PYETJE-PËRGJIGJE LIDHUR ME KADERIN
Pyetja 1: Ç'do të thotë "Elestu: Kalu-bela"?
Përgjigje: Këto fjalë i përkasin një dialogu, një marrëveshjeje mes Krijuesit dhe krijesave të Tij, përkatësisht njerëzve. Në këtë dialog pyetet: "A s'jam unë Zoti juaj?" Dhe merret përgjigjja: "Po, Zoti ynë je!"
Kjo çështje ka dy aspekte:
Kujt i është bërë kjo pyetje dhe si.
Kur është bërë.
Nisur nga aspekti i parë, mund të parashtrohen disa mendime.
a. Fakti që njeriu, ndërsa s'ishte asgjë, mori urdhrin "Bëhu!" dhe iu përgjigj me "Po!" këtij urdhri, konsiderohet një dialog dhe marrëveshje me vlerë gjenetike, krijimi.
b. Fakti që Zoti i botëve, i cili e edukon çdo gjë duke e shtyrë drejt një përsosjeje, ndërsa njeriu ende ndodhej në trajtë grimcash në botën e atomeve, madje edhe përtej saj, iu drejtohet atyre grimcave duke ua mundësuar të ndiejnë kënaqësinë për t'u bërë njeri dhe u kërkon një fjalë e një betim; konsiderohet akti sipas të cilit çdo grimcë, duke marrë mbi supe një barrë shumë më të rëndë se mundësitë e veta, i përgjigjet pozitivisht propozimit për krijim të Zotit të vet.
Dialogu ose marrëveshja me propozim dhe pranim e supozuar të jetë bërë në dy trajtat e parashtruara më lart, duket se nuk është bërë me anë të fjalëve dhe shprehjeve. Nisur nga kjo, një pjesë komentuesish të Kuranit e kanë parë këtë si një marrëveshje metaforike - analogjike. Me fjalë të tjera, sikur ashtu është thënë, sikur ashtu është dhënë përgjigje dhe sikur marrëveshja bart një vlerë juridike; nuk është një akt i bërë me fjalë ose me shkrim.
Në të vërtetë, arritja në një përfundim të tillë pa marrë parasysh treguesin "pyetje-përgjigje" të Zotit, i cili zotëron mundësitë e një mijë e një lloj pyetjesh dhe përgjigjesh, është një punë e nxituar. Kur të jetë vendi, edhe për këtë do të bëjmë fjalë.
c. Një kërkesë vendimi dhe një marrëveshje dëshmimi e tillë është identitet i faktit që njeriu ta ndiejë vetveten dhe që ta kuptojë se s'është gjë tjetër veç vetes së vet, se përfaqëson një intuitë vetveteje, të vërtetën " Kush njeh vetveten, njeh Zotin", është të vihesh të vështrosh një pasqyrë cilësie, të bëhesh dëshmitar i hojëzimit, kësaj rruge, i të vërtetave shumëngjyrëshe që reflektohen në vetëdijen tënde e ta shpallësh këtë dëshmi. Ç'e do se kjo kërkesë dhe ky pranim, kjo dhënie-marrje fjale e ky urdhërim e përgjigje nuk janë mjaft të qarta e që mund të ndihen menjëherë. Ndoshta janë nga gjërat që ndihen pas shumë paralajmërimesh e tërheqjesh vëmendjeje; edhe rëndësia dhe vlera e veprimtarisë orientuese nga ky çast zë fill.
Vetja, vetvetja e njeriut ose ego-ja që i është dhënë si amanet njeriut, i është dhënë me qëllim që ta njohë dhe pohojë ekzistencën e lartë, sublime të Krijuesit. Fundja, qëllimi i ekzistencës së njeriut është identitet i kësaj njohjeje dhe pohimi. Për rrjedhojë, njeriu, ashtu siç me ekzistencën e vet tregon për ekzistencën e Tij dhe me atributin e vet për atributet e Tij, ashtu edhe me mangësitë e veta tregon për përsosmërinë e Tij, me nevojtarinë e vet, për faktin se Ai është absolutisht i pasur e s'ka nevojë për asgjë, me dobësinë dhe cinizmin e vet, për pushtetin dhe bujarinë e Tij. Kjo është bujaria e parë dhe dhurata e parë. Kurse aftësia njohëse dhe konceptuese që përbëjnë domosdoshmëri të bujarisë dhe dhuratës së parë, janë pohimi dhe shpallja e Krijuesit të Lartë, ekzistenca e të Cilit - falë aftësisë njohëse e konceptuese që iu falën njeriut - ndihet në ekzistencën e çdo qenieje, nuri, bukuria e të Cilit ndihet në çdo dritë. Dhe ky është dialogu ose marrëveshja njohëse mes Krijuesit dhe krijesës njeri.
Kjo marrëveshje, në përfundim të kuptimit - nga ana e krijesës - të brendisë së librit të mrekullueshëm të shkruar prej Fuqisë dhe Vullnetit Hyjnor dhe konceptimit të të fshehtave të rreshtave ku përshkruhen ngjarjet, dukuritë dhe ndodhitë, është pothuajse si një kërkesë dhe pranim.
d. Kjo marrëveshje dhe pyetja-përgjigjja brenda saj nuk duhet të mendohen materialisht dhe nuk duhet të vlerësohen materialisht. Zoti (xh.xh.) u jep urdhra të gjitha krijesave sipas veçorive të tyre të posaçme dhe po kështu ndien zërat dhe thirrjet që ngrihen prej krijesave, i kupton ato dhe i pranon si të jetë vendi e ua realizon. Po qe se do ta shprehnim këtë me terminologjinë e të folurit material, do të thoshim se Allahu (xh.xh.) që kupton çdo thënie të qenieve të cilat ashtu si dhe njeriu, e shprehin mendimin e tyre me anë të gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme, në të njëjtën kohë u jep urdhra atyre dhe ua tregon të vërtetat po ashtu, me gjuhë dhe dialekte të veçanta sipas popullatës përkatëse. Në të njëjtën mënyrë Ai e trajton njeriun dhe gjithësinë, merr fjalë prej krijesave, bisedon dhe lidh marrëveshje me ta. Kësaj i thuhet "të folurit me fjalë". Veç kësaj, Zoti ka edhe mënyra të tjera të foluri, nga frymëzimi drejtuar kafshëve gjer te trajta e komunikimit hyjnor për të cilën janë të denjë engjëjt, mënyra këto që janë variacione të të folurit në vetvete, pa fjalë ose të të folurit jomaterial.
Kjo mënyrë e të folurit (jomaterial) e Zotit, megjithëse përshkohet në një mjedis e në një kuadër tepër të gjerë, nga frymëzimet që vijnë në zemrën e njeriut e gjer te bota engjëllore, për shkak se çdo kuadër e mjedis e ka krejt të veçantë mënyrën e komunikimit, domethënë "dhënie-marrjes", është e pamundur që një mjedis apo kuadër të dëgjojë apo përcaktojë (interceptojë) mesazhet që shkojnë nëpër mjediset e tjera, zërat dhe shprehjet e lartësuara prej atje.
Ç'është e vërteta, pretendimi ynë se mund të dëgjojmë çdo gjë, është një opinion shumë i gabuar. Sot, më në fund, e kemi të qartë se nga gjërat që mund të dëgjohen, ne dëgjojmë vetëm disa për milion dhe, nga gjërat që mund të shihen, po aq. Kjo do të thotë se bota që shohim e dëgjojmë ne, në raport me botët që s'i shohim e s'i dëgjojmë, është një hiç.
Nisur nga kjo, është krejt e pamundur që me kriteret dhe etalonët tona të vockla të rroken dhe përcaktohen e folura e Zotit me molekulat, urdhrat për sistemet, zbërthimet dhe analizat të cilat kryhen në dimensione shumë të larta.
Allahu (xh.xh.) do të bëjë marrëveshje me molekulat, do të bëjë marrëveshje me qelizat, do të bëjë marrëveshje në botën e atomeve, në barkun e nënës, në periudhën e fëmijërisë, por të gjitha këto brenda kritereve tona, ne kurrë nuk do të mundim t'i rrokim dhe përcaktojmë hapur. Sidomos nëse ky dialog dhe kjo marrëveshje bëhen me shpirtin e njeriut dhe me ndërgjegjen si një mekanizëm i shpirtit...
Shpirti i njeriut është një qenie e pavarur dhe kjo specifikë tashmë është ndriçuar aq sa të mos lërë vend për debatim. Parapsikologjia me degët e saj që e ka rrethuar gjithë botën shkencore, e ka shndërruar sot në të tillë temë kureshtare shpirtin me ekzistencën, funksionet, dëshirat dhe shpresat, sa që s'ka mbetur sallon mondan e katedër shkencore pa bërë fjalë për të. Meqë tjetër herë kemi qëndruar mbi shpirtin si temë krejt më vete e të pavarur, tani do të prekim vetëm aspektin që ka lidhje me çështjen tonë.
Duke qenë se shpirti, para se të hyjë në trupin e njeriut, zotëron, në një kuptim, cilësi mbikohore, pyetje-përgjigjen si marrëveshje, të bërë në ato kushte, do ta kemi krejt të pamundur për ta konceptuar brenda kritereve tona të të kuptuarit e të të riprodhuarit. Shpirti flet ngjashëm me të folurit e të dëgjuarit në ëndrra, merr e jep lajme pa pasur nevojë për dridhjet zanore, ashtu siç ndodh në telepati. Kjo e folur e veçantë do të regjistrohet në shirita të posaçëm, do të ruhet në kaseta të posaçme dhe, kur të jetë vendi, do të dalë në shesh duke iu drejtuar në mënyrën e posaçme për të; do të flasë duke përdorur gjuhën e vet dhe prapë, me anë të thirrjeve të posaçme për personin e vet, do të dalë në shesh.
Pra, shpirtrat u thirrën në "tavolinën e bisedimeve" për të bërë një marrëveshje me Zotin e tyre. Meqë mjedisi i atyshëm s'ishte material, e panë çdo gjë krejt hapur dhe thanë "Po!" dhe e nënshkruan marrëveshjen. Vetëm se një pjesë njerëzish që ndodhen me shumicë në ditët tona, për shkak se nuk e njohën fare kapitullin mbi ndërgjegjen të librit të shpirtit, nuk rastisën në një marrëveshje dhe në një nënshkrim të tillë. Dhe as që patën mundësi të rastisnin, sepse as i kishin hedhur ndonjëherë sytë asaj bote, as kishin bërë ndonjë kërkim rreth saj. Në të vërtetë, ja ky ka qenë libri i pafjalë që kanë dashur të lexojnë Kanti duke hedhur pas shpine të gjitha librat e shkruara mbi përshkrimin dhe përkufizimin e Zotit dhe Bergsoni duke i kthyer shpinën universit material. Shpirti duhet të dëgjohet, duhet t'u vihet veshi frymëzimeve të shpirtit, duhet të ngrihet laboratori për të kuptuar gjuhën e ndërgjegjes dhe në treguesin e reflektuar në vetëdije duhen bërë përpjekje për të parë fytyrën e së vërtetës.
Ky libër është i vetëm, dëshmitari më i pagabueshëm i të vërtetës së lartë dhe "pala" ose subjekti që ka hedhur nënshkrimin në marrëveshje, mirëpo nuk është fort e lehtë t'ua tregosh këtë atyre që janë të privuar prej dëshirës dhe zellit për ta mësuar këtë gjuhë!
Nëse kokat do të mund të pastroheshin prej kufizimeve, njeriu do ta dëgjonte dhe shihte ndërgjegjen e vet duke i thënë "po" kësaj marrëveshjes së parë. Në të vërtetë, ky është edhe synimi i meditimeve dhe kërkimeve objektive e subjektive: të shpëtohet mendja prej ideve fikse, t'i fitohet liri mendimit dhe, me anë të objektivit të mendimit të lirë, të bëhen përpjekje për t'u lexuar këto shkrime të imta që ndodhen në ndërgjegje. Ka sa e sa njerëz që e kanë mësuar veten të shohin kësaj rruge, në thellësitë e zemrës, të cilët e kanë krejt të pamundur t'i gjejnë në ndonjë libër ato ç'ka kanë gjetur e përftuar me anë të vëzhgimit të brendshëm dhe me anë të ndjenjave të brendshme. Edhe simbolet dhe shenjat e librave hyjnorë vetëm nën këtë objektiv shfaqen me tërë gamën e ngjyrave të posaçme vetëm për ta. Kurse ata që s'mundin ta shohin këtë horizont e që s'munden ta kapërcejnë vetveten, kurrë s'do të mund të kuptojnë gjë nga kjo.
Dhe tani le të vijmë te aspekti i dytë i çështjes. Kur u bë vallë, kjo marrëveshje? Le të parashtroj menjëherë se, në lidhje me këtë, është mjaft e vështirë të tregohet ndonjë gjë në trajtën e ajetit kuranor apo hadithit profetik. Por është e mundur të bëhet fjalë për disa shprehje të disa komentuesve të Kuranit.
Kjo kërkesë dhe pranim ka ndodhur gjatë udhëtimit të spermës në mitër. Ka ndodhur kur fetusi ka marrë trajtë njerëzore. Ose ka ndodhur kur fëmija është pjekur dhe është bërë i vetëdijshëm për qenien e vet.
Të gjitha këto lloj vlerësimesh kanë metodën dhe rrugën e vet të mbrojtjes. Por ç'e do se është mjaft e vështirë të tregosh ndonjë shkak serioz për të parapëlqyer njërën prej tyre ndaj të tjerave ose për ta pranuar si parësore ndonjë tjetër specifikë ndaj tyre.
Kjo marrëveshje mund të jetë bërë në botën e shpirtrave, por edhe në një botë tjetër, ku shpirti të ketë kaluar në marrëdhënie me atomet e veta. Mund të ketë ndodhur në cilëndo prej periudhave të zhvillimit embriologjik ose edhe në një prej etapave të zhvillimit të fëmijës gjer në periudhën e maturisë së plotë...
Allahu (xh.xh.) që u flet bashkërisht të djeshmes e të sotmes e që i dëgjon të djeshmen e të sotmen bashkërisht, mund ta ketë bërë këtë marrëveshje në secilën ose në të gjitha këto periudha bashkë. Ne jemi kah e dëgjojmë këtë zë që vjen nga thellësitë e ndërgjegjes dhe e ndiejmë zemrën të aftë për të dëshmuar për një bisedë dhe marrëveshje të tillë.
Por ç'e do se, ashtu si stomaku e tregon urinë me gjuhën e vet të posaçme, ashtu siç trupi flet me gjuhën e tij të posaçme për vuajtjet dhe dhimbjet, edhe ndërgjegjja bën fjalë për marrëveshjet duke përdorur gjuhën e vet të posaçme, duke i mbetur besnik terminologjisë së vet; ndërgjegjja rënkon për shkak të dhimbjeve e anktheve që ndien, rropatet për t'i mbetur besnik fjalës së dhënë dhe u jep vazhdimësi emocioneve të veta në trajtën e një dallgëzimi të pandërprerë. Kur si një fëmijë, me rënkimet e veta tërheq vëmendjen, e vlerëson veten fatbardhë e të lumtur, kurse atëherë kur nuk mundet ta tregojë hallin e vet, kur nuk gjen dot dikë që t'ia shohë hallin, përpëlitet në dëshpërim.
Zemra që është një pasqyrë e shkëlqyer e aftë të pasqyrojë të vërtetën më të lartë, ç'bibliotekë e pasur që është, ç'fletore e shkëlqyer që është, ç'kuti ruajtëse e përsosur që është! Por vetëm në sytë e nxënësit që kupton prej saj!..
Pyetja 2: A ka ndonjë argument logjik në dialogun "A s'jam unë Zoti juaj?" - "Po, ti je Zoti ynë!"?
Përgjigje: Ka disa çështje, shpjegimi logjik i të cilave është mjaft i vështirë. Por mundësia e çështjes së mësipërme mund të shpjegohet. Në të vërtetë, në se Allahu (xh.xh.) bën fjalë për diçka, s'mbetet gjë për t'u kundërshtuar.
Këtë pyetje mund ta trajtojmë nga dy aspekte:
1. A ka ndodhur një dialog i tillë? Dhe në se ka ndodhur, si mund të provohet?
2. A ka njohuri individi besimtar për këtë?
Në këtë mes, para së gjithash lind pyetja: A është e saktë se Zoti, në një botë të caktuar, i ka pyetur shpirtrat:"A s'jam unë Zoti juaj?" dhe ka marrë prej tyre përgjigjen: "Po, ti je Zoti ynë!"?
Në Kuran, ky subjekt është trajtuar në dy ajete-argumente. Në të parin thuhet: "Kujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmitarë të vetes së tyre duke i pyetur: "A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!" Atëherë, të mos thoni ditën e kiametit se nuk keni pasur dijeni për këtë dëshmim!". Të gjithë dijetarët e tefsirit, të vjetër a të rinj, janë në kontradiktë lidhur me kohën se kur është marrë kjo fjalë. Një pjesë thonë se është biseduar me shpirtrat kur ata kanë qenë ende atome. Disa komentues të tjerë thonë se dëshmia është bërë sapo fëmija ka rënë në barkun e nënës. Ndërsa disa të tjerë, duke u mbështetur edhe në një hadith, thonë se kjo fjalë është marrë në çastin kur njeriut i është fryrë shpirti.
Parimisht, biseda e Zotit me qeniet është e trajtave të ndryshme. Ne flasim në një trajtë të caktuar e në një stil të caktuar. Përveç kësaj, ne kemi ndjenjat tona të jashtme e të brendshme, kemi botën tonë të jashtme e të brendshme, kemi kokën dhe shpirtin, kemi trajtat tona të të folurit me fjalë dhe të të folurit në vetvete ose, e thënë ndryshe, respektivisht, të folurit me zë e të folurit e brendshëm, pa zë. Herë-herë ne përdorim edhe këtë të folurit e dytë dhe u tregojmë ca gjëra atyre që marrin vesh nga kjo gjuhë.
Zemra ka të folurit e vet që nuk dëgjohet, domethënë nuk perceptohet nga organet e dëgjimit. Po të na pyesin ne: "Ç'bisedove ashtu me veten?", përgjigjemi: "Kështu e kështu..." Dhe, pa u menduar aspak ose pa u shtrënguar, i radhisim fjalët njërën pas tjetrës. Kjo është një e folur e brendshme, në vetvete.
Disa herë ndodh që të flasim në ëndërr. Ose, në ëndërr, dëgjojmë të na flasë dikush. Por askush i ndodhur pranë nesh, nuk i ka dëgjuar fjalët e thëna. Pastaj ne zgjohemi dhe ua riprodhojmë të tjerëve bisedën fjalë për fjalë. Edhe kjo është një e folur e brendshme, por e një stili tjetër.
Disa njerëz, edhe duke qenë zgjuar, i shohin pamjet shëmbëllimore të ofruara shikimeve të tyre nga bota e shëmbëllimeve dhe bisedojnë me persona të shëmbëllyer. Ndoshta shumë materialistë nuk i besojnë kësaj dhe e quajnë "halucinacion". Le ta quajnë... Kjo ishte edhe njëra prej dhuntive të të Dërguarit të Madh. Shikimit të tij të shenjtë i ofroheshin pamje shëmbëllimore nga bota e shëmbëllimeve dhe e varrit, kurse ai ua përcillte të tjerëve ato që kishte parë, dëgjuar e kuptuar. Edhe kjo është një trajtë e veçantë të foluri.
Kurse revelacioni, zbulesa hyjnore, është një tjetër trajtë të foluri. Profetit i vinte zbulimi. Dhe ai dëgjonte e ndiente duke e pasur të zgjuar vetëdijen por, këtë radhë, përmasat ishin krejt të tjera. Askush përveç tij nga ata që i ndodheshin pranë, nuk ndiente e nuk kuptonte gjë. Po qe se atij do t'i vinte diçka për veshin, do ta dëgjonin edhe të tjerët. Ndodhte që zbulimi i vinte kur kishte mbështetur kokën në gjunjët e ndonjërës prej grave ose në kraharorin e ndonjërit prej shokëve, por ata as dëgjonin e as ndienin gjë. I Dërguari i Madh e fiksonte revelacionin në kujtesë fjalë për fjalë dhe ua riprodhonte atyre.
Në shpirtin e njerëzve të lartësuar shpirtërisht vjen frymëzimi. Edhe ky është një trajtë të foluri më vete. Si të thuash, si komunikimi me alfabetin mors: ti-ti-ti-ta-ta-ti dhe marrësi e kupton në çast mesazhin. Po kështu diktohen gjërat në shpirtin e njeriut që i vjen frymëzimi. Prej atyre shifrave a simboleve, njeriu nxjerr disa kuptime. P.sh., ai thotë: "Filan djalë po qëndron tani para filan dere!" E hapin derën dhe djali është aty!
Ekziston telepatia. Shkencëtarët e sotëm llogarisin që një ditë komunikimi i lajmeve të bëhet me këtë rrugë. Edhe kjo është një trajtë e foluri e veçantë. Zemrat e dy njerëzve kthehen kah njëra-tjetra dhe ata munden të komunikojnë!
Nga të gjitha këto kuptohet se Zoti ka krijuar shumë lloje të folurish.
E tani të vijmë te çështja jonë. Allahu na pyeti ne: "A s'jam unë Zoti juaj? Mirëpo ne nuk e dimë se ç'lloj të foluri përdori. Nëse na ka folur ngjashëm me alfabetin mors, domethënë me mënyrën sesi jepet frymëzimi tek njeriu, gjithsesi s'kemi pse të mendojmë se duhet ta kishim dëgjuar me veshë. Nëse është frymëzim, nuk është zbulim. Dhe nëse është zbulim, nuk është frymëzim. Nëse është një e folur për shpirtin, s'është për trupin. Nëse është një komunikim për trupin, s'është i tillë që të mund ta perceptojë shpirti.
Është shumë i rëndësishëm ky çast: Nëse njerëzit, ato që dëgjojnë apo shohin nga bota e shëmbëllimeve, e varrit apo e shpirtrave, i vlerësojnë me anë të etalonëve të kësaj bote, gënjehen. Lajmëtari Besnik paqja qoftë mbi të! na thotë: "Në varr do t'ju vijnë engjëjt Munker e Nekir dhe do t'ju pyesin." E cilës pjesë të njeriut do t'i drejtojnë ata pyetje? Edhe në i folshin kufomës, edhe në i folshin shpirtit, përfundimi mbetet po ai: ata që mund të ndodhen pranë, nuk do të dëgjojnë gjë. Edhe sikur të fusin në varr një mikrofon e të përpiqen për të regjistruar diçka, nuk do t'ia arrijnë, sepse tani s'bëhet më fjalë për komunikim në përmasat tona, por në të tjera përmasa. Pse, a s'kanë folur Ajnshtajni e të tjerë për dimensionin e katërt apo s'e di për të satin dimension? Ja pra, kështu, me ndërrimin e dimensioneve, ndërron edhe çështja e cila do t'ju dalë para në një trajtë krejt tjetër!
Për rrjedhojë, dialogu në fjalë është një marrëveshje e bërë nga Allahu me shpirtin, e posaçme për shpirtin. Nuk duhet pritur që ta dëgjojmë e ta fiksojmë në kujtesë jehonën e saj. Ndoshta duhet pritur të reflektohet nga ndërgjegjja në trajtën e një ndjenje. Ne mund ta ndiejmë atë me anë të ndërgjegjes e të frymëzimeve që vijnë tek ajo.
Një radhë, kur po bëja shpjegimin e kësaj çështjeje, dikush u hodh e tha: "Unë s'kam dëgjuar gjë!" E unë e kundërshtova: "Kurse unë kam dëgjuar! Në se ti s'ke dëgjuar, atëherë shih të shpëtosh kokën! Mua më kujtohet fare mirë se e kam dëgjuar!"
Po qe se do të më pyesnin se me çfarë e dëgjova, do të përgjigjesha se e kam dëgjuar me anë të dëshirës dhe ndjenjës së të përjetshmes që më gjallon përbrenda ndërsa nuk jam i përjetshëm! Në fakt, unë edhe Zotin nuk mund ta di, sepse jam i kufizuar. Ndërsa unë, një insekt i kësaj bote të kufizuar, pasi të jetoj jetën time të kufizuar, duhet të vdes dhe ndërsa gjërat e kësaj bote të kufizuar që hyjnë në fushën time të mendimit, duhet të jenë të kufizuara, unë rri e mendoj për botën e pakufizuar. Brenda meje është ndjenja e së përjetshmes, është dëshira për të. Unë bart dëshirën për Xhenetin dhe për Bukurinë Hyjnore. Edhe sikur e gjithë bota të jetë e imja, kjo vuajtje nuk mbaron. Është pikërisht kjo gjendje subjektive si rrjedhojë e së cilës unë them "kam dëgjuar".
Asaj që ne i themi ndërgjegje, me fakultetet posaçërisht vetjake e me "organet" e saj flet vazhdimisht për Zotin dhe kurrë nuk thotë gënjeshtër. Kur i jepni ndërgjegjes atë gjë që kërkon, atë gjë që dëshiron, e keni bërë të kënaqur. Prandaj edhe Kurani urdhëron: "Zemrat e atyre që besuan, me të përmendur Allahun, qetësohen; pra, ta dini se zemrat, me ta përmendur Allahun, shtrohen!".
Një tjetër specifikë është edhe kjo. Disa filozofë si Bergsoni, duke lënë mënjanë të gjitha argumentet logjike dhe aprioristike, për vërtetimin e Zotit kanë përdorur vetëm ndërgjegjen e tyre. Kanti thotë: "Për të mundur ta kuptoj Zotin në përputhje me madhështinë e tij, unë i hodha pas shpine të gjitha ç'dija." Bergsoni ecën në këtë drejtim vetëm me "parandjenjën" e tij. I vetmi argument i tij, ndërgjegjja. Mohimi i Zotit e bën ndërgjegjen të vuajë. Ajo arrin qetësinë e kënaqësinë kur e beson Zotin. Kur njeriu ta ndiejë thellë zërin e ndërgjegjes së vet, atëherë do të ndiejë brenda saj dëshirën për të Adhuruarin e saj të përjetshëm. Ja pra, kjo atmosferë, kjo shfaqje është pohimi i Zotit që gjen shprehje në ndërgjegjen e njeriut me fjalë të pazë, është përgjigjja "Po, ti je Zoti ynë!" dhënë pyetjes së Zotit "A s'jam unë Zoti juaj?" Dhe, në se do të bëhej kujdes, çdokush do të mundej ta dëgjonte këtë zë që këputet nga thellësitë e shpirtit e ngjitet lart. Ndryshe, në se kjo do të kërkohej në kokë a në trup (në kufomë), do të bihej në kontradiktë. Zoti ekziston në ndërgjegjen e çdokujt, është potencial. Vetëm se dallimi, vërtetimi i tij mund të bëhet vetëm brenda fushës së vet. Njerëzit e mëdhenj, analistët, njerëzit e lartësuar shpirtërisht, profetët e kanë parë dhe e kanë treguar këtë të vërtetë në mënyrë krejt të hapur.
Por në se bëjmë fjalë për vërtetimin logjik, këtë çështje të veçantë nuk mundemi ta vërtetojmë siç vërtetojmë dhe përshkruajmë sende konkrete si p. sh., një dru lisi apo pishe. Këtë mundet ta kuptojë ai që i vë veshin ndërgjegjes së vet, që vëzhgon ato çka ndodhin brenda vetes së vet!
Pyetja 3: Në Kuran është deklaruar se Vullneti i Përgjithshëm i përket vetëm Zotit. Bashkë me këtë, dihet edhe se njeriut i është dhënë një vullnet i pjesshëm. Në këto kushte, në rastin e njeriut që bën mëkat, a është vetë njeriu që bën mëkat duke iu nënshtruar vullnetit të vet, apo është Vullneti i Përgjithshëm i Zotit që e detyron njeriun të kryejë mëkat?
Përgjigje: Pohimi i shkurtër i kësaj çështjeje është ky: në dorën e njeriut ka vullnet. Ne le t’i themi këtij vullneti, po të duam, vullnet i pjesshëm, po të duam, dëshirë njerëzore, ose, po të duam, edhe aftësi njerëzore për të futur në dorë diçka. Kurse aktit krijues të Zotit, t’i themi vullnet i përgjithshëm, fuqi krijuese, me fjalë të tjera përmbledhja e fuqisë, vullnetit dhe aftësisë krijuese. (Këto janë atribute të Zotit). Kur çështja merret në aspektin që i përket Zotit, kuptohet sikur Zoti detyron, pra gjërat të bëhen në atë mënyrë dhe kështu në punë futet detyrimi. Por kur çështja merret në aspektin që i përket njeriut, kuptohet sikur njeriu i bën vetë punët e tij dhe, kështu, del në pah mendimi se “çdokush është i zoti i punës ose i bëmave të veta”, që është një ide dhe parim mutezili.
Çdo gjë që ndodh në gjithësi, e krijon Allahu. Ky është edhe “Vullneti i Përgjithshëm” për të cilin bëhet fjalë në këtë pyetje. Madje, “Edhe ju, edhe bëmat tuaja Allahu i krijoi!” Me fjalë të tjera, Zoti ose krijuesi edhe i juaji, edhe i punëve, bëmave, veprave tuaja është vetëm Allahu!
Për shembull, nëse bëni një veturë ose ndërtoni një shtëpi, është Zoti që i ka bërë, që e ka bërë veturën, që e ka ndërtuar shtëpinë. Ju dhe aktet tuaja i përkisni Zotit. Por në të gjitha këto akte që kryhen, ka diçka që është specifike për ju, që ju takon juve: nisma dhe përftimi. Ndërkaq, këto janë një kusht i nivelit të ulët dhe një shkak i thjeshtë. Krejt sikur të shtypnit butonin e një rrjeti elektrik gjigant dhe të ndriçonit me të gjithë botën. Në këtë rast, ashtu siç nuk do të mund t’ju thonim se ju s’bëtë asgjë, se s’dhatë asnjë kontribut, nuk do të mund të thonim as se kjo është një vepër plotësisht e juaja. Vepra i takon plotësisht Zotit! Por, duke i krijuar këto vepra për ju, Zoti ka pranuar si kusht të nivelit të ulët ndërhyrjen tuaj të pjesshme dhe mbi këtë kusht i ka ngritur aktet apo veprat për të cilat po bëjmë fjalë, pra në të cilat ka pjesë ndërhyrja e njeriut.
Për shembull, mekanizmin elektrik të kësaj xhamie e ka ngritur Zoti dhe e ka sjellë në gjendje pune. Edhe akti për ta vënë rishtas në punë, për ta bërë që të ndriçojë, i përket Zotit. Prodhimi i dritës nga rryma elektrike dhe ndriçimi i xhamisë janë nga një akt më vete. Dhe këto i përkasin Allahut, Zotit që është Drita e Dritave dhe Portretizuesi i Dritave. Megjithatë, në ndriçimin e kësaj xhamie është edhe nisma juaj: vetëm shtypja e butonit të këtij mekanizmi të ngritur e të përgatitur prej Zotit.
Le të ofrojmë edhe një model tjetër. Le të mendojmë një makineri të ndërtuar e të bërë gati për punë, ndërkaq që akti i vetëm dhe i fundit për ta vënë në punë, shtypja e butonit, ju është lënë si detyrë juve. Pra, përveç këtij akti të fundit, të gjitha të tjerat lidhur me këtë makineri i përkasin Zotit. Prandaj edhe nismës së njeriut i themi përfitim ose vullnet i pjesshëm, kurse aktit të Zotit i themi krijim. Kështu, përpara na del një përpjesëtim i tillë vullnetesh:
Vullneti i përgjithshëm.
Vullneti i pjesshëm.
Vullnet do të thotë të duash, të kërkosh diçka, të kërkosh të bësh diçka dhe të kesh aftësinë, durimin, vendosmërinë për ta çuar gjer në fund, ta çosh gjer në fund atë çka dëshiron dhe kërkon. Dhe një gjë e tillë, në tërësinë dhe finalen e vet, i përket vetëm Allahut: “Ju s’mund të dëshironi gjë tjetër nga ajo që dëshiron Allahu!”
Kjo e veçantë nuk duhet keqkuptuar. Duke menduar si më sipër, duke thënë se robi (njeriu) ka vullnet vetëm sa për të shtypur një buton, kemi qëndruar larg nga një determinizëm ekstrem. Gjithashtu, duke thënë se Zoti është ai që e krijon aktin, që e nxjerr atë në shesh, tregojmë se nuk mendojmë si mutezilitë dhe racionalistët. Dhe me këtë pozicion nuk i bëjmë shok apo ortak Zotit as në hyjnitetin, as edhe në atributin krijues të tij. Siç është i vetëm në individualitetin e vet, Zoti është i vetëm edhe në aktin e vet; aktet, punët e veta nuk ua ngarkon të tjerëve për t’i kryer. Zoti e ka krijuar çdo gjë. Mirëpo, nisur nga një sërë të fshehtash dhe urtësish si propozimi dhe prova, ka pranuar edhe iniciativën njerëzore si kusht të nivelit të ulët.
Për ta ndriçuar edhe më mirë çështjen, dëshiroj t’ju parashtroj edhe një shembull të dhënë nga një individualitet i madh. Ai thotë:”Ta zëmë se ti merr një fëmijë me dëshirën e tij. Pastaj fëmija të kërkon ta çosh diku dhe ti ia plotëson dëshirën apo kërkesën. Mirëpo atje fëmija sëmuret. Në këto kushte, a ka të drejtë fëmija të të kërkojë llogari pse e çove atje? Natyrisht që jo. Sepse ai vetë deshi. Për më tepër, ti mund t’i japësh edhe një shuplakë duke i thënë: “Vetë deshe!” Gjithashtu në këto kushte, vullneti i fëmijës a mund të mohohet? Sigurisht që jo. Sepse ai dëshiroi dhe kërkoi. Mirëpo në këtë mes, je ti ai që e çove fëmijën atje. Tjetër, fëmija as nuk deshi të sëmurej, as nuk u sëmur vetë. Në këtë mënyrë, kemi ndarë nga njëri-tjetri tre faktorë: fëmijën që dëshiroi dhe kërkoi, atë që e çoi fëmijën, domethënë që ia plotësoi dëshirën dhe kërkesën dhe më në fund atë që shkaktoi sëmundjen.”
Me këtë sy i shohim ne kaderin dhe vullnetin e njeriut.
Të drejtën e kësaj pune e di ai që vendos për të!
Pyetja 4: Në Kuran thuhet: “Kë ta shmang nga rruga e drejtë, nuk drejtohet më; kë ta drejtoj në rrugë të drejtë, nuk ndahet më prej saj.” Po ashtu: “Njeriut i dhashë mendje e gjykim, vullnetin ia lashë në dorë të vet, veçanërisht i tregova se ç’është rruga e drejtë e ç’është rruga e shtrembër. Le të shkojë në cilën rrugë që të dojë!” Si mund të interpretohen këto?
Përgjigje: Në këtë pyetje ka dy opsione: e para, a bëhet ashtu si dëshiron vullneti i përgjithshëm i Zotit; e dyta, apo njeriu vepron me vullnetin e vet? Ajeti i Kuranit për të cilin bëhet fjalë, është kështu: “Po qe se Allahu e drejton dikë në rrugë të drejtë, askush nuk mundet ta shmangë atë prej saj. Dhe, po qe se dikë tjetër e shmang, askush nuk mundet ta drejtojë më atë!” Rruga e drejtë është rruga e gjerë dhe e orientuar që kanë ndjekur profetët. Kurse rruga e atyre që shmangen nga rruga e drejtë, është rruga e të mbrapshtëve, e perversëve që e kanë humbur orientimin.
Po të shihet me kujdes, që të dyja këto (rrugë) janë nga një punë, nga një akt më vete. Dhe, në aspektin njerëzor, janë detyra, janë funksione, gjë që pason domosdoshmërinë e konsideratës se dhënësi ose caktuesi i detyrave apo funksioneve përkatëse të jetë Zoti. Nuk mund të tregohet as edhe një akt që të mos i kushtohet Atij. Është vetëm Zoti që krijon largimin, rrugën e shtrembër, si domosdoshmëri kjo e emrit të Tij Mudil (shmangës, çorientues), dhe, po ashtu, rruga e drejtë është shfaqje e domosdoshme e emrit të Tij, Hadi (udhërrëfyes, orientues). Është Zoti ai që i jep që të dyja rrugët, të drejtën dhe të shtrembrën.
Por kjo nuk do të thotë se Zoti e shtyn përdhunisht njeriun në rrugë të shtrembër ose e drejton në rrugë të drejtë pa asnjë iniciativë apo akt të njeriut e, kështu ky bëhet, do apo s’do, a një i çoroditur, a një i drejtë.
Megjithatë, kjo çështje duhet kuptuar kështu. I cilado përmasave që të jetë akti i orientimit apo i çorientimit, t’i jepet pjesë autorësie në të njeriut, është gabim. Për shembull, duke e thjeshtëzuar, po themi se, nëse një akt i tillë peshon dhjetë ton, është gabim që njeriut t’i kushtohet qoftë edhe një përqind e tij. Zoti është pronari i vërtetë i çdo gjëje, prandaj edhe ai si akt absolutisht i duhet kushtuar të zotit.
Le t’ju parashtroj një shembull konkret. Allahu orienton dhe kjo ka shkaqet e veta. Ardhja në xhami, dëgjimi i këshillave, vetëndriçimi logjik janë nga një rrugë orientimi më vete. Një nga këto rrugë është edhe dëgjimi i Kuranit, analiza e kuptimit dhe njohja e thellësive të tij. Vajtja në bisedat mbi jetën dhe veprimtarinë profetike të Muhamedit paqja qoftë mbi të! dhe ndjekja e tyre me syrin e zemrës, hyrja në klimën parajsore të tij, dëgjimi me kujdes i fjalëve të tij të dala nga zemra, shndërrimi i zemrës në një vend ku të reflektohen shfaqjet e buruara prej tij, janë fragmente të rrugës së drejtë. Me këto qëndrime e veprime njeriu merr nismë për t’u futur në rrugën e drejtë dhe bën hapa konkrete në të. Vërtet ardhja në xhami është një nismë e vogël, por Allahu mund ta bëjë atë shkak për ta futur njeriun në rrugë të drejtë. E drejta është e Allahut, kurse robi, njeriu, është ai që troket në derë me cilësinë e atij që kërkon diçka, që kërkon të gjejë e të përfitojë diçka.
Njeriu shkon në pijetore, ose diku ku adhurohen idhuj, etj. Dhe kështu, i ka rënë derës së emrit Mudil dhe ka thënë: “Më nxirr nga udha...” Dhe po të dojë, Allahu e nxjerr. Por, po të mos dojë, nxjerr pengesa, nuk e shmang nga e drejta. Dhe po ta keni ndjekur me kujdes fillin e mendimit, do të kuptoni se njeriu ka në dorë një gjë aq të vogël, saqë nuk mund t’i bëhet shkak i vërtetë as për ta orientuar, as për ta çorientuar.
Po ju paraqes edhe një shembull tjetër. Kur ju të keni ndjekur këndime të Kuranit dhe predikime e këshilla dhe kur të keni lexuar një libër shkencor, shpirti ju mbushet plot me dritë. Mirëpo ja tek është dikush tjetër që, megjithëse dëgjon ezanin tek po rri nën hijen e minares, megjithëse ndjek predikime e këshilla, madje duke u vënë veshin lutjeve më të sinqerta e më të ndjera, prapëseprapë ndjehet i shqetësuar dhe ankohet për ezanin: “More po ç’është ky zë i shëmtuar?”
Kjo do të thotë se është Allahu, Zoti që edhe drejton, edhe shtyn në rrugë të shtrembër. Por, në se një njeri ka hyrë në rrugë të shtrembër, Zoti krijon një mundësi të tillë për të si ajo e shtypjes së një butoni dhe, pastaj, sipas prirjes së njeriut, ose e fal, ose e ndëshkon.
Pyetja 5: Shumë njerëzve Zoti u ka dhënë makina, apartamente, mall, pasuri, nder, shokë e miq, famë e popullaritet. Kurse disa të tjerëve u ka dhënë varfëri, mjerime, fatkeqësi. A mos vallë këta të dytët janë shumë të këqij, apo Zoti i do shumë ata të parët?Cili është dallimi mes atij që jeton për të fluturuar dhe atij që jeton për t’u zvarritur?
Përgjigje: Një pyetje e tillë mund të bëhet vetëm me qëllim për të mësuar. Ndryshe të çon në mëkat. Në fakt, këtë pyetje duhet ta bëjë edhe një njeri që e ka një hall.
Zoti, kujt të dojë i jep kalë, makinë, apartament, han, hamam, taksi dhe, kujt të dojë, varfëri e nevojtari. Por, në të gjitha këto nuk duhet të mohohen edhe disa shkaqe që e kanë burimin te familja dhe faktorë të tjerë. Për shembull, ashtu siç nuk mund të mohohet zgjuarsia dhe aftësia e dikujt për të fituar pasuri, ashtu edhe nuk mund të mohohet që, për të fituar, është kusht që të njihen rrugët e fitimit në vartësi të kushteve të kohës. Krahas kësaj, Zoti, megjithëse disa njerëz i tregon dinjitozë, prapëseprapë nuk i bën të pasur. Në një porosi profetike shprehet mendimi se Allahu dëshiron që dikujt t’i japë pasuri e dikujt dituri, gjë që është mjaft kuptimplote, lidhur me karakterin e pyetjes së bërë...
Nga një anë tjetër, malli dhe pasuria s’duhet të konsiderohen patjetër si diçka e mbarë e dobiprurëse. Zoti ua plotëson kërkesën disave me pasuri dhe kënaqësi e lumturi tokësore, kurse disave, jo. Vetëm diçka: edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit kanë në thelb mbarësi e dobi. Sepse, nëse ti je një njeri i mirë dhe do ta përdorësh atë që do të të jepet, me vend, është e mbarë dhe e dobishme. Por, po qe se s’je njeri i mirë dhe je shmangur nga rruga, edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit për ty s’do të përmbajnë mbarësi e dobi.
Nëse s’ke një orientim të caktuar, varfëria për ty është një shkak për mohim e blasfemi, sepse të shtyn që të ngresh krye kundër Zotit dhe për çdo ditë të hapësh flamurin e revoltës kundër Tij. Prapë, nëse nuk je në rrugë të drejtë dhe të mungon jeta ndjesore e shpirtërore, pasuria është për ty një bela dhe fatkeqësi.
Shumë njerëz gjer më sot e kanë humbur provën nën të cilën janë vënë me anë të pasurisë, që është shndërruar për ta në fatkeqësi. Sa e sa vetë ka që, megjithëse jetojnë në pasuri, në zemrat e tyre, për shkak të mosmirënjohjes, nuk ndihet as shenja më e vogël e dritës!
Për rrjedhojë, fakti që Zoti u ka dhënë këtyre pasuri, është për ta një nxitje në rrugën e tyre të mbrapshtë. Ata e kanë merituar një gjë të tillë, sepse para së gjithash, kanë vrarë jetën e vet ndjesore dhe shpirtërore dhe i kanë degjeneruar aftësitë natyrore që u pati dhënë Zoti.
Në këtë mes, është me vend të shënojmë këto porosi të Profetit tonë paqja qoftë mbi të!: “Mes jush ka të tillë që, kur ngrenë duart dhe i betohen Allahut, Ai ua çon në vend betimet dhe kurrsesi s’i nxjerr gënjeshtarë. Bera Ibni Malik është njëri ndër ta.” Mirëpo Bera, i vëllai i Enesit, nuk kishte as për të ngrënë dhe as vend ku të flinte. Ai ushqehej sa për të mbajtur frymën gjallë. Ja pra, ka sa e sa njerëz si Bera me pamje të mjerë që janë parë si njerëz të mëdhenj dhe madhështia e zemrës së të cilëve është vlerësuar me dritën e brendshme të tyre. Dhe këta janë njerëz, të cilët sipas fjalës së Profetit, janë karakterizuar si të tillë që, po të betohen, Allahu nuk do t’i nxjerrë gënjeshtarë.
Prandaj edhe në vetvete, as pasuria, as varfëria nuk duhen konsideruar mirësi apo fatkeqësi. Ndoshta sipas vendit, varfëria mund të jetë një nga të mirat më të mëdha të Zotit për njeriun. Profeti paqja qoftë mbi të! e pati parapëlqyer në mënyrë të vullnetshme varfërinë. “A nuk do që bota t’u mbetet atyre dhe përjetësia neve?” Me këto fjalë i qe drejtuar ai Hz. Omerit (r.a.), i cili në kohën kur pasuritë e botës derdheshin në thesarin e shtetit të tij, pati jetuar si njeri i varfër duke u ushqyer sa për të mbajtur frymën.
Por ka edhe varfëri të tillë që, Zoti na ruajttë, është shmangia nga rruga e drejtë dhe blasfemia. Për shembull, po qe se fjalët e mësipërme s’do të dilnin nga goja e një besimtari me qëllim analize, por nga goja e një mosmirënjohësi, ky njeri që do të shprehte ankim ndaj të mirave të Zotit, do të bëhej mohues.
Për sa u fol, do të thotë se varfëria është, sipas vendit, diku e mirë, diku pushtet. Çështja themelore është besnikëria në zemër. Ja disa shprehje të kësaj:
“O Zot, e pranoj çdo gjë që do të më vinte prej Teje!”
“Më pëlqen ç’të më vijë prej Teje, kaftan a qefin;
Trëndafil i freskët a gjemb, favor a mjerim...”
Në Anadollin lindor thonë kështu: “Prej Teje, edhe kjo e mirë, dhe ajo e mirë...”
Edhe sikur të veshë kaftan, edhe sikur të dojë të notojë në pasuri, për sa kohë që të jetë bashkë me Zotin, njeriu do të jetë i nderuar dhe i lumtur. Por, po të mos ketë lidhje me Zotin, edhe kjo botë, edhe bota tjetër humbje do të jenë për atë të varfër. Po ashtu, i pasuri që s’është bashkë me Zotin, edhe nëse në këtë botë duket në pamje i lumtur, në përfundim do të pësojë një disfatë të rëndë.
Pyetja 6: Pse Allahu nuk i krijoi të njëjtë robtë e vet, por dikë të verbër e dikë topall?
Përgjigje: E para, Allahu është i zoti i mallit. Me atë vepron si të dojë. Askush nuk mund t'i përzihet dhe nuk mund t'i ndërhyjë në punën e tij krijuese. Është Allahu (xh.xh.) ai që ka krijuar elementët përbërës të trupit tënd e që të ka falur trajtë njerëzore. Ti nuk i ke dhënë më parë diçka Allahut që të ka favorizuar me këto gjëra, që të mund të pretendosh për diçka para Tij!..
Po qe se ti do t'i kishe dhënë diçka Allahut, në përgjigje të atyre që të janë dhënë, ndoshta do të kishe të drejtë t'i kërkoje: "Më jep jo një sy, por dy; jo një dorë, por dy duar!" Ose ta kundërshtoje: "Pse më dhe një këmbë e jo dy?" Mirëpo ti nuk i ke dhënë ndonjë gjë Allahut që, mos qoftë e thënë, të ngresh akuzën për padrejtësi! Padrejtësia lind nga e drejta e papaguar. Po ç'të drejtë kërkon ti tek Ai që s't'u dha e, në këtë mes, lindi një padrejtësi!
Allahu i Lartë të ka krijuar ty duke të nxjerrë nga e paqena, madje si njeri... Nëse bën pak kujdes, do të shohësh se poshtë teje ka shumë krijesa, që, po t'i vëresh mirë e mirë, do të kuptosh se për ç'gjëra je bërë i merituar!
E dyta, disa herë Allahu ia merr njeriut këmbën dhe në jetën tjetër i jep shumë gjëra në shkëmbim të saj. Duke i marrë këmbën, njeriun e bën të ndiejë e të kuptojë sesa i varfër, sa i dobët e sa i pafuqishëm është ai si njeri! Nëse Allahu bën që ai njeri t'i kthejë sytë e zemrës kah vetja e ndjenjat t'i marrin një zhvillim të veçantë, del se i ka dhënë shumë gjëra duke i marrë fare pak. Kjo do të thotë se, edhe nëse formalisht jo, në thelb, sakatllëku i njeriut është shprehje e favorit të Zotit! Krejt si dhënia e Xhenetit për dëshmorin. Një njeri bie dëshmor në luftë. Falë të këtij akti, në Gjyqin e Madh dhe në audiencën e Allahut lartësohet në një pozitë të tillë që do t'ia kishin zili edhe njerëzit më të mëdhenj të lartësuar në nivelin e përsosmërisë shpirtërore! Të tjerët që e shohin pozitën e dëshmorit, thonë: "Eh, sikur edhe ne të na e kishte mundësuar Allahu të binim dëshmorë në fushën e luftës!" Për rrjedhojë, edhe sikur ky njeri të jetë bërë copa-copa, nuk konsiderohet se ka humbur shumë, pasi ajo që fiton është shumë më e madhe në raport me atë që ka humbur!
Edhe nëse shumë rrallë, lidhur me këtë çështje, disa njerëz devijojnë nëpërmjet nervozizmit, zemërimit, egoizmit dhe ndjenjës së inferioritetit, te shumë njerëz këto lloj të metash trupore më së shumti janë bërë shkak për kthimin e fytyrës kah Zoti. Nisur nga kjo, nuk është me vend që të merren si pikë referimi humbjet në fjalë te një pjesë njerëzish të llojit të insekteve të dëmshme. Thelbësore në këtë subjekt është nxitja ose zgjimi në shpirtrat e njerëzve kandidatë për në amshim i dëshirës për atë botë. Nëse në njeriun me defekt shfaqen, me shtytjen e defekteve, kthimi i tij kah Zoti, kurse te të tjerët marrja mësim prej tij dhe nxitja drejt së vërtetës, domethënë se te defekti ka një urtësi dhe ky i shërben qëllimit.
Njeriu, kafshët, bimët dhe të gjitha qeniet e tjera dalin në dritë të ditës në sajë të një fuqie që konkludon mbi ta, çojnë në vend detyrën e tyre të faktimit dhe pasqyrimit dhe, pastaj, hiqen nga skena e fshihen duke ua lënë vendin të tjerëve.
Në këtë botë, edhe lindjet, edhe vdekjet kryhen si nga një ekspozim, faktim dhe provë më vete. Ashtu siç çdo gjë kur fiton ekzistencë si qenie, bëhet argument krejt i hapur i një Ekzistence të fshehtë dhe interpret i Saj, ashtu edhe largimi i saj në mbarim të periudhës përkatëse, është kah argumenton përjetësinë e asaj Qenieje të fshehtë të pafillimtë dhe pavdekshmërinë e Saj.
Po, ne dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar ekzistencë nga hiçi, nga e paqena, me qenien tonë tregojmë për qenien e dikujt tjetër dhe, me të parët, të dëgjuarit dhe aftësinë njohëse tonën si dhe me ikjen tonë duke braktisur çdo gjë që bartëm mbi shpinë si amanet një jetë të tërë, tregojmë për NJËSHIN e fshehtë, të kundërt me gjërat e përkohshme që vijnë e shkojnë e që shkojnë për të mos u kthyer më! Është "Ai që ka krijuar jetën dhe vdekjen që ju të jepni provën se cili prej jush do të kryejë vepra më të mira."
Të arrish të konceptosh të fshehtën e ardhjes tënde këtu, të japësh provën në gjendjen aktuale dhe të jesh gati për të ikur, ja pra, se ç'është e rëndësishme për njeriun!
Dhe tani, pas kësaj hyrjeje përgatitore të shkurtër, le të merremi me çështjen tonë, çastin e fundmë të përbashkët të të vdekurve në një çast.
Ashtu është, të gjithëve u ka ardhur çasti i fundit menjëherë së bashku! E, për të ndodhur kështu, nuk ka asnjë pengesë serioze e që të vlejë për t'u shënuar. Individualiteti i Lartë që mban në dorë ekzistencën të tërë, ashtu siç i ka krijuar çdo njeri dhe çdo gjë, nga grimcat e gjer te sistemet, secilin brenda paracaktimit të vet të posaçëm, së bashku menjëherë, po ashtu edhe mund t'i vdesë të gjithë së bashku menjëherë! As fakti që gjërat apo qeniet mund të ndodhen veç e veç në vende të ndryshme, as edhe ndryshimet karakteristike e cilësore në lidhje me këtë, nuk mund të përbëjnë pengesë.
Megjithëse për ta treguar efektivitetin e Qenies me fuqi të pafundme, nuk mund të gjendet ndonjë shembull që ta reflektojë plotësisht atë fuqi, prapëseprapë mund të bëhet fjalë edhe për shumë gjëra që mund t'i bëhen pasqyrë Asaj, që mund të japin një ide.
Përgjithësisht, qeniet me karakteristika dhe cilësi të ndryshme që orientohen kah dielli, e vazhdojnë jetën e tyre duke parë kah ai pa shkaktuar ndonjë pështjellim, marrin ngjyra të ndryshme nën dritën e tij, në gjendjen më të shkëlqyeshme me të vijnë dhe me lindjen e perëndimin e tij zbehen, shkoqen, shuhen e shkojnë. Krejt ashtu si ai, çdo gjë barset në prehrin e të njëjtës pranverë, zhvillohet e përhapet në të njëjtën verë dhe në të njëjtën vjeshtë zverdhet e megjithatë fati i paracaktuar i secilës qenie dhe i të gjithave është i ndryshëm. Të gjitha së bashku dhe veç e veç, e shfaqin ekzistencën dhe efektivitetin e tyre sipas planit dhe programit të asaj diturie të gjerë, sipas orientimit të atij vullneti e të asaj dëshire të pafund, jo në mënyrë spontane, por në atë drejtim që kërkon Vullneti dhe Dëshira e Lartë. "Ai di gjithçka ndodhet në tokë e në det. Ai ka dijeni për gjethen që bie, për farën që ndodhet brenda errësirës së nëntokës. Çdo gjë e njomë dhe e thatë ndodhet në Librin e Qartë."
Nëse jeta dhe vdekja, zhvillimi dhe produktiviteti i drurëve, barërave, farërave e kokrrave ndiqen kaq seriozisht, a mund të ndodhë që një qenie e përkryer si njeriu të lihet pa orientim e kujdes? Zoti i Lartë i universeve që nuk pengohet të shohë një gjë kur sheh një gjë tjetër, të dëgjojë një gjë kur dëgjon një tjetër, sigurisht që do t'i japë rëndësi çdo gjendjeje të njeriut si krijesa më e vlerë, vepra artistike më e çmuar dhe, duke i favorizuar një individi të tij gjërat që ndodhen tek të gjitha tipet e llojet e qenieve të tjera, do ta trajtojë posaçërisht njeriun që është indeksi ose shëmbëlltyra në miniaturë e të gjitha universeve, do ta bëjë të merituar të konsideratës së Tij të posaçëm dhe, me rrugë të posaçme, do ta nderojë në audiencën e Vet!
Kjo ftesë dhe bartje për atje mund të ndodhë disa herë në shtrat, disa herë në fushë të luftës dhe, disa herë edhe në ndonjë fatkeqësi. Madje, mund të ndodhë edhe në masë ose një e nga një nëpër vende veç e veç nga njëri-tjetri. Këto, nga këndvështrimi i Krijuesit ndaj njeriut, kurrsesi nuk ndikojnë në përfundim. Zoti i Dijes dhe i Fuqisë së Pafundme që ka në dorë frerët e çdo njeriu, që e mban një qenie në jetë sa të dojë e pastaj e lëshon, sipas librit pranë tij, është krejt normale dhe e pranueshme që t'ua marrë shpirtrat individëve dhe shtresave të caktuara. Ashtu siç u prek edhe më parë, kjo është diçka si puna e një komandanti epror, që për një njësi ushtarake për të cilën është përcaktuar se po e mbaron afatin e shërbimit ushtarak, të kryejë kur t'i vijë dita, lirimin e tyre.
Veçanërisht, ashtu siç është bërë e qartë edhe në vendin ku është prekur çështja e karakterit gjithëpërfshirës të detyrës së engjëllit të ngarkuar me marrjen e shpirtrave, ka aq shumë engjëj përgjegjës për të marrë shpirtrat, sa në të gjitha vendet të përfshira në mijëra fatkeqësi që ndodhin në të njëjtin çast, me çdo të vdekur mund të takohen, sipas vullnetit dhe miratimit të Zotit, jo një, por disa engjëj dhe, sipas librave që mbajnë në dorë, mund t'i drejtojnë kurbanet e tyre në perspektiva të ndryshme.
Kur këto lloj fatkeqësish merren në analizë në mënyrë shumë serioze, me të vërtetë është e pamundur të mos shohësh edhe një miratim të parë, edhe ardhjen e çastit të fundit për të gjithë të vdekurit menjëherë. Duhen vëllime të tëra për të përcaktuar dhe përshkruar tërë ndodhitë interesante e të mrekullueshme të kësaj natyre. Mbi gjithçka, edhe ato që janë shkruar, janë aq shumë sa i kalojnë vëllimet. Nuk kalon ditë që të mos shoh të shtypur disa prej ngjarjeve të tilla të jashtëzakonshme që do të bëheshin subjekte librash.
Për shembull, në një tërmet që e kthen qytetin përmbys, në kundërshtim me faktin që mijëra vetë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arrihet të shpëtohen, shumë ditë më vonë nxirren nga gërmadhat qindra fëmijë të padëmtuar... Ose diku një rimorkio rrokulliset në kanal, të gjithë punëtorët e hipur mbi të mbyten, kurse tej mbi ujë, qëndron një foshnjë e lidhur në dizga, pa pësuar asgjë... Ose në një aksident ajror, ndërsa njerëz të aftë e të stërvitur nuk arrijnë dot t'u shpëtojnë flakëve, një bebe e fluturuar dyqind metra më tej gjatë rrëzimit shpëton pa marrë asnjë gërvishtje... Të gjitha këto e qindra ndodhi janë kah vërtetojnë sesi jeta, ashtu edhe vdekja nuk janë dukuri spontane, por përkundrazi, realizohen me anë të masave të marra prej dikujt që di, sheh dhe drejton.
Të gjitha qeniet që vijnë në jetë individualisht ose në grup, gjer në afatin kur u mbaron detyra e shënuar në regjistrat përkatës dhe kur do t'ju vijë çasti i fundit, e mbushin jetën duke çuar në vend përgjegjësinë për të konceptuar të fshehtat e imta të krijimit, për të zbuluar enigmat e përtejnatyrës, për t'iu bërë pasqyrë dhe interpret Individualitetit që na ka dërguar këtu ne dhe ata dhe, pastaj, lirohen nga detyra një e nga një, copë-copë ose në grup.
Kjo e ditur, ky përcaktim dhe saktësim dhe pastaj, çuarje në vdekje e krijesave, domethënë sjellja në një e çasteve të fundit dhe dhënia fund e punës së tyre janë mjaft të lehta për Allahun (xh.xh.) që e di në trajtën më të mirë çdo gjë nga kreu në fund. Mbetet të themi se prej Atij që di çdo gjë të hapur a të fshehur, e mësojmë se përreth çdo njeriu ndodhet një tufë engjëjsh dhe se, përveç këtyre, ndodhen edhe shumë engjëj nga ata që marrin shpirtrat.
Në këtë diskutim mund të lindë veçanërisht një kundërshtim i tillë i vogël: Në këto lloj ndodhish fatkeqe, bashkë me ata që e kanë bërë hak, dëmtohen e shkojnë edhe një numër i madh të pafajshmish. A mund të na thoni diçka rreth kësaj?
Le ta them menjëherë se edhe kjo pikëpyetje lind nga një mahitje në besim dhe në përfytyrim. Po qe se jeta do të ishte identitet vetëm i jetës së kësaj bote dhe vendi i njeriut do të ishte krye e fund këtu, ndoshta ky kundërshtim do të kishte një aspekt të pranueshëm e do të ishte i mbështetur. Mirëpo kjo botë për njeriun është një arë, një fushë ku tregohet zelli dhe një sallon pritjeje, kurse bota përtej është vendi ku korret e shihet në lëmë, është koha kur mblidhen frutat dhe, më në fund, i shpëtimit nga shqetësimet dhe i arritjes së lumturisë. Dhe sipas këtij vlerësimi, në vdekjen e të mirit me të keqin bashkë, e fajtorit me të pafajshmin nuk ka asgjë të panatyrshme. E kundërta, një ecuri e tillë e gjërave është më e pranueshmja dhe më logjikja. Sepse në ringjalljen e dytë, secili do të marrë një trajtë të posaçme qenieje sipas qëllimit dhe sjelljeve të veta, sipas tyre do të trajtohet, sipas tyre do t'i nënshtrohet ndëshkimit ose do të meritojë favor.
Përmbledhtas, çasti i fundit dhe vdekja janë identitet i mbarimit të periudhës së ndodhjes dhe shërbimit në këtë botë. Një periudhë e tillë, në cilësinë e një plani të parapërgatitur në linjën e mosinjorimit të vullnetit të njeriut, të regjistruar e të kaluar në arkiv, s'është gjë tjetër veç ekzekutimit të tij kur t'i vijë stina, sipas urdhrit dhe fermanit të Individualitetit që di, sheh e dëgjon çdo gjë. Mes ekzekutimit individual dhe kolektiv nuk ka asnjë lloj ndryshimi logjik.
Kam mendimin se ashtu si në çështje të tjera, edhe këtu, mosnjohja e dijes, fuqisë dhe vullnetit të pafund të Krijuesit të Lartë përbën një prej shkaqeve kryesore të deviacionit. Dhe një tjetër shkak është gabimi në këndvështrimin e gjërave e të dukurive. Nëse përballë ndodhive, nuk mundemi t'i zhveshim kokat nga kuptimi i gabuar i natyrës e i shkaqeve si dhe të mbyllemi vetëm për vetëm me ndjesitë tona, bota jonë e brendshme, me besime të dobëta, do të shndërrohet në shesh lufte të lëkundjeve e cytjeve djallëzore.
Shtuar kësaj edhe faktin që, si rezultat i varfërisë së botës tonë ndjesore dhe ushqimit të saj të pamjaftueshëm, qoftë edhe të pambështetur, pirja çdo ditë kupë pas kupe e dyshimeve dhe lëkundjeve është një fatkeqësi e tillë e frikshme, saqë nuk duhet çuditur për prishjen e udhëzimit të brezave, por për faktin që brezat ende nuk kanë arritur ta mbrojnë udhëzimin e tyre.
Për këto çështje që duken si të parëndësishme, mund të pretendohet se u qëndrua më shumë se ç'i takonte. Por ne nuk do të jemi dakord me këtë mendim për asnjërën prej çështjeve që kanë lidhje me besimin. Në sytë tonë, edhe çështja më e vogël lidhur me besimin është në madhësinë e maleve dhe e shtrenjtë sa bota. Nisur nga kjo konsideratë, sado pedantisht që të qëndrohet mbi të, e vlen dhe është me vend.
Pyetja 7: Duke qenë se dihet që më parë se kur dhe si do të vdesë njeriu, cili është faji i vrasësit?
Përgjigje: Ashtu si çdo gjë, edhe koha dhe mënyra e vdekjes së njeriut janë të përcaktuara qysh më parë. Me fjalë të tjera, çdo gjë që është e qartë dhe efektive për gjithësinë, është evidente dhe efektive edhe për njeriun, për jetën dhe vdekjen e tij. Të fitosh ekzistencë në rrugë të caktuara, prapë, të vazhdosh ekzistencën brenda parimeve të caktuara e të hiqesh nga skena pas një kohe të caktuar, kjo është një e vërtetë e pashmangshme për çdo qenie. Çdo gjë lind brenda një kuadri fatal të paracaktuar të përgjithshëm e shumë të gjerë si dhe në një linjë të përcaktuar për të, zhvillohet e, pastaj, shuhet e mbaron. Kjo është një rrugë e pandryshueshme dhe një rregull e një qark i mbyllur ose një rreth vicioz që do të vazhdojë gjer në amshim.
Me anë të shkencave pozitive të zbuluara e të zhvilluara në zemër të kësaj gjithësie kolosale e cila, që nga molekulat e gjer te sistemet, funksionon me një rregullsi dhe harmoni marramendëse, me anë të parimeve të përhershme përkatëse të atyre shkencave si dhe të ligjësive universale tek çdo gjë vihet re fare qartë një paracaktim i tillë, një vlerësim dhe një vendim paraprak. Pa pasur një planifikim të tillë të parë, as shpjegimi i rregullit dhe i harmonisë në gjithësi do të ishte i mundur dhe as në lidhje me të zhvillimi i cilësdo prej shkencave pozitive. Falë simetrisë dhe rregullsisë së funksionimit të gjithësisë është bërë e mundur që në laboratorët e fizikës të kryhen kërkime sipas parimeve të caktuara, që anatomia të lexohet e kuptohet brenda rregullave të caktuara e që të dilet drejt thellësive të kozmosit.
Nuk ekziston asnjë mundësi për të menduar cilëndo prej shkencave pozitive në një gjithësi pa harmoni, në një botë pa plan e pa program e në revistën e një natyre që funksionon pa rregull. Në të vërtetë, shkencat kanë bërë për objekt të tyre një pjesë rregullash dhe parimesh ekzistente, i kanë përshkruar ato dhe u kanë vënë emra dhe tituj të caktuar.
Me këtë pohim nuk duam të nënvleftësojmë shkencat dhe zbulimet shkencore, vetëm, duke tërhequr vëmendjen për vendin dhe rëndësinë e tyre, duam të theksojmë se duhet të kihen parasysh specifika shumë më të rëndësishme, ndër të cilat më e rëndësishmja, rregulli dhe harmonia që kanë funksionuar dhe kanë rrahur si një zemër në gjoks të gjithësisë para shkencave dhe zbulimeve shkencore. Dhe Ai që, me anë të një caktimi të parë e me një program fatal të paracaktuar, e bën bazë për të gjitha universet këtë rregullsi dhe harmoni, është i fuqishëm e i lartë.
Sot ka madje, sociologë që kërkojnë që këto ligje që duken efektive për të gjitha qeniet, t'i zbatojnë edhe në shoqërinë njerëzore. Edhe nëse një fatalitet i tillë i kulluar, më saktë, një fatalitet i furishëm e i pashmangshëm është një subjekt gjithmonë i kritikueshëm, nga pikëpamja e harmonisë së përgjithshme dhe pohimit të programit parësor në të cilin mbështetet kjo harmoni, është mjaft kuptimplotë.
Në fakt, çdo e vërtetë që i përket besimit, ekziston në vetvete, është e lartë dhe e pastër nga nevoja për t'u mbështetur prej faktorëve dhe pohimeve të jashtme. Dhe duke i bërë thirrjen "Kthehu në vendin tënd!" brezit tonë fatkeq, shikimi i të cilit është turbulluar me turli gjërash të tilla të jashtme, joesenciale e të sajuara dhe zemra i ka lëvizur prej vendit me shprehje që u përkasin atyre, jemi të mendimit se do të jetë me dobi të preknim, qoftë edhe me rrugë analogjie, karakterin kontradiktor të atyre gjërave që ia kanë prishur mendjen atij. Prandaj edhe e zgjatëm fjalën dhe bëmë vetëm deklarime të jashtme. Ndryshe, fakti që tërë gjithësia funksionon brenda një përshtatshmërie dhe raporti të përsosur, që çdo gjë, nga atomet e gjer te galaktikat, lëviz me një rregullsi të qartë, argumenton se ekziston një caktim dhe miratim që mban lidhur, kushtëzon tërë materien, se ekziston një sundim dhe detyrim mbi tërë materien. Të gjitha botët që janë formuar, kanë përkulur zverkun para këtij sundimi absolut dhe kanë ardhur gjer në ditët e sotme duke kaluar nga një gjendje në tjetrën, të bindur ndaj vullnetit të Tij!
Veçse, edhe nëse për njeriun dhe të ngjashmit me të, për qeniet me vullnet dhe liri, krijimi i parë është plotësisht në të njëjtën linjë me qeniet e pavullnetshme e të tjera, më pas, qeniet e vullnetshme, në specifikat që hyjnë nën vullnetin e tyre, ndahen krejtësisht prej qenieve të tjera. Si rrjedhojë e një diferencimi të tillë, kuptimi i "përcaktimit paraprak" (të parë ose primar) merr një karakter të ndryshëm për njeriun dhe qeniet e ngjashme me të. Prandaj edhe pyetja e bërë, në thelb lind ngaqë s'i është rënë në të këtij aspekti të veçantë të njeriut dhe ngaqë ai është konsideruar krejt si materia tjetër. Nisur nga kjo, jemi të mendimit se konceptimi i një ndryshimi të tillë mes njeriut dhe qenieve të tjera do ta zgjidhte çështjen, qoftë edhe pjesërisht. Çka mbetet, është identitet i pranimit që dija hyjnore e ka rrethuar, e ka përfshirë nën kompetencën e saj tërë materien.
Ndryshe nga krijesat e tjera, njeriu ka një vullnet dhe liri, një aftësi (kapacitet) prirjeje dhe zgjedhjeje. Dhe sipas këtij vullneti e kësaj lirie, këtij kapaciteti prirjeje e zgjedhjeje i atribuohen e mira dhe e keqja, akti legal dhe i dobishëm (sevap) dhe akti jolegal e i dëmshëm ose mëkatar (gjynah). Çfarëdo peshe që të kenë vullneti dhe dëshira e njeriut përballë përfundimeve që dalin në shesh, nëse ai vullnet pranohet si një kusht dhe element shkakësor nga ana e Krijuesit të Lartë, të qenët fajtor apo jofajtor sipas orientimit të tij (vullnetit) kah dobitë apo dëmet, mbështetet në prirjen që tregon gjëja e quajtur "vullnet" ndaj dobisë apo dëmit. Çfarëdo peshe që të ketë ngjarja që del në shesh si rezultat i kësaj prirjeje dhe sado e tërthortë që të jetë, mëkati, përgjegjësia bien mbi njeriun për shkak se, me prirjen e tij, ai e ftoi atë delikt. Kurse individualiteti që e ka përcaktuar dhe miratuar qysh më parë atë mëkat dhe përgjegjësi e që e krijon brenda kohës së caktuar, është i lartë, sublim dhe s'ka të bëjë me mëkatin dhe përgjegjësinë.
Për shembull, sikur ai Individualitet i Lartë ta lidhte një ngjarje të tillë të madhe si ndërrimi i klimës me frymëmarrjen tonë e të na thoshte: "Nëse do të merrni frymë me një shpeshti më të madhe se kaq frymëmarrje në minutë, do ta ndërroj klimën e vendit ku ndodheni ju", ne, mbështetur në ligjshmërinë shkak-pasojë, nuk shohim ndonjë lidhje mes procesit të frymëmarrjes dhe ndërrimit të klimës, e realizojmë gjënë e ndaluar dhe Ai e ndërron klimën ashtu siç pati premtuar, fajtorë do të bëhemi ne që i dhamë shkak kësaj ngjarjeje apo delikti edhe pse realizimi i saj qëndron tepër larg mundësive tona.
Ja pra, analogjikisht me këtë, çdo njeri, me pjekurinë mendore dhe vullnetin e pjesshëm që ka në dorë, si rrjedhojë e përfundimeve për të cilat bëhet shkaktar, konsiderohet ose fajtor dhe ndëshkohet, ose dobiprurës dhe shpërblehet.
Për pasojë, edhe ai që bëhet shkak për vdekjen e dikujt, bëhet fajtor dhe, nëse nuk falet në rezidencën e lartë, ndëshkohet.
Dhe tani le të qëndrojmë pak edhe në aspektin e dytë të çështjes: dija e Krijuesit, e cila përfshin çdo gjë dhe vetia ndërtuese e njeriut.
Sipas dijes së Allahut, e gjithë qenia si dhe çdo gjë përtej qenies janë të ndërthurura me shkaqet dhe pasojat ose përfundimet a rezultatet. Në këtë ndërthurje, më parë-më pas, shkak-pasojë, baba-nënë, pranverë-vjeshtë bëhen dy fytyrat e të njëjtës gjë. Dhe prapë sipas asaj dijeje, e pasmja njihet dhe sundohet, (mbi të konkludohet) si edhe e parmja, përfundimi si edhe shkaku.
Meqë dihet qysh më parë se kush dhe ç'prirje do të tregojë në një drejtim të caktuar si dhe kush dhe në ç'aspekt do ta përdorë vullnetin e vet që është identitet i një kushti të thjeshtë dhe i një shkaku, përcaktimi dhe miratimi qysh më parë i përfundimeve që kanë për të dalë në shesh, nuk e lidhin dhe nuk e detyrojnë vullnetin e njeriut. E kundërta ndodh. Meqë miratimi i bërë ka marrë parasysh dhe ka llogaritur prirjet e tij, do të thotë se vullneti i tij është kah pranohet dhe mbështetet. Po kështu, nëse një zotëri u thotë shërbëtorëve të tij kështu: "Në se e mbani kollën, do të përfitoni dhurata të mrekullueshme, e në se kolliteni pa shkak, jo vetëm do t'i humbni dhuratat, por edhe do të ndëshkoheni", do të thotë se e ka pranuar dhe mbështetur vullnetin e tyre. Analogjikisht, nëse Krijuesi i Lartë do t'i jepte ferman njërit prej robërve të Tij: "Po qe se ti do të tregosh prirje në këtë drejtim, edhe unë do ta realizoj atë gjë për të cilën do të priresh ti. Dhe ja ku po e bëj të ditur që tani atë gjë sipas prirjes tënde!", do të thotë se i ka dhënë rëndësi dhe vlerë vullnetit të tij.
Nisur nga kjo, ashtu siç "përcaktimi i parë" nuk e lidh vullnetin, nuk bëhet fjalë as për ndonjë imponim ndaj njeriut për të kryer ndonjë çfarëdo pune në kundërshtim me pëlqimin e vet.
Veçanërisht, fati i paracaktuar (kaderi) dhe përcaktimi i parë janë vetë programet e Allahut (xh.xh.). Kjo do të thotë që Allahu të dijë se kush dhe në ç'drejtim do të priret e të bëjë një program me gjërat që do të krijojë. Kurse të dihet nuk kërkon domosdoshmërisht që gjërat e planit të dytë (pasojat) të bëhen kështu apo ashtu. Trajtën kështu apo ashtu të gjërave që realizohen në plan të dytë, e krijon fuqia dhe vullneti i Krijuesit sipas prirjeve të njeriut. Nisur nga kjo konsideratë, gjërat që fitojnë ekzistencë dhe dalin në shesh, nuk janë krijuar pse ashtu janë ditur. Në të kundërt, dihen me trajtat që janë krijuar, gjë që është përcaktimi i parë dhe miratimi i parë. Teologët e shprehin këtë kështu: "Dija është e kushtëzuar nga e njohura". Domethënë, dihet ashtu si do të bëhet e jo bëhet pse ashtu dihet. Siç ndodh që projektet dhe planet tona teorike nuk lindin domosdoshmërinë e realizimit të gjërave që kemi përfytyruar ne, ashtu edhe përcaktimet e para që do t'i quajmë projektet dhe planet e Krijuesit, nuk e bëjnë të detyrueshme ekzistencën e një çfarëdo gjëje në plan të dytë.
Përgjithësisht, Allahu, me dijen e tij të gjerë që përfshin gjithçka ka ndodhur e do të ndodhë, i di shkaqet ashtu si edhe pasojat, pasojat ashtu si edhe shkaqet. Ai ka përcaktuar dhe miratuar se cilët do të kenë si qëllim të bëjnë punë të mira dhe cilët do të ndërmarrin të bëjnë punë të këqija si dhe ç'gjëra do të nxjerrin në shesh me ato qëllime e ato punë. Dhe, kur t'i vijë koha, do t'i krijojë gjërat e miratuara sipas prirjeve dhe qëllimeve të njeriut përgjegjës.
Prandaj edhe fakti që mënyra dhe koha e vdekjes së një njeriu si dhe fakti që dikush do të bëhet shkaktar i fajit në fjalë janë të përcaktuara që më parë, nuk e fshijnë përgjegjësinë e shkaktarit. Sepse miratimi është bërë duke llogaritur lirinë dhe vullnetin e shkaktarit. Prandaj edhe faji ose mëkati do t'i ngarkohen atij dhe ai do të ndëshkohet sipas fajit apo mëkatit të kryer.
Është kusht që kjo çështje e lidhur me kaderin, fatin e paracaktuar, të studiohet përsëri e përsëri veçanërisht në bibliografinë e vet. Ajo çka dimë ne, është ta paraqesim çështjen, brenda parimeve të shëndosha, në nivelin e njeriut të thjeshtë.
Pyetja 8: Ç’do të thotë “vullneti i përgjithshëm” dhe “vullneti i pjesshëm”?
Përgjigje: “Vullnet i përgjithshëm” është emri i dhënë mes popullit vullnetit të Zotit. Në kohën e sahabëve, tabiinëve dhe tebei tabiinëve, një terminologji e tillë nuk njihej. Pra, ata nuk i kanë thënë vullnetit të Zotit vullnet i përgjithshëm dhe vullnetit të njeriut, vullnet i pjesshëm. Ndërkaq, nuk duhet të ketë shumë dëm në vënien e një terminologjie të tillë me qëllim që populli ta kuptojë çështjen. Natyrisht, kjo fjala ime është përsëri e hapur ndaj kritikës.
Në fakt, një terminologji e tillë është shprehje e një vlerësimi të natyrshëm të nxjerrë nga përfundimet e dukurive. Për rrjedhojë, mund të konsiderohet se ky vlerësim ka një pikëmbështetje të drejtë.
Në të vërtetë, duke e quajtur vullnetin e Zotit vullnet të përgjithshëm, janë vënë si synim këto kuptime. I gjithë vullneti i përket Allahut. Kur Allahu dëshiron diçka, e krijon atë diçka pa marrë parasysh vullnetin e tjetërkujt. Këtu dëshirojmë të kujtojmë edhe një herë një specifikë mbi të cilën ju kemi tërhequr vëmendjen edhe më parë. Disa, në mënyrë të gabuar, thonë: “Allahu e krijon atë që do dhe nuk e krijon atë që nuk do”. Kjo është e gabuar. E drejtë do të ishte kjo: “Bëhet gjëja që Allahu dëshiron të bëhet dhe nuk bëhet gjëja që Allahu dëshiron të mos bëhet”.
Në gjithësi sundon detyrimi. Duke e krijuar gjithësinë, Allahu (xh.xh.) nuk ka pyetur askënd dhe s’ka marrë për bazë asnjë vullnet tjetër. “Ai krijon atë që dëshiron!” Por Ai u ka dhënë vullnet edhe njerëzve. Për njerëzit, ky vullnet është mjet përparimi ose prapambetjeje. Dhënia vullnet njeriut ka të bëjë me emrat (atributet) Rrahman (mëshirues) dhe Rrahim (shpërblyes) të Allahut. Me fjalë të tjera, vullneti i dhënë njeriut është një favor i Zotit për të me anë të shfaqjes së këtyre emrave ose atributeve. Ndryshe, po ta shihnim materien sipas emrit të madh “Allah”, do të vërenim se gjithësia ekziston dhe funksionon brenda një detyrimi serioz. Rregulli sipas të cilit “pronari vepron si të dojë në pronën e vet” është i vlefshëm për të gjitha qeniet. Është vetëm njeriu të cilit i është dhënë një vullnet me përbërje dhe cilësi të panjohur. Kur ai e përdor këtë vullnet për të mirë, Allahu (xh.xh.) e krijon të mirën, kurse kur e përdor për të keq, Allahu (xh.xh.), po të dëshirojë, e krijon të keqen. Ajo që na shtyn këtu në guximin për të dhënë një konkluzion të tillë, është përsëri besimi dhe bindja në mëshirën dhe bamirësinë e Zotit!
E shprehur ndryshe, kur ne ta dëshirojmë të mirën, besojmë në mënyrë kategorike se Zoti do ta krijojë atë të mirë. Por disa herë ndodh që të keqen që dëshiron njeriu, Allahu të mos e krijojë duke bërë, në këtë rast, një favor. Për shembull, dikush kërkon t’ia prishë mendjen një njeriu dhe ky njeri priret për t’iu bindur atij dhe të çorientohet. Mirëpo Zoti, ose për shkak të një veprimi të mirë të kryer nga ky njeri në të kaluarën, ose si shkak të një veprimi të mirë që ka për të bërë në të ardhmen, nuk e dëshiron çorientimin e tij dhe nuk e krijon atë të keqe për të. Madje nxjerr një pengesë duke ia hequr mundësinë njeriut të shkojë te e keqja. Kjo gjë është falje, dhurim i Zotit. Por meqë edhe Xheneti, në një aspekt, varet nga përdorimi prej njeriut i vullnetit të vet, Zoti i krijon gjërat e kryera për të mirë. Mjafton që njeriu, duke kryer një mëkat të madh që ia fshin të gjitha të mirat, të mos e eliminojë denjësinë e vet për faljen dhe dhurimin e Zotit për të në të ardhmen!
Pyetja 9: A mund ta shpjegoni ligjin e faljes (atá) të Zotit?
Përgjigje: Fjala atá do të thotë favor, mirësi, shpërblim. Ndërkaq, aspekti i faljes që ka lidhje me temën tonë, është aspekti i saj i lidhur me kadanë dhe kaderin. Po qe se njeriu e kërkon të keqen, edhe Zoti e cakton atë për njeriun. Fundja përcaktimet e bëra për njeriun bëhen duke llogaritur vullnetin e tij. Për shembull, po qe se ngritja e dorës nga unë është caktuar për mua para se ta ngrija dorën, Zoti e ka caktuar sepse e ka ditur se unë do ta përdor në atë drejtim vullnetin ose prirjen time. Sepse atributi “dituri” i Zotit përfshin gjithçka të kaluar e të ardhme përfshi edhe personin e tij. Për rrjedhojë, Zoti i di edhe punët e mia që kam për të bërë dhe sipas kësaj dijeje bën përcaktimet përkatëse për mua: “Filan robi im do të dojë ta ngrejë dorën dhe unë do ta krijoj ngritjen e dorës së tij”. Ose thotë: “Unë kështu e shkrova këtë!” Ja, ky është kaderi. Pra, shkrimi i kësaj kështu është kader. Kurse ngritja e dorës nga unë kur t’i vijë koha, është kada. Kada do të thotë zbatim i përcaktimit të bërë për mua.
Kurse faljen (atá) mund ta kuptojmë në këtë mënyrë. Për shembull, njeriu e përdor vullnetin dhe prirjen e vet në drejtim të keq ose për të keq. Por Zoti, për shkak të një situate të bukur të tij, për shkak të zemrës së mirë të tij ose për shkak të një sjelljeje të mirë të tij, bën një falje të posaçme dhe nuk lejon që njeriu ta kryejë të keqen për të cilën është prirur dhe e ka vënë në veprim vullnetin e vet. Kështu, vlerësimi i bërë për të më parë, nuk ekzekutohet. Falja ndikon mbi kadanë, kurse kadaja mbi kaderin. Ndërkaq, të gjitha këto rrjedhin në Leuhi Mahv dhe Isbat, pasi në dijen hyjnore nuk ndodh ndonjë ndryshim. Leuhi Mahv dhe Isbat në njëfarë kuptimi mund të konsiderohet si libri personal i njeriut dhe në të mund të ketë ndryshime; por në Leuhi Mahfudh s’bëhet fjalë për diçka të tillë.
Falja është një favor, kurse për favoret nuk është kusht meritimi. Në fakt, po ta shohim çështjen nga ky këndvështrim, vërejmë se të gjitha aktet e mira të kryera nga ne janë falje të Zotit!
Shënimet
- 147.A'raf, 172
- 148.Ra'd, 28
- 149.Saffat, 96
- 150.Insan, 30
- 151.Mulk, 2
- 152.Buruxh, 16.