PREZANTIM
Të shkruash për njerëzit, të synosh t’i paraqesësh e t’i prezantosh, aq më tepër kur personi që trajtoni është njeri me shumë veçori dhe i njohur edhe nga publiku, pa dyshim përbën zhanrin më të vështirë të shkrimit. Dhe jo vetëm për një individ të caktuar. Njeriu vetë është një enigmë, -sikur shprehet Alexis Carrel-, një mister. Çdo individ njerëzor, megjithë aspektet e përbashkëta që mund të ketë me njerëzit e tjerë për nga profili i tij human, është një botë e tërë më vete; kështu bëhet edhe më e qartë vështirësia e trajtimit të një njeriu si temë e një shkrimi a një skice.
Edhe pse qëllimi personal i Fethullah Gylenit është të jetë “një njeri si të gjithë njerëzit e tjerë”, edhe pse ai e trajton veten si “më të voglin” e njerëzve, çdokush e pranon se ai është një individ me veçori të shumanshme.
Gyleni njihet nga shoqëria më tepër me përmasën e lëvizjes së tij dhe ky është edhe aspekti i tij më i spikatur. Janë të shumtë faktorët që e bëjnë atë të tillë, si, shpirti i lëvizjes së tij, dinamizmi, synimi dhe rruga që kjo lëvizje ndjek. Gyleni është një poet dhe një shkrimtar me një stil individual, pothuajse të paimitueshëm. Njëherazi ai është një ligjërues me një audiencë aq të gjerë, sa shumë pak vetë gjatë historisë e kanë siguruar atë. Gjithashtu, bashkë me njohjen e thellë të shkencave islame si, Filozofia Islame, Komenti i Kuranit, Jurisprudenca Islame, Historia dhe Biografia e Profetit dhe Misticizmi, ai zotëron njohuri të thella, të mjaftueshme për të shkruar e komentuar rreth Letërsisë, Filozofisë, Historisë, Artit dhe “shkencave pozitive”, në sensin e tyre të mirëfilltë. Shtjellimi që i bën ai materies, qoftë në sensin natyral, qoftë në atë human, është i një cilësie që e tërheq vëmendjen intelektuale. Ai ka gjithashtu një bagazh intelektual të mrekullueshëm, që i jep mundësinë të shkruajë e të flasë më së miri mbi thuajse të gjithë konceptet, nocionet e rrymat moderne. Krahas kësaj, ai ka edhe një përmasë njerëzore e shpirtërore të tillë, që tërheq gjithë ata që duan të marrin shembull stilin e tij të mendimit, sjelljes, besimit e ndjenjës.
Kështu që i ballafaquar me të tilla vështirësi, mund të duket guxim i tepruar ndërmarrja për të prezantuar një person me kaq shumë veçori, sikurse është FETHULLAH GYLENI. Sepse prezantimi dhe njohja kërkon domosdoshmërisht shtjellimin e gjithanshëm të figurës. Ndaj është e nevojshme që së pari të prezantojmë reflektimin e tij të jashtëm, atë që veprat e tij rrezatojnë. “Ndonjëherë ndodh që ai që e dëgjon një fjalë, e kupton atë më mirë se ai që e përcjell”, thotë shprehimisht një fjalë e Profetit, në kornizën e së cilës mund të hapet një dritare për ata që konceptojnë e kuptojnë më mirë.
Duke patur parasysh këto shkaqe, punimi që keni në dorë është bazuar së pari në veprën e shkruar të Fethullah Gylenit, së dyti në bisedat dhe aktivitetet e tij, së treti në artikuj e komente të shkruara rreth tij dhe së katërti nga vëzhgimet e mia personale. Shumë lexues, mund të kërkojnë një fill subjektiviteti në këtë vepër, nga fakti që unë e njoh atë si person. Këtu mund të shprehem lirshëm se fakti që unë e njoh atë nga afër, jo vetëm që nuk më ka shtyrë ta prezantoj Gylenin me shprehje më pozitive, përkundrazi, më ka penguar të shkruaj shumë gjëra që ndoshta duhej t’i shkruaja në të mirë të tij. Shkurt, nuk mendoj se është ekzagjerim të them se në këtë botim nuk ka as edhe një rresht subjektiv, që mund të ketë për qëllim ta lavdërojë apo ta prezantojë pozitivisht Gylenin.
Ky punim përbëhet nga pesë pjesë dhe një shtojcë. Në pjesën e parë është paraqitur sfondi historik, duke nxjerrë në pah, në vija të përgjithshme, familjen ku është lindur e rritur Fethullah Gyleni, duke bërë të mundur kështu njohjen më konkrete të Gylenit, të ideve, veprimtarisë dhe personalitetit të tij.
Në pjesën e dytë janë trajtuar doktrinat ekzistente dhe konceptimet e ndryshme të Islamit dhe në ballafaqim me to, botëkuptimi i Gylenit, bazat e këtij botëkuptimi dhe faktorët e formimit të tij. Në pjesën e tretë Fethullah Gyleni është trajtuar në prizmin e veprimtarisë intelektuale-morale dhe në sensin edukues-arsimor modern, duke nxjerrë në pah vetitë e tij pedagogjike. Gjithashtu, jemi munduar të paraqesim edhe veprimtarinë e tij, si një njeri i aktivitetit të tij, të bazuar në tolerancë, mirëkuptim e dialog. Kemi theksuar qëllimin kryesor të kësaj veprimtarie, dinamizmin, parimet dhe platformën e mbështetjes së saj.
Në pjesën e katërt janë trajtuar mendimet e pikëpamjet e Gylenit rreth besimit, shkencës, relacionit shkencëbesim, zhvillimeve teknologjike, njeriut si karakter, esencë e përmbledhje vlerash, gruas, kulturës, artit në përgjithësi, demokracisë, sistemeve politike, disa koncepteve të tjera politike e diplomatike, si dhe disa temave aktuale siç janë qytetërimi, kërkimet për një shoqëri të pastër, koncepti i së drejtës, terrori dhe të tjera tema të nxehta si këto. Në pjesën e pestë, Gyleni është trajtuar si “një njeri si të gjithë njerëzit e tjerë”, duke bërë një analizë të shkurtër rreth personalitetit dhe karakterit të tij.
Gjatë punimit, citimet që kemi bërë nga Gyleni, apo idetë e fjalët që kemi përcjellë nga ai, janë dhënë bashkë me veprën nga janë cituar; nëse citimi është bërë i drejtpërdrejtë, ose nga ndonjë shkrim i botuar në revistë, është dhënë emri i revistës, ose vepra nga është marrë shprehja. Në revistat e cituara, kryeartikujt i përkasin Gylenit dhe shpesh janë dhënë të thjeshtuara.
Këtu më duhet të theksoj edhe diçka patjetër: Sidomos në ditët tona, duke pasur parasysh delikatesën ideologjike e politike aktuale, shprehja haptazi e mendimeve rreth disa temave është vështirësuar së tepërmi. Ndaj edhe përshkrimi me përpikëri i një personaliteti si Fethullah Gyleni, kërkon një kujdes e saktësi të veçantë. Duke pasur parasysh se personi që shkruan nuk është personi për të cilin shkruhet, nuk duhet dhënë shkas që personi i cili ndërmerr punimin të gjykohet me mendimet e komentet e atij që shkruan për të, pasi ai shkruan aq sa kupton dhe atë që kupton nga vepra e Gylenit. Ndaj duam të theksojmë se asnjë interpretim apo koment i bërë në këtë libër nuk paraqet një cilësi zyrtare në lidhje me Gylenin dhe nuk mund të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Këndvështrimi, mendimet, komentet dhe vlerësimet janë krejtësisht personale. Në qytetërimin tonë, ku të drejtat e njeriut dhe liritë themelore janë kaq në plan të parë, besoj se është i domosdoshëm edhe një theksim i tillë.
Duke uruar që ky punim të jetë i vlefshëm për lexuesin... Ali Ynall