FETHULLAH GYLEN: NJË NJERI I AKSIONIT

Fethullah Gyleni, në Turqi është njohur fillimisht si një dijetar, një predikues e sidomos në disa instanca, si poet, shkrimtar e vullnetar i shkencës. Më pas, u njoh si një intelektual i gjithanshëm me veprimtarinë e tij në fushën e dialogut dhe mirëkuptimit e pas kësaj, për veprimtaritë e tij në fushën e arsimit dhe ndërmarrjet në fushën e tolerancës dhe dialogut, e bënë atë të njohur edhe si një person i veprimit dhe aksionit. Kjo veprimtari e ky aktivitet i tij e kthyen në një personazh të njohur e të vlerësuar në mbarë botën. Rrjedhimisht aksioni i Gylenit përfshin arsimimin shkencor dhe edukimin islam e shpirtëror, paralel me të cilin është aksioni i arsimimit, fillimisht në Turqi, e më pas në të gjithë globin, si dhe bashkëpunimin në dialog e tolerancë ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë, ndërmjet parive të besimeve të ndryshme si në Turqi, ashtu edhe në botën mbarë.

Para se të thellohemi në trajtimin e aspektit aktiv të Gylenit në fushën arsimore dhe veprimtarisë së tij në nismat e dialogut dhe të mirëkuptimit, do të ishte me vend të analizonim qëllimin e këtij aksioni, metodën që ai ndjek e, krahas parimeve të kësaj metode, dinamikat kryesore dhe lëndën e parë që ai përdor në këtë aksion. Së pari, duhet të ndalemi mbi kuptimin dhe domethënien që Fethullah Gyleni i jep aksionit.

Skica e një PortretiSkica e një Portreti 6969

AKSIONI I FETHULLAH GYLENIT,

TEORIA, QËLLIMI DHE DINAMIKA E TIJ

Ideja e aksionit te Fethullah Gyleni

Gyleni e trajton aksionin si të pandarë nga mendimi, por ndryshe nga shumica, përparësinë ia jep aksionit. Sipas tij: “Ekzistenca e vërtetë kalon nga aksioni e mendimi; nga një aksion e mendim që është në gjendje të ndryshojë edhe vetveten, edhe të tjerët.”

“Ngjarja më e rëndësishme dhe më e domosdoshme në jetesën tonë është aksioni. Duhet të jemi në një gjendje aksioni të përhershëm, mendimi të përhershëm dhe në lëvizje të përhershme, duke marrë mbi vete përgjegjësitë që na takojnë. Nëse nuk veprojmë si vetvetja, do të hyjmë nën ndikimin e vorbullave të lëvizjeve, planeve e mendimeve të të tjerëve dhe do të detyrohemi të përfaqësojmë episod pas episodi aksionet e tyre”, thotë Gyleni.

Ky mendim i tij ka një rëndësi të veçantë, sepse në ditët tona, gjithë rrymat që i janë afruar ideologjikisht Islamit, në shumicën e rasteve i kanë bazuar lëvizjet e tyre në këtë themel dhe nuk i kanë shpëtuar të qenurit reaksionarë. Ata i kanë konceptuar problemet e aktualitetit si probleme të përhershme e të përgjithshme dhe janë detyruar të sillen sipas tyre, duke performuar kështu një Islam që vepron sipas kushteve që dikton aktualiteti. Disfata dhe dështimi i këtij reaksionizmi, nga njëra anë ka sjellë revizione të vazhdueshme të teorive të tyre, nga ana tjetër është bërë shkak që Islami të keqkuptohet e të mos njihet si duhet. Kurse në mendimin e Gylenit, aksioni është themelor dhe i pavarur nga ideologjitë e jashtme dhe politikat aktuale. Rruga e tij përcaktohet si “vetvetja” dhe mendimi i tij bazohet në shtylla solide.

Gyleni shkon dhe një hap më tej dhe e cilëson aksionin si veprimtari për të përmbushur qëllimin e krijimit. Në këtë sens, aksioni, sipas tij, është sikur e tërë jeta e njeriut, kurse mendimi, si një aksion i brendshëm, është një dimension i rëndësishëm i kësaj jete.

“Me një përcaktim më të këndshëm, aksioni është një përqafim i brendshëm, i sinqertë e i përzemërt i gjithë ekzistencës, duke i dëshmuar asaj një kujdes të veçantë e duke përparuar nëpër korridoret e saj drejt eternitetit. Gjithashtu, është edhe vendosja e botës individuale në orbitën që krijimi ka për qëllim, duke përdorur gjithë vullnetin, forcën, si dhe sekretin e marrë nga Pushteti Pafund. Për sa i përket mendimit, edhe ai është një aksion i brendshëm. Një mendim sistematik dhe i përqendruar në qëllimin e tij, mundëson zgjidhjen e çdo enigme që hasim gjatë ekzistencës, duke e kërkuar përgjigjen sërish te ekzistenca... Shpirti i njeriut gërshetohet aq shumë me botën gjatë mendimit, sa fiton thellësi në vetvete... Mendimi është zbrazja në vetvete e njeriut për t’i hapur vend eksperiencave metafizike në botën e tij të brendshme. Nëse shkalla e parë e mendimit është kjo, shkalla e fundit e tij është të menduarit me veprim.”

Gyleni e sheh aksionin si një arritje të njeriut në thelbin e tij dhe si përpjekje për të përcjellë edhe të tjerët në këtë arritje dhe thekson se ky funksion i mendimit mund të arrihet vetëm duke e bazuar atë në Islam. Sepse Islami, duke qenë një rrugë që lartëson jetën materiale e trupore të njeriut në nivelin e jetës shpirtërore, arrin ta lartësojë edhe aksionin në orbitën e tij të vërtetë. Në këtë sens, aksioni mund të shprehet edhe si emërtimi i të përjetuarit të Islamit. Një sens i tillë dhe një shkrirje e tillë me shpirtëroren, duke zbuluar talentet e aftësitë që ka njeriu në thelb, arrin të garantojë edhe ekzistencën edhe përjetësinë e tij.

Gyleni beson se aksioni, i cili duhet të përparojë në aspektin shoqëror, i mbështetur nga krahët e fesë, shkencës, filozofisë e artit, është në gjendje të shpëtojë brezat nga kotësia e pasiviteti dhe të realizojë mendimtarët, shkencëtarët, artistët e filozofët e së nesërmes. Sipas tij: “në këtë mënyrë, të gjitha rrugët do të gumëzhijnë nga dituritë si korridoret e universiteteve... burgjet do të shndërrohen në fole mësimi... Shtëpitë do të blerojnë si kopshtet e parajsës. Në çdo aspekt, feja dhe shkenca do të jenë krah për krah. Besimi dhe mendja do të shpërndajnë anembanë frytet e tyre të shumëpritura... e ardhmja do të çojë kryet e do të zhvillohet në gjirin e shpresës, të vullnetit dhe mirësisë shumë më e pasur, shumë më e larmishme se në gjithë utopitë... televizionet, gazetat e revistat do të përçojnë ngado dritë, urtësi e bekim... dhe kushdo, përveç ca mjeranëve të braktisur nga historia, do të shëtisë në këtë pranverë që i ngjan parajsës duke shijuar ujin e burimit të shenjtë. (Statuja e Shpirtrave Tanë, 52-9)

Qëllimi në aksionin e Gylenit

Sado që brenda e jashtë Turqisë prodhohen spekullime të qëllimta në këtë temë, sipas shkrimeve e shprehjeve të tij të vazhdueshme, qëllimi, synimi dhe perspektiva e Gylenit është vetëm adhurimi i Zotit dhe përpjekja për të fituar kënaqësinë e Tij. Sepse sipas tij: “Njeriu është një udhëtar, kurse botët janë vendndalime të larmishme të shpalosura para tij dhe gjithësia një libër i pasur dhe i detajuar. Ky udhëtar është dërguar në këtë botë për të lexuar këto libra, për të përsosur dijet e tij dhe për t’u lartësuar në nivelin njerëzor” Ndaj edhe qëllimi i Gylenit, është ai që duhet të jetë edhe i çdo njeriu: Udhëtimi. Një “udhëtim në rrugën e Atij që nuk shihet me sy, por që na e paraqet Veten me veprat e Tij. Një udhëtim që ka për qëllim të arrijë te Ai”, “sepse -vazhdon Gyleni-, të gjithë jemi këtu për të njohur Atë e për të treguar e bërë të njohur Atë. Dhe unë nuk di të ketë një mision më të shenjtë se ky. Ne të gjithë nuk jemi veçse hija e ekzistencës së Tij, kurse Ai është qendra dhe burimi i gjithçkaje. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 17-8) Sipas Fethullah Gylenit, emërtimi i këtij udhëtimi është adhurim. Edhe dërgimi i profetëve, pra, qëllimi i besimeve fetare, është që njerëzit të arrijnë ta njohin Zotin e ta adhurojnë Atë. Allahu, në Kuranin e Madhëruar, thotë: “I krijova njerëzit e xhindët vetëm që të më adhurojnë Mua” (Dharijat, 56), duke e theksuar dukshëm këtë të vërtetë.

Bota ideale që dëshiron Gyleni, si dhe e nesërmja e ëndrrave të tij, mund të na japin një imazh më të qartë rreth qëllimit të aksionit të tij. Ai shkruan kështu në lidhje me këtë temë:

“Mbyll sytë dhe ndiej se si në kornizën e përshkruar nga besimi, në shpresat dhe ëndrrat e mia thellohet e ardhmja, rriten vlerat njerëzore, ndjenjat arrijnë të përtejmen dhe trupi gëzon të njëjtat vlera me shpirtin. Një pjesë e artë e kohës, që tejkalon edhe imagjinatat e “parajsës së humbur”, të cilën ka kohë që e kërkojmë pareshtur në botën tonë të ndjenjave, cik sytë e shpirtit tim dhe unë ndiej se si rrjedh ajo në ëndrrat e mirazhet e mia…”

“Ashtu, dhe në këtë pranverë që ravijëzohet në botën time të shpresës e të besimit, përqafohem me çdo krijesë, përshëndes me ëmbëlsi çdo gjallesë, i hap shpirtin me dashuri gjithë njerëzimit dhe i them vetes: “Ky duhet të jetë synimi i Krijuesit që krijoi botën”. Në këtë botë nuk ka armiqësi, vrazhdësi, smirë, dashakeqësi, grindje, luftë, dhunë, gënjeshtër, tradhti, tirani, hile e dinakëri. Në këtë botë ka besë, delikatesë, dëshirë për ringjallje, dashuri për jetën, butësi, dialog, respekt për të drejtën, shpirt ndershmërie e virtyti, drejtësi, besnikëri. Njerëzit e kësaj bote i kanë shporrur me të vërtetë nga fjalorët e tyre fjalët urrejtje, inat e grindje dhe e kanë bazuar jetën e tyre në dashuri, butësi e mirësi mes njerëzve. (Yeşeren Düşünceler, 88-9)

Vlerësimet e intelektualëve

Përveç një grupi të vogël, i cili ka paragjykimet dhe mendimet e veta ideologjike, shumica e intelektualëve turq esencialisht kanë mendime të njëjta mbi qëllimin e aksionit të Fethullah Gylenit. Për shembull, Prof. Ali Jashar Saribaj e cilëson lëvizjen e Gylenit “si një lëvizje të shoqërisë civile, e cila mund të ndihmojë përqendrimin e gjithanshëm të demokracisë në Turqi. Nacionalizmi laik bazohet në etnicitet, ndaj nuk ka funksion bashkues, po përçarës. Kurse lëvizja e Gylenit mund ta lehtësojë në mënyrë të konsiderueshme jetesën e shoqërisë në bashkim e mirëkuptim, duke bashkuar shoqërinë me anë të vlerave fetare. (Gazeta Millijet, 18/10/1995)

Taha Akjol e vlerëson Gylenin “si një vlerë të shoqërisë turke, që nxjerr në pah faktorët bashkues, jo ata përçarës të shoqërisë. Ai është njëkohësisht një faktor shumë i rëndësishëm i Turqisë demokratike e paqësore të së ardhmes, sepse ai i jep një rëndësi primare cilësisë dhe konkurrencës arsimore dhe nxjerr në pah mentalitetin studiues e kërkimor. (Millijet, 29/07/1998)

Sociologia Nilyfer Gële e cilëson lëvizjen e Fethullah Gylenit “si një modernizëm që i jep kuptim traditës duke formuar lidhje të së shkuarës me të ardhmen dhe të ardhmes me modernizmin”. Gële vazhdon kështu:

“Mendimi i Fethullah Gylenit thekson modestinë në emërtimin individual, traditën në formimin shoqëror dhe Islamin në ndërtimin e qytetërimeve. Ai është mishërimi i modestisë dhe dashamirësisë së njerëzve që nuk e kanë humbur lidhjen me Zotin dhe shembull për individët e mbetur mes rëndesës së traditës dhe shfrenimit të modernes. Ai hap një derë të re drejt vetëbesimit duke vendosur përballë vetmisë dhe arrogancës intelektuale të individit perëndimor sihariqin e një gjenerate të njerëzve të dashurisë, të cilët kanë gërshetuar kulturën fetare dhe besimin me kulturën e zemrës dhe intelektin. Për herë të parë në Turqi ne po dëshmojmë gërshetimin e mirëfilltë të tolerancës liberale me mentalitetin tradicional.” (Ergyn, 97-8)

Ali Bayramoglu e sheh lëvizjen e Gylenit si një “Lëvizje që në kundërshtim me lëvizjet islame politike, të cilat i hapin luftë traditave lokale islame, i del zot këtyre traditave dhe e komenton Islamin në perspektivën e tyre dhe në vend që të refuzojë diferencat, i hap krahët atyre dhe i pranon siç janë; lëvizje që merr jetë nga institucionet civile tipike të Anadollit, vakëfet (fondacionet) dhe zhvillohet me institucionet më moderne në mbarë botën. (Yeni Yüzyil, 08/07-13/07-26/08/1995)

“Lëvizjet fetare janë një realitet i shoqërisë dhe i demokracisë sonë. Ato kanë një rol të rëndësishëm në paqen dhe mbarëvajtjen e shoqërisë, për sa kohë që mbrojnë tolerancën dhe mirëkuptimin”, thotë Hasan Xhemal në gazetën Sabah të dt. 14/02/1995.

Emri i njohur i ekraneve në Turqi, Mehmet Ali Birand, thekson se Gyleni “na kujton se si duhet të jetë Turqia ideale, për të cilën kemi aq shumë nevojë”. Sipas gazetarit, qëllimi i Gylenit është një Turqi ku besimtari gëzon respekt të mirëfilltë, ai nuk ka absolutisht qëllime politike dhe nuk e përkrah përdorimin e besimit në arenën politike.

Pasi përmend paragjykimin që e ka shoqëruar për vite me radhë ndaj Fethullah Gylenit, Atilla Dorsaj tregon se si ka ndjekur lëvizjet e Gylenit për një kohë të gjatë dhe se është ndikuar nga qëndrimi i tij modest, nga fryma e mirëkuptimit dhe e dialogut ndërfetar që e shoqëron atë në çdo veprim e shkrim. Pastaj thekson bindjen e tij se Turqia ka shumë nevojë për urtësinë, diturinë dhe spiritualizmin e personit të Gylenit. (Yeni Yüzyil, 02/02/1997)

Gazetari Ahmet Tezxhan e shpjegon fenomenin Gylen kështu: “Ai nuk ka marrë përsipër një mision kolonizator të Islamit, përkundrazi, ai është një person që ka në plan të parë shpirtëroren, ka respekt e tolerancë për besimet e tjera, ka një zemër plot pasion dhe është mishërimi i dashurisë”. Ndërsa Xhenk Koraj thotë: “Fethullah Gyleni më sjell ndërmend një edukatë të jashtëzakonshme, një etikë të paparë, një modesti të asimiluar gjer në thelb dhe një mirëkuptim të thellë, si oqean”. (Akşam, 13/03/1998)

Ish-kryeministri i Turqisë, i ndjeri Bylent Exhevit, e cilëson Gylenin si “person që ka ndërthurur më së miri njohjet e thella teologjike me një filozofi të pasur por edhe me kulturën e mrekullu-eshme të artit dhe historisë. Fethullah Gyleni është personi që na ka treguar se mund të hapemi nëpër botë pa u shkëputur nga identiteti ynë kombëtar dhe mund të kemi lidhje të mira me Perëndimin duke mos lënë pas dore Azinë”, vazhdon Exheviti.

Çetin Altan shkruan kështu: “Fethullah Gylen nuk është një person që vrapon pas pushtetit dhe pasurisë së kësaj bote. Ai kërkon të jetojë Islamin në sensin e tij të vërtetë. Kështu ai manifeston një imazh me dimensione shumë të thella, me nivel shumë të lartë dhe me rendiment real për masat... Azia e Vogël shpeshherë ka nxjerrë njerëz me dimensione universale. Islami nuk bie në kundërshtim me botën reale. E rëndësishme është që njeriu të jetë njeri dhe myslimani të jetë mysliman në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Islami nuk është kurrsesi ashtu si mendojnë disa, pengesë për zhvillim e integrim. Fethullah Gylen është një person që e ka konceptuar botën me tërë realitetin e saj. Ai i ka kuptuar drejt problemet e myslimanëve dhe ka shfaqur zgjidhje konkrete e universale për ta. Nuk mund të jenë revolucionarë ata persona që ushqehen nga pasuritë e gatshme, sikurse nuk mund t’i japin drejtim as masave dhe as vetë jetës, personat që nuk prodhojnë asgjë. Bile ata as që e kanë një hall të tillë. Kurse Fethullah Gylen është një njeri që edhe prodhon, edhe nuk ushqehet nga ndonjë burim i gatshëm.

Neval Sevindi është një gazetare dhe antropologe e njohur, e cila ka zhvilluar një sërë reportazhesh me Gylenin. Ajo thekson te Gyleni “një personalitet të bazuar në dashuri e mirësi, i cili ia ka kushtuar jetën kauzës së vet, ku asketizmi është ndërthurur më së miri me një rezistencë që i ka rrënjët shumë thellë. Sipas saj, Gyleni ka besim te njeriu dhe mbron idenë se askush nuk mund të arrijë bashkëpunimin e zemrës dhe të intelektit, nëse nuk merr masa e nuk thellohet në brendësinë e tij shpirtërore. Ai thekson sintezën kulturore të Turqisë, duke nxjerrë në dritë fjalë me përmasa universale: “Nuk mund të harrohet Pascali në qiellin e larmishëm të Gazaliut, sikur nuk mund të ngrihet Mevlana në rrotullimin e tij planetar, pa përshëndetur Pastorin në laborator.”

Gyleni e sheh rinovimin e vetvetes si kushtin e vetëm të ekzistencës së vazhdueshme, vazhdon Neval Sevindi. Në botën e tij, arsimi është krah për krah me zhvillimin dhe e ardhmja është e bazuar në vlerat kulturore e ekonomike marrë së bashku. Ai propozon dinamizmin e dijes kundër padijes, punën e pasurimin kundër varfërisë dhe bashkëpunimin, dialogun e tolerancën kundër përçarjeve të brendshme e të jashtme.

“Intelektualët që nuk arrijnë të nxjerrin në pah sintezën kulturore të kombit dhe mohojnë sintezën e Osmanllive e të Selxhukëve, asnjëherë nuk mund të arrijnë dot te masat. Këta intelektualë nuk arritën dot të lënë pas krahëve mentalitetin e kolonizatorit, ndaj dhe nuk mundën të prodhojnë asnjëfarë ideologjie për aristokracinë turke në lindje dhe në rritje. Gjithmonë ata intelektualë dhe burokratë që nuk arritën dot të nxjerrin një sintezë nga historia, nga kushtet dhe kultura e këtij vendi, kanë qenë këmbëngulës në të tyren dhe diktatorë, si dhe kanë nënvleftësuar çdokënd jashtë vetes.” Shprehet Neval Sevindi dhe shton se Fethullah Gylen nuk është shabllonist, përkundrazi, ai ka nxjerrë në dritë një vlerë të jashtëzakonshme prej të gjithë materialit që ka pasur në dorë. Ai nuk e sheh shkencën si një pirg me gurë, po si një aktivitet mendor e kohor, të mjaftueshëm për të ndërtuar një ndërtesë të qëndrueshme. Gjithashtu, ai ka arritur të prodhojë më së miri sintezën e Islamit kulturor në Turqinë e sotme. (Bisedat e New Yorkut me

Gylenin, Ergyn, 103-4)

Përpjekjet për përhapjen e Islamit - xhihad apo kumtim

Në ditët tona, shumë principe themelore të Islamit keqinterpretohen ose keqkuptohen. Shkak për këtë janë edhe faktorët historikë, që kanë krijuar një firasje të kuptimit të mirëfilltë dhe deformim të konceptit, por edhe përpjekjet e jashtme të instancave anti-islame e të orientalistëve që i kanë kuptuar e shprehur ndryshe këto parime themelore të Islamit. Një nga parimet më të keqkuptuara e të keqinterpretuara në këtë fushë, është padyshim xhihadi. Natyrisht që mund të themi pa drojë se edhe emri i aksionit të Gylenit është xhihad. Para se të shqyrtojmë kuptimin dhe përmbajtjen e xhihadit në terminologjinë islame, do të jetë me vend të përqendrohemi te arsyeja pse Gyleni nxjerr në plan të parë xhihadin e kumtimin.

Së pari duhet të theksojmë se Fethullah Gyleni është një njeri aksioni, që në plan të parë ka identitetin e tij fetar. Ai e sheh shërbimin ndaj vendit të vet dhe ndaj njerëzimit, të lidhur ngushtë, me afirmimin e vlerave fetare dhe me përmbushjen e detyrave specifike që i janë ngarkuar individit. Prandaj është më se normale që ai të shprehet me koncepte të bazuara në besim.

Së dyti çdo shkencë e çdo profesion ka konceptet e veta specifike. Për sa kohë që këto koncepte nuk kuptohen apo zëvendësohen me të tjerë, ajo shkencë nuk mund të kuptohet, madje keqkuptohet. Bashkë me këtë, disa koncepte mund të përdoren në disa fusha të ndryshme. Pa zgjidhur kuptimin e mirëfilltë të tyre në secilën fushë dhe pa mësuar mirë domethënien e tyre specifike, as ajo fushë shkencore nuk mund të kuptohet si duhet, as ato koncepte nuk do të ruajnë kuptimin e tyre të mirëfilltë, duke u bërë shkas për një kaos konceptual. Kështu, nëse synohet një kuptim i saktë i Islamit, ai duhet paraqitur me konceptet e tij specifike, të cilat duhen shtjelluar e mësuar shumë mirë, pa i lënë vend një keqkuptimi të mundshëm. Në këtë aspekt, paraqitja e aksionit të Gylenit si një formë xhihadi e kumtimi, është më se normale, madje e pashmangshme.

Pas këtij shpjegimi të shkurtër, le të shohim se ç’kuptim ka xhihadi dhe si e vlerëson atë Fethullah Gyleni.

“Xhihadi është një emër arabisht, i rrënjës xhehd ose xhuhd, i cili shpreh një përpjekje brenda mundësive. (Fjalor i gjuhës arabe Isfahani: 101). Rrjedhimisht, xhihadi, me përkufizimin e Gylenit, është përpjekja dhe mundimi që merr parasysh dhe përballon të gjitha pengesat e vështirësitë që dalin përpara. Sërish sipas Gylenit, terminologjikisht xhihadi është përpjekja e njeriut për t’u shkrirë me vetveten e për t’i drejtuar edhe të tjerët në këtë rrugë. (İ‘lâ-yı Kelimetullah veya Cihad, 13;

Lëkundjet që solli shekulli, 3:186)

Gyleni i vazhdon kështu shpjegimet e tij për xhihadin:

“Profetësia është një pozitë dhe një profesion të cilin Allahu ia jep disa njerëzve të veçantë. Detyra e misioni i tyre është të shpjegojnë Zotin e të shpallin fenë që kanë sjellë. Ky mision është rrjedhojë e profesionit të profetit. Ky profesion ka për qëllim të shpjegojë Zotin e të mësojë njerëzit si të arrijnë eternitetin duke njohur Atë dhe të kalojë sërish në ngritje e lartësim drejt Zotit. Ja kështu është krijuar njeriu, kandidat për amshim. Dhe këtë realitet sentimental e shpirtëror te njeriu e kanë përqendruar profetët, duke mbartur kuptimin e shpalljes hyjnore e duke përmbushur misionin e profetësisë. Rrjedhimisht, profesioni i profetësisë është profesioni më i bekuar, më i shenjtë pranë Zotit. Dhe misioni më i shenjtë i këtij profesioni është xhihadi. (İ‘lâ-yı Kelimetullah veya Cihad, 39-40; Lëkundjet që solli shekulli, 3:188-9)

Gyleni e përkufizon xhihadin si profesion të profetëve dhe e vlerëson qëllimin e tij si: “Shpjegimin e Zotit dhe drejtimin e njerëzimit drejt përjetësisë duke e njohur Atë”. Duke u bazuar në një hadith të Profetit, Gyleni e trajton xhihadin në dy kategori, xhihadi i madh dhe xhihadi i vogël. Trajtimi i xhihadit në këto dy kategori është edhe pika më e rëndësishme për kuptimin e saktë të brendësisë së xhihadit.

Sipas Të Dërguarit të Allahut, xhihadi i madh është xhihadi që bën njeriu me vetveten; pastrimi dhe purifikimi i shpirtit dhe përftimi i cilësive të larta që dëshiron Zoti për njeriun. Gjithashtu është kthjelltësimi i mendimit, duke kuptuar e vlerësuar më së miri faktet e Zotit dhe fjalët e Tij në Kuran, shpëtimi i intelektit nga paragjykimet e dogmat si dhe pastrimi i zemrës nga mëkatet me anë të një adhurimi të sinqertë e të ndërgjegjshëm e me vepra efikase, si agjërimi, pendimi e kufizimi i kënaqësive trupore, duke synuar në këtë mënyrë absorbimin më perfekt të Librit dhe Logjikës së Krijimit. (İ‘lâyı Kelimetullah veya Cihad, 19-35; Lëkundjet që solli shekulli, 3:194, 198-200)

Njeriu shndërrohet në një qenie egoiste, për sa kohë që interesohet vetëm për vetveten; ai duhet të bëjë çmos që të udhëheqë edhe të tjerët drejt qëllimit të vet sublim, pa u kursyer qoftë moralisht dhe materialisht për këtë. Ky aksion që sapo përmendëm, është xhihadi i vogël. Me pak fjalë, xhihadi i vogël është mënyra për t’iu mësuar xhihadin e madh edhe të tjerëve, përpjekja e nevojshme për t’i ftuar edhe njerëzit e tjerë në këtë rrugë. Në këtë sens, edhe mësuesi që i mëson nxënësit të vet rrugën e njerëzimit, edhe njeriu që ndërton shkollën ku realizohet ky qëllim, janë njerëz të xhihadit. Kurse njeriu që zbaton që të dyja këto forma të xhihadit, është njeriu i vërtetë. Ata njerëz që e shohin besimin si një rregullore që i duhet mësuar të tjerëve përmendësh dhe lënë pas dore xhihadin e madh për shkak të egos së tyre, në të vërtetë janë të humbur. Sepse ata as mund të jenë të sinqertë në këtë aksion të tyre, as mund të kenë sukses. Nga ana tjetër, ata njerëz që merren veç me vetveten dhe nuk veprojnë sipas principit profetik “ai që nuk kërkon për tjetrin atë që kërkon për vete…” duke mos dëshmuar as përpjekjen më të vogël për të tjerët, nuk janë veçse egoistë. Me kalimin e kohës edhe ata janë të destinuar ta humbin xhihadin e madh e të kthehen në moçalishte, duke i ngjarë ujit që nuk lëviz.

Një nga format e xhihadit të vogël është edhe ajo që realizohet në fronte, përballë armikut, gjë që është pjesë e realitetit njerëzor. Islami nuk e ka mohuar luftën, ai e ka kufizuar atë me rregulla dhe e ka piketuar drejt një qëllimi të shenjtë. Ky qëllim është ngritja e pengesave mes Zotit e njeriut, liria e individit, e ndërgjegjes dhe e preferencës së tij shpirtërore, duke përftuar kështu lirinë e besimit dhe hapjen e rrugëve që të çojnë drejt Zotit. Si përmasë reale në përmbushjen e këtij qëllimi është edhe lufta për ruajtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, realizimi i drejtësisë, mbrojtja e atdheut, jetës e nderit dhe parandalimi i dhunës dhe terrorit. Në të kundërt, luftimi kthehet në dhunë e rebelim, kurse Islami e ndalon haptazi dhunën dhe keqbërjen mbi tokë.

Ftesa në Islam- Kumtimi

Një tjetër emërtim që Fethullah Gylen i jep lëvizjes së tij është edhe Kumtimi. Edhe ky, ashtu si xhihad, është një koncept tërësisht kuranor dhe ka një rëndësi të veçantë në terminologjinë islame. Si koncept, kumtimi është përcjellja më së miri dhe komunikimi më i saktë i fjalës së Zotit te njerëzit e tjerë, në mënyrë që ata ta kuptojnë e ta konceptojnë atë më së miri.

Gyleni në veprat e tij e trajton me kujdes të posaçëm këtë koncept. Sipas tij, nga njëra anë kumtimi, ashtu si dhe xhihadi, përbën një nga qëllimet e ekzistencës së profetëve. Profetët janë ata që kanë dhënë përgjigjet e duhura për pyetjet: Çfarë jemi? Nga vijmë e ku shkojmë? Cili është qëllimi ynë në këtë udhëtim?. Pyetje këto që kanë munduar përherë gjithë filozofët e mendimtarët, duke na mësuar më së miri qëllimin e jetës sonë, realitetin e vdekjes dhe duke na larguar shqetësimet e frikën në këtë sens. Kjo veprimtari e profetëve që i përcjell njerëzimit mesazhin hyjnor në lidhje me të vërtetat, që është njëkohësisht edhe arsyeja kryesore e ekzistencës së tyre, quhet kumtim-ftesë për besim. (Dritë e Pashuar, 1: 200-1).

Njëri prej aspekteve më të rëndësishëm të kësaj propagande është emri bil ma’ruf, nehji anil munker - përhapja dhe propagandimi i mirësisë dhe parandalimi e largimi i njerëzve nga ligësia. Me shmangien e kësaj përgjegjësie jetike për mbijetesën e shoqërisë, nis përhapja e të keqes dhe negatives, e njëkohësisht, edhe humbja dhe harresa e vetive të mira njerëzore. Padyshim që kjo përgjegjësi ka edhe formën e vet tipike të të përmbushurit. Gjatë historisë ne shohim institucione të plotësuara të themeluara vetëm me qëllim që të përmbushin këtë detyrë, si për shembull, institucionet e bamirësisë në kohën e Osmanëve. Një mënyrë gjithashtu shumë efikase për përmbushjen e kësaj detyre është edhe propagandimi dhe këshillimi i së mirës. Në një hadith të tijin, Profeti urdhëron: Besimi është këshillë. Domethënë besimi nga njëra anë ruan ekzistencën e tij në shoqëri me propagandimin e të mirës dhe të drejtës, nga ana tjetër ruan vetitë më të mira të njeriut e të shoqërisë duke i mbajtur ato të gjalla dhe aktive. Duhet mbajtur parasysh se në vazhdim të hadithit theksohen edhe dy pika të rëndësishme: këshillimi e propaganda e së mirës duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Zotit dhe veprën e të Dërguarit të Tij, pa synuar pozitë a lartësi në sy të njerëzve dhe barazia para këshillës fetare, duke pozicionuar përballë saj në mënyrë të barabartë çdo individ të shoqërisë, qoftë prijës apo udhëheqës i saj. (Buhari, “Iman”; Muslim, “Iman”)

Mërgimi (hixhreti)

Në shumë pasazhe të Kuranit, përmendet një aktivitet i bazuar në trekëndëshin besim- xhihad-mërgim, duke folur me elozhe për njerëzit që e kanë mbështetur jetën në një themel të tillë. (Bekare, 218; Enfal, 72, 74, 75; Tevbe, 20). Të tillë njerëz janë besimtarë që shpresojnë në mëshirën dhe mirësinë e Zotit dhe gëzojnë një pozitë të nderuar para Tij.

Besimi, mërgimi dhe përpjekja në rrugën e Zotit janë në një farë sensi mënyra e jetesës e çdo njeriu me ideale të larta. Është pikërisht ky trekëndësh ai që i ka dhënë drejtim historisë dhe jetës së njerëzimit. Dhe Fethullah Gylen e trajton mërgimin pikërisht nga ky aspekt i tërësishëm. Sipas Gylenit, njeriu është vazhdimisht në mërgim. Ky mërgim nis te çdo individ me transferimin e tij nga bota e shpirtrave në barkun e nënës, vazhdon që andej në fëmijërinë e tij në këtë botë, në kalimin nga mosha në moshë, te plakja e pastaj vdekja, duke u zgjatur që andej gjer në botën e përtejme.

Sikur ndodh me diellin; qëllimi i krijimit të tij është ndriçimi e ngrohtësia dhe askujt nuk i lind nevoja të pyesë përse dielli ngroh, apo përse ai ndriçon, për më tepër ngrohja e ndriçimi priten natyrshëm prej tij. Kështu edhe me njeriun, i cili ka një pozitë shumë të veçantë ndërmjet krijesave të tjera; është më se e natyrshme për të t’i përkushtohet një ideali sublim dhe të vrapojë pas tij, të ndriçojë mendjen me dije dhe shpirtin me besim dhe dritën e besimit që mban në zemër të mundohet t’ia përçojë edhe të tjerëve. Veçse kjo gjë mund të ndodhë me njerëzit që e përdorin vullnetin e tyre në rrugë të drejtë, nuk e humbin natyrën e pastër të qenies së tyre, ruajnë thelbin e tyre njerëzor dhe nuk bëhen pre e paragjykimeve dhe kushtëzimeve të këqija. Sipas Gylenit, ajo shpërngulje, ai mërgim i obligueshëm për çdo njeri, nis pikërisht në këtë pikë. “Në çdo lëvizje të njeriut ka një nuancë të hixhretit-mërgimit. Shpërngulja e tij nga gjendja ku ndodhet në atë ku i duhet të ndodhet, nga pasiviteti e rrëmuja drejt aktivitetit e sistemimit, lartësimi i shpirtit të tij drejt përjetimit, duke i shpëtuar atmosferës mbytëse të mijëra mëkateve, rinovimi i vetvetes duke i ikur kalbëzimit dhe prishjes janë lëvizje që kanë në thelb sensin e mërgimit. (Sizinti, Tetor 1985).

Rrjedhimisht jeta e njeriut është e përshkuar prej fillimit në fund nga nuancat e mërgimit, mungesa e të cilit e pasivizon individin duke e kthyer në një qenie që mund të kalbëzohet e të humbë vetveten, duke humbur gjithashtu edhe pozitën e lartë dhe vetitë dalluese që ai ka mes krijesave të tjera.

Por humanizmi i vërtetë i njeriut e ka themelin te një jetë e jetuar siç e meriton nderi i të qenurit njeri. Njerëzit që janë të ndërgjegjshëm për këtë mënyrë jetese, e përjetojnë këtë mërgim e shpërngulje vazhdimisht në vetveten e tyre, duke i vënë në lëvizje edhe ata që kanë rreth vetes, sikurse një trup i lëvizshëm që vë në lëvizje gjithë ç’prek. Ndaj dhe të tillë njerëz kanë shumë kritere të përbashkëta në jetën e tyre, të tilla si: Besim e dashuri, pastaj pathyeshmëri përballë gabimeve e shkatërrimeve që kanë përfshirë masat. E pas kësaj, nëse është e nevojshme për lumturinë e mirëqenien e njerëzimit, sakrifikimi i atdheut e i folesë, për të dalë në kërkim të shpirtrave të tjerë të mbushur me dashuri e mirësi...

“Sipas përkufizimeve të sociologjisë, pothuajse që të gjitha qytetërimet e rruzullit janë krijuar nga grupe mërguese njerëzish. Toynbee përmend rreth njëzet e shtatë qytetërime të themeluara nga fiset që shpërnguleshin, që sinjifikon në një farë mënyre pushtetin e vazhdueshëm të mërguesve mbi tokë.” Duke përmendur këtë, Fethullah Gylen thekson rëndësinë e dy pikave në çdo rrugë dhe mënyrë që të shpërngul nga pasiviteti në aksion dhe nga vdekja në rilindje. E para nga këto është xhihad - në të dy senset e tij, i madh e i vogël; kurse e dyta është mërgimi. Ashtu sikur mes xhihadit të madh dhe atij të vogël ekziston një lidhje e pamohueshme, kështu edhe në planin individual ka një lidhje të pamohueshme mes shpërnguljes që realizohet gjatë gjithë jetës në shpirtin, zemrën, mendjen dhe botën e njeriut me mërgimin e dukshëm, atë konkretin që realizohet me shpërnguljen nga një vend në një tjetër. Njeriu që përsos botën e vet me mërgimin e brendshëm, arrin të shpëtojë pa u ndikuar edhe nga kushtëzimet e botës së jashtme. “Në një mjedis të ri, në të cilin ai do të arrijë me anë të shpërnguljes e hixhretit, do të jetë një njeri shembullor me opinionet e tij tashmë të formuara, me shpirtin e tij të sakrificës e me sjelljen e tij të mrekullueshme”. Në mjedisin e ri në të cilin hyn, ai do ta ndiejë thellë në ndërgjegje rëndesën e idealit, për hir të të cilit gjendet atje dhe do të bëjë të pamundurën ta sistemojë jetën e vet sipas kësaj ndjenje të lartë.” (Sizinti, Qershor 1995)

Principet themelore në veprimtarinë e Fethullah Gylenit

Fethullah Gylen i jep rëndësi të veçantë principeve të cilat edhe do t’i trajtojmë më poshtë në paragrafë të veçantë, si në fushën e arsimimit edhe në fushën e tolerancës dhe mirëkuptimit, por edhe në aspektin e edukimit të shpirtit dhe mendjes.

Qëllimi final është vetëm pëlqimi i Zotit: Pastërtia shpirtërore.

“Besimtarët duhet të ndërthurin çdo veprim e çdo moment të tyre me pëlqimin e Zotit, ashtu si thuret një dantellë. Aq më tepër që e kundërta e kësaj -larg qoftë- nuk është veçse një pazarllëk me Allahun. Atëherë lind një opinion i tillë: “Nëse unë punoj kështu, edhe sistemi e vazhdimësia e ngjarjeve duhet të jetë kështu”. Mirëpo ky qëndrim është tejet i rrezikshëm dhe në kundërshtim të plotë me ndërgjegjen e besimit dhe të devotshmërisë. Mandej, e natyrishme që për një njeri që hyn njëherë në këtë rreth të prishur, është tepër e vështirë të dalë sërish që andej. (Prizma-I)

Në këtë mënyrë Fethullah Gylen shpreh haptas principin themelor në veprimtarinë e tij, Pëlqimin e Zotit. Sipas tij, njeriu, çdo veprim që bën duhet ta bëjë duke menduar pëlqimin e Zotit, duke mos shkuar nëpër mend asnjëfarë interesi a përfitimi në lidhje me këtë botë. Në terminologjinë Islame ky virtyt quhet ihlas-pastërti shpirtërore. Sidomos në veprat e kryera për hir të Zotit, nëse nuk ka pastërti shpirtërore, pra nëse ajo vepër nuk është kryer vetëm për hir të Zotit, ajo vepër asnjëherë nuk ka sesi të arrijë në qëllimin e vet; madje edhe nëse ajo vepër sjell sukses në këtë botë, ajo nuk është në gjendje ti sjellë personit asnjëfarë mirësie në botën tjetër. (Fasıldan Fasıla, 2: 30-1)

Njeriu duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta, pastaj të presë rezultatin nga Zoti

Një tjetër temë së cilës Fethullah Gylen i jep një rëndësi të veçantë,është të vepruarit me përgjegjësi. Njeriu duhet të përmbushë të gjithë përgjegjësitë që i ngarkon atij pozita në të cilën ndodhet dhe duhet të presë rezultatin e punës së tij prej Zotit. Sipas Gylenit, njeriu nuk duhet të ngatërrojë kurrsesi në punën e tij tekat dhe dëshirat personale, por duhet të jetë i ndërgjegjshëm për të kryer më së miri punën që i takon, ashtu si duhet dhe në kohën që duhet. Nëse njeriu përfshin edhe kapriçot e interesat e veta në veprën e vet, atëherë mund të humbasë pastërtinë e qëllimit të tij dhe mund të përballet me një kaos të vërtetë në fund të kësaj vepre.

Së dyti, as shpëtimi i njerëzve, as besimi i tyre dhe as ndryshimi i mënyrës së tyre të jetesës, besimit apo idealeve, nuk është në dorë të njeriut. Zemrat janë në dorën e Zotit. Ai i udhëheq njerëzit drejt shpëtimit, Ai i ka në dorë zemrat e tyre. vetëm se në këtë pikë, njeriu ka një përgjegjësi konkrete. Ai duhet të përdorë çdo rrugë dhe mënyrë legale për të përcjellë mesazhin e Zotit te të tjerët. Pas kësaj, rezultati është në dorë të Zotit. Nëse Ai dëshiron dhe nëse njeriu përballë ka aftësinë e nevojshme, Zoti e bën atë që ta pranojë mesazhin hyjnor; e nëse personi nuk posedon pjekurinë e duhur shpirtërore dhe nuk e përballon dot atë mesazh, nuk e pranon. Në Kuranin e Shenjtë, Zoti i drejtohet Profetit me këto fjalë: “Ti nuk mund ta shpëtosh dot vetë atë që do dhe as mund ta futësh në rrugë të drejtë; Zoti e fut në udhë të drejtë atë që (Ai) dëshiron” (Kasas, 56). Ndaj dhe njeriu duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta, të bëjë atë që i takon, po nuk duhet përzier në punët e Allahut. (Fasıldan Fasıla, 1:102)

c. Përcaktimi më së miri i qëllimit, i mjeteve dhe metodës

Fethullah Gylen thekson rëndësinë e përcaktimit më së miri të objektivit e të qëllimit final në çdo veprim e ndërmarrje. Sikur e theksuam edhe më sipër, objektivi kryesor i çdo njeriu e i çdo vepre të tij duhet të jetë Krijuesi i Madhërueshëm dhe pëlqimi i Tij. Në veprat që kryhen për hir të Zotit, një grimcë kthehet në diell, një pikël në det e një moment në përjetësi. Vlera e mjeteve dhe e shkaqeve përcaktohet me aftësinë e përshtatshmërinë e tyre për të të shpënë drejt objektivit final.

Islami nuk e konsideron legale secilën rrugë e metodë që të çon drejt suksesit të qëllimit. Sikur objektivi që duhet të jetë legal, ashtu edhe metoda që të çon te ai duhet të jetë absolutisht legale dhe e pranueshme nga Islami. Një rrugë e papranueshme e çon njeriun në të kundërtën e objektivit të tij. Aq më tepër që një myslimani nuk i lejohet të përdorë çfarëdo metode për të arritur qëllimin e tij. E rëndësishme është që të kryhet vepra e duhur në momentin dhe në vendin e duhur. Kurse metoda, përveçse legale, duhet të jetë edhe progresive dhe e drejtë. Përveç kësaj, ndodh ndonjëherë që metoda bëhet aq e rëndësishme, sa njeriu jepet i tëri pas saj, duke e kthyer metodën në objektiv e duke lënë pas dore objektivin e vërtetë. Kjo është një gjendje e rrezikshme në këtë proces, prandaj duhet shmangur menjëherë. Tempujt, shkollat e foletë, në të cilat është harruar objektivi i themelimit të tyre janë njëlloj si njerëzit që harrojnë qëllimin e tyre të krijimit dhe shkojnë e vijnë në një linjë të kundërt me vetveten, pa sjellë asnjë dobi.

Një tjetër temë, të cilën Gyleni e trajton në mënyrë të veçantë, është edhe monopolizimi i të drejtës. Sipas tij, njeriu nuk duhet kurrsesi të konsiderojë si të vërtetë absolute vetëm mendimin e tij dhe të atyre që mendojnë si ai. Ai duhet patjetër t’i japë të drejtën e ekzistencës edhe mendimeve dhe metodave të tjera, duke i marrë parasysh edhe ato me seriozitet. Sidomos përçarjet dhe urrejtja mes njerëzve të të njëjtit besim, ndjenjë dhe mendim, nuk kanë asnjë dobi tjetër përveç largimit nga objektivi dhe dobësimit të metodave të ndjekura drejt tij. Ata njerëz që pretendojnë ta lëvizin mekanizmin e botës sipas kompasit të tyre të prishur, nuk mund të jenë tjetër përveçse skllevër të egos personale. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 203-5)

d. Aktiviteti pozitiv dhe të qenurit veprimtar

Fethullah Gylen është krejtësisht kundër reaksionit. Sipas tij, lëvizjet e reaksionit janë shkak për urrejtjen dhe distancimin e atij përballë dhe janë shtysë e veprave të nxitura e përçarëse. Të tilla lëvizje nuk janë veçse aktivitete të të pakënaqurve, që lënë pas vetëm dëshpërim, humbje e rrënoja. “Çfarëdo që të bëhet për hir të së nesërmes të njerëzimit, ajo nuk duhet kurrsesi të bëhet shkak për përçarje e armiqësi ndërmjet njerëzve. Duhet treguar një kujdes i veçantë që të mos i hapim rrugë shkatërrimeve të pariparueshme, ndërsa mendojmë se po rregullojmë diçka. Përndryshe, edhe do të përballemi me të kundërtën e objektivit tonë, edhe me urrejtjen dhe mallkimin e brezave të ardhshëm, po edhe me një disfatë në emër të së përtejmes”, tërheq vëmendjen Gyleni.

Një nga themelet e veprimtarisë së Gylenit është “aktiviteti pozitiv”, me të cilin nënkuptohet një lëvizje e mirëfilltë e cila përfshin përmbushjen e përgjegjësisë duke kryer veprën e duhur në momentin e vendin e duhur dhe okupimin me përmirësim e ndërtim, asnjëherë me shkatërrim e prishje, duke paraqitur kështu një linjë krejtësisht të kundërt me lëvizjet reaksionare. Fethullah Gylen përsërit shpesh fjalët e Zotit në kapitullin Maide në Kuran, të cilat shprehimisht janë: “O ju që keni besuar! Detyra juaj është të kontrolloni veprat tuaja, gjendjen tuaj e të shihni veten. Për sa kohë që ju jeni në rrugë të drejtë, devijimi i të humburve juve nuk ju prek.” (Maide, 105)

e. Sensibilizimi kolektiv dhe konsultimi

Për Fethullah Gylen dhe për lëvizjen e tij, sensibilizimi kolektiv dhe konsultimi kanë një rëndësi të veçantë, ashtu si në çdo lëvizje pozitive. Sipas tij, sensibilizimi kolektiv është mendja, ndjenja dhe truri i përbashkët i atyre njerëzve idealistë, të cilët kanë vendosur interesat e shoqërisë mbi interesin vetjak, të cilët janë njësuar me të tashmen e të ardhmen e njerëzimit dhe ecin me shpresë, besnikëri, pastërti shpirtërore e modesti, duke kërkuar thjeshtësinë e humanizmin në vend të famës dhe emrit e duke menduar të tjerët para vetvetes. Kjo mendësi dhe ndjenjë e përftuar nga sensibilizimi kolektiv, kërkon mbështetje te Zoti në çdo veprim, është e ndërgjegjshme për çdo ndërmarrje, përmbush të gjitha kërkesat në aspektin e shkaqeve konkrete dhe peshon çdo veprim në peshoren e pëlqimit të Zotit, duke mos rënë ndesh me aktualitetin e me ligjet hyjnore e pozitive të njerëzimit dhe të gjithësisë.

Sipas Gylenit, konsultimi është kushti i parë për të marrë vendime të sakta në secilën temë, sepse konsultimi është “një cilësi jetike dhe një rregull themelor”. Shpeshherë kemi dëshmuar fundet me disfatë dhe fiaskon e vendimeve të marra në lidhje me shoqërinë pa u menduar gjerë e gjatë e pa marrë mendimet e kritikat e të tjerëve”, thotë Gyleni. Ai mendon se një person i kufizuar në mendimin e vet, që nuk ushqen respekt e nuk ushqehet me mendimet e të tjerëve, sado i aftë të jetë, edhe gjeni qoftë, nuk mund të jetë aq i suksesshëm sa një person tjetër, që është i hapur ndaj mendimeve të tjera dhe që këshillohet me ta. Sipas tij, njeriu më i zgjuar është njeriu që ka respekt për mendimin e të tjerëve dhe që vepron duke u konsultuar me të tjerët, pasi në këtë mënyrë ul në maksimum mundësinë për të gabuar. Madje Gyleni shkon më tej duke thënë: “Njerëzit që mjaftohen me idetë dhe mendimet personale në çdo punë, nga njëra anë humbasin një dinamizëm të jashtëzakonshëm, nga ana tjetër mbledhin pakënaqësitë e mëritë e njerëzve që kanë përreth. Konsultimi është një cilësi e njerëzve të vendosur dhe kusht i suksesit, njëherazi edhe mundësia për të arritur rezultate shumë më të larta se ato që mund të arrihen duke ndjekur vetëm linjën e mendimit vetjak. Ndaj dhe në pikënisje të çdo pune i duhet dhënë rëndësia e duhur konsultimit në një shkallë sa më të gjerë, përndryshe, nëse ajo punë dështon, të mos i kritikojmë ata që kemi përreth e të mos ia hedhim fajin fatit tonë, duke e dyfishuar fatkeqësinë e duke shpalosur një sjellje aspak të hijshme. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 162-3; Statuja e Shpirtrave Tanë, 38-9)

Ka edhe nga ata që mendojnë se përreth Fethullah Gylen ndodhet një hierarki e mirëfilltë, në të cilën nuk ka vend për mendime e ide personale, gjë që nuk është aspak e drejtë. Gyleni thekson shpesh konsultimin e shpirtin kolektiv duke u shprehur se koha e sotme nuk është koha e gjenive individualë, po është koha e ndërgjegjes kolektive. Ai beson se vetëm një ide që është përqafuar nga masat mund të zërë vend në mendjen e zemrën e njerëzve dhe në çdo punë të tijën konsultohet medoemos me njerëz, ndaj arsyetimit dhe diturisë të së cilëve ka besim të veçantë. Rrjedhimisht, çdo person mund të shprehë lirshëm mendimin e vet përballë tij. Aq më tepër që një nga gjërat më shqetësuese për Gylenin, është hierarkia, ndjesia për të qenë më lart apo më epror ndaj njerëzve.

f. Drejtësia dhe besueshmëria

Fethullah Gylen thotë shprehimisht se “Drejtësia është kurora e profetësisë”. Profetësia jeton në orbitën e drejtësisë dhe besueshmërisë. Profetët as nuk thonë ndonjë fjalë jashtë të vërtetës dhe as nuk kanë të bëjnë ndopak me vepra si mashtrimi e gënjeshtra. Ndaj dhe drejtësia e pozicionimi kah të drejtës është një prej parimeve themelore të këtij aktiviteti. Edhe besueshmëria, besnikëria e të qenit njeri i besës, ashtu si drejtësia, është një virtyt i veçantë edhe në aspektin njerëzor e islam, ashtu edhe në rëndësinë që ka në themel të kësaj lëvizjeje. Në të vërtetë, besimtari është njeri që të ngjall besim dhe domosdo kjo veti ka zënë vend të rëndësishëm edhe në mendimin e Gylenit. Në Kuranin e Lavdishëm, profetët përmenden si njerëz të besës dhe besnikëria është virtyti i parë që bie në sy te ata. (Shuara, 107, 125, 143...). Prandaj dhe besimtari është njeriu më i sigurt në këtë aspekt. Ai nuk përflet askënd, nuk i bën dëm askujt, as me dorë e as me gjuhë, nuk gërmon të ligat e askujt dhe nuk sheh me sy të keq as pasurinë dhe as nderin e tjetrit. Të qenit i besueshëm është një virtyt që në Kuran përmendet si cilësi e Profetit Muhamed, ashtu edhe e engjëllit Xhebrail, që i përcjell Kuranin Profetit.

Ndaj edhe një lëvizje e mirëfilltë duhet bazuar në besueshmëri e siguri dhe duhet ruajtur me fanatizëm nga çdo veprim që mund të cenojë sadopak këto virtyte, si gënjeshtra, mashtrimi a pasiguria.

g. Zgjuarsia

Zgjuarsia, në terminologjinë fetare fetanet, është një nga cilësitë kryesore të profetëve dhe njëkohësisht një nga cilësitë themelore të një lëvizjeje pozitive. Kjo lloj zgjuarsie nuk shpreh vetëm një shpejtësi mendimi dhe logjikën e mprehtë, por përfshin edhe kapërcimin e kufijve të mendjes nën dritën e shpalljes. Në këtë zgjuarsi janë së bashku, të gatshme, të gjitha përvojat e intelektit, zemra, shpirti, mendja, logjika, gjykimi, meditimi dhe largpamësia. Përmasa më e rëndësishme e kësaj zgjuarsie është kuptimi i logjikës hyjnore, perceptimi i shkakut të sendeve dhe ngjarjeve, përse-së së tyre, aftësia e thellimit në mendim dhe vendimmarrja në çdo rast. Duke qenë se kjo zgjuarsi -fetanet- është përtej mendjes dhe mendimit të mprehtë, edhe teza “Islami është religjioni i mendjes” mbetet e paplotë. Islami së pari mbështetet në shpallje, pastaj i drejtohet mendjes duke u bërë i pranueshëm për të. As edhe një normë e Islamit nuk bie në kundërshtim me mendjen. Po kjo nuk do të thotë se çdo mendje është e në gjendje ta kuptojë e ta gjykojë atë. Islami është ai që e drejton mendjen, e udhëheq atë dhe e konverton në një dinamikë të jashtëzakonshme, në tërësi me shpirtin, ndjenjën dhe të gjithë aftësinë intelektuale. Vetëm një mendje e shkrirë në një enë të tillë mund ta perceptojë Islamin më së miri, pa gjetur as edhe një pikë të vetme për kundërshtim. Dhe kjo mendje është ajo që mund t’i vlerësojë objektet e ngjarjet në orbitën e tyre reale, që nxjerr kuptimin e tyre dhe që lexon më së miri mesazhin e gjithësisë. Kjo zgjuarsi, e cila emërtohet fetanet, është një prej cilësive të profetëve, gjithashtu edhe një prej bazave më të rëndësishme në lëvizjet pozitive.

h. Distancimi nga mëkatet dhe pendesa

Fethullah Gylen në shumë artikuj e biseda flet për mëkatet, pendesën, distancimin nga mëkatet dhe vendosmërinë për të mos iu afruar më atyre. Ndërsa pendimi përfshin kthimin nga një vepër kundër urdhrave të Zotit, në zbatimin e atyre urdhrave, distancimi tërësor nga mëkati është një shkallë më tej, ku personi kontrollon edhe veprat e tij më të mira dhe zbatimin e urdhrave hyjnore, duke pasur frikë se mos gjendet aty ndonjë papastërti shpirtërore a ndonjë gabim i tiji dhe i drejtohet Zotit për falje, kurse vendosmëria për të mos iu afruar më mëkatit është strehimi i personit te Zoti, duke iu larguar përfundimisht çdo mëkati e rruge që të çon atje. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:22)

“Mëkati është një rrënim i brendshëm, një prapësi në kundërshtim me natyrën njerëzore. Mëkati është një shuplakë në fytyrën e vullnetit dhe një helm që i është dhënë shpirtit. Mëkati është një stuhi që shuan ndjenjat e larta dhe aftësitë e mrekullueshme që i janë dhënë njeriut, por edhe një tymnajë helmuese që fashon shpirtin”, thotë Gyleni. “Mëkatari është një person që e braktis veten në copëtimin e ndërgjegjes dhe shtrëngimin e zemrës, pasi ia ka dhuruar djallit aftësitë e vetitë e larta të shpirtit të vet. Aq më tepër kur këmbëngul në atë mëkat, atëherë ai e lëshon vetëkontrollin dhe është i destinuar të humbë, pa pasur fatin as të çohet në këmbë sërish, as të gjejë vullnet e as qëndresë në vetvete.” “Në rrugën e tij drejt përjetësisë, mëkatet, ashtu si kobrat, i dalin para njeriut në çdo cep - vazhdon Gyleni, pastaj, duke cituar një hadith të Profetit, përshkruan mëkatet më të rënda të cilat janë: Të cenojë besimin në një Zot të vetëm, duke i njohur Atij shok a ortak, të vrasë pa të drejtë, të shkelë të drejtat e të prindërve, të bëjë dëshmi të rremë, të braktisë betejën e të marrë nëpër gojë nderin e të tjerëve. Ndër mëkatet e rënda, Gyleni rendit edhe padrejtësitë e tradhtinë ndaj atdheut, shkatërrimin e natyrës dhe të ekuilibrit ekologjik, largimin e një populli mysliman nga vetvetja e nga e shenjta e tyre, duke e zëvendësuar fronin e shpirtit të tyre me interesa të huaja e kalimtare, largimin e rinisë nga besimi e morali, duke i ndryshuar ata në turma pa ideale, të afta për të sulmuar njerëz e vlera. Të tilla mëkate ai i përshkruan si të pafalshme në gjykatën hyjnore. Pastaj vazhdon: “Dhe më i rëndë se gjithë këta mëkate, është fakti që ata që shkatërrojnë, vrasin, presin e shkretojnë, nuk janë të ndërgjegjshëm për pasojën e këtij mëkati që kryejnë. Dhe ky është ai mëkat i rëndë, i vetmi mëkat i pafalshëm nga Zoti, nga njerëzimi e nga historia: Të mos jesh i ndërgjegjshëm se vepra që kryen është mëkat e të mos rrëqethesh nga rëndesa dhe pasojat e atij mëkati.”

Kështu e shpreh rëndesën e mëkatit Gyleni, duke theksuar faktin se për sa kohë që kjo rëndesë e mëkatit nuk kuptohet e nuk gjenden zgjidhjet për të shpëtuar prej kthetrave të tij, rinovimi e gjenerimi i një shoqërie është shumë i vështirë. Edhe vazhdimi i ekzistencës së asaj shoqërie është pothuaj i pamundur. (Çağ ve Nesil, 125-8)

i. Dashuria-thelbi i kësaj veprimtarie

“Njeriu që pajis e rindërton shpirtin me besimin te Zoti e me njohjen e Tij, ndien një dashuri pakufi, sipas nivelit në të cilin ndodhet, për gjithë njerëzimin, madje për të gjithë krijesat. Me këtë dashuri e pasion të pafund ndaj gjithë ekzistencës, ai e jeton gjithë jetën e tij mes valëve të mirësisë, dashurisë, ndjenjës e kënaqësisë të jashtëzakonshme që i dhuron kjo gjendje”, thotë Gyleni. Sipas tij, asnjë veprimtari dhe lëvizje që nuk ka në thelb të saj dashurinë, nuk mund të ketë as sukses dhe as jetëgjatësi. Aq më tepër kur flitet për veprimtari që synojnë kënaqësinë e Zotit dhe lumturinë e përjetshme, veprimtari të cilat nuk mund të kenë asnjë rezultat nëse nuk kanë në thelbin e tyre dashuri e pasion.

“Dashuria hyjnore është një forcë e mahnitshme dhe një burim i pashtershëm për të gjithë ata që duan të përcaktojnë pozitën e tyre në relacionin Krijues-krijesë, që duan të ndriçohen me dritën e Tij, të ndiejnë kënaqësinë e lumturinë e faktit që Ai i ka krijuar me dashuri e që mundohen të jenë të denjë për këtë dashuri, duke e hartuar qëllimin e jetës së tyre në përputhje me dashurinë e vullnetin e Zotit.” Ndaj dhe në thelbin e kësaj veprimtarie dashuria duhet të jetë parësore dhe çdo pjesëmarrës i këtij aksioni duhet ta mbajë atë sa më të gjallë e sa më të vrullshme në fokusin e jetës së tij.

(Fasıldan Fasıla, 2:127)

j. Uniteti dhe disiplina në mendim e në sjellje

Disiplina është një tjetër aspekt i zgjuarsisë dhe i të vepruarit me vend në aksionin e Gylenit. Ajo shpreh njëkohësisht një tjetër dinamikë për zhvillim në këtë veprimtari, duke synuar njësimin e zemrës me mendjen, ndjenjës me intelektin dhe rilindjen shpirtërore e materiale, duke kuptuar më së miri shkencat pozitive dhe lidhjen e tyre me krijimin. Shkurtimisht, disiplina synon zhvillimin tërësor të mendimit e të sjelljes, duke ndriçuar mendjen me shkencë dhe shpirtin me njohjen e Zotit dhe duke synuar formimin tërësor të individit, ndërsa e mban atë larg nga mëkati, e liga dhe e padrejta, e përmbush me sinqeritet dhe përkushtim.

Sipas Gylenit, mendimi e profesionalizmi i pjesshëm, duke lënë mënjanë tërësoren, është një nga gabimet më të dukshme të mendimit modern. Megjithë nevojën e padiskutueshme të profesionalizmit në një fushë të caktuar, trajtimi i pjesshëm i mendimit, duke lënë mënjanë pikënisjen e pikësynimin e tij, nuk mund të jetë një disiplinë e suksesshme e mendimit të sotëm. Ky lloj mendimi e trajton njeriun, dukuritë e natyrës dhe ngjarjet e ndryshme në mënyrë të pjesshme, duke e synuar tërësinë vetëm me mbledhjen e pjesëve të analizuara. Megjithëse nga ana shkencore kjo disiplinë mund të paraqesë grumbullime të dhënash dhe faktesh të konsiderueshme, ajo është e cekët si nga cilësia, ashtu edhe nga rezistenca në kohë. Kurse një individ i kompletuar tërësisht është i aftë të mendojë e veprojë në tërësi dhe konform ligjeve universale të ekzistencës, duke qenë i qartë edhe për mendimin e pjesshëm dhe duke e trajtuar atë si një pjesë përbërëse e disiplinës tërësore universale. Vetëm të tillë individë mund të jenë të aftë t’i japin drejtimin e duhur një lëvizjeje pozitive. Bota Islame gjatë shekujve të fundit ka pësuar një shkëputje të rëndë nga mendimi universal, duke nxjerrë jashtë nga shkollat e edukimit fetar shkencat pozitive dhe duke mbajtur larg disiplinat morale e fetare nga shkollat e drejtimit të shkencave pozitive. Ky është edhe shkaku kryesor që kjo gjeografi nuk i reziston dot degradimit të përgjithshëm dhe nuk arrin të ketë një rilindje të mirëfilltë. (Fasıldan Fasıla, 3:121, Prizma, 1:126-7, 190)

k. Forca

Një tjetër pikë mbi të cilën Gyleni ndalet kur trajton cilësitë e kësaj veprimtarie, është edhe forca. Sipas tij, forca dhe pushteti janë cilësi të rëndësishme që në krijimin e njerëzimit, të cilat nuk mund të lihen asnjëherë mënjanë, vetëm se duhet të përftohen patjetër me dije e me intelekt. Me pak fjalë, duhet të jenë konform ligjit dhe të drejtës. Gyleni thekson se e drejta nuk gjendet në forcë, përkundrazi, forca lind nga e drejta. Përndryshe gjendja kthehet në kaos e në një çmenduri shoqërore të pakontrollueshme. Sipas tij, kohët e fundit, njerëzimi po dëshmon se si një forcë e tillë po dhunon vlerat dhe po rekruton shkencën dh zhvillimet teknologjike duke i vënë mundësitë e tyre nën urdhrat e urrejtjes, krimit e dhunës. Kjo forcë është e aftë të shfarosë mandej brenda pak orëve aq shumë vlera, sa nuk janë shfarosur për shekuj me radhë, të shkatërrojë sistemet më të forta e t’i zëvendësojë me të tjerë, duke copëtuar edhe themelet më të forta, pa ngurruar të braktisë turmat e të kufizojë liritë e mendimit dhe të besimit. Për më tepër, kjo forcë merr pas vetes edhe median dhe nuk ngurron aspak të interpretojë të drejtën si të gabuar dhe të gabuarën si të drejtë, duke prishur çdo ekuilibër vlerash shoqërore. Ndaj edhe forca nuk duhet lënë pas dore, nuk duhet shmangur e mohuar, po i duhet dhënë atyre heronjve të vërtetë që jetojnë në emër të së vërtetës dhe që synojnë paqen e vërtetë në botë. (Sizinti, Dhjetor 1995)

l. Kujdesi, maturia dhe respektimi i shkaqeve

Një tjetër aspekt i rëndësishëm në veprimtarinë e Gylenit është kujdesi, maturia dhe respektimi i shkaqeve. Sipas tij, asnjë vepër dhe asnjë aksion në botë nuk mund të ndërtohet duke pritur mrekullitë dhe ndihmën e Zotit. Zoti ndihmon, Ai mund të hapë dyer që nuk hapen në momente që askush nuk e pret. Por bota është vendi i lidhjeve logjike, këtu shkaqet kanë vlerën e tyre dhe Zoti çdo punë, çdo sukses e ka krijuar të lidhur me shkakun. Ndaj dhe drejt çdo vepre shkohet duke respektuar shkaqet e saj. Respektimi i këtyre shkaqeve dhe pas plotësimit më së miri të këtyre shkaqeve, pritja e përfundimit të suksesshëm duke iu mbështetur Zotit është kushti i çdo vepre dhe burimi kryesor i suksesit. Shpesh Gyleni thekson: “Aq shumë duhet të jemi të lidhur me shkaqet dhe duhet t’i respektojmë ato, sa njerëzit të mendojnë se çdo pritshmëri e kemi lidhur me ato shkaqe. Pastaj aq shumë duhet të lidhemi me Zotin duke pritur përfundimin e suksesshëm, sa njerëzit të mendojnë se ne gjithçka e lëmë në dorë të Zotit.”

Në lidhje me mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie, Gyleni paraqet pikëpamjet e veta në këtë mënyrë:

“Kujdesi është një domosdoshmëri në çdo punë e vepër për të eliminuar pendimin e “ah sikur”-et në rast të ndonjë humbjeje a fatkeqësish të mundshme. Shumë njerëz neglizhojnë respektimin e shkaqeve dhe kujdesin për të marrë të gjitha masat e duhura, pastaj kur nuk arrijnë suksesin që ëndërronin, ia hedhin fajin fatit dhe bëjnë gjithçka për të pasur edhe njëherë në dorë ato mundësi që humbasin. Këta njerëz gabojnë dyfish, së pari se nuk respektojnë shkaqet, së dyti se fajësojnë kaderin për pakujdesitë e veta.

Si veprat, ashtu edhe kujdesi, janë ftesa të paraqitura para mirësisë së Zotit. Njëkohësisht, këto janë edhe dy aspektet e një të vërtete. Një gabim në cilëndo prej tyre bëhet shkak për ndërprerjen e asaj mirësie e rrjedhimisht edhe për bjerrjen e suksesit. Përparimi i suksesshëm është i lidhur me kujdesin e vigjilencën në çdo hap të rrugës.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 206-9)