KONCEPTI ISLAM I FETHULLAH GYLENIT

Perceptimi i temës dhe vështirësitë gjatë shtjellimit

Gjatë diskutimit të Islamit në Turqi por edhe shtjellimit të personaliteteve si Fethullah Gyleni, vazhdimisht hasim në pengesa të cilat duhen kapërcyer që në krye. Pengesa e parë është indiferenca dhe mungesa e përpjekjes për ta konceptuar e kuptuar Islamin sipas mentalitetit të vet, veçan nga elita intelektuale që është edhe udhërrëfyese e mendimit dhe e ideologjisë së pjesës së vetëquajtur laike e properëndimore në Turqi, si dhe trajtimi prej tyre i Islamit dhe i fesë në përgjithësi si një çështje krejtësisht jashtë e larg tyre. Veçanërisht në vendet joperëndimore, më tepër se në ato perëndimore, sot, shkenca trajtohet si burimi i vetëm i gjithçkaje. Çdo gjë shihet si pronë që i përket perëndimit. Domosdo këto shkaqe janë themelore në kontradiktat e thella shtet-nënshtetas dhe në shkëputjen popull-intelektual, të hasura aktualisht sidomos në vendet Islame, si dhe në konfliktet e shtresave të ndryshme të popullsisë në këto vende.

Në Turqi ende vazhdon ndikimin e vet konceptimi materialist perëndimor i shekullit të 19, i cili e trajton besimin fetar në tre aspekte. Antropologjik, sociologjik dhe psikologjik. Këtu nuk do të hyjmë në një analizë të thellë të këtyre tre aspekteve, por do të mjaftohemi me renditjen e anëve të tyre të përbashkëta.

Besimi fetar nuk është një sistem dhe institucion i vendosur nga një pushtet mbinjerëzor, që zotëron vullnet, dituri e pushtet absolut, por është thjesht pjellë e mendjes njerëzore.

Gjatë formimit të personalitetit të vet dhe gjatë jetës së tij në tokë, individi nuk arrin të kuptojë e të ndikojë dukuritë natyrore; gjithashtu normat sociale nuk janë ende efikase, kështu që ai has nevojën për të besuar në një forcë të mbinatyrshme dhe e specifikon këtë nevojë me perëndinë dhe me disa rituale sistematike, të cilat i quan fe.

Me zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë, njeriu do të arrijë të ketë nën pushtet edhe natyrën dhe do të jetë i aftë të bëjë një shpjegim shkencor për dukuritë e saj, kështu që besimi fetar do ta humbasë funksionin e vet dhe pas një stadi, nuk do të jetë më një nevojë për individin.

Megjithatë, disa individë, qoftë për të vendosur sjelljet e tyre në një platformë morale, qoftë për të plotësuar disa nevoja njerëzore, në një farë mënyre mund të vazhdojnë të ruajnë një besim fetar.

Në vendet e “botës së tretë” si Turqia, apo sipas një klasifikimi tjetër, në vendet e botës islame, ky koncept perëndimor i shekullit IXX rreth besimit fetar është bërë shkak i shumë keqkuptimeve. Njëri prej tyre është njehsimi i besimit fetar me Kristianizmin. Sidomos pjesa intelektuale, e trajton të njëjtë besimin fetar, pa bërë ndarjen Islam-Kristianizëm. Gabimi më i madh që lind nga trajtimi i këtyre dy besimeve fetare së bashku, kur dihet se kanë ndryshime të mëdha, si në doktrinë e katekizëm, ashtu edhe në rituale, në rolin mbi jetën sociale e në normat e sjelljes që predikojnë, është ai që shfaqet sot në trajtimin politik të Islamit. Si shembull real mund të përmendim këtu pozitën e Kishës, si përfaqësuese e pushtetit të Zotit në tokë, e cila është edhe shkaku i lindjes së teokracisë. Në Islam asnjëherë nuk bëhet fjalë për një institucion të tillë dhe përjashto Shian e Iranit, në Islam nuk është shfaqur asnjëherë as një klasë klerike dhe as një hierarki teokratike e tillë.

Gabimi i dytë që lind nga importimi i konceptit fetar prej perëndimit, është trajtimi i Islamit si një besim fetar skolastik, sikurse Kristianizmi, me nevojën e vazhdueshme të reformimit, me një tërësi dogmatike të rregullave dhe normave që trajtojnë jetën fetare e sociale pa i lënë vend aspak të menduarit, ose si një sistem që është shpikur njëherë e një kohë në histori nga një person dhe tani vazhdon të ruhet nga ithtarët e vet.

Janë pikërisht të tilla gabime që sot janë shkak i rëndësishëm i kontradiktave të pjesës Islame me pjesën e quajtur laike në Turqi.

Nga ana tjetër konceptimi i fesë nën emrin e shkencës, në bazë të Pozitivizmit e të psikanalizës së Frojdit, ka gjetur mbështetje nga shumë intelektualë, si në Turqi ashtu edhe në botën islame, gjë që i hap rrugë moskuptimit të burimit të fesë, të Zotit e të Profetit, si dhe ndikimit që ajo ka mbi njerëzit. Kjo mënyrë konceptimi është e pamjaftueshme të shpjegojë burimin e fuqisë së profetëve si Musai e Isai, të cilët të vetëm, kanë qindra vite që ruajnë ndikimin mbi zemrat e qindra miliona njerëzve. Gjithashtu, është e pamjaftueshme të shpjegojë besimin e përshtatshëm me karakterin njerëzor që përfaqëson një Profet i vetëm në Mekë, burimin e tij-Allahun, librin e tij- Kuranin dhe pushtetin e tyre. Atë pushtet me të cilin ai Profet arrin e ulet në fronin e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve, aq më tepër, pa pritur kurrfarë shpërblimi prej tyre, i fton njerëzit në rrugën e Zotit dhe në një kohë mjaft të shkurtër i tjetërson krejtësisht ata njerëz që në kushte normale ishte e pamundur të ndryshonin, por edhe i zbukuron ata me vlerat më të larta morale, duke formuar një grup të tillë njerëzish, që do të jenë shembull gjer në fundin e botës - sahabet. Gjithashtu nuk e shpjegon dot as nivelin e diturisë e të moralit të tyre shembullor të arritur në një kohë mjaft të shkurtër nën mësimet e atij Profeti. Është i pakonceptueshëm për të tilla mendje edhe fakti që besimi fetar, i cili mendohej se një ditë nuk do të ishte më i nevojshëm për njeriun, sa vjen e bëhet më i rëndësishëm e më i pushtetshëm në mendjet, zemrat dhe jetën e njerëzve. Edhe fakti që ndonëse përtej sa e sa shekujve, profetët ende janë udhërrëfyesit e qindra miliona njerëzve. Jo vetëm që është e pakuptueshme, po është edhe e pashpjegueshme një gjë e tillë. Dhe duke qenë e pashpjegueshme, lind nevoja e domosdoshme për të prodhuar “teori të reja shkencore”, të cilat fatkeqësisht janë të dështuara. Është pikërisht ky botëkuptim, ai që nuk e shpjegon dot se si njerëzit, të nxitur nga Gyleni, arrijnë të hapin institucione anekënd botës dhe detyrohet të gjejnë shpjegime e teori të tjera për burimin e këtyre institucioneve.

Shtjellimi i ndryshëm i Islamit dhe mënyrat e ndryshme të zbatimit të myslimanëve

Një tjetër shkak që vështirëson të kuptuarit e të vlerësuarit drejt të Fethullah Gylenit dhe të konceptit të tij islam, është paraqitja e ndryshme e Islamit nga Perëndimi, i cili kishte formuar pushtet ushtarak, ekonomik e kulturor mbi botën e shekujve IXX e XX. Herë me anë të rrymave të Orientalizmit e misionarëve të ndryshëm, herë me refleksione historike, Perëndimi ka prezantuar një Islam të ndryshëm në botë dhe kjo gjë ka ndikuar shumë edhe mbi intelektualët e botës islame, duke zhvilluar kështu edhe komente të ndryshme të mendimtarëve myslimanë.

Bota islame e nisi shekullin e XX si botë e vendeve të kolonizuara, ndërsa mbrojtësja më e madhe por edhe përfaqësuesja më e rëndësishme e kësaj bote, Perandoria Osmane, nuk mbeti vetëm se pjesë e historisë në fund të Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj, thuajse deri në gjysmën e dytë të atij shekulli, në çdo cep të kësaj bote vazhduan luftërat për pavarësi. Fulleri dhe Lessleri (fq. 41-42) theksojnë në punimin e tyre se vetëm numri i myslimanëve, vdekja e të cilëve është shkaktuar nga Perëndimi shekullin e kaluar, është më i madh se numri i gjithë perëndimorëve që kanë vdekur për shkak të myslimanëve gjatë gjithë historisë. Shumë myslimanë në ditët tona nxjerrin konkluzione të gjera nga këto ngjarje të planifikuara ndaj tyre por edhe nga sulmet që i bëhen myslimanëve në botë dhe besojnë se politikat perëndimore janë përqendruar kundër myslimanëve, duke synuar dobësimin e tyre të gjithanshëm. Veçanërisht, lançimi i Islamit si fe e terrorit, shpallja e tij si poli i kundërt që me rënien e Perdes së Hekurt, nga 1991 e këtej, komentimi i disa krimeve e ngjarjeve terroriste të ndodhura në Turqi e Algjeri si derivate të myslimanëve e të Islamit, bashkë me këta edhe përcaktimi i kufijve të botës islame si kufij të luftës me perëndimin nga Hantingtoni dhe komenti i gjerë i kësaj teorie në sfera të ndryshme duke sjellë në diskutim konfliktin e qytetërimeve dhe së fundi sulmet e organizuara ndaj tokave islame, po thellojnë çdo ditë e më tepër kontradiktat mes Islamit, perëndimit e pushteteve vendore në vendet islame.

Të gjithë shkaqet e lartpërmendura, si dhe përpjekjet e luftërat ndaj fuqive kolonizatore në vendet Islame, rënia në konflikt për arsye të ndryshme e pushtetit me Islamin në këta vende, veprimtaria e disa intelektualëve pseudo-perëndimorë kundër Islamit e myslimanëve, përçarjet e kontradiktat e nisura në Turqi në vitet 1950 me bazë DP e CHP, të cilat përcillen ende në sferat politike, shkurtimisht, kushtet në të cilat u gjend bota islame gjatë shekullit të XX, bashkë me lëvizjet islamike, apo me bazë islamike për shpëtim nëpër botë, u bënë shkak për lindjen e konceptimeve e komentimeve të ndryshme ndërmjet myslimanëve. Diferenca ndërmjet botëkuptimeve, padyshim që nuk ekziston vetëm rreth Islamit dhe principeve të tij kryesore, rreth kushteve themelore të besimit, parimeve islame, adhurimit, normave morale e koncepteve haram-hallall, madje nuk haset as në bazat juridike të Islamit, por kjo diferencë vihet re në manifestimin e një sjelljeje islame përballë kushteve aktuale dhe në perspektivën e përcjelljes së Islamit në jetën sociale. Duke lënë mënjanë rrymat “moderniste”, të cilat janë shkëputur ndjeshëm nga shpirti i Islamit, botëkuptimet e ndryshme mund t’i kategorizojmë pak a shumë në dy grupe kryesore: - Lëvizjet dhe mentalitetet islame ideologjiko-politike - Lëvizjet dhe mentalitetet islame-fetare.

Lëvizjet Islame ideologjiko-politike, edhe pse e pranojnë padyshim dhe sinqerisht Islamin si një besim të bazuar në revelacion hyjnor dhe e marrin atë si referencë themelore në çdo sjellje e veprim, e konceptojnë atë si një fe të karakterit ideologjik e politik përballë kushteve aktuale dhe përpiqen ta zbatojnë atë në pajtim të këtij mentaliteti. Në këtë sens, kauzat e këtyre lëvizjeve janë përqendruar më tepër në triumfin politik të Islamit dhe në problemet sociale, ekonomike e politike të shoqërisë myslimane, duke anashkaluar disi, ose duke i pranuar si pjesë e pandashme e natyrës së myslimanit çështjet me të cilat identifikohet feja, siç janë besimi, morali e përkushtimi. Me një fjalë, duke i dhënë përparësi përmasave ekonomike, sociale e politike të Islamit, këto lëvizje janë përqendruar në këto aspekte të tij, duke e zbatuar dhe manifestuar edhe besimin në këtë aspekt.

Ndërsa lëvizjet fetare islame, megjithëse nuk e trajtojnë Islamin pjesërisht, janë lëvizje që mbrojnë progresin e Islamit bashkë me kohën dhe elasticitetin e tij përballë ngjarjeve të ndryshme, prandaj edhe i japin rëndësi parësore trajtimit të anëve morale, fetare e rituale të Islamit, si çështje që ndikojnë drejtpërsëdrejti jetën e individit, si dhe vendosjen në plan të parë të besimit të bazuar në dije e ndërgjegje. Nëse do të nevojitej një klasifikim i lëvizjes së Gylenit në ditët tona, ajo lëvizje i afrohet më tepër grupit të dytë të lartpërmendur.

Botëkuptimi islam i Gylenit dhe linja e tij islame

Fethullah Gylen, ashtu sikur u përmend edhe më lart, është lindur e rritur në një mjedis të tillë ku besimi fetar përjetohej më së miri, si shpirtërisht e moralisht, ashtu edhe ritualisht. Duke pasur parasysh se ky mjedis kishte një përbërje thuajse tërësisht shpirtërore, edhe bërthama e formimit islam të Gylenit do të ishte kryesisht në sensin moral e shpirtëror. Qoftë kjo atmosferë, qoftë arsimimi i tij me baza të forta islame në Erzurum, do të formonin te ai harmoninë e spirituales me shkencoren, ose siç e quan ai vetë, “aleancën e mendjes me zemrën”. Kjo aleancë do të ishte bashkudhëtare e tij edhe më vonë. Njëkohësisht kjo gjë ka përmasën e saj sa historike, aq edhe psikologjike. Sido qofshin tezat e materialistëve dhe të dijetarëve që nuk i kanë shpëtuar këndvështrimit materialist, është edhe një e vërtetë e cila ndihet e përjetohet: që njeriu nuk është veç një makinë organike, apo vetëm një trup material. Njeriu, duke përfshirë në brendësinë e tij pasuri të tilla si shpirti, zemra, ndërgjegjja e intelekti, është njëkohësisht edhe një univers ndjenjash. Gjithashtu, sikurse çdo krijesë tjetër, ai ka lidhjet e veta individuale me tërësinë kohore, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Po ashtu, njeriu ndien lloj-lloj nevojash në të njëjtën kohë. Sikurse kërkon plotësimin e nevojës së tij për të ngrënë e për të pirë, për të fjetur, riprodhuar e për t’u mbrojtur, sikurse secila shqisë e tij e jashtme, si shikimi, dëgjimi, prekja e nuhatja, ka funksionin e vet dhe ushqehet në mënyrën e vet, po ashtu edhe ndjenjat e tij të brendshme dhe bota e tij shpirtërore kanë funksionet dhe nevojat e veta dhe mënyrën e vet specifike të plotësimit të tyre. Mendimi, logjika, memoria dhe aftësia e të mësuarit, të cilat mund t’i përfshijmë në konceptin “intelekt”, kanë një funksion e një domethënie të veçantë te njeriu; rrjedhimisht kanë edhe bazat e veta specifike të zhvillimit e të gjenerimit. Kështu edhe nocionet më specifike të qenies njerëzore, si zemra, shpirti dhe ndjenjat kanë veçoritë, nevojat e aktivitetet e veta, sadisfaksioni i të cilave është në përpjesëtim të drejtë me lumturinë, qetësinë e paqen e brendshme të njeriut. Ndaj edhe me përftimin e një ekuilibri të brendshëm të zemrës me mendjen dhe intelektit me shpirtin, njeriu arrin të drejtojë veprimet e tij brenda kornizës së “hikmetit”- dijes absolute, dhe përpiqet të përdorë rrallë e me kujdes vetitë e tij eksterne, siç janë forca fizike apo pasionet. Shkurtimisht, njeriu arrin të jetë i drejtë e i ekuilibruar në relacionet me të tjerët, pikërisht kur ka arritur ta krijojë ekuilibrin e drejtësinë në brendësinë e tij. Në të kundërt, nëse shpirti del para mendjes, apo mendja para shpirtit, ose nëse shpirti e mendja funksionojnë për llogari të trupit dhe pasionit, atëherë do të ndeshemi me njerëz “të përgjysmuar” në një farë sensi, gjendje kjo që doemos ndikon edhe shoqërinë. Në këtë aspekt, përftimi i drejtësisë, i ekuilibrit dhe paqes te njeriu e te shoqëria është i mundur vetëm nëpërmjet rritjes, ose më saktë edukimit të njeriut në tërësi, trajtimit të tij me të gjitha vlerat e specifikat e tij, duke nisur nga edukimi i shpirtit, zemrës e mendjes, e më pas të të gjithë aspekteve të tij. Pikërisht në këtë pikë, mentaliteti fetar i Fethullah Gylenit manifeston një rëndësi të veçantë.

Përmasa historike e çështjes

Sikurse në mes të gjallesave të tjera, njeriu ka nevojë për të ushqyer e gjeneruar zemrën e mendjen, trupin e shpirtin, që të arrijë të kryejë funksionet e të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta specifike e të përftojë “lumturinë njerëzore” dhe ashtu sikur mospërfillja e tyre është pengesë konkrete për zhvillimin njerëzor, po ashtu edhe qytetërimet e shtetet kanë pjesët e veta përbërëse që kërkojnë ushqim e gjenerim dhe kanë nevojat e veta që duhen përmbushur.

Veçanërisht gjatë pesë shekujve të parë të lulëzimit të vet, atëherë kur qytetërimi Islam ia ka dalë mbanë ta ruajë identitetin e tij karakteristik, ai e ka trajtuar përherë së bashku individin dhe shoqërinë, duke i kushtuar nga njëra anë vëmendjen e rëndësinë e duhur shkencës e dijes, të cilat i ka parë si “ndriçim i mendjes” dhe e ka konceptuar zhvillimin e botës si detyrë e drejtpërdrejtë e besimtarit, të cilit i është dhënë nderi dhe përgjegjësia për të qenë administrator i botës, po nga ana tjetër, duke manifestuar një qytetërim të bazuar në dinamika shpirtërore e morale, të gjeneruara nga besimi fetar. Shkencat natyrore dhe ligjet e tyre, të trajtuara si ligje të Krijuesit dhe reflektime të atributeve të Tij, Vullnet e Pushtet, as edhe njëherë nuk janë trajtuar të ndara nga ligjet e normat fetare, të vendosura nga Krijuesi, për të rregulluar e sistemuar jetën e individit dhe shoqërisë. Kështu, ai qytetërim, duke e parë shkencën - e cila shekujt e fundit është shkëputur krejtësisht nga feja, duke u bërë kështu shkak për një sërë fatkeqësish, të krahasueshme me dobitë e veta mbi njeriun e njerëzimin dhe duke e bërë njeriun të braktisë gjithë vlerat që gëzon, të aftë të shfarosë qindra e mijëra në çast, viktimë të materies e prodhimit të vet - si një shprehje e fesë në një tjetër fushë, ka bërë bashkimin e mendjes me zemrën në aspektin human e të besimit me intelektin në aspektin social, duke arritur t’i ofrojë njerëzimit për shekuj me radhë një periudhë të artë lumturie.

George Sarton, në veprën e tij monumentale “Hyrje në Historinë e Shkencës”, bën një ndarje kronologjike të kohës duke emëruar secilën periudhë kohore me emrin e një dijetari të famshëm-simbol i asaj kohe. Në këtë mënyrë, secila nga shtatë periudhat Pesëdhjetëvjeçare, nga shekulli VII deri në gjysmën e dytë të shekullit XI, mban emrin e një dijetari mysliman, si p.sh., Periudha e Harizmit, periudha e Birunit, etj. Krahas këtyre Sarton rendit edhe qindra emra të dijetarëve myslimanë që kanë bërë emër në histori. Këta dijetarë, ashtu si edhe shumë shembuj që mund të hasen në perëndimin modern, nuk ishin vetëm specialistë të një fushe, të ndrydhur në shabllonet materialiste, por ishin dijetarë të disa shkencave dhe njëkohësisht edhe njerëz të lartësuar shpirtërisht e moralisht dhe të thelluar në besim. Nga ana tjetër, edhe shumë njerëz të fesë, të arsimuar në fushën e teologjisë dhe spiritualizmit, ishin njëkohësisht dijetarë të matematikës, astronomisë, historisë apo kimisë.

Qytetërimi Islam kaloi një pështjellim të madh me pushtimin Mongol. Po megjithë moshën e vet 500-vjeçare, burimet e tij që rridhnin jetë, shpirti e hovtaria e gjallë që e karakterizonte, bënë që ky qytetërim t’i kapërcente shpejt rrënojat e këtij pushtimi. Jo vetëm që u ngrit në këmbë, po me Perandorinë Osmane, që ishte në një farë sensi filiali bri Evropës i këtij qytetërimi, arriti të lartësohej sërish në skenën historike. Po kur erdhi në shekullin e XIX këtij qytetërimi, nga njëra anë i ishte thyer krahu i dijes e nga ana tjetër, kishte pësuar deformime e ndrydhje edhe në krahun shpirtëror e moral. Ndërsa perëndimi, me zbulimet gjeografike por edh me zhvillimet që kishte arritur në shkencë e teknikë, pse jo edhe me mbështetjen që i jepte kolonizimi i vendeve të ndryshme nëpër botë e me të tilla mënyra, kishte hedhur hapa të rëndësishëm drejt fuqizimit. Dhe ky fuqizim e çoi atë në një pushtet mbarëbotëror, para të cilit Shteti Osman, i cili ishte bërë copë, nuk arriti të mbijetonte. Lufta Ruso-Turke më 1878, pas saj Lufta Ballkanike e 1911-12’ës dhe më pas Lufta e Parë Botërore lanë gjurmë në çdo vatër dhe hapën plagë të rënda në çdo zemër turke. Më së fundi, këtyre iu shtua edhe pushtimi e më pas copëtimi i Anadollit. Dhe në fund të këtyre humbjeve disashekullore, epërsia materiale e perëndimit dhe magjepsja ndaj pushtetit të tij, bëri që shumë vatra të besimit të shuhen disi në zemrat e myslimanëve, duke i hapur rrugë edhe dobësimit të besimit te Zoti por edhe lënien pas dore të shumë përgjegjësive fetare. Sidomos në Turqi, Islami mbeti sërish i vetëm, pikërisht si në ato ditët e para të tij në Mekë. Kurani u braktis. Myslimanët individualisht dhe bota islame në planin gjeografik e social, me shprehjen e Mehmet Akifit, u kthye në një gërmadhë ku ngrinin folé korbat.

Kështu historia e shkëlqimit dhe e rënies së qytetërimit Islam e posaçërisht atij Osman, ka ndikuar thellë në formimin e Fethullah Gylenit. Po megjithëse këndvështrimi i Fethullah Gylenit ndaj kësaj historie nuk kishte si të mos ishte sentimental, ai i ka bërë një trajtim shkencor e logjik ngjarjeve, duke mos i kërkuar shkaqet e rrënimit të këtij qytetërimi vetëm në faktorët social, ekonomik e politik. Siç do ta vërtetonte më së miri edhe gjatë eksperiencës në vendet ku do të ishte në detyrë në të ardhmen, themelet e çështjes qëndronin te besimi e botëkuptimi dhe këtë e vërtetonin edhe studimet serioze që ai i bënte personalisht Islamit. Ja, këtu qëndron edhe ajo pikë e rëndësishme ku mentaliteti e botëkuptimi islam i Fethullah Gylenit ndahet nga konceptimi ideologjikopolitik. Gyleni nuk e ka trajtuar shkëlqimin e rënien e qytetërimeve, historive e popujve nga prizmi modernist Osman dhe republikan, as edhe nga perspektiva sociale e politike e lëvizjeve islame ideologjiko-politike.

Qëllimi i krijimit dhe thelbi i Islamit

Në një ajet të Kuranit të Shenjtë ku trajtohet thelbi i detyrës së profetëve dhe funksioni i tyre, rrjedhimisht edhe thelbi i Islamit, formulohet kështu:

“Po kështu, ju kam sjellë një të Dërguar nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjykimet e gabuara dhe gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.” (Bekare, 151)

Ky ajet ka një funksion të rëndësishëm në të kuptuarin e Islamit, porta e Islamit është leximi dhe kuptimi i ajeteve kuranore. Me “ajet” në Kuran shprehet njëkohësisht edhe togu i fjalëve në mes të dy pikave, po edhe çdo ngjarje, çdo gjë e çdo krijesë në gjithësi. Sepse secili nga këta, është një fakt i Ekzistencës absolute të Allahut, një lidhje me dashurinë, emrat dhe atributet e Tij, kështu që është e pamundur që gjithë këta të kuptohen e të shpjegohen drejt nëse nuk trajtohen në relacionin e tyre me Allahun. Ndaj dhe çdo profet e i dërguar i Zotit me misionin e ringjalljes së besimit e rinovimit të normave fetare, në përshtatje me kushtet e kohës në të cilën dërgohen i shpall dhe i shpjegon shoqërisë pikërisht këto ajete. Vetëm se të kuptuarit e të zbatuarit drejt të këtyre ajeteve mund të arrihet vetëm me një strukturë mendore të pastruar nga çdo lloj kushtëzimi e paragjykimi. Kthjelltësia e mendjes dhe ruajtja e saj prej ndikimeve e paragjykimeve të jashtme bën të domosdoshme një mënyrë jetese në përshtatje me besimin, jo besimin sipas mënyrës së jetesës. Gjithashtu një mënyrë besimi e saktë arrihet vetëm me një zemër të pastër nga mëkatet e me një qëllim të mirë. Ndaj edhe profetët, me karakterin e tyre e me mënyrën e tyre të jetesës, ndikojnë drejtpërdrejt në zemrën e njeriut, duke e dëlirësuar atë, me lejen e Zotit, nga çdo papastërti morale e shpirtërore. Këto zemra dhe mendje të kthjelluara në këtë cilësi, të cilat arrijnë të perceptojnë ngjarjet e gjërat nga një perspektivë e drejtë dhe munden t’i shpjegojnë ato si duhen, janë pikërisht edhe ata të cilat përfitojnë më së miri nga librat e shenjtë. Domethënë profeti ka dy misione të rëndësishme, njëri nga të cilët është t’u mësojë njerëzve të mendojnë drejt, t’u mësojë atyre mënyrën e saktë të mësimit dhe grumbullimit të dijes dhe t’i udhëheqë në dëlirësimin e shpirtit në rrugën e tyre drejt përsosjes humane. Kuptimi i tyre arrihet nga njëra anë me dije, nga ana tjetër me besim, me thellimin e njohjes së Allahut dhe me dashurinë për Të. Në këtë mënyrë përfitohet aleanca e mendjes me zemrën, nga ku rrjedh edhe burimi i aktivitetit të nevojshëm në hapësirë e në kohë.

Lidhur me thelbin dhe esencën e Islamit dhe qëllimin e krijimit, Fethullah Gylen shkruan:

“Kurani, në horizontet e dijes, esencës së dashurisë, përmasave të përkushtimit e nuancave të qetësisë shpirtërore, e përcakton qëllimin e krijimit të njeriut si “besimi në Zot”. Njeriut i është ngarkuar përgjegjësia të ndërtojë botën e vet të mendimit e të besimit, herë duke hapur rrugë nga qenia e tij drejt thellësive të ekzistencës e herë duke vëzhguar e studiuar peizazhe të ndryshme të gjithësisë e të qenies. Ky proces, njëkohësisht do të thotë nxjerrja në pah e realitetit njerëzor që ai ruan në thelb të shpirtit. Po, vetëm në dritën e besimit njeriu mund ta zbulojë thelbin e vet e thellësitë që ai përfshin, qëllimin e idenë e krijimit, anën sekrete të kozmosit dhe të natyrës, realitetin përtej tiseve konkrete e materiale dhe vetëm në këtë mënyrë mund të konceptojë ekzistencën në përmasat e saj të vërteta.” (Yeni Ümit, v.III; Janar-Shkurt-Mars 1994)

Trekëmbëshi

Në shkrimet dhe bisedat e tij, Fethullah Gylen e përqendron konceptin e tij islam në një “trekëmbësh”, njëra këmbë e të cilit është vendi ku mësohet e përftohet morali islam. Këto vende, bashkë me medresetë, të cilat janë shkollat ku mësohen disiplinat islame, ai i paraqet si dy gjysmat e një të tëre. Në fakt, medresetë nuk kanë qenë institucione ku është dhënë vetëm mësim feje. Kuptimin terminologjik fjala “medrese” e ka “vend ku bëhet mësim” dhe në medrese, bashkë me mësimet fetare janë zhvilluar edhe mësimet e shkencave të tjera. Mirëpo në shekujt e fundit, shkencat pothuajse nuk jepen më në medrese dhe si rezultat i ndikimit nga perëndimi, lëndët fetare janë shkëputur krejtësisht nga lëndët shkencore. Kështu që lindi nevoja e shkollave ku jepeshin vetëm lëndë shkencore-mektepet. Porse sikurse njeriu, që është një i tërë me organet e tij trupore, qelizat, mendjen, zemrën e ndërgjegjen, ashtu edhe Islami është një i tërë, që nuk mund të trajtohet pjesërisht apo i ndarë në vetvete. Si medresetë, vendet ku studioheshin lëndët fetare dhe morali islam, ashtu edhe vendi ku lexohej libri i gjithësisë dhe studioheshin lëndët shkencore, duhet të ishin nën të njëjtën strehë dhe duhej të formonin një tërësi në vetvete. Sepse këta janë të pandara nga njëra tjetra në konceptin e Islamit të Fethullah Gylenit. Këtë temë ai e shpjegon në mënyrën e vet karakteristike gjatë një fjalimi në Adapazar, në maj të 1980.

“Të tillë, që kanë arritur paqen e Shokëve të Profetit e Pasuesve të tyre... Që në emër të dijes e moralit, përjetojnë nëpër institucionet shkollore pasionin, emocionin e thellësinë e ndjenjave të Shah Gejlanit e Ahmet Bedeviut... Të ngopur me dituri Islame... Të plotësuar me njohuri shkencore, jo më pak se ajo e niveleve enciklopedike... Jo prej atyre që e shohin Islamin vetëm me një sy dhe jetojnë një jetë të njëanshme, po të gjithanshëm... Të ditur e të logjikshëm, me mendje nën urdhrin e zemrës, e me ndjenja të mbushura me pasion, emocion e njohje... Natën e zbukurojnë me adhurim, buzën me përmendje e falënderim... Zemrën e mbushin me dëshirën e pasionin e vrullshëm që i jep mirësia, drejtësia e ndershmëria dhe me bukuritë që i jep humanizmi e natyra e tyre pozitive... Të devotshëm e altruistë, me mprehtësinë e pagabueshme që i jep mendimi kuranor e me vlera të jashtëzakonshme në trajtimin e botës, jetës, sendeve e ngjarjeve... Që jetojnë duke u dhënë jetë të tjerëve... Që arrijnë të jenë pasqyrues të Kuranit me fjalët e veprat e tyre brenda kushteve të mentalitetit aktual... Që njohin shumë mirë qarkun social, ekonomik e politik të kohës që jetojnë, të aftë të parashikojnë e të gjykojnë si një besimtar i vërtetë gjithë ç’ndodh rreth e përqark...”

Në një tjetër shkrim të tijin, teksa përshkruan besimtarin e vërtetë, Fethullah Gylen thekson vetitë e tij morale e intelektuale duke i renditur në këtë mënyrë: “Një dashuri e pakufi, që rrjedh nga besimi dhe njohja e Zotit, e cila përshkon shkallë-shkallë gjithë ekzistencën. Okupim me dije e shkencë, me kriteret e mendjes, logjikës e ndërgjegjes. I aftë të rishikojë përvojat e vëzhgimet e veta humane e t’i perceptojë ato në tërësinë e Kuranit dhe të arrijë të kritikojë me objektivizëm për të dalluar të saktën nga e gabuara. Posedues i një karakteri të formuar dhe i ndërgjegjshëm që thellësitë e vërteta humane janë ato që duhen kërkuar e gjetur në vetitë pozitive të mendjes dhe ndjenjës. I lirë në mendim dhe i aftë të mbështesë mendimin e lirë. I ndërgjegjësuar për rëndësinë e mendimit kolektiv dhe i aftë të mendojë në kolektiv, i zoti të analizojë ngjarjet e idetë dhe i formuar si nga ana estetike, ashtu edhe nga ajo artistike e të menduarit.” (Ruhumuzun

Heykelini Dikerken, 27-8)

Shpirti i besimit dhe Islamit

Sipas Fethullah Gylenit, njeriu, që nga dita që është krijuar e deri më sot ka arritur të përftojë e të gjejë lumturinë dhe paqen vetëm në saje të besimit të tij fetar. Aty ku nuk ka fe, është e pamundur të flitet për veti morale e shpirtërore, sikurse është dhe shumë e vështirë të flitet për paqe e lumturi. Sepse burimi i moralit dhe i karakterit është ndërgjegjja dhe e vetmja gjë që mund të ketë pushtet mbi ndërgjegjen, është lidhja e individit me Zotin, feja.

Feja është ekoli më i bekuar, më i frytshëm, e hapur në emër të moralit dhe virtyteve. Dhe pasues i këtij ekoli është pa dallim i gjithë njerëzimi. Ata që ndjekin këtë ekol janë të destinuar të gjejnë qetësinë, lumturinë e paqen shpirtërore. Kurse ata që parapëlqejnë të rrinë jashtë saj, janë ata që humbin gjithçka, madje edhe karakterin e tyre.

Feja është tërësia e parimeve hyjnore që me vullnetin dhe lirinë shpirtërore udhëheq njerëzit drejt mirësisë dhe përsosmërisë. Feja është titulli i Njohjes dhe njësimit të Zotit, përftimit të dëlirësisë shpirtërore në rrugën e Tij, rregullimit të marrëdhënieve me njerëzit dhe shoqërinë në emrin e Tij dhe nën urdhrat e Tij, si dhe dashurisë, lidhjes e interesimit me gjithë ekzistencën, në emër të Tij.

Feja është ajo që përcakton vlerat e larta si nderi, virtyti e kombi. Feja është ai burim i bekuar nga ku gurgullojnë principet e qytetërimit. Në sajë të besimit njerëzit arrijnë përsosjen morale e shpirtërore, përmes saj vështrimet perceptojnë botët metafizike dhe përmes saj mbërrijnë në burimet kryesore të mirësisë, bukurisë, përsosmërisë e virtytit. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 29-31)

Në një tjetër artikull në lidhje me fenë, Fethullah Gylen e trajton këtë temë nga këndvështrimi i mentaliteteve të gabuara, duke bërë edhe një krahasim të fesë me dijen. Sipas autorit, njëri aspekt i pasionit ndaj të vërtetës është dija, tjetri është feja. Në relacionet e njeriut me ekzistencën, nëpërmjet perceptimit dhe ndërgjegjësimit të tij, nga njëra anë qëndron përcaktimi dhe zbulimi i së vërtetës, nga ana tjetër qëndrimi që do të manifestohet përballë tyre. Aspektin e parë e përcakton dija dhe burimet e fesë. Kurse e dyta përcaktohet tërësisht nga besimi fetar. Feja është një tërësi dijesh, me gjithë burimet e diturisë që përfshin në tërësinë e saj. Kështu që me përkufizimet e saj të qarta, ajo është njëkohësisht edhe një udhëheqëse e pagabueshme në temat që e tejkalojnë kufirin e shkencës, por edhe një dinamikë e rëndësishme dhe një faktor parësor në kërkimin e të vërtetës. Vetëm se, sikurse është i mundur shterpëzimi dhe kufizimi i mendimit, duke e futur shkencën në kallëpet e rrymave, doktrinave e teorive të ndryshme, të cilat janë të afta të hedhin sipare mbi të vërtetën, të gjenerojnë konflikte e të largohen kështu nga ideali i dijes, ashtu edhe feja, e cila është një e vërtetë qiellore, mund të kthehet në një vegël urrejtjeje, dhune e hakmarrjeje në duart e fanatikëve, larg nga e vërteta e nga qëllimi i saj.

Fethullah Gylen beson kështu: “Sado që të ndryshojë formë bota, sado që të zhvillohet shkenca e dija, sado që të ndryshojë perceptimi e mendimi njerëzor, ndjenja fetare gjithmonë ka për të qenë faktori kryesor në metodën shkencore dhe ideore të botës, në lindjen e zhvillimin e qytetërimeve të reja dhe në rrugën e njerëzimit drejt së përsosurës. Si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndikimi i besimit fetar dhe i forcës së tij magjepsëse në pjesën më të madhe të globit, është i padiskutueshëm.” (Günler Baharı Soluklarken. 88-89)

Gyleni e cilëson një gabim të madh atë që ndodh sot, përpjekjen e gjithanshme për të përmbushur dëshirat materiale, duke mos marrë parasysh se ajo që pret njerëzimi dhe gjërat për të cilat ai ka nevojë janë të lidhura me urinë shpirtërore dhe morale. Sipas tij, përpjekjet tona për të shuar urinë morale e për të plotësuar nevojat shpirtërore me gjëra materiale, janë të njëjta me përpjekjen për të shuar etjen me ujë deti. Kurse ajo që qëndron në themelin e urisë dhe etjes shpirtërore të gjithë njerëzimit, është largimi i tij nga shpirti i besimit të vërtetë, nga shpirti i Islamit. Ajo që nënkupton Gyleni me shpirtin islam, “nuk është shpirti i Islamit sot, të cilit ia kemi mjegulluar shkëlqimin hyjnor, ia kemi humbur magjepsjen me vlerësimet, këndvështrimet dhe idetë tona, por ai shpirt islam i Epokës së Lumturisë, të cilin ende disa shpirtra të pastër e ndiejnë më së miri. Pikat në të cilat e përshkruan Gyleni këtë shpirt Islam, i cili shkrin cilësitë individuale e sociale në enën e vet duke u dhënë atyre formën ideale, mund t’i rendisim si më poshtë:

Një manifestim i të drejtës, drejtësisë, barazisë e sigurisë mbarëbotërore, i lidhur drejtpërsëdrejti me Zotin.

Qëndrimi pranë të drejtës, ruajtja e të drejtës dhe respektimi i saj, pa e bërë atë vegël të dëshirave e interesave materiale. - Mospranimi i dhunës dhe mospërkulja para dhunës e krimit.

Pranimi dhe manifestimi i drejtësisë si një mënyrë jete sociale, familjare e individuale. Veprim me drejtësi, mendim me drejtësi dhe përpjekje për të qëndruar gjithmonë brenda kornizave të drejtësisë dhe ndershmërisë.

Një mënyrë jetese e lidhur fort me kriteret e drejtësisë, ruajtjes të së drejtës së tjetrit me po atë ndjeshmëri, ndoshta edhe më tepër, me të cilin ruan e respekton të drejtën tënde.

Një qëndrim i hapur ndaj dallimeve racore, fetare, familjare e shoqërore.

Refuzim i strukturave nepotike dhe i pushtetit të një klase të vetme në çdo unitet shoqëror e jetësor.

Mbështetje e aftësive individuale dhe e sukseseve të ndryshme, krahas këtyre edhe refuzimi i çdo monarkizmi në aspekte të ndryshme.

Përqafimi me të njëjtën ngrohtësi e dashamirësi i çdo individi të shoqërisë.

Vlerësim i barabartë i nevojave dhe aspiratave të secilit dhe mbrojtja e barazisë së secilit në çdo kusht.

Pranimi si burim i çdo të keqeje si dobësi e mjerim i shpirtit dhe forcimi i vullnetit individual dhe pastrimi nga ligësitë me besim, njohje të Zotit dhe mirësi.

Një vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë jetë e konceptim të lumturisë personale vetëm nëpërmjet lumturisë të të tjerëve.

Rezistenca ndaj mungesave, padrejtësive dhe mosdorëzimi përballë vështirësive.

Dashuri e mirësi për këdo e në çdo kohë.

Respektim e tolerancë ndaj çdo mendimi.

Një jetë e përkushtuar në rrugën e përsosmërisë dhe çdo çast e çdo hap i hedhur në përputhje me këtë ideal.

Pranimi i të qenurit rob i Zotit, duke mohuar kështu çdo lloj robërie; robërisë ndaj dëshirave, ndaj pushtetit, ndaj famës e çdo lloj robërie tjetër që e poshtëron dhe e mjeron karakterin njerëzor. (İslam Ruhu, Yeni Ümit, Prill-Maj-Qershor 2000)

Disa aspekte të tjera në konceptin islam të Gylenit

Sikur jemi munduar ta paraqesim edhe më sipër, Fethullah Gylen, në konceptin e Islamit prioritetin ia jep përmasës shpirtërore të besimit, kryesisht imanit, pastrimit të shpirtit nga mëkatet deri në purifikimin e tij, ngopjes me dituri fetare, shkurtimisht ringjalljes shpirtërore dhe ndriçimit të mendjes me shkencë e dije, bashkimi i të cilave do të nxjerrë në pah një mënyrë jetese të ndërgjegjësuar dhe një aktivitet të bazuar në vetëdije. Edhe komponentët e tjerë të konceptit të tij ndaj Islamit janë të bazuara në këto principe. Në këtë prizëm, subjekti të cilit ai i jep më shumë rëndësi, është konceptimi më së miri i besimit dhe i adhurimit të Zotit. Në këtë konceptim, çdo rob Zoti e ka për detyrë ta njohë Atë, të hulumtojë për njohjen e Tij më së miri, të formojë një kulturë ndërgjegjësore të vetën dhe të jetë i vetëdijshëm për adhurimin e tij. Kjo gjë është e mundur vetëm me dorëzimin total të krijesës te Krijuesi, duke e kuptuar ndërvarësinë e vet absolute para Pushtetit Absolut të Zotit dhe duke u ndërgjegjësuar se vetëm duke iu mbështetur këtij Pushteti, mund të arrihet një farë force e aftësie personale. Gjithashtu, duke kuptuar pamundësinë e vet përballë Pasurisë dhe Zotërimit të Tij Absolut, njeriu do të ndërgjegjësohet se është i varur tërësisht nga Krijuesi dhe do të konceptojë domosdoshmërinë e adhurimit dhe të falënderimit për gjithçka që ai ka.

a. Konceptimi i njësisë së Allahut duke konceptuar adhurimin

Lidhja e Zotit me robin e Tij në Islam është ndryshe nga fetë e tjera. Ai që i bëhet rob Zotit duke kuptuar tejvogëlsinë e vet përballë Atij, e duke iu mbështetur pushtetit e pasurisë së Tij, arrin të shpëtojë nga çdo lloj robërie tjetër. Duke adhuruar Zotin ai mohon përuljen përpara lloj-lloj robërish të tjera që cenojnë lirinë dhe personalitetin e njeriut, siç janë përulja para dëshirave dhe epsheve, përulja para famës, pushteteve kalimtare dhe të tjera si këta. Kështu njeriu i shpëton inferioritetit dhe arrin në një tjetër nivel. Pikërisht, kjo është një pikë mbi të cilën Gyleni qëndron shumë. Në shumë shkrime dhe intervista të tij, ai i kthehet herë pas here dhe e trajton me delikatesë të veçantë këtë çështje. Më poshtë do të japim një bisedë të tijën, botuar edhe si libër më vonë, ku ai sërish trajton këtë çështje:

“Alvarli Efe thoshte kështu për njeriun: “më e madhja bela është ajo që ka shastisjen në thelb.” Në ditët tona, si myslimanët, si ata që zbulojnë rishtazi myslimanizmin, se pse, drejtohen menjëherë në arenë politike. Mirëpo të gjithë problemet nisin te “uni” dhe mbarojnë te “uni”. Njeriu është pasqyra më tërësore e Zotit, në të cilën janë reflektuar të gjithë atributet e Tij. Ndaj edhe njeriu, domosdo që ka marrë edhe nga shprehja “Unë”, e përdorur nga Allahu dhe kjo është reflektuar te ai në formën e egos. Vetëm se “uni” i njeriut nuk është një “unë” i krijuar nga ai vetë, pra i pavarur, që i përket drejtpërsëdrejti njeriut. Ai “unë” është një linjë aq e dobët, një pikë aq e paqartë, sa mund të shprehet me hiç; një zero. Vetëm se në këtë zero pasqyrohen të gjithë emrat hyjnorë të Eternit. Nëse njeriu i di prej Zotit gjithçka posedon, forcën, jetën, vullnetin, dijen, bukurinë, shkurt gjithë ai ç’ka në emër të së mirës e të vlefshmes dhe e sheh vetveten si një pasqyrë e tejdukshme e Krijuesit, si një zero, atëherë ky njeri arrin në shkallën më të lartë në hierarkinë e krijesave (alai il’lijjin). Me forcën e Zotit, bëhet i fortë, pasurohet me pasurinë e Tij, dëshiron me vullnetin e Tij dhe njeh me diturinë e Tij. Duke qenë zero, arrin pafundësinë…

“Në të kundërt, nëse njeriu shastiset në thelb dhe në vend që ta përdorë egon si njësi matëse, e si vlerë për të njohur Allahun, merr gjithë ç’i ka dhuruar Krijuesi, jetën, forcën, pasurinë, aftësitë, talentet e sukseset dhe matet me Të në një konkurrencë pa sens “Ti je Ti, unë jam unë”, atëherë egoja forcohet; ndjenja e përkatësisë në një shoqëri, fis, profesion apo çfarëdo grupi e fryn atë aq shumë, saqë është në gjendje ta gëlltisë të zotin. Më pas, ai njeri, kërkon qenie, të vërteta apo imagjinare me të cilat mundohet të ndajë pushtetin e Zotit, duke i krijuar vetvetes lloj-lloj idhujsh e perëndish. Historia tregon qartë për faraonë, nemrudë e Ebu Xhehilë, që i gëlltiti kjo ego e sëmurë dhe e fryrë, sikurse tregon edhe për idhuj e perëndi, që adhuroheshin, të cilat kishin dalë në dritë si një simbol i kësaj egoje të sëmurë. Ditët tona, natyrës e ligjeve të saj i është veshur një aftësi krijimi dhe ajo degë e shkencës e cila ushqen këtë teori, nuk është veç një tentativë e egove për të ndarë pushtetin mbi pronat e Zotit. Si përfundim, në burimet dhe zgjidhjet e të gjithë problemeve që dalin në çdo aspekt të jetës, sociale, politike dhe ekonomike, gjenden vetitë e cilësitë e egos, pastaj, të para nga ky prizëm, edhe njohja e Zotit dhe e krijimit.

“Ajo që i takon njeriut, është të njohë karakterin e vërtetë të egos, të kuptojë dobësinë e pamundësinë e qenies së tij në vetvete, t’i drejtohet Fuqisë e Vullnetit Absolut dhe të besojë se gjithçka është në vullnetin e Tij. (Unal 2001,104-106)

Në këtë aspekt, Fethullah Gylen trajton me një delikatesë të posaçme edhe “modestinë, thjeshtësinë dhe sjelljen”. Sipas tij, një besimtar duhet ta ndiej gjithnjë veten “asgjë” para Allahut, duhet të jetë gjithmonë modest, edhe me Zotin, edhe me njerëzit dhe duhet të ndihet gjithmonë i përulur para Zotit për mëkatet, gabimet dhe neglizhencat e veta. Të tillët janë ata që edhe para Zotit, edhe para njerëzve, arrijnë nivelet më të larta. Kurse prepotentët e mendjemëdhenjtë, edhe bjerren para njerëzve, edhe dënohen nga Zoti.

Modestia është manifestimi i pjekurisë dhe virtytit të individit, kurse arroganca është treguesi i nivelit të tij të ulët. Lartësimi i njeriut arrihet me modesti dhe modestia njihet kur pozita, posti, pasuria e dituria, të cilat janë gjëra që e rrisin njeriun në sy të popullit, nuk e ndryshojnë atë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 109-110)

b. Pëlqimi i Zotit, Pastërtia shpirtërore, sjellja konform vull-

netit të Zotit, njohja e Tij pa asnjë lloj dyshimi, Besnikëria dhe

b. Besueshmëria

Linjat themelore të konceptimit Islam të Fethullah Gylenit, në një tjetër aspekt, formohen nga Pëlqimi i Zotit, Pastërtia shpirtërore dhe mënyra e jetesës konform vullnetit të Zotit. Pëlqimi i Zotit ka dy aspekte. Çdo veprim, sjellje e punë ka vetëm një qëllim, pëlqimin e Zotit dhe nuk mund të mendohet asnjë qëllim tjetër përveç këtij. Ky është njëri aspekt dhe njëkohësisht një prej themeleve më të rëndësishëm të adhurimit. Për çdo besimtar kjo është një çështje përsosmërie. Për të arritur në këtë stad, fillimisht duhet një përkushtim e qëllim i fortë dhe i pastër, pastaj duhet purifikimi nga çdo interes vetjak e nga dëshirat materiale, duke u ngjitur gjithmonë pas idealeve të larta morale e shpirtërore dhe ç’është më i rëndësishëm, një aktivitet moral e mendor i pandërprerë, me të cilin mbushen hojet e mendimit për ta njohur Krijuesin sa më mirë. (Fasıldan Fasıla, 1:90; 2:30)

Një tjetër aspekt i pëlqimit të Allahut është njohja e Allahut si Zot, e Islamit si fe dhe e Muhamedit si profet, si dhe kënaqësia e pëlqimi për ta. Pra, pranimi me qetësi shpirtërore i çdo vendimi e gjykimi që merr Zoti për ne, dashuria për Të, respekti i paanë për Të dhe ndërgjegjësimi për të kërkuar e pritur gjithçka prej Tij; për sa i përket të Dërguarit, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), është i domosdoshëm pranimi i tij si profet, dorëzimi i mendjes, logjikës e gjykimit në urdhrin e tij dhe sa i përket Islamit, është e domosdoshme që ai të jetë jeta jonë. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:49-50)

Pastërtia shpirtërore është mënyra e jetesës drejt, pastër, kthjellët, larg hipokrizisë dhe çdo gjëje që mund të turbullojë zemrën, si dhe adhurimi me një besnikëri specifike, pastërti ndjenjash dhe vendosmëri mendimi, duke i mbajtur larg ndjenjat e kësaj bote në relacionin tonë me Zotin. Me një fjalë tjetër, pastërtia shpirtërore në adhurim është tërheqja e individit prej çdo gjëje tjetër, përveç bindjes, plotësimit të urdhrave të Zotit e mirësisë, ruajtja e sekretit në relacionin me Zotin dhe kryerja e çdo vepre me vetëdijen se i paraqitet Atij. Gjithashtu, pastërtia shpirtërore imponon kryerjen e çdo detyre dhe përgjegjësie vetëm duke përmbushur urdhrin e Zotit, duke synuar pëlqimin e kënaqësinë e Tij dhe duke e pritur shpërblimin vetëm prej Tij. (po aty)

Sjellja konform vullnetit të Zotit është një tjetër temë e ndjeshme në konceptin Islam të Gylenit, i cili i jep gjithnjë përparësi aspektit moral e shpirtëror. Me përcaktimin e tij për sjelljen konform vullnetit të Zotit, ai sjell një përkufizim të ri, më të gjerë se të mëparshmit për takvanë. Sipas tij, takvaja, ose sjellja konform vullnetit të Zotit, është dydimensionale, sikurse dhe Islami. Nga njëri dimension, Islami është emri i fesë të cilën Allahu e përsosi dhe e dërgoi për njerëzimin me profetin e Tij, Muhamedin, që njerëzit ta pranonin e ta zbatonin me vullnetin e tyre të lirë. Nga ana tjetër, çdo krijesë tjetër, përveç krijesave të vetëdijshme si njerëzit e xhindët, është myslimane në aspektin e bindjes ndaj Zotit, adhurimit dhe mënyrës së ekzistencës dhe përmbushjes së përgjegjësive në përputhje të plotë me urdhrat e Tij, pa treguar as devijimin më të vogël. Kështu, Islami është tërësia e normave dhe e rregullave hyjnore, pra feja, edhe e gjithë qenieve të tjera, përveç njerëzve e xhindëve. Sikurse Zoti ka vënë ligje e rregulla për besimin, mënyrën e adhurimit, moralin e jetën shoqërore të njeriut, po ashtu, Ai ka vënë rregulla e ka krijuar norma edhe për funksionimin e kozmosit dhe tërësinë e natyrës. Këto norma janë ligjet e fizikës, kimisë, astronomisë e biologjisë, shkurt “shkencat pozitive”, të cilat në terminologjinë islame quhen “sheriati tekvinije” (ligjet e gjithësisë) ose “sheriati fitrije”- ligjet e natyrës. Në këtë sens, takvaja, ose sjellja konform ligjeve të Zotit, hyrja nën mbrojtjen e Tij, duke përmbushur urdhrat e Tij e duke u larguar nga ndalesat e Tij, është ngushtësisht e lidhur me njohjen dhe zbatimin tërësor të këtyre normave. Rrjedhimisht, sjellja konform vullnetit të Zotit, është sjellja me përpikëri konform ligjeve që Ai ka vendosur. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:74-79)

Njohja e Zotit, pa asnjë dyshim, në terminologjinë Islame shprehet me “jakin”. Si term, ky përfshin arritjen e një njohjeje dhe dije absolutisht të saktë, pa as edhe një fije dyshimi. Në themelet e imanit, “jakini” shpreh njohjen, pranimin e ndjenjën e ekzistencës e njësisë së Zotit, pa as edhe një fije dyshimi dhe njësimin e kësaj ndjenje me qenien njerëzore për të arritur kështu në horizontin më të skajshëm të dijes dhe ndërgjegjes, e cila është një pikë më tej pikave të arritura nga burimet e dijes, ekzistencës me enigmat e saj dhe rrugëve të zbulimit të së vërtetës. (po aty. 1:171-2)

Njohja e Zotit pa asnjë dyshim (jakini), është një cilësi shumë e rëndësishme, që e vendos besimin në të njëjtën platformë me dijen, duke mos e ndarë atë me kufij decizivë, dhe duke mos e trajtuar besimin thjesht si një imitim e lidhje, pa pasur nevojë për konceptimin thelbësor të së vërtetës, sikur ndodh në doktrinat e tjera fetare apo sikur e konceptojnë disa rryma moderne të mendimit. Besimi pa dyshim, i arritur me kërkim e me dije, shpreh besimin në të gjithë principet, në dritën e mendjes, të fakteve, evidencave, observimeve dhe shpalljes. Kurse besimi i shprehur “ajnel jakin”, i cili shpreh një besim të një stadi edhe më konkret, sikur e percepton dhe e sheh me sy, është një mënyrë besimi, të cilin mendimi modern nuk e njeh. Ky lloj besimi shpreh arritjen në njohjen e Allahut me perceptimin e ndjenjave të brendshme, me zbulimin e zemrës e të shpirtit, duke i çuar ata në një pafundësi njohjeje, larg përshkimit me fjalë. Kurse shkalla më e lartë e besimit, e shprehur me “hakkal jakin”, është ajo shkallë ku besimi shfaqet pa perde mendimi e imagjinate, përshkruhet si konceptimi i principeve e të vërtetave pa sipar, madje pa cilësi, tej mendimit, atje ku i krijuari e humb veten dhe egon në aspektin kohor e gjendet pranë Krijuesit. (Kalbin Zümrüt Tepeleri,1;174-5)

Shkurtimisht, njohja, e cila është një nga pikat më të rëndësishme të themelit Islam, që nuk i lë hapësirë imitimit, injorancës, fanatizmit e absurditetit është njëkohësisht edhe një gur kilometri në konceptin islam të Fethullah Gylenit.

Gyleni i jep rëndësinë e duhur secilit kusht të Islamit, në raport të drejtë me vendin që zënë ata në Islam. Në këtë aspekt, ai trajton në mënyrë të veçantë besnikërinë dhe ndershmërinë, si dy tipare të pandara të Islamit, të cilat kërkojnë një interes të veçantë në ditët tona. Të dy këto tipare janë nga tiparet karakteristike të Profetit tonë e të mbarë profetëve. Besnikëria dhe drejtësia janë akset e profetësisë. Vetë profetësia sillet në orbitën e besnikërisë dhe drejtësisë. Çdo fjalë që del nga goja e profetit ka atraksionin e së drejtës me vete. As edhe një çast i tij nuk mund të mendohet larg të drejtës. Duke treguar për madhërinë e disa profetëve, Kurani Famëlartë, i paraqet ata me anë të atributeve të tyre më spikatëse (shih Merjem, 41,54,56,57. Jusuf, 46). Si mund të mendohet që një profet të jetë larg nga e drejta, kur Zoti në Kuran kërkon drejtësi e ndershmëri nga të gjithë njerëzit dhe i lavdëron dhe i lartëson ata që zotërojnë këto cilësi. (shih: Tevbe, 119; Huxhurat, 15; Ahzab, 23), (Dritë e Pashuar, 1:99-100)

Besnikëria është karakterizimi i së drejtës në sjellje, ndjenjë, fjalë e mendime të njeriut dhe kërkimi e respektimi i drejtësisë në çdo dukuri të jetës individuale e sociale, që nga shpallja e dëshmisë, gjer te shakaja më e thjeshtë. Padyshim që drejtësia është rruga më e saktë e më e përsosur për të arritur Të Drejtin Sublim, shpirti i çdo vepre të mirë dhe kriteri më i pagabueshëm i çdo opinioni. Drejtësia është kriteri që ndan besimtarin nga hipokriti, parajsën nga ferri… Kurse besnikëria është përpjekja e tij e gjithanshme për të përsosur sjelljen e mendimin dhe për të arritur harmoninë e shpirtit me materien. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1-123)

Besueshmëria, është gjithashtu një tjetër cilësi spikatëse profetike. Ajo ka rrënjë të njëjtë me besimin dhe përfshin besnikërinë e të qenit i besueshëm në çdo aspekt. Besimtari është njeriu besnik, i cili nuk e njeh tradhtinë. Profetët janë njëkohësisht edhe kulmi i besimit, edhe maja më e lartë e besnikërisë dhe e drejtësisë. Kurani i Shenjtë e thekson këtë veçori të tyren në disa ajete, për shembull në suren Shuara, ku tregohen njëra pas tjetrës historitë e pesë profetëve: Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit dhe Shuajbit, veçoria e parë e tyre që theksohet në Kuran, është qenia e tyre “profet i besuar”. (Shuara, 107, 125, 143, 162, 178)

Mu’min-i besuar, është termi origjinal për besimtarët, po është njëkohësisht edhe një prej emrave të Allahut. Arsyeja e këtij atributi të Allahut është se Ai është burimi i besimit. Edhe besimi dhe besnikëria jonë, tek Ai e kanë burimin. Nga Ai rrjedh besimi, herë pikë-pikë e herë si një ujëvarë. Ai i ka nderuar profetët me cilësinë e besimit dhe Ai i ka lartësuar ata në pozitën e besnikërisë. Ndaj janë këto cilësi, pra, drejtësia, besueshmëria e besnikëria që na lidhin me profetët dhe vetë profetët me Zotin. Dhe kjo lidhje është ura në relacionin krijesë-Krijues. Gjithë këto kuptime janë të shtjelluara brenda termit “besnikëri” dhe kuptimi i tyre më së miri mundëson edhe kuptimin më së miri të temës. Muhamedi Besnik, ishte njëri nga emrat e Profetit tonë, cilësia më spikatëse e të cilit ishte besnikëria. Po ashtu për Xhebrailin, i cili i përcolli Kuranin Profetit tonë, cilësia më spikatëse është besnikëria. Ja, këto janë dhe burimet e sigurta të cilat kanë përcjellë Kuranin te ne... (Dritë e Pashuar, 1: 174-6)

c. Adhurimi, lutja dhe morali

Islami e ka themelin në besim; edhe cilësitë që përmendëm më lart, si cilësitë kryesore të botëkuptimit islam të Gylenit, rrjedhin nga besimi, bazohen në besim dhe janë rezultat ose fryt i besimit. Në Islam, pas besimit, renditet adhurimi; besimi, bashkë me thellimin në mendim, zhvillohet në tokën e adhurimit, aty piqet dhe aty jep fryte. Rrjedhimisht, ashtu sikur nuk mund të mendohet besimi pa adhurim, ashtu edhe adhurimi pa besim nuk mund të ketë kuptim. Besimi dhe adhurimi janë ata që e lartësojnë potencialin njerëzor drejt të përsosurës dhe treguesi i kësaj është lartësia morale. Profeti Muhamed ka thënë: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin e virtytet morale.” Pra, misioni i profetëve është që njerëzit të njohin Zotin, t’i besojnë e ta adhurojnë Atë më së miri dhe rrjedhimisht, të plotësohen me cilësitë më të mira e të meritojnë të qenurit njeri. Nga ky aspekt, të gjithë ata që lexojnë artikujt e Gylenit apo kanë rastin të dëgjojnë bisedat e tij do ta shohin drejtpërsëdrejti ndjeshmërinë e tij në temën e adhurimit, sidomos në kushtet e Islamit siç janë falja, agjërimi, zekati e haxhi, pastaj lidhjet e tyre me cilësitë virtuale të njeriut. Edhe lutja, e cila në një farë mënyre është emri tjetër i adhurimit të Zotit, rëndësia e së cilës theksohet vazhdimisht nga Gyleni. Në paralelizëm me ajetin “O i Dërguari im, thuaj, çfarë rëndësie do të kishit po të mos ishte lutja juaj?” (Furkan, 77), Fethullah Gylen e trajton lutjen në çdo aspekt, duke i dhënë një rëndësi të veçantë.

Fethullah Gyleni shprehet kështu:”Adhurimi është një mënyrë falënderimi në gjuhën përkatëse, për të gjitha mirësitë që i janë dhënë njeriut, si ekzistenca, jeta, ndërgjegjja, mendja e besimi. Ndërsa mungesa e adhurimit, ndoshta nuk është një verbëri absolute, po padyshim është një mosmirënjohje e rëndë”, duke theksuar se adhurimi është një rrugë dhe mënyrë përsosmërie, të cilën Krijuesi, i cili na ka urdhëruar besimin, për të siguruar me të lumturinë në të dy botët, e shpalos bujarisht përpara nesh. Për sa i përket atyre që nuk e kanë gjetur këtë rrugë, ata do ta kenë të vështirë të gjejnë edhe atë lumturi. Sipas Gylenit, shpirtrat e konsumuar me teori materialiste në rrugën drejt së vërtetës, edhe po të jetojnë një jetë të tërë në mes të ligjëratave më marramendëse e në klimën e fjalëve më fantastike, nuk do të arrijnë të përparojnë as edhe një grimë. Sepse adhurimi është ai burim i bekuar që nxjerr në dritë mendimin pozitiv, bukurinë e mirësinë e shpirtit të njeriut dhe ai eliksir i mistershëm që frenon animin e shpirtit nga ligësia, duke i dhënë atij një nocion engjëllor. Ai njeri që shkon disa herë në ditë te ai burim, me gjuhë e me mendje, numërohet si një njeri që e ka gjetur mbrojtjen prej kurtheve të egos dhe ka hyrë në rrugën drejt përsosmërisë.

Fethullah Gylen e përmend besimin bashkë me veprën dhe i quan të pashkëputshëm nga njëri-tjetri, duke e konsideruar veprën një reflektim të besimit në jetën e përditshme. Gyleni e përshkruan besimin si një “besim solid në parimet e detyrueshme që duhen besuar,” kurse adhurimin e trajton gjithashtu në aspektin e besimit dhe bën këtë vlerësim për të: “Një besimtar mund të jetë vetvetja dhe mund të njësohet me unin e tij vetëm me anë të adhurimit. Edhe shprehja e Kantit që Zoti nuk mund të njihet me mendim teorik, Ai mund të njihet vetëm me mendim praktik, nuk është veçse një thënie ndryshe e këtij realiteti. Një njeri që nuk e ka bërë adhurimin pjesë karakteristike të natyrës së vet dhe nuk është thelluar në të, është gjithmonë i prirur për të devijuar e për të humbur rrugën e tij… Në këtë aspekt, të rinjtë e ndriçuar të shekullit XX e XXI duhet të drejtohen me adhurimin e tyre nga teorikja në praktiken. (Fasıldan Fasıla, 3:132-3)

Në konceptin e tij islam, Gyleni trajton duke i dhënë një rëndësi të veçantë të qenit i dobishëm për njerëzit. Sipas tij, adhurimi më i vyer është njohja dhe dashuria për Allahun, plotësimi i detyrës së adhurimit ndaj Tij dhe të qenit i dobishëm për njerëzit. Në këtë aspekt, maja kulmore arrihet duke e mbajtur pusullën e pagabueshme të ndërgjegjes gjithmonë në drejtimin e Zotit dhe pëlqimit të Tij, kërkimi e përpjekja për të gjetur idealen si besimtar dhe veprimi nën parimin “Bëhu i drejtë, ashtu sikurse je urdhëruar!” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 101-2)

Gjëja e parë që nënkuptohet me adhurimin është namazifalja. Në Islam falja është kuptuar gjithmonë si vija që ndan besimin me mosbesimin dhe është trajtuar gjithmonë me rëndësinë përkatëse. Thuajse në të gjithë shkrimet e bisedat e tij, Fethullah Gylen, e sjell fjalën te falja, duke tërhequr vëmendjen te thelbi i saj, i cili e bën atë më të rëndësishmin e adhurimeve dhe duke theksuar cilësinë e saj përfshirëse të të gjithë adhurimeve të tjera. Sipas tij, falja është miraxhi i besimtarit, mbartësja dhe drita e tij, thesari e pishtari i zemrave të përkushtuara, afrimi te Zoti dhe rruga për te Ai, stacioni më i afërt për udhëtarin e të përtejmes, kufiri me sublimen...

Sikurse falja, edhe zekati e haxhi janë forma të adhurimit të cilat Fethullah Gylen i trajton veçanërisht; sidomos shkrimet e tij për faljen janë të një karakteri të veçantë. (Sizinti, Qershor 1994)

Fethullah Gylen e përshkruan Islamin si një institucion të përbërë kryesisht nga besimi, adhurimi, morali dhe sjellja.

Duke tërhequr vëmendjen te lutja, ai shkruan: “Lutja është një thirrje, një përgjërim nga i vogli te i madhi, nga poshtë lart, nga toka dhe tokësorët drejt qiellit e përtej tij. Një hapje e shpirtit, një kërkesë, një lutje. Ai që lutet është i ndërgjegjshëm për vogëlsinë e vet dhe madhësinë e Atij që i drejtohet. Kur hap duart dhe i drejtohet të Gjithëpushtetshmit, me modesti e me bindje, se do gjejë përgjigje, ai së bashku me gjithë çka përreth, transferohet në një atmosferë qiellore dhe e gjen veten në mes të engjëjve. Me një përkushtim të tillë, besimtari hyn në rrugën drejt përmbushjes së dëshirave të tij, edhe ndihet i sigurt nga shqetësimet e frikët e veta, sepse vendi ku është mbështetur, kështjella ku është strehuar, është më e sigurta.

Gyleni vendos në themel të lutjes respektin për Allahun, besimin dhe dorëzimin në forcën e Tij, bindjen se pushteti i Tij arrin gjithçka dhe një rrëfim të sinqertë të gjendjes individuale. Në lutje, në një farë sensi, njeriu pohon se “Sidoqoftë Zoti i di të gjitha gjendjet e njeriut, po lutja është një deklaratë modeste e krijesave në derën e Tij” Ne paraqesim dëshirat tona në praninë e Zotit dhe i drejtohemi derës së Tij, koordinatës sonë të përjetshme, duke shpalosur gjendjen tonë shpirtërore e duke i hapur zemrën. Ose duke heshtur fort, se ashtu e kërkon “etika e pranisë”, duke përjetuar një qetësi e prehje të tillë, që për disa, në raport me sinqeritetin e puritetin e tyre, është më shprehëse se çdo fjalë e më e qartë se çdo deklaratë. Sidoqoftë Zoti i di gjithë çfarë kemi për të thënë, prandaj në lutje thelbësorja është më e rëndësishme se fjala.

Sipas Gylenit, lutja përfshin gjithë sensin e adhurimit dhe mund të jetë si me fjalë, ashtu edhe me vepër. Lutja me vepër, ose lutja aktive, është përpjekja për të kryer gjithë ç’duhet për të arritur qëllimin. Bota është vendi i shkaqeve dhe i qëllimit në krijim. Për shembull, punimi i tokës dhe mbjellja e saj nga bujku, ose marrja e medikamentit nga i sëmuri, është një lutje aktive. Kjo lloj lutjeje, përgjithësisht pranohet; vetëm nëse vullneti i Krijuesit është në një kah tjetër. Megjithë punën e kryer, mbjellja e tokës mund të dështojë ose i sëmuri mund të mos shërohet. Këtu vullneti hyjnor ka dëshiruar një përfundim tjetër, i cili ka në thelb ndoshta një sprovë, ndoshta një dënim. E rëndësishme është që punimi i tokës, mbjellja e farës, si dhe kërkimi i shërimit nga mjeku specialist, përmes mjekimit përkatës, që konsiderohet lutje aktive, të mos jenë pengesë që njeriu të hapë duart e të lutet me fjalë për atë që dëshiron; përkundrazi, lutja me fjalë dhe lutja me vepra janë dy aksione që duhen bërë së bashku.

Jo gjithmonë njeriu mund të gjejë përgjigje të menjëhershme pas lutjes së tij me fjalë. Nëse lutja e njeriut që përmbush gjithë kushtet dhe pastaj lutet sinqerisht është në të mirë të tij, atëherë Zoti mund t’ia përmbushë atë menjëherë. Po nëse gjëja për të cilën ai lutet nuk është në të mirën e tij, atëherë Zoti nuk ia përmbush atë; ose ia jep atë më vonë, atëherë kur është në të mirën e tij, ose e lë përmbushjen e kësaj lutjeje në botën e përtejme. Atëherë shpërblimi që ai do të marrë në jetën e përtejme për këtë lutje është shumë më i madh se ai që do të merrte në këtë botë. Kjo gjendje i ngjan gjendjes së një sëmuri, i cili kërkon të pijë ujë. Po nëse uji është në dëm të gjendjes së tij, plotësimi i kësaj kërkese është në dëm të tij. Si në këtë rast, Zoti nuk i plotëson çdo dëshirë njeriut, po i plotëson ato që janë në të mirë të tij. “Nuk është e drejtë që ta kuptojmë përmbushjen e lutjes sonë si plotësim i çdo dëshire që kemi,” thotë Gyleni në lidhje me këtë temë dhe e vazhdon kështu shpjegimin e tij: “Shpeshherë ne e ngushtojmë kornizën e dëshirave tona duke i parë ato vetëm në prizmin e të sotmes dhe të asaj që njohim, duke lënë pas dore lidhjen tonë me të nesërmen. Po kështu, mund të mos na kenë rënë në sy edhe shumë faktorë të tjerë. Kurse Ai, bazuar në gjithëdijen e Tij pafund, i përgjigjet kërkesave tona në mënyrë shumë dimensionale, duke marrë parasysh gjendjen tonë dhe të çdo krijese tjetër, të sotmen, të ardhmen e të përtejmen, hap e çliron ato momente kur ne shtrëngohemi në lidhje të kësaj bote e të përtejmes. Ai na ndriçon të tanishmen, po pa na errësuar të ardhmen, pa i shuar dritat e sotme e pa na e mbuluar të nesërmen me errësirë. Ai na ofron mirësi e mëshirë, por pa ia shmangur këto të tjerëve. Ai i përgjigjet çdokujt e çdo gjëje me përgjigjet më të thella, na e bën të qartë në një mënyrë ose në një tjetër se i dëgjon lutjet tona dhe i merr në konsideratë dëshirat tona dhe i jep botës sonë shpirtërore frymëzimet më të jashtëzakonshme, përtej imagjinatës sonë.

Fethullah Gylen e vlerëson periudhën e artë të historisë turke si rezultat i lartësimit shpirtëror dhe atij moral, duke i trajtuar këto dy faktorë si themelet e çdo ringjalljeje të vërtetë. Gjithashtu Gyleni thekson se duke iu robëruar materies, njeriu është rrëzuar nga froni që i takon, si krijesa më e nderuar dhe i ka bërë lëmsh të gjitha vlerat humane.

Në aspektin e besimit, njohjes, dashurisë dhe potencialit shpirtëror, Gyleni e sheh njeriun në një pikë tej engjëllores, ndaj dhe e trajton dashurinë për njeriun si një shprehje të rëndësishme të relacionit me Krijuesin. Në këtë sens, njeriut i duhen rikthyer me çdo kusht ato vlera të larta që materializmi ia ka shkatërruar, në krye të të cilave janë virtyte si besimi, dashuria, pastërtia shpirtërore, drejtësia, ndershmëria, mbajtja e fjalës, guximi civil, respekti për të tjerët dhe lidhjet shpirtërore. (Yeşeren Düşünceler, 184-9)

Sipas Gylenit, morali përfshin disa nga kriteret më të larta të sjelljes së njeriut, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me lartësinë shpirtërore. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit që nuk kanë lidhjet e duhura me shpirtëroren e tyre, e kanë shumë të vështirë të manifestojnë vlera të larta morale. Virtyti që i jep vlerë diturisë, sipas Gylenit, është pikërisht morali. “Të jesh njeri dhe të jesh dijetar janë dy gjëra të ndryshme, shprehet ai. Një dijetar arrin të bëhet njeri i lartë e të shpëtojë nga barra e dijenive të tij vetëm atëherë kur me dijen e tij hyn në shërbim të njerëzimit dhe manifeston njohuritë e tij me moralin e virtytet e veta. Në të kundërt, ai nuk është veç një i mjerë që e ka çuar jetën e vet dëm. Sepse vetëm morali e virtyti janë të aftë ta kthejnë në flori hekurishten e injorancës.”

“Edhe nëse mashtrohesh, mos mashtro asnjëherë”, vazhdon Gyleni. “Edhe pse shpesh mund të bëhet shkak që të humbësh, mos u ndaj asnjëherë nga drejtësia e vendosmëria, sepse janë virtytet më të larta”

Fethullah Gylen mbron norma morale e humane të ndryshme nga ideologjitë moderne të moralit laik, moralit social dhe etikës. Ai thekson vlerat që e lartësojnë njeriun nga pozita e tij si potencial njerëzor drejt lartësisë së njeriut të përsosur dhe pohon se themeli i këtyre vlerave është besimi. Në këtë koncept morali nuk është “një tjetër”, sikur shprehet në teoritë moderne të moralit. Në këtë koncept ka vëllazëri, bile më tej. Në shoqërinë humane, e cila në Kuran përmendet si “një kështjellë e derdhur në plumb” dhe në hadithe “një trup i vetëm”, “tjetri” nuk është veçse vetvetja. Parimi i Profetit “Nuk mund të jetë mysliman i përsosur ai që nuk kërkon për vëllain e vet atë që kërkon edhe për vete” ndoshta duhet të jetë parim për të gjithë njerëzimin. Kurse ajeti “Edhe pse kanë nevojë për vete, ata preferojnë së pari vëllezërit e tyre” (Hashr, 9) tregon më së miri cilësitë e një besimtari të vërtetë. Dhe këto cilësi përbëjnë edhe themelin e konceptit moral të Gylenit.

Me përcaktime të tilla: “Të sakrifikosh interesin vetjak për interesin e të tjerëve është e mundur veç me një shpirt të lartë e me burrëri. Ata që bëjnë mirë pa menduar interesin e përfitimin e vet, do të stepen nga habia dhe mrekullia kur të gjenden para gjithë punëve e mendimeve të mira, pikërisht atëherë kur nuk e presin.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 154-5) Gyleni e thekson vazhdimisht këtë shpirt përkushtimi. Parimi i të jetuarit për të dhënë jetë dhe vendosja e jetës së tjetrit në boshtin e jetës personale janë për Gylenin dritare nga të cilat mund të njihet e vlerësohet më së miri karakteri i tij. Të njëjtin karakter e paraqet edhe kjo fjalë e tij: “Sikur një pemë që rritet e bleron duke u mbështetur me qëndrueshmërinë e forcën e rrënjëve të saj, ashtu dhe njeriu lartësohet e arrin në qiej për sa kohë që lë pas dore interesin vetjak, egoizmin dhe jeton për dobinë e të tjerëve.”

Fethullah Gylen cilëson si një prej parimeve morale më të rëndësishme falënderimin e mirënjohjen ndaj të mirave të Krijuesit me mirësi të të njëjtit lloj. Për sa kohë që kjo ndjenjë mirënjohjeje është e gjallë, një shoqëri vazhdon ekzistencën e saj në planin individual, familjar, social e shtetëror. Formalizmi në mirësi nuk ka ndonjë rëndësi parësore. Kjo mirësi mund të jetë qetësi, paqe, siguri e begati, po mund të jetë fare mirë edhe zhvillim në fushat shkencore e teknike. Të gjitha, pasuria, pozita, pushteti, dituria, frymëzimi material e shpirtëror, janë një mirësi e Krijuesit ndaj njeriut. Kur individi dhe shoqëria janë të ndërgjegjshëm ndaj këtyre mirësive dhe vazhdojnë të falënderojnë e të jenë mirënjohës për ta, duke përmbushur edhe përgjegjësinë që këto mirësi ngarkojnë, do të thotë se ata vazhdojnë ta meritojnë këtë mirësi e të jenë të denjë për të. Po kur këta parametra ndryshojnë, atëherë edhe gjendja e tyre ndryshon. (Fasıldan Fasıla, 2: 26-7)

Sipas Fethullah Gylen të gjitha vlerat reale humane, ndjenjat, mendimet dhe forca e karakterit janë si një kartë krediti që ka vlefshmëri në çdo vend. Sipas tij, sikur vlerësimi dhe shpërblimi i Zotit, që është sipas atributeve dhe epiteteve të Tij, ashtu edhe mirënjohja e njerëzve është sipas epiteteve të tyre. (Fasıldan Fasıla, 2:130)

Parimet e tjera të Gylenit në lidhje me virtytin mund të renditen pak a shumë kështu:

Virtyti është gjendja shpirtërore ku edhe lëvdata e merituar nuk ka ndonjë vlerë, kurse krenaria është të presësh lëvdata edhe kur nuk ke merita.

Të gjithë ata që përkujtojnë me respekt por edhe vlerësojnë si duhet ata që e meritojnë, patjetër një ditë do të përkujtohen e do të vlerësohen edhe vetë.

Të njohësh vetveten është largpamësi, kurse të shohësh vetveten është verbëri. Ai që e njeh vetveten njihet edhe nga Zoti, edhe nga njerëzit; kurse ai që sheh vetveten, largohet nga të gjithë, përveç egos së vet.

Virtyti zë vend edhe në një shilte mes njerëzve, kurse mendjemadhësinë nuk e zënë dot as kolltukët madhështorë. Nëse mendjemadhësia është një kube e kthyer mbrapsht, virtyti është vetë qielli i zbritur në horizont.

Injoranca të çon në mendjemadhësi, kurse urtësia në virtyt. Mendjemadhësia është pjella e keqe e injorancës, kurse virtyti është biri fisnik i urtësisë. Mendjemadhësia imponon vartësi kurse virtyti, liri e barazi…

Arroganca sillet e vetme dhe kërkon të ngjashëm me veten. Kurse virtyti është mes njerëzve, mes popullit, i qetë se është mes të bashkëmatëshmve. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 93, 156-7)

d. Relacionet dhe sjellja me njerëzit.

Cilësitë të cilave Fethullah Gylen u jep më tepër rëndësi në marrëdhëniet me njerëzit, janë dashuria, toleranca, mirëkuptimi dhe mënyra e jetës në dobi të njerëzimit. “Njeriu, në marrëdhëniet me njerëzit dhe në sjelljet e tij pozitive dhe negative, duhet të marrë si kriter veten e vet dhe çdo veprim duhet ta masë me të; gjërat që i pëlqejnë për vete duhet t’i dëshirojnë edhe për të tjerët dhe ai nuk duhet të harrojë asnjëherë se ato që nuk janë të pëlqyeshme për të nuk janë të pëlqyeshme as për të tjerët.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 111), shprehet Gyleni dhe thekson se njeriu duhet të përpiqet gjithmonë që të gjejë mënyrën që t’i bëjë mirë të tjerëve. “Mos qorto asnjeri pse nuk u soll njerëzishëm, por kujto rastet që ke humbur për t’u sjellë ti njerëzishëm!” këshillon ai dhe përsërit se përsosmëria e njeriut del në pah më së miri kur ai edhe ndaj njerëzve që i kanë bërë keq, sillet me njerëzi e mirësi, pa cenuar ndershmërinë e karakterit të vet. Sepse të bësh keq, është një cilësi jonjerëzore, kurse t’i përgjigjesh ligësisë me ligësi, është një mungesë dhe deficit i rëndë i karakterit njerëzor. Ndërsa t’i përgjigjesh edhe ligësisë me mirësi, është një cilësi e burrërisë dhe e lartësisë së karakterit njerëzor. Nëse njeriu e sheh bamirësinë e vet si diçka të vogël, po mirësinë e të tjerëve e trajton dhe e vlerëson seriozisht, atëherë ai njeri ka fituar cilësitë e njeriut të përsosur, thotë Gyleni duke e konsideruar mosvërejtjen e gabimeve të të tjerëve si një nga vetitë më të mira të karakterit njerëzor.

Sipas tij: “të kërkosh të gjesh të metat e njerëzve, është mungesë edukate, të flasësh për ta lart e poshtë, është një e metë e pafalshme, ndërsa t’ia thuash tjetrit në sy gabimet e ligësitë, është një goditje e rëndë mbi zinxhirin e vëllazërisë që i mban njerëzit të lidhur me njëri-tjetrin. (po aty, 112) Në vazhdim të kësaj Gyleni vazhdon tej: “Të qenit i vlefshëm për njerëzit nuk ka kufi. Një individ i devotshëm mund t’ia përkushtojë jetën aq shumë të tjerëve sa mund të jetë i gatshëm të sakrifikojë për ta edhe shpirtin.” (po aty)

Fethullah Gylen i trajton marrëdhëniet me njerëzit dhe parimet morale në themel të këtyre marrëdhënieve gjithë delikatesë, por ai i jep një rëndësi të veçantë respektimit të së drejtës së njëri-tjetrit dhe të vijës Islame të të lejuarës dhe të ndaluarës në këto marrëdhënie. “Feja është vepër; në tërësi me të lejuarat e të ndaluarat e saj” përsërit shpesh Gyleni. Ai është shumë i përpiktë në çështjen e të drejtave reciproke. Në vitet e shkollës, Gyleni, ende fëmijë, merr borxh një shumë të pakonsiderueshme parash nga një mjeshtër që riparonte minaret. Po mjeshtri largohet nga Erzurumi para se Gyleni të gjente para për të shlyer borxhin. Për vite me radhë ai e kërkon mjeshtrin qytet më qytet dhe më në fund e gjen, ia lan borxhin dhe i jep edhe dhurata, duke i kërkuar t’ia bënte hallall vonesën e borxhit. Një njeri kaq i ndjeshëm në këto pika, patjetër që i këshillon të njëjtën përpikëri edhe audiencës së vet. Sipas tij, një njeri që nga njëra anë flet për të drejtat, po nga ana tjetër ka mundësi për ta shlyer, po nuk e lan borxhin, nuk i shlyen të drejtat që kanë të tjerët mbi ta, nuk është veçse një mashtrues. Një njeri që ka mbi vete hakun e dikujt tjetër, është i detyruar të kërkojë shlyerjen e tij nga ai. Nëse ky hak rrjedh nga ndonjë e folur pas krahëve, shpifje a gënjeshtër qoftë, shlyerjen mund ta bëjë vetëm duke folur sy më sy me personin e cenuar. Nëse rrjedh nga një obligim monetar a material, duhet shlyer që në mundësinë e parë.

Ndër të drejtat reciproke, Gyleni i jep një rëndësi të veçantë

të drejtës së prindërve. Sipas tij, në kohën tonë fatkeqësisht, haku i prindërve është haku që neglizhohet më tepër mes myslimanëve. Ndërkohë nëna e babai janë dy qenie të shenjta që meritojnë respektin më të madh. Njeriu që harron të drejtat e tyre, harron edhe të drejtën e Zotit. Që në fillimet e krijimit të tij, kur është ende një krijesë e vogël, njeriu rritet e zhvillohet në krahët e prindërve dhe është gjithmonë në ngarkesën e tyre. Në këtë aspekt është e pamundur të përcaktohet dashuria e mirësia e prindërve ndaj fëmijës së vet, sikurse është e pamundur të numërohen shqetësimet dhe telashet e tyre në lidhje me të. Në këtë sens, respekti dhe dashuria për ta, është edhe një detyrë, edhe një borxh i njerëzve. Kurani e trajton të drejtën e prindërve në të njëjtën vijë me të drejtën e Zotit dhe të Dërguarit të Tij.

“Kur shoh moskokëçarjen e njerëzve për prindërit e tyre por edhe braktisjen e të drejtës së tyre, bëhem dyfish i dëshpëruar nga trishtimi,” shprehet Gyleni. Ata që ia dinë vlerën nënës e babait dhe i shohin ata si një mishërim i rrugës për te mëshira e Zotit, janë njerëzit më fatlumë edhe në këtë botë, edhe në tjetrën. Kurse ata që e shohin praninë e prindërve si një rëndesë dhe iu vjen rëndë t’i përfshijnë në jetën e vet, nuk janë veçse ca të pafat, të destinuar të zvarriten gjatë. Respekti që tregon njeriu për prindërit është në një farë sensi tregues i respektit të tij për Zotin; ata që nuk kanë respekt për ta nuk kanë as respekt e dashuri për Zotin. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 150; Fasıldan Fasıla, 3-104, 105)

Fethullah Gylen i jep kaq shumë rëndësi të drejtës së prindërve, sa trajton gjithashtu me shumë delikatesë edhe të drejtat e fëmijëve dhe ndër të tjera, shprehet kështu në lidhje me këtë temë:

Njeriu që në krijim, është krijuar së bashku me shokun e tij të jetës. Periudha gjatë së cilës ai është i vetëm, është aq e shkurtër sa nuk merret në konsideratë. Kështu, njeriu i krijuar që në pikënisjen e krijimit bashkë me bashkëshortin e vet, tregon se sa natyrale dhe karakteristike është martesa për njeriun. Dhe qëllimi më i natyrshëm i martesës është shtimi i familjes.

Nëna dhe babai kanë të drejtë ta quajnë fëmijën “biri ynë”, për aq sa ata bëjnë për rritjen dhe edukimin e tij të virtytshëm, ndaj edhe ata prindër që neglizhojnë fëmijët e tyre e harrojnë se janë prindër, nuk kanë si ta meritojnë këtë të drejtë. Aq më tepër ata që i mësojnë fëmijës rrugët e ligësisë e të keqes, por edhe ata që e distancojnë atë nga njerëzorja...

Prindërit që edukojnë një fëmijë me cilësi dhe ideale të vlefshme për vete dhe për njerëzit, i dhurojnë shoqërisë një komponent të mrekullueshëm, të vlefshëm në të ardhmen. Kurse ata që bëjnë të kundërtën dhe lënë pas dore ndjenjat e tij humane, fusin në shoqëri jo më tepër se një parazit të rëndomtë.

Edhe një pemë, apo një gjallesë çfarëdo, zhvillohet e riprodhohet për sa kohë që trajtohet dhe tregohet kujdes. Po njeriu, i cili dërgohet në këtë botë me lloj-lloj aftësish e talentesh, a nuk e ka të drejtën të gëzojë trajtim e përkujdesje, të paktën sa një pemë…

Ah, njeri! Ti e sjell atë fëmijë në këtë botë. Ndaj është detyra jote që ta lartësosh atë edhe në botët tejqiellore. Sikur kujdesesh e dridhesh për shëndetin e trupit të tij, ashtu duhet të kujdesesh e të dridhesh edhe për zemrën e shpirtin e tij; ndaj mëshiroje, për hir të Zotit, shpëtoje atë të pafajshëm. Mos lejo të shkatërrohet e të shkojë dëm... (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 153-14)

Një krahasim i konceptit të Islamit të Gylenit me konceptin e Islamit ideologjik

a. Besimi

Në konceptin Islam të Gylenit, besimi ka zënë gjithmonë vendin kryesor. Sipas një dijetari të madh të kohës, Bediuzzaman, besimi nuk është i kufizuar me një pohim përmbledhës e të mësuar përmendësh, ai ka zbërthimin e vet që nga një bërthamë e deri te pema e rritur e hurmës, ka shkallët e veta që nga shëmbëlltyra e diellit, në një pasqyrë në dorë, deri te pasqyrimi i tij në valët e detit, duke arritur gjer te dielli vetë. Besimi ka gradët e nivelet e veta, si dhe të vërtetat e tij të lidhura me një mijë e një emra hyjnorë; me kushtet e tjera të besimit e me realitetin e gjithësisë. Besimi është më i epërmi i diturive, më i pafundmi i njohjeve e më i larti i niveleve të përsosmërisë njerëzore. Ai është njohje e ndërgjegjësim i shenjtë që bazohet në faktet dhe të vërtetat e veta. Një besim i bazuar në imitim e përsëritje, thyhet me shumë lehtësi përballë dyshimeve. Kurse besimi i bazuar në kërkim e vërtetim, ka shkallët e nivelet e veta dhe pasqyrohet me çdo emër hyjnor. Ata që arrijnë në nivelin e të besuarit pa ndërmjetësi, sikur e shohin gjithçka me sytë e tyre, janë ata që e lexojnë gjithësinë si të jetë Kuran. Kurse ata që arrijnë besimin sublim, besimin e vërtetë, janë ata që edhe ushtritë më të ndryshme të dyshimit nuk mund t’i ndikojnë aspak. (Emirdağ Lahikasi, 103-4)

b. Koncepti moral e shkencor dhe koncepti ideologjiko-politik.

Sikur jemi përpjekur ta theksojmë edhe më lart, Fethullah Gylen e sheh Islamin kryesisht si një sistem besimi që merr në konsideratë më së pari zemrën, shpirtin e mendjen dhe vendos mandej në themel të tij besimin, adhurimin, moralin dhe veprën. Kurse lëvizjet islame ideologjiko-politike, ndonëse i japin rëndësi besimit, adhurimit e moralit, e kërkojnë shkakun e paqartësive të botës Islame të dy-tre shekujve të fundit kryesisht në arenën politike, ekonomike e sociale. Duke kërkuar shkaqet e lëkundjeve në këtë arenë, ata kanë menduar se edhe ringjallja duhet të jetë po këtu. Rrjedhimisht, edhe pse i pranojnë pa dyshim edhe subjektet e tjera të Islamit, e trajtojnë atë kryesisht si një sistem ideologjik, politik, ekonomik e social. Kurse për Fethullah Gylenin, rënia e dy-tre shekujve të fundit rrjedh nga erozioni i vlerave morale, mjerimi shpirtëror dhe problemet serioze në aspektin e besimit e të adhurimit. “Problemi ynë kryesor nuk është shkatërrimi i një perandorie, thotë ai. Problemi ynë është falimentimi ynë në aspektin shpirtëror. Është shumë e dhimbshme që drejtuesit e shtetit nuk kanë arritur ta kuptojnë këtë dhe nuk po e kuptojnë ende.” Pastaj, duke analizuar këtë pikë, shton: “Sado që të zbukurohet e të mbushet me simbole triumfi çdo cep i një vendi, nëse ai është rrëzuar në planin shpirtëror e moral, këto nuk kanë asnjë vlerë. Një botë, e cila nuk është ngritur mbi triumfin shpirtëror e moral, nuk është veçse një lojë në dorën e dhunës dhe forcave të errëta. Një kulturë që nuk zhvillohet në atmosferën e vlerave të saj, nuk është veçse një shtrigë që i zë rrugën njerëzimit; njerëzit që rriten në të tilla vende, nuk janë veçse fatkeqë të verbuar që sorollaten pa gjetur një rrugëdalje.”

“Njeriu i fortë dhe triumfator është ai njeri që arrin të mundë vetveten. Ata shpirtra të mjerë që nuk kanë shpëtuar nga robëria e egos dhe e pasioneve të liga, edhe po të gllabërojnë në dorë gjithë botët, numërohen të humbur. Të tillët, edhe nëse e sundojnë botën nga fundi në krye, nuk quhen triumfatorë dhe nuk kanë asnjëherë jetëgjatësi e hise të tyre në vendet që pushtojnë. Ushtria e Merzifonlusë ishte mundur në vetvete, para disfatës së saj në Vjenë... Jëlldërëm Hani nuk u mund në Çubuk, ai ishte mundur ditën që nënçmoi armikun e pandehu se ishte sovran i botës... E sa e sa të tjerë... Kurse Tariku nuk triumfoi kur kaloi kollonat e Herkulit dhe me një grusht trima mundi ushtrinë 90.000 vetëshe të Spanjës. Ai triumfoi atëherë kur në Toledo, para thesareve e pasurive të mbretit, nën flatrat e shpirtit të vet të entuziazmuar, tha: “Kujdes, Tarik! Dje ishe skllav, sot triumfator, po nesër do të jesh nën tokë!”

Nuk triumfoi Javuzi, i cili e shihte botën tepër të vogël për të pasur dy sovranë mbi të, ata ditë kur tundte botën me ushtrinë e tij dhe as kur shkëmbente kurorat me mbretër. Triumfi i tij ishte menjëherë pas fitores së Ridanijes, kur kishte ardhur gjer në dyert e Stambollit si perandor i vetëm i botës islame dhe nuk kishte hyrë në qytet menjëherë. Ai kishte pritur gjersa populli i tij të flinte, që të mos marramendej prej brohoritjeve e duartrokitjeve me të cilat do ta prisnin. Triumfator ai ishte bërë kur kishte lënë amanet që ta varrosnin të mbështjellë me pelerinën e stërpikur me baltë nga këmbët e kalit të mësuesit të tij... (Sizinti, Korrik 1983)

Duke marrë parasysh këto ndryshime në pikënisje, në mentalitetin ideologjiko-politik të Islamit jeta individuale Islame e personit nuk trajtohet dhe aq. Në plan të parë për këtë botëkuptim të Islamit është që të fitohen sa më shumë njerëz në lëvizje, kurse Fethullah Gylen ka një perspektivë shumë të ndryshme. Radhët e mëposhtme janë të mjaftueshme për të na dhënë një ide rreth pikënisjes dhe perspektivës së tij islame.

“Ata që i përvishen punës për të ndrequr botën, duhet të ndreqin së pari vetveten. Së pari duhet ta nisin nga bota e tyre e brendshme, duhet ta pastrojnë atë nga inatet, urrejtja e smira; pastaj duhet të ruajnë botën e jashtme nga çdo lloj veprimi të papërshtatshëm, që të jenë një shembull për gjithë ata që kanë përreth. Mesazhet që japin përreth ata njerëz që nuk e kanë veten nën kontroll e nuk kanë triumfuar ende mbi botën e tyre të ndjenjave, sado vezullues të jenë, nuk zgjojnë dot emocione në shpirt, edhe nëse zgjojnë, ato emocione nuk kanë për të ndikuar gjatë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 208)

Kjo çështje ka rëndësi të veçantë. Islami, nga njëra anë nuk është si Hebraizmi, në të cilin me kalimin e kohës aspekti që i përket kësaj bote ka fituar më tepër rëndësi, po nuk është as si Kristianizmi, në të cilin spikat ana mistike dhe përfaqësohet institucionalisht me Kishën. Kurani Famëlartë urdhëron kështu: “O ju që keni besuar! Kur i Dërguari i Allahut (me shpalljen e Allahut) ju thërret në gjërat që ju japin jetë, bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” (Enfal, 24). Pra, Islami ka ardhur për t’i sjellë jetës jetë. Po thelbësore në këtë “jetë për jetën” janë parimet e besimit, kryesisht besimi në njësinë absolute të Zotit, kushti bazë ky për të gjitha parimet e tjera. Dijetari i shquar mysliman, Imam Gazaliu, në veprën e tij “Fajsalu Tefrika”, e trajton besimin në tre kategori kryesore: besimi në Zotin, besimi në botën e përtejme dhe besimi në të Dërguarit e Zotit. Besimi në të Dërguarit e Zotit përfshin vullnetin e njeriut dhe besimin në librat e shenjtë, besimi në destinitet dhe në vullnetin e Zotit përfshihet në besimin në Zot, besimi në engjëjt është pjesë edhe e besimit në Zot, edhe e besimit në të Dërguarit e Tij. Bediuzzaman Said Nursi i rendit temat kryesore të Kuranit dhe anasjelltas, themelet e Islamit si “tevhid-njësia e Zotit, bota e përtejme, profetësia dhe adhurimi e drejtësia”. (Isharatul Ixhaz, 12)

Këto janë parimet e Islamit, të cilat emërtohen “metodatusul”. Të gjithë profetët, pa përjashtim, kanë pasur në themel të misionit të tyre këto katër tema, mbi të cilat më vonë kanë ndërtuar parimet e adhurimit si: faljen, agjërimin, dhënien e një pjese të posaçme të pasurisë (zekat) e vizitën në Mekë (haxhin). Pas këtyre vijnë normat e tjera morale dhe ndalesat e të lejuarat (haram-hallall), siç janë: mirësia maksimale ndaj prindërve, përmbushja e të drejtës së të afërmve, të varfërve dhe njerëzve pa përkrahje, ekuilibri mes shpërdorimit e koprracisë, mosvrasja e fëmijëve dhe distancimi nga çdo lloj krimi, distancimi nga imoraliteti, pija, lojërat e fatit; mosprekja e mallit të tjetrit, mbajtja e fjalës, braktisja në çdo rast e gënjeshtrës, mostradhtimi i porosisë dhe mirëbesimit, ruajtja e ndershmërisë në çdo lloj marrëdhënieje me njerëzit, braktisja e veseve si inati, smira, dashakeqësia, thashethemet e fjalët pas shpine, mosbërja hile asnjëherë, në peshë e matje, heshtja kur dituria nuk mjafton, modestia e thënia e fjalës më të mirë. Kurani i lavdëron besimtarët duke theksuar pikërisht këto cilësi të tyret të mira. (13:20-22; 21:49; 23:1, 5,8,11,57,61; 25:63-75; 42:36-39; 32:15-16; 39:9; 51:17-18; 53:32; 73:1-4,6-7; 74:1-5; 76:7-10)

Islami është një besim brenda jetës, që e përfshin atë, ndaj padyshim që ka edhe përmasat sociale, ekonomike e administrative. Aq më tepër që ai ishte besimi i qytetërimeve dhe shteteve të mëdha për 14 shekuj me radhë. Sidomos gjatë profetësisë së Muhamedit (a.s.), periudhës së Medinës dhe periudhës së Katër Kalifëve, megjithëse besimi ishte vendimtar në çdo episod të jetës, nga ana funksionale vihet re një ndarje detyrash. Të bazuar në parimet e misionit të Profetit Muhamed, sipas ajetit 151 të sures Bekare, detyra e mësimit dhe e komentimit të Kuranit i ishte ngarkuar dijetarëve dhe specialistëve të shkencave pozitive, kurse edukimi i tyre moral i ishte besuar rrymave shpirtërore. Në këtë spektër shohim se dijetarët dhe liderët shpirtërorë ishin përkushtuar në studime dhe në mësimin dhe edukimin e njerëzve dhe njëkohësisht ishin këshilltarët e kritikët e administratorëve në emër të Islamit e të lumturisë së njerëzve. Duke tërhequr vëmendjen në këtë pikë Bediuzzamani bën një shpjegim shumë qartësues mbi arsyen pse Kalifati nuk i mbeti Ehli Bejtit (Familjes së Profetit)

“Salltanati i kësaj bote është mashtrues. Ndërsa Ehli Bejti kishte detyrë të mbronte të vërtetat Islame dhe Normat Kuranore… Salltanati i kësaj bote nuk i përshtatet Ehli Bejtit, ai bëhet shkak që ata të harrojnë detyrën e tyre parësore, mbrojtjen e besimit dhe shërbimin ndaj Islamit. Vetëm kur e kanë braktisur salltanatin ata kanë arritur t’i shërbejnë Kuranit dhe Islamit në mënyrë të përsosur.

Ja, shiko! Të gjithë të mëdhenjtë e botës shpirtërore që rrjedhin nga Hz. Hasani, veçanërisht Abdulkadir Gejlani e të mëdhenjtë e tjerë, që janë quajtur yjet e shpirtërores, si dhe ata që rrjedhin nga Hz. Husejni, si Zejnelabidini e Xhaferi Sadik, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme si prijës të botës shpirtërore, duke shpërndarë errësirën me nurin e vet dhe duke përhapur anekënd të vërtetat e besimit. Ata kanë treguar më së miri se janë pasuesit e gjeneratës më të lartësuar, të Profetit Muhamed, por edhe se janë trashëgimtarët e mirëfilltë të Tij. (Mektubat, 100)

Ata që e shohin Islamin nga aspekti i politikës dhe shtetit, duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë një teme që mund të keqkuptohet dhe keqinterpretohet lehtë. Këto lëvizje, të bazuara në politikë dhe ideologji, do të hasin shumë vështirësi në ruajtjen e puritetit Islam, nëse nuk i japin rëndësinë e duhur ndriçimit të mendjes dhe zemrës, thellimit në përkushtim, njohjes dhe dashurisë së Allahut. Por edhe triumfet politike, ekonomike e ushtarake, nuk mund të kenë jetëgjatësi nëse nuk përpunohen me intelekt e me ndjenjë, derisa të marrin formën e një qytetërimi të mirëfilltë mbi dhé. Triumfet ushtarake të Xhengizit e të Aleksandrit janë shembulli më i mirë në këtë temë. Kurse nga ana tjetër, triumfet e bëra në kohën e Sahabeve-bashkëkohësve të Profetit, Tabiinëve-brezit pasardhës dhe Tebei Tabiun-një brez më pas, të mbështetura e të ushqyera nga aktiviteti më i pashoq i dijes dhe spiritualitetit në histori, kanë vënë themelin e njërit prej qytetërimeve më mahnitëse të njerëzimit dhe Islami është vendosur në ato vise përjetësisht. Nga ky aspekt, në përhapjen e ruajtjen e Islamit, si dhe në shërbimin e tij, roli i shtetit dhe i pushtetit ka qenë përgjithësisht dytësor, madje për sa kohë që kushtet nuk e kanë detyruar me domosdoshmëri, edhe përdorimi i forcës nuk është përkrahur asnjëherë. Nga ana tjetër, roli i lëvizjeve shpirtërore e skolastike ka qenë gjithmonë parësor, ashtu sikur dhe shërbimet e bëra në këtë fushë, kanë qenë gjithmonë të përhershme. Gjatë gjithë historisë Islame, të gjithë dijetarët, rinovuesit dhe liderët shpirtërorë kanë ndjekur këtë rrugë dhe janë tërhequr nga politika. Parimi Kuranor: “Për sa kohë që një popull nuk e ndryshon vetveten, as Allahu nuk e ndryshon gjendjen e tyre” (Ra’d, 11) dhe principi profetik “Si të jeni vetë, ashtu edhe drejtoheni” (El-Hindi, 6:89) ka qenë gjithmonë busulla e tyre, ndaj ata janë përpjekur vazhdimisht për formimin moral, intelektual, fetar dhe adhurues të njeriut dhe kanë punuar për përsosmërinë e tij individuale në çdo aspekt.

c. Një tjetër dimension i rëndësishëm doktrinor

Kjo temë ka një dimension doktrinor që merr një rëndësi të veçantë në ditët tona.

Pas betejës së Bedrit, Profeti Muhamed mbledh shokët e vet dhe këshillohet me ta për metodën që do të ndiqnin me robërit e luftës. Hz. Ebu Bekri thotë: “O i Dërguari i Zotit, ata të gjithë janë paria e fiseve të veta. Sado që kanë bërë të këqija pambarim, si ndaj jush, ashtu edhe ndaj Islamit, nëse ne i falim ata, do të fitojmë edhe zemrën e tyre, edhe zemrën e të gjithë Mekasve.”

Kurse Hz. Omeri mendon ndryshe: “O i Dërguari i Zotit, këta janë paria e vendit të tyre, ndaj nëse i vrasim këta, të gjithë hipokritët do ta mësojnë mirë se nuk kemi drojë prej tyre e nuk

do të guxojnë të na dalin më ndër sy.”

Profeti pranon mendimin e Ebu Bekirit dhe thotë:

“Ej, Ebu Bekri, ti je si Profeti Ibrahim. Ai i lutej Zotit për popullin e tij rebel me këto fjalë: “Kush ndjek rrugën time e më bindet mua, ai është me mua, po kush nuk ndjek këtë rrugë e rebelon… padyshim o Zot, që Ti je shumë mëshirues e fal mëkatet. (Ibrahim, 36). Po ashtu, ti ngjan edhe me Isain (a.s). Ai lutej kështu: “O Zot, nëse ti i dënon, nuk kam se ç’të them; ata janë robërit e Tu. Po nëse Ti i fal ata, padyshim se Ti je Zot i madhështisë dhe pushtetit të pafund dhe gjithçka e bën me një urtësi hyjnore që nuk ka shembull” (Maide, 18)

Më pas, Profeti i drejtohet Omerit dhe i thotë kështu:

“Kurse ti, Omer, je si profeti Nuh, i cili iu lut Zotit kështu për popullin e vet (i cili e kishte përgënjeshtruar dhe ishte në mosbesim për 950 vite me radhë): “O Zoti im, shfarosi të gjithë mosbesimtarët nga faqja e dheut, mos lër as edhe një të vetëm, përndryshe ata sërish do të shumohen si jobesimtarë.” (Nuh, 26). Gjithashtu ti i ngjan profetit Musa, i cili ishte lutur kështu (për faraonin e parinë e tij). “O Zot, shkatërroja pasuritë e shtrëngoja zemrat, se ata nuk besojnë pa e parë atë ndëshkim me sy.” (Junus, 88).

Kjo ngjarje e rëndësishme manifeston njëkohësisht edhe një realitet spikatës në emër të Islamit. Kështu, misioni i Profetit Muhamed, detyrat që ai ka përmbushur e periudha që ka jetuar është fryt i misioneve të gjithë profetëve paraardhës, i misioneve të njerëzve të tjerë të mëdhenj që kanë marrë përsipër përgjegjësi të ngjashme, si dhe një bërthamë e gjithë aktiviteteve në emër të besimit që janë bërë e do të bëhen në kohë e kushte të ndryshme. Në misionin e Profetit Muhamed është e mundur që të shihet përmbledhja e gjithë profetëve, të paktën të atyre emri i të cilëve përmendet në Kuran, si dhe misioni i atyre figurave, që ndonëse nuk kanë qenë profetë, ia kanë kushtuar jetën e tyre një shërbimi të tillë. Secili prej tyre përfaqëson pjesërisht misionin e tij tërësor Islam. Po kështu, edhe misionet e tilla individuale apo shoqërore pas periudhës së Profetit Muhamed, mund të përfaqësojnë vetëm njërën, ose diçka më tepër prej dimensioneve të shpalljes Islame.

Edhe misionet e profetëve para Profetit Muhamed kanë qenë të kufizuara qoftë me një popullsi apo me një periudhë kohore të caktuar, ndaj dhe karakterin e atyre profetëve e cilëson në një farë mënyre karakteri i misionit të tyre. Dy prej karaktereve më të rëndësishme të këtyre misioneve përfaqësohen, njëri nga Profetët Nuh dhe Musa, e tjetri nga Profetët Ibrahim dhe Isa. Në karakterin e misionit të Nuhut (a.s.) dhe Musait (a.s.), për vetë kushtet e kohës, vendit e shoqërisë ku jetonin, dilte në plan të parë sjellja pak më e ashpër, kurse në misionin dhe karakterin e Ibrahimit (a.s.) dhe Isait (a.s.), del në plan të parë butësia, dhembshuria, falja e mëshira. Që të dy këto mënyra sjelljeje, padyshim që kanë për qëllim edukimin e njerëzve dhe lartësimin e tyre drejt së përsosurës.

Populli i Profetit Nuh u përfshi aq shumë në ligësi e mosmirënjohje, sa për 950 vite me radhë as i dhanë përgjigje pozitive thirrjes që i bëhej për besim dhe as që menduan ta ndryshonin sjelljen e tyre për mirë. (Nuh, 71). Edhe oligarkia e faraonit, nuk ishte ndryshe prej tyre. Edhe pse Zoti ia tërhiqte vëmendjen herë pas here me tufane, reshje karkalecash e bretkosash dhe fatkeqësi të tilla të ndryshme, ata çdo herë shkonin te profeti Musa, duke premtuar se sapo të kalonte fatkeqësia, do të besonin e do të silleshin në rrugë të mbarë, e megjithatë vazhdonin rrugën e tyre të mohimit dhe të moslirimit të izraelitëve. (A’raf, 133-5). Edhe pse në besimin dhe rrugën e Zotit mëshira, bamirësia, butësia e falja janë themelore, lutja që mund të bëhet për një popullsi si ajo e profetëve Nuh dhe Musa, që këmbëngul në mohim e ligësi, nuk mund të jetë ndryshe, veçse si lutja e këtyre profetëve dhe ata ashtu u lutën.

Kështu, në religjionin e Allahut mëshira, dashuria, bamirësia e falja kanë qenë gjithmonë thelbësore. Edhe bërthama e religjionit, “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”, paraqet më së pari atributet e mëshirës dhe bamirësisë së Zotit, duke theksuar kështu edhe dy cilësitë kryesore të besimit. Të gjithë profetët e hershëm, edhe dy përfaqësuesit më kryesorë të tyre, Ibrahimi dhe Isai, ashtu si dhe vula e profetësisë, Muhamedi (a.s.), i cili është dërguar si mëshirë për gjithë ekzistencën, kanë manifestuar kryesisht këtë aspekt parësor të besimit. Kështu edhe Fethullah Gylen, në kohën tonë, që emërtohet ahirzaman-epoka e fundit, ku qytetërimet janë ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe kanë dalë më në pah konceptet, qoftë edhe teorike si liritë themelore, të drejtat e njeriut, toleranca e respekti për njeriun, mbështet idenë e marrëdhënieve me njerëzit në kuadrin e dialogut dhe mirëkuptimit reciprok, ose me të tjera fjalë, nxjerrjen në pah të anëve të përbashkëta të shpirtit islam e muhamedan e të shpirtit të besimeve të përfaqësuara nga profetët Ibrahim dhe Isa (paqja qoftë mbi ta!).

Veçanërisht në ditët tona, kur feja është larguar nga shpirti e thelbi i saj dhe është shndërruar në një grumbull traditash e ceremonish, kur nuk jetohet as individualisht, po është bërë vegël e interesave materiale të shtyra nga përqendrimi në këtë botë duke lënë pas dore të përtejmen, në një kohë kur edhe kasta e dijetarëve e klerikëve është prishur dhe e ka bërë Librin mjet të ardhurash, duke ndërruar normat e shenjta me praktika e komente sipas qejfit e duke e këmbyer fjalën e Zotit me një përfitim të vogël të kësaj bote (Ungjilli sipas Mateut, 23:2-8-13-15-16-23-26-27-29-31),fjalët e Hz. Isa, në misionin e të cilit përpikëria e besimit, dashuria, bamirësia, toleranca e mirëkuptimi mes njerëzve janë aspektet më kryesore, janë shumë të rëndësishme për ta kuptuar më mirë këtë çështje.

E keni dëgjuar se njerëzve të hershëm u është thënë “Nuk do të vrisni” dhe “Kush vret, do të meritojë ndëshkimin”. Po unë ju them: “Kush i zemërohet vëllait të vet, e meriton ndëshkimin”... E keni dëgjuar se atyre iu është thënë “Nuk do të bëni imoralitete”. Po unë po ju them “Kushdo që e sheh një femër me pasion, në zemrën e tij ka kryer imoralitet me të. Dhe nëse syri i djathtë bëhet shkak që të dalësh nga rruga, atëherë nxirre atë, sepse është më mirë për ty të humbësh një organ, sesa të digjesh i tëri në zjarrin e ferrit... Jepi atij që të lyp dhe mos i kthe krahët atij që të kërkon borxh... Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju shtypin. Nëse doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni ju?... Kur jep lëmoshë, dora e majtë nuk duhet ta dijë atë që bën dora e djathtë... Kur do të lutesh, futu në dhomën tënde e lutu pasi e ke mbyllur derën... Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse me atë që gjykoni, me atë do të gjykoheni. Ajo masë që ju merrni, do të merret edhe ndaj jush. Pse sheh një grimcë në syrin e vëllait e nuk e sheh traun në syrin tënd? (Ungjilli sipas Mateut, 5 :21-22-27-29-38-39-42-44-46; 7:1-3; 18:8-9)

Kështu gjatë shekullit të XIX por edhe gjatë fillimit të shekullit të XX, bota ishte mbërthyer te materia dhe besimi fetar sulmohej nga të gjitha frontet. Nëse në shoqëritë e hershme, mosbesimi nxitej nga padija e kokëfortësia, shekullit të shkuar frynte furtuna e ateizmit, e shtyrë nga arroganca njerëzore, bazuar në shkencat racionale e pozitivizmi. Me zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencave natyrore në Evropë dhe me konfliktin e katedrave shkencore me Kishën në njërën anë, por edhe nga mos-sadisfaksioni me Librin e Shenjtë në anën tjetër, mendja njerëzore u pozicionua në një vend mbihyjnor mbi shpalljen, bile edhe shpallja hyjnore, ose mohohej, ose ngushtohej deri në ekstrem. Kjo furtunë mohimi krejt e paparë në histori, solli lëkundje të vazhdueshme në mendje e zemra, në jetën shoqërore e individuale dhe në kështjellën e moçme Myslimane. Fethullah Gylen e njohu botën në mes të një atmosfere të tillë dhe sipas tij, ishte koha kur qëndresa ndaj mohimit, i cili nuk bazohej më në padije, por në shkencë, të bëhej me një forcë besimi, bazuar në dije dhe qëndresa ndaj materializmit, të bëhej me spiritualizëm e me moral. Ai e përqendroi konceptin e tij Islam në këtë perspektivë dhe iu drejtua vlerave reale të fesë, kuptimit të saj të vërtetë dhe virtyteve të saj morale e shpirtërore. Sipas tij, në ditët tona duhet të dalin në plan të parë dimensioni i cilësive të Isait (a.s.) në shpirtin muhamedan të Islamit, jo ai i cilësive të Musait (a.s.). Aq më tepër që edhe në hadithet e Profetit tërhiqet vëmendja mbi rikthimin në tokë të Profetit Isa gjatë epokës së fundme, duke formuar kështu një bazë të mirëfilltë për këtë koncept të Gylenit. Por ky koncept i Gylenit nuk është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar nga ata që e shtjellojnë Islamin ideologjikisht e politikisht, pasi sipas tyre, Gyleni bën lëshime në Islam, sikur nuk është shumë i kuptueshëm as në ato instanca të tjera, ku laicizmi paraqitet si një ideologji konceptuale edhe për Islamin. Ky gabim i të dy palëve, nuk është veç një gabim që rrjedh nga keqkuptimi, ai është njëkohësisht edhe një gabim doktrinor.

d. Islami dhe ideologjitë partiake e organizative.

Koncepti ideologjiko-politik i Islamit në shumë raste i ka fokusuar shërbimet në emër të Islamit ose në lëvizje politike e partiake, ose në lëvizje elitare e organizata. Porse Islami nuk mund të përfaqësohet asnjëherë nga një grupim, organizatë a parti, sikurse asnjë tezë e çfarëdo institucioni, në emër të përfaqësimit të Islamit, nuk mund të jetë e drejtë. Aq më tepër që një sjellje dhe konceptim i tillë i hap rrugë përçarjeve ndërmjet myslimanëve, në kundërshtim me Islamin, dhe bëhet shkak për kuptimin e Islamit si një ideologji e ndonjë grupimi a organizate të veçantë, megjithëse ai është universal dhe i drejtohet çdo njeriu. Ofrimi ndaj shoqërisë i flamujve partiakë apo organizativë në emër të Islamit, nga njëra anë bëhet shkak për përçarjen ideologjike e partiake të myslimanëve. Nga ana tjetër, shtyn të tjerët të mendojnë se Islami përdoret në emër të përfitimeve dhe interesave vetjake të një grupi dhe ç’është më e keqja, bëhet shkak për paraqitjen e thelbit të koncepteve dhe idealeve islame në rrugë të ndryshme, gjë që përfundon me dyshimet e spekullimeve e me perceptimin e Islamit si pjesë e ideologjive politike e sistematike të tjera, ose afërsisht, të ngjashëm me ta. Megjithëse instancat anti-islame, pothuajse çdo veprim e fjalë të myslimanëve e cilësojnë si spekullim, sado të sinqerta e pa hile qofshin ato, ajo që i takon myslimanëve është të mos e përlyejnë kurrsesi Islamin për asnjëfarë qëllimi të tyre.

Në konceptin islam të Fethullah Gylenit nuk ka vend as për parti dhe as për simpati partiake dhe është me rëndësi parësore ruajtja e çdo shërbimi të bërë në emër të besimit nga politika, ruajtja e veprës nga politizimi dhe distancimi në çdo veprimtari nga imazhet politike që mund t’i bashkohen asaj. Këtë temë, ai e ka theksuar disa herë edhe në shkrimet e tij, edhe në intervistat e bëra me të në kohë të ndryshme, si për shembull:

“Besimi fetar është i shenjtë në vetvete dhe në pranimin e tij si të shenjtë, duke mos e bërë atë vegël të asnjë interesi e përfitimi moral e material në lidhje me këtë botë. Në këto kushte, politizimi i besimit, thurja e dialogëve politikë mbi shenjtërinë e këtij besim, trajtimi i çështjeve nga një spektër i tillë dhe shenjtërimi kësisoj i disa ideologjive e komenteve tona, duke i dhënë atyre një sens fetar, është një situatë që cenon shenjtërinë e besimit. Së dyti, ndërtimi i ideologjive tona fetare e partiake mbi themelin e besimit ka si rrjedhojë reflektimin e mangësive dhe të metave tona mbi këtë besim, gjë që ngjall reaksion ndaj nesh, e si rrjedhim, ndaj atij besimi. Realiteti fetar duhet pasqyruar në një mënyrë të tillë që të zërë vend mbi gjitha idetë politike. Po kur besimi politizohet dhe ne marrim mbi vete detyrën e përfaqësimit të tij, në një farë mënyre, i distancojmë të tjerët nga ai. Në pamje të parë mund të duket si një nismë për t’i dalë zot besimit, po medoemos sjellja jonë ka për ta lënë në hije besimin, duke e njollosur atë dhe duke bërë që antipatia që ndihet ndaj nesh të ndihet edhe ndaj fesë. Ndaj për mendimin tim, ata që e politizojnë besimin, i bëjnë atij një dëm të konsiderueshëm. (Revista Aktüel, Intervistë me Gylenin)

e. Një tezë përballë antitezës

Ata që e trajtojnë Islamin ideologjikisht e politikisht, nuk kanë shpëtuar dot nga vështrimi prej dritares së ideologjive e sistemeve të mendimit, bazuar mbi “trendy”-n e konjukturave më fitimprurëse, gjë që i detyron të manifestojnë një Islam çdoherë ndryshe nga ai i tjetrit. Shpeshherë, me një mënyrë pak kokulur e si të zënë në faj, mundohen të gërshetojnë Islamin me ideologjitë e sistemet moderne, duke paraqitur kështu çdoherë një imazh ndryshe të Islamit, tepër larg prej origjinalit. Për shembull, në fund të shekulli XIX dhe në fillimet e shekullit të XX, Islami paraqitej pothuajse në përputhje të plotë me liberalizmin, kapitalizmin dhe botëkuptimin mbi të cilin këta kishin zënë vend. Kurse pas Luftës së Dytë Botërore, nën ndikimin e rrymave socialiste e komuniste dhe me përqafimin e këtyre ideologjive në vendet e botës së tretë dhe vendet islame, imazhi i Islamit është paraqitur pothuajse i njëjtë me atë të socializmit.

Kurse në ditët tona Islami trajtohet bashkë me koncepte dhe vlera bashkëkohore si globalizmi e metamorfozat që i bashkangjiten atij, liberalizmi e multikultura. Kështu, duke paraqitur para njerëzve në çdo periudhë një tjetër Islam dhe duke bërë komente në emër të tij për aktualitetin dhe orbitat e vizatuara nga të tjerët, e ul Islamin në nivelin e një ideologjie të mbështetur në filozofinë e reaksionit.

Natyrisht që lëvizjet ideologjiko-politike në emër të Islamit nuk i kanë shpëtuar dot të qenit lëvizje reaksionare. Disfata e përhershme ka bërë që këto lëvizje edhe të copëtohen, por edhe të lënë gjurmë në mendjet e njerëzve, duke iu ngjallur atyre përshtypjen se Islami, apo të paktën disa norma të tij, janë të pamjaftueshme e të pazbatueshme në kohërat moderne. Nga ana tjetër, Gyleni, duke e trajtuar Islamin si fe, në kuadër të principeve të tij të pandryshueshme e të normave të tij themelore, nuk ka pse përjeton ndonjë kontradiktë as në konceptin dhe as në manifestimin e tij Islam.

f. Njohja dhe dashuria për Zotin

Besimi është dashuri dhe e ka themelin mbi dashuri. Dashuria është shkaku i ekzistencës së gjithësisë, edhe lidhja e gjithësisë, edhe drita dhe jeta e saj. Njeriu është edhe bërthama e pemës së gjithësisë, edhe fryti i saj, që përfshin në vetvete të gjitha cilësitë e saj, ndaj dhe në zemrën e tij, që është bërthama e këtij fryti, i është përqendruar një dashuri që përfshin gjithë ekzistencën. Në këtë botë ku është dërguar i pajisur me të gjitha detyrat e funksionet që i meriton, ai ndihet si një zog në kafaz, që përpëlitet me mallin e vendit që ai i përket realisht e me dashurinë për Krijuesin. Po njeriu, të cilit i është dhuruar gjithë ky potencial dashurie, në vend që të synojë Sublimen e të Përsosurën me atë dashuri, çoroditet pas gjërave të rëndomta, kalimtare e kohëshkurtra. Kështu që edhe ajo dashuri kthehet në sprovë e fatkeqësi për të. Edhe nëse qesh me të madhe, kjo e qeshur nuk është veçse pasqyrimi së prapthi i ngashërimeve të tij nga malli për përjetësinë e të amshuarën; njeri që qesh më shumë është ai që vuan më shumë në këtë botë. Ajo që do ta qetësojë njeriun, duke ia lehtësuar mallin e zbutur vuajtjen, është drejtimi nga qëllimi i vërtetë i dashurisë, duke anashkaluar e shembur ata faktorë që e ndajnë nga Zoti i tij i vërtetë dhe që e shtyjnë drejt zotave të rremë. Dashuria është eliksiri që kthen gurin në flori, dëlirëson shpirtin dhe i fal njeriut forcë, guxim e krenari; është Uji i Jetës, të cilin njeriu e kërkon me aq etje. Një njeri mund të ecë në rrugën e Zotit aq sa është dashuria që ndien për Të, sa ajo dashuri mund të durojë vuajtjet e të mbajë dhimbjet, me atë dashuri preferon të përtejmen, parajsën e të Amshuarën, duke lënë pas krahëve këtë botë. Kjo dashuri është tregues i lartësimit të besimit nga një përkufizim logjik në një ndjenjë të shpirtit dhe kjo dashuri mund të fitohet vetëm e vetëm me njohje. Njohjen e padiskutueshme të Zotit. Megjithë këtë realitet, shumica e lëvizjeve ideologjiko-politike në botën Islame, nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur dashurisë dhe njohjes së Zotit dhe edukimit të personit në këtë frymë. Madje, kanë bërë gabimin t’i refuzojnë e t’i mbyllin ato shkolla ku përvetësohej kjo njohje e kjo dashuri.

Kështu Islami, është në realitet një besim që bashkë me emocionin e patosin në vetvete, me dimensionet e veta shkencore dhe pasqyrimin e tij në ndriçimin e mendjes, ruan edhe zemrën nga verbimi. Por për shkak të këtyre ideologjive e përçapjeve politike ai ka rënë në nivelin e një sistemi politikoekonomik, një ideologjie apo një filozofie racionale, e cila ka luajtur rol kryesor që të mos realizohet strukturimi i tij në çdo aspekt të jetës. Normalisht që kjo analizë nuk përfshin të gjithë lëvizjet ideologjike e politike në fushën e Islamit, po ja që fatkeqësisht këto lloj lëvizjesh kanë pasur pothuaj çdo herë rezultate të tilla negative. Kurse në konceptin Islam të Gylenit, rëndësinë më të madhe e ka manifestimi i shpirtit Islam, bazuar në themelet e dashurisë dhe njohjes së Zotit. Po kështu edhe vepra e tij “Majat e smeraldta të zemrës”, të cilën ai e ka shkruar me një përkushtim të vërtetë për vite me radhë, është në një farë mënyre një ekol i njohjes në ditët tona.