Kaderi0%

PARAQITJE

Meqë çështja e kaderit është konsideruar qysh në krye të herës një truall i rrëshqitshëm, personalitetet e mëdhenj të Islamit kanë përcaktuar kriterin më themelor të përbashkët për ajetet kuranore dhe hadithet. Ndërkaq, me qëllim për të mos e lënë popullin e thjeshtë të bjerë në lëkundje e të mbytet në hollësi të pakuptueshme për të, aspektet e thella dhe të detajuara të çështjes nuk i kanë vulgarizuar. Dhe, duke vepruar kështu, e kanë mbrojtur veçanërisht popullin e thjeshtë nga rreziku i humbjes në labirinte të panjohura për të.

Por pasi botëkuptimi materialist i zhvilluar me kohë në përmasa botërore, u shndërrua në themelin e disa regjimeve të sistemeve të arsimit dhe të edukimit në të gjithë botën, kambanat e alarmit filluan të bien edhe tek ne, sepse materializmi që e kishte zhvilluar fuqinë e kritikës me anë të dyshimeve dhe lëkundjeve që kishte prodhuar, më në fund filloi të tregojë aftësinë për t’u përhapur si një modë edhe në çerdhet shkencore të vendeve islame. Materialistët, të cilët qëndronin veçanërisht mbi çështjen e kaderit, për të cilën myslimanët tregoheshin të ndjeshëm kur e merrnin për ta trajtuar, e konsideruan këtë pikë si “lukth”, prandaj dhe e sulmuan duke u hedhur mbi të me të gjitha forcat!

Ngaqë brezat e rinj të veçuar nga arsimi dhe edukimi fetar, mbetën të dobët e të pambrojtur përballë këtyre sulmeve të intensifikuara, nëse mund të shprehemi kështu, e humbën toruan. Shumica nuk shpëtuan dot pa u rrëmbyer nga vorbulla e mohimit dhe e herezisë. Në këtë çështje, edhe fronti ynë përjetonte goditjen e papërgatitjes. Kurse përforcimet e kryera shekuj më parë, nuk ishin sipas armëve sulmuese të ditëve të sotme. Fronti i kundërt së pari funksiononte në përmasa ndërkombëtare si një personalitet moralo-shpirtëror. E dyta, synonte vetëm shkatërrimin. Mirëpo meremetimi ishte i vështirë. E treta, moda e mohimit dhe e herezisë, si një sëmundje ngjitëse, përparonte pa u ndalur në lice dhe universitete. Edhe ekuilibri i forcave ishte prishur në favor të tyre. Ky zhvillim monstruoz që përhapej gjer nëpër kafene, e tmerronte këdo që kishte ndërgjegje.

Ja pra, në një kohë të tillë, Fethullah Gylen, filloi të zhvillonte një veprimtari të gjerë bisedash në formatin e pyetje-përgjigjeve në një fushë të gjerë publike nga katedrat e xhamive, në kafenetë e gjer në mjediset universitare. Brezi ynë u bë dëshmitar i shumicës së këtyre shërbimeve. Në çdo vend, njeriu i çdo niveli i drejtonte atij pa droje pyetjet që i ishin ngulitur në mendje ose që ia kishte fryrë dikush në vesh, dhe merrte përgjigjen e duhur. Sidomos përgjigjet më të hapura, më të qarta e më të shkëlqyera dhënë pyetjeve më evazive dhe më të komplikuara mbi kaderin i kthjellonin zemrat dhe mendjet nga çdo lloj komplikimi dhe turbullimi ideor. Gjatë këtyre vajtje-ardhjeve të tij ne e kemi parë personalisht ndryshimin që pësonin njerëzit, pra, se si indiferentizmi i pritjes, madje, herë pas here, kapriçot, në fund të takimit dhe bisedës shndërroheshin në respekt dhe admirim.

Përgjigjet e dhëna, bisedat e zhvilluara regjistroheshin në shiritat e kasetave magnetike, pastaj dëgjoheshin përsëri e përsëri, pastaj zbërtheheshin e hidheshin në letër. Shumë të rinj, duke u mbështetur në të dhënat dhe informacionin e përftuar nga këto, bëheshin shkak për shpëtimin e mjediseve të veta shoqërore nga baltovina e mohimit dhe e herezisë.

Ato që thuheshin në përgjigje dhe biseda, nuk ishin shprehje të një logjike të thatë. Ato ishin frytet e lutjeve të një brezi fatkeq që i ishte thyer ndjenja e nënshtrimit ndaj Zotit dhe që i ishte avulluar respekti, fryte të lutjeve të syve të plakur të përlotur që sodisnin mbytjen në vorbullën e mohimit dhe të herezisë dhe të një zemre plot dëshpërim. Prandaj ndodhte që shumë e shumë vetë, me anë të këtyre fjalëve të ngrohta vinin në vete, merrnin vendin që duhej dhe, për shokët e tyre të mbetur mes hutimit, fillonin të mendonin se si t’i merrnin për dore edhe ata. Drithërimave të një ndërgjegjeje që përpëlitej me dhimbje të thellë tek shihte gjendjen e të rinjve që s’njihnin, madje as delikatesën e bërjes së një pyetjeje dhe që kërkonte zgjidhje në atmosferën e Kuranit që ishte shërim për çdo sëmundje, mesazhi hyjnor i dërgonte përgjigje të begata e frymëzuese dhe përfundimi derdhej në shprehje me vëmendjen dhe kujdesin e një mjeku specialist. Me lejen e Allahut, edhe jehonat e këtyre në zemra bëheshin të bukura.

Çështja e kaderit trajtohej shumë gjerë me formën e saj të përkufizimit dhe njohjes, madje auditorit i tregoheshin pikat ku Marksi kishte mbetur i detyruar të shfaqte miratimin e vet. Me kuptimin e saj të gjerë, nga rregullsia në atomet dhe në gjithësi gjer te bërthama dhe fara, madje gjer te spermatozoidet, fusha e veprimit të së vërtetës së kaderit shfaqej para syve. Pasi përcaktohej sesa kishte pasur të drejtë Jean, jepej përfundimi se “edhe me zbulimin e kompjuterëve është kuptuar se çdo qenie e krijuar në gjithësi është programuar bashkë me qenien e saj”. Krahas të gjitha këtyre, tërhiqej vëmendja mbi faktin që, në të vërtetë, fatmirësia e zbërthimit hap pas hapi të së vërtetës së kaderit në ndërgjegjen e njeriut përbënte çastin më të rëndësishëm të çështjes. Për këtë arsye, tërhiqej vëmendja mbi dallimet në kuptimin dhe konceptimin e temës së kaderit mes fillestarëve që ndodheshin ende në fillimet e punës, dhe atyre të cilët, duke përparuar me anë të besimit, parimësisë, sinqeritetit dhe thellësisë shpirtërore, kishin arritur në fund të punës. Gjithashtu, shprehej se edhe disa të fshehta të zbuluara me anë të kompetencës së delikatesave të portretit të dijes dhe njohjes së natyrës dhe funksioneve të shpirtit, nyjëzoheshin prapë te kaderi. Nga ana tjetër, i jepej e drejta që i takonte edhe vullnetit të brishtë me një ekzistencë të krahasueshme. Nga masa dhe kriteri i trajtimit të ndërgjegjes në çështjen e pranimit nga ana e njeriut të përgjegjësisë së vet, por pa pasur të drejtë krenarie, gjer te pohimi i Allahut si Zot nga njeriu në marrëveshjen e parë me të, bëheshin përpjekje për t’ua bërë të njohur njerëzve tejpamës vërtetësinë e dëshmisë së ndërgjegjes, ndërkaq që ëndja që përmbanin përgjigjet e dhëna disa pyetjeve, shfaqte një bukuri të veçantë.

Tri pjesët e para të kësaj vepre që po na ofrohet si një libër i sistematizuar, përmban predikimet në seri të mësuesit tonë të nderuar nën titullin “Kaderi”. Në fillim këto predikime janë hedhur në shkrim, pastaj janë sjellë në normën gjuhësore e letrare duke u plotësuar edhe me ajetet kuranore dhe hadithet profetike përkatëse. Kurse te pjesa e katërt e librit janë përgjigjet e dhëna nga autori rreth pyetjeve të bëra me raste të ndryshme mbi çështjen e kaderit.

Libri “Kaderi në perspektivën e Kuranit dhe Sunetit” është burimi ynë bibliografik të cilit i drejtohemi për këtë çështje. Në ditët e sotme duket sikur ato sulme sistematike janë ndalur, por për disa ngacmime dhe sugjerime të ardhura nga egoja dhe djalli ynë dhe që kohë pas kohe na e bëjnë rrëmujë botën tonë, shfaqet me forcë nevoja për këto përgjigje shëruese. Në të vërtetë, kjo vepër nuk është tërësisht vetëm përgjigje për një sërë pyetjesh. Këto të vërteta janë tufa rrezesh ndriçuese që do t’u drejtohemi shpesh për të kënaqur zemrën, mendjen dhe ndërgjegjen tonë.

Ndërsa shërbimi i vërtetë, ai mbarënjerëzor do të nisë pas kësaj. Sepse mbarë bota, Amerika dhe Perëndimi, që nuk kanë njohuri për këto, ka nevoja jetike për këto lloj veprash qartësuese. Ndaj, në dashtë Zoti, brenda një kohe të shkurtër do të përkthehet në shumë gjuhë të ndryshme.

Me këtë rast falënderojmë autorin dhe të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre për këtë vepër me vlerë. Zoti ia plotësoftë shërbimet dhe i dhëntë jetë të begatshme!

Safvet SENIH