon ta marrë nën garanci të ardhmen e vet, duhet t’i shpenzojë një pjesë mundësish, sa energjitë dhe koha që ka për të shpenzuar majtas e djathtas, për përgatitjen e fëmijëve, njerëzve të mëdhenj të së nesërmes. Ndërsa një pjesë e madhe e gjërave të shpenzuara do të shkojë kot, gjërat e shpenzuara në drejtim të lartësimit njerëzor të brezave të rinj, do të ekzistojë përherë si një burim i pashtershëm të ardhurash.
* *
Mjeranët, ngatërrestarët, sarhoshët, anarkistët, të droguarit, morfinomanët, të cilët konsiderohen sot si fytyra e zezë e shoqërisë, janë fëmijët, edukimin e të cilëve e lamë pas dore dje. S’e di, a jemi vënë të mendojmë ndonjëherë se ç’lloj njerëzish do të na i mbushin rrugët nesër si pasojë e indiferentizmit tonë të sotëm?
* *
Fatin e të nesërmes do ta kenë në dorë jo kombet që zotërojnë epërsinë e teknikës dhe teknologjisë, por kombet që e marrin seriozisht institucionin e martesës e që dinë se si t’i lartësojnë brezat e rinj në cilësitë njerëzore. Kombet që nuk e trajtojnë seriozisht çështjen e martesës dhe lindjes, që nuk u dalin për zot brezave të rinj me filozofinë e vet të edukimit, në mos sot, nesër, janë të dënuar të bluhen e shkrijnë mes dhëmbëve të pamëshirshëm të kohës.
Të drejtat e fëmijës
Duke u krijuar, njeriu është krijuar së bashku me shokun e jetës. Mund të thuhet se s’ka periudhë kur njeriu të ketë mbetur i vetëm. Kështu, krijimi i njeriut qysh në të parë së bashku me bashkëshortin/bashkëshorten e vet tregon se martesa për njeriun është e natyrshme, kurse qëllimi më i rëndësishëm në këtë karakteristikë është shumëzimi. Për rrjedhojë, martesa e bërë pa pasur si qëllim rritjen e brezave të rinj, është një dëfrim dhe aventurë, kurse fëmijët e lindur eventualisht nga një martesë e tillë, janë ca të pafat, viktima të një çasti sentimental...
* *
Brezi njerëzor vazhdon përsëri vetëm me njeriun, me njeriun me zemër dhe shpirt të ngritur në nivel njerëzor... Brezat e paedukuar, me aftësitë shpirtërore të pazhvilluara, për rrjedhojë, të palartësuar në nivele njerëzore, edhe po të jenë vetë të bijtë e Ademit, madje, s’janë veçse ca krijesa të çuditshme, hibride njerëzore, kurse si nënë e baba, ca fatkeqë që rrisin në gji lugetër...
* *
Nëse prindërit kanë të drejtë të thonë për fëmijët e vet, “bijtë tanë” me aq sa t’i kenë rritur e edukuar të virtytshëm, kurrsesi s’kanë të drejtë të pretendojnë prindësi nëse i kanë lënë pas dore! Pa le sikur t’i kenë shtyrë ata në rrugë të këqija e të shëmtuara duke i larguar nga njerëzorja...
* *
Vazhdimësia dhe pavdekshmëria e një kombi është e qenë me breza të përgatitur mirë, me breza me qenien kombëtare e me shpirtin kombëtar të përsosur... Nëse kombet nuk përgatisin një brez të mrekullueshëm për t’ia lënë amanet të ardhmen, do të thotë se perspektiva e tyre është e errët. Është jashtë çdo dyshimi se detyra e parë për përgatitjen e brezave të rinj, prindërve u bie!
* *
Në qoftë se prindërit u dalin për zot fëmijëve dhe ua zhvillojnë mendimet dhe ndjenjat në një mënyrë që të bëhen të dobishëm edhe për vete edhe për shoqërinë, i përftojnë shoqërisë një shtyllë të re e të shëndoshë. Në të kundërt, nëse i kanë nënvleftësuar ata përsa u përket ndjenjave njerëzore, quhet se kanë lëshuar brejtës në gji të shoqërisë.
* *
Kur një pemë krasitet e i bëhen shërbimet e duhura, po kështu, edhe kur një kafshë mirëtrajtohet, edhe fryte japin, edhe brezin e vazhdojnë. Në të kundërt, pema s’jep më, kafsha bëhet parazite. Po njeriu i dërguar në këtë botë me një mijë e një dhunti e mundësi? Mos vallë s’duhet kujdesur për të as dhe sa për një pemë?
* *
O njeri, ti je ai që e sjell fëmijën në botë! Gjithashtu është detyra jote ta lartësosh atë përtej qiejve! Ashtu siç i jep rëndësi shëndetit të tij dhe dridhesh mbi të me dhembshuri e dashuri, ashtu dhe dridhu mbi të për shëndetin e tij shpirtëror, ki mëshirë për të, mos lejo të shkojë kot, për hir të Zotit, shpëtoje atë!
Morali dhe etika
Të jesh i ditur është tjetër, të jesh njeri, tjetër! Duke hyrë me diturinë e vet nën urdhrin e njerëzimit, dijetari shpëton nga hamallëku i kujtesës dhe arrin të bëhet një njeri i lartë në atë masë që, me moralin dhe virtytshmërinë e vet, ta përfaqësojë diturinë e vet. Në të kundërt, s’ka ndonjë ndryshim prej një të mjeri që e ka çuar jetën kot. Fundja, vetëm morali dhe virtyti janë ato që e bëjnë injorancën-hekur të çmuar e të dobishëm si floriri!..
* *
Edhe sikur të të kenë gënjyer, ti kurrë mos gënje njeri! Veçanërisht kurrë mos u ndaj nga besnikëria dhe orientimi i drejtë që janë një virtyt i lartë, edhe nëse, disa herë, mund të të shkaktojnë humbje!..
* *
Në ditët tona, morali, më në fund, nuk kuptohet, ashtu siç e kuptonin të parët, një tërësi virtytesh. Njeriu i ditëve të sotme kërkon ta kuptojë atë më shumë në formën e etikës dhe edukatës shoqërore. Eh, sikur ta shihnim moralin te çdo njeri qoftë edhe në këtë formë!..
* *
Morali përmban një sërë parimesh të larta lidhur me sjelljet e njeriut, të cilat, që të gjitha, burojnë prej nivelit të lartë shpirtëror. Duke u mbështetur në këtë mund të themi se personat që nuk kanë siguruar afrinë e duhur me shpirtin e vet, është mjaft e vështirë t’i përfaqësojnë rregullat morale për një kohë të gjatë...
* *
Më parë thuhej se “morali mbeti në libra”. Tani, se “mbeti në librat e vjetër!” Edhe kështu në qoftë, sado “të reja” të flijohen për këtë gjë që kërkohet të vjetrohet, e vlen!..
* *
Flijimi i interesit tënd për interesin e tjetrit është shpirtmadhësi dhe trimëri! Ata që bëjnë për herë punë të mira e të dobishme pa pritur ndonjë interes si shpërblim, kur të përballen papritmas me të gjitha veprat e mira e të dobishme që kanë kryer, do të derdhin buzëqeshje me habi dhe mahnitje mbi fatin e vet!..
Virtyti
Kërko për shpirtin që do të të jetojë gjer në pafundësi, gjithmonë ndere të reja, funksione e poste të reja! Dhe për të mos i humbur nderet e fituara, mbaje gishtin për herë në këmbëz!..
* *
Nëse në një shoqëri nuk qëndrohet mbi rritjen dhe zhvillimin e shëmtive, po qe se bukuritë dhe të bukurit ndiqen si të ishin hajdutë, po qe se dashuruesit e të vërtetës dhe virtytit fyhen e shtypen dhe nëse imoraliteti mundet të hyjë ku të dojë, për ata që jetojnë për nder e virtyt, në atë vend, është më mirë nën dhé sesa mbi dhé!
* *
“Virtyt” janë quajtur sjelljet që njerëzit i miratojnë por që kafshëve s’u pëlqejnë, kurse “fëlliqësi”, sjelljet që i bëjnë njerëzit të rrëqethen e të largohen prej tyre, por që kafshët i kryejnë si zakonisht sepse s’preken prej tyre dhe kështu është!
* *
Dashuria dhe intimiteti i thellë që ndjehen për koncepte të tilla të larta si fe, komb, atdhe, nder dhe shtet, është punë e shpirtrave trima e bujarë. Ata nuk i shkelin këto koncepte dhe as lejojnë të shkelen; po të duhet, e flijojnë jetën për ta me gjithë dëshirë. Kurse fatkeqët të privuar nga një cilësi e tillë shpirtërore, i thonë kësaj “marrëzi”!?
* *
Edhe nëse virtyti mund të shkaktojë dëm në disa raste e kushte të caktuara, prapë virtyt mbetet. Vështrimi i virtytit si gjë e pavlerë dhe pendimi për të, janë gjithmonë padrejtësi. Dëmet e shkaktuara për shkak të virtytit, prapë me virtyt duhet përpjekur të mënjanohen!
* *
Virtyti është situata shpirtërore e mosdhënies rëndësi respektit të merituar, kurse krenaria, pritja e respektit edhe atje ku s’është merituar. Kur flet virtyti, krenaria strehohet në gji të egoizmit dhe rri e dëgjon tërë ankth.
* *
Përmendja për të mirë e të parëve është një e drejtë e tyre, kurse për ne, shprehje e njohjes së vlerës. Sepse ata qenë si nga një rrënjë më vete që i përftuan kombit fisnikëri. Përpjekja për t’i hedhur poshtë ata do të thotë shkaktim te kombi i pështirosjes për të kaluarën e shquar për ta larguar prej saj.
* *
Ata që e vërtetojnë famën e merituar të të parëve dhe i kujtojnë ata me respekt, s’ka aspak dyshim se një ditë do të përmenden edhe vetë me respekt. Kurse ata që duan t’u dalë emri duke e kritikuar dhe rrëzuar famën e të parëve, fitojnë për vete një famë mjaft të keqe.
* *
Njohja e vetes është zgjuarsi, kurse vështrimi i vetes, verbëri! Kush e njeh veten, bëhet i afërt edhe për Zotin, edhe për njerëzit, kurse ai që e vështron veten, duke u larguar prej gjithkujt e gjithçkaje, mbetet i afërt vetëm me egon e vet!
* *
Vlerësimi i gabimeve të së kaluarës dhe përfitimi prej tyre si dhe falja në një farë mase e njerëzve të së kaluarës duke mos u marrë me ta, është një qëndrim me mend, kurse nxirja pa vend e pa qenë nevoja e së kaluarës dhe e njerëzve të saj është mendjetrashësi!
Edukata
Tek ne është një fjalë e urtë që thotë: “Nëse fëmija është i çmuar, edukimi i tij është më i çmuar!” Sa me vend!
* *
Në edukimin e fëmijës prindërit duhet të sillen si njeriu me pehriz, andaj duhet ta respektojnë shumë masën në edukim!
* *
Nëse themi që periudha më e theksuar e gjendjes së nënvetëdijshme të fëmijëve është mosha 05 vjeç, çdo gjë që mund të bëhet në këtë moshë për t’u dhënë fëmijëve shembuj të mirë, është e vyer.
* *
E ardhmja e çdo njeriu është e lidhur tepër ngushtë me ndikimet dhe mbresat e periudhave të fëmijërisë dhe rinisë. Po qe se fëmijët dhe të rinjtë rriten në një klimë ku t’u zhvillohen ndjenjat e larta, janë kandidatë për t’u bërë të gjallë në mendje dhe ide, shembull në moral dhe virtyt!
* *
Njeriu është njeri në atë masë që ndjenjat e tij të jenë larg gjërave të ulëta. Edhe sikur njerëzit me zemrën nën presionin e ndjenjave të këqija dhe me shpirtin të kapur në mengenenë e egoizmit, të duken në pamje si njerëz, të lenë për të menduar. Pothuajse çdo njeri e njeh pjesën e edukatës që ka të bëjë me trupin, por janë shumë të paktë ata që kuptojnë nga edukata mendore e ndjesore që i shërben, në fakt, punës. Me formën e parë të edukatës përgatiten më shumë njerëz të shquar për nga muskujt, kurse me formën e dytë, njerëz të shpirtit dhe mendimit.
* *
Përmirësimit të një kombi i shërbehet jo duke i asgjësuar të këqijat, por duke i lartësuar brezat në vlerat njerëzore me anë të kulturës dhe edukatës kombëtare. Pasi të mos hedhësh në të katër anët e vendit farë të zgjedhur nga përzierja e përbërë prej fesë, vetëdijes historike dhe traditave, për ta bleruar gjithkahjen me të, në vend të çdo të keqeje të asgjësuar, kanë për të mbirë ca të tjera të reja si bar helmues për ta zhbërë çdo gjë të mirë të mbetur ende pa u zhbërë.
* *
Librat që u duhen dhënë fëmijëve për t’i lexuar, qoftë poezi apo prozë, duhet të jenë të asaj cilësie që t’u japin mendimit forcë, shpirtit qëndrueshmëri, shpresës dhe zellit dritë, në mënyrë që të përgatiten breza me vullnet të fortë e mendime të shëndosha.
* *
Megjithëse është parim që vajzat, të cilat nesër do të bëhen nëna e do të marrin përsipër të rrisin dhe edukojnë fëmijë, duhet t’i përgatisim, sipas këtij qëllimi, delikate si lule dhe të dhembshura, duhet të kihet kujdes, njëkohësisht, që të jenë të forta si çeliku në kuptim që të jenë në gjendje t’i dalin për zot mendimit të vërtetë, ndryshe, për hir të delikatesës dhe brishtësisë, nxjerrim në shesh ca krijesa mediokre, mizantrope e të dobëta që s’vlejnë për gjë! Të mos harrojmë: edhe luanesha luan është!..
* *
Edukata është një bukuri më vete dhe, te kushdo që të ndodhet, imitohet. Sigurisht, edhe nëse dikush është i paditur, po qe i edukuar, duket. Kombet të mangët në kulturën kombëtare e në edukatën kombëtare u ngjasin individëve injorantë, të trashë e rrugaçë, të cilët as besë nuk kanë në miqësi, as seriozitet në armiqësi! Ata që u besojnë të tillëve, gjithmonë pësojnë zhgënjim, ata që mbështeten në ta, herët a vonë mbeten pa mbështetje!
* *
Edukatorët që s’kanë punuar si çirakë pranë një mjeshtri dhe s’kanë marrë edukatë nga një burim i shëndoshë, janë si shërbëtorë që u mbajnë pishën rrugës së të tjerëve. Paturpësia dhe përkëdhelia e dukur në fëmijët është pasojë e turbullirës së burimit ku ai është zhvilluar e zhvillohet. Parregullsia ndjesore, ideore dhe e veprimit në familje reflektohet e përforcuar në shpirtin e fëmijës. Dhe, natyrisht, nga ai në shoqëri...
* *
Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, duhet qëndruar mbi edukatën dhe kulturën kombëtare në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Arsimimi është tjetër gjë, edukimi, tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës edukatorë!
* *
Mësimet që u jepet më pak rëndësi, në një kohë që janë më të rëndësishëm, janë kultura kombëtare dhe edukata kombëtare. Po qe se një ditë do të kthehemi për ta vënë në shfrytëzim këtë rrugë, do të kemi marrë vendimin më të qëlluar për përparimin e kombit.
* *
Poeti është poet që në lindje. Imrul Kajsi nuk pati bërë shkollë. Ajnshtajni ikte nga shkolla, sepse mendimet i kishte të tjera. Njutoni pati marrë notë të dobët në matematikë, por teoria e tij është matematike. Kurse ne përpiqemi të trazojmë në kazanin e të tjerëve me qepshen tonë...
* *
Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt sikuraparatet fotografike, janë shtëpitë e veta, kurse edukatoret e para, nënat. Përgatitja e nënave si edukatore dhe jo konsumimi i tyre majtas-djathtas është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një kombi.
Këshilla
Këshilla është shtylla qendrore e jetës besimore.
* *
Po të ishte këshilla e padobishme, a kishte për të dërguar Zoti profetë?
* *
Këshilla është një pretekst i rëndësishëm që çon në dobi; preteksti i dobisë është dobi, dhe i mirëbërësisë, mirëbërësi.
* *
Kush këshillon, para së gjithash duhet t’i jetojë para të tjerëve gjërat që këshillon, që të bëhet i besueshëm. Sipas meje, shkaqet e ndikueshmërisë së djeshme e të pandikueshmërisë së sotme pikërisht këtu duhen kërkuar!
* *
Kush mbetet ta prijnë qorrat, do të ishte më afër qëllimit të vet sikur të qëndronte atje ku ndodhet sesa të ecte nga ta çojnë ata!
* *
Çelësi i zemrave është karakteri i butë dhe fjala e butë.
* *
Predikues është ai që mund ta kontrollojë auditorin me një të parë.
* *
Gjithmonë, tregimi me vepra ka qenë më i besueshëm se tregimi me fjalë.
* *
Fol butë që të të hapen portat e zemrave, bëhu zemërngrohtë që ndërgjegjjet t’u thonë mendimeve të tua, “urdhëroni!”, sillu me sinqeritet që të kesh ndikim të vazhdueshëm!
* *
Kur të gjitha fjalët të të kenë mbetur në ajër, mund të jetë e dobishme të provosh t’u drejtohesh bashkëbiseduesve me të mirë...
* *
Ka të mirë e të mirë, ka të keqe e të keqe... Të mençurit e dinë se cila prej tyre dhe në ç’kohë duhet zgjedhur.
Këshillimi
“Pyet atë që di! Dy të ditura janë më të dobishme se një e ditur!”
Këshillimi është kushti i parë që vendimet që do të merren, të jenë të qëlluara. Vendimet e marra mbi një çështje pa u menduar mirë e mirë, dhe pa iu parashtruar më parë mendimeve dhe kritikave të të tjerëve, shpesh herë përfundojnë me disfatë. Është parë se dikush me karakter të mbyllur, që mendon më kokë të vet pa i respektuar mendimet e të tjerëve, gënjehet më shumë se dikush tjetër që edhe në qoftë një natyrë eprore apo edhe gjeni, këshillohet për çdo mendim të vet.
* *
Njeriu më i mençur është ai që respekton më shumë këshillimin dhe ai që përfiton më shumë prej mendimeve të të tjerëve. Shpirtrat vulgarë që mjaftohen me mendimet e veta, madje që kërkojnë t’ua detyrojnë edhe të tjerëve, shihen gjithmonë me përbuzje dhe bezdi nga mjedisi.
* *
Ashtu siç është këshillimi kusht i parë për të arritur rezultate të mira, ashtu edhe përfitimi prej mendimeve të larta të miqve, është një pretekst i rëndësishëm për t’u ruajtur prej fundit të keq dhe disfatës.
* *
Para fillimit të një pune duhet bërë çdo lloj këshillimi i nevojshëm dhe duhen marrë të gjitha masat në mënyrë që pastaj të mos bihet në pozita të tilla si fajësimi i të tjerëve dhe kritika ndaj fatit, gjë që e dyfishon fatkeqësinë. Sigurisht, nëse para se t’i hyhet një pune, nuk mendohet mirë fundi i saj dhe nuk kërkohet mendimi i personave me përvojë, zhgënjimi në rezultat dhe pendimi janë të pashmangshëm!
* *
Sa e sa raste ka kur i është hyrë një pune pa u menduar mirë fundi i saj, asisoj që, jo vetëm nuk është hedhur dot asnjë hap para, por është mbyllur me humbjen e kredisë së iniciatorëve të saj. Sigurisht, dikush që ngrihet për të bërë çdo gjë që i shkon nëpër mend, për shkak të zhgënjimit që do të pësojë nga hyrja në rrugë të gabuara, herët a vonë do ta humbë besimin në vetvete edhe për gjërat që mundet t’i bëjë!
* *
Njeriu kurrsesi s’duhet t’i hapë portat që s’do të mund t’i mbyllë dot më vonë. Ndryshe, të këqijat e hyra nga të çarat, nga dyert e dritaret e hapura, edhe të tjerët i dëmtojnë, edhe dinjitetin e tij e rrëmbejnë e shkojnë! Sa e sa njerëz ka që janë zënë pas një sërë sevdash duke shitur mend, e pa u këshilluar me të tjerët, që edhe kanë rënë nën dhëmbët e kobrave që i kanë zgjuar vetë, edhe janë lënë jashtë radhe. Eh, sikur të kishin mbetur vetëm vetë jashtë radhe!..
E drejta
Ai që ka të drejtë, është i gëzuar e i kënaqur edhe në qoftë se mundet; ai që s’ka të drejtë, është i mërzitur e i brengosur, edhe në daltë fitues!..
* * *
E drejta është, në vetvete, e bukur, ashtu edhe ai që ka të drejtë, është i këndshëm. Edhe sikur të bjerë në baltë, ai që ka të drejtë mbetet i pastër; ai që s’ka të drejtë, edhe me erëra të mira sikur të lahet, mbetet i pistë e i ndyrë...
* *
Edhe sikur ngjyra dhe forma të ndërrojnë, rrënja nuk ndryshon, edhe sikur titulli e fama të ndërrojnë, personi nuk ndryshon. Këto kanë qenë dhe gjërat që e kanë mashtruar më shumë njeriun: ngjyra, trajta, titulli dhe fama...
* *
Ai që e shtyp të dobëtin, është i mundur dhe në qoftë fitues; ai që ka të drejtë, është fitues edhe në qoftë i mundur!
E drejta dhe drejtësia
Drejtësia është më e fuqishme se njësitë e mekanizuara që duken si më të fuqishmet...
* *
Edhe sikur e drejta të jetë një shpatë që po të zbret në zverk, mos u druaj t’i zgjasësh qafën!..
* *
Drejtësia është një kapital që përdoret në çdo vend.
* *
Drejtësia është një nga rrugët për të qenë pranë Zotit, mirëpo ja që shumica e njerëzve parapëlqejnë të rrinë larg saj!
* *
Muret rrethuese të fortesës së Islamit janë e drejta; porta, drejtësia dhe brendia e kalasë, lumturia!
* *
Gërmadhat ku sundon drejtësia, janë më të vlefshme se sarajet; sarajet e mbytura në dhunë e padrejtësi, janë më gërmadhë se gërmadhat...
* *
Provë e fuqishme lidhur me botën përtej do të thotë ide drejtësie e saktë dhe e fuqishme...
* *
Kush përplaset me të drejtën, herët a vonë bie i mundur!
* *
Kur të shtypësh të tjerët, kurrsesi mos e nxirr nga mendja se ekziston një forcë që ka për të të shtypur edhe ty!
E mira dhe e keqja
Të bësh mirë është, sipas fesë dhe urtësisë, detyrë, kurse, sipas ndërgjegjes, një sjellje e denjë për miratim; të mos bësh mirë, sipas fesë, është mëkat, sipas urtësisë, nivel i ulët moral, sipas ndërgjegjes, moskokëçarje. Disa herë, e mira mund të jetë e padobishme, madje, në një farë mase, e dëmshme, por kurrsesi s’mund të jetë e keqe. Kurse e keqja është krejt e kundërta e së mirës!
Republika
Republikë do të thotë qeverisje ku populli ka të drejtë të zgjedhë e të japë këshillë; ndërkaq, Kurani është i pari që ka treguar se si praktikohet kjo lloj qeverisjeje. Nëse shenjimi i qeverisjes republikane si antagoniste e Kuranit nuk është i qëllimshëm, atëherë është krejtësisht vepër e një mosnjohjeje; anësia ndaj republikës duke mos e treguar se kush është burimi i saj, s’është gjë tjetër veçse shfaqje e mllefit.
* *
Jo vetëm që Profeti nuk pretendoi për të qenë mbret, por as kalifët e tij të zgjedhur nuk lejuan të quheshin sundimtar ose sulltan. Mbretërimi doli në shesh si pasojë e largimit nga shpirti i Islamit dhe u bë mjet despotizmi e padrejtësie në atë masë sa ç’u largua nga shpirti i Islamit!
* *
Republika, e cila mbështetet në botëkuptimin e lirisë dhe drejtësisë së vërtetë, krahas të qenit një formë qeverisjeje e lartë dhe e sigurt, është dhe një sistem jashtëzakonisht delikat. Nëse nuk i dilet për zot duke u kujdesur veçanërisht për këtë aspekt të saj, mbirja dhe rritja e ateizmit dhe, për pasojë, e anarkisë në gji të saj, mund të bëhet e pashmangshme.
* *
Republika e vërtetë është forma qeverisëse e shpirtrave të lartësuar dhe më e përshtatshmja për njeriun si qenie e nderuar. Kurse për shpirtrat vulgarë ende të pamaturuar, ose që nuk i kanë dalluar dot ende rrugët e përsosjes njerëzore, është një iluzion në shkretëtirë e si një çardak i varur gati në të rënë ku s’mund të dilet...
* *
Republika është nëna e lirisë ose edukatorja e saj. Brezat e dashuruar pas lirisë ajo i ushqen, ajo i rrit. Ajo i ushqen, ajo i rrit, mirëpo republika kurrsesi s’është një qeverisje lirie rrugaçësh, por lirie virtyti dhe morali.
Me vlerat e saj që e lartësojnë njeriun, republika përgatit bazën për lartësimin e njeriut, duke e lenë sakaq atë kokë më kokë me moralin e tij të lartë dhe ndërgjegjen e zgjuar. Pas kësaj, çdo individ, në punë e në shtëpi, si një njeri i vullnetit, mendon vetëm për mirë, duke ndjekur vlerat e larta njerëzore!
* *
Në saje të dëshirës për liri në esencën e vet, shpirti nuk pranon mbi vete kurrfarë force sunduese. Për rrjedhojë, kundërvepron ndaj kufizimeve që mund të kërkohet t’u vihen mendimeve, sjelljeve e shprehjeve të veta. Prandaj ndodh, që ata që i dalin për zot republikës, nga njëra anë u njohin individëve liri dhe të drejta të gjera, nga ana tjetër, i lartësojnë ata për t’u bërë njerëz të moralit, virtytit, idesë dhe vullnetit!
* *
Mbrojtja e idesë dhe ndjenjës fetare është domosdoshmëri e republikës dhe nevojë për të. Nisur nga kjo, poshtërimi i njerëzve, në një lloj qeverisjeje të tillë, për shkak të ideve e ndjenjave fetare, ushtrimi i dhunës mbi ta dhe nxirja e figurës së tyre do të thotë poshtërim i republikës si sistem qeverisjeje dhe dhunim i saj!
* *
Republika ka nevojë për njerëz që ta ndjejnë dhe kuptojnë plotësisht atë. Kuvendi i saj duhet të jetë, ashtu si një kuvend të urtësh, serioz e hijerëndë, kurse veprimtaria, vërtetësi e drejtësidashëse!
Politika
Politika ështëarti i administrimit në vijën e lënies të kënaqur të popullit dhe Zotit. Qeveritë konsiderohen të suksesshme dhe premtuese me aq sa e mbrojnë popullin nga çdo e keqe me anë të pushtetit që kanë, kurse me anë të organeve të drejtësisë, nga padrejtësitë. Në të kundërt, qirinjtë e mbarësisë shuhen menjëherë, pastaj ikin e mbarojnë duke lënë pas vedi një rrëmujë të madhe veç me thirrje sharjesh e mallkimesh...
* *
Qysh në krye të herës, masat i kanë drejtuar politikanë, njerëz të aksionit, të ditur e të zgjuar, kurse ata vetë, më të shquarit mes tyre. Edhe sundimi ynë botëror i përket periudhave kur patëm një kuadër të tillë...
* *
Për një administrator dhe politikan të mirë, janë shumë të rëndësishme këto veçori: ideja e Zotit, epërsia e drejtësisë, vetëdija e detyrës, ndjenja e përgjegjësisë në punët e rënda e të vështira, mjeshtëria dhe kompetenca në punët delikate...
* *
Qeveri do të thotë drejtësi dhe qetësi. Atje ku s’ekzistojnë këto, s’mund të bëhet fjalë se ka qeveri. Në qoftë se qeveria do të përngjasohej me një mulli, mielli i saj janë rregulli, qetësia dhe siguria. Kurse mulliri që s’nxjerr të tillë miell, s’bën gjë tjetër veçse zhurmë duke bluar në erë...
* *
Më shumë se të thotë qeveria “populli im”, ka rëndësi të shprehet populli për të, duke e quajtur “qeveria ime”, dhe pandeh se kjo është ajo që kërkohet gjithmonë! Ndryshe, po qe se populli e sheh qeverinë që ka në krye si egjër që i ka rënë në qafë, duke iu përdredhur nga të katër anët, qeveria i ngjet një koke të këputur nga trupi qëkuri.
* *
Respekti në zemrën e popullit ndaj shtetit, respekti i tij ndaj qeverisë duhet përpjekur të fitohen jo me dhunën e nëpunësit të qeverisë, por me seriozitetin e qeveritarëve në sjelljet dhe veprimet e tyre, me sinqeritetin në punët dhe shërbimet e tyre. Gjer tani, me despotizmin e nëpunësve mizorë a me mashtrimin e masave askush nuk ka dalë i fituar!
* *
Nëse nëpunësit që qeverisin një shtet të mirë e të virtytshëm, mund të zgjidhen sipas fisnikërisë së origjinës, fisnikërisë së mendimit dhe fisnikërisë së ndjenjave, ai shtet mbetet i mirë e i fuqishëm. Kurse qeveria e cila, duke emëruar nëpunës persona të mangët në këta tregues të lartë, ka rënë në fatkeqësinë për të pritur shërbim prej tyre, s’është një qeveri e mirë dhe kurrsesi nuk mund të jetë jetëgjatë! Sjelljet e këqija të nëpunësve të pafismë, herët a vonë do të reflektohen si njolla të zeza edhe në çehren e saj, e për rrjedhojë, edhe në ndërgjegjen e popullit do të nxihet!
* *
Në detyrë, nëpunësit duhet të veprojnë brenda kuadrit të ligjeve, por duhet edhe të jenë të butë sipas butësisë së ndërgjegjeve të veta. Kësisoj ata do të ruajnë edhe respektin mbi veten, edhe respektin mbi ligjet, edhe respektin mbi shtetin! Nuk duhet nxjerrë nga mendja se ashpërsia e skajshme shkakton shpërthime të papritura, kurse butësia e skajshme, sjelljen e shoqërisë në gjendjen e një fidanishteje barërash të këqija.
* *
Ligjet duhet të jenë të vlefshme për të gjithë, në çdo kohë e në çdo vend, kurse zbatuesit e tyre, edhe të guximshëm, edhe të drejtë në mënyrë që masat, po aq sa të kenë frikë para tyre, po aq edhe të ndjehen të sigurt saje tyre!
* *
Një shtet është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, për pasojë, edhe me fat, me aq sa të përfaqësohet me individë besimtarë, të zgjuar, të fuqishëm e dinamikë.
* *
Kopshtari i ushqen fidanët e i rrit, i mbron ata nga dëmtuesit dhe fatkeqësitë, pastaj, në kohën e të vjelave, mbledh frytet e tyre. Edhe marrëdhënia midis shtetit dhe popullit është po marrëdhënia midis kopshtarit dhe fidanëve...
* *
Shtetet e shkëlqyera lindin nga kombet e shkëlqyera, kurse kombet e shkëlqyera, me pushtetin e tyre dituror, mundësitë materiale dhe njohjen e gjerë, nga brezat me shpirt, si dhe nga individët e zgjedhur që luftojnë për të qenë “identitet i vetvetes”!
* *
Qeverisja në një komb që nuk e ka vërtetuar ende pjekurinë e vet në çdo individ, duhet t’u dorëzohet personave më të informuar, më të aftë e më largpamës. Për një komb, nuk mund të përfytyrohet një fatkeqësi më e madhe se dorëzimi i punëve të shtetit njerëzve të paditur, të paaftë e miopë!
Nëse të pafismët, të mangët nga kultura dhe soji, e të paditur në punët e shtetit, janë sjellë gabimisht në krye të një detyre, nuk do të rrinë pa e përdorur fuqinë e shtetit për vete, pa e shpërdoruar pushtetin e tij, pa kërkuar në çdo gjë interesat e veta dhe pa sunduar si nga një mbret despot më vete. Në një vend ku në pushtet janë njerëz të tillë, do të dëgjohen vetëm bërtitjet e mizorëve dhe rënkimet e viktimave, për pasojë, fundi i dhimbshëm i atij vendi do të jetë i pashmangshëm.
* *
Një shtet duhet të përpiqet të rregullojë jo vetëm punën, veprimtarinë dhe sjelljet e kombit, por edhe mendimin dhe botëkuptimin e tij. Parimi më i rëndësishëm në këtë rregullim është uniteti i mendimit, i ndjenjës, i arsimit dhe edukimit. Nëse individët që përbëjnë kombin, ushqehen me kultura e mendime të ndryshme, bien në antagonizëm me njëri-tjetrin dhe luftojnë në interes të botëkuptimeve të ndryshme, ai komb është i dënuar me asgjësimin e vetvetes!
* *
Që një komb të jetë i fuqishëm, sa ç’është i rëndësishëm uniteti i kulturës, ndjenjës e mendimit, po aq me ndikim është edhe prishja e unitetit moralo-fetar në copëtimin dhe shpërndarjen e kombit!
* *
Në çdo gjë ka politikë, ndërkaq, politika e atyre që përgatisin rilindjen e një kombi, duhet të jetë politika e njerëzve, të cilët, pa menduar asgjë, madje dhe kënaqësitë e veta, marrin forcë vetëm e vetëm me kënaqësitë e kombit dhe vuajnë vetëm me dhimbjet e tij!..
* *
Administrimi i mirë dhe politika me nivel nuk duhen kërkuar as në mjekra, as në flokë të bardhë, as në servilizëm dhe postet e fituara me hipokrizi dhe as në popullaritetin artificial të shtënë në dorë me shtytjen e një sërë strukturash të dyshimta, por duhen kërkuar mes njerëzve shpirtlartë, mes truve që heqin e vuajnë dhe mes skllevërve të së vërtetës që nuk kërkojnë lirim...
* *
Në qoftë se çdo shtëpi shërben si një shkollë për mësimin dhe edukimin e pjesëtarëve të saj, çdo shkollë shërben si një garnizon i vogël që zhvillon shpirtin ushtarak, çdo garnizon shërben si një kuvend ku diskutohen qenia, vazhdimësia dhe qetësia e kombit dhe çdo kuvend shërben si një laborator shoqëror që vlerëson, duke e kaluar çdo çështje të përcjellë atij kuvendi,nëpër prizmin e shpirtit dhe mendimit kombëtar, sipas detyrës dhe kompetencave të tij, do të thotë se ai komb zotëron kuadrin administrativ dhe politik më ideal!
* *
Zotërimi i mendimeve të ndryshme dhe i konsideratave të ndryshme është punë e njerëzve të pjekur. Ndërkaq, askush s’ka të drejtë të tregohet liberal e lëshues ndaj mendimeve e konsideratave të ndryshme që e përçajnë kombin duke e ndarë në kampe, sepse një liberalizëm dhe lëshim i tillë do të thotë të mbyllësh sytë para shembjes dhe asgjësimit të kombit!
* *
Sado mirë të mendoni e sado optimistë të jeni për njerëz që u përkasin mendimeve e ndjenjave kombëtare të tjera, nuk duhet të mbani larg syve se mund t’ju sjellin dëm. Dhe në asnjë mënyrë të mos u jepni rast të shtien në dorë pikat që vlerësohen si aortë e kombit dhe shoqërisë, sepse njeriu mund të bëjë lëshime që mund ta hedhin atë personalisht në rreziqe, por kurrsesi s’ka të drejtë të sillet kështu në emër të kombit e të shtetit!
* *
Duke u nisur nga konsiderata se ka edhe njerëz shumë të sinqertë e të dobishëm, megjithëse kanë një botëkuptim të ndryshëm e mendojnë ndryshe nga ju, nuk duhet t’i dilni me nxitim kundër çdo mendimi të kundërt, duke humbur edhe ata që mendojnë ashtu. Për më tepër, duke kërkuar rrugët për të përfituar nga mendimet dhe konsideratat e tyre, duhet hyrë në dialog me ta. Ndryshe, këta të pakënaqur, të larguar nga ana jonë me mendimin se nuk mendojnë si ne, ose të larguar vetë, ju dalin para me turma gjigante dhe ju shtrijnë për tokë. Edhe nëse gjatë gjithë historisë së njerëzimit nuk mund të tregohet ndonjë vepër pozitive e kryer prej të pakënaqurve, shtetet që kanë shembur janë të panumërueshëm!
* *
Nga kushdo që të vijë, le të vijë, njeriu duhet të dijë të përfitojë nga informacionet dhe konsideratat e dobishme për sistemin e vet, për mendimin e vet, për botën e vet dhe sidomos kurrë nuk duhet ta nënvleftësojë përfitimin nga përvoja e njerëzve me përvojë!
* *
Duke marrë parasysh veçorinë e saj bashkuese e njësuese, feja është një institucion jetësor, të cilin duhet ta kenë parasysh ata që drejtojnë kombet, dhe në fuqinë e pamposhtur të së cilës duhet mbështetur vazhdimisht!
* *
Lidhur me sigurimin e qetësisë dhe garancisë për kombet dhe shtetet, është e pamundur të gjesh një forcë të dytë krah fesë. Ashtu siç është fuqia më ndikuese mbi ndërgjegjjet e njerëzve, feja është edhe elementi më vendimtar për të marrë nën kontroll sjelljet dhe veprimet e individëve. Është për këtë arsye që drejtuesit, duke e njohur jetën fetare si jetë të kombit, janë përpjekur vazhdimisht ta mbajnë gjallë atë në ndërgjegjen publike.
* *
Lartësimi i kombit varet nga aftësimi i të rinjve për ta kuptuar kohën që jetojnë, brenda kuadrit të besimit dhe mendimit tonë, nga mbrojtja e besueshmërisë para masave duke bërë përpjekje të vetëdijshme për të kapërcyer varfërinë dhe nevojat si dhe nga mbajtja e industrisë dhe tregtisë gjithmonë pas dijes dhe aftësisë.
* *
Tri janë elementet më të rëndësishme që e mbajnë gjallë një komb: feja, urtësia dhe armët. Urtësinë mund ta interpretojmë si përvetësim të filozofisë, duke e lidhur atë ngushtë me jetën.
* *
Bota është një vend prove dhe çdo gjë këtu zë vend sipas kuptimit të marrë me anë të përvojës dhe vlerave të fituara. Për mua, duke u dhënë, nga një anë, rëndësi gjërave të kaluara nëpër prova, nga ana tjetër nuk duhet lënë gjë mangët në provat dhe vlerësimet e reja që informacionit t’i ruhet edhe saktësia, edhe pjelloria.
* *
Në qeveritarët e lartë janë parim ndjeshmëria, dhembshuria dhe ndjenja e përgjegjësisë, në drejtuesit lokalë, sigurimi i rregullit në jetën e përditshme, i sigurisë dhe qetësisë, në gjykatësit, ideja e së drejtës, paanshmëria dhe guximi qytetar.
Është e natyrshme që mes kombeve e shteteve të ketë fërkime. Nisur nga kjo, politika mes tyre vërtitet ose rreth miqësisë së sinqertë, ose rreth interesit. Që të dyja mënyrat janë të justifikueshme me kusht që të mos dëmtohet tjetri, si dhe të mos dëmtohesh vetë. Ndërkaq, edhe nëse s’mendohet që ne ta mashtrojmë dikë, është një aspekt i politikës që të rrihet vazhdimisht zgjuar për të mos u mashtruar nga të tjerët!
* *
Bëjnë gabim ata që e kuptojnë politikën vetëm në formën e partisë, propagandës, zgjedhjeve dhe luftës për pushtet. Politika është art i administrimit me perspektivë të gjerë, si mendimi në të njëjtën kohë i të sotmes me të nesërmen dhe i të nesërmes me të pasnesërmen si dhe i trajtimit të kënaqësisë së popullit, së bashku me pëlqimin e Zotit.
* *
E kaluara është një shkollë e mbushur plot me shembuj nga jeta dhe tablo mësimdhënëse. Ata që janë të aftë ta njohin dhe vlerësojnë shumë mirë këtë shkollë me gjërat që jep dhe që të përfton, do ta zotërojnë edhe të nesërmen me sukses. Sepse e sotmja është identikja e së djeshmes e kështu me radhë; çka ndryshon, janë vetëm ngjyrat...
* *
Sundimi i forcës është kalimtar. I përjetshëm është sundimi i të drejtës dhe drejtësisë. Edhe nëse jo sot, është jashtë çdo diskutimi se në një të ardhme të afërt, këta do të dalin fitues! Prandaj, politika më e madhe duhet kërkuar në anësinë ndaj të drejtës e drejtësisë!..
* *
Sipas kritereve të pranuara, të thuash “nuk përzihem në politikë, mos u përzje në politikë”, do të thotë “nuk përzihem, mos u përzje në punën e atdheut dhe kombit, në jetën dhe të ardhmen e kombit”!
* *
Në ditët tona, një pjesë e madhe e njerëzve, ndryshe nga ata që i konsiderojnë politikë lojrat politike ditore, mashtrimin e masave popullore, luftën për interesa dhe pushtet dhe, për hir të kësaj, tregimin si legale të të gjitha veprimtarive e akteve jolegale, e shohin si të detyrueshme që, në emër të jetës së tyre ndjesore, të drejtimit të tyre ideor dhe të marrëdhënieve me Zotin, të rrinë larg çdo lëvizjeje politike. Eh, ku politika e njësuar me idenë e së drejtës dhe drejtësisë, e ku sharlatanizmi i rrugëve!..
Xhamitë dhe funksionet e tyre
Edhe në ditët më të këqija, xhamitë kanë qenë e do të jenë mjediset më të shndritshme ku diskutohen çështjet që i përkasin Kuranit.
* *
Xhamitë janë vatra arsimi e kulture, që në çdo nivel, veprojnë sikur shkolla.
* *
Xhamitë janë struktura qiellore ku, krahas adhurimit, dhikri dhe meditimi realizohen në formën më të gjallë.
* *
Në një periudhë të caktuar, xhamitë kanë qenë kuvende këshillimi ku këshilloheshin burrat e shtetit.
* *
Kryerja edhe e punëve të kësaj bote në vende të hapura ndaj botës hyjnore siç janë faltoret, me ato çka u përftojnë shpirtrave, qëndrojnë përtej çdo lloj shprehjeje!
* *
Për nga disiplinimi i jetës së besimtarëve, xhamitë janë pothuajse si nga një vendstërvitjeje më vete.
Tregtia
Me gjuhën e parave e të mallrave që shiten e blihen, tregtia është lutje për furnizim drejtuar Individualitetit që mban në duar frerët e çdo gjëje. Kjo lutje a kërkesë duhet bërë, por, njëkohësisht, nuk duhet harruar që plotësimi i kërkesave i përket Atij. Le të përparojnë sa të duan teknika dhe teknologjia, roli i tregtisë dhe i gjërave të premtuara prej saj në emër të së ardhmes do të jetë më i madh se ky i sotmi dhe mbi parashikimet. Për më tepër, qeveritë dhe pushtetet do të dalin në dritë sipas këshillave të saj, dhe do të mund ta vazhdojnë ekzistencën e tyre veçse me mbështetjen e saj!
* *
Krahas faktit që rëndësia e dijes dhe specialitetit është e madhe, si në çdo gjë tjetër, edhe në tregti dhe zeje, nuk duhet hequr kurrë nga mendja se veçanërisht këto dy profesione mbështeten në parimin e çirakllëkut, domethënë të nxënësit në profesion. Ka aq shumë çështje që trajtohen në libra, të cilat as që mund të japin atë që pritet prej tyre pa kaluar nëpër prizmin e mjeshtërisë së një ustai të ardhur nga shërbimi si çirak dhe kallfë i përgatitur.
* *
Një tregtar që bën shitblerje në përputhje me trajtimin hallall-haram të gjërave, koha e kaluar në krye të punës quhet adhurim.
* *
Meqë pastërtia dhe rregulli, apo papastërtia dhe parregullsia e vendeve të punës, apo të tregtisë, shpesh janë reflektime të cilësive shpirtërore të shitësit, a në përgjithësi të të zotit të vendit të punës, nuk duhet harruar ndikimi pozitiv apo negativ i kësaj mbi klientët apo kërkesat.
* *
Tregtari hileqar apo afaristi hileqar, me këtë sjellje, së pari, vihen në kundërshtim me Zotin, pastaj edhe me ndërgjegjjet e veta. Pas kësaj, pasi hileja e tyre të merret vesh, e humbin kredinë në popull dhe shkojnë drejt humbjes...
* *
Fryma e tregtisë është drejtësia, siguria, besnikëria, njohja e kohës, sjellja jashtëzakonisht delikate dhe me edukatë ndaj klientit. Ai që le mangët njërën prej këtyre veçantive, ka dëmtuar frymën e tregtisë, duke bllokuar kësisoj të gjitha rrugët e fitimit.
* *
Tregtarët dhe artizanët duhet të jenë gjuhëmbël, fytyrëqeshur, mjaft të thjeshtë, të qëndrueshëm në fjalë dhe që s’përtojnë e s’mërziten kurrë. Këto veçanti që janë shumë të domosdoshme pothuajse për çdo profesionist, për këto dy klasa, për shkak të marrëdhënieve të ngushta me popullin dhe të interesimit për humbjen dhe fitimin, janë më të rëndësishme.
* *
Për ata që janë mësuar t’i hapin vendet e punës çdo ditë një orë më parë e t’i mbyllin një orë më pas, muaji u bëhet tridhjetë e pesë ditë, viti, katërqind e njëzet ditë; natyrisht, me kusht që, me aq sa ta lejojnë mundësitë, të mos e lënë shërbimin mangët.
Mbi gjuhën
Gjuha është një nga dhuratat më të mëdha që iGjithëmëshirshmi i ka favorizuar njeriut. Me të e demonstron njeriu që është njeri, me të hapet drejt diturive dhe me anë të saj vazhdon të jetojë edhe mes brezave të ardhshëm. S’e di, ata që e prishin gjuhën njerëzore duke e kthyer atë në gjuhë zogjsh, a i bien dot në të përmasave të tradhtisë që bëjnë?
Mendimi makiavelist
Rruga e paraqitjes dhe njohjes së vetes duke i nxirë të tjerët, në krye të herës njihej vetëm në Lindje si puna e një grupi hipokritësh. Mirëpo, për fat të keq, kjo u përhap kaq shumë sa që edhe një pjesë e madhe e atyre që luftojnë në emër të së drejtës, i lidhin përpjekjet e veta me makiavelizmin. Turp të kenë ata që kërkojnë të drejtën me rrugë të shtrembra! Turp e faqja e zezë u qoftë tërë makiavelistëve!
Fitorjae së mirës dhe e së bukurës
E mira, e bukura, drejtësia dhe virtyti janë tharmi esencial i kësaj bote. Sido që të bëhet, herët a vonë, bota do të hyjë në udhë dhe askush s’do të ketë fuqi ta pengojë!