ÇËSHTJE TË NDRYSHME NË LIDHJE ME RAMAZANIN DHE AGJËRIMIN
A. Agjërimi gjatë tre muajve
Pyetje: A i ka kaluar Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) vazhdimisht duke agjëruar muajt e Rexhepit dhe të Shabanit? A biem ne ndesh me sjelljen e Tij, nëse agjërojmë vazhdimisht gjatë këtyre muajve?
Përgjigje: Nëna jonë e nderuar, Aishja (radijallahu anha), tregon se përveç muajit të Ramazanit, Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) nuk ka kaluar me agjërim të pandërprerë e të plotë asnjë muaj tjetër. Muaji i Ramazanit e ka edhe një veçanti të këtillë krahasuar me muajt e tjerë. Profeti ynë u ka mësuar njerëzve një mënyrë jetese që është e përshtatshme me natyrën e tyre dhe po ashtu ka jetuar edhe vetë. Ai nuk ka bërë asnjë sjellje që të bjerë ndesh me natyrën njerëzore, si me agjërimin që ka mbajtur, ashtu edhe me namazet që ka falur apo adhurimet e tjera. Asnjë natyrë njerëzore, që nuk është e prishur, mund të gjejë qoftë edhe diçka të vetme për t’u refuzuar në adhurimet që ka kryer Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të). Po ende, ka qenë nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha), e cila ka transmetuar:
“Profeti ynë (pqmT), ndonjëherë agjëronte aq shumë, sa që ne thoshim: ‘kësaj here nuk do të ndalojë fare.’ Dhe ndonjëherë pushonte për një kohë shumë të gjatë së agjëruari, sa që ne thoshim: ‘Me gjasë, nuk do të agjërojë më.’ Përveç muajit të Ramazanit, unë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut të agjërojë dnonjë muaj tjetër të plotë. Dhe në asnjë muaj tjetër nuk ka agjëruar aq sa në muajin e Shabanit.”
Kur agjëronte vetë, gjithmonë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) zgjidhte atë që ishte më e vështira për egon. Ndërsa, kur bëhej fjalë për të tjerët, Ai kishte parasysh edhe dobësitë e tyre dhe i këshillonte të silleshin kështu të gjithëata që do të ishin në sy të shoqërisë. Njëherë Ai ka thënë: “Me njerëzit silluni duke pasur parasysh atë që është më i dobëti prej tyre, ecni me këmbët e më të dobtëve mes tyre.” Duke qenë se edhe vetë sillej po në të njëjtën mënyrë, Ai nuk i ka kaluar duke i agjëruar të plotë, as muajin e Rexhepit, as atë të Shabanit. Sepse, po të vepronte kështu, sahabët, të cilët e ndiqnin atë hap pas hapi edhe në lëvizjen më të vogël, do të përpiqeshin të bënin të njëjtën gjë dhe kushedi, shumë syresh nuk do t’ia dilnin dot ta përmbushnin në të njëjtën shkallë dhe me të njëjtën cilësi.
Madje, njëherë, Ai pati bërë nijet të mbante një agjërim të njëpasnjëshëm pa syfyr dhe pa iftar. Disa nga sahabët e mësuan këtë fakt dhe patën dashur që t’i bashkoheshin edhe ata në këtë agjërim. Edhe pse i Dërguari i Allahut (pqmT) i pati këshilluar që të mos e bënin, dëshira e flaktë për ta adhuruar Allahun i pati bërë ata që të mos ia dëgjonin këshillën. Pati kaluar një ditë, dy, tri dhe sahabët ishin prerë nga fuqia duke agjëruar pa pushim për tri ditë me radhë, e ndoshta edhe kishin filluar të ndienin pendesë, që nuk e kishin dëgjuar këshillën e Krenarisë së Njerëzimit. Kur i pa në këtë gjendje, Profeti ynë (pqmT) u tha: “Mua më jep të ha dhe të pi Allahu, nuk e ndiej urinë.” – duke u bërë të ditur se Për rrjedhojë, Profeti ynë arrinte të qëndronte i palëkundur si një mal edhe përballë akteve më të rënda, që do të ishin të vështira për çdo jetë njerëzore.Ky qëndrim i Tij ishte njëkohësisht edhe një pikë mbështetjeje shumë e fuqishme për sahabët, por u tregonte atyre edhe majat se ku mund të arrinin. Në ngjarje si këto ata shikonin vullnetin madhështor të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), por edhe një vullnet dhe vendosmëri marramendës për njerëzit.
Nëse do të kalojmë tek aspekti juridik i çështjes, agjërimi gjatë tre muajve të plotë dhe pa ndërprerje është i papëlqyeshëm (mekruh). Sepse i Dërguari Fisnik (pqmT) nuk e ka bërë këtë gjë. Diçka e tillë nuk haset as në urdhëresat dhe këshillat e Kuranit Fisnik, as në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (pqmT). Pavarësisht, në mesin e njerëzve është ngulitur një zakon i mbajtjes së agjërimit gjatë muajve Rexhep, Shaban dhe Ramazan me radhë. Rezultatin e një agjërimi të mbajtur në këtë mënyrë është e vështirë ta shpjegosh me qëllimin e mbajtjes së agjërimit. Sepse, kur mbahet agjërim i pandërprerë, organizmi i
njeriut mësohet me agjërimit. Dhe për njeriun e mësuar tanimë me agjërimin nuk ka më asnjë ndryshim mes mbajtjes dhe mosmbajtjes së agjërimit. Për të nuk mund të bëhet më fjalë për një veti si ajo e durimit të disa mungesave që do të shërbenin për edukimin e egos. Për këtë arsye njeriu nuk duhet të mësohet me agjërimin duke agjëruar vazhdimisht dhe pa ndërprerje. Ai duhet të përpiqet ta edukojë egon e vet herë duke agjëruar, herë duke pushuar së agjëruari. Zaten i këtillë ishte edhe agjërimi që u këshillonte Profeti ynë sahabëve që kryenin adhurime më së shumti dhe ia kishin kushtuar jetën adhurimit, duke u thënë që një ditë të agjëronin, një ditë jo.
B. Mosmarrëveshja në lidhje me vendin e lindjes së hënës
Pyetje: Për shkak të shfaqjes së hënës në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme në pozicione të ndryshme (ihtilafi metali’), banorët e çdo vendi, do ta përcaktojnë fillimin e Ramazanit dhe bajramin sipas vëzhgimeve të tyre personale? Apo vëzhgimi i hënës në një vend do të vlejë për përcaktimin e tyre edhe në çdo vend tjetër?
Përgjigje: Nisur nga lëvizja e Tokës, dita dhe nata nuk fillojnë në të njëjtën kohë nëpër vende të ndryshme të botës, por shfaq ndryshime nga njëri vend në tjetrin, ndaj edhe hëna nuk shihet në të njëjtën kohë nëpër vende të ndryshme. Sepse hëna, e cila merret për bazë për fillimin e muajve hënorë, shfaqet në horizontin e perëndimit, pikërisht pas perëndimit të diellit. Duke qenë se dielli perëndon në orë të ndryshme nëpër vende të ndryshme, edhe koha e vëzhgimit të hënës ndryshon duke përparuar drejt perëndimit. Prandaj edhe vëzhgimi i hënës nëpër kohë të ndryshme në vende të ndryshme të botës quhet si “mosmarrëveshja në lidhje me vendin e lindjes së hënës”.
Vëzhgimi i saj në një shtet dhe çështja nëse do të konsiderohet
e vlefshme edhe për vendet e tjera, ka qenë dhe është një çështje mosmarrëveshjeje mes dijetarëve. Kjo ‘mosmarrëveshje’ nuk merret për bazë nga shumë prej juristëve Hanefi, Maliki dhe Hanbeli dhe disa juristëve Shafii, si Ebu’t-Tajib et-Taberiu. Nëse hëna vëzhgohet siç duhet në një vend, edhe nëse janë afër, edhe nëse janë larg, myslimanët duhet t’i përshtaten dhe të fillojnë agjërimin ose të festojnë bajramin.
C. Kalendari hënor në adhurime
Pyetje: Cilat janë urtësitë e marrjes për bazë të kalendarit hënor në adhurimet si agjërimi dhe haxhi?
Përgjigje: Si myslimanë, për organizimin e kohëve të adhurimit ne marrim për bazë lëvizjet e hënës. Ne vëzhgojmë hënën, kur nisim agjërimin e Ramazanit, kur festojmë bajramet e Ramazanit dhe të Kurbanit, kur ngjitemi në Arafat, kur jemi në Muzdelife, kur godasim me gurë djallin... me pak fjalë në shumë prej adhurimeve tona. Diçka e këtillë, jo vetëm na është përcaktuar nga vetë Allahu i Madhërishëm, por edhe praktika e të Dërguarit Fisnik të Allahut (paqja qoftë mbi Të), ndaj ndër urtësitë e marrjes për bazë të kalendarit hënor ne mund të rendisim:
Krahasuar me vitin diellor, viti hënor është afërsisht njëmbëdhjetë ditë më i shkurtër. Për këtë arsye, çdo vit, adhurimet tërhiqen njëmbëdhjetë ditë pas në kohë. Kështu Allahu u ka falur njerëzve mundësinë që të mund t’i kryejnë adhurimet në çdo stinë të vitit. Ta zëmë, sikur të merrej për bazë kalendari diellor dhe muaj i agjërimit të ishte caktuar muaji janar, agjërimi do të ishte përherë i thjeshtë, sepse do të mbahej vetëm në ditë të shkurtra dhe do të ishte i pamundur realizimi i qëllimit hyjnor të arritjessë devotshmërisë që arrihet me agjërimin në ditët e gjata dhe të nxehta të verës. Veç kësaj, edhe nga pikëpamja mjekësore, vënia e trupit në perhis vetëm në një periudhë të caktuar të vitit, duke e privuar trupin nga mbajtja perhis edhe në periudhat e tjera të vitit. Kësodore Allahu që është i Gjithëurti Absolut ka dashur që besimtarët të agjërojnë, si në vapë, ashtu edhe në të ftohtë; si në pranverë, ashtu edhe në verë, vjeshtë dhe dimër... me pak fjalë, që ata të agjërojnë në çdo kohë dhe në kushte të ndryshme.
Adhurimet, si agjërimi dhe haxhi, i përftojnë një vlerë shumë të madhe prerjeve të kohës në të cilat kryhen. Sepse Allahu e bën të rrjedhë me shumicë mëshirë e Tij në këto prerje të kohës. Ja pra, në mënyrë që të përfitojnë edhe muajt, stinët dhe klimat diellore nga kjo dritë dhe begati e veçantë e muajve hënorë, Allahu e ka lidhur kohën e adhurimeve me muajt hënorë duke dashur që ata të lëvizin mes muajve diellorë. Duhet një qarkullim i këtillë i ditëve, në mënyrë që çdo ditë e vitit të përkojë me Ramazanin, kurbanin dhe natën e Kadrit.
Vërehet që nga kjo situate përfitojnë edhe njerëzit e varfër. Sepse, një në tridhjetë e gjashtë vjet, ndihmesat materiale, si zekati, sadakaja dhe fitreja jepen me shumicë. Një njeri i varfër do të ketë jetuar plot tridhjetë e gjashtë vjet, por sipas kalendarit hënor ai do të ketë marrë zekat plot tridhjetë e shtatë herë.
Kjo dhe sa e sa urtësi të tjera janë arsye të forta për sa i përket zgjedhjes së kalendarit hënor për organizimin e adhurimeve.
D. Agjërimi në pole
Pyetje: A ka Islami, që është një fe universale, një zgjidhje edhe në lidhje me se si duhet të mbahet agjërimi në vende ku dita me natën shfaqin ndryshime në shfaqjen e tyre, siç është rasti në pole?
Përgjigje: Islami është fe universale. Prandaj, ajo ka medoemos një zgjidhje të vlefshme për çdokënd dhe në çdo vend për sa i përket të jetuarit të fesë. Besimtarët që jetojnë në vende të tilla ku netët dhe ditët ndonjëherë zgjasin me muaj, për të organizuar kohët e tyre të adhurimeve, duhet të ndjekin si rregull kohët e vendit që kanë më afër. Për shembull, nëse jeton në një vend që nata zgjat plot tre muaj, atëherë ata do të marrin për bazë oraret e vendit më të afërt ku është e mundur falja e të pesë kohëve të namazit. Dhe kështu do të përmbushë detyrimin e tij të faljes së namazit.
Mbi këtë çështje është ndalur gjerësisht, që nga Imam Shafiu e deri më sot, por duke qenë se nuk ka pasur raste konkrete, ajo nuk është trajtuar imtësisht në librat e jurisprudencës islame. Por, kur Islami të arrijë gjer në pole dhe të shtohet numri i njerëzve që falin namaz dhe agjërojnë në ato vende, atëherë do të hapen edhe më shumë diskutime në lidhje me këtë çështje.
E. Lidhja e djajve gjatë Ramazanit
Pyetje: Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë: “Kur hyn Ramazani i bekuar, hapen portat e qiejve (sipas një transmetimi, ‘portat e Parajsës’), mbyllen portat e Ferrit dhe djajtë lidhe me zinxhirë.”Mirëpo, ndodhitë, si rënia e yjeve, apo fenomene të tjera që janë tregues të goditjes me gurë të djajve, të cilët lëvizin lirisht, ne i vërejmë edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Si mund ta shpjegojmë këtë situatë?
Përgjigje: Ashtu si njerëzit, edhe djajtë janë të ndarë në disa lloje klasash. Sipas botës së tyre, disa syresh drejtojnë shtete, disa të tjerë janë falltarë. Ata që bëjnë parashikime ngjiten deri në portat e qiellit dhe prej andej përpiqen t’u sjellin falltarëve lajme nga e panjohura. Këta janë djajtë që bombardohen nga meteorët. Kurse djajtë që bëhen fatkeqësi e njerëzve janë më shumë ata djaj inatçorë, të cilët quhen ndryshe si “djajtë inatçorë”. Pikërisht këta të fundit janë djajtë që lidhen gjatë muajit të Ramazanit. Puna kryesore e tyre është që të vënë në lëvizje dëshirat dhe epshet e njerëzve. Njerëzit u thonë njëri-tjetrit, “përse e lidh veten”, kur nuk i kënaqin dot dëshirat e tyre njerëzore, apo kur e japin veten pas tyre. Pikërisht këtë pjesë të djajve Zoti e lidh. Kjo është arsyeja që besimtarët kanë më shumë kontroll mbi vullnetin. Me pak fjalë ata e durojnë dhe e përballojnë çdo lloj vështirësie që mund të lindë gjatë agjërimit, pa njohur të nxehtë apo të ftohtë të motit, uri, etje...
Një çështje tjetër është edhe kjo: çasti që djalli i kanoset njeriut më së shumti është çasti kur njeriu i afrohet Allahut më së shumti. Prandaj edhe ju vijnë në mendje të gjitha planet dhe programet e punëve pikërisht në kohën që filloni të falni namazin. Çështjet më të ndërlikuara i zgjidhni në namaz. Kjo është më se e qartë, që kjo është një bëmë e shejtanit. Ndërsa agjërimi është një adhurim që Allahu e ka cilësuar duke thënë: “Agjërimi është për Mua, shpërblimin për të e jap Unë.” Të përziesh një adhurim kaq të pastër, të kulluar dhe të qashtër, i cili tregon lidhjen e besimtarit me Zotin, kjo është diçka që vetëm djalli mund ta bëjë, madje duke marrë edhe kënaqësi prej kësaj.
F. Ramazani: Një mysafir me naze
Pyetje: Pothuajse në të gjitha shkrimet tregohet se Ramazani vjen si një mysafir me naze. Çfarë do të thotë që Ramazani të jetë me naze?
Përgjigje: Shfaqja me naze është një nga format e prezantimit dhe shprehjes së vetes. Njësoj si qasja gjithë naze e fëmijëve ndaj nënës apo babait, apo e njerëzve me njerëzit që duan në përgjithësi. Nazet kanë një farë kuptimi kur ka dashuri mes atij që i bën nazet dhe atij që i pret. Kështu e shpreh veten ai që i bën ato, e ai që i pret nuk ankohet për to nga dashuria. Madje kjo bëhet shkas për shtimin e dashurisë dhe interesimit ndërmjet tyre. Dhe ja, edhe muaji i Ramazanit, në sytë e besimtarit është si një mysafir me naze. Bën çdo gjë që të ai të mos ikë dhe t’ia fitojë zemrën me çdo kusht.
Ramazani i bekuar është një muaj i faljes, që e afron robin besimtar me Allahun. Ne nuk mund ta dimë me plot kuptimin e fjalës se si është cilësia e tij në ahiret, në botën e shëmbëlltyrave apo në botën e varrit. Por ai ka një gjuhë të vetën, me të cilën shprehet. Edhe besimtarët përpiqen që ta shprehin me gjuhën e tyre se si e vlerësojnë praninë e një muaji si ai. Në jetën e përtejme ai do të dëshmojë në dobi të besimtarëve, madje edhe do të ndërmjetësojë për ta. Parë nga ky këndvështrim, besimtari, sa më shumë që ta kënaqë muajin e Ramazanit - nëse lejohet të shprehemi kështu - aq më i fituar do të dalë. Prandaj, mendimi i Ramazanit si një mysafir që duhet të trajtohet me gjithë të mirat është një mendim i rëndësishëm i vlerësimit të tij.
Në të vërtetë, jo vetëm Ramazanin, por ne duhet t’i konsiderojmë si mysafirë të rëndësishëm të gjitha gjërat që Allahu i ka caktuar si detyrim për ne dhe ne tregojmë respekt për to. Njësoj siç engjëjt ndërrojnë turnin e detyrës në namazin e sabahut dhe të ikindisë, dhe dëshmojnë pranë Allahut - nëse i keni falur namazet - edhe adhurimet dëshmojnë në dobinë ose dëmin tuaj sipas gjuhës së tyre. Nga kjo pikëpamje, çdo besimtar adhurimet duhet t’i pranojë si mysafirë me naze e që kërkojnë të trajtohen mirë dhe të bëjë çdo përpjekje për t’i pritur më së miri, në mënyrë që t’ua fitojë zemrat.
G. Përgatitjet për në Ramazan
Pyetje: Thuhet se për adhurimin e namazit ka një varg përgatitjesh, siç janë abdesi, ezani, kameti etj... A mund ta mendojmë edhe për muajin e Ramazanit diçka të këtillë duke pasur parasysh muajt paraardhës, Rexhepin dhe Shabanin, si dhe netët e mira që janë në ta?
Përgjigje: Ramazani i bekuar është i treti i tre muajve të bekuar. Një mendim i këtillë ekziston paksa edhe prej faktit që ai nuk është caktuar, as i pari, as i dyti, por i fundit. Bashkë me hyrjen në muajin e Rexhepit besimtarët ndiejnë sikur hyjnë në një atmosferë të veçantë shpirtërore. Dhe kjo atmosferë bëhet sa vjen e më e dendur, kur i afrohemi Ramazanit. Sidomos në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ajo arrin pikun dhe atje njeriu thuajse kthehet në një engjëll. Largohet nga çdo kënaqësi trupore dhe u kushtohet vetëm adhurimeve. Për ta arritur këtë majë, duhen vlerësuar më së miri muajt Rexhep dhe Shaban, si edhe ditët dhe netët e mira në këto muaj, në mënyrë që të përfitohet në maksimum nga drita dhe begatia e tyre.
Si përgatitje për muajin e Ramazanit, Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) i ka shtuar, si agjërimet, ashtu edhe adhurimet e tjera, së bashku me hyrjen e muajit të Rexhepit. Sidomos gjatë muajit të Shabanit, Ai e kalonte duke agjëruar pothuajse të gjithë muajin. Kjo sjellje e Profetit tonë është tejet e rëndësishme, nëse do të kemi parasysh dimensionin e mësimit që na jep. Nëse e ka kuptuar vlerën e Ramazanit, atëherë, pa dyshim, besimtari do të bëjë çmos që të jetë sa më i përgatitur për të, duke e përgatitur botën e vetë të zemrës, që ajo të jetë sa më afër atmosferës së Ramazanit. Dhe një Ramazan i pritur kësimënyre, duke u përgatitur materialisht dhe shpirtërisht, pa dyshim që do të vijë i ndryshëm. Ne do ta shohim me sytë tanë dhe do ta ndiejmë vetë në jetën e përtejme se si e kemi vlerësuar ditë-ditë çdo muaj të Ramazanit. Atje do t’i njohim të gjitha, agjërimet e mbajtura, teravitë e falura, lodhjen e teravive, qëndrimin të etur e të uritur... Ato do të na shfaqen përpara syve në botën tjetër, sipas dimensioneve të asaj bote. Ata që përpiqen që t’i vlerësojnë sa më drejt, si Ramazanin, ashtu edhe adhurimet e tjera, jo vetëm që do të jenë të kënaqur në këtë botë me nderimin nga ana e Allahut e veprimeve të tyre, por edhe atje do të jenë më se të kënaqur, kur të shohin nderimin me shpërblimet për ato vepra.
H. Pritja me dëshirë të paduruar të Ramazanit të ardhshëm
Pyetje: Si duhet ta konsiderojmë mendimin mbizotërues në kulturën tonë, që sa përfundon muaji i Ramazanit, njerëzit thonë ‘mbetën edhe njëmbëdhjetë muaj nga Ramazani i ardhshëm’?
Përgjigje: Nisur nga ambienti kulturor ku janë rritur njerëzit, një mendim i këtillë është kthyer në një pjesë të moralit të popullit tonë. Natyrisht, i këtillë duhet të jetë mendimi i çdo besimtari që i ka besuar Allahut me gjithë zemër. Kur ky është karakteri i përgjithshëm i një shoqërie të tërë, atë të këtillë do ta shprehin edhe disa njerëz që edhe mund të mos e besojnë vërtet këtë mendim.
Ikja e Ramazanit mund t’i përngjasojë paksa përcjelljes së të rinjve, kur nisen për në ushtri. Madje pas djalit që ikën ushtar derdhen edhe lot, bëhen lutje, që ai të kthehet sa më shpejt dhe shëndoshë e mirë. Ndihet një trishtim dhe mall i gjithkahshëm, prapëseprapë njeriun e mban në këmbë shpresa që, një ditë, ata do të takohen sërish me të. Dhe ja, edhe Ramazani do të vijë sërish pas pak më pak se njëmbëdhjetë muaj më vonë. Sërish bashkësitë e besimtarëve do të bëhen tok për të falur teravitë, do të mbahet sërish agjërim, të gjithë miqtë, të varfër dhe të pasur do të mblidhen në sofra të gëzuara dhe ngado do të vijnë meloditë e ëmbla të leximit të Kuranit.
Ramazani është një muaj që Allahu e ka caktuar veçanërisht për besimtarët. Në veçanti gjatë këtij muaji Allahu u qaset besimtarëve me mëshirë dhe falje. Shpëton mjaft njerëz nga zjarri i Xhehenemit dhe për shumë të tjerë e bën Xhenetin të domosdoshëm. Në këtë këndvështrim, Ramazani është një muaj që kurrsesi nuk duhet humbur, por duhet trajtuar dhe vlerësuar me ndjeshmërinë më të lartë. Edhe afrimi i besimtarëve me Allahun është i tjetërfartë gjatë këtij muaji. Kjo është edhe arsyeja pse besimtarët ndiejnë trishtim me mbarimin e muajit të Ramazanit dhe besojnë se nuk do të ketë asgjë që do ta mbushë dot boshllëkun që ka lënë ikja e këtij muaji. Sepse asnjë agjërim tjetër nuk e zë dot vendin e agjërimit të mbajtur gjatë Ramazanit. Njeriu fiton shpërblime, nëse çohet gjatë natës dhe fal njëzet rekate namaz, por ky namaz nuk e zë dot vendin e teravive që falen gjatë muajit të Ramazanit. Teravitë kanë një vlerë të veçantë të vetën. Ato janë një amanet që na e ka lënë Profeti ynë i Nderuar (pqmT).
Megjithatë, mendimi i pritjes i shprehur në pyetje është i vlefshëm edhe për të gjitha adhurimet e tjera. Teksa përshkruhen shtatë kategoritë që do të ndiejnë freski edhe në mes të nxehtësisë në ditën e gjykimit, thuhet se në një prej tyre bëjnë pjesë të gjithë “ata që janë të lidhur me zemër me faltoret”. Domethënia e kësaj është kjo: Ai e ka falur namazin dhe ka dalë nga faltorja, por kënaqësia që ka marrë nga namazi e bën atë të ndihet njëfarësoj që kur do t’i mbarojë të gjitha punët dhe të rikthehet sërish aty, për të falur namaze të tjera. I kujtoheet qëndrimi i tij gatitur e me duart lidhur përpara Alahut, përkuljen e tij në ruku dhe rënien në sexhde dhe se si ia zbraz Allahut shpirtin në sexhde, e kjo e bën ta kaplojë emocioni i veçantë, që nuk mund të shprehet veçse me fjalët: ‘Kur do të vijë koha tjetër e namazit, që të vij sërish t’i drejtohem Zotit!’ Kështu mund ta kuptoni edhe më mirë mendimin e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) për një nga veprat e besimtarit, e cila ia fshin mëkatet dhe i ngjit shkallët besimtarit, që është «vënia në pritje për namazin e radhës, pasi ke falur një nga namazet”. Po në këtë kategori mund të përfshini edhe ata besimtarë që kryejnë adhurimin e haxhit dhe prapëseprapë, nuk e harrojnë dot kënaqësinë e marrë nëpër ato vende të bekuara dhe bëjnë çdo përpjekje për t’u rikthyer sërish vitin ardhshëm.
Si përfundim, me mendimet e sipërpërmendura çdo besimtar ndien një farë trishtimi me mbarimin e muajit të Ramazanit, ndien një mall dhe dëshiron që Ramazani të rikthehet edhe njëherë një orë e më parë.
I. Ta ndiesh të gjithë Ramazanin me tërë thellësinë e vet
Pyetje: Si duhet të jesh i pajisur, që ta ndiesh Ramazanin me tërë thellësinë e vet?
Përgjigje: Ta ndiesh Ramazanin me tërë thellësinë e vet është e lidhur paksa edhe me thellësinë e njeriut që përpiqet ta ndiejë atë. Cilido që të jetë niveli në të cilin e ndien Ramazanin, njerëzit nuk duhet të gjykohen së jashtmi se si e jetojnë atë. Edhe pse mund të mos konsiderohet thellë, dikush që agjëron, fal teravitë, i fiton shpërblimet e tyre dhe çlirohet nga përgjegjësia e tyre. Por shpërblimet që do të fitojë do të jetë sipas thellësisë së mendimeve të veta. Nga ana tjetër, dikush që i përmbush këto me vetëdije të plotë, do ta marrë të shumëfishtë shpërblimin e kësaj, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.
Patjetër, çdokush që e mban agjërimin dhe i fal teravitë, në një formë apo në tjetrën, pa diskutim, do ta marrë shpërblimin e tyre. Por, kur ky është një muaj që Allahu u shpërndan dhurata të gjithë njerëzve, pse ai të mos shfrytëzohet në mënyrën më rentabël të mundshme? Pse të gjitha privimet dhe vështirësitë e përballuara gjatë këtij muaji të mos kthehen në kallinj që japin një me njëmijë!
Kryerja në këtë mënyrë, kryesisht e të gjitha adhurimeve, është shenjë dalluese e një myslimani fatlum. Në një farë mënyre ne jemi myslimanët fatkeq të një epoke fatkeqe. Ka një sërë burimesh të ndryshme nga ushqehet njeriu shpirtërisht. Kur ushqehet nga këto burime, besimtari bëhet një njeri që e jeton Islamin plot e përplot. Dhe në krye të këtyre burimeve vjen familja. Ne po jetojmë në një periudhë të atillë që familjet tona - edhe pse ndoshta jo të gjitha, por shumica - mund të konsiderohen injorante për sa i përket përkapjes së shpirtit të fesë dhe të jetuarit të saj. Fatkeqësisht, Islami nuk jetohet me tërë thellësinë e vet nëpër familje. Për rrjedhojë, fëmijët e rritur nëpër këto familje formohen larg shpirtit të fesë. Edhe nëse mund t’i kryejnë adhurimet, ata nuk i ndiejnë dot ato thellësisht, por mbeten të mbërthyer pas formës dhe dukjes. Në fakt, edhe rruga nuk ka shumë dallim nga familja. Madje rruga është edhe më e pamëshirshme. Ajo ia rrëmben fëmijës edhe atë pak kulturë fetare gjysmake, të cilën e ka marrë në familje. Jam shumë i mërzitur që e them këtë, por xhamitë janë kthyer në vende ku çdo gjë që kryhet nuk është më shumë sesa një formalitet. Të mos vijmë te shkollat, të cilat janë më se të varfëra në dimensionin shpirtëror dhe nuk u ka mbetur më asgjë që mund t’ua japin fëmijëve.
Këto, nisur edhe nga funksioni kryesor i tyre, janë vendet ku njeriu ushqehet shpirërisht. Po, fëmija duhet të ushqehet mirë edhe në familje, në rrugë duhet të ketë shokë të mirë, kur të shkojë në xhami, duhet të shohl që feja jetohet thellësisht, por ai duhet të marrë një farë ushqimi shpirtëror edhe nga shkolla, në mënyrë që të mund të bëhet mysliman. Sa keq që pothuajse në të gjitha këto burime është duke u përjetuar një ngrirje paralizuese. Për rrjedhojë, besimtari që nuk është i ushqyer nga të gjitha këto burime nuk mund ta jetojë muajin e Ramazanit me të gjithë thellësinë e vet. Tani, pasi e përcaktuam problemin, le të ndalemi për pak edhe mbi çështjen se çfarë mund të bëjmë në lidhje me zgjidhjen e tij.
Me vend do të ishte luajtja paksa me formatin, në mënyrë që të kapërcehet disi kjo ngrirje paralizuese që ka prekur burimet, por edhe për ta shpëtuar jetën fetare nga formalitetet. Për shembull, shoqëria mund të përfshihet në një diskutim të gjerë mes veti dhe të thotë: “Ejani, këtë Ramazan ta lexojmë Kuranin pak më ndryshe. Teksa e lexojmë në gjuhën arabe nga njëra anë, të ndalemi paksa edhe te kuptimi në gjuhën tonë, por edhe te tefsiri i atyre ajeteve. T’i japim fjalën njëri-tjetrit, që t’i falim teravitë me hatme. Dhe teksa falim teravitë, të dërgojmë salavate plot kumbim, të lexojmë libra lutjesh si Xheusheni dhe Eurad-i Kudsije. Të bëjmë gjithçka që është e nevojshme, vetëm ta ndiejmë pak më thellë praninë e Ramazanit.” Zaten e pëlqyeshme për teravitë është që të ulesh e të lexosh diçka sa koha e faljes së namazit pas çdo dhënieje të selamit. Nëse falni dy rekat, aq kohë sa duhet për të falur dy rekate, nëse falni katër rekate, aq kohë sa për katër rekate, të uleni dhe të lexoni diçka. Do ta mbani vazhdimisht të gjallë dhe të fortë atë ndienjë duke lexuar çdo ditë nga një lutje të re. Do t’i ushqeni adhurimet e kryera përditë duke ua ndryshuar atyre nga pak ngjyrën dhe motivet.
Pra, bashkësitë mund të merren vesh dhe të bëjnë një diskutim të tillë. Vetëm se kur ta bëjnë këtë, ata duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos i ngarkojnë njerëzit me përgjegjësi të rënda, të cilat do të jenë të papërballueshme për ta. Ata mund të bien dakord në një masë që do ta vërë paksa në vështirësi egon, por nuk do t’i fusë njerëzit në pesimizëm; t’i marrin ato përgjegjësi përsipër dhe me sa të mundin, t’i jetësojnë.
Për shembull, mund ta lexojmë që gjatë ditës kuptimin e ajeteve që do të këndojmë gjatë faljes së teravive. Kësisoj, në vend që të kaplohemi nga gjithfarë mendimesh që i përkasin kësaj bote, gjatë faljes së namazit, në mendje të na vijnë e të ndalemi të paktën te domethëniet e atyre ajeteve. Një anë tjetër e çështjes është edhe kjo: teravitë nuk duhet të falen me mendimin që ejani t’i falim e t’i përfundojmë sa më shpejt dhe të shohim secili punën e vet, por t’i kryejmë ato duke i ndjerë në shpirt. Shumë njerëz përpiqen që t’i falin dhe t’i kryejnë teravitë sa më shpejt, madje për këtë, ata zgjedhin edhe suret dhe ajetet më të shkurtra. Çfarë dallimi ka nga ushtrimet gjimnastikore një namaz i këtillë? Namazi do të falet për Allahun e Madhërishëm, në mendje do të sillet vetëm Ai Lartësi e lartësive në çdo pjesë të namazit, do të kryhet me edukatën dhe principet që kërkon të qenët përpara Tij, nuk do të bëhet asgjë që e prish këtë prani dhe do të shmanget çdo sjellje apo qëndrim që ndikon për keq në atë atmosferë. Kurani i lexuar shpejt e shpejt ku nuk kuptohet asgjë, rukutë dhe sexhdet e përbëra veçse nga ulje-ngritje të shpejta e të njëpasnjëshme, nuk i kanë kurrsesi hije të qenit përpara Allahut. Ashtu siç leximi dhe këndimi në këtë mënyrë vështirë se mund të quhen lexim apo këndim, edhe namazi i falur vështirë se mund të quhet namaz.
Me pak fjalë, në mënyrë që njeriu ta ndiejë Ramazanin me tërë thellësinë e vet, njeriu duhet ta fitojë njëherë brenda vetes atë thellësi.
J. Agjërimi me besim
Pyetje: Në një hadith të bekuar thuhet: “Kushdo që e mban agjërimin duke besuar dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”Po si duhet ta kuptojmë ne frazën, “... me besim dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu”?
Përgjigje: Me këtë hadith të bekuar Profeti ynë i Nderuar (ekmelut’tehaja) na ka dhënë sihariqin se do t’i falen të gjitha mëkatet e shkuara kujtdo që beson plotësisht te begatia që vjen bashkë me Ramazanin, e mban agjërimin me sinqeritet dhe përzemërsi dhe e vlerëson këtë muaj me të gjitha adhurimet dhe devotshmërinë e nevojshme dhe shpërblimin e pret vetëm e vetëm nga Allahu.
Me fjalën “besim” në këtë ajet nënkuptohet besimi te çdo gjë që është për t’u besuar dhe mbi të gjitha besimi pa kurrfarë dyshimi a lëkundjeje e me gjithë zemër te të gjitha urdhëresat fetare në lidhje me agjërimin; që agjërimi është farz, për të cilin ka një shpërblim mjaft të madh dhe mbi të gjitha, që përbën një shkas për fitimin e kënaqësisë hyjnore.
Po, sepse ne jemi robërit e Allahut; Allahu është i adhurueshmi ynë. Ato çfarë kryejmë ne kundrejt Tij janë e drejta e Tij dhe detyrë e përgjegjësi e jona. Ai është në dijeni të adhurimeve tona dhe di çdo gjë që bëjmë ne. Të gjitha bëmat tona, të cilat Allahu i sheh dhe i di, do të vijë koha dhe do të na kthehen neve në trajtën e pemëve që japin fryte. Veç kësaj, kur ne ngremë duart dhe i drejtohemi Atij, siç thuhet edhe në një hadith kudsi, “nuk do të kthehen duarbosh duart e hapura që i drejtohen Atij.”
Kur i drejtohemi Allahut dhe i lutemi e i përgjërohemi, para së gjithash duhet të besojmë plotësisht që Ai i sheh robërit e Tij, ua dëgjon lutjet dhe ka gjithë fuqinë që t’ua realizojë dëshirat dhe kërkesat.
Përndryshe, hapja e duarve fiton një kuptim, sikur “po ma dha ma dha, po nuk ma dha nuk ma dha”, e kjo është edhe mungesë respekti, por edhe dihet që një thirrje e këtillë nuk është as e denjë për të marrë një përgjigje. Ai, me mirësinë dhe bujarinë e Tij dhe duke qenë se mëshirën e ka më të gjerë sesa ndëshkimin, mund t’u japë edhe të tillëve; ne nuk mund të themi që nuk u jep. Por, nisur nga dimensioni ynë, kushti i parë që Ai t’i pranojë lutjet tona është besimi tek Ai me gjithë zemër. Kur besimtari i ngre duart lart me sinqeritet, Allahu nuk i kthen pas lutjet e tij, nuk e nxjerr të turpëruar atë; përkundrazi, e trajton atë me mirësi, në mënyrë që ai të dojë t’i drejtohet asaj porte edhe njëherë tjetër. Ky është kuptimi i kushtit “duke besuar” të shprehur në hadith.
Ndërsa, fraza “duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu” do të thotë ta shpresosh çdo shpërblim nga mëshira e Tij, duke mos pasur kurrfarë pritmërie dhe duke pasur parasysh vetëm e vetëm kënaqësinë e Tij. Në punët e mira dhe në adhurime nuk duhet të ketë asgjë që bie ndesh me sinqeritetin dhe përzemërsinë; njeriu nuk duhet të bjerë, as në vetëpëlqim, as në dëshirën për t’u dukur. Asnjë bëmë, asnjë punë, nuk duhet të ngrihet mbi vlerësimin dhe duartrokitjet e njerëzve; çdo gjë duhet të bëhet për Allahun dhe pritshmëritë duhet të jenë vetëm e vetëm nga Allahu. Edhe në ato pritmëri, përpjekja për t’i arritur ato duhet të mbahet përherë shumë e lartë; punët e bëra nuk duhet të varen nga dobitë e kësibotshme që mund të sjellin. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për punët që bëjmë, ta përdorim siç duhet vullnetin, por, tekefundit, rezultatin e çdo gjëje duhet ta presim vetëm nga Allahu. Teksa ia paraqesim Allahut robërinë tonë, nuk duhet ta nxjerrim asfare nga mendja se i Adhuruari është Ai, ndërsa ne jemi thjesht robërit e Tij; ne duhet ta përmbushim robërimin tonë vetëm sepse kjo është e drejta e Tij. Prandaj ne nuk duhet t’i lidhim adhurimet me nevojat dhe dëshirat tona, por t’i kryejmë ato sepse janë një detyrim që kemi ndaj Krijuesit.
Në vetvete, as kërkimi i diçkaje nga Allahu nuk është një e drejtë e jona; ajo është më shumë si një e drejtë mirësi, që na e ka falur po Ai. Ai bën aq shumë mirësi, sa që na ka dhënë neve edhe një të drejtë si kjo, që ne të mund të kërkojmë prej Tij. Njëfarësoj Ai na ka thënë: “Më adhuroni dhe përmbusheni robërinë tuaj me devotshmëri - kjo është detyra juaj - që Unë t’ju gëzoj ju edhe më shumë me mirësitë marramendëse që do t’ju fal në botën tjetër.” Pra, ka bërë një marrëveshje me ne duke na dhënë disa të drejta. Është Ai që na ka falur të drejtën të lutemi dhe është Po Ai që do ta japë mundësinë e asaj për të cilën jemi lutur.
Tekefundit çfarë kemi ne në natyrën tonë, apo sa është kapitali që kemi nga rrisku që na ka falur Zoti, që ne të kemi ndonjë të drejtë vetanake tonën! Ne, kryekëput dhe me çdo gjë tonën i përkasim vetëm Atij dhe edhe pse kemi ndonjë të drejtë, të cilën na e ka falur po Ai, ne jemi para së gjithash robërit e Tij. Kështu që ne duhet të sillemi siç i ka hije robërisë dhe duhet të kërkojmë vetëm e vetëm kënaqësinë e Krijuesit dhe Furnizuesit tonë të vërtetë, Zotit. Edhe adhurimet, me këtë synim duhet t’i kryejmë. Ja pra, edhe fraza “duke e pritur shpërblimin”, thekson se agjërimi duhet të mbahet vetëm për Allahun dhe domosdoshmërinë që shpërblimin ta presë vetëm e vetëm nga Ai.
K. Darkat gjithë madhështi të iftareve
Pyetje: Vitet e fundit, kur thua Ramazan, në mendje të vijnë të parat sofrat gjithë madhështi të iftareve dhe programet me nuancat e spektaklit. Mirëpo, në shkrimet për Ramazanin tregohet më shumë horizonti i qetësisë, thellësisë dhe finesës. Në mënyrë që të bëhet shkas për afrimin me Allahun, Ramazani duhet të jetohet si spektakël, apo duhet të jetë më shumë i drejtuar kah vetja dhe i karakterizuar nga qetësia?
Përgjigje: Në jetën e tij personale njeriu duhet të zgjedhë të jetë pa dëshirë për t’u dukur dhe pa madhështi. Ai duhet të jetë i thjeshtë dhe i përkorë. Le ta shohin sikur nga çasti në çast do të bjerë e do të rrëzohet njerëzit që e shohin nga jashtë. Por në botën e tij të brendshme ai duhet të ketë një forcë drejtqëndrimi aq të fortë - sa që ta zëmë - sikur një nga pllakat e qiellit të shkëputet e të rrëzohet, ai prapëseprapë do të dijë të qëndrojë në vend dhe i palëkundur. Aq i shëndoshë dhe i fortë duhet të qëndrojë, si për sa i përket anës shpirtërore, ashtu edhe ndjeshmërive të tij hyjnore. Kjo është thelbësore për ne. Njësoj si Sulltan Ahmeti, i cili, teksa ndërtohej xhamia që mban sot emrin e tij, mbante në rrobën e tij gurë dhe thoshte: “O Zot! Pranoje këtë shërbim të vogël të Ahmetit Tënd të vogël!” - edhe ne të jemi brenda vetes po kaq madhështisht të thjeshtë. Ne kështu e shohim egon tonë, edhe sikur të bëhemi shkas për punë shumë të rëndësishme, që do t’i lëviznin vendit edhe botët. Thënia, “Egoja është më e ulëta se çdo gjë, detyra është më e mira se çdo gjë!” - është thelbësore për ne. Përherë në këtë bosht duhet të jenë të gjitha sjelljet që ne shfaqim ne jetën personale.
Megjithatë, nëse mendojmë t’ua paraqesim edhe të tjerëve botën tonë të ndjenjave dhe mendimeve, këtu duhet të ndjekim një metodë pak më ndryshe. Para se t’i njohim ata me botën tonë, më parë jemi ne që ndoshta duhet të hedhim një hap drejt botës së tyre. Të shkosh me këto argumente te njerëzit që nuk janë mësuar ende me vlerat e thjeshtësisë, përkorjes dhe modestisë së ngopjes së barkut edhe me një pjatë supë dhe të vetëmjaftimit edhe me disa hurma të thata, mund të krijonte tek ata një efekt të përkundërt me qëllimin. Prandaj, këta njerëz duhet t’i mirëpresim në një hapësirë të denjë pritjeje dhe jo në çadra, ndaj mund të duhet që t’u shtroni atyre një darkë të denjë dhe atje të përfaqësoni vlerat tuaja. Këtu fiton përparësi çështja e socializimit dhe shprehjes së vetes.
Po, sikur të mund t’u shpjegojmë atyre njerëzve diçka me këto mënyra, prapëseprapë ia vlen, sikur me dhjetëra herë t’u shtrojmë darka, me dhjetëra herë të organizojmë spektakle, me dhjetëra herë të organizojmë udhëtime me ta. Nëse ne ia dalim që të çelim sado pak ndonjë portë nga ku mund t›i njohim ata me vlerat tona shpirtërore, ne duhet medoemos t›i vlerësojmë siç duhet këto mundësi dhe të mos e anashkalojmë gjasat për të zbrazur në zemrat e diçka prej frymëzimeve të shpirtrave tona.
Thënë ndryshe, në jetën personale thjeshtësia, përkorja, modestia dhe largimi prej egoizmit duhet të jenë secila nga një kriter i qenësishëm, por kur vjen puna te njohja e të tjerëve me vlerat tona, duhet që të përcaktohet mjaft mirë se çfarë duhet bërë duke vlerësuar kushtet dhe nëse është e nevojshme, i gjithë Ramazani të kalohet nën atmosferën e një feste madhështore.
Shënimet
- 199.Buhariu, saum 52; Muslim, sijam 175.
- 200.Ebu Daud, salat 40; Nesai, ezan 32; Ibni Maxhe, ikametu’s-salat 48.
- 201.Buhariu, saum 20, 48; Muslim, sijam 55-56.
- 202.Buhariu, saum 5; Darimi, saum 53.
- 203.Buhariu, saum 5; Muslim, sijam 1.
- 204.Buhariu, teuhid 35; Muslim, sijam 160.
- 205.Buhariu, ezan 36; Muslim, zekat 91.
- 206.Muslim, taharet 41; Tirmidhi, taharet 39.
- 207.Buhariu, iman 28; Muslim, salatu’l-musafirin 176.
- 208.Tirmidhi, daauat 104; el-Bezzar, el-Musned 6/479; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l- kebir 12/423.
- 209.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Rrezet, fq. 424 (Rrezja e Katërmbëdhjetë).