SFONDI HISTORIK

Fethullah Gyleni në prizmin familjar dhe edukimi fillor

Fethullah Gyleni i hapi sytë në një botë të ngritur mbi rrënojat e modernizimit Osman, në një kohë kur këto rrënoja ende nuk ishin pastruar, por edhe “në një botë ku dinamizmi kryesor i Shoqërisë Elitare Osmane mohohej tërësish”, siç thotë Ismail Xhem. Kështu, për të mund të thuhet pa drojë, “një përparimtar me rrënjë në histori”. Ndikimi kryesor që ai të rritej i tillë, ishte oxhaku prindëror, i cili ndodhej në një fshat me 50-60 shtëpi, Koruxhuk, në qytezën Hasankale (Pasinler) të rrethit të Erzurumit, zonë kjo ku shpirti islam gjithmonë ka qenë shumë ndikues dhe vazhdoi si dekor deri në qendrën e Erzurumit. Ashtu sikur e shpreh edhe vetë Gyleni, në këtë vatër, gjyshi, Shamil Agai, i cili ishte një shembull i seriozitetit, qetësisë, burrërisë e besimit, kishte një relacion shpirtëror të veçantë me nipin e vet. Babai, Ramiz Efendiu, megjithëse i rritur në një fshat të vogël, në periudhën më të varfër e më të shkretë, qoftë materiale, edhe shpirtërore të Turqisë, ishte aq fisnik e i pasionuar mbas dijes, a thuaj se ishte rritur në shkollat e sarajeve. Atë e karakterizonte një sens humori, tregues i mirëfilltë i zgjuarsisë së tij; asnjëherë nuk e kalonte kohën kot dhe ishte i lidhur shumë me fenë e praktikat e besimit. Kurse gjyshja nga babai, Munise Hanëmi, ishte një zonjë e nderuar, e qetë, me një botë shpirtërore si oqeanet e thella e të pafund, qëllimi kryesor i së cilës ishte relacioni i thellë me Zotin. Gjyshja nga nëna, Hatixhe Hanëmi, vinte nga familja e një pashai. Ajo ishte shembull morali e fisnikërie, ndërsa vajza e saj dhe nëna e Fethullah Gylenit, Refia Hanëmi, ishte një grua e zgjuar dhe e dhembshur që i mësonte Kuran gjithë grave të zonës. I lindur në një vatër të tillë, Fethullah Gylen, në moshën katërvjeçare, mëson nga e ëma Kuranin dhe arrin ta lexojë atë të tërin për një muaj. Gjatë atyre viteve ishte thuajse e pamundur që në Turqi të lexoje Kuran haptazi. Ndaj dhe e ëma e zgjonte të birin në mesnatë dhe ia jepte atij mësimet e Kuranit në errësirë.

Kjo vatër ishte si një shtëpi miqsh ku vinin shpesh njerëz të njohur për dijen e moralin e tyre. Baba Ramizi, i cili ishte i dashuruar me dijen, bënte të pamundurën që çdo ditë të sillte të paktën një mik të tillë në shtëpi. Ndaj dhe Fethullah Gyleni, megjithëse i vogël, ishte mësuar të rrinte e të dëgjonte bisedat e më të mëdhenjve, duke u gjendur kështu në mes të një hallke dijeje dhe morali që në fëmijërinë e hershme. Kjo hallkë ishte vendi ku do të ndikohej së pari ndërgjegjja e tij e ku do të hidhej tharmi i formimit të shpirtit të tij. Kjo hallkë, qendra e së cilës ishte shtëpia e Gylenit, ishte ajo që do t’i mësonte atij lidhjen e fortë të kësaj bote me atë të përtejmen.

Shkollën fillore Gyleni e ndjek në fshatin e lindjes. Nga njëra anë vazhdon mësimet, nga ana tjetër, meqenëse është fëmija i parë i familjes, ndihmon të ëmën në punët e shtëpisë. Fillimisht merr mësimet e gjuhës arabe nga i ati, pastaj nga nipi i Muhamed Lutfi Efendiut, Sadi Efendi. Leximin sistematik të Kuranit e mëson nga Haxhi Sitki Efendi, në Hasankale. Ndikimin më të madh gjatë fëmijërisë dhe rinisë së tij të hershme e ka prej Alvarli Muhamed Lutfi Efendiut.

Fethullah Gylen shkon më pas në Erzurum për të vazhduar shkollën. Në dorë ka një valixhe druri të vogël, ku ka futur sendet personale. Shkollimin e vazhdon në kushte vërtet të vështira.

Individët e familjes së tij kanë lidhje shumë të forta me njëritjetrin. Ndaj dhe vdekja e një motre të vogël, kur ai është ende fëmijë, pastaj vdekja e gjyshit dhe gjyshes, ndërsa ai është në Erzurum, më pas edhe vdekja e Muhamed Lutfi Efendiut, janë ngjarje që lënë gjurmë të thella në fëmijërinë e rininë e hershme të Fethullah Gylenit.

Fethullah Gylen rritet në një mjedis ku edukata e morali islam kishin rol kryesor në edukimin e individit dhe në gjykimin e ngjarjeve. Gjatë kohës që vazhdonte shkollën në Erzurum, nëse donte të shtrihej në dhomën e vogël ku rrinte, nuk shtrihej dot lirshëm me këmbët nga shokët e dhomës. Njëra anë është ana e Kibles, ana tjetër janë librat; as andej nuk i shtrin dot këmbët. Mbetej vetëm një anë, po edhe andej është ana e Koruxhukut, vendit ku ka babain. Nga respekti që ka për të atin, nuk i shtrin dot këmbët as nga ajo anë, kështu që shumë netë i kalon ndenjur.

Fethullah Gyleni është një njeri tepër energjik. Asnjëherë nuk e braktis edukimin fizik. Vishet pastër, madje aq mirë, sa mund të quhej luks për atë kohë. Asnjëherë nuk vesh as pantallona të pahekurosura dhe as këpucë të palyera. (Küçük Dünyam, fq. 42)

Ashtu sikurse mjedisi në të cilin lindin e rriten ka një rëndësi të padiskutueshme në formimin e njerëzve, po ashtu edhe në perceptimin e figurave e ngjarjeve, të cilat kanë lënë gjurmë në histori, është po ky mjedis që ndikon fuqimisht. Madje mund të themi se në formimin personal të Gylenit, ku një e treta është e shkuara, një e treta e sotmja dhe një e treta e ardhmja, sfondi historik që përbën të shkuarën e tij, paraqet një rëndësi edhe më specifike.

Kur lexoj shkrimet e Fethullah Gylenit, në shumicën e tyre ndihet si faktor kryesor një mërgim me rrënjë në histori, një llavë pasioni, emocioni e entuziazmi, si dhe një shpresë e optimizëm, që sheh nga e ardhmja dhe si burim i gjithë këtyre ndjenjave e mendimeve paradoksale, është dekori në të cilin u lind dhe u rrit Gyleni, nga njëra anë puhia e “Shoqërisë Përparimtare Osmane”, që ndihej seriozisht në ndjenjat morale e shpirtërore, në formimin familjar e në normat e sjelljes, nga ana tjetër, tranzicioni i modernizimit të një shteti që kishte sunduar në tre kontinente, por që kishte përfunduar nën rrënojat e veta, më pas në rënkimet e një zhvillimi republikan, i cili vazhdonte paralelisht me atë osman.

Ai vetë e përshkruan kështu pamjen që sheh nga dritarja e të shkuarës e të sotshmes e këtij dekori:

“Dikur bota jonë përbënte një kulturë më vete, një vend i qytetërimit... Në këtë botë qytetet e fshatrat ishin të lidhura fort me njëri-tjetrin me relata shpirtërore dhe i gjithë vendi, me fshatrat, qytetet e rrethet, i ngjante një qyteti të stërmadh. Gjithë banorët e kësaj bote ideale zotëronin një moral të kulluar, një ndërgjegje të mbushur me besim dhe një njësi kombëtare të palëkundshme... Dhe në saje të këtyre lundronin në lumturi e mirëqenie të paarritshme. Pothuajse në çdo cep, jeta vazhdonte aq e qetë, pa dhunë, pa shkelje, e distancuar ndaj çdo krimi, sa shëtitësit e kohës, të mahnitur nga ajo që shihnin, kujtonin se çdo gjë këtu rrjedh nën një tis magjik.

“Çdo njeri këtu merrte e jepte frymë mes mirësisë e bukurisë; çdo njeri vepronte i ndërgjegjësuar se është shkaku i së mirës së tjetrit, çdokush sillej si mbrojtësi i vlerave morale dhe i nderit të shoqërisë dhe çdokush mundohej për lumturinë e kësaj shoqërie me një sinqeritet të brendshëm, me një përkushtim e ndjeshmëri të jashtëzakonshme... Ai që kishte mundësi, i vinte këto në shërbim të shtetit e të popullit, kurse ai që nuk kishte, nuk ishte i detyruar kurrsesi të lutej e të përgjërohej majtas e djathtas.”

“Ne arritëm ta perceptonim atë qytetërim të jashtëzakonshëm vetëm pasi ishte bërë gërmadhë, pas tërmeteve të njëpasnjëshme. Nuk mundëm dot ta shihnim atë botë të mrekullueshme ndërsa parimet e saj të mahnitshme dhe rregullat e saj ishin ende në fuqi, vreshtat ende nuk ishin shkatërruar dhe lulet nuk ishin venitur, ndërsa pyjet nuk ishin djegur e bërë hi, ndërsa erozioni ende nuk ia kishte grimcuar tokat, ndërsa kuajt ende nuk kishin plasur dhe kalorësit ende nuk ishin bërë pré e pasioneve, ndërsa sytë ende nuk ishin mbuluar me sklepa ndaj të vërtetës dhe diejt ende nuk kishin perënduar duke ia lënë vendin errësirës së padepërtueshme, ndërsa përrenjtë ende nuk ishin tharë dhe burimet nuk ishin helmuar, ndërsa meloditë ende nuk kishin heshtur dhe zëri mistik ende nuk kishte pushuar, para se çdo vend të kthehej në varrezë e në shkretëtirë... pra, nuk e pamë dot.” (Sizinti, dhjetor 1989)

Kthimi në origjinë, këndvështrimi ndaj perëndimit dhe rinovimi i vazhdueshëm

Në disa prej shkrimeve të tij, si “E nesërme e lumtur” (Sizinti, Dhjetor 1987) dhe “Gjenerata të lumtura”(Sizinti, Janar 1988), Fethullah Gylen, i cili është i lidhur me të kaluarën me një marrëdhënie civile e kulturore, e njëkohësisht me një dinamikë shpirtërore, morale e humane, shpjegon ëndrrën e tij për të ardhmen dhe për formulimin e kësaj të ardhmeje, përdor si shumë dijetarë islamë termin “Kthim në Origjinë”.

Kthim në origjinë do të thotë kthim i individit në rrënjët e tij kulturore, në karakterin e tij dhe në kulturën e tij origjinale. Dhe kjo gjë është e mundur vetëm me ekzistencën e individit dhe të shoqërisë me idetë e veta dhe me vullnetin e vet, përparimin e saj me forcat e veta, punën me duart e veta dhe zhvillimin e kulturës së vet, por edhe me ruajtjen e personalitetit kombëtar nga imitimet që cenojnë origjinalitetin e tij si dhe me mbrojtjen e zhvillimin e veçorive kombëtare dhe të traditës e kulturës që ka arritur gjer te ne duke u pasuruar ndër shekuj me një përpikëri e kujdes të jashtëzakonshëm.

Fethullah Gylen bën edhe një sqarim të kujdesshëm rreth asaj çfarë nuk është “Kthimi në origjinë.” Sipas tij, “Kthimi në Origjinë” nuk duhet konceptuar si një aktivitet racist, një veprimtari me lidhje gjaku, apo një izolim nga bota e jashtme, e mbyllje me zinxhir në modelin vetjak. Kthimi në origjinë përfshin vështrimin e përnjëhershëm të së djeshmes me të sotmen, të të sotmes me të nesërmen dhe përqafimin e vlerave të mbetura pas pastrimit natyror të akumulimit kulturor të ardhur gjer te ne ndër shekuj.

Fethullah Gylen, edhe në pikën e kthimit në origjinë nuk e përjashton aspak mundësinë e bashkëpunimit me Perëndimin dhe përfitimit nga vlerat e tij. Pika që ai kundërshton, është këndvështrimi ndaj Perëndimit, vlerësimi ndaj tij si dhe gabimet e bëra në kontaktet me të. Sipas Gylenit, një nga shkaqet më të rëndësishme të fatkeqësive në botën islame, është mosvlerësimi e moskuptimi siç duhet i Perëndimit si dhe lënia pas dore e faktorëve që e kanë zhvilluar atë. Gyleni mbron konceptimin e realitetit dhe filtrimin e tij nga filtrat e mendjes dhe të logjikës si dhe veprimin në përputhje me atë që lejon përbërja e shoqërisë turke.

Sipas Gylenit, vetëm ato qytetërime që kanë mbrojtur dinamizmin dhe veçoritë e veta, kanë arritur të mbijetojnë përgjatë historisë. Edhe qytetërimi perëndimor është njëri prej tyre. Ai ka vlerat dhe elementet e veta specifike, po është e pamundur që ata të merren e të zbatohen një për një nga një qytetërim apo kulturë që i përket një familjeje tjetër. Asnjëherë qytetërimet nuk mund të shndërrohen mes vetes. Po secili qytetërim ka elemente specifikë që mund të krijojnë një përshtatje “trupore” me qytetërimet e tjerë. Në këtë pikë paraqet rëndësi të veçantë përcaktimi dhe vendosja e tyre me saktësi në trupin tjetër. Gyleni i sheh nga ky këndvështrim marrëdhëniet me Perëndimin, duke kritikuar njëkohësisht si imitimin e pandërgjegjshëm të Perëndimit, ashtu edhe mbylljen totale dhe sjelljen armiqësore ndaj tij.

Fethullah Gylen nënvizon në mënyrë të veçantë rëndësinë e kulturës, shkencës, mendimit e besimit si dhe të lidhjeve ndërmjet tyre dhe rolin e tyre të padiskutueshëm në zhvillimin e jetës shoqërore të një populli. Veçanërisht, duke përmendur edhe rëndësinë e gjuhës në problemet dhe zgjidhjen e tyre në një vend, ndër të tjera Gyleni thotë: “Edhe gjuha kërkon një rëndësi të veçantë në zhvillimin historik, ndaj duhet trajtuar me seriozitet, duhet zhvilluar dhe duhet arritur që ajo gjuhë të jetë një nga gjuhët e mësuara dhe të përdorura me kënaqësi në arenën ndërkombëtare.”

Në renditjen e kushteve parësore për të qenë një vend i përparuar, me një shoqëri të shëndoshë, Fethullah Gylen cek edhe rëndësinë e ndërgjegjësimit historik duke thënë: “ Ndërgjegjja historike është si një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen. Është shumë e vështirë të parashikohet bregu ku do të hedhin spirancën ata popuj që nuk kanë arritur ta ndërtojnë e ta mirëmbajnë këtë urë.”

Fethullah Gylen mbart parimin “E ardhmja i ka rrënjët te e shkuara”, ndaj dhe flet për një të shkuar që mbart në vete potencialin e modernes dhe ndërtimin e një të ardhmeje me rrënjë te e shkuara, e cila nuk është thjesht “e shkuar”, po e shkuara e së tashmes.

Forma që propozon Gyleni për të arritur “kthimin në origjinë” dhe vazhdimësinë e gjallërisë, përmban një rinovim të vazhdueshëm, ose më saktë, “rinovimin vetjak”. Veç ai nuk është një reformist që brenda fantazisë së rinovimit propozon të marrim mbi vete çdo “modë” të re, thjesht për faktin se është e re. Përkundrazi, ai mbron një rinovim dhe përparim me hapa më të shpejtë se koha, po gjithnjë duke ruajtur me fanatizëm ato vlera që e bëjnë njeriun njeri dhe popullin vetvetja.

Sipas Gylenit, i cili e pranon rinovimin vetjak si kusht të domosdoshëm të ekzistencës së përhershme, ata që nuk arrijnë të rinovohen, sado të fuqishëm qofshin, janë të destinuar që herët a vonë të konsumohen e të harrohen. Çdo gjë, e ruan gjallërinë duke u rinovuar dhe në këtë mënyrë arrin të mbijetojë.

Fethullah Gylen tërheq vëmendjen mbi rinovimin, si një dukuri e vazhdueshme e natyrës dhe thekson se një shtet/vend mund ta ruajë pushtetin e përgjegjësinë e tij në glob dhe mund të jetë i gatshëm për triumfe vetëm për aq kohë sa arrin ta rinovojë vetveten e të ruajë dinamizmin e tij. Dhe këtë triumf Fethullah Gylen e cilëson “si një triumf që mund të përftohet duke i dhënë shkencës ndriçim, teknikës besim dhe njerëzimit mesazhe në emër të ringjalljes.”

Njëkohësisht Fethullah Gylen tërheq vëmendjen se “rinovimi i vetvetes nuk duhet ngatërruar me magjepsjen ndaj të resë e me pasionin ndaj modës.” Sipas tij, rinovimi i vërtetë është arritja në atmosfera më të reja, më të kthjellëta të mendimit, duke e ruajtur pastërtinë e gjenezës dhe duke bërë sintezën e të gjitha vlerave reale që trashëgohen nga e shkuara me botën aktuale të mendimit e të dijes. Rinovimi i vetvetes është një ringjallje në platformën shpirtërore. Rinovimi përfshin njëkohësisht përftimin më së miri nga mundësitë optimale të zhvillimit të shkencës e teknologjisë, kontrollin e vazhdueshëm të pjekjes e formimit tonë shpirtëror e moral, depërtimin e vazhdueshëm e të shpeshtë, nga fundi në krye, të bindjeve, mendimeve e imagjinatave tona, duke përfshirë çdo çast tërësinë kozmike në brendësinë tonë e duke shtuar çdo herë nektar të freskët në hojet tona të njohjes.