DINAMIKAT KRYESORE NË AKSIONIN E GYLENIT

Pasi analizuam principet themelore të lëvizjes së Gylenit, le t’i hedhim një sy edhe dinamikave kryesore të kësaj lëvizjeje.

Altruizmi

Një element shumë i rëndësishëm në lëvizjen Gylen është “të japësh jetë, qoftë edhe duke lënë pas dore jetën tënde”, ose ndryshe, altruizmi. Për sa kohë që individët nuk i kanë zemrat të mbushura me dëshirën për t’u dhënë jetë të tjerëve, me sakrificë e devotshmëri dhe për sa kohë që shumica e shoqërisë nuk përbëhet nga të tillë individë, ringjallja e mirëfilltë e një shoqërie dhe e një kombi është e pamundur.

“Ai që mendon vetëm për vete, ose nuk është njeri, ose është një krijesë e mangët. Rruga drejt njerëzimit të vërtetë kalon duke menduar të tjerët, qoftë edhe duke lënë pas dore vetveten” thotë Gyleni, ndërsa zbërthen konceptin e altruizmit në përmasa të ndryshme.

“Njeriu duhet të sillet si një prokuror ndaj gabimeve të veta dhe si një avokat ndaj gabimeve të të tjerëve.

Njeri i pjekur dhe mik i vërtetë është ai që edhe te dalja nga ferri, edhe te hyrja e parajsës, di të thotë: “Urdhëro!”

Njeriu i vërtetë është ai që duke mbushur kanën e vet me ujë, nuk e lë bosh atë të të tjerëve.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 128)

“Lartësia e njeriut afër Zotit matet me lartësinë e sakrificës së tij. Kriteri më i saktë i matjes së sakrificës është lënia pas dore e kënaqësive dhe përfitimeve personale për hatër të lumturisë të tjetrit. Nuk e di nëse mund të konceptohet një akt më i lartë sakrifice se sa të zbehësh vetveten për hatër të shoqërisë, të durosh aty kur duhet të hidhesh si një luan e të kufizosh lumturinë tënde për lumturinë e të tjerëve. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 208)

Dashuria, shpresa dhe mëshira

Në elementet e lëvizjes Gylen, vendin më të veçantë e zë dashuria, shpresa dhe mëshira. Sipas Gylenit, dashuria është ndjenja e parë që e zgjon njeriun, djepi i parë ku ai përkundet. Botën e ndritur e të lumtur të së ardhmes mund ta ndërtojnë vetëm ata heronj të dashurisë, që veprojnë në emër të saj.

“Ata heronj dashurie, me buzëqeshje dashurie në buzë e majà dashurie në shpirt, me vështrimet e tyre përhapin dashurinë njerëzore, me mirësinë e tyre përfshijnë çdo njeri. Dielli, ndërsa lind e perëndon, yjet ndërsa vezullojnë, i çojnë atyre mesazhet e një dashurie pafund...” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 202-3)

Sipas Gylenit, nuk ka asnjë ndjenjë negative në botë, të cilën dashuria nuk e mund. Dashuria, së pari lartëson e përgatit për të përtejmen çdo shpirt që takon. Këta shpirtra pastaj, janë ata që kërkojnë pushtetin absolut të dashurisë në çdo zemër e ndjenjë. Në rrugën e dashurisë vdesin dhe po në atë rrugë ngjallen sërish duke psherëtirë e ndier për dashurinë.

“Është e pamundur të lartësohet e të maturohet një shpirt që nuk është plot me dashuri” thotë Gyleni. Sipas tij, të tillët edhe nëse jetojnë njëmijë vjet, prapë se prapë nuk mund të maturohen aspak. Zemrat që nuk njohin dashurinë nuk shpëtojnë dot nga labirinthet e errëta të egos, ndaj dhe nuk ndiejnë dot dashuri për njeri; nuk dashurohen me dashurinë dhe jetojnë e vdesin pa e kuptuar atë dashuri pafund që ka në themel ekzistenca. (Yitirilmiş Cennete Doğru, 96)

Për Fethullah Gylenin, diferenca fillestare e një zemre të mbushur me besim është dashuria që ka ajo për dashurinë dhe armiqësia që ushqen ndaj armiqësisë. Urrejtja ndaj gjithçkaje është ose çmenduri e plotë, ose shenjë e një zemre që i është dorëzuar djallit. “Duaje njeriun dhe magjepsu pas tij!” shprehet ai. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 107)

Sipas Gylenit, dashuria dhe mëshira luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të konceptuarin e Islamit, por edhe në strukturën e veprimtarisë së tij. “Një gjethe e këputur nga pema në vjeshtë më dhemb sikur të ishte krahu që këputet nga trupi im”, thotë Gyleni, ndërsa nuk duron dot as tharjen e një luleje në dhomën e tij, por bën të pamundurën që ajo të lulëzojë sërish e ruan jetën e një milingone sikur të ishte krijesë njerëzore, duke theksuar se mesazhet e dashurisë qiellore janë ato që kanë ndërtuar botën dhe lartësuar qiejt. Çdo gjë, nga mikrobota e deri te makrobota, e ka arritur këtë funksionim të përpiktë dhe këtë ritëm të mrekullueshëm ekzistence vetëm në sajë të mëshirës. Çdo pjesë e kësaj bote jeton në sajë të mëshirës, tregon mëshirën dhe e premton atë. Ndaj dhe gjithësinë ne nuk e shohim ndryshe, po si një performancë mëshire. Për Gylenin, ata që nuk e kuptojnë dot se këtë kor të mëshirës së gjithanshme në univers e dirigjon Mëshira e Pafundme e Zotit nuk janë veçse shpirtra pafat.

“Përballë gjithë këtyre ngjarjeve njeriu ka përgjegjësinë të përqendrohet e të deshifrojë mëshirën e pafundme me ndërgjegjen dhe vullnetin, me konceptimin dhe mendjen e vet, si dhe të bashkohet pastaj në këtë harmoni të përkryer me melodinë e vet personale. Ai ka një obligim njerëzor që të tregojë mirësi e mëshirë ndaj shoqërisë ku jeton dhe ndaj individëve të saj, ndaj universit e ndaj çdo krijese që ekziston aty. Njeriu arrin të përparojë e të lartësohet në këtë rrugë aq sa ai mundet të mëshirojë. Nga ana tjetër, sa më tepër që ai bëhet pre e dhunës, tiranisë e egërsisë, aq më shumë ai bie e poshtërohet, derisa bëhet faqja e zezë e njerëzimit. (Sizinti, Nëntor 1980)

Shpresa, për Gylenin, është së pari një kategori e besimit. Njeriu që beson ndien shpresë dhe kjo shpresë është aq e fortë sa ç’është edhe besimi i tij. Në fakt, me përfshirjen e shpresës, vendosmërisë dhe vullnetit në një zemër besimtare, normat njerëzore tejkalohen dhe shumë gjëra konceptohen si mrekulli nga ata njerëz që nuk e kanë jetën shpirtërore shumë të zhvilluar. Nëse njeriu e ka zgjedhur mirë atë që do të besojë dhe është lidhur me të shpirtërisht, atëherë në zemrën e tij nuk ka vend as për pesimizëm dhe as për humbjen e shpresës.

Sipas Gylenit, shpresa është zbulimi i shpirtit dhe konceptimi i pushtetit që qëndron aty. Me këtë konceptim njeriu kalon nga zemra në një lidhje me Pushtetin e Pafund dhe zbulon forcën e pushtetin me të cilin arrin kudo. Kështu, grimca bëhet diell, pika bëhet det, pjesa bëhet e tërë dhe shpirti bëhet një frymë në univers. Një shpirt i mbushur me “një dritë të pashuar, ngjyrë të pahumbur, diell të paperënduar”, drita e të cilit i bën errësirat mëngjes dhe ditët si ditë nëpër kopshtet e parajsës. Janë këta që në horizontet e tyre dielli nuk njeh perëndim dhe stinët, me ndërrimin e tyre, u ekspozojnë peizazhet marramendëse të njohjes. Ndjenjat e tyre të mbushura me shpresë e optimizëm nuk pyesin për lodhje e trishtim, nuk njohin ngrica e përvëlim, po janë të gatshme çdo çast të përmbushin atë detyrë sublime që u kërkohet. (Çağ ve Nesil, 1-3)

Toleranca dhe Falja

Në terminologjinë e Gylenit toleranca ka një përmasë të thellë, të cilën ai e shpreh kështu: “Duartrokitja me mirësi e mirësisë, mbështetja e zemrave besimtare, sjellja butë me mohuesit e ateistët, duke shkrirë inatin e urrejtjen e tyre dhe fryma ringjallëse e Mesias” janë themelet e tolerancës, kurse aspektet e tjera të saj janë përgjigjja me mirësi ndaj ligësisë, fisnikëria edhe ndaj atyre që nuk njohin të drejtat e etikën dhe lënia mënjanë e në harresë e sjelljeve të pahijshme që na janë bërë.

(Kriteret ose Dritat e Rrugës, 101)

Ndërsa shpjegon mirësinë e tolerancën që duhet të ketë një njeri i këtij aksioni, Gyleni shprehet:

Hapja kujtdo zemrën, aq sa mundesh, le të bëhet ajo sa oqeani! Mbushu me besim dhe duaje njeriun. Le të mos mbetet as edhe një zemër e thyer, të cilës nuk ia ke zgjatur dorën e ndaj të cilës nuk ke shprehur interes...!

Përgjigjju çdo mirësie me mirësi dhe mbështeti zemrat besimtare; ndërsa me mohuesit sillu aq butë, sa mirësia jote të arrijë të shkrijë ligësinë e tyre.

Mos harro se ndodhesh në rrugën më të larmishme pas deklaratës më të mrekullueshme, pas një Udhërrëfyesi të Lartë në dialog me qiellin. Mos harro dhe mendo ata që nuk kanë as edhe njërën prej këtyre cilësive. Mendo e bëhu zemërbutë ndaj tyre…

Largoje ligësinë me mirësi, sjelljet e rënda bëj sikur nuk i sheh. Çdokush pasqyron karakterin me sjelljen e tij. Ti zgjidh rrugën e tolerancës dhe sillu me fisnikëri ndaj të paudhëve…

Duaje dashurinë dhe bëhu armik i armiqësisë. Kjo është cilësia më spikatëse e një zemre që ngazëllen me besim.

As edhe njëherë mos u bëj pre e egos tënde duke ndjekur mësimet e tij. Sipas tij çdo njeri veç teje është fajtor dhe i pafat. Ky do të ishte shkatërrim për ty. Ti duhet të jesh i ashpër me egon tënde dhe i butë me të tjerët.

Kriteri yt në sjelljen me të tjerët duhet të jetë sjellja e Zotit me ty. Sillu me të tjerët si sillet Zoti me ty. Atëherë do të jesh mes njerëzve, me Zotin dhe do të shpëtosh kështu njëherë e mirë nga vetmia.

Mund ta gjesh vlerën tënde te Zoti, duke matur vlerën që ka Ai në zemrën tënde dhe vlerën që ke ti mes njerëzve, me sjelljen që paraqet ndaj tyre. Për as edhe një çast mos iu ndaj Zotit. Dhe mes njerëzve bëhu njëri prej tyre. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 107-8)

Gyleni thekson se shpresa dhe dëshira më e madhe e njeriut, i cili ka aftësinë e prirjen për të gabuar e për të kryer mëkate, është falja dhe toleranca. Ashtu sikur kërkimi i faljes, pranimi i gabimit dhe pendesa janë tregues të një ndërgjegjeje dhe botëkuptimi të lartë, edhe falja dhe toleranca janë gjithashtu tregues edhe më të lartë të të tilla virtyteve. Falja është pranimi i një kthimi në origjinë dhe një kërkim fillestar i vetvetes. Për këtë arsye, vepra më e çmuar te Allahu është pikërisht kjo falje, si kthim në origjinë dhe si kërkim i mirëfilltë i vetvetes. Ata që falin, falen. Ata që nuk e njohin faljen, nuk munden ta arrijnë atë. Ata të pafat, që asnjëherë nuk janë bërë copë nën rëndesën e gabimit të vet, nuk kanë se si ta kuptojnë kënaqësinë sublime të të falurit.

Durimi dhe Qëndrueshmëria

Një përmasë tjetër shumë e rëndësishme e Lëvizjes Gylen është durimi dhe qëndrueshmëria. Sipas tij, sa e rëndësishme është zbulimi i së vërtetës dhe lidhja shpirtërisht me të, po aq e rëndësishme është edhe qëndrueshmëria dhe besnikëria në lidhje me të. Ata njerëz që thyejnë këtë besë të dhënë në këtë rrugë dhe bëhen pré e pavendosmërisë së tyre, pas njëfarë kohe humbin edhe vetëbesimin dhe bëhen pré e ndikimeve të të tjerëve. Me kalimin e kohës këta individë humbin edhe vlerat e tyre shpirtërore, edhe personalitetin dhe nuk paraqesin asnjëfarë vlere e dobie as për veten dhe as për shoqërinë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 213)

Përkufizimi i Gylenit për durimin piketohet në disa aspekte të durimit; ai përfshin durimin që duhet treguar në përmbushjen e urdhrave të Allahut, në rezistencën ndaj mëkatit dhe në distancimin prej atyre që Allahu ka ndaluar, durimin për të mos rënë në pesimizëm e për të mos u ngutur, durimin ndaj çdo gjëje që Zoti ka vendosur që të mund të jetojmë dhe durimin ndaj joshjeve të kësaj bote. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:142-3)

Fethullah Gyleni paraqet një aspekt origjinal të durimit dhe të qëndrueshmërisë, i cili na ndihmon të kuptojmë më së miri edhe dinamikat e Islamit, edhe dinamikat e aksionit të tij. Sipas Gylenit, një njeri që është lidhur shpirtërisht me Zotin, nuk duhet të presë shpërblimin e shërbimeve të tij në rrugën e Zotit në këtë botë dhe nuk duhet të krenohet me opinionet e mira që kanë njerëzit për të. Aq më tepër që ai nuk duhet të presë respekt e mirënjohje nga askush dhe nuk duhet të zvogëlohet duke përmendur shërbimet që mund të ketë bërë për njerëzit a për kombin. Gjithë ç’ka bërë ai, është një detyrë njerëzore dhe njeriu është i detyruar ta përmbushë atë.

Sipas Gylenit, gjatë jetës së tij në shërbim të Zotit, njeriu mund të hasë plot gjëra të bukura, po edhe plot vështirësi. Mund t’i jepen shpërblime pa i kërkuar, ose mund t’i jepen dënime e ndëshkime pa i merituar. Në këtë aspekt, një njeri i pjekur i aksionit nuk duhet të bëjë dallim mes shpërblimit dhe ndëshkimit të njerëzve. Për të, mirësia e Zotit është gjëja më e rëndësishme, ndaj edhe nëse si rezultat i shërbimeve të tij ai përfton gjëra pozitive, duhet menjëherë t’i lidhë ato me mirësinë e Zotit e të mos mendojë kurrsesi se i ka fituar vetë. Të njëjtën sjellje duhet të tregojë edhe me komplimentet e shokëve, të cilët të impresionuar nga veprat e tij, mund të shfaqin një respekt të veçantë e një admirim për të. Ai përnjëherë duhet të kthjellohet e të ndërgjegjësohet se gjithçka është një refleksion i mirësisë së Zotit të vet.

Përfundimisht, Gyleni e lidh fjalën kështu:

“Mos i lumturo armiqtë me këngët e egos tënde, duke thënë dituria ime, ndershmëria ime, nderi im! Dhe as mos i largo miqtë e tu me sjellje egoiste. Nëse ke vërtet virtyte, lëri të lulëzojnë në botën tjetër. Lëre jetën tënde të bëhet melodi në buzën e engjëjve! Kalite durimin tënd dhe përforcoje qëndrueshmërinë, se vetëm me ta mundesh ta arrish këtë pjekuri të shpirtit.”

Besa e Besnikëria

Në botëkuptimin e Gylenit besa dhe besnikëria janë dinamika nga më kryesoret të një veprimtarie të tillë. Besa dhe besnikëria kanë dy aspekte: këmbëngulja në adhurimin e Zotit dhe mos-ndarja as edhe për një çast nga dera e Tij, kërkimi i vazhdueshëm i kënaqësisë së Tij dhe lidhja e përhershme me Të, kurse aspekti tjetër është vazhdimi në rrugën e zgjedhur, pa ndryshuar rrugë dhe pa u larguar aspak prej qëllimit kryesor.

“Besa është cilësuar edhe si bashkimi i njeriut me shpirtin”, shprehet Gyleni duke theksuar se nuk kemi pse presin besë e besnikëri nga ata njerëz që nuk e lënë të jetojë zemrën dhe shpirtin. Sipas tij, ndjenja si urrejtja, inatet e xhelozia nga njëra anë janë si helme që mbysin virtytet si besa e besnikëria, nga ana tjetër ndikojnë për keq në fjalët që thuhen, në premtimet që bëhen e në betimet që jepen. Më tej Gyleni shton:

“Individët, në sajë të besnikërisë përfitojnë sigurinë në shoqëri dhe lartësohen. Familjet arrijnë të mbijetojnë vetëm kur formohen mbi themele besnikërie. Kombi arrin në prosperitet e unitet vetëm falë këtij virtyti. Shteti e ruan autoritetin e tij ndaj shtetasit vetëm kur respekton këtë virtyt. Humbja e këtij virtyti shkatërron personalitetin vetjak, sigurinë familjare dhe mbarëvajtjen kombëtare e shtetërore. Në një shoqëri të tillë individët humbin besimin te njëri-tjetri, familja nuk ka më themele, shteti është një despot mbi shtetasit dhe secili organizëm është i huaj për njëri-tjetrin.

Pavendosmëria e brendshme është ajo që vret jetën shpirtërore dhe shkatërron besën e besnikërinë. Një nga shkaqet tipike të pavendosmërisë shpirtërore është braktisja e lutjeve të përditshme. Nga ky aspekt është shumë e rëndësishme ruajtja e ndjeshmërisë dhe gjallërisë shpirtërore, vazhdimësia me durim e lutjeve, faljeve dhe përgjërimeve shpirtërore, lidhja e përsosur me Zotin, ushqimi i mendjes me dije e njohuri dhe i shpirtit me dashuri e besim. (Fasıldan Fasıla, 1:114-5) Rinovimi i vetvetes

Sikur e kemi theksuar edhe në pjesën e parë, rinovimi i vetvetes është një proces që paraqet rëndësi të veçantë në mendimin e veprimtarinë dhe Gylenit. Rinovimin e vetvetes ai e sheh si një kusht parësor e një parim të rëndësishëm për ekzistencën afatgjatë. Sipas tij, të gjithë ata që nuk pranojnë të rinovojnë vetveten kur është e nevojshme, janë të destinuar që herët a vonë të fshihen nga skena e ekzistencës. Çdo qenie e ruan gjallërinë e saj duke u rinovuar; kur rinovimi nuk kryhet më, atëherë lind kalbëzimi, shkatërrimi dhe shpërbërja është e pashmangshme.

“Rinovimi i vetvetes nuk duhet ngatërruar me magjepsjen pas së resë dhe as me ndjekjen e modës”, thotë Gyleni dhe vazhdon: “Dobësia pas modës është kolorimi i pirgjeve të bëra zhele-zhele me ngjyra tërheqëse e vezulluese, për të bërë të padukshme plagët e copëtimin e tyre. kurse rinovimi i vërtetë është zbulimi i Ujit të Përjetësisë dhe aksioni për t’i dhënë pavdekësinë shoqërisë me anë të atij uji. Rinovimi i vërtetë ruan kthjellësinë e rrënjëve dhe të bërthamave të veta dhe arrin në klimën e re dhe të kthjellët të meditimit, duke bërë sintezën e çdo vlere të trashëguar nga e kaluara, me vlerat aktuale dhe format më të fundit të të menduarit. Konceptimi i rinovimit si ndërrim i modelit të fustanit apo kostumit, veshje e frakut apo përdorim i brilantinës nuk është veçse një mashtrim. Prezantimi i rinovimit në këtë mënyrë është një iluzionizëm, një mashtrim e një cektësi e vërtetë. Rinovimi i vërtetë është vlerësimi më së miri i zhvillimeve shkencore e teknologjike dhe përdorimi i tyre në shërbim të njeriut, kthimi i thjerrëzës që kemi në dorë herë pas here nga zemra jonë duke analizuar nga fillimi mendimet, idetë e bindjet tona, duke shtuar në hojet e zemrave tona nektarin e nevojshëm për realizimin individual të mëtejshëm, filtrimi i universit nga aftësitë e mendjes sonë, duke e stërvitur atë më së miri e duke e hapur atë çdo herë e më tepër përballë horizonteve të reja të perceptimit dhe mendimit. (Sizinti, Prill 1982)

Vuajtja e Dhimbja

Vuajtja dhe dhimbja janë një tjetër dinamikë e rëndësishme e aksionit të Gylenit. Kjo vuajtje e dhimbje është në një farë mënyre majaja e qenies së tij. Ai është një njeri që ia ka kushtuar jetën dhe veprën e vet Zotit, pëlqimit të Tij dhe shpëtimit të njerëzimit nga zjarri i ferrit, aq sa e lejon Zoti, duke bërë të pamundurën për t’i afruar ata me parajsën. Njëkohësisht, qëllimi i jetës së tij është lumturia e një brezi me vlera të larta morale e humane, edukimi i asaj gjenerate që “drejt parajsës së humbur”, përsos jetën e vet me vlera të larta njerëzore e morale dhe jeton në horizontet e një epoke të artë. Të gjitha këto synime të larta e bëjnë jetën e Gylenit një shembull konkret vuajtjeje e dhimbjeje. Si ata njerëz që i kanë ndenjur afër, ashtu edhe ata që i hedhin një sy shkrimeve të tij dhe dëgjojnë bisedat e tij, dëshmojnë menjëherë vendin e pamohueshëm që kanë këto ndjenja te ai.

Sipas Gylenit, rruga e vetme drejt qëllimeve të larta është rruga e vuajtjes. Udhëtari i së vërtetës, pastrohet me anë të dhimbjes, purifikohet nga ajo dhe me të arrin gjer në thelbin e vet. Nuk ka as maturi dhe as njësim me shpirtin aty ku nuk ka vuajtje. Shpirti maturohet me dhimbje, ndjenja çlirohet me dhimbje. Ata shpirtra që nuk njohin dhimbjen janë të papjekur, ato zemra janë krahëprera e të venitura. Vuajtja ia shumëfishon vlerat përpjekjes dhe rezultateve të saj. Ç’ka arrihet pa dhimbje është si një pasuri e trashëguar. Vjen pa mund e ik pa dhimbje. Vetëm për ato gjëra që fitohen me vuajtje e dhimbje pafund sakrifikohen edhe shpirtra, edhe jetë... Një komb dhe një qytetërim është shpresëdhënës në të ardhmen, i vendosur e i fortë vetëm nëse është formuar nën udhëheqjen e atyre trimave që kanë vuajtur dhe u ka dhimbur shpirti për të. Përkundrazi, nëse është formuar dhe zhvilluar në duart e atyre që nuk kanë vajtuar e rënkuar dhe që nuk dinë ç’është dhimbja e vuajtja në jetë, ai komb e qytetërim është i pafat dhe i destinuar për t’u zhdukur. Nuk mund të pritet asnjë lloj sakrifice nga ata që e kanë kaluar jetën në mes të luksit e komfortit dhe që nuk kanë provuar etjen e urinë për hir të gjërave që kanë pasur, që nuk kanë braktisur atdheun e familjen dhe nuk janë përballur, qoftë edhe njëherë me lëkundjet dhe tronditjet e kohës. Aty ku nuk ka sakrificë, nuk mund të ketë as një aksion të vërtetë.

Përgjërimi për falje dhe lotët

Islami është besimi ideal që Zoti ka vendosur për njerëzit. Këtë besim e karakterizon një thellësi shpirtërore, mbi të cilën konsiston lidhja e njeriut me Krijuesin. Fethullah Gylen është një njeri që mundohet ta ndiejë sa më thellë këtë besim dhe ta perfeksionojë botën e tij shpirtërore më së miri, si burim i një lidhjeje të mirëfilltë me Zotin. Në këtë aspekt, edhe në veprimtarinë dhe lëvizjen e inspiruar nga ai, Gyleni thekson rëndësinë e konceptimit të gabimeve dhe përgjërimit për faljen e tyre, mundësisht me lot ndër sy. Vuajtja e brendshme, dhimbja, përgjërimi për falje dhe lotët janë fjalë kyç në përkufizimin e jetës së një besimtari, që e jeton çdo çast me vetëdije për lidhjen e tij me Krijuesin. Ndaj edhe Gyleni preferon këtë dritare për të soditur Islamin, njeriun, brendësinë dhe kuptimin e tyre.

Në botëkuptimin e tij, lotët janë shëmbëlltyra e mëshirës hyjnore mbi sytë e njeriut, kristalet ku gjuha bashkohet me fjalët e zemrës, shpirti bëhet një me ndjenjat, simbole të atij çasti kur pastërtia shpirtërore bashkohet me vuajtjen e zemrës së bërë copë dhe malli në zemrën e të përmalluarit për të përtejmen bëhet i padurueshëm. Zjarri i dashurisë sublime fashitet paksa dhe ferri vetë freskohet nga ata lotë. Ja pse i Dërguari i Allahut thotë kështu: “Ditën e Gjykimit, në atë kaos kur shkëndijat e ferrit përndjekin njerëzit, shfaqet Xhebraili me një gotë ujë në dorë. “Çfarë është kjo?” e pyes dhe ai më përgjigjet: “Këtu janë lotët që besimtarët kanë derdhur prej frikës dhe dashurisë së Zotit dhe kjo është e vetmja gjë që i shuan këto shkëndija të tmerrshme.” Ndaj dhe stolitë e zanave të parajsës nuk janë aq të vlefshme sa këta lotë. (Fasıldan Fasıla, 2:29-30)

Gyleni i përmbledh me këto fjalë mendimet e tij për lotët e derdhur në rrugën e Zotit:

“O njerëz, që gjatë historisë keni harruar të derdhni lotë! Ju që qeshni në vend që të qani, moskokëçarës, indiferentë! Ejani, të mblidhemi e të qajmë së bashku para rrugës pa krye ku jemi! Të qajmë për padijen tonë! Të qajmë për ato që kemi humbur, pa e marrë vesh se i kemi humbur. Të qajmë për botën tonë të brendshme, që e kemi kthyer në një statujë prej guri me gabimet tona, për ndjenjat tona të zbehura e të venitura, për zemrën tonë, që ka humbur çdo mirësi! Të qajmë se do të vdesim kështu, se do të ringjallemi ashtu siç kemi vdekur e me këtë gjendje nuk do të gjejmë dot vend mes atyre trimave të historisë që do vijnë turma-turma në përfundimin e Provimit të Madh. Të qajmë për vetminë tonë -jemi si një frut që këputet nga pema-, për shkeljen me këmbë që na bëjnë, për largimin tonë nga mëshira…! Të rrahim flatrat drejt lartësive, si pëllumbat, e të psherëtijmë me një “ah!” aq të thellë atje nëpër lartësi, sa edhe retë të nisin të derdhin lotë! Pastaj le të rrjedhin ato pikëza mëshire mbi përvëlimin tonë e ta shuajnë pak këtë zjarr! Zjarrin e inatit e urrejtjes! Zjarrin e kësaj bote dhe asaj të përtejmes!...

O Zoti im! Ty të lutemi e prej Teje kërkojmë! Na dhuro lotë për sytë tanë, na mëso të qajmë! Të qajmë që të meritojmë mëshirën Tënde, të qajmë që nuk e ndiejmë dot mallin e largësisë, të qajmë sa zemra të na dridhet, shpirti të na digjet e një thirrje e shkëputur nga gjoksi të ushtojë në tokë e në qiell. (Sizinti, Shtator 1979)

Gyleni citon disa ajete dhe thekson se lotët janë përgëzuar e nxitur edhe nga Kurani:

Kurani përdor këtë shprehje për të lavdëruar besimtarët: “Me të dëgjuar ajetet e Zotit, ata përkulen në sexhde dhe prekin tokën me fytyrë.” (Isra, 107) dhe i tërheq vëmendjen atyre që mëkatojnë me këtë shprehje: “Le të qeshin pak e të qajnë shumë!” (Tevbe, 82). Kurse i Dërguari i Zotit lutej kështu: “O Zot, më mbro nga zemra që nuk dridhet e syri që nuk derdh lotë!” Lotët e kthjellët janë njëkohësisht edhe simboli i një zemre të butë dhe ndjenje të thellë. Nuk mund të shihen pika loti në sytë e atyre që i janë ngurtësuar zemrat dhe mykur ndjenjat. (Fasıldan Fasıla, 2:30)

PENGESAT PËRPARA LËVIZJES

Ndërsa thekson principet kryesore dhe dinamikat më të rëndësishme të lëvizjes që udhëheq, Fethullah Gylen tërheq vëmendjen edhe mbi pengesat përpara kësaj lëvizjeje dhe vështirësitë që ajo mban në vetvete. Ai përqendrohet sidomos mbi dobësi të tilla si dorëzimi para kënaqësive trupore, dhënia pas pozitës së lartë dhe rehatisë, egoizmi, indiferentizmi, mungesa e durimit dhe mëkatet, dobësi ku secila është e aftë të shkatërrojë edhe individë, edhe shoqëri.

Dhënia pas pozitës shoqërore dhe famës

Sipas Fethullah Gylenit, çdo njeri përmban në vetvete thelbin e shumë ndjenjave të mira, si ndershmëria, sinqeriteti, bujaria e mirësia, po bashkë me to përmban edhe thelbin e shumë ndjenjave negative siç janë afeksioni pas famës e pushtetit, dëshira për t’u dukur, mendimi për ngritje në pozitë, ndjenja të cilat vrasin zemrën e paralizojnë shpirtin. Kushti më i rëndësishëm i pranimit të një vepre a shërbimi nga Zoti është kryerja e tyre me një ndjenjë sinqeriteti shpirtëror shumë të lartë, pa pritur shpërblim e lëvdata nga të tjerë.

Megjithatë ka raste kur ndjenja të tilla si dëshira për t’u dukur apo për t’u ngritur në pozitë, nëse nuk janë latuar e përmbushur në rrugë të lejuara, mund të bëhen shkatërruese edhe për veprën e individit, po edhe për shoqërinë. Këtë vlerësim objektiv Gyleni e konkretizon edhe me shembullin e një këngëtari, që ka një zë të mrekullueshëm dhe e ka të hapur rrugën e suksesit. Ai mund të zgjedhë rrugën e famës e të pasurimit, me këngë të pamoralshme e me sjellje kundër normave të shoqërisë, por mund ta përdorë atë zë në këngët që i thurin lavde virtyteve, besimit dhe në këngë që kanë vlera të larta edukuese për shoqërinë.

Më tej, Gyleni shpreh aspiratën e tij të vërtetë: “Ah sikur zemrat të dinin të mjaftoheshin me atë që iu ka dhënë e do t’u japë Krijuesi i Lartësuar dhe të kërkonin në çdo anë e kënd rrugën për ta kënaqur Atë!” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 226-8)

Vorbulla e egoizmit

Duke shtjelluar këtë temë Fethullah Gyleni së pari tërheq vëmendjen mbi karakterin e vërtetë të ndjenjës së unit dhe të egos te njeriu. “Uni që i është dhuruar njeriut është një dhuratë e shenjtë që i është dhënë atij në rrugën drejt njohjes të së vërtetës. Me anë të unit individi njeh Krijuesin e Lartësuar, kupton pafundësinë e diturisë, pushtetit e vullnetit të Tij, kupton se të metat e gabimet nuk kanë vend pranë Tij dhe me anë të unit arrin të ndezë në gjoksin e vet zjarrin e njohjes dhe të dashurisë, të shkrihet e të bëhet një me Të, të ekzistojë me Të, të mendojë veç Atë e të njohë veç Atë.” Vetëm se kjo dhuratë, nëse bëhet burimi i egoizmit dhe i personales, atëherë ajo fryhet e deformohet e kthehet në një demon të aftë që ta gëlltisë të zotin e vet.

Sipas Gylenit, egoizmi i vazhdueshëm është shenja e mosnjohjes të së vërtetës, mos-hedhjes së asnjë hapi në rrugën drejt pafundësisë dhe gjendja statike në të njëjtin vend, pa i zgjidhur dot sytë. Të gjithë ata që i bëjnë planet e llogaritë në emër të egos së vet dhe e kërkojnë “atë” që kërkojnë në atmosferën e egoizmit të vet, edhe pse mund të kapërcejnë maja e shkrepa për vite me radhë, në fakt nuk kanë ecur as edhe një hap përpara. Edhe nëse vepra që kryhet është më e rënda e më e vështira e veprave, për sa kohë që ajo nuk shpëton nga kurthi i egos, ajo nuk ka aspak vlerë pranë Zotit dhe nuk premton asnjë virtyt. Pasi shprehet kështu: “Egoizmi ka shumë forma; njëri derivon nga dituria, një tjetër nga pasuria e pushteti, njëri nga zgjuarsia, një tjetër nga bukuria e shumë të tjera. Por asnjë prej këtyre cilësive nuk është diçka që njeriu e ka fituar vetë, të gjitha këto janë dhurata të Mëshirës Hyjnore, pronësia e tyre i përket Atij dhe çdo pretendim prone në pronën e Tij nuk është veçse paburrëri, shkak që nxit zemërimin e tij dhe shkatërrimin e shpirtrave arrogantë”. Gyleni vazhdon me cilësimin e vlerave të vërteta humane:

“Gjendja shpirtërore që karakterizohet me mburrje e fjalë të mira për vetveten, në çdo rast, është treguesi i komplekseve dhe i mangësive në personalitetin e njeriut. Kjo gjendje vazhdon kështu deri në ditën kur personi e kupton se burimi i çdo mirësie që ai ka, është pikërisht Ai, Pronari i Vërtetë i gjithçkaje. Të tillë njerëz e kalojnë çdo çast duke menduar e planifikuar rastin për t’u lavdëruar, çdo fjalë e tyre është për veten, çdo shfaqje modestie e përuljeje nuk është veçse hipokrizi e investim për të prezantuar vetveten te të tjerët.

Pozicionimi i një njeriu në një nivel të lartë njerëzor dallohet përmes modestisë së tij, me ruajtjen e pozitës së tij të mëparshme edhe pas kësaj modestie, edhe pas pasurisë, pozitës, dijes e gjërave të tjera që kanë vlerë në sytë e njerëzve. Nëse një person, pëson ndërrim të karakterit pasi arrin njërën prej këtyre cilësive, e ka të pamundur të jetë vërtet modest e të përparojë sadopak në rrugën e njerëzimit. Modestia është si çelësi i pothuajse të gjitha ndjenjave pozitive që ka njeriu. Kushdo që e arrin atë, arrin edhe rrugën për të fituar të gjitha ndjenjat e tjera të mira. Kurse ai që nuk posedon këtë ndjenjë, në përgjithësi nuk arrin të posedojë as virtyte të tjera.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 229)

Rehatia personale

Fethullah Gyleni e cilëson dhënien pas rehatisë personale si një prej shkaqeve kryesore të kalbëzimit njerëzor dhe e quan atë “pasion për vetveten”.

“Sikur ujërat kur nuk rrjedhin nisin të kundërmojnë, ashtu edhe njerëzit që mësohen me rehatinë e pasivitetin, padyshim që kalben e prishen. Dëshira për rehati është alarmi i parë i afrimit të vdekjes. Vetëm se njeriu të cilit i janë paralizuar ndjenjat, nuk ka se si e percepton këtë alarm, as nuk nxjerr dot mësim prej tij. Ai nuk do mund t’i vërë vesh as fjalëve të miqve…”

Gyleni thekson faktin që pasioni për vetveten dhe dembelizmi janë ndër shkaqet kryesore të humbjeve dhe disfatave. Shpirtrat e përgjumur që e kanë braktisur veten në prehrin e rehatisë e të prehjes, janë të destinuar të presin një ditë edhe plotësimin e çdo nevoje të tyre nga të tjerët. Sipas Gylenit, sa më i madh të jetë ky pasion për rehatinë, aq më e madhe është edhe shuarja e dëshirës për të shërbyer në rrugën e Zotit. Në përgjithësi, ata njerëz që largohen nga kjo rrugë, mbartin ndjenjën e fajit në vetvete dhe gjithmonë gjejnë një justifikim për distancimin e tyre dhe një lloj kritike për njerëzit e asaj rruge. Njëkohësisht, ndikimi i këtyre njerëzve që kanë pësuar një defekt të rëndë në vullnet e karakter, është goxha negativ mbi botën shpirtërore e mbi guximin e njerëzve përreth. Për sa kohë që ata nuk ia pohojnë vetvetes këtë dobësi të tyre dhe nuk kërkojnë një rrugëzgjidhje, nuk mund të shpëtojnë nga gjendja e moçaltë ku kanë rënë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 223)

Paradokset

Pasi bën një përmbledhje të “sëmundjeve” si dhënia pas rehatisë, mburrja dh egoizmi, të cilat janë shkaqet kryesore të dështimit të një lëvizjeje, Fethullah Gyleni jep një sintezë paradoksale të boshtit të mendimit dhe përshkruan formimin tërësor dhe maturimin e njeriut mes negativiteteve dhe pozitiviteteve, duke u shprehur kështu:

“Si mund të arrish divinizimin e vetive njerëzore, kur nga njëra anë mundohesh të kthjellosh botën e ndjenjave dhe të mendimit, nga ana tjetër, ende nuk je rebeluar ndaj dobësive trupore e dëshirave që i përkasin kësaj bote? Nga njëra anë kërkon në zemër “tevhid”-in dhe kënaqësitë shpirtërore, nga ana tjetër, si mund t’i arrish këta kur brenda teje ende shëtit dëshira trupore dhe nuk di t’i thuash “jo” asnjërës prej mundësive që na jepen për të plotësuar këto dëshira? Ëndërron të hapësh flatrat e të fluturosh në botët tejqiellore, por si fëmijët, ende vazhdon të luash me baltën e pluhurin e kësaj bote! Pret gjithë mall lindjen e agimeve të reja në horizontin tënd, po si mundet, kur ende zemrën nuk e ke frymëzuar me ideale, ende nuk je bërë një ofshamë në gjoksin e botës dhe ende nuk ke rinisur vetveten nën të tjerë qiej... Kaq vite që kërkon një zgjidhje për stivën e problemeve të grumbulluara, kur ende nuk e ke treguar vendosmërinë për të ecur në atë rrugë me shpresë e vullnet? Shpreson të arrish ekzistencën me ndjenjat e tua, pret me mall atë çast kur të jetosh vetëm nën kënaqësitë shpirtërore, po kjo nuk arrihet po nuk pate forcë për të mos e prishur atë vendosmëri të agjëruari në këtë rrugë deri në perëndim. Të duket vetja i patëmeta, kështu hiqesh edhe mes njerëzve, por nuk mund të jesh kështu kur çdo ditë ngarkon në shpinë peshën e njëmijë mëkateve të reja, përditë ndryshon fjalë e sjellje...” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 217)