NGA PIKËVËSHTRIMI I URTËSISË MBI DIJEN

Qëndrimi larg shkencave pozitive duke pasur frikë se mos çojnë në ateizëm, është foshnjarake; po ashtu, edhe trajtimi i tyre si pretekst që çon në mohim, duke i parë ato në tërësi si antagoniste të fesë dhe besimit, është paragjykimdheinjorancë!

* *

Shkencat janë të dobishme me aq sa na e garantojnë lumturinë duke na lartësuar në vlera njerëzore. Në të kundërt, shkenca dhe teknologjia që e bëjnë njeriun të përjetojë ëndrra të frikshme, janë nga një shtrigë e një djall që na ka zënë udhën!

* *

Në krye të shekullit të kaluar, dikush, në kundërshtim me një pjesë materialistësh dritëshkurtër të cilët e patën hyjnizuar shkencën duke ia kushtuar çdo gjë asaj, i godiste në formën më delikate përçartjet e çuditshme që patën mbështjellë një shekull të tërë, duke thënë: “Shkenca pa fe është e verbër, feja pa shkencë, e çalë!” S’e di se ç’do të thoshte, po t’i shihte këta tanët sot, që janë edhe të verbër, edhe të çalë!”

* *

Pretendimi se shkencat pozitive s’janë asgjë, është fanatizëm i tepruar dhe injorancë, ndërkaq që hedhja poshtë e çdo gjëje jashtë tyre, është sektarizëm naiv, kurse njohja dhe pranimi, nën dritën e çdo njohurie të re të mësuar, se janë edhe male të tëra të vërtetash të panjohura, është mendësi shkencore dhe orientim mendimi!

* *

Shkenca dhe teknika janë në shërbim të njeriut dhe s’ekziston asnjë shkak serioz për t’u trembur prej tyre. Rreziku nuk është te shkenca dhe ngritja e një bote sipas shkencës. Rreziku është te injoranca, pavetëdijshmëria dhe shmangia nga marrja e përgjegjësisë!

Pritshmëria nga shkenca

Meqë jeta e vërtetë për njeriun mundësohet me shkencë dhe kulturë, ata që e lënë pas dore mësimin, quhen të vdekur edhe po të jenë në jetë, sepse qëllimi më i rëndësishëm i krijimit të njeriut është vëzhgimi dhe mësimi, dhe më pas, mësimi të tjerëve i gjërave të mësuara vetë.

* *

Masat dhe vendimet që merr një individ janë të goditura me aq sa ç’janë në marrëdhënie me mendjen dhe logjikën, kurse këto zhvillohen në përpjesëtim të drejtë me shkencën dhe intuitën. Prandaj ndodh që atje ku nuk ka shkencë dhe intuitë, mendja është e ngathët, logjika, mashtruese dhe vendimet, të pagoditura!

* *

Vlera njerëzore e një njeriu shquhet dhe del në shesh pasi t’u ketë mësuar dhe ndriçuar të tjerët me atë që ka mësuar vetë. Ai që nuk rreket të mësojë megjithëse në dijeni të padijenisë së vet, që nuk mundohet të bëhet shembull për të tjerët, pavarësisht shfaqjes së jashtmesi njeri, të lë të mendosh në është me të vërtetë i tillë!..

* *

Gjërat që do të mësohen për vete e që do t’u mësohen të tjerëve, pastaj, duhet të synojnë zbulimin e natyrës dhe cilësisë esenciale të njeriut, si dhe të fshehtat e gjithësisë. Shkenca që nuk u hedh dritë mbi të fshehtat e unit, që nuk i hap dhe ndriçon pikat e errëta e të zëna të ekzistencës, nuk është shkencë!

* *

Posti dhe funksioni, të arritur me anë të diturisë dhe intuitës, janë më të lartë dhe jetëgjatë sesa postet e arritura me rrugë të tjera. Sepse dituria, në këtë jetë, duke e mbajtur njeriun larg të këqijave, e bën të virtytshëm e të vlefshëm, kurse, në jetën tjetër, projektet e ngritura në ndjesi me anë të besimit dhe diturisë, i lumturon nëpërmjet pozitash tejet të larta.

* *

Çdo nënë e baba, duhet që, para se mendjet e fëmijëve t’u mbushen me gjëra të panevojshme, t’ua mbushin ato me dije e kulturë. Sepse ndjesitë e zbrazëta nga e vërteta dhe shpirtrat e privuar nga intuita, janë si parcela toke të përshtatshme për hedhjen dhe mbirjen e çdo lloj mendimi të keq. Tekembramja, ç’të mbillet, do të korret!..

* *

Synimi i mësimit është që dija t’i bëhet njeriut prijës dhe udhërrëfyes, që të ndriçohen udhët që shkojnë në përsosjen njerëzore. Për rrjedhojë, dituritë dhe shkencat që ia kanë zënë vendin shpirtit, duke e shmangur krejtësisht atë, janë një barrë në shpinë të të zot, kurse intuita që nuk e orienton njeriun kah objektivat e larta, një hamallëk ndjesish dhe mendimi!..

Ja, se si shprehet për këtë gjë poeti turk, Junus Emré:

Dije do të thotë të dish,

Do të thotë veten të kuptosh;

E nëse ti veten s’e kupton, Më kot që lexon.

* *

Dituria apo shkenca me synimin dhe qëllimin të përcaktuara, janë, për të zotin, pretekst begatish dhe thesar i pasosur. Ata që e zotërojnë këtë thesar, vizitohen si të ishin një burim uji të ëmbël, vazhdimisht, përsa të jenë gjallë dhe bëhen pretekst për dobi. Kurse hipotezat boshe me synim të papërcaktuar, që u hedhin zemrave dyshim e lëkundje e që i nxijnë shpirtrat, janë një grumbull plehrash përreth të cilit sillen vërdallë shpirtrat, ose një kurth shpirtrash.

* *

Edhe nëse dituritë dhe shkencat me degët e tyre të ndryshme dhe dobitë që përmban çdo degë janë dobisjellëse pothuajse për çdo njeri, meqë jetëgjatësia e njeriut është e paracaktuar dhe mundësitë, të kufizuara, është e pamundur që të mësohen që të gjitha, të nguliten në kujtesë e të përfitohet prej tyre. Nisur nga kjo, çdo individ duhet t’i mësojë dhe vërë në punë gjërat e domosdoshme për të dhe kombin e tij, pa qenë e nevojshme ta çojë kot jetëgjatësinë me gjëra që s’i hyjnë në punë!..

* *

Dijetari apo shkencëtari i vërtetë do t’i ketë kurdoherë krahët të lehta dhe zemrën të qetë, nëse kërkimet dhe studimet do t’i organizojë dhe zhvillojë nën dritën e informacioneve më të drejta, e pohimeve më të sigurta që s’të gënjejnë, si dhe sipas përvojave shkencore. Kurse shpirtrat e mjerë, të privuar nga burimi i vërtetë i dijes, s’do të bëjnë dot gjë tjetër, veç të rrinë e të ndërrojnë rrugë e drejtim vazhdimisht, duke mos shpëtuar dot kurrë prej iluzioneve bruto, për çka edhe do të rrinë e rënkojnë vazhdimisht prej dhimbjeve të zhgënjimit!..

* *

Fuqia dhe vlera e çdo personi është sipas përmbajtjes dhe pasurisë së diturisë që ka marrë: e atij që e përdor diturinë thjesht si një element thashethemesh, po aq; e atij që, duke e përdorur diturinë si një prizëm në njohjen e materies dhe dukurive, arrin gjer në skajet më të errëta të hapësirës, e që duke marrë krahë me kulturën e vet, takohet me të vërtetat përtej natyrës, gjithashtu po aq...

Dituria dhe injoranca

Edhe nëse libërzimi i diturive apo shkencave duke i thjeshtëzuar dhe sistematizuar në një farë mënyre ato është i dobishëm për faktin që krijohet edhe një herë tjetër mundësia për t’i parashtruar gjërat ekzistente, mund të thuhet se ka një mijë e një dëme ngaqë e paralizon shpirtin e frymëzimit dhe deduksionit...

* *

Dituria është një udhëzues; nëse do të mbështetej në zbulesën hyjnore, e do të ushqehej prej saj, do të arrinte në përmasa që i kapërcejnë tokë e qiej, duke marrë saora një vlerë të veçantë...

* *

Tani nuk përgatiten më shpikës apo zbulues, por imitues. Tani ndihet nevoja e shpirtit kundërshtues e kryengritës, që të ndryshojë çdo gjë, qoftë edhe pjesërisht. Çdo gjë duhet ndërruar: libri, shkolla, klasa, banka.. çdo gjë..Dhe është thelbësore të niset me kritikë...

* *

Injoranca është shoku më i keq, dituria, shoku më besnik!..

* *

Kur dituria bashkohet me karakterin e butë, arrin një thellësi marramendëse!..

* *

Kur nxehet, injoranti bërtet e thërret, kurse i mençuri planifikon se ç’duhet bërë...

* *

Idealja qëndron mbi perustinë dituri-butësi-adhurim...

* *

Po qe se dituria nuk është bërë burim për praktikën, është e paracaktuar të thahet e të shuhet...

* *

Nevoja është prijësi symprehtë i shpikësve...

* *

Është tjetër të dish, tjetër të kuptosh; është më mirë ta kuptosh një gjë, sesa vetëm ta dish...

* *

Mësoje veten të thuash “nuk di”, në mënyrë që kurrë të mos mbetesh i turpëruar duke thënë “nuk e di”...

* *

Po të bëhej edhe konkursi i varfërisë, siç bëhen shumë lloje konkursesh, injoranca do të bëhej padyshim mbretëresha e tij!..

Respekt për mendimin

Kritika e çdo gjëje, kundërshtimi për çdo gjë, s’janë veçse, për çdo herë, një akt shembjeje. Nëse dikujt s’i pëlqen diçka, le të përpiqet ta bëjë më të mirën e saj, sepse pas shembjes s’mbeten tjetër veçse gërmadha, kurse pas bërjes, ngrehina dhe jetë...

* *

Më tepër se nga furia dhe dhuna e hapur, duhet pasur frikë nga armiqësia e fshehtë dhe zemërimi dinak. Edhe nëse miqtë bëhen të ashpër sy ndër sy, në të vërtetë janë, për njëri-tjetrin, si engjëj mbrojtës. Ndërsa tregohen të butë, armiqtë, ngrenë kurthe, kurse ashpërsinë, ashtu si merimanga, e shfaqin duke i dhënë të drejtë vetes pasi ta kenë zënë tjetrin në kurth!..

* *

Thonë, “filani laget në mot të thatë”! Iu bëfsha kurban atij! Ç’t’u bësh atyre që s’lagen as nën shi!..

* *

Në një kuvend, çdo fjalë ka vlerë. Nuk duhet të kundërshtosh menjëherë as mendimet që nuk përputhen me idenë tënde. Mendo se ato mund të jenë shprehur lidhur me diçka tjetër, duro gjer në fund dhe dëgjo!

* *

Përvoja është mësuesi i mendjes dhe prijësi i mendimit!

Feja

Që nga dita kur është krijuar e gjer më sot, njeriu, vetëm në atmosferën e ngrohtë të fesë e ka gjetur qetësinë e vërtetë, duke mundur të bëhet i lumtur vetëm në saje të fesë. Ashtu siç është e pamundur të bëhet fjalë për moral dhe virtyt të lartë atje ku s’ka fe, është mjaft e vështirë, gjithashtu, të bësh fjalë për lumturi. Sepse burimi i moralit dhe virtytit është ndërgjegjja, kurse i vetmi element që e urdhëron ndërgjegjen, është feja, lidhja me Zotin!..

* *

Feja është shkolla më rezultative, më e begatë, e hapur për shprehitë e bukura. Dhe nxënësit e kësaj shkolle të lartë janë të gjithë njerëzit, pa përjashtim. Kushdo që e frekuenton këtë shkollë, shpejt a vonë arrin sigurinë dhe kënaqësinë e kërkuar. Kurse të mbeturit jashtë, me kohë humbin çdo gjë, madje edhe identitetin e tyre,!..

* *

Feja është manual parimesh hyjnore që i çojnë njerëzit, me vullnetin e tyre të lirë, në gjëra të mira e të dobishme. Është gjithmonë e mundur të gjesh mes parimeve të fesë, bazat që përgatisin përparimin materialo-shpirtëror të njeriut, për rrjedhojë, lumturinë e tij në këtë e në jetën tjetër!

* *

Feja është njohja e ekzistencës dhe njësisë së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij, dhe sipas urdhrave të Tij, madje ndierja, për llogari të Tij, e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj gjithë ekzistencës!

* *

Ata që s’e pranojnë fenë, me kohë nisin të sillen pa respekt edhe ndaj koncepteve të larta si nderi, kombi dhe atdheu...

* *

Imoraliteti pothuaj në tërësinë e tij është zift që shpërthen prej burimit të mosbesimit; po ashtu dhe çdo lloj grindjeje dhe anarkie janë oleandra helmuese të luginave të mosbesimit...

* *

A nuk duhet që një pjesë mosbesuesish që ia kanë kushtuar jetën veprimtarisë kundër fesë, të tregojnë, me ca fryte konkrete, të paktën për ç’vlen mosbesimi?..

* *

Feja dhe shkenca e vërtetë janë si dy fytyrat e një të vërtete të vetme. Feja e shëtit njeriun nëpër rrugë të drejta dhe e çon në përfundime të lumtura. Ndërkaq, shkenca me synim dhe qëllim të përcaktuar qartë, i bën dritë para, si një pishtar, nëpër rrugët dhe në fushat e veta.

* *

Të gjitha lulet e bukura janë rritur në kopshtet dhe lulishtet e fesë. Ja, pra, parimet e saj, dhe ja profetët, të urtët dhe shenjtorët, frytet e mrekullueshme të saj! Edhe nëse mosbesimtarët bëjnë sikur s’i shohin këto fryte, nuk do t’u mjaftojnë fuqitë për t’i fshirë ata as nga faqet e librave, as nga zemrat e njerëzve!..

* *

Mes njerëzve, profetët janë si malet. Ashtu siç janë malet për tokën element i përftimit të qëndrueshmërisë së saj dhe i pastrimit të ajrit, ashtu janë edhe profetët për njerëzit. Prandaj ka ndodhur që malet dhe profetët të përmenden së bashku, në një kauzë të vetme. Profeti Nuh dhe mali Xhud, Profeti Musa dhe mali Sina, Profeti Muhamed dhe mali Hira janë nga një shenjë që hapin perden e së fshehtës së kësaj enigme...

* *

Feja i drejtohet mendimit të shëndoshë, mendjes së kthjelltë dhe shkencës dhe, nga ky këndvështrim, s’ekziston mundësia e kritikës për asnjë çështje të saj. Ata që s’duan ta pranojnë atë, ose e kanë të prishur sistemin e të menduarit, ose të gabuar botëkuptimin shkencor, ose të pamjaftueshëm gjykimin...

* *

Feja është një burim i begatë që përmban parimet e vërteta të qytetërimit. Në saje të fesë, njeriu lartësohet në botën e tij ndjesore, kryet i arrin në botët tejfizike dhe arrin në horizontin ku mund të pijë sa të dojë nga burimi i vërtetë i të gjitha dobive, bukurive dhe virtyteve...

* *

Nëse virtyti dhe vlera duhen kërkuar diku, duhen kërkuar në fe. Është tepër e rrallë që një i pafe të jetë i virtytshëm e që të gjendet një fetar i vërtetë i pavirtytshëm!

* *

Në saje të fesë, njeriu rrok kuptimin e njerëzores dhe veçohet prej kafshëve. Në vështrimin e njeriut të pafe, njeriu nuk ka ndryshim prej kafshëve...

* *

Feja është rruga e Zotit, kurse mosbesimi, e djallit. Si rrjedhojë e kësaj, lufta mes besimit dhe mosbesimit ka ardhur që prej Ademit, e gjer në ditët tona, dhe do të vazhdojë më tej gjer në kiamet!..

Kurani

Kurani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore i lindur në horizontin e njeriut duke zbritur nga lartësia e lartësive në masën e vlerës së njeriut dhe duke marrë parasysh unitetin trup-mendje-shpirt të tij!

* *

Kurani, pas të cilit janë lidhur sot afërsisht një miliard njerëz, me parimet e tij hyjnore, përjetësisht të pandryshueshme, është teksti i vetëm dhe unikal si tregues i rrugës më të shkurtër e më të ndriçuar që çon kah lumturia e tërë njerëzimit!

* *

Kurani është libri burim drite i bashkësive më të shkëlqyera e më dritëplote të historisë njerëzore, mes të cilave ndodhen edhe miliona dijetarë, mijëra filozofë dhe mendimtarë, i bashkësive të cilat kanë vendosur për fatin e planetit! Në këtë kuptim, Ai është i pashoq edhe në mbretërimin e tij!

* *

Qysh nga dita e zbritjes e gjer më sot, Kurani as është kundërshtuar e as është kritikuar, megjithatë, kundër tij janë ngritur gjyqe që kanë përfunduar të gjitha me “pafajësinë” e tij dhe betejat janë vulosur që të gjitha me fitoren e tij!

* *

Kurani është një dritë që kristalizohet në zemra, një burim ndriçimi që u bën dritë shpirtrave dhe fund e krye një ekspozitë të vërtetash. Me fytyrën e tij të vërtetë, Kuranin mund ta njohin e kuptojnë vetëm shpirtrat që mund t’i dallojnë të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që mund ta vëzhgojnë furtunën në një pikë ujë!

* *

Kurani ka një të atillë stil shprehjeje që oratorët arabë dhe persianë kanë vënë ballin në tokë kur kanë dëgjuar ajetet e tij, kurse letrarët njohës të së vërtetës, që kanë ndjerë dhe kuptuar bukuritë e përmbajtjes së tij, para Mbretit të Fjalës janë përkulur më dysh me nderim të thellë!..

* *

Myslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kuranit, dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kuranit, jo vetëm që s’mund të jenë myslimanë, por as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre!

* *

Të thuash se “besimi është çështje ndërgjegjeje”, do të thotë të pohosh se i pranon dhe vërteton Allahun, Profetin dhe Kuranin, jo vetëm me gojë, por edhe me ndërgjegje. Kurse adhurimi, me të gjitha llojet e tij, i lidhur pas kësaj mendësie, është shfaqja e detyrueshme e këtij vërtetimi të shëndoshë!

* *

Vetëm një herë ka ndodhur ai transformimi më i madh, shembullin e të cilit historia nuk ka mundur ta përsërisë edhe një herë tjetër: shpërthimi në formë tufani drite në një periudhë kur njerëzimi vërtitej mes vedi në vorbullën e egërsisë së injorancës dhe mohimit; dhe mbytja në dritë e botës në një hop, gjë që është realizuar me Kuranin! Historia është një dëshmitare e mjaftueshme e saj!..

* *

Kurani është libri që i mëson njeriut, me ekuilibrat më të imta, kuptimin dhe esencën e njeriut, të vërtetën dhe urtësinë, individualitetin, atributet dhe emrat e Zotit, dhe në këtë fushë është e pamundur të tregosh një libër të dytë të njëvlershëm me të. Edhe ti vetë do ta kuptosh këtë gjë nëse u hedh një sy urtësisë së të urtëve dhe filozofisë së filozofëve vërtetëdashës!..

* *

Kurani është i vetmi libër që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve, gjer te kafshët; që ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, mitën, kamatën, gënjeshtrën, dëshminë e rreme...

* *

Përsëri është vetëm Kurani, libri që duke marrë nën mbrojtje bonjakun, të varfrin dhe viktimën, i ul në të njëjtën karrige mbretin me skllavin, komandantin me ushtarin, akuzuesin me të akuzuarin, dhe i gjykon...

* *

Ta tregosh Kuranin si burim të miteve e besëtytnive, s’është gjë tjetër veç një përçartjee pathemeltë e të pafeve të sotëm, trashëguar prej arabëve injorantë të katërmbëdhjetë shekujve më parë. Me një mendësi të tillë vihen në tallje urtësia dhe filozofia e vërtetë!..

* *

A nuk do të duhej që ata që bëjnë fjalë për Kuranin dhe kontributin e tij, të thoshin ca fjalë, qoftë edhe me vlerë të përkohshme, mbi rregullin, harmoninë, qetësinë dhe sigurinë e njeriut? Ç’është e drejta, kur e vë përballë Kuranin me hallakatjen, dhe shkatërrimin e qytetërimeve të tjera me rënkimin e pashpresë të zemrave të privuara nga drita e tij, është mjaft e vështirë ta kuptosh këtë keqdashje dhe inat kundër tij!..

* *

Jeta më e rregullt për njeriun është jeta ku merr frymë Kurani, ashtu që mund të themi pa u druajtur se një sërë bukurish të qytetërimit, të cilat sot përmenden e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kurani i pati inkurajuar qindra vite më parë. E kush është gabim dhe kush ka faj në këtë mes?..

* *

Tek ne, ata që qysh prej kohësh hedhin e presin në adresë të Kuranit, e që e kanë bërë si profesion të merren me të, përgjithësisht kanë qenë dhe janë injorantët që nuk e dinë se s’dinë. Sa e hidhur është që këta të mjerë, as kanë bërë ndonjë hulumtim mbi librin që i janë kundërvënë, as kanë lexuar ndonjë gjë mbi të. Në të vërtetë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes pretendimeve të këtyre dhe pretendimeve të injorantëve që tregojnë keqdashje ndaj shkencave eksperimentale, mirëpo duhet pritur edhe ca kohë që populli të zgjohet për t’i rrokur të vërtetat...

* *

Kush e beson Kuranin, konsiderohet se e beson Profetin Muhamed, dhe kush e beson ProfetinMuhamed, konsiderohetse e ka besuar edhe Allahun. Kush nuk e beson Kuranin, nuk konsiderohet se e beson ProfetinMuhamed dhe kush nuk e beson ProfetinMuhamed, nuk konsiderohet se e ka besuar Allahun. Ja, pra, këto janë përmasat e myslimanit të vërtetë!..

* *

Në saje të Kuranit, njeriu është ngjitur në kulmin e pozitave siç është ajo e bashkëbiseduesit të Zotit. Njeriu i vetëdijshëm se ndodhet në një pozitë të tillë, e dëgjon Zotin në gjuhën e Vet të Kuranit, bisedon me Të, dhe nuk quhet gënjeshtar në betim, nëse betohet se ka folur me Të!

* *

Në klimën e ndritshme të Kuranit, njeriut i bëhet sikur kalon nëpër varr ndërsa ndodhet ende gjallë në botë, sheh ringjalljen dhe Siratin, rrëqethet nën tmerrin e ferrit, dhe ndien se po shëtit në majat e hareshme të parajsës...

* *

Ata që i pengojnë myslimanët për ta kuptuar Kuranin e për t’u thelluar në të, i largojnë ata, për rrjedhojë, nga fryma e fesë së tyre dhe thelbi i Islamit!

* *

Pandeh se në një kohë shumë të afërt, kur, nën shikimet plot miratim dhe mahnitje të njerëzimit, ujëvarat e shkencave të ndryshme, e teknikës dhe artit, duke rrjedhur drejt oqeanit kuranor, të derdhen në burimin e tyre të origjinës e të bëhen një me të, dijetarët, hulumtuesit shkencorë dhe artistët do ta gjejnë edhe një herë veten brenda atij deti të paanë...

* *

E ardhmja nuk duhet parë shumë si periudhë e Kuranit, sepse ai është fjala e Individualitetit që i sheh dhe i njeh të shkuarën me të sotmen dhe të sotmen me të ardhmen si një e tërë e pandarë...

Profeti Muhamed (pqmT)

Njeriu e njohu dhe e përvetësoi qytetërimin e vërtetë në saje të Profetit Muhamed (pqmT). Pastaj, çdo përpjekje e treguar në këtë drejtim nuk ka shkuar më tej se imitimi dhe revizionimi i parimeve të sjella prej tij. Nisur nga kjo, do të ishte më e përshtatshme që të quhej ai themeluesi i qytetërimit të vërtetë.

* *

ËshtëProfeti Muhamed (pqmT) ai që nuk u ka lëshuar kurrë rrugë dembelit dhe dembelizmit, që e ka quajtur punën adhurim dhe e ka duartrokitur njeriun punëtor, që u ka treguar ndjekësve të Vet kohën përtej epokës së jetuar dhe koordinatat si elementë drejtpeshimi për krejt njerëzimin!

* *

Në daljen e tij si një shpatë e trimërisë dhe fjalës kundër mohimit dhe egërsisë, në shpalljen e së vërtetës pa pushim në të katër anët, dhe në tregimin njerëzimit të rrugëve të ekzistencës së vërtetë, Profeti Muhamed (pqmT) është individualiteti unikal e i papërsëritshëm!..

* *

Nëse ka në botë njeri që nuk i do injorancën, mohimin dhe egërsinë, ai është Profeti Muhamed (pqmT)! Sidoqoftë, herët a vonë, zemrat që e kërkojnë të vërtetën, e të etura për diturinë shpirtërore, kanë për ta gjetur atë dhe kurrë më s’kanë për t’u ndarë prej gjurmëve të tij!..

* *

ËshtëProfeti Muhamed (pqmT) që i ka marrë nën mbrojtje fenë, nderin dhe atdheun, që i ka kumtuar njerëzimit në një formë përsosmërisht të ekuilibruar, se përpjekja për t’i mbrojtur ato është një luftë e vërtetë identiteti dhe ndërgjegjeje, dhe se kjo luftë është detyrë e lartë e sublime e rrjedhur nga besimi!

* *

Ka qenë Profeti Muhamed (pqmT) i pari që i ka kumtuar njerëzimit lirinë e vërtetë, që u ka bërë të ditura ndërgjegjeve, se njerëzit janë të barabartë para të drejtës dhe ligjit, që e ka kërkuar epërsinë në moral, virtyt dhe devocion, si dhe që e ka quajtur adhurim thënien me zë të lartë të së vërtetës përballë dhunuesit dhe idesë së dhunës e padrejtësisë!

* *

Është Profeti Muhamed (pqmT) që e ka grisur perden e hedhur në fytyrën e vdekjes dhe vdekësisë, që e ka treguar varrin si sallon pritjeje të botës së lumturisë së amshuar, që i ka çuar zemrat e çdo moshe që kërkojnë lumturi, të pinë në burimin e eliksirit të pavdekshmërisë!..

Tasavufi

Tasavufi është metoda e ndjerjes dhe rrokjes së të vërtetës së islamit nga ndërgjegjja. Nisur nga kjo, ata që nuk janë të vetëdijshëm për jetën që jetojnë, nuk do të mundin ta arrijnë një përjetim të tillë, madje as ata që kënaqen vetëm duke dëgjuar legjendat për të tjerët, nuk do të mund të kuptojnë gjë nga kjo.

* *

Nisur nga përfundimi, tasavufi është një emërtim tjetër i dukurisë sipas së cilës njeriu, i cili, pasi të ketë kuptuar thellë varfërinë, dobësinë dhe tërë mangësitë e veta, shkrihet, përhumbet dhe asgjësohet i tëri përballë rrezatimeve të ekzistencës së Zotit dhe pasqyrimeve tëatributevetë tij.

* *

Tasavufi është situata cilësore sipas së cilës, shpirti i njeriut, pasi të jetë purifikuar, dhe pastaj, njësuar me origjinën e vet, të arrijë në një dimension të panjohur, duke kapërcyer të gjitha kohët dhe hapësirat... Ja, pra, kështu, në saje të këtij përjetimi, njeriu, duke kaluar nëpër portën e hapur nga miraxhi profetik, shkon e arrin tek Zoti i vet, pra, bëhet i merituari i një lloj miraxhi... Natyrisht, i një miraxhi sipas kapaciteteve të veta...

* *

Urtësia dhe filozofia ia zgjerojnë njeriut horizontin e mendimit dhe e ndihmojnë t’i njohë më mirë materien dhe dukuritë. Kurse mistika mundëson kontaktin e njeriut, në një dimension pamundësisht të njohur, me Zotin e materies dhe të dukurive, duke e bërë atë mikun dhe të afërmin e Tij...

* *

Tasavufi, ashtu siç mund të vërehet në personin e figurave përfaqësuese të tarikatit, është identitet i ndriçimit të shpirtit të njeriut duke marrë ushqim, me rrugën e dhikrit dhe meditimit, nga Fjala Hyjnore që është e pafundme. Nisma është shtruarja drejt pafundësisë e disa linjave hipotetike, duke marrë për etalon unin njerëzor, kurse fundi, duke hequr dorë prej të fshehtave të unit, është njohja se çdo gjë është prej Tij...

* *

Tasavufi është rruga e hulumtimit me anë të dorës së zemrës, këmbës së zemrës dhe syrit të zemrës të të vërtetës hyjnore, tek e cila dora e filozofisë nuk mundet të arrijë! Në këtë rrugë, ku mendja këmbëzbathur e kryezbuluar bie përmbys e dërrmuar, zemra merr krahë si një pëllumb dhe përpiqet ta njohë, me kriteret e veta vlerësuese, Atë, Qenien e Panjohur. Dhe pastaj, diturinë shpirtërore të fituar, e shpall duke thënë: “S’të njohëm dot siç duhet...!”

* *

Tasavufi është shpirti i Islamit. Islami nuk mund të mendohet pa të! Kurse tarikatet e kanë sistematizuar tasavufin.

Kultura

Kultura është një burim i rëndësishëm, të cilit i drejtohet rregullisht një komb gjatë procesit të zhvillimit dhe përparimit të vet, në vijën e posaçme për të. Mes harmonisë dhe orientimit të jetës së kombit dhe kthjelltësisë së burimeve të kulturës, ka ekzistuar gjithmonë një lidhje e ngushtë.

* *

Kultura është tërësia e parimeve të lindura nga ndjenja të tilla si gjuha, edukata, zakonet dhe arti të një shoqërie, të shndërruara më pas, duke u përpunuar vazhdimisht, në mënyrën e jetesës të asaj shoqërie, tërësia e parimeve, çdo fragment i të cilave është, pothuaj, shumë i rëndësishëm. Të bësh sikur s’i sheh këto parime, është verbëri, kurse përpjekja për ta larguar shoqërinë prej tyre, do të thotë ta hutosh dhe trullosësh atë, duke e lënë pa rrugë dhe pa drejtim.

* *

Në përfundim të kontakteve të shumta a të pakta të kombeve me njëri-tjetrin, kultura, në një farë mase, ashtu si dhe qytetërimi, mund të kalojë nga një shoqëri në tjetrën. Ndërkaq, nëse në këtë kalim, distilatorët e shpirtit kombëtar nuk funksionojnë mirë dhe nuk kryhen mirë seleksionimet dhe kompensimet e duhura, si rezultat, amullia dhe depresioni kulturor-qytetërimor bëhet i pashmangshëm.

* *

Kultura e vërtetë maturohet në potën ku shkrihen së bashku feja e vërtetë, morali i lartë, virtyti dhe dituritë e përvetësuara. Në atmosferën ku sundojnë mosbesimi, imoraliteti dhe injoranca, nuk mund të bëhet fjalë as për kulturë të vërtetë, as për përfitim prej këtij burimi nga ana e njeriut të rritur e formuar në atë atmosferë.

* *

Shoqëritë që përpiqen për t’i siguruar vazhdimësi ekzistencës dhe përhershmërisë së vet duke u ndërzyer me kulturën dhe qytetërimin e kombeve të tjerë, u ngjajnë pemëve të zbukurimit me fruta artificiale të varura nëpër degë, gjë që është sa qesharake, aq edhe vetëmashtruese!

* *

Kultura lind dhe zhvillohet nga natyra e kombit dhe shoqërisë. Ç’të jenë lulet dhe frutat për një pemë, ajo është edhe kultura për një komb e shoqëri. Kombet që nuk kanë mundur ta zhvillojnë dhe maturojnë ose që e kanë humbur kulturën e vet, u ngjajnë pemëve që s’japin fruta, ose që u janë derdhur. Ato janë të dënuara që, në mos sot, nesër, të priten për t’u përdorur për lëndë druri.

* *

Kultura zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e çdo kombi. Kultura e lidhur ngushtë dhe e njësuar me të kaluarën e kombit dhe rrënjët e tij shpirtërore, hap dhe i ndriçon rrugët e gjallesës e të lartësimit për atë komb. Në të kundërt, zikzaket e vazhdueshme me nga një mendësi dhe ide të re për çdo ditë, e shpërbëjnë kombin, e kalbin duke e shtrirë përdhè.

Liria

Liri do të thotë që shpirti të mos pranojë asnjë kusht tjetër çfarëdo, veç ndjenjave të larta dhe mendimeve të larta, do të thotë të mos bëhet rob i asnjë parimi tjetër veç virtytit, vlerës dhe dobisë.

* *

Sa e sa vetë ka, që megjithëse ndodhen nën pranga e zinxhirë, fluturojnë pa prá në qiejt e lirë të ndërgjegjeve të veta, pa ndjerë qoftë edhe për një çast burgosje e robëri. Dhe sa e sa vetë ka, që pavarësisht nga shkëlqimi dhe pompoziteti marramendës e syturbullues i pallateve ku jetojnë, assesi nuk munden ta ndiejnë e shijojnë lirinë në thellësitë e vetvetes së tyre!

* *

Ata që e kuptojnë lirinë si mundësi absolute veprimi, ngatërrojnë lirinë njerëzore me lirinë shtazore. Diametralisht e kundërt me lirinë ku mbështeten zemrat e pafré për të realizuar dëshirat e errëta të trupit, të të gjithë natyrës lëndore të njeriut, liri e cila është krejtësisht një simptomë shtazore, liria që, duke hequr pengesat para shpirtit, i hap udhë trokut të tij, është krejtësisht një simptomë njerëzore.

* *

Lirinë mund ta interpretojmë, gjithashtu, edhe si shkëputje të trurit të njeriut prej litarëve që do ta pengonin nga përparimi materialo-shpirtëror, sigurisht, pa rënë në indiferentizëm dhe moskokëçarje.

* *

Liri do të thotë t’i thuash njeriut, “pasi t’i rrish besnik idesë së të drejtës e të mos u sjellësh dëm të tjerëve, mund të bësh ç’të duash!”

* *

Liria e pëlqyeshme dhe e pranueshme është liria qytetare. Edhe ajo, e lidhur me zinxhirët prej perlash të fesë dhe moralit, e shtrënguar me rrathët prej floriri të mendimit të shëndoshë.

* *

Liria që nuk njeh ndjenjë fetare dhe mendim fetar, që nuk i jep vlerë moralit dhe që s’shërben si fidanishte virtytesh e vlerash, i ngjet zgjebes, nga e cila neveriten dhe ikin me vrap të gjithë popujt, ashtu që, popujt që u bie zgjebja, ashtu siç do të ndodhë që herët a vonë ta humbin qetësinë, do të ndodhë, pashmangësisht, t’i humbin edhe të njohurit, shokët e miqtë!..

Qytetërimi

Qytetërimi s’është pasuri materiale, dukje, shijim i kënaqësive trupore dhe notim i lëndores mes dëfrimesh. Qytetërimi është pasuri ndjesore, delikatesë shpirtërore, thellësi pikëpamjeje dhe pranim i të tjerëve duke u njohur edhe atyre të drejtën për të ekzistuar.

* *

Qytetërimi i vërtetë është mundur të vërtetohet vetëm në kushtet kur kanë prirë vazhdimisht dituria dhe morali bashkë. Prandaj ka ndodhur që qytetërimi perëndimor, që e trajton çdo gjë lidhur me shkencat dhe teknologjinë, ka mbetur vazhdimisht paralitik, kurse qytetërimet lindore që përballë shkencës janë zhveshur e ia kanë këputur gjumit, ndodhen sot në një farë gjysmegërsie. Qytetërimi i së ardhmes do të hedhë shtat e zhvillohet në fidanishten ku kultivohen shkencat dhe teknologjia e Perëndimit bashkë me filozofinë e besimit dhe moralit të Lindjes.

* *

Qytetërimi që nuk mbështetet në virtyt dhe moral, që nuk ushqehet nga hauzet e arsyes dhe ndërgjegjes, është një festë e përkohshme me flamurka e banderola, që nuk i shërben lumturisë së njerëzimit, por vetëm ca të pasurve si dhe dëshirave të ca qejflinjve. Mjerë për ata që gënjehen pas parullave të tij me drita që ndizen e shuhen!

* *

S’duhet pandehur se qytetërim do të thotë të kesh përparuar shumë në shkencat e natyrës e teknologji, të zotërosh mundësi moderne si anije, trena e avionë, të jetosh në qytete të mëdha, të ecësh në rrugë e bulevarde të gjera e të banosh në qiellgërvishtësa. Të pranosh se këto gjëra, çdonjëra prej të cilave konsiderohet, në duart besimtare e të orientuara, vetëm një pretekst i qytetërimit, janë vetë qytetërimi, s’është tjetër veçse një vetëmashtrim!

* *

Qenia të qytetëruar e individëve duhet kërkuar në përpjekjet e tyre për të fituar një natyrë të dytë, duke zhvilluar e zhvilluar embrionet e gjërave të mira që ndodhen në esencën e njeriut. Ata që e quajnë të qenit të qytetëruar si identitet të veshjes dhe flokëve, si dhe të përfitimit prej çdo lloji të kënaqësive fizike, janë një sërë të patrush e një duzinë fatkeqësh të vënë poshtë nga jeta e përbërë prej kënaqësish fizike.

* *

Nuk ka dyshim se popujt e egër dhe endacakë janë gjakderdhës, mizorë e piratë. Ndërkaq, është një e vërtetë se, meqë kjo gjendje e tyre dihet nga të gjithë, nuk është shumë e rrezikshme për të tjerët. Mirëpo ç’t’u bësh endacakëve të qytetëruar të pajisur me armë moderne që ruajnë në çdo kohë rastin e volitshëm për të pirë gjak!

* *

Nëse qytetërimi është tregimi nga një komb i qenies së vet, materiali i kësaj ligjërate të shkëlqyer duhet të jenë veprat shkencore, morale e teknologjike të atij kombi. Sepse edukata shoqërore dhe mjeshtëritë e artet e ndryshme i japin trajtë qytetërimit, kurse morali, si një gjuhë oratorike, e prezanton atë.

Përparimi

Zhvillimi dhe përparimi i një kombi varet nga edukimi ideor dhe ndjesor i individëve të tij. As nuk mund të pritet, që kombet me individë me arsye dhe ndriçim të brendshëm të pazhvilluar të përparojnë!

* *

Kusht për lartësimin e kombeve është që individët të kenë arritur mes tyre unitetin e qëllimit. Në një shoqëri ku asaj që njëri i thotë e bardhë, tjetri i thotë e zezë, edhe nëse mund të vihen re përplasje sa majtas, djathtas, kurrsesi nuk mund të vërehen zhvillim dhe lartësim.

* *

Brezat që nuk kanë marrë një edukatë të përbashkët, gjithmonë janë ndarë në kampe të veçanta sipas kulturave të marra, duke e parë njëri-tjetrin si armiq. Të presësh përparim nga një shoqëri e tillë e përbërë prej gjelash që janë gati t’i hidhen sipër njëri-tjetrit, edhe në mos qoftë krejt e pamundur, është aq e vështirë sa mund të thuash e pamundur!

* *

Çdo përparim shfaqet në fillim si një projekt dhe ide, pastaj u bëhet e pranueshme shtresave shoqërore dhe, më pas, realizohet me zellin dhe përpjekjet e individëve të lidhur dorë për dorë e zemër për zemër. Në të kundërt, çdo hap përparimi, që në planin ideor, nuk “ka marrë vizë” prej shkencës ose ka pësuar fatkeqësinë të mos mundet ta shprehë veten, është e dënuar të mbetet pa rezultat.

* *

Më e pastra, më e shkëlqyera, më e rregullta dhe më e mira e çdo gjëje është ajo që ka përparuar. Sipas kësaj, të kënaqurit me atë që ke është një numërim në vend, kurse nxjerrja në shesh e veprave më me nivel, më madhështore duke e kapërcyer dhe tejkaluar atë që ke, është përparim.

* *

T’i kthesh në djerrë fusha e kodra, t’i katandisësh kopshtet e vreshtat në plehërishte, është rënie e regres; t’i bësh djerrinat pjellore dhe t’i kthesh plehërishtet në kopshte e vreshta, është përparim. Vendi i kombeve të përparuara është parajsë, malet, vreshta, kurse faltoret, pothuajse çdonjëra një pallat i shkëlqyer. Në kundërshtim me këtë, qytetet e vendeve të prapambetura, janë gërmadha, sokakët, plehërishte, kurse faltoret, nga një korridor i errët e i mykur.

* *

Megjithëse ndikimi i shkrim-leximit mbi përparimin dhe lartësimin e kombeve dhe shoqërive është i madh sa nuk mund të mohohet, rezultati i kërkuar nuk ka qenë i mundur të arrihet kur brezat nuk janë edukuar me kulturën kombëtare në një drejtim të caktuar, dhe nuk do të arrihet...

* *

Çdo hap dhe ndërmarrje përparimi bëhet rezultative në atë masë sa ç’i jepet rëndësi vlerësimit të mirë të gjendjes aktuale si dhe përfitimit nga përvojat e brezave të shkuar. Në të kundërt, nëse çdo brez i ri nuk mendon të përfitojë prej përvojës së brezit paraardhës dhe secili ze një udhë sipas mendjes së vet e shkon, atëherë, sado që të përpiqen brezat, me qëndrime dhe veprime të tilla foshnjarake as edhe një pashë rrugë s’kanë për ta bërë dot!..

Arti

Arti është nga rrugët më të rëndësishme që bën të zhvillohen shpirti dhe ndjenjat e përparimit. Kapacitetet e pafata që e lënë t’u ikë nga dora rasti për ta përdorur këtë rrugë, njëra anë, ashtu si njëra anë e trupit te gjysmëparalitikët, u mbetet e vdekur gjatë gjithë jetës...

* *

Arti është si një çelës magjik që i zbulon dhe hap thesaret e fshehta. Pas dyerve të hapura me të, idetë veshin rrobën e trajtës, kurse iluzionet pothuaj trupëzohen...

* *

Nëse ka ndonjë pulëbardhë ideje që i shëtit njerëzit në pafundësinë e deteve dhe lartësinë e kaltërsinë e qiejve, ajo është arti. Në saje të artit njeriu hap velat drejt gjerësive të pamata të tokës e qiejve, arrin perceptime dhe parandjenja tej kohës dhe hapësirës...

* *

Arti vjen në krye të faktorëve që, me ruajtjen e botës ndjesore të njeriut, duke i treguar për çdo çast asaj bote ndjesore më të lartën e synimeve, i shtyn shpirtrat e ndjeshëm nga thellësia në thellësi. Po të mos ish arti, në botën e ndërhyrjes dhe zbulimit të njeriut nuk do të kishim mundur të shihnim asnjërën prej bukurive që ekzistojnë aktualisht. Dhe ata shpirtrat artistë të zjarrtë do të groposeshin në tokë për të humbur me gjithë projektet, planet dhe përfytyrimet e tyre...

* *

Më e para tablo që i përshkruan thellësitë e botës së brendshme të njeriut, është arti. Është në saje të artit, që ndjenjat dhe mendimet më të thella, konstatimet më të çuditshme, dëshirat më intime, janë regjistruar si të ishin regjistruar në një plan dhe pothuaj janë bërë të pavdekshme!

* *

A nuk qe si rrjedhojë e shoqërimit të besimit prej artit, që kjo botë madhështore, me faltoret e ngritura kas, me minaret si gishta dëshmie që tregojnë botën përtej, me motivet dhe disenjot e bekuara në ballë të mermerëve, të cilat konsiderohen secila si një mesazh më vete, me artin e shumëllojshëm të shkrimit, me ornamentet përshndritëse prej varaku, me punimet e pazbehura dhe qëndismat e bukura sa krahët e fluturave, kjo botë madhështore, pra, qe shndërruar në një galeri bukurish që s’ngopesh së pari?

* *

Dituria e vërtetë e tregon veten me artin. Gjithashtu nuk mund të thuhet se dikush që nuk ka mundur të nxjerrë në shesh ndonjë vepër artiçfarëdo, di diçka si shumë...

* *

Gjallëria e dhuntive njerëzore ka lidhje shumë me shpirtin e artit. Një njeri pa art, edhe në mos qoftë i vdekur, i gjallë s’mund të quhet...

* *

Të gjitha përpjekjet artistike të pavlefshme sipas shpirtrave artistike e që nuk gjejnë interesim dhe konsideratë, burojnë prej pamundësisë për ta dalluar nga njëra-tjetra formën me shpirtin.

* *

Nuk ka dyshim se interesimi dhe konsiderata për një vepër arti i përkasin, më tepër se vetë veprës, mjeshtërisë dhe artit në shpirtin e saj.

* *

Është arti që e bën hekurin më të çmuar se arin, bakrin se bronzin. Sigurisht, në saje të artit, mineralet më të pavlefshme shndërrohen në gjëra më të çmuara se ari, argjendi dhe diamanti...

* *

Ashtu siç të gjitha artet e bukura, të cilat, në vijën tonë të të menduarit, janë dhurata të pavdekshme të shpirtrave të bekuar artistikë për njerëzimin, edhe të gjitha mjetet që konsiderohen pretekst kënaqësie e mirëqenieje për njerëzimin, nga ora që na tregon kohën te syzet që u japin fuqi syve të dobësuar, nga telefonat dhe radiomarrësit që i afrojnë largësitë, te televizorët që i reflektojnë në dhomat tona fytyrat dhe zërat e kapura nga të katër anët e botës, nga trenat, autobusët dhe avionët që na bartin dhe çojnë nga një vend në tjetrin, te anijet kozmike, të gjitha këto mjete, pra, janë vepra të këtyre shpirtrave të ndjeshme të hapur ndaj artit.

* *

Të gjithë shpirtrat e mbyllura ndaj artit janë si ca turma amorfe, me qenien e mosqenien të njëvlershme, të cilat nuk i sjellin ndonjë dobi vetes, familjeve, kombit, madje mund të jenë të dëmshme...

Letërsia

Letërsia është konstrukti shpirtëror, bota ideore dhe gjuha e maturuar e jetës kulturore të një kombi. Individët që nuk ndajnë mes tyre të njëjtin konstruksion shpirtëror, të njëjtin sistem të menduari, dhe të njëjtën jetë kulturore, edhe pse mund të jenë pjesëtarë të një kombi, e kanë të pamundur ta kuptojnë njëri-tjetrin.

* *

Fjala është nga mjetet më të rëndësishme në bartjen e ideve nga një tru në një tjetër, nga një mendje në një shpirt tjetër. I zoti i fjalës, i cili mundet ta përdorë me sukses këtë mjet, gjen shumë shpejt përfaqësues turma-turma për idetë që tharmoi nëpër shpirtra, duke arritur pavdekësinë me idetë e tij. Kurse ata që s’e zotërojnë një mundësi të tillë, fshihen, ikin e mbarojnë së bashku me dhimbjet ideore që hoqën një jetë të tërë...

* *

Çdo lloj letërsie është, me të veçantën e materialit që përdor dhe me të veçantat e formësimit të qëllimit, një rrugë tregimi më vete dhe një gjuhë e posaçme për atë lloj. Edhe nëse nga ajo gjuhë çdokush mundet të kuptojë ca gjëra, janë vetëm poetët dhe prozatorët ata që e përdorin atë gjuhë me kuptimin e saj të vërtetë, e që flasin me të.

* *

Ashtu siç arin dhe argjendin e kuptojnë sarafët e argjendarisë, ashtu edhe perlën e gjuhës, e kuptojnë sarafët e fjalës. Kafshët e fusin në gojë dhe e përtypin lulen e rënë përtokë, ose meqë nuk e njohin vlerën, e shkelin dhe kalojnë, kurse njerëzit i marrin erë dhe e venë në gjoks.

* *

Idetë e larta dhe konceptet e larta duhet që patjetër të tregohen me një stil të lartë që do të zërë vend në mendjet, do të zgjojë emocion në zemrat dhe do të gjejë pranim në shpirtrat, ndryshe, ca llafollogë, duke parë kah rroba e grisur dhe e shqyer në shpinë të kuptimit, mund t’i shohin si të pavlera perlat brenda tij.

* *

Po të mos ish letërsia, as urtësia do të mund ta merrte atë vendin e saj të bujshëm, as filozofia do të mund t’i arrinte këto ditë, as ligjërata nuk do të mund ta jepte atë që pritej prej saj. Ndërkaq, nuk duhet harruar se si urtësia, si filozofia, ashtu edhe ligjërata kanë shtruar para letërsisë si një kapital të pasosur pasurinë e tyre të fushave të veta, duke i përftuar asaj pavdekësinë.

* *

Poetët dhe prozatorët i përngjajnë një fyelltari që u jep tingëllim bukurive që sheh dhe ndjen në botët e jashtme e të brendshme. Nëpërmjet tyre njerëzit rrokin kuptimin dhe natyrën e tingujve që lartësohen nga ky kor polifonik, ndryshe, personat që s’dinë gjë për flakët, që të ardhura me rrugën e ndjenjave, ua kanë përfshirë shpirtrat, e kanë të pamundur t’i kuptojnë si fyellin, ashtu dhe klithmën e lartësuar prej tij...

* *

Krejt ashtu si të gjitha llojet e tjera të artit, edhe fenomeni “letërsi” arrin pavdekësinë me anë të parandjenjës, njësimit me materien, qenies në një gjendje tejqëllimi e kohe, me anë të cilësisë ose përmasave të tij. Prandaj është shumë e rëndësishme që artisti, duke i kapërcyer të gjitha ç’sheh dhe ndjen, t’i përgatisë ndjesitë për t’u hapur ndaj frymërave që vijnë prej botëve përtej...

* *

Çdo fjalë poetike dhe prozaike me qëllim shprehjeje, që do të përdoret, duhet t’i bëhet enë margaritarit të mendimit, nuk duhet të zërë vendin e tij dhe nuk duhet t’i bëjë hije atij. Edhe sikur të jetë prej krizoliti kjo enë, fjala e humb ndikimin dhe fuqinë e ndjeshmërisë në atë masë, që t’u bëjë hije përmbajtjes dhe qëllimit. Për rrjedhojë, një fjalë e tillë nuk ka mundësi për të qenë jetëgjatë...

* *

Krahas të qenit mjet shprehjeje e një mendimi dhe e një kuptimi, gjuha ka lidhje të ngushta edhe me artin, bukurinë dhe çështjet e edukatës dhe ndoshta fjala “letërsi”, shprehja e këtij aspekti të saj është.

* *

Elementi bazë në letërsi është kuptimi. Nisur nga kjo, është e rëndësishme që shprehja të jetë e shkurtër, por e pasur dhe e dendur. Edhe nëse disa njerëz kanë dashur ta parashtrojnë këtë veçanti me figura letrare të përdorura nga të vjetrit në shprehje, si krahasim dhe similitudë, metaforë, metonimi, aluzion, kalambur, anaforë, për mua, fjala më e thellë duhet kërkuar në shpirtrat e ndjeshëm që entuziazmohen me anë të frymëzimit, në imagjinatat e gjera që dinë ta përfshijnë qenien e ta shtresojnë në ndjesi, në mendjet besimtare dhe konstruktive që kanë arritur t’i lexojnë këtë botë dhe amshimin së bashku, si një të tërë, si dy fytyrat e një të vërtete të vetme.

* *

Ashtu siç ndodhen mbi tokë qytetërime dhe kultura të ndryshme, është e natyrshme të ndodhen edhe lloje të ndryshme letërsie. Ndërkaq, letërsia, me ndjenjën e së bukurës në shpirt, me dashurinë për të bukurën dhe me vijat dhe tingujt përkatës të librit të natyrës, është, brenda shumëfytyrësisë, një e tërë e vetme dhe natyrisht e gjithëbotshme.

* *

Nëse letërsia e Divanit, e zhvilluar dhe e përsosur në fidanishten e një kulture dhe qytetërimi të veçantë, shihet nga një pjesë njerëzish e rëndë, e stërholluar dhe e pakuptimtë, shkaqet e një opinioni të tillë duhet t’i kërkojmë në ngushticën e horizontit tonë. Ju lutem, letërsinë e tharmuar nën rrezet qiellore të Librit dhe Sunetit, në ndjesitë emocionuese të heronjve që kanë treguar vendosmërinë për ta bartur gjer në pafundësi dritën e ardhur prej botëve përtej, si dhe në shpirtrat e lartë të ngritur kas me mendimin për ta trajtësuar botën përsëpari, a është e mundur ta kuptojnë kufomat e pajeta të një periudhe të vdekur?

* *

Çdo e vërtetë shfaqet në fillim si një embrion në shpirtin e njeriut, ndihet, pastaj, me fjalë, me kalem, me çekiç, gjallërohet dhe kristalizohet, duke u bërë përpjekje për ta shprehur atë me pika dhe vija në çehren e një vepre arti ose si një vepër arti më vete. Kurse marrja nga një vepër e tillë e dimensioneve mbikohore e mbihapësinore, ka të bëjë krejtësisht me besimin dhe nivelet e pasionit në atë besim.

* *

Disa herë, edhe mes njerëzve të një krahine e të një vendi, tensionimi letrar dhe shpërthimi letrar mund të jenë krejt të ndryshëm. Ky ndryshim i lidhur me fytyrën e jashtme të gjërave, buron prej ndryshimit në këndvështrimin e materies dhe dukurive si dhe prej pranimit ose mospranimit të besimit dhe shumë vlerave të tjera. Ashtu siç janë për atë që ndodhet në majë të malit, mërmërima të pakuptimta thirrjet e atij që ndodhet në fund të lumit, ashtu edhe për atë që ndodhet në fund të lumit, thirrjet e atij në majë të malit mund të merren si mërmërima që s’kanë kuptim.

* *

Një vepër letrare e mirë ka lidhje të afërt me përsosmërinë e elementëve që e kanë formuar atë; edhe përsosmëria e elementëve ka lidhje të afërt me përsosmërinë e nënelementëve që i përbëjnë ata. Atje ku embrioni (i një ndjenje) nuk është i shëndoshë, është e pamundur të formësohet një ndjenjë e pastër si dhe atje ku nuk gjendet një ndjenjë e pastër, është e pamundur të formësohen shprehje prej flake dhe vepra të gjalla si flaka, që do të mbeteshin po ashtu të gjalla gjithmonë.

* *

Ashtu si çdo artist, edhe shkrimtari, gjithmonë e kërkon veten në vijat, format dhe ngjyrat e të vërtetës së gjithësisë. Atë ditë që artisti e gjen atë që ka kërkuar, dhe arrin ta shprehë me artin e vet, e thyen lapsin, e hedh furçën, e fluturon tutje çekiçin dhe, i shtangur nga habia dhe mahnitja, kapërcen vetveten. Prandaj edhe artistët më të mëdhenj duhen kërkuar mes robërve të Zotit që s’pranojnë lirim, që jetojnë duke medituar dhe ndjerë.

Poezia

Poezia s’është gjë tjetër pos shprehjes në shpirtrat poetikë të bukurisë dhe simetrisë të ndodhura fshehur në shpirtin e gjithësisë, të buzëqeshjes dhe vetisë zemërgazmuese në çehren e qenies. Mes këtyre shpirtrave të larta ka të tillë që zemra iu është bërë shishe, kurse frymëmarrja e Shpirtit të Shenjtë, boja e tyre.

* *

Poezia është zhurma që dëgjohet në rrugën e ngacmimit të botëve përtej ose rënkimet e përpjekjes për këtë qëllim. Zërat dhe tingujt në poezi, sipas situatës shpirtërore dhe thellësisë së brendshme, disa herë dalin të kthjelltë e gurgullues, disa herë, të hollë, tepër të hollë. Nisur nga kjo, çdo zë dhe fjalë që i përket poezisë, mund të rroket e plotë vetëm me anë të situatës shpirtërore të çastit kur u shqiptua.

* *

Poezia lind dhe formësohet sipas mënyrave të besimit, kulturës dhe mendimit që ndikojnë mbi vështrimin dhe ndijimin e poetit. Ndërkaq, burimi i vetëm që, duke i dhënë thellësi poezisë, e ngre atë në nivel përtej njohjes, është frymëzimi. Në zemrën që merr flatra me anë të frymëzimit, molekula bëhet diell, kurse pika e ujit, det!

* *

Sado i madh të jetë në poezi roli i mendjes dhe mendimit, zemra njerëzore ka një aspekt të thellë të posaçëm në vetvete. Siç thotë edhe Fuzuliu, “Fjala ime është, për armatën e poetëve, flamur që prin!” Idetë e bleruara në zemër, të bërë me krahë nga imagjinata, shkojnë e nisin të shtyjnë dyert e pafundësisë...

* *

Poezia është një rreze që ndriçon të tashmen, një projektor që hedh dritë drejt së ardhmes dhe një melodi pasioni dhe emocionesh me burim nga përtej... Në klimën e poezisë së vërtetë, sytë fitojnë ndriçim, largësitë afrohen dhe shpirtrat arrijnë një ngazëllim dhe dëshirë që s’ka të shuar...

* *

Ashtu si përgjërimet, edhe poezitë bëjnë fjalë për ulje-ngritjet në botën e brendshme të njeriut, për gëzimet dhe hidhërimet e tij, si dhe shndërrohen në frymëmarrje qiellore me aq sa individi të përqendrohet në të vërtetën e lartë. Ç’është e drejta, çdo lutje është një poezi, çdo poezi, një lutje, mjafton që poezia të dijë të hapë flatrat drejt pafundësisë...

* *

Poezia që, e bleruar në mendimin mbi të pafundmen, zë vend, me anë të flatrave të zemrës dhe fuqinë e shpirtit, në qiejt e mendimit të kulluar, nuk i jep fort konsideratë mendimit pozitiv siç ndodh me shkencat. Ajo merret me konkreten vetëm si një mjet. I gjithë synimi i poezisë është ta gjejë abstrakten e të rendë nga pas për ta zënë...

* *

Nëse çdo gjë e ndjerë dhe e menduar në poezi, mund të përfytyrohet, nëse përfytyrimet mund të kalojnë nëpër gjykim pa firo, dhe pastaj, nëse këto elemente të fshehta të shfaqura si nga një frymë në botën e brendshme të poetit, munden ta ruajnë praninë dhe gjallërinë e vet gjer në çastin kur të kthehen në fjalë dhe fjali, ajo poezi është kandidate për të mbetur gjithnjë e gjallë dhe e freskët. Në të kundërt, gjërat që i nxjerrim në shesh duke u thënë “poezi”, s’kanë ndryshim prej një unaze bakri me gur krizoliti, ose një gjerdani margaritarësh imitues.

* *

Poezia, për shkak se zgjodhi për synim të kërkojë atë “Qenien e Panjohur”, është lëmsh enigme në mendim, gjysmerrësirë e rrugëve nga kalohet dhe një zë shumëpërmasor e vështirësisht i kuptueshëm i një atmosfere të mbyllur në shumë aspekte të saj. Është për këto arsye që në çdo fjalë e fjali të poezisë së vërtetë ndihen soditjet dhe ndijimet e një udhëtari jashtëzakonisht të ndjeshëm i cili, në një sható enigmatike, habitet e tërhiqet prej çdo zëri dhe pamjeje.

* *

Poezia është një rrahje zemre, një emocion shpirti dhe një lot syri; në të vërtetë, edhe lotët e syve do të thonë poezi e kulluar që ka ngritur krye kundër fjalëve.

* *

Poezi do të thotë ca lule poetësh të pavyshkshme dhe aroma që u shpërndajnë ato mjedisit. Kur ta kenë dheun të pastër, ujin të kulluar dhe rrënjën të zhvilluar, njeriu s’di të ngopur atëherë me ngjyrën dhe aromën e këtyre luleve...

* *

Nuk është i paktë numri i poetëve që flasin shumë pa e ditur ç’thonë, por edhe i atyre që e dinë mirë se ç’thonë, por flasin pak. Në ndryshim prej lumit të fjalëve të të parëve, vështrimi dhe mendimi poetik i të dytëve mund t’u thonë shumë gjëra njerëzve, pa pasur nevojë për shumë fjalë.

* *

Është gabim ta kuptosh poezinë vetëm në formën e fjalës metrike. Ka sa e sa fjalë prozaike, kuptimi figurativ dhe mënyra e të shprehurit e të cilave zgjon mahnitje dhe habi ndër zemra, të cilat janë, secila, nga një monument poetik më vete!

* *

Edhe poezia, ashtu si çdo degë e artit, nisur nga përfundimi, është e zbehtë dhe shterpë, nëse nuk merr e jep me të pafundmen. Shpirti njerëzor i shtënë pas bukurive të pafundme, zemra njerëzore e pasionuar pas pafundësisë, ndërgjegjja njerëzore që s’ngopet me tjetër gjë veçse me të përjetshmen dhe përjetësinë, i pëshpërisin pa prá artistit të merret me botët përtej. Artisti që nuk i ndien këto rënkime e dëshira që ngrihen lart prej shpirtit, zemrës dhe ndërgjegjes, merret një jetë të tërë vetëm me imitimin e fytyrës së jashtme të gjërave dhe qoftë edhe një herë të vetmenuk arrin dot të shohë se ç’ka përtej kësaj perdeje prej dantelle...

* *

Kur, në poezi, forma të mos flijohet për përmbajtjen dhe përmbajtja për formën, në të kundërt, kur të dyja anët të trajtohen në marrëdhënie të tilla si ato mes trupit e shpirtit, ajo poezi arrin një akord dhe harmoni që çdo ndërgjegje, duke e parë si krejt të natyrshme, e do. Dhe nuk mund të mendohet që, për këtë lloj poezie, imagjinata të propozojë ndonjë çfarëdo motiv tjetër, të ri.

* *

Poezia ka një fytyrë të jashtme ku sundojnë më shumë fjalët, fjalitë dhe veçori të tilla si metrika, forma e vargëzimit, etj. Sa për fytyrën e brendshme, atje, shpirti, për pohimin e ideve që tharmoi në botën e tij të brendshme, kërkon, atje ku duhet, fjalitë më të zbukuruara e më të hijshme si çehrja e luleve dhe krahët e fluturave, atje ku duhet, fjalët që, si shpuza, ndezin zjarr atje ku bien dhe, atje ku duhet, fjalët që do të shkaktojnë rënkime si të fyellit; i kërkon, i gjen dhe i vë nëpër vende ashtu që kësaj mund t’i themi muzikalizim i poezisë.

* *

Nisur nga fakti që simbolet dhe figurat janë një prej burimeve kryesore të poezisë, në të ndihet një gjerësi dhe konceptualitet tej asaj ç’ka është në të vërtetë. Megjithatë, ky konceptualitet, në të gjitha përmasat e tij, ndodhet brenda intimitetit të shenjtë të poezisë dhe i rrethuar prej mureve të tij. Edhe kur poezia, duke përftuar dimensione në krahët e asociacioneve, përhapet e zgjerohet drejt klimave kuptimore shumëngjyrëshe, prapë është po vetë ajo!

* *

Esencialisht, është një ton urdhër që i vjen poezisë nga bashkimi dhe njësimi i idesë me ndjenjën. Ndërkaq, janë edhe dy elemente të rëndësishëm si qëllimi dhe vështrimi, të cilët ashtu si hipofiza, i urdhërojnë idenë dhe ndjenjën duke u qëndruar në praparojë si dhe të cilët e bëjnë të ndihet praninë e vet në çdo moment; këto dy elemente u reflektohen si nga një ngjyrë të gjitha vargjeve e strofave, e kapin për dore mendimin atje ku i rrëshqet këmba, dhe si një llambë magjike para ndjenjës, përhapin nëpër rrugë dritë pa prá.

* *

Me urrejtjet dhe armiqësitë, me emocionet dhe dhimbjet, me shpresat dhe zhgënjimet, poezia është frymëmarrja e shoqërisë ku hedh filiz e rritet. Edhe poeti është, atje ku duhet, trakea dhe mushkëria e kësaj shoqërie, atje ku duhet, gjuha, buza e saj. Prandaj, ndërsa çdo poezi pohon ca gjëra kur trajtohet në kuadrin e veçorive të shoqërisë ku bleroi dhe u rrit, të shoqërisë që përbën material për të, është mjaft e vështirë të kuptosh diçka prej saj pa mbajtur parasysh shoqërinë që i shërben asaj si dado.

Jeta dhe shpirti

Jeta është një e fshehtë hyjnore; natyrën e saj e njohin vetëm ata që janë bërë njësh me të fshehtat hyjnore.

* *

Jeta, në kuptimin e saj absolut, është një gjëllim fizik, trupor. Temperatura dhe gjëllimi në trup janë krejtësisht natyrore dhe prodhohen brenda procesit të shndërrimit të lëndëve ushqimore në gjak dhe energji.

* *

Qëllimi i jetës fizike (trupore, fiziologjike) është gjëllimi dhe kryerja e një sërë detyrash fizike (trupore); nisur nga një gjë e tillë, nga një lloj jete e tillë, mes njeriut dhe kafshës nuk ka asnjë ndryshim. Kurse jeta njerëzore është jeta e përbërë prej vetëdijes, njohjes dhe mundësisë për të komunikuar me botët përtej dhe ja, kjo është jeta e vërtetë!

* *

Jetë s’do të thotë shpirt. Jeta është një gjëllim trupor, material. Kurse shpirti është një qenie e brishtë, e pazbërthyeshme, e papjesëtueshme, e ndryshme prej elementeve lëndore si dhe një “ligj i urdhëruar” i vetëdijshëm.

* *

Shpirti hyn në raport me trupin së bashku me jetën dhe ndahet prej tij me ndarjen e jetës. Jeta shuhet e shkatërrohet, kurse shpirti jeton, në saje të urdhrit të Allahut, gjer në pafundësi.

* *

Jeta është me burim krijimi dhe me dimensione natyrore. Kurse shpirti, një frymë hyjnore, zotëron një cilësi mbikrijimore e mbinatyrore. Jeta është e vdekshme dhe e fundme, kurse shpirti, me pamje përjetshmërie dhe i pavdekshëm.

* *

Shpirti është një qenie që, mbi mekanizmin e trurit, njeh, ndjen, kërkon dhe dëshiron vetë. Kurse marrëdhënia e tij me trupin është një fqinjësi e përkohshme dhe fat i përbashkët.

* *

Shpirti është një qenie e pavdekshme që, ashtu siç e kapërcen lehtësisht gropën e varrit dhe ikën, ashtu dhe, pa u penguar në pritat e jetës së varrit dhe grumbullimit pas ringjalljes, shkon dhe arrin pafundësinë e Ferrit dhe të Parajsës!

* *

Shpirti reflektohet në pasqyra ose në ëndrra apo iluzione disa herë i shëmbëllyer si njeri, disa herë në formë avulli të lehtë e, disa herë, në formën e një elementi tjetër, dhe si engjëjt, merret me gjëra të dobishme ose, si djajtë, me gjëra të dëmshme e të këqija.

* *

Jeta e vërtetë është ajo në të cilën jeta shpirtërore me jetën trupore shkojnë sup më sup. Një jetë e tillë është, në të njëjtën kohë, këtu një farë nga e cila del dhe çel lule jeta e njeriut të vërtetë, kurse përtej, jeta e të merituarve të Xhenetit që do të hedhë shtat e blerojë në të gjitha përmasat e saj.

* *

Vetëdija dhe thjeshtësia janë rezultat i jetës ndjesore.

* *

Nuk mund të ketë jetë shpirtërore tek ata që e jetojnë jetën pa përgjegjësi. Edhe përlotimi i tyre është një gënjeshtër më vete!

* *

Qysh nga çasti kur erdhëm në këtë botë, jeta e vërtetë na është dhënë amanet e lidhur ngushtë me jetën shtazore dhe me qëllim për ta zhvilluar atë. Dhe kjo përgjegjësi mbetet mbi ne gjersa të vijë çasti që marrëdhënia shpirt-trup të prishet.

* *

Përsa i përket jetës shtazore, njeriu është në koherencë me kafshët, kurse, përsa i përket jetës shpirtërore, në koherencë me engjëjt. Ashtu siç është i paracaktuar engjëllizimi me kohë i atyre që munden t’i vlerësojnë dhe përdorin mundësitë dhe dinamikat në esencën e krijimit të vet, ashtu edhe është e pamënjanueshme rënia herët a vonë nën nivelin e kafshëve, madje e djallëzimit të atyre që i lenë të verbra mundësitë dhe dinamikat në fjalë, madje, duke i shndërruar në elementë destruktivë, i përdorin për të keq ato!

Mrekullia dhe thagma

Ai që s’beson në mrekullinë, do të thotë se nuk e vërteton Allahun dhe fuqinë e Tij. Ai që thotë se “Hëna nuk ndahet me mrekulli”, kërkon të thotë se “Allahu nuk mund ta ndajë Hënën në pjesë”. Ai që thotë se “të vdekurit nuk ngjallen”, pretendon se Allahu nuk mund t’i ngjallë të vdekurit.

* *

Thagmaështë një eveniment i jashtëzakonshëm që shfaqet te prijësi shpirtëror, për rrjedhojë, që mbështet mrekullitë e profetit dhe profetësinë e tij.

* *

Thagmaështë një dhuratë hyjnore e shfaqur me dorën e miqve të së vërtetës të cilët nuk pretendojnë për profetësi, dhe këtë munden ta kuptojnë vetëm ata që e kuptojnë njeriun.

* *

Prijësia shpirtërore është pozita e personit që e do Allahun dhe duhet prej Tij. Ashtu siç ndodh që Allahu t’i lartësojë këta robër besnikë të portës së Tij me dhunti e favore që s’të shkojnë ndërmend e t’i bëjë të njohur mes njerëzve, ashtu ndodh edhe që t’i fshehë, si margaritari i fshehur brenda midhjes, gjer në stacionin e fundit edhe nga vetja e tyre, edhe nga të tjerët...

* *

Këto pozita të larta të ekspozuara ndaj dhuratave shumë mbi nivelin e ndjenjave, njohjes dhe botëkuptimit njerëzor të zakonshëm, përfaqësojnë, në një pamje, hijen e së vërtetës profetike. Distanca në mes përcaktohet nga vlera e lartësimit si më sipër.

* *

Prijës shpirtëror do të thotë i zoti i urtësisë. Sa më lart të jetë urtësia prej filozofisë, edhe prijësi shpirtëror po aq më lart qëndron në krahasim me filozofin, madje aq lart sa të mos mund të bëhet krahasim...

Ëndrra

Ëndrra është dritare e hapur për të parë në botën e së vërtetës; është vëzhgim i ngjarjeve që kanë për të ndodhur, drejtpërsëdrejti ose me anë të një sërë simbolesh. Në atë masë që mendja e njeriut të mbetet larg prej presioneve të ndryshme si dhe kufizimeve të kushtëzuara, në atë masë çdo ëndërr është një dritë që i vjen prej përtej, një dritë që, si një shenjë orientuese, mund t’i tregojë udhë njeriut duke ia ndriçuar errësirat që ka përpara.

* *

Është për shkak se në ëndrra nuk ndihet nevoja për sy, lëndë dhe dritë, se gjërat e para kuptohen me anë të parandjenjës dhe njohjes shpirtërore, që ëndrrat shpesh mund t’i tregojnë njeriut edhe gjëra shumëpërmasore dhe papërfytyrimisht të bukura. Dhe nuk ka ndodhur rrallë që me një ëndërr të vetme të jepet dje për të sotmen dhe për të ardhmen informacion aq i gjerë sa të mos e nxënë as librat!

* *

Mund të thuhet se s’ka njeri që të mos shohë ëndërr. Nisur nga kjo, ëndrrës mund t’i themi edhe vëzhgimi i natyrshëm i shpirtit. Me anë të këtij vëzhgimi njeriu pothuajse jeton jashtë mureve rrethues të lëndores dhe plotësisht në një dimension tjetër dhe kush e di se sa shumë të fshehta të fatit të të njëjtit brez arrin t’i parashikojë...

* *

Aq të shumta janë ëndrrat që vërtetohen një për një, saqë, sikur çdo person të mund të përcaktonte nga ëndrrat që shihte, vetëm ato që u dilte kuptimi, me to do të formoheshin vëllime të tëra!

* *

Sa e sa ëndrra të ekspozuara nga bota e përtejme ndaj horizontit të vëzhgimit të njeriut sipas kapacitetit të çdo zemre të pastër ka që zemra hyn në ato ëndrra e shëtit, arrin në çezmat e ujit parajsor të atyre bahçeve që konsiderohen secila nga një trëndafilishte më vete dhe pi gjersa të ngopet si dhe, me anë të vëzhgimit të ç’pejzazheve të padukshme që sytë s’i kanë parë, veshët për to s’kanë dëgjuar e shpirtrat kanë qenë të paaftë për t’i përfytyruar, nga ato të çara të fshehta të hapura për kah e pafundmja, kapërcen vetveten...

* *

Është në saje të ëndrrave që ne arrijmë të njohim qenien e dy receptorëve tanë të veçantë si zemra (ndjesitë) dhe parashikimi duke shpëtuar, kështu, prej errësirës dhe burgut tripërmasor të materies. Kështu, për shpirtrat e lartë të njësuar me të vërtetën, nuk ndihet nevoja e ëndrrave për të vëzhguar të përtejmen. Ata gjithë kohën i shohin së bashku edhe të këtushmen, edhe të atjeshmen, duke jetuar të dehur me bukuritë e së pafundmes. Ç’e do se kjo portë s’është e hapur për këdo; edhe atyre që u hapet, vetëm pas përpjekjeve dhe përvojave tepër serioze mundet t’u hapet...

* *

Ndërsa ata që e shohin mendjen njerëzore si një plehërishte ku ndodhen të përziera edhe gjërat më të ulëta ose që kërkimet e tyre lidhur me këtë subjekt i ndjekin në botët e tyre të turbullta të ndjenjave shtazore, i shohin dhe i tregojnë ëndrrat ku përshkohen mijëra frymëzime hyjnore, karnaval fantazmash të nënvetëdijes, mijëra shpikës dhe mijëra miq të së vërtetës që i marrin prej aty frymëzimet e tyre të para, do të vazhdojnë t’i jenë mirënjohës kësaj klime të begatë të botës simbolike.

* *

Shpirti më i Lartë, i cili e mbyti botën në dritë, edhe duke soditur në detet e intuitës ku hapi velat me anë të ëndrrave, madje, është kthyer vende-vende në këtë shkallare të parë të shenjtë duke e hedhur fjalën për këtë fidanishte të bekuar që konsiderohet si një fragment i dyzet vjetëve që i përgatitën profetësinë.

Pasioni

Pasioni është një prej favoreve më të fshehta të dhënë njeriut nga Gjithëmëshiruesi. Si një embrion, si një farë, ashku ndodhet pothuaj te çdo individ. Dhe, me aq sa ta mundësojnë kushtet, kjo farë hedh degë e gjethe si pemët, zgjohet si lulet dhe, ashtu si frutat, plotëson qerthullin e përsosjes duke e bashkuar fillimin me përfundimin në një të vetëm.

* *

Si një ndjenjë, ashku rrjedh nga të çarat sy, veshë dhe zemër për në botët e brendshme të njeriut, dhe gjersa të arrihet bashkimi, fryhet si një ujëmbledhës, rritet si një ortek dhe e mbështjell njeriun gjithandej si një flakë. Pastaj, kur të finalizohet me bashkimin, çdo gjë nis të shpërbëhet: zjarri shuhet, ujëmbledhësi zbrazet, orteku thërrmohet e mbaron...

* *

Pasioni, i cili, si një kuptim dhe embrion, përbën një aspekt të rëndësishëm pothuaj të çdo shpirti, ngjyrën dhe tonin e vërtetë e gjen duke u shndërruar në pasion të vërtetë, dhe kur e gjen, fiton përjetësi dhe shkon e kthehet, në prag të bashkimit, në një shije të abstraguar.

* *

Te njeriu, zemra është maja më e lartë, e hapur për shfaqjet hyjnore. Kurse treguesi më i hapur i meritimit nga zemrat të këtyre shfaqjeve, për rrjedhojë, të dashurisë së Allahut, është pasioni dhe dëshira e ndjerë në to për Krijuesin e Lartë.

* *

Më e prera, më e shkurtra dhe më e shëndosha rrugë për të arritur në horizontin e njeriut të përsosur është rruga e pasionit. Është mjaft e vështirë të arrihet në atë horizont me rrugë të pahapura për pasionin dhe dëshirën. Mund të thuhet se, në arritjen e së vërtetës, nuk ka një rrugë të dytë të njëvlershme me pasionin, veç rrugës së “thjeshtësisë e përkorësisë, dëshirës e falënderimit”.

* *

Pasioni është një “kalë shale” dhuruar neve nga Zoti në rrugën për gjetjen e parajsës së humbur. Dhe gjer më sot s’ka ndodhur kurrë që dikush nga ata që ia kanë shaluar këtij kali, të mbetet në rrugë. Ndërkaq, mund edhe të rastisë të hasen udhëtarë të cilët, edhe pse të hipur mbi këtë kalë qiellor, të ecin ngadalë si këmbësorë anës rrugës për shkak të dehjes me ngazëllimin e këtij pasioni. Megjithatë, kjo ka të bëjë me formën e marrëdhënieve mes tyre e Zotit.

* *

Meqë pasioni e djeg njeriun dhe e bën hi, atij s’kanë ç’i bëjnë as zjarret e kësaj bote e as të botës tjetër, sepse, duke u mbështetur në parimin se dy siguri dhe dy frikë, dy dëshira dhe dy dhimbje s’mund të ndodhen së bashku në të njëjtin çast te i njëjti njeri, themi se s’mund të mendohet që personat të cilët gjatë gjithë jetës ua kanë hapur zemrat flakëve të pasionit e janë përleshur në botët e tyre të brendshme me zjarret skëterrore, të përjetojnë për herë të dytë të njëjtat ankthe e dhimbje...

* *

Pasioni, i cili, duke e bërë njeriun ta harrojë qenien e vet, i jep mundësi të bëhet një me qenien e atij që do, është emërtimi i dukurisë së shkrirjes në kërkesat dhe dëshirat e të dashurit duke e dëshiruar, pastërsisht dhe pa interes, vetëm atë, gjë që, me ç’pandeh unë, ky është dhe synimi për t’u bërë njeri.

* *

Sipas mjeshtërisë së pasionit, hyrja e të tjerave iluzione në sytë e të dashuruarit është e ndaluar, dhe nëse ndodh një gjë e tillë, pasioni vdes. Pasioni vazhdon të jetojë për sa kohë dhe në atë masë që gjërat që dëgjohen e ndjen përreth, të jenë emri dhe cilësitë e të dashurit, karakteristikat e bukurisë dhe eposet e përsosmërisë së tij, ndryshe, shuhet e vdes...

* *

Në asnjë çështje i dashuruari nuk mendon t’i dalë kundër të dashuruarit, nuk mund të mendojë. Sidomos, nuk dëshiron kurrsesi që gjëra të tjera t’i bëjnë hije atij, t’i dalin para duke shkaktuar harrimin e tij. Për më tepër, çdo fjalë që nuk flet për të, e quan të kotë e të padobi. Edhe çdo punë që s’ka lidhje me të, i duket si mosmirënjohje e pabesi.

* *

Pasioni është interesimi i zemrës, prirja e vullnetit dhe dëshirës, zhveshja dhe pastrimi i ndjenjave prej elementeve të huaj si dhe gjendja në të cilën të gjithë receptorët e lartë e të brishtë njerëzorë të mos kapin gjë tjetër veç ëndrrave dhe iluzioneve mbi të dashurin duke mundësuar që në çdo sjellje të të dashuruarit të përshndrisë një ide e re mbi të dashurin dhe, atëherë, zemra të rrahë me dëshirë vetëm për atë, gjuha të pëshpërisë vetëm për atë, sytë të hapen e mbyllen vetëm për atë...

* *

Në erën që fryn, në shiun që bie, në lumin që buçet, në pyllin që uturin, në mëngjesin që zbardh dhe në natën që errëson, pasionindjen e gjallërohet veç me erën karakteristike të të dashurit, sheh veç bukuritë e tij të reflektuara në mjedis dhe ngazëllehet, ndjen në çdo fryrje frymët e tij dhe mbushet me hare, po kështu, vende-vende parandjen qortimet e tij dhe rënkon...

* *

Të dashuruarit që zgjohen në agimin e shenjave të të dashurit, e gjejnë veten me buzët të kuqe gjak, me një tufan flakësh në zemër, brenda një qerthulli të zjarrtë. Dhe s’duan të dalin më jashtë prej këtij ferri plot kënaqësi...

* *

Njëvlerësimi i pasionit me dashurinë epshore të perversëve është i gabuar si dhe flet për mosnjohjen e dashurisë së vërtetë. Në fakt, ka ndodhur ndonjëherë edhe që dashuritë e figurshme të shndërrohen në dashuri apo pasion të vërtetë, mirëpo kjo s’do të thotë aspak se dashuria e figurshme përfaqëson një vlerë individuale, në të kundërt, kjo argumenton se ajo është e mangët dhe e paperspektivë.

* *

Për shkak të sëmundjes së pasionit që i zë të dashuruarit e vërtetë, botët e tyre të brendshme u rënkojnë vazhdimisht e janë tërë tym e flakë si një vullkan. Për ata që arrijnë t’i kuptojnë, rënkimet e tyre që u këputen nga gjokset janë llavë të tilla që e djegin vendin ku bien duke shkaktuar zjarr...

* *

Tregimi i pasionit me fjalë është mjaft i vështirë, madje i pamundur. Prandaj, pjesa e madhe e gjërave që thuhen për dashurinë, s’janë më shumë se shenja të reflektuara prej saj jashtë, sepse dashuria është një përjetim dhe gjuha që mund ta shprehë atë është po vetë përjetimi.

* *

I dashuruari është një i dehur që, duke e bërë rrugë dashurinë për Zotin, e ka stisur jetën me habi, mahnitje dhe ndjenja pëlqimi ndaj të dashurit, kështu, pra, një i dehur i tillë, që me sa duket, mund të vijë në vete vetëm me borinë e kiametit...

* * *

I dashuruari është si një burim, vazhdimisht gurgullon nga brenda...

* *

Është vetëm një gjë që do ta heshtte dhimbjen e vdekshmërisë, që do ta shuante zjarrin e ankthit të shpirtrave që jetojnë me vjeshtën: pasioni i vërtetë. Po, shpëtimi i vetëm dhe shërimi i vetëm për të gjitha hallet, për sëmundjet e pandehura si të pashërueshme, për ndrojtjet dhe frikërat, për grindjet dhe vorbullat tona prej vitesh, vetëm ashku ka qenë!

* *

Nëse në zemrat e brezave që përpiqen të ripërtërihen me dije e kulturë, si dhe me kulturën e ditës, nuk lëshojmë qoftë edhe pak nga shkëndijat e ashkut, ata do të mbeten vazhdimisht të mangët dhe kurrsesi nuk do të mund ta kapërcejnë natyrën materiale në vetvete...

Femra

Gruaja dhe nëna janë mësuesi i parë i shkollës së njerëzimit për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, për rregullin, harmoninë dhe kënaqësinë e familjes. Fakti që sot, kur për femrën kërkohen vende dhe role të reja, rikujtojmë edhe një herë tjetër këtë pozitë krejt të posaçme të dhuruar asaj prej Zotit, andaj jemi të mendimit se do të parandalojë ca kërkime boshe për të.

* *

Shtëpia që ka një grua të edukuar dhe të lidhur pas folesë së saj familjare, është një prej këndeve parajsore, dhe zërat që dëgjohen dhe frymëmarrjet që ndihen në atë fole, nuk kanë ndryshim prej zërave të hyrive, prej shushurimës së ujërave parajsore.

* *

Disa herë, njeriu, kur sheh një femër të shtypur nën stolitë e jashtme, mendon: “Mos vallë kjo femër u jep po kaq vlerë edhe stolive të saj të brendshme si nderi, virtyti dhe personaliteti?”

* *

Gjërat që e bëjnë femrën më të lartë se engjëjt dhe e shndërrojnë në një margaritar të pashoq, janë thellësia e botës së brendshme, nderi dhe serioziteti. Femra e përfolur për nderin është si njëmonedhë kallpe, kurse femra joserioze është një kukull për të luajtur e tallur me të; në atmosferën vrasëse të femrave të tilla është e pamundur të flitet për fole të lumtura a për breza të shëndoshë.

* *

Një grua me botë të brendshme të çmuar i përngjet një abazhuri të kristaltë për shtëpinë ku ndodhet. Në çdo lëvizje të saj, dritat bëjnë lojëra që reflektohen në të gjitha këndet e shtëpisë. Kurse fatkeqja e veshur femërisht, e dorëzuar, në botën e saj të brendshme, mendimeve të errëta, është një burim mjegulle dhe tymi, e tillë që, kudo ku shkon, fëlliq, duke lerë veç fëlliqësira pas vetes.

* *

Libri i vetëm që femra duhet të mos e lëshojë kurrë prej dore, është libri i edukatës shoqërore për të cilin s’mund të thuhet se sot ndodhet i shkruar, më së fundi, në formën e tij më të përkryer.

* *

Kur shoh femrat e lëshuara në dëshirat egoiste, i shoh shumë të matur ata që kanë thënë për femrën “flokëgjatë e mendjeshkurtër”! Pandeh se, sikur ata të jetonin sot e të shihnin se si femra është kthyer në subjekt reklame, nuk do të dinin dot ç’të thoshin!

* *

Të parët thoshin: “Gjilpëra në dorë të femrës, si heshta në dorë të luftëtarit!” Ç’është e drejta, në këtë fjalë unë nuk shoh kurrfarë teprimi!

* *

Periudhat kur femra është bërë për të tjerët mjet kënaqësie, subjekt dëfrimi dhe material reklame, janë aq shumë sa s’mund të nënvleftësohen. Bekuar qoftë që të gjitha këto periudha fatkeqe janë bërë gjer tani gjithmonë fillim i ripërtëritjes e i rilindjes së saj, si dhe i rigjetjes së vetvetes dhe i vendit të vet të merituar në shoqëri!

* *

Dikur djalit i thoshin “bir”, kurse vajzës, “bujare” ose “bebe e syrit” duke e nënkuptuar atë si një krijesë të shtrenjtë, të nevojshme po aq sa edhe të shtrenjtë dhe delikate.

* *

Ne themi: “Ruaje rrobën prej pluhuri e dheu!” S’e di, a e vlerësoni dot se sa duhet ta ruajmë, pra, femrën, beben e syrit, nga ndotja?

* *

Ashtu siç janë nderi dhe virtyti, stolia e femrës, ashtu edhe aspekti i saj i merituar për pëlqim e që do të shihej me mahnitje, është edukata shoqërore dhe besnikëria e saj ndaj të shoqit!

* *

Femra e mirë është ajo me urtësinë në buzë, me brishtësi dhe delikatesë në shpirt, me respekt ndaj kujtdo në sjellje ashtu që vështrimet konfidente, duke e ndjerë këtë aspektin e saj të shenjtë, turbullitë e brendshme me burim njerëzor i kthejnë në mësim dhe meditim.

* *

Një femër që, ndërsa trupi i zhvillohej, sythat zemër dhe shpirt nuk ka mundur t’i zhvillojë, edhe nëse në krye u ngjan, për një farë kohe, luleve për kurorë, pashmangmërisht do të zbehet më pas, do të derdhet fletë-fletë e do të shkelet me këmbë... Ç’fund i hidhur për ata që s’arrijnë ta gjejnë rrugën për t’u bërë të përjetshëm!..

* *

Femra është një margaritar aq i çmuar sa të mos zhvlerësohet duke e hedhur në dëfrime të marra... Ne ende s’e kemi humbur shpresën se brezat fatlumë që e shohin të ardhmen të lidhur me diturinë, kulturën dhe të vërtetën, do ta ruajnë atë të shenjtë, si dritën e syve...

* *

Femra jonë është guri themelor i shëndoshë edhe i nderit, edhe i fisnikërisë kombëtare. Pjesa e saj e kontributit në sendërtimin e së kaluarës sonë tejet të gjatë e të famshme nuk mbetet aspak më pas pjesës së kontributit të luftëtarëve të përleshur fyt më fyt me armikun...

* *

Shumica e apologjetëve të lirive dhe të të drejtave të botës femërore s’kanë tjetër synim veç sakatimit të botës shpirtërore, dhe, më pas, shfrytëzimit të saj për të gjitha llojet e kënaqësive trupore e materiale.

* *

Në saje të pasardhësve të dobishëm të përgatitur e të lënë pas nga një femër-nënë me pjekuri shpirtërore, në atë fole familjare mbretëron prehja e kënaqësia dhe ajo fole familjare bëhet një bahçe parajsore që nuk mund të përshkruhet!

* *

Një grua shtëpie që e ka ndriçuar zemrën me dritën e besimit, kurse kokën, me dritën e arsimit dhe edukatës shoqërore, çdo ditë, sikur ta rindërtonte sërish, i shton shtëpisë së saj bukuri të reja, kurse femra e ulët dhe injorante, e dhënë pas dëfrimeve e shpenzimeve, edhe atë fole që e ka gjetur gati, madje, e shemb duke e kthyer në gërmadhë, e mbush me ankth e brengë duke e kthyer në varrezë...

* *

Femra s’është ndonjë enë e palarë apo ndonjë copë metali e pavlerë, pra s’e ka vendin te enët e palara apo hekurishtet; ajo është një perlë e pashoqe që duhet ruajtur në kutinë e perlave...

* *

Në ndjeshmëri, delikatesë e brishtësi, femra ka një vend të posaçëm. Me këto veçori, ajo mund të bëhet e dobishme për folenë e vet familjare, për rrjedhojë, për shoqërinë, vetëm për sa kohë që mbetet brenda qerthullit të krijimit dhe natyrës së vet!

* *

Çdo lloj propozimi i pretenduar gjer më sot nga feministët për femrën ka shkaktuar gjithmonë zhvlerësimin, banalizimin e personalitetit dhe shformimin e natyrës së saj. Kurse femra është një hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin e ekzistencës, ndërkaq që aspekti më i rëndësishëm i saj është respektimi i mbetjes së saj brenda kufijve të natyrës së vet!

Natyra

Në kuptim të përgjithshëm, natyra është tërësia e ekzistencës, karakteristikat dhe veçoritë e saj të rrjedhura nga krijimi i vet. Kurse te njeriu, natyra është karakteri dhe temperamenti i tij. Në ç’aspekt dhe në ç’formë që të trajtohet, natyra është, në fund të fundit, një dantellë e punuar me dorën e Fuqisë së Pafundme, një sistem ligjor në dorë të Fuqisë Krijuese si dhe një libër që këndon urtësitë e Tij. Krejt si lënda, edhe natyra është e pandjeshme dhe e pavetëdijshme. Nisur nga kjo, themi se natyra, me gjuhën e shumë e shumë qenieve që krijohen çdo ditë në gji të saj si dhe me gjuhën e të gjitha qenieve që kërkojnë vetëdije, vullnet, njohje dhe planifikime shkencore, s’bën tjetër veçse pohon me zë të lartë dobësinë dhe varfërinë e vet. Domethënë, natyra shpall me zë të lartë e pa pushim diturinë që e rrethon, fuqinë e shkëlqyer dhe një vullnet marramendës.

* *

Meqë natyra është identitet i veçorive të lëndës dhe i cilësive të saj të bashkëlindura, nuk mund të jetë parësore ndaj lëndës në saje të së cilës ekziston. Atëherë, nëse është kështu, mbështetja e ekzistencës dhe e dukurive te natyra dhe përpjekja për t’i shpjeguar ato me natyrën, s’është tjetër veçse gënjeshtër e vetëmashtrim!

* *

Sot, edhe ata që merren fare pak ose kanë të bëjnë fare pak me shkencat eksperimentale, e dinë shumë mirë se natyra është një forcë e shurdhër dhe e verbër dhe se ajo nuk mund të krijojë asgjë, kështu që përpjekja për ta vënë atë në vend të Fuqisë Krijuese s’duhet të jetë gjë tjetër veç një mohim ekstrem dhe trashanik!

* *

Paraqitja e natyrës brezave të rinj si një fuqi krijuese duke ua treguar atë të ndryshme nga ç’është ndërkohë që cilësia e saj njihet fare qartë, konsiderohet kundërshtim ndaj shkencave si dhe fyerje ndaj të gjitha krijesave të ekspozuara në ekspozitën e kësaj bote, krijesave që janë secila nga një vepër arti më vete!

* *

Po qe se natyra është vetë qenia, s’e di, ata që thonë për qenien “e ka krijuar natyra”, a i bien në të se me këto fjalë duan të thonë “natyra e ka krijuar vetveten”? Por, po qe se me fjalën “natyrë” duan të tregojnë për gjëra të tilla si karakteret, temperamentet, atributet, ligjet, disiplina, etj., a nuk duhet të japin shpjegime se si ka ndodhur që natyra, e cila është djepi i materies dhe dukurive, i ka krijuar dhe i ka vënë në rregull këto?

Largpamësia

Largpamësi do të thotë konceptim i plotë e gjithëpërfshirës i specifikave që përbëjnë bazat themeltare për të parë e parandjerë, për të ditur e vlerësuar me anë të diturisë, përvojës dhe dritës së aftësisë konceptuese. Dhe, nëse njeriu parashikues sipas këtij kuptimi, është i hapur edhe për botët përtej, ai është bërë, më në fund, një njeri i së vërtetës, një hero i shpirtërores, i vendosur për t’u bërë i përsosur!

* *

Mendja (arsyeja) është një burim i rëndësishëm diturie, kurse largpamësia, një burim serioz kulture. Është mjaft e vështirë, madje e pamundur që njeriu me arsye, por pa aftësi parashikuese të arrijë diku me ato që di, edhe nëse di shumë gjëra dhe kupton nga shumë gjëra!

* *

Po qe se largpamësia është konceptimi i një gjëje ashtu siç është ose afër asaj që është, çdo njeri i mençur mund të mos quhet i aftë për të parashikuar.

* *

Në kundërshtim me dukjen shpesh të dyshimit, lëkundjes dhe pavendosmërisë te mendja e paaftë për të parashikuar, klima e parashikimit është gjithmonë e ngrohtë, e butë, e vendosur dhe e sigurt.

* *

Mendja dhe mendimi janë niveli i fundit konceptual i trurit, kurse largpamësia është shkalla e parë njohëse e shpirtit, ndërkaq që kulmi i tij është urtësia, për çka edhe Kurani, duke thënë “Atij që i është dhënë urtësia, i është dhënë një mirësi e jashtëzakonshme”, e nxjerr në pah këtë të vërtetë!

* *

Ata që e shohin qenien vetëm me sy, mund ta rrokin atë vetëm sa e lejojnë përmasat përfshirëse të shikimit. Ata që e hulumtojnë cep më cep materien me anë të aftësisë parashikuese, ashtu siç mbledhin bletët nektarin lule më lule, mund të nxjerrin kuptime të reja nga çdo gjë!

* *

Syri rrok formën, fytyrën dhe vendin që zënë në hapësirë njerëzit që sheh. Përtej këtyre, largpamësia rrok te ata edhe gjëra të tilla si morali, virtytet dhe niveli cilësor shpirtëror.

* *

Sytë i shohin materien dhe dukuritë me fytyrën e jashtme dhe aspektet e tyre lëndore, kurse largpamësia i sheh, i njeh dhe i koncepton edhe me aspektet e tyre të brendshme si përmbajtja, dobia, qëllimi përfundimtar dhe urtësia!

* *

Largpamësi nuk do të thotë mendje as edhe mendim. Ndërsa mendimi është fryt i mendjes, largpamësia është një aftësi hyjnore shumë përtej mendimit!

* *

Gjëja që e dallon njeriun prej kafshëve, është vetëdija, parashikimi, dhe më tej, meritimi i frymëzimit dhe urtësisë. Ata që janë të privuar nga këto dhunti, quhen se nuk kanë arritur dot në pikën e fundit ku duhet të ndodhen sido që të paraqiten në pamjen e jashtme!

Ndjenja dhe ndijimi

Ndjenjë dhe ndijim do të thotë rrokje nga njeriu e gjërave që hyjnë në nivelin njohës dhe perceptues të tij të brendshëm e të jashtëm, domethënë konceptim me anë të shqisave të brendshme e të jashtme; kështu, ai që arrin të rrokë disa ose shumë gjëra në të njëjtën kohë, quhet “i ndjeshëm”.

* *

Mendja është forma konceptuese e trurit, kurse ndërgjegjja, e shpirtit. Nëse të parën do ta përkufizonim “njohje”, të dytën do të ishte e përshtatshme ta quanim “ndierje”. Nisur nga kjo, kurrsesi nuk mund të mendohet që personat mendjetrashë e ndërgjegjevdekur ta ndiejnë dhe përjetojnë ekzistencën si dhe t’i njohin dhe kuptojnë gjërat që ndodhin brenda saj!

* *

Nga aspekti filozofik, ndjenja është ndërgjegjja, mekanizmi njohës vetjak i shpirtit. Kështu, njeriu pa ndjenjë, në një kuptim, është pandërgjegje, kurse njeriu pandërgjegje, në një kuptim, është pa ndjenja!

* *

Në një kuptim më të hollë, ndjenja është kuptimi diferencues, me anë të një mekanizmi të brendshëm, i të mirës dhe të bukurës nga e keqja dhe e shëmtuara, dhe në këtë rrugë mund të dalin në pah shumë karakteristika njerëzore. Për shembull, pasi ta kemi zënë rob armikun, ne vendosim për vrasjen ose faljen e tij më shumë me ndjenjë sesa me arsye. Po ashtu për një person që na ka njollosur nderin: ta njollosim edhe ne atë, apo të sillemi njerëzisht ndaj tij!

* *

Ndjenja edukohet dhe zhvillohet me urtësi. Kurse filozofia materialiste e qorron ndjenjën dhe e shuan. Prandaj ndodh që ata që e trajtojnë një çështje duke e mbështetur në arsyen, asnjëherë nuk munden ta njohin botën e ndriçuar të ndjenjës.

* *

Ndjenja e drejtë kërkon një ndjeshmëri të pacenë, të pamëri. Kështu, ndjeshmëria e plotë dhe e vërtetë lind prej një ndjenje të plotë e të vërtetë!

* *

Të gjitha fitoret e të pandjenjëve e të të pandërgjegjshmëve janë krejtësisht fitore kafshërore si dhe nga një varg shëmtish më vete, asisoj që teprimi në aspektin material dhe egoistik finalizohet me thyerje shpirtërore dhe me paralizimin e mekanizmit ndërgjegjësor.

* *

Ata që i ndjejnë në ndërgjegje dhimbjen dhe ankthin e fatkeqësive të rëna mbi fenë, atdheun dhe kombin, janë ca shpirtra të larta me botë të brendshme të ndjeshme, të cilët nuk druhen ta flijojnë me gjithë dëshirë edhe jetën për këto vlera të larta të cilave ua kanë falur zemrën. Sa për personat e pandjenjë, edhe sikur të shpenzojnë shumë fjalë për flijimin, nuk u mjafton fuqia për të bërë edhe më të paktën prej gjërave që zënë në gojë...

* *

Prania te njeriu, edhe në dëm të vetes, e vetive të larta si altruizmi, pra, mendimi për tjetrin para vetes, jetesa për tjetrin, marrja pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e tjetrit, që janë secila vlera më vete, rrjedhin nga prania tek ai e ndjeshmërisë shpirtërore të lartë. Kurse te njerëzit të privuar krejtësisht nga një pasuri e tillë ndjesore, është krejtësisht e pamundur të shohësh jo më tërësinë e këtyre vlerave, por as edhe njërën prej tyre! Sa për gjërat si virtyte apo burrëri të dukura në njerëz të tillë, ato u ngjajnë më shumë mërmëritjes nga dikush të një pjese të kompozuar nga dikush tjetër.

* *

Përparimi dhe lartësimi i një kombi varet nga uniteti ndjesor dhe thellësia emocionale e individëve të tij, të cilët, nëse kanë botë shpirtërore të thellë, e flijojnë pa iu trembur syri çdo gjë që kanë në dorë për hir të ideve dhe kauzës së tyre, kurse, kur mbeten të pashpresë, vuajnë e treten si qiri.

* *

Shkalla më e lartë e ndjenjës është një emfazë e ndezur, e shfaqur kur dhunohen vlerat fetare e kombëtare, e cila i dridh shpirtrat e ndjeshëm si një ethe, duke i bërë të hidhen përpjetë. Kësaj ne mund t’i themi edhe atdhedashuri e zjarrtë.

* *

Atdhedashuria është vuajtje e përpëlitje e një shpirti në atë vend ku vlerat janë shembur e kthyer përmbys dhe janë këto vuajtje e përpëlitje si veçoria më e dallueshme që i ndan nga njëritjetri njeriun e vërtetë nga qenia me trajtë njeriu.Të gjitha kokat e vuajtura, nga Shpirti më i Lartë që ndodhet në majë e gjer në të vuajturit e ditëve tona, kanë vuajtur e rënkuar, vuajnë e rënkojnë nën ethet e kësaj sëmundjeje duke rënë e ngritur e duke u përsjellë maleve, shpellave e varrezave... Sipas meje, ata që kanë krijuar epokat më të shkëlqyera të historisë, janë pikërisht këta heronj të ndjenjës dhe atdhedashurisë!

Vezullime urtësie, ose sipas filozofisë

Kundërshtimi i shumicës është gabim. Por kur shumica të jetë shumicë, përndryshe, miratimi është një gabim. Ashtu siç nuk është gabim kundërshtimi i opinionit të dhënë, bie fjala, nga inxhinierët për një të sëmurë, ashtu edhe nuk është gabim të mos merren parasysh pikëpamjet, bie fjala, të mjekëve për llogaritjet ndërtimore të një objekti...

* *

Paaftësi nuk do të thotë vetëm mungesë fuqie apo pushteti. Sa e sa persona të fuqishëm e të aftë ka, të cilët, meqë nuk vlerësohen e nuk përfitohet prej tyre, ndodhen në gjendje pasiviteti e paaftësie.

* *

Ashtu siç drita e atyre që e kanë atë në vetvete, nuk mund të fshihet e të shuhet me anë të errësirave, as edhe nuk mund të mposhtet me anë të ndonjë drite tjetër. Një burim i tillë drite, pavarësisht nga çdo gjë, digjet e ndriçon për sa të jetë gjallë...

* *

Për ata që nuk e veshin dhe stolisin veten me besim, mendja është një vegël e dëmshme e shqetësuese...

* *

Ai që bën vetëm duke parë, nuk mund të jetë i suksesshëm sa ai që bën duke ditur; po kështu, ai që bën vetëm duke ditur, nuk mund të jetë i suksesshëm sa ai që bën duke ndjerë e duke qenë i ndërgjegjshëm për atë që bën...

* *

Varfëri s’është vetëm mungesa e parasë, por edhe e diturisë, mendimit, aftësisë. Nisur nga kjo, edhe të pasurit në para por të varfër në dituri, në mendim e në aftësi, janë një lloj tjetër të varfërish.

* *

Disa herë syzet për syrin, kurse gjithmonë syri për mendjen, mendja për parashikimin, parashikimi për ndërgjegjen dhe ndërgjegjja për shpirtin janë “e çarë” për të vëzhguar dhe mjet për të parë.

* *

Njeriu më për të ardhur keq në çmendinë, është i mençuri. Po të hyjë një i çmendur mes nesh, bëhet për të ardhur keq. Çdo njeri është një i çmendur, por forma e çmendurisë është e ndryshme...

* *

Njerëzimi është një pemë, kurse kombet, degët e tij. Ndodhitë, të cilat u përngjajnë erërave të forta, i përplasin ato me njëra-tjetrën me atë forcë që fryjnë. Natyrisht, dëmin e pëson pema. Ky duhet të jetë edhe kuptimi i fjalës së urtë, “Kush bën, vetes ia bën!”

* *

Netët janë si sheshe të hapura për zhvillimin e njeriut dhe për përgatitjen e lumturisë së njerëzimit. Gjithë në këtë mitër të errët janë ngjizur dhe zhvilluar idetë e larta dhe veprat e larta, duke iu ofruar saora përfitimit të njeriut!

* *

Pothuajse gjithmonë ata që kanë ftuar për udhëtim përtej qiejve, janë zgjedhur mes atyre që derdhen udhëve në të aguar.

* *

Barku i hedh jashtë ushqimet e patretshme e të padobishme e, pastaj, pështyn mbi to... Të njëjtën gjë bën edhe historia ndaj njerëzve të padobishëm!

* *

Ndryshku është armiku i hekurit, plumbi, i diamantit, dëfrimi i shfrenuar, i shpirtit... Në mos sot, nesër, pa diskutim, dëfrimi i shfrenuardo ta kalbë e shkatërrojë shpirtin...

* *

Çdo gjë e verdhë nuk është ar, çdo gjë që shkëlqen nuk është dritë, çdo gjë që rrjedh nuk është ujë...

* *

Çdo shtrëngatë krijohet prej pikash të vogla uji të parëndësishme dhe arrin në një nivel të papërballueshëm. Trupi i shoqërisë është i ekspozuar çdo kohë ndaj këtyre lloj shtrëngatave dhe disa herë ndodh që këto shtrëngata i marrin me vete edhe ata që kërkojnë t’u dalin para si pritë...

* *

Nëse do t’u tregosh naivëve se ç’është dituria dhe e vërteta, ajo është po aq e vështirë sa të merresh me prova e argumente me të çmendurit, andajmësuesit dhe udhërrëfyesit duhet ta bëjnë këtë detyrë me dashuri...

* *

Më e rrezikshmja e të këqijave që mund t’i bien në kokë njeriut, është ajo që i vjen duke i qeshur në fytyrë...

* *

Meqë të vërtetat lakuriqe nuk i kupton çdokush në të njëjtin nivel, është braktisur rruga e meditimit dhe është zgjedhur rruga e identifikimit dhe analogjisë.

* *

Ankesa bëhet gjithmonë për kohën dhe vendin, kurse fajtori i vërtetë është injoranca. Koha dhe vendi janë të pafajshëm, kurse njeriu, shumë injorant dhe mosmirënjohës!

* *

Atdheu s’është pyll, por kopsht. Për ta mbushur dhe rregulluar atë, ka nevojë për përgatitjen e luleve e të fidanëve frutorë...

* *

S’e di se ç’mund t’u thuhet atyre që, pasi ua lenë kopshtin furisë pushtuese të barërave të këqia, ankohen për fatin...

* *

Sa e sa rrugë të bukura me diell, me bar e lule ka që përfundojnë në shkretëtira vrasëse. Dhe sa e sa të përpjeta plot gjemba ka që arrijnë në dyer të parajsës...

* *

Siç duket, njëra prej urtësive më të mëdha është fjala e urtë, “Njeriu ndodhet i fshehur nën gjuhën e vet!” Kurse për mua, fjala e urtë, “Në kërkofsh mik, Allahu të mjafton, në kërkofsh shok, Kurani të mjafton!”

* *

Njerëzit e dinë se ç’është njohja dhe gjëja e njohur, por s’e dinë se kush e bën njohjen. Ai që njeh, është shpirti me anë të mjetit mendje; ai që sheh, është prapë shpirti me anë të mjetit sy...

* *

Nëse lëvizja krijohet si rezultat i motiveve apo faktorëve racionalë apo natyrorë, është kafshërore, kurse, nëse mbështetet në motive apo faktorë ndërgjegjësorë e të vullnetshëm, është humane dhe shpirtërore.

* *

E paqena është një hiç i frikshëm në tërë përmasat e të cilit, në mund të shprehemi kështu, nuk mund të gjesh as edhe një grimcë që të dëshmojë për ekzistencë në të...

* *

Tani, njerëzve fetarë u thonë fanatikë. Fanatizmi është këmbëngulje e verbër dhe neurastenike në të shtrembrën, kurse këmbëngulja në të vërtetën është virtyt, pra kjo sjellje e besimtarit kurrsesi s’është fanatizëm...

* *

Filozofia e pambështetur në mesazhet hyjnore është stonaturë e mendimit...

* *

Filozofia e vërtetë është një brengë e mendimit dhe e shpirtit, e krijuar vetëm e vetëm me anë të zgjimit të njeriut nga ana e Allahut për ta rrokur urtësinë...

Urtësia

Gjendet një pishtar hyjnor që, duke ia ndriçuar rrugën mendjes, i hap asaj horizonte të reja dhe, rrugët që kërkojnë vitin për t’u përshkuar, nën ndriçimin e të cilës mund të përshkohen në një orë: ideja!

* *

Detyra e idesë është të hulumtojë të drejtën. Në laboratorin e saj, që ka për mjete dhuntitë hyjnore, shumë gjëra të drejta, për ta gjetur të drejtën, ndryshohen pa pushim; këtu qëndron edhe fisnikëria e idesë.

* *

Ide do të thotë të mendosh. Më tepër se besimi pa i gjykuar i gjërave që vijnë në mendje dhe shkatërrimi i të tjerave duke kërkuar të meta në to, e duke i kundërshtuar ato, mendimi është një përpjekje e virtytshme që e merr fuqinë nga logjika, urtësia dhe dhuntia hyjnore që të çon tek e vërteta...

* *

Në një kuptim, ideja është eleganca dhe dritësimi i mendjes. Mungesa e idesë nuk do të thotë mungesë e mendjes. Në ndryshim prej mendjes e cila e kap çdo gjë të ndriçuar dhe e vlerëson, idesë i pëlqen më shumë t’i përcaktojë në errësirë gjërat që kërkon t’i përcaktojë. Po, ideja dhe shpirti bëjnë punë më shumë në errësirë...

* *

Urtësia ose filozofia islame është zhvilluar dhe ka hedhur shtat në majat e mendimit vetëm në këtë kuptim. Urtësia e shëndoshë është shfaqur kudo e kurdoherë kur ka sunduar mendimi i shëndoshë, kurse në ato periudha e në ato vende ku mendimi i mangët e i çalë është imponuar, ka dalë në shesh një filozofi defektoze e mashtruese.

* *

Po qe se filozofinë me të metat dhe plasaritjet e saj do ta quanim urtësi, edhe filozof do të thotë i urtë që e do urtësinë.

* *

Njëri prej burimeve më të rëndësishëm të dritës i cili, duke e shpëtuar mendimin njerëzor prej turbullirës dhe zemrën prej egërsisë, pas pastrimit shpirtëror, i vë në dorë ndërgjegjes një pishtar të ndezur për t’i ndriçuar vendet ku ka për të arritur, dhe që nën këtë ndriçim, bën të lexohen shkrimet në fytyrën e ekzistencës, është urtësia apo filozofia islame.

* *

Shkencat vërtiten brenda kornizës së mendjes, urtësia bleron e zhvillohet në atmosferën shpirtërore. Tërësia e vlerave morale-shpirtërore lind dhe rritet në klimën shpirtërore shumë përtej kornizës së mendjes.

* *

Synimi i urtësisë është ndriçimi i rrugëve që shkojnë për te Allahu dhe shpirti. Ky proces ndriçimi bëhet herë duke kaluar nga vepra te autori i veprës, e herë nga autori te vepra. Që të dyja rrugët mund ta çojnë njeriun te e dobishmja dhe bukuritë absolute, në atë masë sa janë të shëndosha qëllimi dhe botëkuptimi i atij që mban në dorë këtë pishtar të urtësisë!

* *

Dijetar nuk është ai që di, por ai që e ndien në ndërgjegje atë që di. Ç’të jetë dijetari përballë injorantit, të tillë janë edhe i urti dhe filozofi përballë dijetarit.

* *

Dijetari hyn në marrëdhënie me qeniet me aspektin e tyre thjesht material që i përket botës konkrete, kurse i urti merret vazhdimisht me botën e padukshme e metafizike përtej...

* *

Gjërat e bukura që i sheh e bëhet dëshmitar i tyre, por që nuk i ndjen në ndërgjegje si një kënaqësi sublime, dijetari mund t’i quajë të këqija. Ndërkaq, meqë çdo gjë e trajton nga ana e saj e fshehtë, “pas kuintave”, i urti e zhvillon të gjithë veprimtarinë e vet ideore pothuajse në një atmosferë adhurimi...

* *

Nuk do të thotë që çdo gjë e padëshirueshme të jetë e shëmtuar dhe e keqe. Fëmijët nuk e kanë qejf të vrasin mendjen e të mësojnë, nuk u pëlqen të pinë ilaç a të bëjnë gjilpërë, por mpaken për të luajtur me zjarr dhe gjarpërinj... Në të njëjtat përmasa mund të trajtohen edhe dituria, mendja dhe urtësia.

* *

Filozofët e rinj tek ne janë ata që kanë lidhje më pak se të tjerët me filozofinë. Ajo çka kanë bërë shumica prej tyre, është ndonjë përkthim gjysmak... Eh, sikur ta kishin bërë saktë qoftë edhe aq gjë!..

* *

Urtësia mund të vërtetohet jo me mendjen, por me miratimin dhe dëshminë e shpirtit. Sigurisht, urtësinë, prapë urtësia e kupton; mendja është ose armiku ose miku i pasinqertë i saj...

* *

Fakti që mendja shumë herë s’e pëlqen urtësinë, rrjedh prej pamundësisë për ta kuptuar atë. Çështjet e urtësisë janë aq të holla dhe përtej mendjes, saqë mendja që s’ka marrë krahë prej frymëzimit, e ka shumë të vështirë t’i afrohet asaj, madje, të pamundur!

* *

Nëse mendja është shtresa e bardhë e syrit, urtësia është shtresa e zezë e tij e cila lind nga errësira që pason dritën e mendjes...

* *

Mendja është emërtimi i rrokjes së materies me anë të punës së duarve, kurse urtësia, me anë të syve. Mendja është emërtimi i shikimit të ekzistencës me syze, kurse urtësia, i vëzhgimit të saj me dylbi ose me teleskop...

* *

Mendja nuk mund t’i kapërcejë kufijtë e lëndës; tej lëndës mund të shohin e të parandiejnë urtësia dhe filozofia e vërtetë. Por sa e hidhur është që, në vend që të dëgjojnë atë zërin gurgullues e që s’të gënjen të urtësisë, njerëzit shkojnë e dëgjojnë daulle e zurna...

* *

Janë dy pishtarë që ndriçojnë rrugët e errëta e të ngatërruara të jetës: njëri, mendja e shëndoshë, tjetri, urtësia... * * *

Dituritë janë drita e mendjes, kurse urtësia, rrufetë që shkreptijnë në qiellin e shpirtit...

* *

Ngatërrimi me njëra-tjetrën i filozofisë materialiste me urtësinë, është shprehje e mosnjohjes së të dyjave. Por sa çudi që tani nga të gjitha anët vetëm përçartjet e këtyre lloj injorantëve dëgjohen...

* *

I urti, brumi i të cilit është zënë me urtësi, i sodit gjithësitë që nga muret e ngushta të qelisë së vet dhe arrin në pika të tilla të paarritshme, asisoj që udhëtarët që shëtisin botën, nuk munden të shohin as dhe një të qindtën e atyre gjërave që sheh ai...

* *

Filozofit i thonë “njohës i gjithësisë”; ai që s’është njohës i të vërtetës dhe “i afërm i Zotit”, nuk mund të jetë filozof i vërtetë.

* *

Çdo fjalë i shpërthen njeriut nga shpirti e del në shesh sipas nivelit kulturor të tij dhe ia kuptojnë vetëm ata me horizontin në atë nivel. Pamundësia për t’i kuptuar fjalët e holla, të vërtetat e imta, ose vlerësimi i tyre si të thjeshta apo vulgare rrjedh jo nga mosdija apo trashësia e shpirtit, por nga mungesa e kulturës te ai.

* *

Shumë shpesh kombet kanë mbetur e janë shtypur nën paletet e fuqisë së paurtësi. Në fakt, kur fuqia e paurtësi e shtyp urtësinë e pafuqi, është dikush që shtypet me të vërtetë e qan: e vërteta!..

* *

Vlerën e margaritarit e njohin sarafët, shkencëtarin, dijetarët si dhe njeriun, e njohin njerëzit e përsosur të ngjitur në nivelet më të larta të vlerave njerëzore. Margaritari duket i çuditshëm në tregun e bakrit, dijetari, mes injorantëve, njeriu, mes shpirtrave shtazorë si dhe i urti, në një botë ku gjykimi dhe ndërgjegjja janë hedhur pas shpine...

Ndërgjegjja nga këndvështrimi i urtësisë

Ndërgjegjja, e cila është emërtimi i ndjerjes së vetes e i ekzistencës së vet, është një mekanizëm shpirtëror që kërkon, parandien, koncepton dhe që ndodhet gjithmonë i hapur ndaj të pafundmes.

* *

Mjetet përkapëse të shpirtit si vullneti, ndjenja, mendja dhe zemra janë, në të njëjtën kohë, edhe fundamentet themelore më të rëndësishme të ndërgjegjes që e çojnë njeriun këtu te përsosja njerëzore, kurse përtej, te lumturia e amshuar dhe soditja e Zotit.

* *

Ndërgjegjja është një pasqyrë vezulluese që e tregon të Vërtetën, Zotin, si dhe s’e ka shoqen si interprete e Individualitetit të Lartë, mjafton të gjejë shpirt që ta bëjë t’ia ndjejë qenien dhe veshë që t’i bëjë t’ia dëgjojnë zërin!..

* *

Meqë ndërgjegjja është ndjenja e shpirtit, vëzhgimi dhe njohja e tij, ajo është pranuar gjithmonë mbi hapësirën, e hapur ndaj botëve përtej, me kriteret të sakta si dhe me një pafajësi të njëvlershme me atë të engjëjve...

* *

Myftinjtë janë shumë dhe, pothuajse të gjithë ata, me aq sa kuptojnë, u drejtohen të njëjtave burime dhe ashtu japin fetva. Ndërgjegjja është një myfti me vështrim të mprehtë, i tillë që, kur jep fetva, jep sipas të vërtetës dhe, në fetvatë që jep, askënd s’e le të zhgënjyer dhe askujt s’i bën të padrejtë!..

* *

Ndërgjegjja e Përgjithshme do të thotë ndjenja e shumicës dërrmuese, parandjenja dhe njohja e saj, në atë nivel sa rënia e saj në gabim, është pothuajse e pamundur, sidomos nëse informacioni dhe njohuritë e përftuara mbështeten në të njëjtin burim frymëzimi...

* *

Pasi Ndërgjegjja e Përgjithshme të bëhet një i urtë i pagabueshëm e i pamashtrueshëm, individëve u mbetet vetëm miratimi i konkluzioneve të saj dhe pranimi i saj si arbitër, gjë që do të thotë për të instancë e fundit në një sërë çështjesh.

* *

Detyrë është ajo që e urdhëron Zoti dhe që i japin gjallëri ndërgjegjjet e shëndosha si profetët. Atëherë, është e pamundur që ajo të mos pranohet. Zoti është i Urti absolut, kurse ndërgjegjja, pasqyra më besnike e Tij. Edhe në tregoftë herë-herë turbull, në shumicën e herëve, atë që tregon, e tregon drejt.

* *

Rregullsia e një njeriu në sjellje e veprime shfaqet prej rregullsisë së tij në shpirt dhe ide, kurse karakteri sublim i akteve të tij rrjedh ngaqë ndërgjegjen e ka të hapur ndaj botëve përtej...

Dijanga këndvështrimi i urtësisë

Leximi, studimi dhe qëndrimi kërkues për të arritur dijen, janë nga ushqimet më të rëndësishme të shpirtit, kurse privimi prej këtyre është një mangësi shumë serioze, plotësimi i së cilës është i pamundur.

* *

Ndërsa të huajt, duke e shkelur vendin tonë me pëllëmbë e duke kërkuar në shkëmbinj e gurë, përfitojnë prej thesareve tona kulturore, nëse ne vetë nuk i hulumtojmë, nuk i lexojmë a nuk mundim t’i lexojmë burimet diturore e kulturore të së shkuarës sonë, duhet të ulemi e të vajtojmë për batakun ku kemi rënë...

* *

Qëndrimi ynë i pamoralshëm dhe i turpshëm si komb ndaj veprave shkencore e letrare të lëna trashëgim nga etërit, që bota e sotme u bie pas me dëshirë e pasion, ç’është e drejta, është i pakuptueshëm.

* *

Ata që i turbullojnë mendimet e brezave të rinj me njohuri të panjohura mirë ose të njohura e të papranueshme, nuk janë vetëm të dëmshëm, por, njëkohësisht, konsiderohen edhe tradhtarë.

* *

Ankthi është burimi më i kulluar i frymëzimit.

* *

Qenësia dhe shkëlqimi i një kombi janë në përpjesëtim të drejtë me thellësinë kulturore e artistike të tij. Një komb që ekspozon veprat e veta kulturore e artistike në të katër anët e botës, thotë pa reshtur me aq gjuhë sa ç’është numri i atyre veprave, “edhe unë ekzistoj!”

* *

Vlera e njeriut dhe nderi i tij mes njerëzve arrihen me dije e nivel shpirtëror. Edhe një njeri i ulët e i pavlerë, madje, mund të jetë, çdo kohë, i pasur, por i nderuar, kurrë!

* *

Sado të shumta të jenë ato që ka lexuar e mësuar një njeri, kurrë nuk duhet ta pengojnë për të lexuar e mësuar më tej. Shkencëtarët e vërtetë kanë dalë më shumë nga radhët e atyre që, krahas kërkimeve shkencore, dijet e veta i kanë vlerësuar të pamjaftueshme.

* *

Kur e vërteta nis të flasë, injoranca zemërohet, fanatizmi shqetësohet, kurse dituria hap veshët e dëgjon.

* *

Nuk është e drejtë të thuhet për çdo injorant, i paditur. Injorant i vërtetë është njeriu i paaftë për ta ndjerë të vërtetën. Sado që të dijë, një njeri i tillë është, prapëseprapë, injorant!

* *

Të jetosh, nuk do të thotë të shohësh e të dish, të hash e të pish. Të jetosh, do të thotë të ndjesh. Ai që di, është i dobishëm, ai që s’di, i dëmshëm, kurse ai që di pak, është më i dëmshëm se ai që s’di. Edhe sikur ata që dinë gjithçka bashkë me ata që s’dinë asgjë, të gënjehen ndonjëherë rrallë, nuk gënjejnë, kurse ai që di pak, gënjen shumë!

* *

Gjërat e treguara në emër të shkencës, pranohen si të kuptuara, kurse ato që s’ka qenë e mundur të tregohen, konsiderohen, në një farë mase, si të papërvetësuara. Është për këtë arsye që, ndërsa në shkolla qëndrohet mbi të rinjtë që s’kuptojnë gjë, do të ishte mirë të shihej ca edhe gjendja e mësuesve.

* *

Gjer në çastin kur shkollat të shndërrohen, në dorë të mësuesve, në tempuj, është e kotë të presësh të zbrazen burgjet...

* *

Pasi njeriu të vërë si qëllim për të bërë një punë çfarëdo, në fillim duhet të përpiqet për të mësuar mirë gjërat lidhur me atë subjekt, dhe pasi të formojë besimin e plotë se mund ta bëjë, nuk duhet të lerë gjë mangët në iniciativë.

* *

Çdo njeri duhet ta dijë mirë profesionin dhe punën e vet dhe, me sa ia lejojnë mundësitë, duhet të mbetet brenda fushës së specialitetit të vet. Sepse, jo gjithkush mund të bëhet i suksesshëm jashtë fushës së vet. Prandaj, mjeku duhet të mbetet mjek, inxhinieri, inxhinier. Mësuesi nuk duhet të bëjë mjekësi, kurse mjeku nuk duhet ta vendosë në vështirësi veten duke thënë “do të bëhem jurist”.

Nderi me gjuhën e urtësisë

Nderi është një brumë i bekuar, i formësuar prej virtytit, besnikërisë dhe fjalës së drejtë. Një brumë i atillë që nuk është parë kurrë ose tepër rrallë, që ndërtesa e ngjizur prej tij, të tronditet a të shembet.

* *

Nderi është aspekti më i lartë dhe atributi më i rëndësishëm i trimit. Kurse gjendja më e ulët e më e mjerë e trimit është moskokëçarja në çështjen e nderit...

* *

Aspekti më i vyer i një femre është qenia pa njollë në nder. Është krejt e qartë se njerëzit e pandjeshëm në mbrojtjen e nderit të vet e të familjes, nuk do të jenë të ndjeshëm as në mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar!

* *

Nderi është tjetër, respekti është tjetër. Pasuria mund të bëhet bazë për respekt, por jo për t’u quajtur i ndershëm ose për të fituar nderin e humbur. Kurse varfëria kurrsesi nuk ia pakëson ose zhvlerëson nderin njeriut!

* *

Nderi është për të gjitha kombet i shenjtë në atë masë që të betohen mbi të, dhe njëkohësisht njëri prej gurëve më të çmuar mes elementeve të virtytit. Nderi dhe virtyti i atij që s’e njeh nderin, janë të falsifikuara e të rreme.

* *

Nderi është një diamant i pashoq dhe duhet të ruhet në vendet më të veçuara. Kështu, vlera e tij do të rritet edhe një herë më shumë!

* *

Asgjë nuk mund t’u lihet amanet personave të pandjeshëm, si për mbrojtjen e nderit të vet, ashtu edhe të të tjerëve. Asnjë çështje nuk mund t’u besohet atyre!

* *

Ashtu si lakuriqët e natës që nuk e duan dritën, edhe të pafetë që nuk e duan fenë, injorantët që nuk e duan diturinë, të pamoralshmit që nuk i duan parimet morale dhe ata që nuk e njohin nderin, nuk e duan atë!

Gënjeshtra në sy të urtësisë

Gënjeshtra është një thënie heretike. Në këtë botë, pasi gënjeshtarit t’ia ketë marrë vesh gënjeshtrën ndërgjegjja e përgjithshme, ai dënohet me zhvlerësim, kurse në botën tjetër, me vuajtjen në skëterrë...

* *

Gënjeshtra është dallkauke, e vërteta, serioze dhe e përplotësuar; gënjeshtra është e lëvizshme dhe e paqëndrueshme, e vërteta, hijerëndë dhe madhështore!

* *

Vendet ku gënjeshtra, dredhia, mashtrimi, vjedhja dhe shpifja janë të përhapura, janë gërmadhë; populli i vendeve të tilla është i varfër, kurse ushtria, rebele.

* *

Në çfarëdo rrobe të futet gënjeshtra, nuk mundet ta fshehë veten nga ndërgjegjja e përgjithshme, si dhe kurrë nga shikimi i të virtytshmëve që shohin me dritën e Zotit!

* *

Në kohët kur gënjeshtra merr hov dhe sheshet dridhen nën buçitjet e saj, gjuha e të vërtetës quhet e belkëputur.

* *

Ndërgjegjja e përgjithshme i ngjet detit; edhe sikur gënjeshtrat të futen gjer në mes të tij, deti përsëri i mbledh e i hedh në breg.

* *

Nëse është dikush që pështyn në fytyrë të gënjeshtrës, mohimit, keqinterpretimit dhe hipokrizisë dhe që vazhdimisht i bën me turp ato, ajo është ndërgjegjja!

* *

Gënjeshtrat dhe veprimet për dukje janë të zhurmshme, kurse e vërteta dhe sinqeriteti, të pazë. Rrufetë e arrijnë qëllimin e tyre para bubullimës.

Urtësia dhe virtyti

Virtyti rri, mes njerëzve të thjeshtë, në minder ose ndenjur, kurse krenarinë nuk e nxënë as kolltukë madhështorë! Nëse krenarinë do ta përngjasonim me një gropë me pamje kubeje të kthyer nga ana tjetër, virtytin mund ta përngjasojmë me qiellin të dukur sikur ka zbritur në horizont.

* *

Injoranca çon në krenari, kurse urtësia, në virtyt. Krenaria është fëmija bastard i injorancës, kurse virtyti, fëmija fisnik i urtësisë. Krenaria është përkrahëse e despotizmit, kurse virtyti, përkrahës i lirisë dhe barazisë.

* *

Krenaria vërtitet gjithnjë në vetmi duke kërkuar shok, kurse virtyti, mes kënaqësisë se ka gjetur shok, vazhdimisht me popullin rri.

* *

Thonë se “s’bëhet bukuri me zor”! E drejtë! As i madh s’bëhesh dot me zor. Që të dyja këto, ndërgjegjja e përgjithshme i emëron!

* *

Ka njerëz të tillë që, sipas tyre, njerëzit që i pëlqejnë, i quajnë mirëdashës, kurse njerëzit që s’i pëlqejnë, keqdashës. Këta i duan të parët e ua hapin prehrin, kurse të dytët i përzënë “shtatë katunde larg”. Në fakt, vetë këta egoistë janë ata që duhen përzënë shtatë katunde larg.

* *

Mirëdashësi e sheh çdo gjë si të mirë, kurse keqdashësi, çdo gjë si të keqe. Që të dy këta janë të dëmshëm. E mira duhet quajtur e mirë dhe e keqja, e keqe, gjë që është “vërtetësidashje”!

Shtypi në horizontin e urtësisë

Media është interpreti i ndjenjave të popullit, udhërrëfyesi i shtresave të shoqërisë dhe shpërndarësi i ideve. Në qeverisjet e dhunshme e despotike, media ka mbetur gjithmonë ose rob, ose servil!

* *

Çdo autor duhet të jetë i edukuar në fjalë dhe sjellje, i pastër në gjuhë dhe penë, ndryshe, për hiçgjë, pa diskutim, do të bëhet shkak për dëme...

* *

Kombet, njerëzit e penës të të cilit nuk shkruajnë dot siç duan mbi ndjenjat dhe mendimet kombëtare, i përngjajnë më shumë “robërisë babilonase”.

* *

Meqë media është një institucion i hapur për çdo lloj mendimi të qëlluar a të paqëlluar, është e domosdoshme të disiplinohet sipas kombit dhe shpirtit të tij.

* *

Si gazetat, ashtu edhe televizionet duhet të ruhen jashtëzakonisht nga shërbimi kushtuar dëshirave e pasioneve të personave; ata duhet të kenë për synim vetëm e vetëm orientimin e kombit.

* *

Sa e sa kafka të braktisura në kalbëzim ka në varreza që, për shkak të dhunës, despotizmit e censurës, i kanë marrë me vete duke i dënuar me asgjësim pa lindur ende librat që nuk kanë mundur të shkruajnë.

Tërheqja ndjesorenga këndvështrimi i urtësisë

Tërheqja ndjesore ndaj gjërave lëndore është trupore e materiale, kurse ndaj gjërave moraloshpirtërore, shpirtërore e ndërgjegjësore. Kështu, tërheqja dhe dashuria ndaj bukurive të jashtme, meqë ato janë të përkohshme, është e shoqëruar me ndërprerje dhe ndarje, kurse tërheqja dhe dashuria ndaj bukurive moralo-shpirtërore është pa ndarje, e përhershme.

* *

Në qoftë se në një zemër, dashuria është e vërtetë, armiqësia është simbolike; po qe se armiqësia është e vërtetë, dashuria është simbolike. Një çelës, ky, magjik, që zbërthen shumë gjëra të vështira.

* *

Kur kënaqësitë e shpresuara shtihen në dorë, vjen vdekja si e shpresës, ashtu edhe e dashurisë për to. Dashuria dhe shpresa janë flatrat e shpirtrave kërkues dhe shfaqen tek ta gjatë gjithë kohës së kërkimit.

* *

Mjekët e përcaktojnë veprimin e sëmundjes me anë të simptomave, kurse i sëmuri, duke e ndjerë dhe vuajtur atë. Po kështu, dashurinë, kush dashuron, tërheqjen, kush tërhiqet, kënaqësitë shpirtërore që përbëjnë diturinë e shpirtit, dijetarët e shpirtit...

Nëse do të shkruaja një skenar, fjalët e para të tij do të ishin: “... Dhe njeriu u mashtrua!”

Historiaështë e mbushur me shembuj mësimdhënës

Është gabim të presësh që ngjarjet historike të përsëriten në trajtë identike. Edhe në pastë ngjasim, çdo ngjarje është e kushtëzuar nga koha dhe mjedisi. Nisur nga kjo, nga historia merret shembull e jo mësim!

* *

Nuk ka qoftë edhe një gjë të vetme mes gjërave mbi të cilat lind e perëndon dielli, që të mbetet e freskët...

* *

Nuk ka qoftë edhe një individ të vetëm e një komb të vetëm që të ketë mbetur në majat e përjetësisë...

* *

Krahas faqeve të këndshme të historisë, njeriu duhet të lexojë pak edhe faqet e frikshme e rrëqethëse të saj në mënyrë që të marrë masat e nevojshme, ndryshe, në mendimet e veta, mund të mbetet gjithmonë fëminor!

Gjërat e vogla që bartin mbi supe gjëra të mëdha

Një fije shkrepëse mund t’i vërë zjarrin brenda një çasti e ta bëjë hi brenda një kohe fare të shkurtër një pyll që duhen dhjetëra e qindra vite për ta krijuar...

* *

Disa herë, një grimcë gjë mund ta shtrijë për tokë një burrë sa një div...

* *

Druri i stërmadh ka ardhur nga një farëz, njeriu, kjo qenie e jashtëzakonshme, nga një mikroorganizëm, dielli, nga molekulat, deti nga pikat e ujit. Dhe ç’përfundime marramendëse nga shkaqe a pretekste akoma edhe më të imta!..

Mbi kohën

Kur hajet e pijet, pasi i fusim në gojë, ia japim trupit, ndiejmë kënaqësi dhe përfitojmë prej tyre. Kështu është edhe koha: në atë masë që i bëjmë tonat sekondat, minutat, ditët dhe javët, e shijojmë kënaqësinë e saj dhe nuk duam që të na ikë. Ndërsa jeta është një dhunti, me shijimin e të cilës s’kemi të ngopur në atë masë sa t’ia ndiejmë shijen dhe gëzimin, në atë masë sa të na premtojë ca gjëra për të sotmen e të ardhmen, kur jetohet në mënyrë të pavetëdijshme e të paqëllimshme, s’është gjë tjetër veçse një barrë e rëndë mbi supet e njeriut...

* * *

Koha është si telat spiralë të një gjeneratori me ndryshimin që zgjatet gjer në pafundësi. Nuk është një vijë e drejtë dhe as e rrafshët; aty ka ngjitje e zbritje. Trupi i vërtetë i kohës është çasti që jetohet...

Mallkimet

Ashtu siç ndodhen në trupin e njeriut një sërë pikash që paraqesin rëndësi për jetën e tij, edhe në trupin e shoqërisë janë të pranishme veçanti shumë të rëndësishme si besimi, vetëdija historike, kultura kombëtare e ideja kombëtare. Ashtu siç është për individin e paracaktuar dhe e pashmangshme tronditja dhe shembja nëse njëra nga pikat jetësore në trupin e tij goditet, ashtu edhe për kombet shembja nëse njëra prej këtyre elementëve me rëndësi krejt të veçantë merr plagë e dëmtohet. Një mijë mallkime atyre që luajnë me besimin dhe historinë e kombit! Një mijë mallkime armiqve të së shkuarës! Një mijë mallkime shkatërruesve të idesë dhe kulturës kombëtare! Një mijë mallkime keqndjellësve që e shohin dhe e tregojnë të errët të ardhmen tonë!

Shoku perëndimor

Revolucioni industrial është ngjarja që ka dhënë goditjen e parë në botën islame. Krejt si macja që, pasi e turbullon miun, luan me të, ashtu edhe Perëndimi, pasi e ka shokuar botën islame, ka luajtur e vazhdon të luajë si të dojë me të!

Parajsa

Parajsa s’është vendi as i përparimit, as i regresit. Ajo është klima e zhytjes në kënaqësi...