Kaderi0%

MARRËDHËNIA KADER-VULLNET DHE UDHËZIMI

Në formën që kemi mundur ta përcaktojmë ne, shohim dy nivele ose lloje të udhëzimit. I pari: Udhëzimi i detyruar që vepron brenda kushteve të ligjshmërisë së krijimit. I dyti: Udhëzimi ku merret parasysh vullneti i njeriut.

1. Udhëzimi që vepron brenda ligjshmërisë së krijimit

Çdo qenie, duke shkuar drejt synimit dhe qëllimit përfundimtar të vlerësuar për të sipas ligjeve të krijimit, ndjek një drejtim të përcaktuar. Ndërkaq, është më e përshtatshme që kësaj t’i thuhet shtytje hyjnore.

Krijimi i parë i njeriut, zhvillimi embrional i fetusit në barkun e nënës duke kaluar nëpër faza të caktuara të këtij zhvillimi embriologjik, përparon pikërisht me anë të një shtytjeje të tillë.

Një shtytje e tillë që vepron edhe për të gjitha qeniet e gjalla në drejtim të interesit ose të zhvillimit të tyre përparues, është sot një temë e njohur nga të gjithë. Le të vazhdojë mendësia natyraliste dhe materialiste t’i thotë kësaj shtytjeje “instinkt” ose “shtytje e natyrshme”; bota e ndërgjegjes është e një mendimi se kjo është një “shtytje hyjnore”. Fundja, mes argumenteve të teuhidit, edhe “argumenti i udhëzimit”, si një temë më vete, i lidh shtytjet dhe udhëzimet që kanë një ecuri të tillë, drejtpërdrejt me ekzistencën dhe unitetin e Zotit.

Nga grimcat te trupat qiellorë, pra nga elektronet që vërtiten rreth bërthamës së atomit e gjer te yjet dhe planetët që vërtiten në qiell, gjer te galaktikat dhe të gjithë trupat qiellorë, çdo gjë falë kësaj shtytjeje përpiqet ta çojë në vend detyrën që i takon. Çdo gjë nuk shmanget as sa grimca nga drejtimi i përvijuar për të dhe vrapon me nxitim drejt synimit që i ka përcaktuar Zoti.

Pula ulet mbi vezët dhe gjatë gjithë periudhës së klloçitjes, pret me durim. Rri e urët, mbetet pa ujë, vetë digjet në nxehtësi, por detyrën nuk e braktis. A di gjë vallë klloçka, për zogjtë që do të dalin? Kjo pulë që më vonë do t’i çukisë zogjtë në kokë për t’ua rrëmbyer thërrimen, pse pranon t’i nënshtrohet këtij mundimi për ta? Për ne, përgjigjja është e qartë: Ashtu e shtyn Zoti atë të veprojë!

Po për zogun ç’duhet thënë? Ky zog që, pasi t’i mbushen ditët, e thyen lëvozhgën e vezës me sqepin e tij të butë dhe del jashtë, ku e di se jashtë vezës ndodhet një jetë më e mirë e më e gjerë që ndjen nevojën për të shpenzuar një zell të madh për të dalë që atje?

Fëmija që sapo vjen në këtë botë, merr vrull menjëherë për ta kapur sisën e nënës dhe fillon ta thithë. Së pari, kush formon grumbullim qumështi në sisën e nënës në një kohë afër lindjes së fëmijës? Së dyti, kush i tregon fëmijës se atje ka qumësht dhe se si ta thithë atë? Përgjigjja e vetme që mund t’u jepet këtyre dhe pyetjeve të tjera të ngjashme me këto, është kështu: Të gjitha këto veprime ndodhin me anë të një shtytjeje hyjnore!

Kurani, vende-vende, na e kujton këtë shtytje hyjnore. Ja disa raste prej tyre:

a) “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto fole në male, në pemë dhe në kosheret e përgatitura! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!”

Ja, me një udhëzim, mësim dhe praktikim të tillë e ka mësuar bleta bërjen e mjaltit.

Allahu e frymëzon bletën të strehohet në male, në zgavrat e drurëve dhe në kosheret e përgatitura enkas për të dhe të bëjë mjaltë. Po me anë të të njëjtit frymëzim, bleta mëson të bëjë hoje. Gjeometria e përdorur nga ajo në ndërtimin e hojeve nuk është aspak e përmasave dhe vlerave që mund të dihen nga bleta. Kjo do të thotë se edhe gjeometria e përdorur në ndërtimin e hojeve i mësohet bletës me anë të frymëzimit. Pastaj, me një mënyrë fluturimi të posaçme për të, bleta fluturon nga lulja në lule dhe merr prej tyre polenin. Në këtë mes, bleta përdor një metodë të caktuar për të mos e humbur rrugën në vajtje-ardhjet e saj. Ajo lë për vete gjurmë gjithashtu të posaçme nga kalon dhe kthimin e bën nëpër ato gjurmë. Më në fund, polenin e mbledhur nga lulet e çon në koshere dhe e lë në hojet.

Edhe në koshere shohim një administrim të mrekullueshëm. Po, edhe këtu vërehet një shtytje hyjnore e hapur. Mekanizmi i fuqishëm i një shteti të fuqishëm që e ka ngritur sistemin e vet, nuk mund të punojë më mirë e më me rregull sesa një koshere blete!

Aty është mbretëresha ose matka që sundon. Janë edhe shumë pak meshkuj, detyra e të cilëve është vetëm të fekondojnë. Kurse bletët e tjera janë ata që punojnë pa ditur ç’është lodhja dhe pushimi. Janë bletët punëtore që e kryejnë pa të metë detyrën që u takon brenda një sistemi të caktuar!

Kur vjen stina për të lënë vezët, matka lë vezë në hyrje të çdo hojeje. Ndërkaq, natyrisht, meshkujt e pakët që ndodhen në koshere, e kanë kryer detyrën e tyre. Pas kësaj, atyre s’u mbetet më punë për të bërë, prandaj vetëm hanë mjaltë si parazitë në koshere. Matka i mbyt ata duke lënë vetëm disa individë që do të duhen për fekondim vitin e ardhshëm.

Jo vetëm bletët meshkuj nuk lejohen të rrojnë si parazitë, por as ndonjë bletë e huaj nuk lejohet të hyjë në koshere e të vendoset aty. Krahas këtij serioziteti të jashtëzakonshëm administrativ, shohim të njëjtin seriozitet edhe për pastërtinë. Po qe se bleta që kthehet në koshere pasi ka mbledhur polen, e ka trupin të papastër, për shembull, një pjesë e trupit i është ndotur me baltë, nuk pranohet të futet në koshere në atë gjendje. Ose, po qe se një bletë për shkaqe organike, kundërshton ligjet dhe rregullat që sundojnë në koshere dhe krijon anarki, përjashtohet menjëherë nga ajo.

Kush është vallë, ai që ia mëson bletës me atë kokë fare të vockël tërë këto? Kush e mëson që mjalti i bërë nga bletët që kanë jetuar këtu e pesëdhjetë milion vjet më parë, të mos ketë asnjë ndryshim cilësie nga bletët që jetojnë sot? Bleta nuk ka evoluar! Qysh nga çasti kur është krijuar, ajo është krijuar si mjeshtrja e vetme e mjaltit dhe e tillë vazhdon të ekzistojë. Zëreni nga kuptimi dhe urtësia e ndërtimit të hojeve në formë gjashtëkëndëshe, jo tre, katër ose pesëkëndëshe, gjer te cilësia e bërjes së mjaltit, në çdo etapë të bërjes së mjaltit që na vihet para si një ushqim i mrekullueshëm dhe, në të njëjtën kohë, si burim shërimi, ne na duket sikur po ndjejmë flladet e një frymëzimi! Ne na duket sikur i ndjejmë, kurse gjithsesi bleta i ndjen vërtetë dhe ato që bën, i bën me anë të një shtytjeje për të cilën ajo është e pavetëdijshme. Sigurisht, ne e kemi të pamundur ta shpjegojmë veprimtarinë e bletës pa ia dedikuar atë shtytjes hyjnore!

Shkurt, Allahu ia ka mësuar bletës artin e prodhimit të mjaltit. Gjithashtu Allahu ua ka mësuar dhe praktikuar matkës, bletëve punëtore, bletëve meshkuj e të tjerave detyrat e tyre të veçanta. Është Allahu që e ka bërë matkën sunduese në koshere, kurse të tjerat të bindura gjer në fund ndaj saj.

b) Edhe milingona është e merituara e frymëzimit hyjnor. Këtë na e tregon ajeti si më poshtë:

“Më në fund, kur arritën në një luginë ku kishte milingona, njëra prej tyre u tha të tjerave: “O milingona, hyni nëpër fole që të mos ju shtypin pa dashje Sulejmani dhe ushtarët e tij!”

Si i tha milingona këto fjalë? Sigurisht, milingonat kanë gjuhën e tyre të posaçme dhe mënyrën sesi komunikojnë me njëra-tjetrën. Tani për tani, zoologët mërmërisin këto gjëra:

Janë dy fole milingonash në dy anët e një hendeku të vogël. Merret një milingonë nga njëra fole dhe lihet në një tjetër fole në anën tjetër të hendekut. Pas një heshtjeje shumë të shkurtër, milingonat që e kanë humbur shoqen, vënë një kërthinjë shumë të hollë mes dy brigjeve të hendekut dhe, duke kaluar nëpër të, marrin hov për në folenë tjetër ku ndodhet shoqja. Tani, kush i njoftoi milingonat për shoqen e humbur dhe se ajo ndodhej në folenë në anën tjetër? Specialistët e kësaj fushe e shpjegojnë çështjen kështu:

Milingona e lënë në folenë tjetër, duke lëshuar sinjale në formën e valëve elektromagnetike, u ka dërguar shoqeve një mesazh të fshehtë me koordinata të njohura vetëm prej tyre, ku u ka njoftuar se ç’ka ndodhur me të dhe se ku ndodhet. Pastaj, pas këtij komunikimi mjaft të fshehtë, shoqet janë bërë bashkë për ta shpëtuar shoqen e humbur!

Kjo do të thotë se edhe milingona flet. Gjuhën që ua ka mësuar milingonave, Zoti ia pati mësuar edhe profetit Sulejman (a.s) si një bujari dhe favor të posaçëm për të. Prandaj, siç tregohet në ajetin kuranor, Sulejmani (a.s) ka buzëqeshur kur ka dëgjuar paralajmërimin e milingonës për shoqet e saj dhe i është drejtuar Zotit duke e falënderuar për mirësitë që i kishte dhënë.

Milingonat administrohen me anë të një sistemi si ai republikan. Të gjitha milingonat punojnë dhe marrin detyra aktive për të krijuar grumbull ushqimesh në fole. Nuk ka asnjë milingonë dembele. Po qe se një milingone i vjen e rëndë ngarkesa që po bart, i thërret menjëherë shoqet dhe të gjitha së bashku e bartin gjer në fole. Ato punojnë pa pushim gjatë gjithë verës. Më në fund, pasi stoku i vënë bëhet i tillë që t’u mjaftojë të gjithave dhe secilës, tërhiqen në fole dhe i mbyllin dyert.

Mirëpo, disa herë, sipas tyre punët nuk shkojnë sipas parashikimeve. Në grurin apo elbin e grumbulluar në dheun me lagështirë shfaqet mbirje. Gjëja që duhet bërë në këto kushte, është të nxirret gruri apo elbi jashtë në diell për t’u tharë. Këtë bëjnë edhe milingonat. Pastaj, grurin apo elbin e tharë e fusin përsëri brenda. Por mbirja mund të fillojë përsëri. Këtë herë, milingonat e ndajnë kokrrën e mbirë përgjysmë dhe i veçojnë gjysmat nga njëra-tjetra. Po qe se edhe te ndonjëra nga gjysmat shfaqet mbirje, edhe atë e ndajnë në dy gjysma të tjera, duke i mbajtur kokrrat në gjendje të përdorshme si ushqim për vete. Kokrra e mbirë nuk vlen për ushqim.

Kush ia ka mësuar milingonës tërë këto? Kush ia ka praktikuar vallë, tërë këto veprime të komplikuara një qenieje me trup aq të vogël?

Si çdo herë tjetër, përgjigjja jonë është po ajo: është Allahu që ia ka frymëzuar dhe që ia frymëzon milingonës tërë ecurinë e jetës. Me këtë frymëzim shtyhen, vihen në lëvizje dhe veprojnë ato!

Në një hadith të përcjellë nga ibn Hurejre (r.a.), Profeti paqja qoftë mbi të! na tregon një ngjarje të tillë:

“Një profet që po kalonte përmes një lugine, ulet nën një hije për të kaluar vapën. Në vendin ku ishte ulur, ndodhej një fole milingonash. Njëra nga ato e kafshoi profetin. Meqë nuk e dinte se cila milingonë e kishte kafshuar, profeti i vuri zjarrin folesë. Atëherë, nga Zoti i erdhi një qortim i tillë: “Po djeg një bashkësi që e madhëron Allahun pa pushim vetëm pse të kafshoi një milingonë?”

Shihet se edhe milingonat janë një bashkësi, një popullatë që edhe ata e madhërojnë Zotin me një gjuhë të panjohur për ne!

Edhe në një hadith të përcjellë nga Hakimi në veprën e tij “Mustedrek”, Profeti ynë paqja qoftë mbi të! thotë kështu:

“(Profeti) Sulejmani kishte dalë për lutjen e shiut. I kishte marrë me vete të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, gra e fëmijë. Ndërkaq, edhe secili nga banorët kishte marrë me vete kafshët e punës dhe bagëtitë. Atje të gjithë do të bënin lutje. Secili, njeri apo kafshë, për të tërhequr mëshirën e Zotit, do t’i përgjërohej Atij me gjuhën e vet. Ndërsa Sulejmani me turmën që e shoqëronte, shkonin në rrugë, vëmendjen ia tërhoqi një pamje e pazakonshme: një milingonë disi e madhe ishte shtrirë mbi shpinë dhe duke i përdorur antenat si duar, i kishte ngritur ato lart drejt qiellit dhe i lëvizte sikur diç donte të thoshte. Sulejmani e përqendroi tërë vëmendjen dhe dëgjoi se milingona po lutej kështu: “Allahu im, unë jam një ndër krijesat e tua. Unë nuk mund të bëj pa ushqyerjen tënde. Po të na dërgosh shi, ushqehemi. Ç’mund të them tjetër! Prandaj, ose na dërgon shi duke na dhënë mundësi të jetojmë, ose, me këtë thatësirë dhe zi, do të ngordhim të gjitha!” Pasi dëgjoi këtë përgjërim të milingonës, Sulejmani u tha njerëzve përreth: “Kthehuni pas! Allahu do të dërgojë shi për shkak të një lutjeje tjetër nga lutja juaj!”

Milingona i bënte këto veprime me anë të shtytjes hyjnore, me anë të frymëzimit dhe udhëzimit të Zotit!

c) Kurani shprehet si më poshtë duke pohuar se të gjitha llojet e kafshëve janë bashkësi më vete dhe tërheq vëmendjen mbi këtë aspekt të kaderit:

“Të gjitha kafshët që ecin mbi Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me krahët e veta, janë në bashkësi të ngjashme me ju. Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.”

Edhe në një hadith të rrëfyer prej Ebu Davudit, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! thotë: “Po qe se qentë nuk do të ishin një bashkësi, do të jepja urdhër të mbyteshin!” Po, edhe ata përbëjnë një bashkësi më vete.

Shkencëtarët i kishte kapur shqetësimi se mos një lloj lejleku po shfarosej. Ky buronte nga fakti se çdo qenie ka një vend të caktuar në ekuilibrin ekologjik. Shfarosja e llojit në fjalë do të thoshte hapje e një të çare në ekuilibrin ekologjik. Mirë, po kush ia kishte mësuar çdo qenieje të zinte një vend të caktuar në këtë ekuilibër? Ja, këtë çështje ne e shohim si udhëzim të detyruar (të përcaktuar ose të parapërcaktuar) ose si udhëzim që zhvillohet mes kushteve të ligjshmërisë së krijimit dhe nga ky këndvështrim i trajtojmë të gjitha llojet e shtytjeve të përgjithshme ose shtytjeve të brendshme.

2. UDHËZIM KU MERRET PARASYSH VULLNETI I NJERIUT

Duke dërguar pretekste të ndryshme, Allahu (xh.xh.) i udhëzon njerëzit e i fut në rrugë të drejtë. Si profetët që bëhen shkak për udhëzimin e njerëzve, ashtu dhe librat hyjnorë të dërguar bëhen shkak për udhëzimin e njerëzve dhe hyrjen e tyre në rrugë të drejtë. Edhe veprimtaritë kumtuese dhe udhëzuese të njerëzve mund të pranohen në këtë kuptim si shkaqe dhe mjete për udhëzimin e njerëzve dhe hyrjen e tyre në rrugë të drejtë.

Ndërkaq, këtu është një pikë që s’duhet harruar: Zoti dërgon shkaqe të tilla të ndryshme, por askënd nuk detyron t’i pranojë ato dhe mjetet në fjalë. Në këto kushte ndodh që edhe një njeri që jeton në shtëpinë e profetit madje, të mos udhëzohet, të mos e gjejë dot rrugën e drejtë. Ose ndodh e kundërta: një besimtar të rritet në pallatin e faraonit! Natyrisht që në këtë lloj udhëzimi hyn në veprim gjithmonë vullneti i njeriut. Allahu (xh.xh.) i krijon të gjitha shkaqet që çojnë në udhëzim, por udhëzimin e vë në vartësi të vullnetit të njeriut. Vullneti i njeriut, kjo qenie relative me përbërje dhe cilësi të panjohur, edhe këtu është një kusht elementar.

Ky lloj udhëzimi trajtohet në shumë ajete të Kuranit. Ne këtu do të përmendim dy prej tyre.

a) “Ne i patëm treguar fisit Themud rrugën e drejtë, por ata parapëlqyen verbërinë në vend të saj. Atëherë ata i goditi rrufeja e një ndëshkimi poshtërues si pasojë e veprave të tyre!”

Kjo do të thotë se, në fakt, popullit Themud i pati shkuar shkaku orientues. Ky shkak ishte profeti Salih (a.s.). Por, me vullnetin dhe zgjedhjen e tyre të lirë, ata zgjodhën verbërinë dhe ranë në greminë.

b) Allahu (xh.xh.) ka dërguar shumë e shumë profetë që të bëhen shkaqe për udhëzim në mënyrë që ata që shmangen me vullnetin e vet, të mos paraqesin asnjë justifikim:

“… dhe dërguam profetë përgëzues e frikësues që njerëzit të mos kenë ndonjë argument para Allahut pas ardhjes së të dërguarve. Vërtet Allahu është Aziz (i Plotfuqishëm) dhe Hakim (i Urtë)!”

Njerëzit nuk janë në gjendje të paraqesin asnjë përligjje për devijimet dhe mëkatet e tyre, sepse profetët e ardhur njëri pas tjetrit ua kanë treguar atyre të vërtetat në tërë lakuriqësinë e tyre. Ata ua kanë treguar njerëzve një për një pasojat e rënda të të këqijave dhe se në ç’maja mund ta ngrenë njeriun të mirat.

“Ne të dërguam ty me të Vërtetën, për të sjellë lajme të mira dhe për të paralajmëruar; nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.”

Po, nuk ka asnjë popull apo bashkësi shoqërore mes të cilëve të mos ketë dalë një profet. Nisur nga kjo, çdo bashkësie i ka ardhur patjetër një profet i cili, si përgëzues e paralajmërues, u ka kumtuar atyre të vërtetat dhe pas kësaj, Allahu (xh.xh.) ka krijuar udhëzimin për ata që i kanë ndjekur profetët me vullnetin e tyre të lirë. Kurse ata që kanë parapëlqyer mbrapshtinë dhe mëkatin, pra, rrugën e shtrembër, kanë mbetur në atë rrugë, gjë që do të thotë se Zoti ka dëshiruar për ta devijimin. “Ne nuk ndëshkojmë askënd pa i dërguar profet!”

Allahu dërgoi profetë për t’ia prerë zërin çdokujt dhe për të mos lënë asnjë hapësirë për kundërshtim. Edhe profetët, si pishtarë të së vërtetës, u bënë udhërrëfyes mes popujve të tyre. Kurse neve na ra si pjesë jo një pishtar, por dielli i udhëzimit dhe i rrugës së drejtë, sepse ai që na erdhi neve, qe Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të!, Mbreti i Profetëve!

As për ne nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë justifikim çfarëdo, sepse jo vetëm që dëgjuam e ndjemë zërin dhe frymëmarrjen e Profetit tonë, por atë ditë e sot, shprehjet magjepsëse të Kuranit vazhdojnë çdo çast të na e ledhatojnë botën tonë të brendshme!

Krahas kësaj, në mënyrë të posaçme, në krye të çdo shekulli, Zoti dërgoi nga bujaria e tij e lartë nga një muxhedid (novator) të veçantë, na i pastroi zemrat nga tymrat dhe pluhurat që na e patën mbështjellë botën tonë të brendshme. Me ndërmjetësinë e tyre, njeriu i çdo shekulli i solli përsëpari jetës besimore e fetare një gjallëri të re. Por ndërsa ndodhnin të gjitha këto, vullneti i njeriut nuk u la pas dore. E thënë ndryshe, duke krijuar shkaqet dhe mjetet që çonin në udhëzim, krijimin e udhëzimit e vuri në vartësi të dëshirës volitive të njeriut. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një udhëzim të determinuar ose të paradeterminuar.

Kurse disa herë Allahu (xh.xh.), duke marrë parasysh denjësinë e njeriut, i krijon udhëzimin dhe devijimin drejtpërdrejt.

Allahu dërgon Profetin e vet. Profeti ia kumton fenë Hz. Ebu Bekrit (r.a.). Edhe ai, pa ngurruar aspak, e pranon mesazhin e kumtuar atij dhe, para të vërtetës, dorëzohet menjëherë sikur të ishte shkrirë! Me anë të udhëzimit, zemra i mbushet me dritë dhe ndërkaq ngjitet në majën e besnikërisë!

Allahu (xh.xh.) e dërgon prapë Profetin e vet dhe para tij këtë radhë del dikush si Ebu Xhehli. Duke e ditur me dijen e Tij të përjetshme se Ebu Xhehli nuk do të jetë i denjë për udhëzim, Allahu (xh.xh.) krijon për të devijimin. Edhe Ebu Xhehli vetë e vërteton me aktet, pra, me sjelljet dhe veprimet e veta, këtë përfundim dhe vendim të dhënë për të nga Zoti! Çdo ditë që shkon, ai e shton edhe ca mohimin dhe herezinë e vet. Ai ecën teposhtë. Më në fund, e mbyll jetën në luftën e Bedrit duke luftuar kundër Profetit, ku rrokulliset përjetësisht në gropë!

c) Në ajetin në vijim, Kurani i ka përmbledhur të dy llojet e udhëzimit duke tërhequr vëmendjen për to:

“Allahu bën thirrje për shpëtim dhe udhëzon kë të dëshirojë në rrugën e drejtë!”

Duke përdorur shkaqe të ndryshme, Zoti i fton njerëzit në udhëzim, në rrugën e drejtë. Por kur vjen puna për hyrjen në rrugë të drejtë, e kushtëzon këtë me dëshirën e vullnetshme të vet: kë të dojë, e vë në rrugë të drejtë, kë të dojë, e lë në rrugë të shtrembër!

Ndërkaq, një aspekt i vogël i çështjes i përket njeriut. Po qe se njeriu i përgjigjet pozitivisht ftesës së Allahut dhe përpiqet të përfitojë nga shkaqet e udhëzimit, Allahu shfaqet me dëshirën volitive të Tij dhe e fut atë në rrugë të drejtë.

Kurani është burim udhëzimi. Nga ai mund të përfitojnë vetëm ata që dëshiron Allahu dhe Kurani bëhet shkak udhëzimi dhe rruge të drejtë vetëm për ta. Në Kuran për të thuhet se “është burim udhëzimi për të devotshmit”. Nga mënyra e të shprehurit të ajetit kuptojmë se njeriu në fillim do të përpiqet të bëhet i bindur dhe do të tregojë se është i denjë për të përfituar nga Kurani. Ky është aspekti që i përket njeriut. Kurse aspekti që i përket dëshirës së vullnetshme të Zotit, tregohet disa ajete më poshtë ku thuhet kështu:

“Ja pra, ata janë në rrugë të drejtë prej Zotit të tyre!”

Janë ata që i kanë besuar së fshehtës, që kanë falur namaz, që kanë mbajtur agjërim, që kanë dhënë zekat, që i kanë besuar librit të dërguar atyre dhe librave të dërguara paraardhësve të tyre si dhe e kanë besuar ringjalljen dhe jetën tjetër. Ky qëndrim i ka nxjerrë ata në nivelin e të qenit të bindur dhe Allahu (xh.xh.) ka dëshiruar për ta udhëzim dhe ka krijuar për ta udhëzim.

d) Duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të!, Allahu (xh.xh) thotë: “Ja, edhe ty të dërguam Xhebrailin me urdhrin tonë. Ti nuk e dije ç’ishte libri, ç’ishte besimi. Por Ne e bëmë atë dritë me të cilën i vëmë në rrugë të drejtë ata nga robtë tanë që dëshirojmë. Pa dyshim, edhe ti po u tregon njerëzve rrugën e Allahut, Zotit të qiejve dhe tokës, rrugën e drejtë. Dijeni mirë se, në fund, punët kthehen te Allahu!”

Ja, siç tregohet edhe në këtë ajet, në udhëzim dallojmë dy shkallë. Në shkallën e parë ka vetëm shkak dhe ndërmjetësim, të cilat Kurani disa herë i cilëson si vënie në rrugë të drejtë. Në fakt, ky lloj udhëzimi nuk shkon përtej ndërmjetësimit. Kurse shkalla e dytë e udhëzimit është krijimi nga Zoti i udhëzimit në zemrën e njeriut. Këtë krijim Zoti e bën si me anë të shkaqeve, ashtu dhe drejtpërdrejt. Ndërkaq, ky lloj udhëzimi nga Zoti, drejtpërdrejt, është thjesht një favor i Tij. Të mëdhenjtë tanë i kanë thënë kësaj “favor i detyruar”. Lutja jonë për Zotin tonë është të na vërë në rrugë të drejtë me një favor të tillë të detyruar!

Edhe udhëzim, edhe devijimi marrin formë drejtpërdrejt me anë të aktit krijues të Zotit. Ky hadith profetik që e shpreh këtë ide, e ndriçon plotësisht këtë të vërtetë:

“Unë u dërgova si kumtues dhe ftues. Unë s’kam asnjë kompetencë apo ndërhyrje në çështjen e udhëzimit të njerëzve në rrugë të drejtë. Edhe djalli është dërguar për t’jua treguar të shtrembrën të stolisur dhe për t’ju nxitur në teprim. As ai s’ka kompetencë dhe gjë për të thënë në çështjen e devijimit!”

Me vullnetin e tij njeriu kërkon. Pastaj Zoti e krijon atë që ka kërkuar njeriu. Ndërkaq, njeriu, ndërsa ka pak fuqi për të bërë mirë, ka një fuqi të dukshme për të bërë mëkat dhe të keqe, sepse të këqijat dhe mëkatet janë të llojit shkatërrues. Ashtu siç mund të djegë një shtëpi me një fije shkrepëse, njeriu mund të bëjë mëkat dhe të keqe me një vullnet të vogël. Ndërkaq, të gjitha mbarësitë dhe mirësitë që i vijnë atij, janë prej Zotit. Ajo që i takon të bëjë njeriut është të tregojë vendosmëri në portën e mbarësive dhe të mirësive. Për sa kohë që synimi dhe vendosmëria e njeriut të jenë mirësia e mbarësia, Allahu (xh.xh.) do t’ia mundësojë atij mbarësinë dhe mirësinë dhe do t’ia lehtësojë të gjitha rrugët e mbarësisë dhe të mirësisë. Po qe se udhëzimi shihet nga ky këndvështrim, është i nevojshëm për çdokënd dhe në çdo vend e kohë!

Shënimet

  1. 127.Në origjinal: xhebrí, të determinuar.
  2. 128.Në origjinal: sevki ilahí.
  3. 129.Nahl, 68-69.
  4. 130.Neml, 18.
  5. 131.Buhari, Xhihad, 153.
  6. 132.Mustedrek, I/325.
  7. 133.En’am, 38.
  8. 134.Darimi, Sajd, 3.
  9. 135.Fussilet, 17.
  10. 136.Nisa, 165.
  11. 137.Fatir, 24.
  12. 138.Isra, 15.
  13. 139.Ebu Davud, Melahim, 1.
  14. 140.Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 350.
  15. 141.Junus, 25.
  16. 142.Bakara, 2.
  17. 143.Bakara, 2.
  18. 144.Shura, 52-53.
  19. 145.Kenzu’l-Ummal, I, 546.