Kaderi0%

MARRËDHENIA KADA-KADER

Kadaja dhe kaderi kanë aspekte të ndryshme. Këto mund të mblidhen në katër grupe:

1. Kadaja dhe kaderi nga këndvështrimi i dijes hyjnore

2. Kadaja dhe kaderi nga këndvështrimi i parashkrimit

3. Kadaja dhe kaderi nga këndvështrimi i dëshirës hyjnore

4. Kadaja dhe kaderi nga pikëpamja e krijimit

Janë edhe shumë çështje të tjetra të ndërthurura me njëra-tjetrën të këtyre katër bazave, por, për të mos e mbytur temën në skematizëm, po heqim dorë nga radhitja e tyre si pika të veçanta. Dhe tani le të përpiqemi ta analizojmë çështjen e kadasë dhe të kaderit duke i trajtuar me radhë këto katër baza.

1. KADAJA DHE KADERI NGA KËNDVËSHTRIMI I DIJES HYJNORE

Këtë temë dëshiroj ta filloj me një hadith profetik të përmendur edhe më sipër. Profeti paqja qoftë mbi të! thotë: “S’ka askush prej jush që të mos i dihet vendi në Xhenet dhe Xhehenem.!”

Kjo do të thotë se qysh para se të krijohet njeriu, Zoti e di për të se a është i Xhenetit apo i Xhehenemit. Dhe tani, le të bëjmë një shpjegim të ndryshëm të çështjes së kadasë dhe të kaderit nga këndvështrimi i dijes hyjnore.

Allahu (xh.xh.) di çdo gjë. Atë që di, e paracakton. Janë edhe një sërë çështjesh ku Allahu (xh.xh.) tregohet falës dhe bujar. Ai konkludon mbi ne. Në mënyrë të posaçme, me anë të Kuranit, na bën ne përgjegjës. Ndërkaq, gjërat për të cilat na ngarkon me përgjegjësi, shpesh herë na vijnë të pakëndshme. Vetvetes (unit, egos, ndjenjave dhe dëshirave tona) ato nuk i duken të pëlqyeshme e të dashura. Mirëpo Allahu (xh.xh.) është Zoti që di çdo gjë. Duke bërë një paracaktim dhe vlerësim për ne, Ai vë një sërë dobish dhe interesash. Ja pra, në vlerësimet dhe caktimet e bëra prej Tij, janë mbajtur parasysh edhe këto dobi dhe interesa. Ndërsa ne s’dimë asgjë për to. Ne nuk dimë, por Allahu (xh.xh.) di. Dija apo njohja e çështjes nga Allahu dhe bashkëshoqërimi i kësaj njohjeje me një urtësi janë, pa dyshim, të vërteta të pandara nga njëra-tjetra. Gjithmonë, dijen e Zotit e ndjekin urtësi dhe interesa. Ndërkaq, Allahu (xh.xh.) nuk është i detyruar të bëjë veprime sipas urtësive dhe interesave të caktuara. Vetëm se, ashtu siç dija e Tij ka përfshirë gjithçka, edhe urtësia e Tij ka përfshirë gjithçka. Allahu (xh.xh.) është edhe Alim (i Gjithëditur), edhe Hakim (i Urtë). Është e pamundur që këto të ndahen nga njëra-tjetra.

Në çdo punë është urtësia e Tij;

Allahu nuk bën kotësi!

Urtësia gjithmonë i nënshtrohet dijes së Tij ose, e thënë ndryshe, është rrjedhojë imediate e dijes së Tij. Kudo që të shfaqet dija e Tij dhe fuqia me vullnetin e Tij të çelin të ndërthurura me njëra-tjetrën si lule, menjëherë pas kësaj fillon të vezullojë një urtësi. Mirëpo, meqë ne nuk i dimë këto interesa dhe urtësi, shpeshherë përgjegjësitë na duken të këqija ose të shëmtuara. Po qe se do të shpreheshim me terminologjinë e fikhut, do të thoshim se ne nuk mundemi ta dallojmë se përgjegjësitë në fjalë janë, për nga rezultati dhe përfundimi, husn li gajrihi, të mira si pasojë ose rrjedhojë. Po qe se çështja shihet nga ky këndvështrim, do të dalë në shesh se, për nga përfundimi, krijimi universal është shumë i urtë (i kuptimshëm) dhe i bukur. Sa për të këqijat, ato janë gjëra që i kërkojmë ne vetë, pra, që varen nga dëshira, kërkesa dhe pasoja e veprimeve tona.

Ajeti në vijim e shpjegon mjaft qartë këtë specifikë:

“Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse nuk e pëlqeni. Ka mundësi që një gjë që s’ju pëlqen, të jetë në të mirën tuaj dhe ka mundësi që një gjë që ju pëlqen, të jetë në dëm tuaj. Ju s’mund të dini, Allahu di!”

Lufta dhe vrasja në rrugën e Allahut u bë detyrim për ju si xhihad për nderin dhe dinjitetin e Islamit. Ta fusni Librin në kokë, ta ngjishni armën në brez për t’i ruajtur kufijtë si ushtarë roje për nderin dhe dinjitetin e shtetit dhe kombit, është për ju një përgjegjësi e shenjtë. Për nga aspekti i interesit material dhe nga pamja e jashtme, kjo mund t’ju duket e shëmtuar dhe e neveritshme. Por ka një rregull, sipas të cilit janë sa e sa gjëra që ju i shihni si të shëmtuara e të neveritshme që janë të mira, të mbara e të dobishme për ju dhe janë sa e sa gjëra të pëlqyeshme e të dashura në pamje, por të këqija e të dëmshme për ju!

Pra, janë shumë gjëra që në pamje duken të shëmtuara, tek të cilat ka për ne dobi shumë të mëdha. Ja, abdesi i marrë në të ftohtë, kapërcimi i largësive për të shkuar në faltore dhe, pas një namazi, pritja e namazit tjetër janë, në dukje, shumë të vështira, por, pas kësaj vështirësie, vjen afrimi hap pas hapi në Xhenet dhe, etapë pas etape, në mëshirën e Zotit. Dhe ka sa e sa gjëra përkëdhelëse që i vijnë të këndshme vetvetes dhe që e shtyjnë njeriun në botët e epshit, përfundimi i të cilave është rrokullisja hap pas hapi në Xhehenem dhe largimi nga mëshira e Zotit.

Sa bukur e ka shprehur këtë çështje Hz. Omeri (r.a.)! Ai thotë kështu: “Nuk do t’i jap aspak rëndësi faktit nëse u gdhiva me të mirë apo me të keqe, sepse ajo që unë e pandeh të mirë, mund të jetë për mua e keqe, kurse ajo që e pandeh të keqe, mund të jetë për mua e mirë!”

Thelbësore është që të ruhemi për të mos dhënë përfundime për këtë fushë që për ne konsiderohet e fshehtë dhe e panjohur dhe të mbahemi pas përfundimeve të Allahut. Ajo që është e domosdoshme për ne, është të vrapojmë pas së mirës, mbarësisë dhe dobisë, të kemi si qëllim dhe synim të mirën, mbarësinë dhe dobinë. Prandaj, duhet të bëjmë kujdes, bindjen ndaj Allahut në urdhrat dhe ndalimet e Tij duhet ta kemi të plotë, të mos mashtrohemi duke parë anën e jashtme të urdhrave e ndalimeve.

Pakti i Hudejbijes është për ne, në këtë çështje, një shembull shumë domethënës. Po të trajtohet ky pakt nga aspekti i përfitimeve dhe humbjeve materiale dhe ecuria e ngjarjeve në aspektin e jashtëm të tyre në çastin e lidhjes së tij, është plot me tablo aspak të pëlqyera për nefsin. Por po të trajtohet e njëjta Hudejbije me aspektin e saj të brendshëm dhe thellësinë ideore, na del para, brenda shprehjes kuranore, si një fitore evidente dhe e afërt.

Me të vërtetë, ana materiale e Hudejbijes ishte diçka krejtësisht e papranueshme. Sikur të ishin mbledhur të gjitha kushtet e mundshme të pafavorshme e t’u ishin vënë myslimanëve para!

Detyrimi i sahabëve aq të përkushtuar në besnikërinë ndaj Zotit sa mund të këpusnin furtunë në një gotë ujë për të Vërtetën, dhe po aq të ndjeshëm e emotivë, detyrimi i atyre njerëzve që po prisnin të djegur me mallin e shumë viteve për ta bërë tavaf Kaben, detyrimi, pra, i tyre të ktheheshin prapë nga kishin ardhur për shkak të pengesës armiqësore të hyrë mes tyre dhe Kabes, nuk ishte diçka që mund ta pranonin njerëz me një ndërtim shpirtëror të tillë. Veçanërisht pranimi i kthimit pas për në Mekë i Ebu Xhendelit që kishte ardhur nga Meka gjer aty me zinxhirë nëpër këmbë për t’u strehuar te i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të!, ishte për ta vuajtja më e dhimbshme. Ja pra, të gjitha këto ishin aspekti i jashtëm dhe formal i çështjes. Me këtë aspekt, të gjitha ngjarjet zhvilloheshin në disfavor të myslimanëve. Edhe në këtë situatë kur emocioni kishte arritur pikën kulmore, madje i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të!, megjithëse vetë kalonte një ndrydhje të thellë të botës së brendshme, e ruante qetësinë dhe besonte se fundi do të ishte patjetër i mbarë dhe ky ishte edhe kuptimi i buzëqeshjes së ëmbël e të fshehtë të tij nën shikimet e hidhura. Rrokja e kuptimit të kësaj çështjeje që as Hz. Omeri, madje, nuk e rroku dot dhe, kur e rroku, i kërkoi gabimit të vet kundërshpërblim me sadaka dhe pendesë gjer në fund të jetës, ishte seriozisht e komplikuar dhe mjaft e vështirë. Ajeti i zbritur më pas e zgjidhi vështirësimin dhe u dha mundësi sahabëve ta shihnin çështjen nga aspekti i brendshëm dhe thelbësor. Me të vërtetë, Hudejbije ishte një fitore!

E para, duke u ulur dhe lidhur marrëveshje me myslimanët, kurejshët i pranonin zyrtarisht ata si ekzistencë dhe partnerë.

E dyta, myslimanët kishin marrë garancinë për të bërë umre një vit më vonë, gjë që do të thoshte pranim zyrtarisht i konkluzionit se Qabeja nuk ishte vetëm e mekasve. Kjo ide e rriti edhe guximin e fiseve të tjera.

Sipas marrëveshjes së arritur në Hudejbije, të dy palët për dhjetë vjet me radhë nuk do t’i shpallnin luftë njëra-tjetrës. Kjo periudhë e gjatë paqeje do të thoshte për myslimanët një rast dhe mundësi shumë e madhe për ta përhapur besimin dhe fenë e tyre. Me të vërtetë, falë veprimtarisë kumtuese të zhvilluar në këtë periudhë, fiset arabe u futën një pas një në Islam. Hudejbija u bë një fitore edhe me këtë aspekt.

Një shembull tjetër që tregon aspektin qiellor të ngjarjeve dhe fytyrën e ëmbël të çështjes, është rasti i Jusufit (a.s). Për t’u bërë i nderuar në Egjipt, i ishte dashur në fillim të hidhej në pus, pastaj të shitej si skllav e më pas të hidhej në qeli. Jusufit (a.s) i ishte dashur t’i hiqte të gjitha këto vuajtje dhe ai i kaloi këto prova, ashtu siç i kishte hije një profeti. Në anën tjetër të këtyre ngjarjeve të dukura nga jashtë si të vështira e të rënda, qëndronte një shpërblim i madh, siç ishte zotërimi i fatit të një populli dhe ai ia arriti kësaj.

Edhe i Dërguari i Allahut qe ngjitur në miraxh, në pritjen hyjnore në një çast të tillë të vështirë. Të gjitha ngjarjet ishin kundër tij. Myslimanët ishin vënë nën rrethim. Dy personat që e mbështesnin më shumë, kishin vdekur. Tashmë Hz. Hatixhja (r.a) dhe Ebu Talibi nuk ishin më fizikisht pranë të Dërguarit të Allahut. Ai kishte shkuar në Taif, por nuk ishte pranuar. Pikërisht në këto rrethana, të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi të! i erdhi një ftesë nga qielli. Dhe ja ku arriti në një pozitë mes mundësisë dhe domosdoshmërisë. Ai arriti në një vend ku Xhebraili u mjaftua vetëm duke e vështruar, sepse e kishte të pamundur të përparonte më tej qoftë edhe sa maja e gishtit!

Vuajtja e Profetit Musa (a.s.) pati filluar sapo pati lindur. Qe vënë në një arkë dhe qe lënë në Nil. Pastaj Allahu (xh.xh.) e vendosi atë në pallatin e faraonit, armikut më të madh të Zotit dhe të Musait. Shumë, shumë kohë më vonë, për shkak se i ra një kopti me një pëllëmbë vdekjeprurëse, jetoi vite të tëra në mërgim. Ja që një një etapë të tillë përgatitore duhej të kalonte në mënyrë që t’i bënte engjëj fisin djallëzor të të bijve të Izraelit. Pavarësisht nga fakti që fillimi i zinxhirit të ngjarjeve me një fund shumë të bukur e të dobishëm ishte i mbushur me gjëra në pamje të shëmtuara, me të gjitha këto ngjarje, Allahu krijonte mirësi, mbarësi dhe dobi absolute!

Si u ngjit Mesihu (a.s.) në qiell? Në mes ndodhej një kryq i përgatitur për ekzekutimin e tij. Ai kishte mbetur i shtrënguar në një soditje pritëse të frikshme. Pikërisht në ato çaste, një dorë iu zgjat nga qielli dhe lindja mrekullore e këtij njeriu u konkludua gjithashtu me një kthim mrekullor.

Situata nuk është e ndryshme edhe për bashkësinë muhamedane. Edhe kjo bashkësi do të hiqte vuajtjet e bashkësive të shkuara dhe nga ngjarjet në dukje të shëmtuara Zoti do të krijonte për të mirësi, mbarësi e dobi të shumta dhe do t’i dhuronte shpëtim e fitore.

Ja pra, në Dijen Hyjnore, çdo ngjarje, me fillimet dhe përfundimet e veta, është një lëmsh enigmatik i tillë. E thënë ndryshe, meqë Allahu (xh.xh.) është Dhahir dhe Batin, njeh aspektin formal-material, si dhe aspektin esencial-qiellor të ngjarjeve. Dhe kaderi është një nga titujt enigmatikë të kësaj Dijes së Tij. Edhe me këtë cilësi, kaderi është një emërtim tjetër i së vërtetës Leuhi Mahfudh.

2. KADAJA DHE KADERI NGA KËNDVËSHTRIMI I PARASHKRIMIT

Nga këndvështrimi i dijes hyjnore, caktimi dhe vlerësimi në të kaluarën i ngjarjeve që kanë për të ndodhur në të ardhmen dhe, pastaj, kryerja e tyre kur u vjen koha, janë një fiksim hyjnor i kadasë dhe kaderit, kurse shënimi i materies dhe i ngjarjeve në çastin e realizimit është parashkrim i llogarisë së punëve për njeriun. Të gjitha ngjarjet dhe aventura e jetës sonë shënohen çdo çast e pa pushim. Këtë ne e quajmë “caktimi dhe vlerësimi i përditshëm”. Është edhe një caktim dhe vlerësim tjetër i bërë nga engjëjt, për të cilët në Kuran thuhet: “... engjëjt bujarë që i dinë bëmat tuaja...” Caktimin dhe vlerësimin tjetër na e tregon ajeti kuranor:

“Bëmat e çdo njeriu ia varim në qafë. Këtë libër që njeriu do ta gjejë të hapur ditën e kiametit, do t’ia nxjerrim para.”

Domethënë, trajtimi i njeriut në jetën e përtejshme do të zhvillohet sipas këtij parashkrimi. Pra, më parë është një parashkrim informativ pa trup të jashtëm ose jomaterial që ne i themi Leuhi Mahfudh. Pastaj është edhe libri i shkruar më pas nga engjëjt dhe që ka trup të jashtëm ose material ku janë shënuar dhe fiksuar bëmat e njerëzve. Në të vërtetë, po të ballafaqohen këta dy libra, do të vërehet se mes tyre nuk ka ndonjë ndryshim as sa një shkronjë. Pra, njeriu ka bërë gjithmonë dhe vetëm atë që ka qenë paracaktuar, vlerësuar dhe fiksuar për të që më parë. Ndërkaq, është vullneti ynë shkaktari që libri jomaterial ka marrë formë materiale, sepse parashkrimi i dytë bëhet duke marrë parasysh vullnetin tonë.

Vendimi në Gjykatën e Lartë do të jepet sipas ballafaqimit të këtyre dy librave. Në këtë ballafaqim, engjëlli do të thotë “unë kam shkruar këto”, kurse Zoti do të tregojë një libër dhe do të thotë: “Edhe unë, po këto kam shkruar, meqë i kam ditur të gjitha ato që kishte për të bërë ai!” Dhe aty do të shihet se të dy librat janë identikë të njëri-tjetrit. Njërin nga librat e mban në dorë Allahu (xh.xh.), kurse tjetrin engjëlli. Emri i këtij është caktuar nga Zoti si “engjëll shkrues”. Engjëjt shkrues janë engjëj famëlartë që s’kanë të bëjnë me cilësi të ulëta. Shënimet e këtyre, në mjedisin engjëllor të të cilëve nuk mund të futet e keqja, janë aspekti i dytë i kadasë dhe kaderit.

Allahu (xh.xh.) së pari përvijon planin e të gjitha ngjarjeve duke u dhënë atyre një trup informativ. Pastaj, duke ushtruar mbi këtë trup informativ fuqinë dhe vullnetin e vet, u jep ngjarjeve trup të jashtëm, material. Pra, së pari çdo gjë shkruhet sipas gjendjes së vet në trupin informativ. Pastaj njeriu sillet dhe vepron krejtësisht në përshtatje dhe përputhje me ato shkrime. Dhe sjelljet e veprimet e tij i shkruajnë engjëjt.

Dhe tani le të përpiqemi ta shpjegojmë këtë çështje nën dritën e një ajeti:

“Pas Dhikrit, Ne shkruam në Zebur kështu: “Me të vërtetë, tokën do ta trashëgojnë robtë e mi të mirë!”

“Dhikr” do të thotë “këshillë”, ose, këtu, ka kuptimin “Teurat”. Ose, me një kuptim të përgjithshëm, do të thotë “Leuhi Mahfudh”. Në këto kushte, ajetin mund ta kuptojmë kështu: “Pasi shkruam në Leuhi Mahfudh, Ne, edhe në librat e dërguara profetëve të tjerë, duke cituar nga Leuhi Mahfudhi, shkruam se robtë tanë të mirë do të bëhen trashëgimtarë të botës!”

Zotëruesi i vërtetë dhe në periudhë të gjatë i tokës janë vetëm njerëzit e mirë, kurse zotërimi i të tjerëve është kalimtar si shkreptima dhe shuarja e një rrufeje. Me anë të një procesi të vazhdueshëm ripërtëritjeje, vetëm njerëzit e mirë si dhe kombet dhe shoqëritë e mira të përbërë nga njerëz të mirë do të jenë ata që do të zotërojnë dhe sundojnë në tokë në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është fiksuar më parë si ligj në Leuhi Mahfudh, pastaj, duke u cituar prej atje, është shënuar në Zebur. Po një ligj i tillë hyjnor ekziston në Zeburin e pakorrigjuar, të dhënë në dorë të Davudit (a.s).

Në lindje dhe perëndim të botës, sistemet e dala jashtë dëshirës së Zotit, faraonët dhe njerëzit e këqij që hedhin shtat në çdo vend, mund të urdhërojnë dhe sundojnë për një periudhë kohore të caktuar dhe kalimtare. Kjo dukuri nuk bie në kundërshtim me ligjin e shkruar në Leuhi Mahfudh dhe Zebur, të shënuar dhe të lajmëruar në Kuran. Sepse trashëgimi për të cilin po flitet, është zotërimi dhe sundimi i vazhdueshëm dhe për një kohë të gjatë. Kurse fitorja dhe sundimi i përkohshëm i të tjerëve mbështetet vetëm në urtësinë e përshpejtimit të procesit të riorganizimit të myslimanëve. Ky është një ligj hyjnor dhe askush nuk do të ketë fuqi ta ndryshojë!

Nga ata që jetojnë në një periudhë të caktuar, kush të ketë moral të mirë ose kush të ketë moral më të mirë në krahasim me të tjerët, do të jenë zotëruesit dhe sunduesit e botës. Ndërkaq, pikëvështrimi ynë në këtë çështje është ky: Po qe se moralin e mirë e kuptoni vetëm si vajtje e herëpashershme në faltore (xhami), gënjeheni. Morali i mirë është formimi gjatë gjithë jetës me një moral si të profetëve. Pjesë e këtij morali janë kuptimi i gjërave dhe ngjarjeve, rrokja e marrëdhënies mes njeriut dhe gjithësisë. Gjithashtu, pjesë e këtij morali janë mundësia dhe aftësia për t’i ruajtur në të njëjtën masë thellësinë e botës së brendshme me meditimin e jashtëm. Njeriu që ka mundur ta rrokë përjetësinë në këtë mënyrë, është edhe ai që e ka arritur mirësinë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Ata që shkaktojnë anarki, që i përgjigjen krimit me krim, që me anë të çështjeve politike i mashtrojnë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, që prodhojnë pa pushim parulla për ta prirur opinionin publik në kahjen e vet, që e lënë këshillimin dhe u besojnë mendjeve të veta, kurrë s’kanë për ta ngritur dot zotërimin dhe sundimin e tyre në kuptimin e vërtetë të saj. Një ditë, bashkë me lindjen e diellit, edhe ata me siguri do ta kuptojnë se në ç’errësirë përpiqen të ecin dhe do t’i pohojnë gabimet. Njeriu është krijuar si qenie e përkryer dhe një ditë do ta gjejë patjetër vijën e vet. Në të kundërt, do të thotë që ligji hyjnor nuk është i drejtë. Mirëpo Allahu (xh.xh.) thotë:

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli pa ndryshuar ata veten e tyre.”

Kjo specifikë ka marrë formë përfundimtare me anë të një ligji tjetër hyjnor:

“Në aktin krijues të Allahut nuk ka ndryshim!”

Nëse një popull ose një komb është i çmuar dhe i lartë, Allahu nuk e poshtëron. Nëse një popull ose një komb është kurorë për të tjerët, Allahu nuk e lëshon nën këmbët e të tjerëve. Por nëse një popull ose një komb bën ndryshime në thelbin e vet, edhe Allahu i ndryshon. Kjo është kështu edhe në kuptim pozitiv, edhe në atë negativ. Atëherë, para së gjithash, “Ruajeni vetveten!” Thellohuni në vetvete! Përpiquni të ngadhënjeni në vetvete! Po qe se dëshironi të bëheni ngadhënjyes, fillojani duke ngadhënjyer kështjellën e vetvetes! Ai që s’është ngadhënjimtar në botën e vet të brendshme, s’mund të bëjë asgjë jashtë!

Allahu është me ata që druhen dhe që e kanë rrokur sekretin e ihsanit. Ata që e kanë rrokur këtë të fshehtë, do të thotë se kanë hyrë në shoqërinë hyjnore. Ç’është sekreti i ihsanit? Është vetëdija e adhurimit sikur ta shihje Zotin. Është ndriçimi i brendshëm dhe thellimi i ndjenjave. Është fitimi nga individi i aftësisë për ta zotëruar botën e vet të brendshme pasi të ketë shpëtuar nga robëria e egoizmit. Është fillimi i ngadhënjimit të jashtëm nga brenda dhe ruajtja e kësaj cilësie në çdo etapë të ngadhënjimit. Në një kuptim tjetër, është arritja e plotë e paqes.

Në këtë temë të gjatë patëm kaluar nga parashkrimi. Çështja jonë thelbësore është fakti që këtë dhe disa ligje të tjera të ngjashme Zoti i ka fiksuar me një shkrim të pandryshueshëm në Leuhi Mahfudh. Por, për shkak të rëndësisë së kësaj çështjeje, nuk do të kaloj dot pa cituar edhe këtë ajet lidhur me temën, me kusht që të mos e kapërcej kornizën e marrëdhënies me kaderin. Në këtë ajet, Zoti urdhëron:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur do t’ua bëjë të jetueshme e të praktikueshme dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë në adhurim. Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë, pikërisht ata janë të mbrapshtët.”

Allahu (xh.xh.) u premton atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. Ky është premtimi i Allahut që është krejtësisht e pamundur të kthejë nga fjala. Ai është i aftë për ta sjellë në vend fjalën e dhënë. Dhe Ai është sunduesi i vetëm i çdo gjëje. Atëherë, Allahu (xh.xh.) që premton se ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, do t’i bëjë mëkëmbës të Tij mbi tokë, patjetër do ta çojë në vend këtë premtim!

Atëherë, frerët e jetës shoqërore do të kalojnë në dorën tuaj, jeta ekonomike do të marrë formë përsëpari me anë të rregullimeve që do të bëni ju, edukata individuale e shoqërore do të hyjë përsëri në rregullin e përgjithshëm dhe pikërisht atëherë njerëzimin do ta drejtoni dhe administroni ju! Fjala e fundit do t’ju takojë juve! Ata që e përpjesëtojnë botën përreth tryezave të rrumbullakëta, pas kësaj, kur të jenë duke marrë vendim, do t’ju shohin ju në fytyrë dhe, sipas urdhrit tuaj, gjeografia shoqërore do të japë forma të reja, ata do të përpiqen të kapin kuptime nga shikimet, nga gjestet dhe mimika juaj dhe ju përsëri, siç ka ndodhur në historinë tuaj, do të kurorëzoni dhe ç’kurorëzoni. Mbretërit do ta quajnë shpërblimin më të çmuar të jetës të trajtohen si roje të portës suaj dhe çdo fjalë, të dalë nga goja juaj do ta kuptojnë si urdhër. Po të thoni ju “po” për një punë, ajo do të bëhet; po të thoni “jo”, ajo do të hiqet nga propozimi dhe fuqia. Sepse atë ditë ju do të jeni mbreti i caktuar nga Zoti!

Këtë mos e merrni si një shpresë utopike, sepse të gjithë ata që e patën arritur në të kaluarën mirësinë dhe paqen, patën arritur në këto maja, sepse ky ligj hyjnor është i vlefshëm dhe në fuqi për të gjitha kohët dhe vendet. Atë ditë kur ju ta keni arritur mirësinë dhe paqen, të njëjtat rezultate dhe përfundime do të jenë edhe tuajat në mënyrë absolute e të pamënjanueshme!

Pra, bëhet fjalë për dy parashkrime veç e veç. Parashkrimi i parë përbëhet prej shënimeve në Leuhi Mahfudh, ku çdo gjë është e regjistruar me trupin e vet informativ. Parashkrimi i dytë është shënimi i ngjarjeve që ndodhin një e nga një. Këtu, gjërat dhe ngjarjet shfaqen me trupin e tyre të jashtëm. Ndër këto, përgjegjësia e akteve të vullnetshme i përket plotësisht vetë vullnetit.

Ajeti në vijim i përmend të dy parashkrimet bashkë dhe, në një vështrim, nënvizon thelbin e atyre që po thuhen:

“Pa dyshim, Ne jemi që i ringjallim të vdekurit dhe që i shkruajmë ç’kanë bërë e ç’kanë lënë pas. Çdo gjë e kemi shënuar në një libër krejt të qartë!”

Të gjitha aktet e kryera nga njeriu dhe sadakatë me veprim të përhershëm që lë pas, shkruhen një e nga një. Ja, ky është shkrimi i dytë. Por çdo gjë është parashkruar që më parë me trupin e vet informativ. Ja, për këtë na flet ajeti: “Çdo gjë e kemi shënuar...”

Në ajetin më poshtë është shpjeguar mjaft hapur e qartë se çdo gjë është e shënuar në Leuhi Mahfudh pa nënvleftësuar asgjë:

“Të gjitha kafshët në Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me krahët e veta, janë në bashkësi të ngjashme me ju. Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.”

Edhe pse një pjesë specialistësh të tefsirit e kanë kuptuar fjalën Libër për Kuran, shumica e tyre i kanë dhënë Librit kuptimin e Leuhi Mahfudhit.

“Ekzistonte vetëm Allahu dhe asgjë tjetër. Meqë s’kishte përfytyrim dhe mendim, s’kishte as mendim për mosekzistencën. Arshi qëndronte mbi mâ (eter). Dhe Allahu e shkroi dhe e fiksoi çdo gjë në Dhikr. Pastaj, sipas atij plani, krijoi gjithësinë!”

Këtë parashkrimin e parë, në aktet e vullnetshme e ndjek një parashkrim tjetër, i dytë, i cili formon pamjen e dytë të kaderit.

3. KADAJA DHE KADERI NGA KËNDVËSHTRIMI I DËSHIRËS HYJNORE

A. Dëshira hyjnore në ajetet kuranore

“Shae-jeshau-meshieten” janë tri trajta të të njëjtës fjalë që do të thotë “dëshirë-dëshirim”. Kjo është edhe njëra nga fjalët që përdoren më shumë në Kuran. Përsa i përket dëshirës së Zotit, “meshiet” ka lidhje me temën e kaderit. Për shkak të kësaj lidhjeje, “meshiet” formon një përmasë të veçantë të kaderit.

Dëshira hyjnore është thelbësore në shfaqjen dhe realizimin e materies dhe të ngjarjeve. Këtë na e tregon Kurani me anë të shumë ajeteve të tij. Le t’i shohim disa nga ajetet që i shërbejnë si argument dëshirës hyjnore.

a) “Mos thuaj për asgjë “unë do ta bëj”, por shto “në dashtë Allahu”! Dhe, kur të harrosh, menjëherë kujtoje Zotin tënd dhe thuaj kështu: “Kam shpresë se Zoti im më jep mundësi të arrij atë që është më afër së drejtës!”

Kështu, pra, pothuaj në çdo punë që do të duash të bësh, së pari duhet ta mbash për bazë dëshirën hyjnore dhe punën që do ta bësh, ta lidhësh me dëshirën e Zotit. Fundja, pasi të mos ketë dëshiruar Ai, ti do ta kesh të pamundur të bësh diçka. Këtë mendim, njeriu duhet ta shndërrojë në moral për veten dhe kështu duhet ta fillojë çdo punë që dëshiron ta fillojë.

Me rastin e këtij ajeti, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! na tregon një gjë të tillë: “(Profeti) Sulejmani betohet: “Unë sonte do të hyj në lidhje me njëqind shërbëtoret e mia dhe secila prej tyre do të lindë një mashkull që të luftojë në rrugën e Allahut!” Por harron të thotë “inshaallah”, “në dashtë Allahu!”. Si përfundim, vetëm njëra nga shërbëtoret bën një dështak. Profeti vazhdon: “Po qe se do të thoshte “inshaallah”, nuk do t’i prishej betimi dhe secila nga gratë do t’i lindte një mashkull që të luftonte në rrugë të Allahut!”

Njeriu duhet të besojë në mënyrë të prerë se pa dëshiruar Allahu, askush nuk zotëron fuqinë dhe mundësinë për të bërë diçka. Njeriu që e njeh anën hyjnore të ngjarjeve dhe që di ta dëgjojë botën e vet të brendshme, i beson kësaj të vërtete, madje në një mënyrë që të mos i japë asnjë thërrime mundësi së kundërtës; i beson dhe duhet t’i besojë!

Po, kur i shohim gjërat dhe ngjarjet dhe marrëdhëniet tona me to, e shohim dhe e dimë si një fakt të formës së prerë se, po të mos dojë Allahu, ne nuk mund të kemi mundësi as për të ngritur një ashkël nga toka. Madje, shpeshherë ndodh që, pasi t’i kemi bërë tërë përgatitjet për një punë, ta kemi menduar atë nga të gjitha anët, ta kemi planifikuar dhe të kemi plotësuar të gjitha kushtet për ta krijuar, shohim se në një vend të paqartë, një mundësi e vogël, një rrjedhje e ka prishur çdo gjë! Ose ndodh që çdo gjë të jetë gati pa asnjë të metë, por, meqë dëshira hyjnore nuk përputhet me dëshirën tonë ose meqë Allahu (xh.xh.) nuk dëshiron në atë drejtim që dëshirojmë ne, puna e përgatitur prej nesh nuk realizohet dhe kështu planet na përmbysen. Fundja, a nuk e thotë edhe ajeti këtë gjë?

“Po të mos dëshirojë Allahu, ju nuk mund të dëshironi gjë!”

Edhe sikur të doni, edhe sikur të mos doni, zelli dhe përpjekja juaj nuk shpreh ndonjë gjë. Po të mos dëshirojë Ai, çdo zell dhe përpjekje është e kotë. Megjithëkëtë, Ai shpesh, me zakonin e Tij të Lartë, duke i pranuar shkaqet dhe vullnetin tuaj si lutje, mund t’ju bëjë favor. Ja pra, kaq i ndërthurur është ndikimi i dëshirës hyjnore në gjërat dhe ndodhitë!

Dëshira hyjnore e tregon veten në të gjitha frontet e jetës dhe në çdo fazë të jetës së njeriut. Ajeti tjetër që e shpreh këtë, është kështu:

b) “Disa nga profetët i ngritëm mbi të tjerët. Ndër ta ka që u ka folur Allahu dhe i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, fakte dhe e mbështetëm me Shpirtin e Shenjtë. Po të donte Allahu, ata që erdhën pas profetëve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së fakteve të qarta, por ata u përçanë. Dikush besoi e dikush mohoi. Po të donte Allahu, nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin. Allahu bën atë që dëshiron.”

Po të mos ishte dëshira e Allahut, ju nuk do të bënit dot asgjë. Për shembull, po të donte Allahu, ju nuk do të bënit dot vrasje mes jush. Por ja që bëni. Atëherë, jeta juaj në luftë pozitive apo negative me aspektin e saj në favor apo në dëm tuaj, varet plotësisht nga dëshira e Allahut. Allahu bën atë që dëshiron. Ai nuk pyet askënd për atë që ka bërë dhe ka për të bërë. Fundja, hadithi, sipas të cilit “ajo çka dëshiron Allahu bëhet dhe ajo që s’dëshiron Ai nuk bëhet kurrë!”, është një rregull i formës së prerë dhe përfundimtar.

Ç’të dëshirojë Allahu, ajo fiton qenie dhe bëhet në çast. Ç’të mos dëshirojë, pra, ajo që Allahu të dëshirojë të mos bëhet, nuk bëhet. Këtu ka një specifikë që duhet bërë kujdes. Kjo specifikë është përkatësia e dëshirës së Allahut edhe për mosqenien. Atëherë, nëse Allahu dëshiron në mënyrë të vullnetshme për diçka që të bëhet, ajo bëhet. Po kështu, nëse Allahu dëshiron në mënyrë të vullnetshme për diçka që të mos bëhet, ajo nuk bëhet. Kështu, pra, dëshira hyjnore i drejtohet edhe qenies, edhe mosqenies.

Ndërkaq, mendimi i disave sipas të cilit, “po qe se dëshira hyjnore ka të bëjë me diçka, ajo bëhet; po të mos ketë të bëjë, s’bëhet”, nuk është i drejtë. E thënë ndryshe, nuk mund të thuhet se dëshira hyjnore s’ka të bëjë me diçka ose se mund të ketë diçka me të cilën dëshira hyjnore të mos ketë të bëjë. Sepse edhe mosqenia, ashtu si qenia, brumoset në dorën e dëshirës hyjnore!

Po qe se mutezilitë dhe xhebritë do të mund ta rroknin këtë hollësi në shprehjen e Profetit, nuk do të binin në gabimin ku ranë. Sepse që të dyja situatat, Profeti i shpjegon me qenien.

Dëshira hyjnore është gjithçka edhe në specifikën e besimit dhe udhëzimit. Ata që e trajtojnë çështjen nga ky këndvështrim, kur e përkufizojnë besimin, thonë kështu: “Besimi është një dritë e ndezur në zemrën e njeriut pasi ai ta ketë përdorur vullnetin e vet!” Ti do të përpiqesh për diçka dhe Allahu do ta krijojë atë. Sigurisht, atë dritë ti s’mund ta ndezësh dhe s’mund ta mbash dot të ndezur pafundësisht. Ajo dritë ndizet vetëm po të dëshirojë Allahu dhe ndriçimi i brendshëm mund të formohet vetëm po të dojë Allahu. Ja argumenti i kësaj:

c) “(O i Dërguar!) Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!”

Po qe se Zoti yt, pra, Allahu që të ka edukuar e të ka përsosur ty dhe që zotëron çdo gjë e me gjithçka, po të donte, të gjithë njerëzit do të orientoheshin, do ta gjenin të vërtetën dhe do të futeshin në rrugën e drejtë.

Dhe një ajet tjetër mbi këtë:

d) “Nëse ty të duket e rëndë për t’u mbajtur përbuzja e tyre, atëherë kërko - nëse mundesh - një zgavër në tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre një mrekulli! Sikur Allahu të donte, do t’i kishte mbledhur ata në rrugë të mbarë, prandaj mos u bëj nga ata që nuk e dinë këtë!”

Kjo vërejtje për Profetin paqja qoftë mbi të! është tërheqje vëmendjeje për të gjitha refraktimet (devijimet) në rrugën e kaderit. Sigurisht, po të donte Zoti yt, i fuste të gjithë në rrugë të drejtë dhe të gjithë bëheshin myslimanë. Atëherë, këta njerëz me ndërgjegjen krejt të ndriçuar, gjenin qetësi në Islam dhe arrinin vetëdijen e robit ndaj Zotit. Por nuk ndodhi kështu, sepse dëshira hyjnore nuk u pri në këtë drejtim.

e) “(O i Dërguar!) Ta zbritëm Kuranin me të vërtetën duke i aprovuar librat e mëparshëm dhe si dëshmitar i tyre. Dhe ti gjyko mes tyre me atë që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur ty. Për secilin nga ju bëmë një rrugë dhe mënyrë më vete. Po të dëshironte, Allahu ju bënte ju një bashkësi të vetme. Por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj konkurroni për punë të mira! Të gjithë ju do të riktheheni te Allahu dhe atëherë Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.”

Sigurisht, po qe se Zoti ynë do të dëshironte, do t’i bënte të gjithë njerëzit një komb të vetëm e një bashkësi të vetme. Por dëshira hyjnore deshi jo këtë, por ndarjen e njerëzve në kombe të veçanta. Prandaj njerëzit u shfaqën në formë kombesh dhe bashkësish të ndryshme.

Edhe sundimi i shteteve, vazhdimësia e sundimit të tyre si dhe qarkullimi i personave në krye dhe si përfaqësues të këtyre shteteve varen krejtësisht nga dëshira hyjnore. Kurse ajeti që e tregon këtë të vërtetë, është kështu:

f) “Po qe se ju keni marrë plagë (në Uhud), edhe grupi (armiqësor ndaj jush) pati marrë plagë (në Bedr). Kështu, Ne i kthejmë ditët herë në dobi e herë në dëm (tuaj) me qëllim që dalin në pah besimtarët e vërtetë të Allahut dhe që të bien dëshmorë disa nga ju. Allahu nuk i do keqbërësit!”

Sado që në këtë ajet nuk përdoret fjala “dëshirë”, edhe këtu bëhet fjalë për dëshirën hyjnore, sepse thuhet se Zoti i kthen ditët, i ndryshon. Situatat vazhdimisht në ndryshim të njerëzve janë drejtpërsëdrejti në dorën e Zotit. Në dorën e Tij të fuqisë, ditët përshkohen si kokrrat e tespiheve. Mirë, po tani, duke i thënë të gjitha këto, a mos mohohet vullneti i njeriut? Jo! Por këtu nuk do ta prekim këtë çështje sepse këtu po bëjmë fjalë vetëm për marrëdhënien e kaderit me dëshirën hyjnore.

g) Një tjetër ajet mbi dëshirën hyjnore:

“O njerëz! Po të dojë, Allahu ju zhduk ju dhe sjell të tjerë në vend tuaj! Allahu ka fuqi ta bëjë këtë!”

O njerëz! Po të dojë, Allahu ju dërgon ju dhe sjell në vend tuaj një bashkësi tjetër. Ai ka mundësi ta bëjë këtë. Ashtu siç dërgoi sahabët, shokët e Profetit, dhe solli emevitë, siç dërgoi emevitë dhe solli abasidët, siç dërgoi abasidët dhe solli selçukët, siç dërgoi selçukët dhe solli osmanët... Siç e ka lënë trashëgimin e shenjtë, pas dërgimit të osmanëve, në pritje të atyre që ka për t’ua lënë amanet. Kush dhe sa ka marrë pjesë në këtë proces? Ç’është dhe sa është këtu roli i mendjes dhe i gjenialitetit? Sa e kanë penguar mendja dhe gjenialiteti shembjen dhe asgjësimin? Ekzistenca, sundimi dhe dalja për zot fesë në vartësi të respektimit të kushteve elementare të vëna nga dëshira hyjnore, janë bërë parime të rëndësishme. Edhe ky është një ligj hyjnor i pandryshueshëm.

Kjo mund të shihet dhe tregohet me shumë shembuj në ecurinë e historisë dhe ngjitje-zbritjet e popujve. Por nuk do ta prekim këtë specifikë, se e kapërcen temën për të cilën po bëjmë fjalë.

Sigurisht, mbrojtja e fesë është kauza më e madhe në këtë botë, sepse qëllimi përfundimtar dhe përfundimi i jetës është përcaktuar nga feja. Gjithashtu, parimet më të përsosura brenda kritereve më të drejta dhe më të rregullta të marrëdhënieve ndërnjerëzore janë sjellë dhe vënë nga feja. Për rrjedhojë, mbrojtja e këtyre përbën garantimin jo vetëm të ekzistencës së individëve dhe bashkësive, por edhe të jetesës së tyre në drejtësi dhe në mënyrë të përsosur.

Asimilimi i njerëzve brenda kulturave dhe sistemeve të huaja duke i larguar nga entiteti i tyre i natyrshëm e i vërtetë, nga rrënja e tyre, i privon ata përjetësisht nga burimet e veta të fuqisë dhe i shtyn vazhdimisht në lypësi. Kurse burimi i të gjitha bukurive është feja. Sado që të largohen nga feja, njerëzit e ndjejnë vazhdimisht në botën e tyre të brendshme mungesën e saj. Fiset dhe popujt që i kanë kthyer shpinën fesë, janë shkatërruar në strukturën e tyre moralo-shpirtërore dhe janë përmbysur në strukturën materiale. Për një shtet mohues (heretik) është e mundur që të ketë një ekonomi të fuqishme, por kjo është e pamundur për fiset dhe popujt besimtarë që janë kthyer nga besimi dhe feja. Sepse, ndërsa ekziston detyrimi për të respektuar disa shkaqe të paracaktuara nga dëshira hyjnore, ata nuk i kanë respektuar këto shkaqe që janë kushti i parë i jetës së tyre. Ajeti në vijim e shpjegon më qartë këtë:

gj) “O ju që keni besuar! Kush nga ju kthehet nga feja, ta dijë se Allahu sjell në vend tuaj njerëz që ta duan Allahun dhe që Allahu t’i dojë ata. Ata janë mjaft të thjeshtë e kokulur ndaj besimtarëve, por tejet dinjitozë ndaj mohuesve. Ata përpiqen në rrugën e Allahut dhe nuk ua vënë veshin kundërshtarëve. Kjo është një mirësi e Allahut, i cili ia jep kujt të dojë. Allahu është Vasi (gjithëpërfshirës) dhe Alim (i gjithëditur)!”

Folja “irtedde” që përdoret në ajet, do të thotë kthim pas, kthim nga feja. Për çdo besimtar të cilit i flet Kurani, kjo do të thotë kthim nga bindja dhe besimi, lënie e adhurimeve, madje regres në përfytyrim dhe mendim.

Kur njeriu apo bashkësia që ka arritur një nivel të caktuar në jetën fetare dhe që është njësuar me shërbimet fetare, bëhet objekt i këtij ajeti, ndjen se kuptimi i “kthimit në gjendjen e vjetër” i është përplasur syve si një kërcënim. Sepse arritjet e përftuara në shërbim janë për të gjithmonë favore hyjnore. Po qe se personi ose bashkësia në fjalë tani kanë rënë në plogështi dhe nuk e kanë ruajtur dot tendosjen metafizike, Allahu ia merr nga dora shërbimin dhe ia jep për ta kryer një personi apo bashkësie tjetër.

Po qe shteti ai që e mban në këmbë dhe e përfaqëson fenë dhe jetën fetare, atëherë objekt i ajetit bëhet tërë populli apo kombi dhe ky kërcënim ka të bëjë me të gjithë popullin apo kombin. Po qe se populli apo kombi që është marrë për dore, është mbështetur në jetën fetare dhe është vlerësuar duke iu dhënë dinjitet, heq dorë nga parimet që e bëjnë dinjitoz, bie kokëposhtë, në atë vend ku ka qenë dhe në poshtërim. Atëherë, Allahu ia zgjat dorën një populli apo kombi tjetër dhe e bën atë dinjitar...

Në origjinalin e ajetit përdoret fjala “kaum”, që do të thotë, në përgjithësi, popull, komb. Aty nuk përcaktohet se cili është dhe në ç’kushte shfaqet ose do të shfaqet ky popull apo komb i zgjedhur. Por ai ka cilësi dhe veti të përcaktuara. Atëherë, çdo fis, popull apo komb duhet të konkurrojë për t’u bërë ai “kaum” i karakterizuar nga cilësitë dhe vetitë e përshkruara nga Zoti. Sepse jo vetëm asnjë fis, popull apo komb nuk mund të pretendojë se është vetë ai “kaum” për të cilin flitet në ajet, por edhe asnjë popull apo komb nuk duhet ta humbë shpresën duke e konsideruar veten si “kaum”, nga i cili Zoti ka hequr dorë.

Cilësitë dhe vetitë e “kaum”-it dinjitoz janë këto:

E para: “Allahu i do ata”. Allahu krijon mbi tokë për ta opinionin e pëlqimit dhe të pranimit. Allahu i ka thënë Xhebrailit: “Unë i dua ata, edhe ti duaji!” Edhe Xhebraili u ka bërë zë të gjithë engjëjve: “Allahu e do këtë popull (komb), duajeni edhe ju!” Edhe engjëjt u kanë frymëzuar të gjithë njerëzve dashurinë për atë popull apo komb. Siç shprehet hadithi profetik, tashmë për ta në botë është vendosur dashuria. Tashmë çdo njeri fillon të shohë në sytë e tyre. Thëniet e tyre ushtrojnë ndikim tek të tjerët dhe të tjerët i çojnë në vend ato menjëherë. Propozimet e tyre pranohen si urdhra. Dhe, kur japin urdhra, ato gjejnë reflektim aty për aty në zemrat dhe ndërgjegjet e njerëzve!

E dyta: “Edhe ata e duan Allahun”. Në fakt, masa dhe shenja e dashjes nga Allahu është dashuria për Të. Sa ta duash ti Allahun, aq ka për të të dashur edhe Allahu ty.

E treta: “Ata janë mjaft të thjeshtë e kokulur ndaj myslimanëve”. Pra i shohin të gjithë besimtarët mbi veten dhe nuk druhen t] sillen me përulësi ndaj tyre. Kur ata sillen kështu, të thjeshtë e kokulur, Allahu i lartëson.

E katërta: “Por ata janë tejet dinjitozë ndaj mohuesve, kurrë nuk përulen e përkulen para tyre dhe janë vazhdimisht në luftë me ta”. Sa ç’janë të thjeshtë ndaj besimtarëve, aq janë dinjitozë ndaj mohuesve!

E pesta: “Ata përpiqen në rrugën e Allahut”. Në origjinal, kjo fjali është e ndërtuar me një folje të kohës së tashme të vazhdueshme për të dhënë idenë e vazhdimësisë së pandërprerë të veprimit. Prandaj, nga kjo fjali nxirret ideja se ata e vazhdojnë përpjekjen duke e rinuar dhe duke i dhënë përmasa të reja, pra, ata sillen si largpamës.

E gjashta: “Ata nuk ua vënë veshin kundërshtarëve”. Sepse ata e kanë frikë vetëm Allahun. Ata s’duan t’ia dinë aspak për thëniet e të tjerëve për ta. Ata mendojnë gjithmonë për urdhrin dhe kënaqësinë e Allahut.

Ja, këto janë gjashtë karakteristikat e bashkësisë ideale. Allahu ua jep amanetin e shenjtë atyre që pajisen me këto karakteristika. Ky është një ligj hyjnor që kurrë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për të ndryshuar.

Amaneti i shenjtë i jepet atij që i del për zot atij amaneti. Po t’i dalë për zot arabi, i jepet arabit; po t’i dalë për zot turku, i jepet turkut; po t’i dalë për zot shqiptari, kurdi apo boshnjaku, i jepet atyre; e kështu me radhë. Kushti i parë për t’i dalë për zot është pajisja me gjashtë karakteristikat e përshkruara më sipër.

Një tjetër ajet, rreth kësaj çështjeje, që përmban rregullat e përgjithshme dhe parimet universale, është kështu:

h) “Thuaj: “Allahu im, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia merr kujt të duash! Kë të duash e lartëson, kë të duash e poshtëron! E gjithë mirësia, mbarësia dhe dobia janë në dorën tënde! Pa dyshim, ti je i Plotfuqishëm për gjithçka!”

Po qe se një popull a një komb nuk i ka njerëzit e vet të fuqishëm e të pushtetshëm që ta përfaqësojnë, është i destinuar të shthuret. Gjithashtu, po qe se njerëzit e fuqishëm e të pushtetshëm nuk e kanë lidhur zemrën me Allahun që është sunduesi i tyre, ai popull apo komb nuk mundet të rrijë në këmbë për një kohë të gjatë. Këtu, sikur nga njëra anë është pohuar mjerimi i paaftësisë për të treguar vullnet, kurse nga ana tjetër pamundësia për të mbetur në këmbë vetëm me anë të vullnetit. Vullneti i treguar do të jetë simboli i pushtetit tonë dhe në çdo punë, pushteti ynë do të mbrohet me anë të strehimit te Zoti. Ja pra, gjetja e këtij ekuilibri varet nga konceptimi dhe kuptimi i plotë nga ana jonë i çështjes së kaderit dhe vullnetit si dhe veçanërisht i çështjes së dëshirës hyjnore si përmasa e tretë i kaderit.

Në ajetet që cituam gjer këtu, pamë dhe kuptuam se dëshira hyjnore ka mbështjellë dhe përfshirë brenda tërë jetën. Po, dëshira e Zotit ka rrethuar çdo gjë. Edhe mosqenia, madje, varet nga veprimi i dëshirës së Zotit në atë drejtim. Zoti është i vetmi pushtetar dhe sundues që bën ç’të dojë. Pa dëshiruar Ai s’mund të bëhet asgjë!

Dëshira hyjnore disa herë shfaqet për mëshirë, disa herë për ndëshkim. Ja, këtë mësim na e jep ajeti në vijim:

i) “Zoti juaj ju njeh më së miri. Nëse dëshiron, ju mëshiron, nëse dëshiron, ju ndëshkon! (O i Dërguar!) Ne s’të dërguam ty si dorëzanës për ta!”

“Zoti juaj ju njeh ju më mirë se kushdo. Sepse njeriun Ai e ka krijuar dhe Ai është më afër njeriut se damari i tij i qafës që i rreh!” “Prirjet tuaja ndjesore dhe mendimet që mundeni t’i fshihni prej të tjerëve janë te Allahu gjërat më të njohura. Meqë jua njeh kërkesat dhe dëshirat, Ai ju trajton jo sipas anës së jashtme, por sipas gjendjes tuaj dhe, po deshi, ju mundon, po deshi, ju rrethon me mëshirë!”

Profetët kanë folur vazhdimisht për dëshirën hyjnore. Kurani dëshmon kështu për përmendjen e vazhdueshme dhe dëshminë e profetëve mbi dëshirën hyjnore:

j) “Thuaj: “Unë s’jam në gjendje t’i sjell vetes ndonjë dobi apo dëm jashtë dëshirës së Allahut. Po ta njihja të padukshmen, do të bëja më shumë mirësi dhe mua nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm një profet që paralajmëron dhe përgëzon njerëzit që besojnë!”

Unë s’mund t’i sjell vetes as dëm, as dobi. Jo t’i bëhem dëmsjellës apo dobisjellës tjetërkujt, por s’kam mundësi t’i bëhem dëmsjellës apo dobisjellës as vetes. Me përjashtim kur këtë e dëshiron Allahu. Pra, ashtu si në çdo punë, edhe në qenien i dëmshëm apo i dobishëm për veten time, thelbësore është dëshira e Allahut...

Aq i nënshtruar qe i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! ndaj dëshirës hyjnore, saqë një ditë thotë kështu: “Askush nuk mund të shpëtojë me punën e vet!” Sahabët e pyesin: “As ti, o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari i Allahut u përgjigjet: “Po, as unë! Unë mund të shpëtoj vetëm në qoftë se Zoti im më mbështjell me mëshirën e Tij dhe më rrethon nga të gjitha anët me mëshirën e Tij!”

Ja, ky është kriteri i të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi të! dhe ajo ç’na ka mësuar! Çdokush duhet ta vlerësojë gjerësinë dhe thellësinë e vet moralo-etike sipas këtij kriteri!

Dhe tani, nëse edhe një profet madje, mban një qëndrim të tillë ndaj dëshirës hyjnore, le të mendohet sesi duhet të jenë njerëzit e tjerë. Është falë këtij botëkuptimi dhe nënshtrimi që njeriu ngjitet në botën e lartë dhe koka i zë në horizontet qiellore. Dhe tani, atyre që përsërisin pa pushim shprehje mendjemadhësie dhe krenarie, si “kam bërë të mira sa bota, gjithsesi, vendin e kam në Xhenet”, “po nuk hynë në Xhenet njerëz si ne, kush do të hyjë”, u këshillojmë të kujtojnë hadithin e mësipërm dhe të marrin për model qëndrimin e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!, megjithëse ishte i Dërguari i Zotit. Kjo do të thotë se nënshtrimi i treguar ndaj dëshirës hyjnore e shpëton njeriun edhe nga mendjemadhësia e krenaria. Në këto kushte, themi se besimtari është i detyruar që të gjitha punët e veta t’i pranojë si të tilla ku rëndon dëshira hyjnore dhe në orbitë përreth dëshirës hyjnore!

Dëshira e vullnetshme hyjnore e ka rrethuar dhe përfshirë çdo gjë me përmbajtjen dhe anën e vet të jashtme. Është e pamundur të mendohet diçka jashtë dëshirës së Tij!

Sigurisht, edhe kuptimi në një nivel të caktuar i dëshirës hyjnore është punë e një niveli të caktuar. Ata që nuk e rrokin dot këtë nivel, e kanë aq të vështirë sa mund të thuhet e pamundur që ta kuptojnë dhe njohin çështjen e dëshirës hyjnore. Fundja, a s’është njëra prej specifikave për të cilat të gjithë profetët kanë rënë në kundërshtim dhe përplasje me popujt mes të cilëve kanë jetuar, paaftësia e atyre popujve për ta kuptuar këtë çështje?

Qindra ajete të Kuranit e shpjegojnë dëshirën hyjnore në aspektet e saj të ndryshme duke dhënë shembuj nga profetët dhe fiset apo popujt e tyre. Sipas Kuranit, kjo çështje ka shumë përmasa besimore, ideore dhe praktike. Profeti Nuh (a.s) është në këtë çështje një shembull i veçantë. Duke na treguar për grupin që pati ngritur krye kundër profetit Nuh, për ata që i nënvleftësonin kërcënimet e tij, Kurani shprehet kështu:

k) “Dhe thanë: “O Nuh, ti na u kundërvure neve dhe shkove shumë larg në këtë kundërvënie. Po qe se thua të vërtetën, le të na godasë ajo me të cilën na kërcënon!”

Dhe Nuhu u dha atyre këtë përgjigje:

“Vetëm në dashtë Allahu, ua sjell atë ndëshkim, ju s’mund ta pengoni Atë! Po deshi Allahu t’ju shkatërrojë, edhe sikur të dua unë t’ju këshilloj, s’bën dobi. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni!”

Ja, me këto shprehje e nënvizonte profeti Nuh (a.s) të vërtetën se dëshira e Zotit qëndron mbi çdo gjë dhe fisit të tij donte t’i thoshte kështu: Nuk jam unë që do t’jua jap atë ndëshkim. Fundja, po qe se unë do të godisja kë të doja, gjë që s’kam mundësi ta bëj, askujt s’do t’i mbetej mundësia për kundërshtim dhe e fshehta e provës do të asgjësohej. Mirëpo ju, duke përdorur vullnetin e pjesshëm që ju ka dhënë Allahu, ose do të dorëzoni armët, ose do të ktheni shpinën. Sidomos nëse Ai ju shmang nga rruga e drejtë duke ju vënë në provë, edhe sikur fjalët e mia të jenë margaritarë - që, në të vërtetë, fjalët e të gjithë profetëve janë margaritarë - s’do t’ju bëjë dobi. Sepse dëshira e Tij qëndron mbi të gjitha vlerësimet dhe propozimet. Ai është Zoti juaj. Atë që dëshiron, e vërtit nga dhe si të dëshirojë. Edhe sikur të mos doni, më në fund te Ai do të ktheheni. Sa për mua, unë s’kam në dorë gjë tjetër veç kumtimit të rrugës së drejtë dhe orientimit tuaj në atë rrugë. Para dëshirës së Zotit, edhe unë jam si ju...

Ky dhe ajete të tjerë si ky, e përvijojnë në mënyrë të shumëngjyrshme horizontin e profetëve në lidhje me dëshirën hyjnore.

Edhe profeti Ibrahim (a.s), duke i dhënë popullit të vet mësime të teuhidit, monoteizmit, u tregonte se ç’është dëshira hyjnore.

l) “Dhe, kur populli i tij polemizoi me të, ai tha: “Doni të polemizoni me mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar në rrugën e drejtë?! Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj, sepse vetëm po të dojë Zoti im, ato mund të më lëndojnë. Zoti im, me dijeninë e vet ka përfshirë çdo gjë. A nuk po mendoni?”

Unë nuk kam frikë nga politeizmi juaj, por vetëm nga dëshira e Zotit tim. Unë kam frikë se mos Ai dëshiron ndonjë të keqe për mua, ndryshe, edhe sikur e gjithë bota të më shembet mbi krye, nuk më bën dot gjë, sepse e di se po të mos dojë Zoti im, askush nuk mund të më bëjë dëm as sa grimca!

m) Pasi i përgjigjej propozimit të të atit duke i thënë “... ati im, zbato menjëherë atë për të cilën je urdhëruar!”, Ismaili (a.s) tërhiqte vëmendjen mbi dëshirën hyjnore dhe thoshte kështu: “Dashtë Zoti të më gjesh ndër ata që durojnë!” Pra, edhe Hz. Ismaili e lidhte mundësinë për të duruar me dëshirën hyjnore. Ai donte të thoshte se ne mund të durojmë vetëm nëse dëshiron Ai dhe në atë masë që të dëshirojë Ai.

n) Duke dalë në udhëtim me Hz. Hidrin, thënies së këtij, “ti nuk mund të durosh të udhëtosh me mua”, Profeti Musa (a.s) i përgjigjej duke përmendur menjëherë dëshirën hyjnore:

“Në dashtë Zoti, do të duroj dhe nuk do të të kundërshtoj për asgjë!”

Siç shihet, shprehjet e profetëve u ngjajnë shumë njëra-tjetrës. Pothuaj që të gjithë kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja, thonë të njëjtat fjalë dhe me të njëjtin ritëm, sepse qëndrimi dhe nënshtrimi i tyre ndaj dëshirës hyjnore është i njëjtë.

o) Duke i ftuar për në qytet të ëmën e të atin të gjetur pas shumë vitesh, edhe Jusufi (a.s) u pati thënë, duke mbajtur parasysh dëshirën hyjnore, kështu:

“Me dëshirën e Allahut, vendosuni në Egjipt të sigurt!”

Këdo që të shihni nga profetët, në vargun e mendimit dhe bindjes së tyre do të dalloni dëshirën hyjnore të punohet si një gjergjef. Natyrisht që profetëve këtë ua ka mësuar Allahu!

Dëshira hyjnore është çdo gjë si dhe bazë për vullnetin e njeriut. Mospranimi i saj nuk është i ndryshëm nga politeizmi dhe do të thotë t’ia kushtosh një pjesë të punëve tjetërkujt!

B) Dëshira hyjnore në hadithet profetike

a) Ahmed b. Hanbel përcjell prej Tufejlit, vëlla nga nëna me Hz. Aishen (r.a). Tufejli tregon:

“Pashë në ëndërr një grup të madh njerëzish dhe u shkova pranë. Dhe i pyeta: “Kush jeni ju?” Ata m'u përgjigjën: “Ne jemi një grup hebrenjsh!” Unë u thashë: “Ju jeni njerëz të mirë, vetëm sikur të mos thonit se Uzejri është biri i Zotit!” Atëherë, edhe ata m’u përgjigjën: “Edhe ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit në dashtë Allahu dhe Muhamedi!”

Më pas pashë një grup tjetër njerëzish dhe u shkova pranë. Dhe i pyeta se kush ishin. Ata më thanë se ishin nga Nazareti. Edhe atyre u thashë kështu: “Ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit se Mesihu është biri i Zotit!” Pastaj edhe ata, ashtu si grupi i parë, m’u përgjigjën: “Edhe ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit në dashtë Allahu dhe Muhamedi!”

Kur u zgjova, shkova te Hz. Aishja dhe ia tregova ëndrrën. Pastaj ajo ia kishte treguar atë të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi të!, i cili më thirri dhe më pyeti: “A ia tregove kujt ëndrrën?” “Po, - i thashë -, ia tregova!” Atëherë, i Dërguari i Allahut urdhëroi që të gjithë të mblidheshin në faltore dhe pastaj foli kështu para tyre: “O njerëz! Deri tani s’ju kam folur për një çështje, se më ka ardhur turp ta zë në gojë! Fjala juaj s’më ngarkon me përgjegjësi mua, por ju! Këtej e tutje kurrë të mos thoni “në dashtë Allahu dhe Muhamedi”, por të thoni “në dashtë Allahu”! Allahu është një i vetëm dhe s’ka shok!”

Nga kjo ngjarje dhe nga ky hadith kuptojmë se dëshira hyjnore është esenciale dhe askush nuk mund të bëhet ortak me të. Madje, të pranosh partneritet të dëshirës hyjnore është mohim dhe herezi.

b) Një shembull tjetër në lidhje me këtë çështje. Te i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! shkon një njeri dhe i thotë: “Po deshi Allahu dhe ti!” I Dërguari i Allahut e kundërshtoi dhe i tha: “Thuaj: “Në dashtë Allahu! Ai nuk ka shok!”

Ja pra, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! ka një koncept të tillë monoteizmi mbi kuadrin e veprimit të Zotit, saqë edhe sikur bashkëbiseduesi të mos ketë ndonjë prapamendim në mënyrën e shprehjes së vet, ai ia tërheq vëmendjen dhe i tregon sesi duhet të shprehet!

c) Pa asnjë dyshim, një nga lutjet e kënduara më shumë nga i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! është kjo: “Allahu im që i vërtit zemrat si të duash! Bëma zemrën time të vendosur në besim!”

Umu Seleme e pyet të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi të! se pse e këndonte kaq shpesh këtë lutje. Dhe merr pikërisht këtë përgjigje: “Zemra ndodhet mes dy gishtave të Allahut. Ai e vërtit atë nga të dojë!”

Kurse në rrëfimin e Nevas b. Sem’a, përcillet të jetë thënë kështu: “Zemrat e robve ndodhen mes dy gishtave të Allahut. Atë që dëshiron ta mbajë drejt, e mban drejt; atë që dëshiron të bëjë të rrëshqasë, e rrëshqet!”

Edhe vetë Zoti na e mëson këtë lutje dhe dëshiron të themi kështu:

“Zoti ynë! Mos lejo që të na rrëshqasin zemrat pasi të na kesh udhëzuar dhe falna mëshirë nga lartësia jote! Pa dyshim, Ti je dhurues i pafund!”

Në fakt, të gjitha lutjet qartësojnë dëshirën e Zotit. Pra, qysh në fillim, në lutjet tona ne e pranojmë se Zoti ka mundësi të na i japë ato që kërkojmë dhe se na e plotëson kërkesën në qoftë se dëshiron. Çdo lutje e bërë në këtë mënyrë ka kuptimin e pohimit të dëshirës së Zotit. Kështu, dëshira e Zotit është një përmasë e kaderit. Edhe ne po qëndrojmë me këmbëngulje mbi këtë çështje, sepse është e lidhur ngushtë me teuhidin.

C) Çështja e paracaktimit dhe ligjshmërisë

Në lidhje me të njëjtën temë, dëshirojmë të prekim edhe një të veçantë tjetër. Me një rregullim të tillë, kemi për qëllim edhe që një temë të tillë të lodhshme, duke e thjeshtëzuar me sa të jetë e mundur, ta trajtojmë edhe një herë tjetër.

Për specifikën që duam të flasim, ajeti i mëposhtëm mund të shërbejë si hyrje:

“Vetëm Atij i përket krijimi dhe urdhërimi. Sa i lartë është Allahu, Zoti i botëve!”

Krijimi dhe urdhërimi i përkasin Allahut. Po, Ai është që edhe urdhëron, edhe krijon! Urdhri i Zotit është dy llojesh:

I pari, urdhri krijues, urdhri detyrues ose urdhri paracaktues.

I dyti, urdhri fetar ose kanonik.

Në gjithësi sundon urdhri detyrues. Zoti krijon në mënyrë detyruese. Askush nuk mund të thotë gjë para këtij detyrimi. Çdokush është i detyruar, dashje ose pa dashje, t’i bindet këtij detyrimi.

Zoti është Pronari i gjithçkaje. Në pronën e vet vepron si të dojë, atë e përdor si të dojë. Ky administrim na i lidh duart, gjuhën dhe vullnetin tonë.

Kurse në urdhrin fetar ose kanonik, përsëri ndodhemi ballëpërballë me urdhrat e Zotit, por për t’i bërë ose për të mos i bërë ato, vullnetit tonë që nuk ka asnjë lloj ekzistencë individuale, i është dhënë një aftësi krahasuese. Kur t’i kemi kuptuar plotësisht këto dy urdhra, i kemi kuptuar edhe kuptimin dhe përmbajtjen e urdhrave që në Kuran, sipas vështrimit formal, duken si antagonistë të njëri-tjetrit.

Në ligjet e krijimit, si të drejtohet dëshira e Zotit, materia, dukuritë dhe ngjarjet në atë formë dhe në atë drejtim dalin në shesh të ekzistencës. Kurse në urdhrat kanonike, Zoti ka urdhëruar gjërat që dëshiron të bëhen nga ana jonë dhe gjërat, bërjen e të cilave i pëlqen. Në të dy urdhrat bëhet fjalë edhe për dëshirën, edhe për pëlqimin, edhe për kënaqësinë e Zotit.

Adhurimet dhe veprimet e engjëjve bëhen me urdhrin dhe dëshirimin e Zotit. Kështu janë dhe bëmat e profetëve. Të tilla janë edhe veprimet e quajtura salihat, mirësi, mbarësi, të njerëzve të mirë e të mbarë. Nga të gjithë këta Zoti është i kënaqur.

Por ka edhe punë të tilla që, megjithëse në themel të tyre është dëshira e Zotit, Ai nuk i pëlqen ato. Të tilla janë mohimi, kundërshtimi dhe mëkati. Ajetet si më poshtë vënë gishtin mbi këtë çështje:

“Allahu nuk e pëlqen që robtë e tij të hyjnë në mohim dhe herezi...”

“Allahu nuk i do ata që shkaktojnë grindje...”

“Allahu nuk i do ata që shpërdorojnë...”

“Allahu nuk i do ata që e tejkalojnë masën...”

“Allahu nuk i do koprracët dhe mendjemëdhenjtë...”

Allahu (xh.xh.) e krijon intrigën dhe grindjen. Ky krijim bëhet me anë të prirjes së dëshirës së Tij në atë drejtim. Por Ai nuk e pëlqen intrigën dhe grindjen. Po kështu qëndron çështja edhe me llojet e tjera të mëkateve. Pandeh se kur çështja shihet nga ky këndvështrim, disa ajete i kuptojmë më mirë. Për shembull, le ta shohim këtë ajet edhe nga ky këndvështrim.

“Kur Ne duam ta shkatërrojmë një vendbanim, e urdhërojmë klasën e përkëdhelur të tyre dhe ata kryejnë të këqija e dalin nga rruga. Kështu, fjala për atë vend bëhet e drejtë dhe Ne e shpartallojmë!”

Kur Ne duam ta shkatërrojmë një vendbanim ose një qytetërim, ua lëshojmë mbi krye të poshtrit, madje më të padrejtët dhe dhunuesit nga mesi i tyre. Ata ia heqin popullit kafshatën prej goje duke e bërë të heqë vuajtjet më të hidhura. Megjithëkëtë, të mësuar me çdo lloj poshtërimi, njerëzit vazhdojnë të kërkojnë t’i shohin ata në krye. Me anë të zgjedhjeve gjoja të lira e të vullnetshme, të poshtrit vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Mirëpo, a me të vërtetë kështu është?

Njerëzit më të ulët, llumi i shoqërisë të hipur në pushtet, dëfrehen, kurse mjerimi është bërë kaderi ose fati i pandryshueshëm i popullit për shkak se i ka vënë ata mbi krye, sepse qeverisja ka rënë në dorë të tyre. Të poshtrit e kanë nxjerrë popullin prej udhe. Kur gjendja vjen në këtë pikë, do të thotë se atij populli ose qytetërimi i ka ardhur fundi.

Shihet se urdhri i dhënë këtu është urdhër krijimi, jo urdhër kanonikal. Sepse Zoti kurrë nuk i urdhëron njerëzit e thjeshtë me anë të urdhrave kanonike që të kryejnë mëkate. Ajeti që thotë se “Allahu nuk e urdhëron imoralitetin” është argumenti më i hapur i kësaj. Përputhja e dy ajeteve me njëri-tjetrin fshihet në cilësinë e njërit si urdhër fetaro-ligjor ose kanonikal dhe tjetrit, si urdhër krijimi.

Ashtu siç ajeti “Për sa kohë që një popull nuk e ndryshon veten, edhe Allahu nuk ia ndryshon gjendjen atij” shpreh një ligj krijimi, ashtu dhe ajeti i mësipërm shpreh një ligj krijimi.

Në qoftë se në strukturën e brendshme ndodh një prishje dhe yjet e qiellit të shpirtit derdhen poshtë, edhe fati i jetës shoqërore dhe botës qytetare kthehet përmbys dhe të gjitha bukuritë marramendëse të ardhura gjer aty, kthehen prapë e shuhen.

Prandaj që të dy urdhrat duhen kuptuar mirë. Shkolla xhebrije, meqë i ka ngatërruar me njëri-tjetrin urdhrin e krijimit me urdhrin kanonik, e ka mohuar vullnetin e njeriut dhe ka rënë në një udhë të shtrembër. Edhe mutezilitë kanë rënë në një vetëmashtrim tjetër ngaqë, duke e marrë për esenciale vullnetin e njeriut, kanë thënë se njeriu e krijon vetë aktin e vet. Kurse ne, duke marrë anët e drejta të secilës palë, përvijojmë një drejtim të drejtë dhe themi: Edhe në urdhrin e krijimit, edhe në urdhrin kanonik, esenciale është dëshira hyjnore. Ndërkaq, në urdhrin kanonik i është dhënë pjesë edhe vullnetit të njeriut si një kusht elementar. Asgjë nuk mund të ndodhë pa prirjen në atë drejtim të dëshirës hyjnore, por gjërat që kanë trup të jashtëm, nuk janë kështu. Dëshira hyjnore vepron edhe te gjërat e këqija e të shëmtuara, por Zoti nuk i pëlqen ato. Prandaj njeriu vuan ndëshkimin e së keqes që bën.

Edhe udhëzimi, edhe devijimi nga e drejta* janë të varura nga dëshira e Allahut. Kurani e sqaron këtë të veçantë me shumë ajete.

“Atij që dëshiron ta udhëzojë, Allahu ia hap zemrën ndaj Islamit, kurse atij që dëshiron ta shmangë nga rruga e drejtë, ia ngushton zemrën sikur të ishte duke u ngjitur në qiell. Kështu i fundos Allahu mohuesit dhe heretikët në llumin e mohimit!”

Besimi hyn në zemrën e njeriut me një frymë të ngrohtë e të ëmbël. Kështu, njeriu e shijon qetësinë dhe lumturinë, gjë që i jep atij një kënaqësi me të cilën s’ka të ngopur. Atij i zgjerohet gjoksi. Falë besimit, njeriu kap pikën e përsosmërisë njerëzore dhe shndërrohet krejtësisht në një përmendore mirësie dhe bujarie. Ndërkaq, ai që e kap për dore njeriun dhe e sjell në këtë gjendje, nuk është aspak vetja e tij. Është Allahu që ka fuqi dhe mundësi për çdo gjë, që e ka kapur për dore njeriun dhe, shkallë-shkallë, e ka ngjitur në pikën kulmore të udhëzimit. Sepse ka sa e sa njerëz me nivel shumë më të lartë mendor e zgjuarsie që nuk arrijnë dot udhëzimin dhe, me dëshirat e tyre vulgare, jetojnë jetën e qenieve katërkëmbëshe. Kjo do të thotë se përsa i përket çastit shkakësor, çështja e udhëzimit dhe poshtërimi i devijimit nuk kanë të bëjnë shumë me aftësitë dhe mundësitë e njeriut si dhe me fuqinë e vullnetit të tij. Këto janë drejtpërdrejt vepër e ngarkuar me urtësi e dëshirës së vullnetshme hyjnore!

Tani është bërë e qartë prerazi se ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë në gjërat dhe ngjarjet. Nisur nga kjo, mund të themi se, në procesin e krijimit, ne përbëjmë vetëm një shkak ose mjet. Sigurisht, për ne është e pamundur të nxjerrim në shesh diçka pa e dëshiruar Zoti atë diçka. Zoti është e vetmja fuqi që gjërat e dukura të mundshme, disa herë i bën të pamundshme, kurse gjërat e dukura të pamundshme, i fut në fushën e mundësisë. Fuqia dhe forca e Tij rrjedhin nga individualiteti i Tij. Prandaj dhe ne e shohim fuqinë e Tij si vetë Ai. Është Zoti që na e jep ne forcën për të vepruar, gjithashtu është Zoti që na e jep prirjen për ta përdorur vullnetin tonë në një drejtim të caktuar. Ai na ka dhënë vullnet, vetëm se dëshirimi është vetëm e drejtë e Tij. Gjendja është po kjo edhe në specifikën e udhëzimit dhe të devijimit. Vetëm Allahu është udhëzues dhe devijues nga rruga e drejtë!

Allahu dikur i pati futur Omerit në zemër ndjenjën për ta vrarë Profetin Muhamed paqja qoftë mbi të!, pastaj e pati lëshuar në rrugë për këtë qëllim dhe ajo rrugë e dukur nga jashtë që çonte në devijim dhe rrënim, e pati çuar Omerin në udhëzim dhe besim!

Gjithashtu është Allahu që një poeti të fuqishëm si Asha, i cili pati shkuar gjer në Mekë për ta kërkuar rrugën e drejtë, ia pati bërë pijen perde duke e lënë në devijim! Atëherë, njeriut që vëren qindra dhe mijëra ngjarje të tilla, a i mbetet gjë tjetër për të bërë përveç se të pohojë se udhëzimi dhe devijimi janë në dorë të Allahut? Pa dyshim, udhëzimi dhe devijimi janë në dorë të Allahut!

Krahas pranimit të të gjitha këtyre, Ai ka vënë në përbërjen tonë një vullnet me përbërje të panjohur, por me një kuptim dhe qëllim të qartë, sepse në veprimtarinë e tij nuk ka gjë të kotë. Mbi këtë vullnet me përbërje të panjohur Ai ka ngritur dhe ngre të gjitha bëmat tona të së kaluarës dhe të së ardhmes. Veçanërisht, planin e kësaj ngritjeje ose ngrehine bëmash e ka bërë para se të krijonte njeriun dhe e ka shënuar në Leuhi Mahfudh. Atëherë ajo që na takon ne është të kërkojmë prej Tij udhëzim. Sepse siç thuhet edhe në ajetin që e përmendëm pak më sipër, atij që dëshiron ta udhëzojë, ta vërë në rrugë të drejtë, Allahu ia zgjeron zemrën, ia ngroh ndaj Islamit dhe atëherë ai person e sheh siç është fytyrën e ëmbël të së vërtetës. Dhe njeriu ndjen kërkesë ndaj të vërtetës. Kurse atij që dëshiron ta devijojë nga e drejta, ia ngushton dhe ndrydh zemrën dhe atëherë ai njeri nuk është më në gjendje t’i thotë “po” asnjë propozimi islam. Ai largohet nga këshilla si kafshët nga frika e luanit dhe çdo hap që bën, e largon edhe më shumë nga Islami!

Ndërkaq, të gjitha këto (udhëzimi dhe devijimi) ndodhin mbështetur mbi një kusht elementar që është vullneti i njeriut, ndjenja e marrjes së vendimit për të bërë ose për të mos bërë diçka. Këtë e tregon fakti që njeriu është i ndërgjegjshëm se është i lirë në vendimet dhe veprimet e tij, prandaj dhe njeriu e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se është përgjegjës për vendimet dhe veprimet e veta. Vullneti i njeriut bën detyrën e gurit të themelit për aktet dhe veprimet e tij. Çdo gjë që krijon në lidhje me njeriun, Zoti e krijon mbështetur mbi këtë gur themeli.

Për shembull, le ta themi se ju dëshironi ta ndryshoni këtë regjim të shtrembër të kësaj bote. Dhe filloni ta përdorni vullnetin tuaj në atë drejtim. E shpenzoni tërë kapitalin dhe çdo gjë që keni për atë qëllim. I përdorët të gjitha rrugët dhe shpenzuat çdo gjë për t’ia arritur qëllimit gjersa ju mbaruan të gjitha mundësitë dhe ju lanë të gjitha fuqitë. Me një fjalë, ju e vutë në veprim tërë vullnetin tuaj. Pikërisht atëherë ju vjen në ndihmë vullneti dhe dëshira e Zotit dhe ju dhuron mundësitë që dëshironi. Po, Ai do t’i favorizojë vullnetit tuaj me përbërje të panjohur shumë e shumë arritje të mëdha! Ky është një ligj hyjnor dhe kurrë s’ka për të ndryshuar.

Kështu do ta kuptoni ju fuqinë tuaj për të vepruar dhe gjërat që do të prisni nga Allahu, me këtë mendësi do t’i prisni. Ndërkaq, po qe se Ai tregohet ndaj jush bujar pa e merituar ju aspak, kjo është vetëm mirësi dhe favor i Tij ndaj jush. Dhe askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari Atij! Mirëpo, ç’e do se punët nuk kryhen mbështetur mbi favore! Sigurisht, ju në fillim do të bëni gjithçka që ju takon ju dhe vullnetit tuaj, pastaj do të ngrini duart për lutje dhe gjithçka do t’ia kërkoni Zotit. Po qe se kthehemi në pikën ku e filluam këtë diskutim për dëshirën tuaj për ta ndryshuar regjimin e shtrembër të kësaj bote, themi se vetëm pasi të keni bërë gjithçka që ju takon ju, Allahu do ta ndryshojë fatin tuaj të mbrapshtë dhe regjimin e shtrembër të kësaj bote do ta vendosë mbi shina!

Pse, a nuk ndodh kështu? Personi jep jetën, kurse Zoti i jep pozitën e dëshmorit. Pastaj këtë e ndjekin dhunti të njëpasnjëshme: Xheneti, shikimi i bukurisë së Zotit, etj. Njeriu merr përgjegjësen e bëmave të veta!

Në është kështu, ju lutem, para se të përdorni mjetet që keni ju në dorë, mos prisni mrekulli, mos prisni as Heraklitin, as Mesihun, as Mehdiun. Zoti që nuk e ka ndryshuar zakonin e tij të lartë për profetët, s’ka për ta ndryshuar për ju. Kjo është rruga dhe mënyra që vepron qysh në krye të herës!

Profeti ka mbetur i uritur, ka mbetur i etur, i është thyer dhëmbi në luftë, i është plagosur faqja, i janë mbuluar këmbët në gjak dhe ka hequr të gjitha llojet e vuajtjeve. Edhe të tjerët rreth tij po ashtu. Aq janë tronditur e aq janë lëkundur, sa të gjithë së bashku kanë rënkuar: “Ku është ndihma e Allahut?” Dhe pikërisht atëherë ka ardhur ndihma hyjnore dhe u është thënë: “Ndihma e Allahut është shumë afër!” Ajeti në vijim këtë të vërtetë na e tregon:

“A mos pandehët se do të hyni në Xhenet pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij pyetën se kur të vijë ndihma e Allahut. Dijeni mirë se ndihma e Allahut është shumë afër!”

Në një periudhë kur nuk gjendej një kafshatë bukë, kur përvëlohej për një gllënjkë ujë, kur nuk ndodhej një rrogoz për t’u shtrirë, pra në pikën kur ishte konsumuar gjithçka, një zë i ardhur nga e panjohura do të thotë: “Ndihma e Allahut është shumë afër”, kurse ju do të vazhdoni ta përdorni vullnetin tuaj gjer në ardhjen e saj. Qiriri do ta bëjë atë që i takon dhe do të digjet gjer në fund dhe pikërisht kur do të shtrihet përtokë, do të arrijë ndihma hyjnore që do të bëhet shpëtim për ju! Pasi ta keni përdorur vullnetin tuaj gjer në fund, do të hyjë në veprim Vullneti i Përgjithshëm që do ta bëjë atë që i takon. Pra, vështirësia do t’ju kthehet në lehtësi, vuajtja dhe mjerimi në nder dhe dinjitet!

Tani, a jeni të sigurt vallë, se e keni përdorur vullnetin tuaj gjer në fund? Po qe se mundeni të thoni “po”, edhe unë mundem t’ju jap këtë lajm të gëzuar: “Të jeni të sigurt se Allahu që i vërtit në dorë qiejt dhe tokën si kokrra tespihesh, do të vrapojë në ndihmë tuaj!” Ajo fuqi e pafundme, me vullnetin e vet të pafund, do t’i përmbysë të gjitha lojërat dhe kurthet e atyre që kanë ngritur front kundër jush dhe do t’ju mbrojë. Meqë ju jeni të sigurt se i keni kryer detyrat që ju takojnë, atëherë mund të jeni të sigurt dhe për lajmet e gëzuara që po ju jap unë, sepse zakoni hyjnor thotë se kështu ka për të ndodhur!

Këtë të veçantë të kaderit që e analizuam nga pikëpamja e dëshirës hyjnore, mund ta mbyllim shkurt kështu:

Me diturinë e Tij që përfshin gjithçka, Zoti e di çdo gjë që kemi për të bërë ne në të ardhmen me vullnetin tonë dhe atë çka di, e paracakton në formë të një plani dhe e shënon në Leuhi Mahfudh. Pastaj engjëjt, me një libër në dorë, mbajnë shënim për ne dhe të dy shënimet ose librat me shënimet mbi ne përputhen me njëri-tjetrin. Natyrisht, në të gjithë këtë veprimtari, thelbësore mbetet dëshira hyjnore. Si suni, ne mendojmë dhe besojmë se po deshi Allahu për diçka që të bëhet, ajo bëhet, kurse po deshi që të mos bëhet, ajo gjë s’bëhet!

4. Kadaja dhe kaderi nga pikëpamja e krijimit

Allahu është Ai që e krijon çdo gjë. Gjithçka që ne i themi “gjë”, janë krijesa të Tij, përfshi edhe ne, edhe aktet tona. Është për këtë arsye që në Kuran thuhet: “Edhe ju, edhe aktet tuaja është Allahu që i krijon!”

Edhe Profeti ynë paqja qoftë mbi të!, na tërheq vëmendjen kështu nëpërmjet një hadithi: “Është Allahu që krijon çdo artist si dhe artin e tij!”

A po gdhendni një gur apo mermer? Është Allahu që ju ka krijuar ju, është po Ai që po e krijon atë punë për ju. Është gjithashtu Allahu që ju ka dhënë një aftësi, pastaj që ju bën të mendoni dhe, më tutje, që t’i shprehni mendimet tuaja. Në është kështu, ç’i takon vullnetit tonë? Në një çështje të tillë, sa pjesë i është lënë vullnetit tonë?

Gjëja që i themi vullnet është aq e vogël, saqë sado të thella t’i keni shikimet dhe sado i gjerë të jetë horizonti juaj i pamjes, nuk mund ta dalloni e nuk mund ta përcaktoni atë, sepse ai nuk ka asnjë lloj trupi të jashtëm. Vullneti ynë është aq i vogël, sa është e pamundur të gjesh një lidhje shkak-pasojë mes tij dhe punëve të kryera me anë të tij. Ndërkaq, sa i vogël të jetë vullneti ynë, aq të mëdha janë favoret hyjnore që na rrinë pranë!

Ai që krijon është Allahu. Kurani, Suneti dhe ndërgjegjet e zhvilluara dëshmojnë se kjo kështu është. Është për këtë arsye që i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të! dhe ne si umeti i tij, kërkojmë që Zoti të krijojë për ne gjëra të mira, të cilat për ne të mos e kenë burimin në vullnetin tonë, por në mëshirën e Tij! Sa për të dhënë një mendim, dëshiroj të përmend këtu nja dy lutje.

Në një hadith të përcjellë nga Buhariu, Profeti paqja qoftë mbi të! na mëson si lutje istihare (këshillimi) këtë:

“Allahu im, i drejtohem për këshillim diturisë Tënde, kërkoj ndihmë nga fuqia Jote dhe atë që kërkoj, e kërkoj nga favori Yt i lartë!

Ti ke mundësi për çdo gjë, kurse unë s’kam mundësi për asgjë. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di asgjë! Ti je Njohësi i së Fshehtës!

Allahu im, po qe se kjo punë (përmendet puna për të cilën bëhet lutja) është, në emër të përfitimit tim në këtë botë dhe në botën tjetër dhe si fillim dhe përfundim, e mirë, e mbarë dhe e dobishme, dhe po qe se kështu e di Ti këtë, caktoje këtë punë për mua, ma lehtëso dhe pastaj ma bëj të begatë. Por po ta dish se kjo punë është për mua, për llogari të fesë dhe të jetës sime në të dy botët, në fillim e në fund, e dëmshme, largoje atë prej meje dhe mua mbamë larg prej saj. Cakto për mua atë që është e mirë, e mbarë dhe e dobishme dhe pastaj bëmë mua të kënaqur me vlerësimin dhe caktimin Tënd!”

Me anë të këtyre lutjeve Profeti ynë paqja qoftë mbi të! jo vetëm që na mëson disa të fshehta të kaderit, por edhe na tregon se Allahu (xh.xh.) është e vetmja fuqi që do të na çojë në mirësi, mbarësi dhe dobi, gjithashtu që do të na mbajë larg nga e keqja. Është Allahu ai që na bën ta ndjejmë në ndërgjegje hidhësinë e së keqes dhe na largon prej saj. Kurse për të mirën, mbarësinë dhe dobinë, na lëshon në botën tonë të brendshme një fllad e një kënaqësi të gjerë, ndërgjegjja jonë mbushet e derdhet me këtë kënaqësi dhe ne përpiqemi ta rrokim atë mirësi me të gjithë qenien tonë. Fundja, mbarësia është në dorën e Tij. Fundja, është e pamundur që dikush tjetër veç Tij të na japë mirësi, mbarësi e dobi ose ta ndalojë apo ta largojë prej nesh mirësinë, mbarësinë dhe dobinë që është duke na ardhur!

Allahu e pati larguar të keqen që i pati rënë Jusufit (a.s). Cili është argumenti i kësaj? Ne s’kemi ndërmend ta debatojmë atë këtu. Vetëm se duam ta nënvizojmë se profetin e ardhur si esencë të principialitetit dhe sinqeritetit, Zoti e mbrojti nga e keqja e një gruaje. Për këtë arsye, duke u treguar ky aspekt i çështjes, në Kuran thuhet kështu:

“Ja, kështu e larguam prej tij të keqen dhe prapësinë! Me të vërtetë, ai ishte ndër robtë tanë të sinqertë!”

Ja, këtu, mes së keqes dhe prirjes së vullnetit të njeriut, hyn bujaria dhe favori i Zotit, i cili e shpëton personin nga prirja drejt së keqes. Ndërkaq, shprehja e Kuranit, “ai ishte ndër robtë tanë të sinqertë” tregon se është pikërisht sinqeriteti i Jusufit (a.s) ajo që ka tërhequr bujarinë dhe favorin e Zotit! Nga pikëpamja e lidhjes me këtë kuptim, fjalët e bekuara të Profetit, si më poshtë, janë shumë kuptimplote e të rëndësishme:

“Kujdes! Në trup është një copë mishi që, kur është mirë ajo, i gjithë trupi është mirë dhe, kur prishet ajo, i gjithë trupi prishet! Ajo është zemra!”

Sinqeriteti i zemrës dhe mbushja e saj me dashuri dhe respekt për Zotin konsiderohet shkak dhe mjet për largimin e të këqijave dhe shqetësimeve të ardhura një pas një.

Gjithashtu në një hadith të transmetuar nga Buhariu, Profeti paqja qoftë mbi të!, me anë të një lutjeje, na e kujton me kujdes specifikën se është Allahu që i krijon aktet tona ashtu si edhe çdo gjë tjetër! Një pjesë e kësaj që disa imamë e këndojnë veçanërisht në namazin e sabahut si lutje fillimi, është kështu:

“Allahu im, nuk ka kush që ta kthejë mbrapsht atë që jep Ti, apo që të japë atë që e ke penguar ti. Gjithë nderi dhe dinjiteti është i Yti dhe nga Ti!”

Siç shihet, në këtë lutje mësohet se askush nuk mundet ta kthejë mbrapsht vendimin dhe zbatimin e Allahut. Atëherë, themi se ajo çka na takon ne, është vetëm një prirje dhe një nismë.

Në esencë, fakti që edhe aktet tona janë të krijuara nga Allahu, na jep ne një ndjenjë dhe siguri krejt të veçantë. Kjo është një ide dhe një besim i mbushur plot përgëzim i rrjedhur nga fakti që Zoti ynë që na ka krijuar, nuk na lë vetëm për vetëm me aktet tona, por, me dijen dhe fuqinë e Tij, na ndodhet gjithmonë më afër se vetja jonë! Ç’mund të jetë më e gëzueshme për njeriun se kjo? Me këto ndjenja, ne e hedhim veten në prehrin e mëshirës dhe të gjitha aktet tona ia lëmë krijimit të Zotit. Ja pra, ky nënshtrimi ynë bëhet shkak që dëshira hyjnore, si një dallgë mëshire, të na vërë para e të na hedhë mu në mes të oqeanit të afërsisë dhe konfidencës hyjnore. Me këtë shpresë e me këto dëshira e presim ne dëshirimin e vullnetshëm të Zotit. Zoti mos na dhëntë humbje e dështim në këtë pritje! Amin!

Ashtu siç e thamë edhe në krye të fjalës, udhëzimi dhe devijimi nga rruga e drejtë janë në dorë të Allahut dhe realizimi dhe konkretizimi i tyre varen nga dëshira e vullnetshme e Zotit dhe akti krijues i Tij!

Në Kuran kjo e veçantë është trajtuar me hollësi. Ne do të prekim disa ajete vetëm si shembull.

“Atë që e udhëzon Allahu në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. Dhe atë që e lë Ai në humbje, për të s’mund të gjesh një udhëzues që ta vërë në rrugë të drejtë!”

“Vetëm ai që e ka orientuar Allahu është në rrugë të drejtë!”

“Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush ta shpjerë në humbje. A nuk është Allahu i Plotfuqishëm dhe shpagues?”

Për cilin të dëshirojë Allahu udhëzim, rrezet e dritës së udhëzimit rrjedhin për në zemrën e tij dhe e bëjnë atë të vendosur në rrugën e drejtë. Dhe cilën të dojë ta zvarrisë në mbrapshti, edhe sikur të mblidhen të gjithë predikuesit dhe klerikët për ta shpëtuar, t’i shkojnë në ndihmë, t’ia tregojnë dhe shpjegojnë çdo gjë që duhet treguar e shpjeguar, madje të fitojnë me këtë përpjekje mirësinë e kumtimit të rrugës së drejtë, nuk do të mund të bëjnë asgjë për ta shpëtuar atë nga rruga e humbjes dhe mbrapshtia. Sepse atij i është hequr denjësia për t’u udhëzuar dhe vënë në rrugë të drejtë. Tashmë, çfarëdo që të bëhet për të, s’ka asnjë dobi. Pamja e përgjithshme e ditëve tona pandeh se mjafton për ta treguar këtë, madje tepron!

Ndërkaq këtu, kjo specifikë s’duhet mbajtur larg nga vështrimi. Udhëzimin dhe devijimin e krijon Allahu, por qoftë edhe konvencionalisht, i krijon sipas dëshirës dhe kërkesës së vullnetit të pranishëm. Njeriu dëshiron dhe kërkon me insistim, kurse Allahu (xh.xh.) që është udhëzues e shmangës nga e drejta, krijon udhëzimin dhe devijimin. Për rrjedhojë, njeriu është vetë devijuesi i vetvetes! Për këtë arsye në çdo namaz ne, duke kënduar Fatihan, i lutemi Zotit të mos na zvarrisë në rrugën e atyre që kanë tërhequr mbi vete ndëshkimin e Zotit dhe të atyre që janë shmangur nga udha e drejtë! Në një hadith të tijin, Profeti paqja qoftë mbi të! thotë se ata mbi të cilët ka rënë ndëshkimi i Allahut, janë çifutët, kurse ata që janë shmangur nga udha e drejtë, janë të krishterët. Pasi e sollëm temën në këtë pikë, duhet të qëndrojmë mbi nivelet e udhëzimit në mënyrë që të mos lihet hapësirë për keqkuptime!

Shënimet

  1. 55.Muslim, Kader, 7.
  2. 56.Bakara, 216.
  3. 57.Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 188-202.
  4. 58.Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 151-166.
  5. 59.Ibni Kethir, po aty, III, 135-145.
  6. 60.Kasas, 1-35.
  7. 61.Infitar, 11-12.
  8. 62.Isra, 13.
  9. 63.Enbija, 105.
  10. 64.Ra’d, 11.
  11. 65.Rum, 30.
  12. 66.Nur, 55.
  13. 67.Jasin, 12.
  14. 68.En’am, 38.
  15. 69.Buhari, Bed’ul-Hak, 1; Tirmidhi, Tefsiri Sure (5) 3.
  16. 70.Kehf, 23-24.
  17. 71.Buhari, Nikah, 119; Xhihad, 23; Musned, II, 229, 275, 506.
  18. 72.Insan, 30.
  19. 73.Bakara, 253.
  20. 74.Ebu Davud, Edeb, 106.
  21. 75.Junus, 99.
  22. 76.En’am, 35.
  23. 77.Maide, 48.
  24. 78.Al-i Imran, 140.
  25. 79.Nisa, 133.
  26. 80.Maide, 54.
  27. 81.Buhari, Bed’u-l’Hak, 6; Muslim, Birr, 157.
  28. 82.Al-i Imran, 26.
  29. 83.Hud, 107; Buruxh, 16.
  30. 84.Isra, 54.
  31. 85.Kaf, 16.
  32. 86.Bakara, 284.
  33. 87.Araf, 188.
  34. 88.Muslim, Sifatu’l-Munafikin, 76.
  35. 89.Hud, 32.
  36. 90.Hud, 33-34.
  37. 91.En’am, 80.
  38. 92.Saffat, 102.
  39. 93.Po aty.
  40. 94.Kehf, 67.
  41. 95.Kehf, 69.
  42. 96.Jusuf, 99.
  43. 97.Musned, V/72.
  44. 98.Musned, I/214.
  45. 99.Tirmidhi, Kader, 7.
  46. 100.Muslim, Kader, 17.
  47. 101.Ibni Maxhe, Mukaddime, 13.
  48. 102.Al-i Imran, 8.
  49. 103.Araf, 54.
  50. 104.Zumer, 7.
  51. 105.Kasas, 77.
  52. 106.En’am, 141.
  53. 107.Araf, 55.
  54. 108.Nisa, 36.
  55. 109.Isra, 16.
  56. 110.Araf, 28.
  57. 111.Ra’d, 11.
  58. 112.* Në origjinal: Hidajet dhe Dalalet
  59. 113.En’am, 125.
  60. 114.Mudeththir, 48-51.
  61. 115.Bakara, 214.
  62. 116.Saffat, 96.
  63. 117.Kenzu’l-Ummal, I, 263.
  64. 118.Buhari, Tehexhxhud, 25; Ibni Maxhe, Ikame, 188.
  65. 119.Jusuf, 12/24.
  66. 120.Buhari, Iman, 39.
  67. 121.Buhari, Kader, 12.
  68. 122.Kehf, 17.
  69. 123.Isra, 97.
  70. 124.Zumer, 37.
  71. 125.Fatiha, 7.
  72. 126.Musned, IV, 378.