PËRFITIMET E AGJËRIMIT
Allahu i Madhërishëm, qenies njerëzore i ka falur dhe e ka bërë të denjë për të mira e mirësi të panumërta. Dhe një ndër mirësitë që i ka dhënë Mëshira e Pasosur njeriut është që nuk e ka lënë atë vetëm për vetëm me mendjen e tij, por u ka dërguar edhe udhërrëfyes, si profetët dhe librat. Nëpërmjet tyre, në vend se të vërtitej më kot nëpër gjirizet djallëzore, njeriu mund të rrahë flatra në horizontet e engjëllore dhe të veprojë në përputhje të plotë me qëllimin e krijimit të tij si njeri.
Këtë qëllim, Kurani na e bën neve të ditur përmes ajetit: “Unë xhindet dhe njerëzit i krijova vetëmse që të më adhurojnë Mua.” Me një fjalë, qëllimi i ekzistencës së njeriut është që ai të adhurojë dhe t’i shpërfaqë robërinë e tij Allahut. Dhe shpërblimi i tërë këtyre adhurimeve duhet pritur vetëm e vetëmse nga Allahu. Frytet e adhurimit janë të përtej kësaj bote dhe dobia e tyre do të shfaqet në jetën e përtejme. Kjo është arsyeja se si, nëpërmjet adhurimeve, njeriu bëhet një rob i përsosur, të cilit i peshon më tepër ajo anë e prirur kah jeta e përtejme. Por edhe ruajtja e kësaj gjendjeje bëhet po nëpërmjet adhurimeve. Por, le ta shprehim këtu në parantezë, se si disa dobi të kësibotshme që janë pjesë e pandarë e disa adhurimeve, nuk mund të jenë kurrsesi qëllim e arsye kryesore e kryerjes së tyre. Nuk ka nevojë as për diskutim, që shumë dobi dhe të mira që vijnë bashkë me adhurimet, që në këtë botë, janë rrjedhojë e emrit i Gjithëurtë të Allahut (xhel’le xhelaluhu). Po, në çdo gjë që Ai na ka ngarkuar me përgjegjësi ka sa e sa urtësi, të cilat ne i shohim apo nuk i shohim dot me syrin tonë. Të zëmë adhurimet si namazi apo agjërimi, me to vijnë shumë dobi të kësibotshme, por edhe ato duhen vlerësuar po nga e njëjta perspektivë. Pas trajtimit të çështjes në këtë mënyrë, mund të ndalemi e të shohim disa nga dobitë e të mirat që vijnë bashkë me agjërimit, apo shprehur me fjalë të tjera, të flasim rreth përfitimeve që na sjell agjërimi.
A. Përfitimet e individit
1. Të mëson durimin
Durimi është kriteri më i rëndësishëm i arritjes së virtytit dhe
lartësimit, dhe njëherazi ngadhënjimi i vullnetit. Pa të nuk mund të bëhet fjalë, as për zhvillimin e shpirtit, as për lartësimin dhe arritjen në fshehtësitë e qenies. Me durim njeriu shpëton nga vargonjtë e mishit dhe kockave dhe po me durim, shndërrohet në një engjëll të denjë për t’u shkrirë me botët e epërme.
Pesë kohët e namazit në ditë, agjërimi për më së paku një muaj në vit, dhënia e zekatit në një kohë të caktuar të vitit, vajtja të paktën njëherë gjatë jetës në haxh dhe përmbushja e gjithë urdhëresave të tjera në lidhje me jetën e adhurimit, nuk mund të realizohen përveçse nëpërmjet durimit. Njëherazi, ato e disiplinojnë jetën e njeriut dhe i hedhin përsipër një ngjyrë nga ajo e përtejësive. Dhe një jetë si kjo shkon veçse në vijën e dritës, begatohet dhe më në fund – me mirësinë e Allahut – jep Xhenetin si fryt. Prandaj, njeriu do të shtrëngojë dhëmbët, do të bëjë durim ndaj adhurimeve, duke e bërë jetën e tij të përndritur.
Edhe sabir-i, që shenjon një lëndë të hidhur helm që përdoret në industrinë farmaceutike prej vitesh, e ka prejardhjen po nga fjala sabr – durim. Prandaj ndoshta edhe durimi është si të kapërdish atë sabirin e stërhidhur, kur bën durim, shtrëngon dhëmbët, tregon zgjuarsi, nuk lëkundesh, nuk bie në paralizë të vullnetit, por i përballon dhe i tërheq njëherë thellë në kraharor. Vetëm se kjo hidhtësi ka të bëjë me çastin e parë. Sepse përfundimin dihet, përherë e ka pasur më të ëmbël edhe se sherbeti.
Nuk ka dyshim, që një nga dobitë më të mëdha të agjërimit është që ai e bën njeriun të mësohet. Përmes agjërimit njeriu merr një mësim tejet të madh durimi. Sepse atë e merr uria, por ai duron pa ngrënë; e zë etja dhe ai duron pa pirë; i bëhen sjellje të pahijshme, por ai sërish duron pa reaguar me të njëjtën monedhë e thjesht thotë, ‘jam me agjërim’. Për të shpjeguar këtë anë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.” Po, agjërimi është gjysma e durimit. Teksa ia lidh vetes duart, këmbët, gjuhën, buzët, veshët dhe rreh flatrat drejt Zotit, nëse i bën vetes kalë edhe durimin, atëherë njeriu bëhet si me dy krahë që do ta çojnë drejt e në shkrirje me lumturinë e pranisë së Allahut (xh.xh.).
Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete fisnike në lidhje me virtytet dhe shpërblimet për durimin. Por, duke ia lënë këtë çështje atyre hapësirave ku ajo është trajtuar veçanësisht, këtu do të mjaftohemi duke renditur vetëm disa syresh:
“Për ata që durojnë dhe bëjnë punë të mira, ka një falje dhe shpërblim të madh.”
“Bëj durim, sepse Allahu nuk e çon dëm shpërblimin për ata që veprojnë mirë.”
“Atyre që durojnë, shpërblimi do t’u paguhet pa llogari.”
Një njeri që bën një jetë të rehatshme mes mirësish të gjithëfarëllojshme, nuk ka asnjë garanci që kjo jetë do të vazhdojë përherë e këtillë. Herë-herë, në një kohë fare të papritur, mund të vijë varfëria. Të jesh i pasur, por të falimentosh, - Zoti na ruajtë – ndodh një fatkeqësi dhe mund të humbasësh gjithçka, ndodh një luftë dhe mund të përballesh me lloj lloj vështirësish. Sepse Allahu është zotëruesi i vërtetë i çdo pasurie; ia jep atë kujt të dojë dhe kujt të dojë, ia merr nga duart atë.
“Thuaj: O Zot, që je zotërues i pasurisë! Ti ia jep pasurinë (ç’ka në gjithësi) kujt të duash; kujt të duash, ia merr; kë të duash e lartëson, këtë duash e poshtëron. Jo, (pasuria) në dorën Tënde është. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.”
Duhet të jesh i përgatitur që më parë dhe ta kesh të përgatitur edhe trupin, edhe mendjen, edhe shpirtin, për çdo gjë që sjellin kohë të këtilla, në mënyrë që të mund t’i përballosh e të mos lëkundesh, kur këto kohë të vijnë te dera.
Ja pra, adhurimi i agjërimit i jep njeriut një mësim të mirë përshtatjeje, që të mos e ketë të vështirë e të bjerë në pesimizëm me ardhjen e këtyre kohëve apo vështirësive të ngjashme. Njëfarësoj, duke agjëruar, agjërimi e ka përgatitur njeriun për vështirësi të shumëllojshme që mund t’i vijnë papritur thjesht duke i mësuar atij durimin ndaj disa nevojash tejet bazike, siç janë të ngrënët dhe të pirët. Kësisoj, njeriu mund të rezistojë më lehtë dhe me më pak mundim ndaj vështirësish, mundimesh dhe barrësh më të mëdha,të cilat mund të vijnë gjatë jetës së kësaj bote.
Veç kësaj, shumë herë, shumica e njerëzve bëhen të varur nga uria. Në një rast si ky, kur përballet me diçka të tillë, njeriu duhet ta mësojë veten nëpërmjet urisë dhe ushqyerjes së përkorë, në mënyrë që të mund të durojë. Gjatë Ramazanit të Bekuar – edhe pse mund të ketë ndryshime sipas vendit dhe kohës – agjërimi zë thuajse gjysmën e ditës dhe bëhet kësimënyre durim, përballim, përkorje dhe trainim për urinë. Domethënë agjërimi është edhe ilaç i padurimit që i shumëzon me dy të gjitha vështirësitë që mund të përballet njeriu.
Në të njëjtën kohë, agjërimi është një përgatitës mjaft i mirë i terrenit për formimin e njerëzve idealë, të cilët asnjëherë nuk lëkunden para vështirësive dhe vuajtjeve, e nuk i sakrifikojnë kurrsesi ato principe që i konsiderojnë si të drejta e të vërteta për asgjë të kësibotshme që mund t’u ofrohet.
2. Edukon egon
Siç e shpreh edhe Bediuzamani i nderuar në “Traktatin e Ramazanit”, me agjërimin duhet të synohet edhe edukimi i vetjes (egos). Një besimtar që agjëron, duhet të thotë: “T’ia ul edhe pak kokën egos sime, ta bëj të priret edhe pak më tepër kah Allahu i Lartësuar. Ta mësoj atë të hajë pak, të flasë pak, të flejë pak. Të përpiqem të nxjerr prej tij ato virtyte, shkallë dhe aftësi, që në rrugëtimin e lartësimit shpirtëror arrihen nëpërmjet vuajtjes.” – dhe ta shohë Ramazanin edhe si një stinë të volitshme për përkorje. Zaten edhe një anë e ushqyerjes së përkorë të rijazet-it i ngjan agjërimit. Duke ngrënë e pirë pak dhe duke duruar një varg vështirësish njeriu mund të bëhet i denjë për disa gjëra të jashtëzakonshme; sheh se si metafizika sundon mbi fizikën. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme për sa i takon përftimit shpirtit të forcës së tij. Por, nëse ajo që synohet nuk është kënaqësia e Allahut, atëherë nuk ka asnjë kuptim që të përballesh e të durosh mundimin dhe vështirësitë, me të cilat të duhet të përballesh.
Po, qëndrimi i uritur dhe të ngrënët pak janë dinamika serioze për sa i përket frenimit të egos. Kjo është arsyeja se pse shumë njerëz të Zotit kanë bërë rijazet,duke u përpjekur të ruajnë një farë mase të pjekurisë shpirtërore të tyre.Por edhe rastet e jogive, që kanë qëndruar të etur dhe të uritur, dhe disa mistikëve, të cilët u kanë shkaktuar vetes vuajtje e mundime të ndryshme, që u kanë përftuar edhe më shumë forcë shpirtrave të tyre, janë ngjarje të vërteta që i dimë prej shumë kohësh. Mirëpo, nga ajo çfarë kanë bërë ata nuk ka asgjë që mund të presin në emër të ahiretit. Sepse qëndrimi etur dhe uritur dhe bërja e rijazetit (ushqyerjes tejet të përkorë rituale), fitojnë vlerë dhe kuptim vetëmse kur bëhen me qëllimin e adhurimit. Kënaqësia e Allahut arrihet nëpërmjet kryerjes së adhurimeve për të fituar kënaqësinë e Tij.
Agjërimi është një frer i vënë ndaj egos. Kështu ai e thyen faraonësinë e egos. Edhe nëse është i dyshimtë për nga vërtetësia dhe rrjedhja, ka një transmetim, që thelbi dhe mësimi që do të japë janë shumë kuptimplotë, në të cilin thuhet:
“Allahu i dha ndëshkime të ndryshme egos për ta edukuar. Pastaj e pyeti: ‘Kush je ti, kush jam Unë?’ – Egoja tha: ‘Ti je ti, unë jam unë.’ – Atëherë Allahu e edukoi atë duke e lënë të uritur. Si përfundim, kur e pyeti, ‘Kush jam ti, kush jam Unë?’ – përgjigjja e egos ishte: ‘Ti je Zoti i botëve, ndërsa unë jam një rob i Yti i përulur.’”
Për njerëzit është një nevojë e pashmangshme që t’i mbajnë në duar frerët e egos. Sepse dëshirat dhe zakonet e egos janë helme vrastare për njeriun dhe u ngjajnë barrëve të rënda që të tërheqin për poshtë.
Egoja nuk e urdhëron njeriun vetëmse për të keq. Jusufi i nderuar (alejhis’selam) ka thënë:
“Në të vërtetë, unë nuk e justifikoj dot egon time dhe nuk them dot që ajo është e pastër nga të metat. Sepse, pos atyre që i ka mëshiruar dhe i ruan Allahu, egoja të urdhëron dhe të shtyn veç për të keq. Në të vërtetë, Zoti im është falës, i mëshirshëm (i ka të gjera faljen dhe mëshirën).” – duke na bërë një prezantim, ndoshta më të bukurin, të egos. Egoja ka një natyrë që sa më shumë t’i japësh, aq më shumë të kërkon; sa më shumë të marrë, aq më shumë llastohet. Edhe Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të), në lutjet e Tij kërkonte mbrojtje tek Allahu nga egoja që s’kishte të ngopur:
“O Zot! Të kërkoj Ty të më mbrosh nga dobësia dhe përtesa, frika dhe kopracia, pleqëria dhe vuajtjet e varrit. O Zot! Fali egos sime devotshmëri. Bëje atë të pastër. Sepse Ti je më i mbari i Pastruesve. Ti je Zotëruesi i egos sime. O Zot! Të kërkoj Ty të më mbrosh nga dija që nuk të jep dobi, zemra që nuk drithërohet nga frika, egoja që nuk di të ngopur dhe lutja që nuk pranohet.”
Në një lutje tjetër të Tij Ai i ka kërkuar Allahut mbrojtje nga e keqja, ligësitë dhe gjithë fatkeqësitë që mund t’i sjellë njeriut egoja.
“O Zoti im që i di më së miri botët e së fshehtës dhe dëshmisë, e që i krijove qiejt dhe dheun nga hiçi! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Te Ty kërkoj mbrojtje nga e keqja e egos sime, e keqja e shejtanit dhe mashtrimet e tij.”
E thënë me fjalët e të parëve, “braktisja e zakoneve, varësive, i vret, i shkatërron njerëzit.” Prandaj, njeriu e ka të vështirë të heqë dorë nga të ngrënët dhe të pirët atëherë kur duhet, pak edhe nga varësia që ka krijuar ndaj tyre nga ajo çfarë është mësuar me sy. Por, besimtari duhet ta mësojë egon e tij asisoj, që ai mund të jetojë edhe në kushtet më të rënda. Dhe ja, nëpërmjet agjërimit ai mund t’i braktisë zakonet dhe veset që i është mësuar egoja dhe të fillojë njëfarësoj të jetojë i pavarur prej tyre. Ai që mësohet me urinë dhe etjen, di mjaft mirë që ta durojë dhe përballojë atë edhe në ditët kur është i detyruar që të jetojë me to.
3. Është mburojë ndaj mëkateve
Mëkati është një rrënim i brendshëm, një mbrapshti dhe një kundërvënie ndaj natyrës së tij e njeriut. Një njeri që hyn në mëkat është njëherazi një i pafat që vuajtjeve të ndërgjegjes dhe vështirësive të zemrës dhe një viktimë që i ka dorëzuar në dorë të djallit të gjitha aftësitë dhe shqisat e tij shpirtërore. Sidomos, nëse vijon që t’i kryejë atë mëkat, ai e humb tërësej nga duart fillin dhe tanimë në vullnetin e tij as që mund të bëhet më fjalë për rezistencë dhe ai nuk ka më fuqi për t’u rinovuar.
Të shumta e grumbuj grumbuj janë mëkatet nëpër rrugët nga i duhet të kalojë njeriu dhe porsi kobra, vështrojnë andej nga do të kalojë ai. Edhe pse mund të shpëtojë nga njëra, është shumë e vështirë që ai ta vijojë rrugëtimin pa u mbërthyer të paktën nga njëra. Për t’u kapërcyer këto rrugë duhet një vullnet i shëndoshë dhe i çeliktë.
Ja, pikërisht për të të mbrojtur kundër këtij rreziku, agjërimi është si një garant dhe garanci më vete. Për disa njerëz, ai është si një perde mbrojtëse nga zhgënjimi. Është si një udhëzim kundër mëkateve dhe gabimeve. Porsi një mburojë, ai e mbron të zotin duke ia lehtësuar rrugën drejt parajsës.
I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:
“O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi që të martohet, të martohet. Kush nuk i ka mundësitë, të agjërojë. Sepse agjërimi është një mburojë (që ju mbron) ndaj mëkatit.”
Agjërimi është një ushtrim; ai zhvillon tek individi mekanizmin shpirtëror të rezistencës ndaj dëshirave trupore. Ashtu siç agjërimi mund të jetë një pengesë ndaj dëshirave dhe prirjeve ndaj çdo gjëje negative, me rezistencën e fituar gjatë kohës që ka qenë me agjërim njeriu mund ta fitojë atë edhe në ditët që nuk është me agjërim. Sepse agjërim nuk do të thotë vetëm lënie e stomakut të uritur. Përkundrazi, njëherazi ai do të thotë që së bashku me stomakun të vësh në agjërim edhe gjithë ndjenjat; syrin, veshin, mendjen, zemrën, imagjinatën dhe tërë shqisat e tjera njerëzore, t’i tërheqësh ato nga mëkati dhe gjërat e kota e të përkohshme, duke e shtyrë secilën prej tyre drejt formash të posaçme të adhurimit. Dikush që agjëron në këtë mënyrë, do të thotë se është duke jetuar një jetë brenda boshtit të së lejuarës.
Është rruga më efektive e mbajtjes së egos nën kontroll, agjërimi. Sepse, kur stomaku është përherë plot, ai i bën të gjitha organet dhe gjymtyrët që të punojnë me kapacitetin e tyre maksimal të energjisë. Vetëm kur shikoni që njeriu e ka të vështirë që ta mbajë nën kontroll vetveten, aq sa as gjuhën nuk e kontrollon dot për të mos thënë gjëra të pahijshme. Andaj ai duhet të marrë një vendim në parim; për shembull, duke e ushtruar gjuhën me recitim të Kuranit, dhikr, tesbih, salavatet, ai mund ta ruajë atë nga gënjeshtrat, përgojimet dhe fjalët e këqija. Madje, nganjëherë, duke thënë: “nëse më del nga goja ndonjë gjë që përbën përgojim, do të mbaj kaq kohë agjërim pa ndërprerë”, duke i mbyllur kësisoj të gjitha rrugët që të çojnë kah përgojimi. Ndoshta, duke i dhënë një ndëshkim të këtillë egoja mund të bëhet zap dhe të mundësohet që të jetë arsyeja që kontrollon dhe egoja të jetë e kontrolluara e saj. Kushedi, pas kësaj Zoti mund të bëjë që mospërgojimi të bëhet pjesë e pandarë e natyrës sonë.
Po, gjuha pa kontroll është një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset njeriut për sa i përket jetës së amshuar. Dhe rruga e vetme e marrjes nën kontroll të saj është kufizimi i kërkesave dhe dëshirave të egos. Agjërimi është një recetë e çmuar, me gjasë më e rëndësishmja, për sa i përket përmbushjes së këtij funksioni. Pastaj, këtë e përforcon edhe Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) në një hadith të Tij:
“Kush nuk heq dorë nga të folurit gënjeshtra dhe bërja e përgojimit teksa është duke agjëruar, ta dijë që Allahu nuk ka nevojë për ndenjjen e tij të etur e të uritur.”
Njeriu i agjëruar, krahas mbrojtjes së gjuhës duhet të pengojë edhe syrin nga të shikuarit e së ndaluarës dhe veshin nga dëgjimi i gjërave të këqija; syrin duhet ta drejtojë nga shembujt e mirë dhe veshin ta drejtojë kah dëgjimi i fjalës së drejtë dhe Kuranit Famëlartë.
Me pak fjalë, agjërimi më i përsosur është ai që bashkë me stomakun vihen të mbajnë agjërim edhe syri, veshi, zemra, imagjinata, mendja dhe tërë organet e tjera; agjërimi që edhe ato pengohen dhe largohen nga gjërat e ndaluara e të kota, duke u drejtuar nga një lloj adhurimi i posaçëm i tyre. Dhe rruga drejt kësaj kalon nga mbajtja nën kontroll nëpërmjet agjërimit e stomakut, që është sikur një fabrikë gjigante brenda trupit njerëzor. Sepse, nëse mbahet ai nën kontroll, të gjitha gjymtyrët e tjera i binden fare lehtësisht stomakut.
Profeti ynë i Nderuar (pqmT), në lidhje me këtë çështje, ka thënë kështu në një hadith të Tij: “Çdo njeri ka një pjesë në zina (imoralitet) dhe është shumë e vështirë që të shpëtojë prej saj. Zinaja e syrit është të shohë (drejt së ndaluarës); e gjuhës të flasë (të ndaluarën). Egoja vuan ta bëjë këtë. Ndërsa organet, ose e pranojnë, ose e refuzojnë këtë kërkesë të saj.”
Fatkeqësisht, sot, këto mëkate janë të përhapura jashtëzakonisht shumë. Mirëpo, mëkati, me çdo anë, çdo aspekt, çdo fakultet dhe çdo institucion të tij, i shërben djallit. Islami ka vendosur një sërë kriteresh dhe principesh kundër mëkateve. Besimtarët, për sa kohë që u drejtohen këtyre principeve, nuk do të bien në batakun e mëkatit dhe nuk do të zhduken duke u marrë nga rrjedha e tufanit të mëkatit. Por, nëse nuk ndiqen me përpikëri këto kritere të Islamit, atëherë edhe njerëzit do t’i marrë rrjedha e përmbytjeve që shkakton mëkati, njësoj sikur të mos ishin njerëz, por trungje të thara druri. Këtë këndvështrim që ofron Islami mund ta përmbledhim në këtë mënyrë:
Fillimisht, Islami i konsideron si një realitet, të gjitha çështjet që e kanë burimin te qenie njerëzore. Për shembull, prania ndjenjave të mllefit, inatit dhe ambicies, që janë të pranishme te njeriu është një realitet. Mirëpo, ndërkohë që ato mund të jenë një shkas për shumë mbarësi, bekime e begati, kur përdoren siç duhet, nëse nuk përdoren, ato mund të të çojnë drejt së keqes. Në të njëjtën mënyrë, Islami e pranon si një realitet edhe praninë e epshit te njeriu. Për më tepër, epshin (dëshirën dhe oreksin) ai e konsideron si një avancë, një dhuratë hyjnore, e cila është e domosdoshme për vijimësinë, si të jetës individuale të njeriut, ashtu edhe të brezave të ardhshëm njerëzorë. Duke e vlerësuar siç duhet këtë avancë që i është dhënë, njeriu mund të bëhet shkas për shumimin e umetit të Profetit Muhamed, të cilët janë trashëgimtarët e së mirëstë rruzullit tokësor. Megjithatë, qëndrimi brenda vijave të lejuara për sa i përket kësaj çështjeje dhe mosrënia në mëkat, janë një kriter i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në Islam. Dhe rruga e kësaj është martesa.
Ata që nuk i kanë mundësitë për t’u martuar, ndjekin këshillën e të Dërguarit të Allahut dhe mbajnë agjërim. Vetëmse edhe agjërimi duhet të mbahet duke i realizuar të gjitha kushtet e tij, në mënyrë që të mund të përmbushet me vend edhe funksioni i tij i pengimit në rënien në mëkat. Nëse do ta shohim nga ky pikëvështrim, nëse njeriu qëndron gjatë gjithë ditës i etur dhe i uritur, që të hajë me sa të mundë në mbrëmje, kur të hyjë koha e iftarit, apo që pasi ka ngrënë sa ka mundur në mbrëmje, të presë kohën e syfyrit, për të ngrënë sërish sa të mundë, si në iftar, patjetër që ai do ta ketë të vështirë të marrë rezultatin e pritur nga agjërimi i mbajtur. Sepse një nga synimet më të rëndësishme të agjërimit është thyerja e epshit. Dhe, nëse merr një sasi kalorish të caktuar, që është më shumë se norma ditore, ushqimet e konsumuara jo vetëm që nuk lejojnë thyerjen e epshit, por mund të bëhen shkas edhe për përforcimin edhe më të tij. Rrjedhimisht është e pamundur që një njeri që ha dhe pi kështu të fitojë ndonjë dobi nga agjërimi. Vetvetiu, njeriu duhet të bëjë kujdes, që të hajë e të pijë në kohë të caktuara. Të ngrënët pak, të pirët pak dhe të folurit pak janë secili nga një princip islam i patjetërsueshëm.
Kështu, është shumë e rëndësishme që të mbyllen pak rubinetat e ushqimit të egos, duke e përdorur siç duhet fuqinë e vullnetit. Në të kundërt egoja përherë do të jetë si një portë e hapur nga ku shejtani mund të hyjë lirshëm. Njësoj si shejtani, as egoja nuk mund të bëhet mikeshë e njeriut. Egoja është një armik i ethshëm që të çon veç nga e keqja dhe ndaj së cilës duhet bërë “lufta më e madhe”, dhe shpëtimi prej saj dhe djallit është një hap i rëndësishëm i hedhur në drejtim të afrimit me Allahun. Njëherë, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë: “Tani ju u kthyet nga lufta e vogël drejt luftës (xhihad) së madhe.” – dhe kur e pyetën se çfarë do të thoshte “luftë e madhe”, Ai u përgjigj duke thënë: “Që robi t’u hapë luftë dëshirave të egos së tij.” Këto janë mësime shumë të rëndësishme për ne, që t’i frikësohemi egos sonë dhe të jemi përherë vigjilentë kundër saj.
Po, metoda që aplikohet për të mbajtur nën kontroll egon është agjërimi. Prandaj ai është bërë një prej shtyllave themelore të fesë dhe është renditur si një nga rrugët që të çojnë drejt devotshmërisë, e cila është praktika e aplikimit të Islamit tek egoja.
Si përfundim, duke agjëruar njeriu e shpëton egon nga kryengritja ndaj Allahut të Madhërishëm, duke e futur atë në rrugën e të qenit rob i bindur ndaj Tij. Kushdo që agjëron arrin ta ndiejë se si i afrohet një farë engjëlloreje brenda vetes, krahasuar me ditët kur nuk është me agjërim. Dhe poende, gjithkush e kupton se nuk mund ta bëjë diçka, kur nuk ka leje për ta bërë atë, madje as dorën e vet nuk e zgjat dot drejt një gote me ujë... dhe kështu kupton se ai nuk është zotërues, por i zotëruar. Dhe si rezultat, sheh dobësinë, varfërinë dhe mangësinë e tij të pafund dhe me dorën e falënderimit shpirtëror bëhet gati që të trokasë në portën e mëshirës. Mjaft që agjërimin ta mbajë përbrenda kritereve të përcaktuara nga feja.
4. E bën shpirtin të fitojë pjekuri
Njeriu është një krijesë e përftuar nga trupi dhe shpirti. Ashtu siç vetëm trupi, pa shpirtin, nuk ka asnjë kuptim, edhe shpirti pa trupin nuk kanë asnjë kuptim për sa i përket kufijve të botës së vullnetit të lirë.
Ato çfarë ha dhe pi njeriu, veprimet që bën dhe adhurimet që përpiqet të kryejë, kanë një farë ndikimi të caktuar, si në trupin, ashtu edhe në shpirtin e tij. Një kafshatë që e fut në gojë, edhe pse në pamje të jashtme dhe fizikisht ajo shkon në stomak, ajo ka një ndikim të caktuar edhe te shpirti. Po njësoj, veprimet e kryera ndikojnë, si te trupi, ashtu edhe te shpirti. Nga ky këndvështrim, një vend të rëndësishëm në zhvillimin dhe pjekurinë e jetës shpirtërore të njeriut zënë edhe ato çfarë ha edhe pi ai.
Tek agjërimi është i pranishëm, po ashtu, edhe përmbajtja e tregimit të një kujdesi maksimal ndaj gjërave që ha ose pi, të cilin ia kanë dhënë edhe mistikët në praktikën e rijazetit (ushqyerjes fare të përkorë). Një njeri që i drejtohet shpesh agjërimit, e ka fare të lehtë që t’i dëshmojë edhe vetë të gjitha aftësitë dhe virtytet e veçanta që fillojnë të lindin brenda tij. Ndërsa te njeriu që mendon në çdo kohë dhe çdo vend vetëm për se çfarë do të hajë dhe çfarë do të pijë, është shumë e vështirë që të jetë të pranishme një shpirt i pastër dhe një zemër e kulluar.
Njësoj si trupi, i cili ka një varg nevojash dhe dëshirash të caktuara, edhe shpirti ka kërkesat e veta. Për nga truporja njeriu është një krijesë tejet e vogël; por, nëse do të kemi parasysh mekanizmat shpirtërorë të tij, ai është një krijesë e hapur kah pafundësia (përjetësia). Ai ka prirje, dëshira, kërkesa, ndjesi, imagjinatë, mendime dhe mendje të prirur kah pafundësia dhe nga kjo pikëpamje, ai është si një përmbledhje e vogël e gjithësisë.
Kështu, adhurimi është e vetmja dhe e vetmja punë më e lartë dhe më e vyer që mund të bëjë njeriu, i cili është ky, si për nga pozicioni, ashtu edhe gjendjet e tij, në mënyrë që të mund t’i zhvillojë anët dhe aftësitë e tij shpirtërore, që mundëson realizimin e dëshirave dhe kërkesave të tij të mirëfillta, që mund t’i vërë nën kontroll ndjenjat e tij si epshi dhe ashpërsia dhe e afron atë me Allahun duke e vënë në komunikim me të. Dhe këto veçori janë të pranishme të gjitha tek agjërimi, që është një adhurim tejet i rëndësishëm.
Nëse do të lëmë mënjanë dallimet që ekzistojnë në formë, agjërimi është një kriter i rëndësishëm në të gjitha fetë që kanë si synim zhvillimin dhe përparimin shpirtëror të njeriut. Madje të gjithë profetët që janë ngarkuar me misionin e udhërrëfimit për arritjen e pjekurisë shpirtërore te njerëzit, periudhat e përgatitjes për të marrë përsipër këtë mision përherë i kanë kaluar duke mbajtur agjërim. Edhe ky është një argument i mëvetësishëm, që tregon se çfarë ndikimi ka agjërimi në arritjen e pjekurisë te njeriu.
Kur nisi që t’i zbritej Teurati, Musai i nderuar (alejhis’selam) kishte plotësuar mbajtjen e agjërimit dyzetditor. Kur iu zbritën ajetet e para Isait të nderuar (alejhis’selam), kushedi se sa ditë ishin bërë që ky profet i madh kishte qenë duke mbajtur agjërim. Edhe Krenaria e Njerëzimit, ditët para se t’i jepej profetësia duke agjëruar i kishte kaluar. Njëfarësoj Ai ishte si të kishte hyrë në izolim për adhurim (itikaf). Zaten në një prej ditëve të Ramazanit pati filluar të zbritej edhe shpallja e parë. Nëse do të kihet parasysh edhe fakti që izolimi për adhurim është brenda muajit të Ramazanit, është shumë domethënës përkimi edhe me tërheqjen e Profetit tonë në Hira pikërisht në këtë kohë të po këtij muaji.
Po, shumë herë shpirti njerëzor zhvillohet përmes trupit dhe trupi zhvillohet përmes shpirtit. Duhet medoemos të agjërojnë të gjithë ata që duan të zhvillohen shpirtërisht. Apo ta themi kështu: ata që nuk agjërojnë mbeten nën peshën e barrës së trupit dhe nuk mund ta arrijnë dot pjekurinë e pritur shpirtërore.
Edhe Bediuzamani i nderuar është shprehur me këto fjalë në lidhje me këtë çështje:
“Fabrika e stomakut ka shumë shërbëtorë dhe shumë ndjenja njerëzore që janë të lidhura ngushtësisht me të. Nëse nuk bëjnë pushim gjatë ditëve të një muaji në vit, këta shërbëtorë dhe këto ndjenja e harrojnë detyrën e adhurimit dhe ai e bën njeriun të merret vetëm me të, e fut atë nën sundimin e vet dhe e bën që të gjithë vëmendjen ta drejtojë kah vetja, duke i bërë që t harrojnë detyrën e tyre të lartë. Dhe organet e tjera, për hir të argëtimeve të kota të asaj fabrike, marrin kënaqësi nga ato në rrafshit engjëllor dhe shpirtëror në Ramazan, duke e ngulur vështrimin vetëm drejt atyre kënaqësive shpirtërore. Prandaj edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, besimtarët bëhen të denjë, secili sipas shkallës së vet, për ndriçime, dritësime dhe kënaqësi të ndryshme shpirtërore. Nëpërmjet agjërimit në atë muaj të bekuar, shumë aftësi, si shpirti, mendja dhe fshehtësira, zhvillohen së tepërmi dhe përkundër të qarës së stomakut, ato qeshin plot pafajësi.”
5. E lartëson njeriun drejt engjëllores
Te njeriu janë të përfshira dy anë, njëra ajo engjëllore dhe tjetra, ajo kafshërore. Pra, siç ka një anë të prirur kah fizikja, ai ka edhe një natyrë tërësisht të hapur kah ajo çfarë fshihet përtej fizikes. Pra, nga njëra anë qëndron një anë e tij kafshërore, e cila përbëhet nga ndjesitë kafshërore si epshet, mllefet, ashpërsia, urrejtjet dhe në anën tjetër, një anë engjëllore, e cila përbëhet nga bindja, njohja e Zotit dhe e së vërtetës, dashuria, robëria dhe thjeshtësia.
Allahu (xhel’le xhelaluhu), kur e ka krijuar njeriun, ka vendosur tek ai, si ndjenja të mira, ashtu edhe ndjenja të këqija. Nga kjo pikëpamje njeriu, edhe mund të engjëllorizohet, edhe mund të djallëzohet. Ashtu siç mund të fitojë një shkallë shumë të lartë shpirtërore, aq sa për të lënë pas edhe vetë engjëjt, ashtu edhe mund të bjerë në një gjendje që të të vijë keq edhe për djallin vetë.
Po, njeriu, i cili është krijuar në formën më të bukur, ka edhe një anë të hapur kah ndjenjat e këqija që mund ta çojnë atë edhe më poshtë se poshtërsia, por që janë krijuar me një varg urtësish të caktuara. Ai, gjithmonë, nën efektin e këtyre ndjenjave mund të bjerë nga më e mira e së mirës në më poshtë edhe se poshtërsia vetë.
Në lidhje me këtë në Kuranin Famëlartë thuhet:
“Ne e krijuam njeriun në formën më të mirë. Pastaj e hodhëm atë më poshtë edhe më poshtë. Përveç atyre që besuan dhe bëjnë punë të mira. Për ata ka një shpërblim të pandërprerë.”176
Ja pra, lartësimi i njeriut nga njerëzia potenciale drejt horizontit
të të qenit njeri i vërtetë do të mund të bëhet i mundur vetëmse nëpërmjet zhvillimit të këtij aspekti engjëllor të tij. Përndryshe, për sa kohë që qëndron i lidhur me trupin dhe jeton nën frerët e kafshërores; domethënë vetëm ha e pi dhe qëndron i fjetur, ai do të qëndrojë i izoluar në ngushtësinë e botës fizike; do të mbetet dhe ndërkohë që është një krijesë e denjë për të qenë më e mira e krijesave, të bjerë në një pozitë më të ulët sesa ajo e kafshëve. Mirëpo, nëse ai del nga kafshërorja dhe e braktis truporen, domethënë nëse pastrohet nga papastërtitë egoiste, kafshërore dhe trupore, dhe ndriçohet me emrat hyjnorë të Allahut, me cilësitë e Tij të patëmeta dhe gjendjeve të qashtra hyjnore, atëherë ai arrin një natyrë ndryshe dhe fiton një natyrë të veçantë.
Një ndër urtësitë se pse engjëjt përmenden aq shpesh nëpër ajetet fisnike dhe hadithet e bekuara është edhe synimi i vënies në lëvizje të kësaj ane engjëllore që është e pranishme si potencial te njeriu. Për ta nxitur atë, për të bërë të mundur zhvillimin e saj dhe për ta çuar atë drejt horizontit të përftimit të një gjendjeje engjëllore për të. Po, duke u vënë theksi te gjendja e engjëjve bëhet njëkohësisht një nxitje dhe thirrje për t’u ngjarë engjëjve, për t’u bërë si ata dhe na kërkohet që ne t’i zhvillojmë këto aftësi të pranishme në natyrën tonë, të cilat mund të na bëjnë të jemi si engjëjt.
Një nga veçoritë më të rëndësishme që e dallojnë nga engjëjt njeriun është edhe që ai ka kontroll mbi egon e tij. Tek engjëjt nuk mund të bëhet fjalë, as për ngrënie, as për pirje, as për martesë, as për sjellje si mëkati. Ato janë të krijuara si të pafajshme dhe janë krijesa që në çdo çast janë vetëm e vetëmse duke i bërë tesbih Allahut dhe duke e adhuruar Atë. Allahu i Madhërishëm thotë:
“(Disa nga njerëzit) Dolën dhe pretenduan se (engjëjt) janë fëmijët e të Gjithëmëshirshmit. Përkundrazi, ata janë robërit e Tij të nderuar. Ata nuk i dalin kundër fjalës së Tij, por veprojnë vetëmse me urdhrin e Tij. (Allahu) i di të gjitha (gjendjet e tyre) ç’kanë ata përpara dhe pas. Ata nuk mund të ndërmjetësojnë për askënd, përveç atyre me të cilët është i kënaqur Ai. Nga frika e Allahut dhe përulja që kanë ndaj Tij, ata janë në çdo çast vigjilentë.”
Ndërsa njeriut i duhet të ushqehet, që të mund të qëndrojë i gjallë dhe ta vijojë jetën. Në çdo çast ai ka gjasë që të ndjekë egon dhe të hyjë në mëkat. Vetëm besimtari që agjëron, mund t’i vërë një pengesë ngrënies dhe pirjes, të vihet në kontroll të epshittë tij, të ruhet nga çdo lloj mëkati dhe të bëjë një jetë si ajo e engjëjve. Asisoj që Allahu i Madhërishëm krenohet përpara engjëjve me robërit e Tij të tillë, duke ua treguar ata si shembuj.
Po, ka njerëz të atillë që janë si engjëjt. Ky lloj njeriu, vetëm me mendimin se “Zoti do të më kërkojë llogari”, nuk e hedhin këmbën as mbi milingonat. Nëse shohin dikë që është më nevojtar se ata vetë, ia japin atij gjithë ç’kanë në duar. Kur bëhen gati për të falur namazin, iu dridhen këmbët teksa vijnë për t’iu drejtuar Zotit. U dridhen këmbët dhe përkulen në dysh duke menduar se do të japin llogari përpara Allahut. Ka edhe njerëz që janë si djalli. Ata janë më të rrezikshëm edhe se përbindëshat në pyll. Ja pra, në saje të agjërimit njeriu mund të shpëtojë nga gjirizi i poshtërsisë dhe të ngjitet drejt horizontit të engjëjve, madje të fitojë të drejtën për të qenë i denjë për të hedhur hapa edhe më tej.
6. Të mëson vlerën e mirësive
Allahu i Madhërishëm e ka pajisur rruzullin tokësor me njëmijë e një lloje të mirash dhe ia ka dhënë atë njeriut në dorë. Çdo ditë, nga qiejt na zbritet e na shtrohet një sofër e re dhe ngrihet një sofër e vjetër. Pemët japin vazhdimisht fruta dhe mbi sipërfaqen e tokës mbijnë mirësi të shumëllojshme. Në shumë prej ajeteve të tij Kurani Fisnik na kujton mirësitë e Zotit. Ja disa syresh:
“Në qiell janë rrisku juaj dhe gjërat që ju janë premtuar.”
“Ne zbritëm një masë të caktuar uji nga qiejt dhe e mbajtëm atë mbi Tokë. Dhe Ne kemi fuqi edhe që ta kthejmë mbrapsht atë ujë. Me atë ujë krijuam për ju kopshte hurmash dhe vreshta me rrush; ju përfitoni dhe hani prej frutave të tyre.”
“Të mendohet njëherë njeriu për ato me të cilat ushqehet. Ne zbritëm ujin nga qielli. Pastaj e çamë tokën, rruzullin dhe bëmë të mbinin në të frutat, rrushi, ulliri, hurmat dhe sa e sa të mbira të tjera me pemë të dendura dhe të shumta dhe përrenj. Që t’ju bëjnë dobi juve dhe kafshëve tuaja.”
Allahu, si tokën, ashtu edhe qiellin, i ka shtruar në dobi të njeriut. Por ç’e do që njeriu është shumë mosmirënjohës me Zotin e tij. Megjithëse notojnë mes shumë e shumë mirësish, që edhe për ata vetë janë të panumërueshme, shumica prej tyre nuk janë as të vetëdijshëm. Njësoj si në shprehjen, “Ata të marrë, që në det notojnë, por detin s’e dinë.” – jetojnë të paditur sikur peshqit që jetojnë në ujë, por janë të pavetëdijshëm për ujin. Ndërsa agjërimi vë njëfarë rregulli në këtë sjellje të njeriut. Njeriu jeton si të ishte duke notuar mes mirësive dhe duke agjëruar kupton vlerën dhe rëndësinë që kanë këto mirësi, e për rrjedhojë përpiqet edhe që të falënderojë për to.
Vetëm në saje të agjërimit arrin ta kuptojë njeriu se ç’mirësi e madhe është një vesh rrushi që i buzëqesh i varur në degë. Veçanërisht në ditët e verës, ai kujton vlerën e vërtetë të ujit, të cilën e ka harruar se ç’mirësi e madhe është uji teksa e pinte me ëndje në ditët e nxehta. Teksa e kapërdin atë ujë në kohën e iftarit ai thotë: “O Zot! Vallë kështu janë edhe burimet e tua në Xhenet?” dhe arrin që ta shijojë që sa është në këtë botë ujin e burimeve të parajsës. Dhe një kujtesë e këtillë bëhet shkas që njeriu të fitojë një besim të atillë që është e pamundur të ta falë dot ndonjë gjë tjetër. Domethënë, ajo që u krijuaka në ndërgjegje nga mbyllja e gojës edhe ndaj gjërave të lejuara të Zotit – vetëm sepse është urdhëresë e Tij dhe për një farë kohe – qenka besimi në tërësinë e tij. Ai besim, që ndihet në ndërgjegje, në zemra dhe falë të cilit mund të arrihet paqja e synuar.
Po, mirësitë janë të Allahut dhe Ai kërkon prej nesh falënderim në këmbim të këtyre mirësive. Ç’gabim dhe ç’mosmirënjohje e madhe, ta harrosh Allahun pavarësisht gjithë këtyre mirësive! Dhe ja, agjërimi, duke e ndërprerë përfitimin prej këtyre mirësive me vullnet, e shpëton njeriun nga harresa. Duke ua kthyer përkohësisht shpinën mirësive dhe duke e ndërprerë interesimin për to, robi sikur thotë: “Po, o Zot! Shiu, azoti që zbret bashkë me të, ajri, rrufeja, shkrepëtima, rënia në tokë e shiut, breshërit, borës, ekzistenca e tokës vetë dhe farat që nxjerrin kryet mbi syprinën e saj... të gjitha këto paskan qenë secila nga një mirësi shumë e madhe. Ne këtë e ndiem vetëmse duke qëndruar përkohësisht të kufizuar prej mirësive të Tua. Tani të kërkojmë Ty, të kujtojmë Ty dhe vetëm Ty të falënderojmë.” – Dhe këtyre fjalëve të tij Allahu i përgjigjet kështu:
“Përmendmëni mua, që edhe Unë t’ju përmend ju; falënderomëni Mua dhe kurrsesi mos u bëni mosmirënjohës.”
“Nëse më falënderoni, edhe Unë jua shtoj të mirat, por nëse m’i mohoni të mirat, nuk ka dyshim që ndëshkimi Im është shumë i ashpër.”182
7. Forcon lidhjen me Allahun
Njeriu quhet se ka hyrë në rrugën e kthimit në njeri të përsosur për aq sa ç’është e fortë lidhja që ai ka me Zotin. Nuk mund të hasësh asgjë që të mos jetë e plotësuar në jetën e një besimtari që e ka të fortë lidhjen me Allahun. Ai, njësoj siç thuhet në ajetin kuranor:
“Çohen nga shtretërit dhe adhurojnë Zotin me ndjenjat e frikës dhe shpresës.” – ngrihet në njërën prej gjysmave të mbrëmjes, pa i kushtuar rëndësi nëse është e gjatë apo e shkurtër dhe i shqetësuar nga ndëshkimi i ashpër i Allahut, por edhe duke shpresuar te mëshira e Tij, qëndron i gatitur në kijam përpara Allahut. Gjatë Ramazanit, braktis shtratin e ngrohtë në mes të natës, që të mund të bëjë syfyr për hir të Allahut. Dhe vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij, duron të qëndrojë i uritur dhe i etur gjatë gjithë ditës. Dhe kështu, kjo sakrificë bën që mes Allahut dhe atij robi të Tij të krijohet një lidhje shumë e fortë. Në këmbim të kësaj sakrifice, në amshim Allahu do t’i thotë atij:
“Hani dhe pini në shëndet të mirë në këmbim të punëve të mira që bëtë në të shkuarën.”
Siç thuhet edhe në një hadith kudsi, Allahu nuk të bën që t’i përjetosh bashkë dy frikëra dhe dy siguri. Ata që nuk bëjnë dot lëshim nga rehatia në këtë botë, që nuk durojnë ca pak vështirësi në emër të fesë, që nuk përballen me diçka të vështirë, do të përballet në ahiret me të gjitha këto. Krejt e kundërta do të ndodhë me atë që çohet në mesnatë nga shtrati i tij i ngrohtë, që gjatë gjithë ditës duron vështirësitë e urisë dhe etjes, ai do të jetë i sigurt e nuk do të përballet me vështirësitë dhe mundimet e jetës së përtejme.
8. Të kujton takimin me Allahun
Çdo çast i agjërimi është jashtëzakonisht i vyer edhe për faktin që i kujton njeriut Allahun dhe mirësitë e Tij dhe për rrjedhojë, i sjell ndërmend atij edhe takimin edhe njëherë me Allahun, çka është mirësia më e madhe. Edhe nëse në dukje njeriu kalon nëpër vështirësi duke qëndruar larg dëshirave dhe nevojave të trupit të tij nga mëngjesi gjer në mbrëmje, të mirat që do t’i vijnë prej kësaj në amshim bëjnë që ai t’i harrojë tërësej të gjitha vështirësitë. Besimtari i agjëruar, përgjatë gjithë ditës kujton vetëm takimin me Zotin, për të Cilin i ka lënë, epshin, të ngrënin dhe të pirin. Falë këtij mendimi, e gjithë jeta e tij shkon brenda rrethit të drejtpeshimit. I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), për të treguar frytet e agjërimit, njëri për sa i përket amshimit dhe tjetri për sa i përket jetës në këtë botë, thotë:
“Për agjëruesin ka dy gëzime. Njëri është gëzimi që ndien kur do të çelë iftarin, ndërsa tjetri është gëzimi që do të ndiejë kur të takohet me Zotin e tij në saje të agjërimit.”
Besimtari i vërtetë e kalon jetën me ndjesitë dhe mendimet se një ditë do të takohet me Allahut dhe dëshiron që kjo të ndodhë një çast e më parë. Kur ai sillet me kaq shumë dëshirë, Allahu i përgjigjet kësaj dëshire të tij.
“Kushdo që dëshiron takimin me Allahun, edhe Allahu dëshiron takimin me të. Kushdo që nuk i pëlqen të takohet me Allahun, as Allahut nuk i pëlqen takimi me të.”
9. Është i mirë për shëndetin
Deri më sot janë thënë shumë gjëra në lidhje me dobitë që sjell agjërimi në shëndetin e shpirtit dhe trupit, janë botuar sa e sa artikuj dhe sa e sa libra. Dobia që ka ngrënia pak në shëndetin e njeriut është një e vërtetë shkencore e ditur prej shumë kohësh. Për rrjedhojë, duhet qëndruar sa më larg nga ngrëniet kohë e pa kohë dhe nga mbushja e stomakut me gjithfarë ushqimesh me vlera apo pa vlera ushqyese, me kushtin që të konsumohen vaktet që shërbejnë për t’i dhënë trupit sasinë e duhur të kalorive dhe energjisë së nevojshme. Dhe kjo është një nga dobitë më të mëdha të agjërimit për trupin e njeriut. Sepse një njeri që agjëron, i cili gjatë ditës nuk çon dot as edhe një kafshatë të vetme në gojë, edhe në iftar, ai mjaftohet me pak ushqim. E këtillë është edhe tradita e Profetit tonë të Nderuar (paqja qoftë mbi Të) për sa i përket agjërimit.
Sot, të gjithë profesionistët e mjekësisë thonë se mbingrënia është e dëmshme për shëndetin. Dhe është tashmë një realitet i pamohueshëm, që ngrënia shumë është i lidhur drejtpërsëdrejti me shumë sëmundje, si ato të zemrës, diabeti dhe tensioni. Mbajtja e trupit larg nga ushqimi për një farë kohe është një ndër metodat natyrale që janë përdorur vazhdimisht në kurimin e shumë sëmundjeve. Nisur nga kjo mund të themi se agjërimi ka një rëndësi të posaçme për sa i përket mjekësisë parandaluese dhe vënia e stomakut në pushim për të paktën gjatë një muaji në vit, është një rrugë e rëndësishëm edhe për shumë të sëmurë që u mjaftojnë fuqitë për të agjëruar.
Një e vërtetë tjetër është edhe se me fillimin e muajit të Ramazanit ka një rënie të ndjeshme edhe në shumë vese, si për shembull pirja e duhanit, që shkaktojnë sëmundje nga më të ndryshmet, me në krye ngurtësimin e enëve të gjakut.Madje, disa të varur e konsiderojnë si një shkak mjaft të mirë muajin e Ramazanit dhe e lënë pirjen e duhanit tërësej. Pra, përpos dobive të drejtpërdrejta, për agjërimin mund të thuhet se ai sjell edhe një sërë dobish të tërthorta si kjo.
Nga një anë tjetër, një e vërtetë e pranuar dhe e mbrojtur fort në qarqet mjekësore është edhe se ende sa pa ardhur në jetë, ende që në barkun e nënës, organet dhe sistemet e trupit tonë dhe veçanërisht sistemi tretës, herë-herë kanë nevojë për pushim. Kësisoj, agjërimi, i cili bart edhe kuptimin e vënies së trupit në pushim gjatë një muaji të vitit, është mjaft i dobishëm për trupin e njeriut edhe në këtë aspekt.
Çdo makineri që punon, pas një farë kohe, ka nevojë për pushim dhe mirëmbjajtje. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë asaj makinerie ose i shkurtohet jetëgjatësia, ose prishet. Nxënësve, pas një periudhe mësimi, u jepen pushime. Një punëtor, i cili punon nga mëngjesi gjer në mbrëmje, në darkë kthehet në shtëpi që të pushojë. Ai nuk mund të punojë dot me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën cilësi, nëse nuk kalon përmes një periudhe pushimi. Edhe trupin e njeriut, ne mund ta mendojmë si një fabrikë dhe organet, që janë pajisjet e kësaj fabrike. Kështu, agjërimi është një mundësi që fabrika e trupit tonë të pushojë, të mos vjetërohet dhe të mund të punojë vazhdimisht në mënyrë të përsosur.
Në saje të agjërimit njeriu shpëton edhe nga tepritë dhe lëndët e rrezikshme që janë mbledhur në trupin e tij. Për rrjedhojë, ai e ndien veten më të qetësuar në shpirt. Tek e fundit njeriu i sotëm nuk po lë derë pa shkuar të ankohet e të kërkojë ndihmë për të shpëtuar nga kilogramët e tepërt. Në qarqet mjekësore kjo është një e vërtetë e pranuar, që kilogramët e tepërt janë të dëmshme për shumë organe dhe sisteme në trupin tonë, veçanërisht për ndikimin që kanë në qarkullimin e gjakut dhe në një organ tejet të rëndësishëm, siç është truri. Dhe ja pra, agjërimi nuk është vetëm një mjet i mirë për të fituar shpërblime dhe në krye të tyre, arritjen e kënaqësisë së Allahut, por edhe zgjidhje për shumë shqetësime fizike të njeriut.
10. Të mëson me ekonominë
Si Kurani Fisnik, ashtu edhe hadithet e bekuara, na nxisin ne që të bëjmë ekonomi dhe na e ndalojnë që të bëjmë shpenzime të pavetëdijshme pa e menduar përfundimin. Në Kuranin Fisnik thuhen këto fjalë:
“Mos u bëj as nga ata kopracët që e lidhin dorën pas qafës, e as nga ata që nuk dinë të përmbahen, në mënyrë që të mos jesh i turpëruar nga të gjithë dhe të mos biesh në gjendjen që të ndiesh mall për gjërat e humbura.”
Me fjalët e Kuranit, ata që tregohen kopracë dhe nuk ndajnë me të tjerët nga ajo që u ka falur Allahu, janë si t’u kishin vënë kyçin duarve dhe t’i kishin lidhur ato pas qafës. Përkundër këtyre, ata që e shpërdorojnë çdo gjë dhe shpenzimet i bëjnë duke iu përshtatur dëshirave dhe epsheve të tyre, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, në fund bien në një gjendje pendese, e cila nuk përbën më kurrfarë dobie. Kurani, asnjërën syresh nuk e sheh me sy të mirë dhe duke theksuar se, as shpërdorimi, as kopracia nuk do të sjellin kurrfarë dobie, i këshillon besimtarët që të ndjekin rrugën e mesme (ekonominë):
“Ata, që kur harxhojnë, as nuk shpërdorojnë, as nuk tregohen kopracë. Ndjekin një rrugë të mesme midis të dyjave.”
“Ai i ka krijuar kopshtet dhe bahçet me streha dhe pa streha, hurmat dhe të mbjellat lloje lloje, ullinjtë që ngjajnë dhe ullinjtë që nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, shegët (frutat e shumëllojshme). Hani nga prodhimi, kur japin të mbjellat. Dhe kur të mblidhen, jepni atë që është e drejtë prej tyre. Mos shpërdoroni, sepse Allahu nuk i do shpërdoruesit.”
Ndërsa ata që nuk e kryejnë falënderimin për mirësitë që u janë falur, Allahu i paralajmëron me këto fjalë:
“Allahu dha si shembull një rrethinë: ishin të qetë dhe të sigurt. U vinte furnizim i bollshëm nga të gjitha anët. Mirëpo ata u treguan mosmirënjohës me mirësitë e Allahut dhe për këtë, Allahu i bëri ata të shijonin vuajtjen e urisë dhe frikës.”
Veç këtyre ka edhe shumë ajete të tjera, të cilat i shtyjnë besimtarët të priren nga ekonomia.
Edhe i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i ka këshilluar besimtarët që të sillen me sa më shumë ekonomi, në adhurimet e tyre, në sjellje dhe në qëndrime, në shpenzimet materiale, në të ngrënë dhe në të pirë, pra, me pak fjalë, në të gjitha fushat e jetës dhe ta bëjnë ekonominë parim të jetës së tyre:
“Ai që vepron me ekonomi (individi dhe shoqëria), nuk bëhet kurrë i varfër.”
“Allahu e pasuron atë që bën ekonomi. Kurse atë që hedh e shpërdoron më kot, e varfëron.”
“Rruga e mirë, sjellja e mirë dhe ekonomia janë një pjesë nga njëzet e pesë rrugët e profetësisë.”
Shikoni se si adhurimi i agjërimit në Islam është si një mësues që të mëson parimin e ekonomisë. Njeriu që është mësuar të bëjë ç’të dojë, me t’i ardhur në mendje dhe pa pasur kurrfarë kufizimi në vete, kur agjëron, është i detyruar e nuk mund ta bëjë këtë. Për shembull, kush ha sa herë që t’i dojë zemra, që u bindet të gjitha dëshirave fizike të trupit të vet, kur agjëron, i duhet të presë mbrëmjen, kështu që bashkë me pritjen do të mësojë edhe ekonominë dhe do të largohet nga jetesa e papërgjegjshme. 11. Përfton meritën për mirësi të përjetshme
Arritjet materiale dhe shpirtërore janë të lidhura me përballimin e disa kufizimeve, si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Njeriu që nuk ka asnjë mungesë, asnjë kufizim, përgjatë gjithë jetës, edhe pse mund të duket sikur ka disa arritje të caktuara, është në humbje për sa i përket amshimit. Për një njeri është e pamundur që të arrijë diku në emër të Islamit pa kaluar ca vuajtje dhe vështirësi. Po të shikojmë jetën e profetëve, do të vërejmë se kjo ka qenë gjithmonë e këtillë. Si ata vetë, edhe sahabët e tyre, që të mund të jetonin fenë e tyre u është dashur të përballen me shumë mungesa e kufizime dhe të durojnë sa e sa mundime dhe tortura nga ana e njerëzve të tjerë. Nuk do të ishte e pavend nëse do të thuhej se përballja me një varg mungesash dhe kufizimesh e një besimtari që do të jetojë fenë e vet është një ligj hyjnor.
Me kufizimin nga disa mirësi në këtë botë njeriu përgatit mirësitë e përjetshme të amshimit. Ndërsa njeriu që mendon vetëm si të shijojë çdo gjë të kësaj bote, shumë herë edhe duke mos bërë asnjë ndarje e lejuar-e ndaluar, ai do t’i shkatërrojë, si jetën në këtë botë, ashtu edhe jetën e përtejme. Sepse është e pamundur edhe ta mendosh, që njeriu i mësuar të hajë e të pijë lirshëm e në mesin e rehatisë të tregohet i kujdesshëm e të ndajë të lejuarën nga ajo çfarë nuk është e lejuar. Kjo është e shprehur edhe në Kuranin Famëlartë:
“Mohuesit duan t’i jetojnë në (këtë) botë të gjitha kënaqësitë, hanë dhe pijnë si kafshët.”
Kësisoj, duke përdorur vullnetin e tyre siç duhet dhe duke qëndruar të etur e të uritur besimtarët do të fitojnë virtyte dhe në saje të këtyre virtyteve, jo që nuk do ta zgjasin dorën nga e ndaluara, por do ta pengojnë veten që t’u afrohen qoftë edhe disa gjërave që nuk janë, as të lejuara, as të ndaluara. Në këtë mënyrë do të mëkëmbin, si jetën e kësaj bote, ashtu edhe jetën e amshuar duke fituar meritë për mirësitë e përjetshme që do të falë Allahu i Madhërishëm.
Çdo gjendje që mund të fitojë njeriu është e varur nga disa gjendje dhe cilësi të caktuara. Ta zëmë dikush që ftohet në një gosti në një pallat mbretëror, para se të shkojë atje ai do të kujdeset që të mësojë rregullat dhe zakonet e mirësjelljes në atë pallat. Po ashtu edhe njeriu, nëse mendon të shkojë pranë Allahut, të fitojë meritën për të pasur ndërmjetësimin e të Dërguarit Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), apo që të hyjë në Xhenet, ai duhet që më parë t’i fitojë njëherë vetë këto gjendje dhe cilësi. Dhe adhurimet, me në krye agjërimin në këtë rast, e përgatitin njeriun duke e bërë të denjë për këto mirësi dhe për t’u ngjitur nëpër këto lartësi.
12. Të mëson besnikërinë ndaj amanetit
Një ndër cilësitë që duhet të bartë medoemos një besimtar është edhe besnikëria ndaj amanetit. Edhe Kurani Fisnik, me ajetin: “Besimtarët tregojnë kujdes të veçantë për amanetin dhe premtiminqë bëjnë.” – e ka renditur besnikërinë ndaj amanetit si një ndër shenjat e të qenit besimtar. Kjo do të thotë se njerëzit që nuk e kanë këtë cilësi, bartin në vete një prej veçorive të hipokrizisë. Edhe Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) e ka shpjeguar me këto fjalë rëndësinë e kësaj çështjeje:
“Tri janë cilësitë e hipokritit: kur flet, gënjen; kur jep fjalën, nuk e mban atë; kur i lihet amanet diçka, ai e tradhton amanetin.”
Në mënyrë të fshehtë, por edhe të hapur, edhe agjërimi përherë u mëson njerëzve besnikërinë ndaj amanetit. Sepse askush tjetër, përveç Allahut, nuk mund të shohë e vëzhgojë nëse dikush është kufizuar ose jo nga ngrënia dhe pirja e gjërave të lejuara nga Allahu. Duke e braktisur ngrënien dhe pirjen nga mëngjesi gjer në mbrëmje besimtari respekton kufijtë e vendosur nga ana e Allahut. Megjithëse janë të gjitha mundësitë dhe nuk ka asnjë njeri që ta shohë, besimtari e vijon agjërimin e vet. Kështu, nga mëngjesi gjer në mbrëmje, ai jeton me ndjenjën e ruajtjes së amanetit. Ky qëndrim i mbajtur kundrejt agjërimit reflekton në të gjithë jetën e myslimanit në tërësi. Rrjedhimisht, një besimtar që agjëron do të jetë tejmase i kujdesshëm në ruajtjen e çdo amaneti që i lihet, përgjatë gjithë jetës.
13. Të mëson besnikërinë dhe mirënjohjen
Me ndjenjën e mirënjohjes individi bëhet i denjë për të qenë i besueshëm dhe kjo e lartëson. Foleja familjare ka vijimësi nëse është e ngritur mbi ndjenjën e besnikërisë dhe mirënjohjes dhe kjo e mban të gjallë. Kombet, në saje të kësaj ndjenje të lartë bëhen të virtytshme. Shteti e ruan dinjitetin kundrejt popullit të vet vetëmse përmes kësaj ndjenje. Në një vend që e ka humbur ndjenjën e mirënjohjes nuk mund të bëhet fjalë as për individë të pjekur, as për fole familjare që premtojnë siguri dhe pa këto as për shtet të pavarur dhe të besueshëm. Në një vend të këtillë individët janë plot dyshim karshi njëri-tjetrit, familja brenda saj jo e qetë, shteti kundrejt njerëzve një fatkeqësi më e madhe se çdo fatkeqësi tjetër dhe çdo gjë është e tëhuajëzuar ndaj njëra-tjetrës. Mirënjohja bën që individët të shkojnë më së miri me njëri-tjetrin dhe të përbashkohen në një organizëm të vetëm. Falë mirënjohjes pjesët bëhen një e tërë; pjesë të ndryshme dhe të ndara nga njëra-tjetra bëhen bashkë dhe shkrihen në njëjësi. Kur ndjenja e mirënjohjes shkrihet në pafundësi, rrezet e dritës që vijnë nga përtej ndriçojnë rrugën e masave dhe çel çdo bllokim që i ka zënë shoqërisë rrugën. Mjaft që ajo shoqëri të ketë arritur pjekurinë me ndjenjën e mirënjohjes dhe ta ketë lënë veten të sigurt në krahët mbajtës dhe përbashkues të saj.
Ky është edhe një tregues i rëndësisë së posaçme që ka ajo, përderisa Kurani e përthekson duke thënë: “Mbajeni fjalën e dhënë. Sepse fjala e dhënë kërkon përgjegjshmëri.” – dhe i paralajmëron njerëzit që ata të jenë mirënjohës.
Kësisoj agjërimi është ndoshta adhurimi më i mirë ku shfaqet ndjenja e mirënjohjes. Sepse ai është një besëlidhje mes Allahut dhe robit të Tij. Në prerje të caktuara të kohës, robi do të heqë dorë nga gjëra të caktuara, prandaj duke vepruar në këtë mënyrë ai do të kryejë një akt besnikërie dhe mirënjohjeje karshi Zotit. Njëkohësisht, me agjërimet e mbajtura ai do ta zhvillojë edhe më tej ndjenjën e besnikërisë dhe mirënjohjes dhe sakaq mirënjohja do të bëhet një pjesë e pandarë e tij. Dhe ai që e kthen në gjendjen e vet këtë qëndrim, si në jetën individuale, ashtu edhe në atë shoqërore dhe familjare, do të shndërrohet në një statujë të mirënjohjes.
Muaji i Ramazanit, çdo njeri që di të përfitojë prej tij e shndërron, sipas nivelit të gjithsecilit, në një hero të mirënjohjes dhe besnikërisë. Besimtari që agjëron dhe përpiqet të kuptojë gjithë fshehtësitë e tij, nuk qëndron dot pa ngarendur pas mirënjohjes dhe besnikërisë, si në prirjen e tij kah Allahu, ashtu edhe në marrëdhëniet me njerëzit. Ai nuk do të mjaftohet vetëm qenien një njeri që kryen disa adhurime në disa kohë të caktuara, por do të ecë drejt horizontit të robërisë dhe të gjithë ditën do ta vlerësojë me vetëdijen e robërisë dhe çdo çast do ta përjetojë sikur një çast të adhurimit të Krijuesit. Me të braktisur prirjet e tij të kësibotshme dhe dëshirat e trupit, përpara syve i shfaqet synimi i kthimit në një hero të së vërtetës dhe të vetëkushtimit ndaj Allahut të Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu). Për të arritur te ky synim, e thënë me fjalët e Bediuzamanit të nderuar, do të bëjë çdo përpjekje që të qëndrojë veç brenda rrethit të “të menduarit për Allahun, të folurit për Allahun, të dashurit vetëm të Allahut, ‘lil’lah, liuexh’hil’lah, liexhlil’lah” dhe për të qenë përherë i prirur vetëm kah Allahu që është më i Drejti; i afrohet çdo ditë e më shumë suksesit në arritjen e synimit me çdo përpjekje që bën. Sakaq ai shndërrohet në një njeri të mirënjohjes dhe besnikërisë. Zaten edhe vetë agjërimi është shenja më e bukur e ndjenjës së mirënjohjes. Në kohë të caktuara, robi braktis disa gjëra të caktuara dhe me këtë tregon që ai është besnik ndaj premtimit të bërë; dhe Allahu i Madhërishëm premton se do të jetë vetë Ai që do ta japë shpërblimin e kësaj.
Njeriu që tregohet besnik ndaj Allahut, edhe në jetën e tij personale dhe shoqërore lartësohet në nivelin e “shëmbëlltyrës së besnikërisë dhe mirënjohjes”. Me këtë ndjenjë ai tregohet më i kujdesshëm në marrëdhëniet familjare; i zgjat çdokujt dorën e ndihmesës, aq sa hyn në një gjendje, në të cilën nuk ka më të ngopur nga ndarja në rrugën e Allahut prej asaj që është e tija.
14. Të mëson të mos kesh pritmëri
Ndjenja e mospritmërisë tek individët, prej të cilëve është e përbërë shoqëria, është një ndër dinamikat që e mbajnë në këmbë shoqërinë. Në një hadith të bekuar thuhet: “Allahu e pasuron atë që sillet me mospritmëri.”– dhe në të na është treguar se cili është fryti i mospritmërisë, duke i nxitur besimtarët që ta synojnë një cilësi kaq të mirë.
Në një masë shumë të madhe një ndër shkaqet që njerëzit e vënë veten në pozita poshtëruese, aq sa të bien në marrëdhënien e robërisë dhe skllavërisë ndaj njerëzve, është fakti që vënë në plan të parë interesat materialë dhe u nënshtrohen dëshirave që nuk kanë të reshtur të egos së tyre. Duke agjëruar njeriu ngre një mur të lartë përballë ngacmimeve dhe vesveseve djallëzore që dëshiron t’i pëshpërisë egoja e tij, i merr frerët në duart e veta dhe përpiqet t’ia japë vetë drejtimin e duhur. Sepse, kur është me agjërim, njeriu është i mbyllur ndaj të ngrënit dhe të pirit dhe ndaj shumë dëshirave trupore dhe ndjenjave të tjera të kësibotshme. Kësodore ai lirohet nga trysnia e kësaj bote dhe nis të zotërojë një mënyrë jetese kryelartë duke fituar pjesën që i takon nga kjo cilësi, për të cilën Allahu ka thënë se u takon besimtarëve. Ja se si thotë Zoti:
“Kryelartësia u përket Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve.”
15. Të përfton sekretin që Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe gjë ka nevojë për Allahun
Që Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe çdo gjë ka nevojë për Allahun (Samed) është një ndër cilësitë e patëmeta të Allahut të Lartësuar. Sureja “Ihlas” e shpjegon më së bukuri këtë të vërtetë:
“Thuaj: Allahu është Një. Ai është Allahu (Samed), që çdo gjë ka nevojë për Të dhe Ai nuk ka nevojë për asgjë.”
Ai është Një, i Vetëm; Hasha! Ai nuk është një krijesë e përbërë nga atome apo thërrmija të bashkuara, të cilat mund të copëzohen apo reduktohen. E thënë me fjalë të tjera, Ai nuk është një element dhe as një produkt. Ai është një Qenie e Panjohur që na e bën Veten të njohur nëpërmjet ndodhive dhe , të Cilën ne jemi të mangët ta përkapim. Poende Ai është Një dhe i Vetëm që mbështetet te Njëshi, atje ku mbaron çdo ndarje dhe ku merr fund çdo lloj forme komponimi apo zbërthimi. Ai është Një i atillë që ndjenja e mbajtjes fort pas jetës e secilit e ka burimin drejtpërsëdrejti nga drita e shenjtë e Tij dhe secilit i jepet po prej Tij sipas vlerës së vet. Në këtë këndvështrim Allahu është që nuk ka nevojë për asgjë dhe çdo gjë ka nevojë për Të. Çdo gjë, në çdo aspekt të saj, ngarend drejt Allahut, me Të e plotëson çdo mangësi të vetën, çdo gjë e të gjithë kanë nevojë për Të, por Ai nuk ka nevojë për asgjë e askënd. Ja, këto janë domethënie të emrit Samed të Tij, që nuk ka nevojë për asgjë dhe çdo gjë ka nevojë për Të. Ai ua plotëson të gjithëve çdo nevojë dhe asgjë nuk shteret në thesaret e Tij. Në kuptimin absolut Ai është mospritës ndaj gjithçkaje. Sepse Ai është Samed.
“Thuaj: Sikur të gjitha detet të bëhen bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, madje sikur t’ju sjellim edhe njëherë sa aq, do të shtereshin ato dete dhe fjalët e Zotit tim nuk do të mbaronin.”
Sikur detet të bëhen bojë dhe të shkruajnë, duke nisur që nga krijimi e deri te furnizimi i gjithçkaje me ushqimin dhe të mirat e nevojshme, mbaron gjithçka, e prapëseprapë fjalët e Allahut nuk mbarojnë. Sepse, çdo ditë, Ai është në një gjendje të veçantë. Nuk ka mbarim dhe reshtje në asgjë të Tij. “Ai është çdo ditë në një zotërim të veçantë.”
Allahu (xhel’le xhelaluhu) nuk ha, nuk pi dhe mbi të nuk kalon kohë; as që mund të bëhet fjalë për gjini mashkullore dhe femërore për Të. Ai është i shenjtë dhe absolutisht larg dhe i pastër prej çdo gjëje të këtillë. Edhe robi, kur agjëron, nuk ha, nuk pi dhe shumë herë i harron fare dëshirat dhe kërkesat e tij njerëzore. Edhe pse ka çdo gjë dhe mund të bëjë shumë gjëra, ai i shtyn me të pasmen e dorës tërësej dhe mban një qëndrim të epërm mospritmërie. Kësisoj krijohet një farë rezonimi me botën e mëshirës dhe si një marrës sinjali nëpërmjet frekuencave ai përfiton nga flladet e ëmbla që fryjnë prej asaj bote dhe ato pushtojnë zemrën e tij.
Po, Allahu është Samed (Nuk ka nevojë për asgjë dhe çdo gjë ka nevojë për Të). Dhe këtë nuk mund ta kuptojnë veçse ata që janë të denjë për t’u sjellë si të tillë. Siç e shprehëm edhe më sipër duke përmendur hadithin kudsi: “Agjërimi është për Mua (më përket Mua); dhe jam Unë që do ta jap shpërblimin për të.” – Allahu, shpërblyerjen e një akti si agjërimi e sheh si të lidhur fort në një raport të drejtpërdrejtë me qenien e Tij i Lartësuar dhe edhe në këtë pikë ndihet fortë reflektimi i të qenit të Tij Samed, që gjithçka e gjithkush ka nevojë për Të dhe Ai nuk ka nevojë për asgjë e për askënd.
16. Të mëson me disiplinën
Disiplinë do të thotë urdhëresa dhe ndalesa që duhen ndjekur me përpikëripër sigurimin e rendit dhe bart kuptimin e një edukate dhe “shpirti të rendit” mendor, shpirtëror dhe në moral, që janë të nevojshme që të mund të bëhesh njeri i ekuilibruar. Kurse njeri i disiplinës është ai njeri që jeton në qerthullin e disa ligjeve dhe principeve të caktuara dhe që sillet me një kujdes e përpikëri shumë të madhe për të jetuar me rregulla e sipas një rendi të caktuar.
Në të vërtetë, në çdo kohë, jeta e besimtarit duhet të jetë në një harmoni të plotë. Ai duhet ta dijë që më parë se çfarë duhet të bëjë, me çfarë punësh duhet të merret dhe kjo duhet të jetë sjellja e përhershme e tij. Ai duhet të jetojë duke e ditur dhe përcaktuar që më parë se çfarë duhet bërë, përherë të veprojë sipas një plani të caktuar dhe kurrsesi nuk duhet të ketë mendime të llojit, “vallë ç’të bëj tani?” – Ai duhet ta ndajë dhe ta caktojë që më parë çdo gjë, si në përmbushjen e detyrimeve të robërisë së tij ndaj Allahut të Madhërishëm, ashtu edhe të përgjegjësive të tij karshi njerëzve të tjerë, por edhe punët e tij përherë duhet t’i realizojë sipas një disipline të përvijuar më së miri; me çdo gjendje të tijën ai duhet të shpërfaqë një shembull të rendit dhe rregullit. Veçanërisht adhurimet janë gurë themeli tejet të rëndësishëm për sa i përket ndarjes së punës dhe kohëve të tyre dhe në më të shumtën e kohës, njeriu që beson i sistemon punët e tij sipas këtij kalendari të adhurimeve. Duke thënë, “pas namazit të drekës”, “para namazit të akshamit”, ai merr në konsideratë adhurimet dhe e ndan ditën në disa prerje të kohës dhe rreket që të mos e kalojë më kot asnjë çast të saj.
Ata që e dinë vlerën e kohës dhe që e vlerësojnë jetën si një mirësi shumë të rëndësishme, e cila duhet vlerësuar siç duhet, e vënë në disiplinë çdo gjë, duke nisur që nga të ngrënët dhe të pirët, e deri te rënia dhe ngritja nga shtrati; asgjë të tyren, ata nuk e lënë në rrëmujë dhe kaosin e paqartësisë. Ata e dinë, që koha kur kanë produktivitetin më të lartë, si njerëzit, ashtu edhe institucionet, është koha kur ato janë më të rregullta dhe me rend.
Kështu, edhe muaji i Ramazanit dhe agjërimi, të mësojnë se si ta disiplinosh jetën, duke të ndihmuar që të përcaktosh një qëndrim të caktuar karshi gjërave që dëshiron egoja, si të ngrënët, të pirët dhe të fjeturit, duke i kryer të gjitha këto aq sa është nevoja e trupit dhe me një ndjenjë të fortë mirënjohjeje dhe falënderimi. Duke u mbështetur te atmosfera e zemrës dhe shpirtit karshi kërkesave të egos, ai të jep një mësim për qëndrimin e përhershëm në drejtpeshim nëpërmjet vënies në veprim të ndërgjegjes dhe forcimit të vullnetit.
Muaji i bekuar i Ramazanit bën të mundur kufizimin dhe mbajtjen në kontroll të dëshirës për të ngrënë dhe për të pirë, e cila është një nga damarët më të dobët të njeriut. Sikur të mëson një disiplinë të veçantë të ushqyerjes. Po, njeriu ka nevojë absolute që të hajë e të pijë, në mënyrë që të mund të vazhdojë jeta. Por çdo gjë e ngrënë dhe e pirë pa kurrfarë kriteri, pa njohur kohë dhe vend dhe pa u pasur parasysh principet e domosdoshme të shëndetit të trupit do të jetë e dëmshme për shëndetin; do të kthehet në një fatkeqësi të stomakut, i cili do të shtrëngojë zemrën dhe do ta marrë njeriun nga shkallët e larta të zemrës dhe shpirtit dhe do ta zbresë në gropat e trupores dhe kafshërores. Dhe kjo është një fatkeqësi jo vetëm për atë vetë, por edhe bie kryekëput ndesh me kënaqësinë e Allahut.
Agjërimi i mbajtur gjatë këtij muaji të bekuar e bën njeriun ta vërë trupin të bëjë ushtrime të rëndësishme, si përcaktimi i kohëve të ngrënies, shmangia nga mbushja e stomakut plot, qëndrimi larg nga të gjitha gjërat që i bëjnë dëm shëndetit të trupit dhe shpirtit dhe njëkohësisht, që ai të qëndrojë brenda rrethit të së lejuarës dhe të mos i zgjasë duart kah e ndaluara. Njerëzit që arrijnë të bëhen njësh me muajin e Ramazanit fitojnë një disiplinë shpirtërore në të gjitha këto aspekte.
Një tjetër shenjë e rëndësishme e raportit me Allahun e Drejtë është edhe leximi i Kuranit, lutjet dhe përgjërimi Allahut dhe qëndrimi pa pra i drejtuar vetëm drejt Tij. Sa keq që për shumë njerëz nxjerrja dhe dhënia fund i burgosjes së Kuranëve Fisnikë nga sëndukët me varak dhe këllëfët e mëndafshit, për ta bërë atë ëmbëlsi dhe sherbet të gjuhës dhe zemrës, bëhet e mundur vetëm gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Ky muaj i bekuar u jep qiellzave një shije të Kuranit dhe u mëson njerëzve disiplinën e përmendjes së vazhdueshme të Allahut.
Ja pra, për një muaj me radhë, njerëzit që sillen në bazë të disa ligjeve dhe rregullave të caktuara në lidhje me të ngrënët dhe të pirët, të fjeturit, adhurimit dhe përmendjes së Allahut, që në një farë kuptimi arrin shpirtin e disiplinës dhe përpiqen ta jetojnë jetën me rend dhe rregull, duhet të bëjnë çmos që të njëjtin rend dhe disiplinë ta ruajnë edhe pas muajit të Ramazanit. Për shembull, besimtarët që përgjatë një muaji të plotë, çohen çdo natë, ndërpresin gjumin që të përfitojnë nga begatia e syfyrit dhe takohen edhe njëherë me Allahun nëpërmjet sixhades, duhet ta konsiderojnë këtë tridhjetëditësh si një periudhë ushtrimi dhe çdo natë të mëtejshme të vitit ta dinë një vend të ritakimit me Allahun dhe më së paku, netët t’i kalojnë duke i ndriçuar me disa rekate namaz të tehexhudit.
Po, njeriu i disiplinës e përcakton që më herët se si duhet të jetojë dhe se si duhet të veprojë dhe ku; përcakton një kurs udhëtimi duke u bazuar në disa kritere të caktuara dhe çdo hap që hedh e hedh me vetëdije të plotë. Ngjyrat, motivet dhe dekorin e sjelljeve dhe veprimeve tona i ka përcaktuar fillimisht feja. Për shembull, besimi tek Allahu dhe i Dërguari i Tij janë një kriter shumë i rëndësishëm për ne. Ky kriter është një udhërrëfyes i qenësishëm, që na përcakton edhe drejtimin e hapave tanë të mëtejshëm. Ne jemi të ngarkuar me misionin që t’ua tregojmë edhe të tjerëve Zotin që besojmë dhe të Dërguarin e Tij Fisnik, që e kemi udhërrëfyes të jetës. Rrjedhimisht, ne përpiqemi të hyjmë në zemrat e njerëzve dhe bëjmë çdo përpjekje që ta përfaqësojmë atë më së miri, në mënyrë që ata të njihen me të gjitha bukuritë e Islamit. Nisur nga ky qëllim, ne qëndrojmë në mesin e njerëzve me sjelljet dhe qëndrimet tona, të cilat janë të formësuara nga burimet e fesë sonë; ua bëjmë edhe atyre të ditura këto vlera. Për t’ua treguar të gjithëve të vërtetave që ne u jemi përkushtuar – me kushtin që të mos përfshihemi kurrë në asnjë çështje që është e ndaluar kategorikisht në fenë tonë – i përdorim të gjitha mjetet e lejuara dhe bëjmë çdo përpjekje për t’i kapërcyer të gjitha pengesat mes njerëzve dhe të vërtetave të besimit. Megjithatë ka edhe një ndryshim, i cili meriton vëmendje; ka një dallim mes sjelljes me rregullore dhe të qenit njeri i disiplinës: ne duhet të tregojmë një kujdes të jashtëzakonshëm që të kemi parasysh tërë kushtet e kohës në të cilën jetojmë, të kemi parasysh të vërtetat e mjedisit kulturor ku jetojmë dhe përherë t’u drejtohemi njerëzve me një gjuhë dhe metodologji që do të jetë më se e kuptueshme për ta.
Nëse ne ia kemi kushtuar jetën arritjes së kënaqësisë së Allahut dhe arritjen e kësaj kënaqësie shpjegimit njerëzve të Allahut të Madhërishëm, atëherë kudo që të jemi, cilatdoqofshin kushtet dhe konditat në të cilat jetojmë, as që mund të bëhet fjalë që ne të qëndrojmë, të tregohemi të dobët, apo t’u shmangemi përgjegjësive tona. Duhet të ruajmë një gjuhë dhe metodologji të caktuar sipas çdo stine dhe çdo periudhe dhe të mos mbetemi për as edhe një grimëçast pas në përfaqësimin e të vërtetave më të përzemërta.
Pa dyshim, vështirë të arrihen, një lartësi e zemrës si kjo dhe një shpirt disipline kaq i rrallë, nëse nuk do të ketë një ndihmesë të veçantë. Arritja drejt këtij horizonti kërkon kohë të gjatë dhe ushtrime serioze. Mjaft të kuptojmë që muaji i Ramazanit është një fillim dhe një stinë tejet e rëndësishme e korrjes së begatisë së arritjes së këtyre cilësive.
Vërtet, për njerëzit që besojnë, gjithë jeta e njeriut është një Ramazan, adoleshenca kohë e agimit dhe vdekja kohë e iftarit. Një muaj i Ramazanit është si një ushtrim i agjërimit të një robërie që zgjat një jetë të tërë. Ata që arrijnë t’i fitojnë këto cilësi të rralla në vetëm tridhjetë ditë, por arrijnë t’i kenë ato të vijueshme përgjatë gjithë jetës, janë ata që në këmbim të qëndrimit pa ngrënë dhe pa pirë për një farë kohe të caktuar, matanë do të dëgjojnë një zë t’u thotë: “Robërit e Mi, shumë herë ju pashë që ju kishte ikur ngjyra e fytyrës, ju ishte prishur e zbehur çehreja, ju ishin futur sytë përbrenda dhe gropat e syve ju ishin bërë edhe më të theksuar. Të gjitha këto, ju i përballuat për Mua. Kundrejt gjithë atyre që ju bëtë në ditët e shkuara për Mua, ejani sot të hani e të pini me shpirt.” – Ja, atë ditë, ata do të bëjnë iftarin e vërtetë.
B. Përfitimet e shoqërisë
Shoqëria përbëhet nga individët. Që kaherë njerëzit jetojnë në shoqëri. Dhe një shoqëri mund ta vazhdojë jetën e saj në paqe dhe harmoni vetëm e vetëm kur individët kanë një strukturë individuale të shëndoshë dhe me karakter. Por edhe kjo është e mundur vetëm përmes qëndrimit lidhur fort pas kritereve të caktuara nga ana e Krijuesit. Po, Allahu jo vetëm e ka krijuar njeriun, por edhe i ka përcaktuar atij se si duhet të sillet e si duhet të jetojë. Për këtë Ai ka shpallur një varg ligjësish, me të cilat ka dashur mirëqenien e shoqërisë që do të krijohet prej këtyre individëve.
1. Bën të mundur përbashkimin dhe bashkëjetesën
Në saje të agjërimit të Ramazanit njeriu krijon lidhje të shumëllojshme me njerëzit e tjerë, veçanërisht në jetën shoqërore. Jo vetëm kaq, por ai ndien edhe një lidhje dhe raport shumë të fuqishëm me të gjithë ata. Të gjithë besimtarët nisin agjërimin në të njëjtën kohë, kur vjen iftari, ata e presin atë në të njëjtën kohë, ngrihen në syfyr njëkohësisht, i falin teravitë të gjithë bashkë, i japin jetë natës së Kadrit dhe të gjithë bashkë nisen të hyjnë në atmosferën e Bajramit etj., çka bëhet shkas për lindjen e një dashurie dhe vëllazërie të vërtetë e të shëndoshë. Kësisoj, besimtarët, siç thuhet edhe në fjalët e ndritura të Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), “Besimtarët janë si një trup i vetëm, kur mendon lidhjet e dashurisë, mëshirës dhe dhembshurisë që ekzistojnë në mes tyre. Kur ndodh të sëmuret një gjymtyrë, atëherë edhe të gjitha gjymtyrët e tjera mbeten pa gjumë dhe i zë temperatura; ja, kështu janë edhe besimtarët.”Me një mendim kaq të çmuar si ky në mesin e shoqërisë lind dhe ngrihet shpirti përbashkimit dhe bashkëjetesës.
Për shembull, dy njerëz të ndryshëm që presin një tren, i cili vjen nga larg, e ndiejnë veten më afër me njëri-tjetrin krahasuar me të gjithë njerëzit e tjerë. Gjatë kësaj pritjeje, mes tyre lind një afrim, një njohje reciproke. Vetëm sepse janë duke pritur të njëjtën gjë, këta dy njerëz përbashkohen dhe afrohen edhe më shumë me njëri-tjetrin. Nëse të dy janë duke pritur të njëjtin person që është duke udhëtuar me atë tren, atëherë kjo njohje mes tyre kthehet në miqësi. Sepse tanimë mes tyre është krijuar edhe një lidhje e dytë.
Po njësoj, edhe mbledhja e pjesëtarëve të një familjeje rreth së njëjtës sofër, në pritje të iftarit, apo mënyra se si të gjithë besimtarët, një e nga një, presin çastin e iftarit, do t’i afrojnë njerëzit edhe më shumë me njëri-tjetrin. Ata do të lidhen edhe më fort pas njëri-tjetrit edhe nga gëzimi dhe lumturia që të fal kryerja e detyrave në mënyrën e duhur.
Pritja e kohës së çeljes së iftarit është shumë e rëndësishme edhe në shtimin edhe më të dashurisë mes pjesëtarëve të familjes, si edhe për sa i përket ngritjes së familjes mbi themele edhe më të forta e të shëndetshme. Kjo situatë do të ndihmojë edhe në forcimin e lidhjeve të dashurisë dhe vëllazërisë mes të njohurish dhe të panjohurish, të cilët bëhen bashkë si të ftuar nëpër gosti të ndryshme me rastin e muajit të Ramazanit.
2. Të kujton gjendjen e të varfrit
Muaji i Ramazanit ka një aspekt të vëllazërisë dhe miqësisë. Nëpërmjet agjërimit njeriu mendon edhe për gjendjen e të varfërve që nuk kanë mundësi të gjejnë diçka për të ngrënë; e kupton më mirë gjendjen e tyre, kur është i uritur. Kjo gjendje bën që brenda tij të gëlojnë ndjenjat e bujarisë. Sajë këtij gëlimi ai përpiqet të bëjë sa më shumë mirë, sidomos gjatë muajit të Ramazanit.
Nga pikëpamja e pasurisë njerëzit nuk janë të barabartë. Ndërkohë që dikush lind me një varg mundësish nga pikëpamja e kësaj bote, në anën tjetër, ka shumë njerëz që mund të shpenzojnë të gjithë jetën e tyre e të mos i kenë ca mundësi materiale. Në të dyja këto gjendje, njeriu vazhdon të jetë nën sprovimin e Allahut. Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) nuk i ka lënë krejtësisht të pavarur të pasurit, të cilëve u ka dhënë plaçkë dhe pasuri, por u ka urdhëruar që ata të ngarendin në ndihmë të të varfërve përmes rrugëzgjidhjesh si zekati, lëmosha dhe sadakaja. Dhe që i pasuri t’i zgjasë të varfërit dorën për ta ndihmuar, apo të kujdeset për nevojtarin, kjo ndodh më së miri vetëm pasi ai ta ketë provuar njëherë në trupin e tij gjendjen e të varfërit. Agjërimi është i vetmi që mund ta bëjë të pasurin ta provojë këtë gjendje.
Duke e shtyrë që të qëndrojë i etur e i uritur në kohë të caktuara agjërimi i mëson të pasurit, i cili e jeton jetën duke shijuar ushqimet më të shijshme, e ndoshta nuk ia ka as idenë se si është uria, se si është uria dhe etja. Një uri si kjo bëhet shkas që të pasurit, të cilët i kanë të gjitha mundësitë materiale, ta kuptojnë më mirë gjendjen e atyre njerëzve që përpëliten mes mungesës dhe varfërisë dhe për rrjedhojë edhe që ata të ndryshojnë qëndrim dhe sjellje ndaj tyre, madje te ta të zhvillohet edhe ndjenja e ndihmesës. Kur të pasurit fillojnë të shfaqin një sjellje si kjo, edhe te të varfërit nis të zbehen dhe të zhbëhen ndjenjat e hasetit dhe urrejtjes që janë potencialisht të pranishme te të varfërit, gjersa të parandalohen ende sa pa u shfaqur përplasjet e mundshme që mund të lindin mes këtyre dy klasave. Madje i varfri do që të bëhet vetë mbrojtës i pasurisë së të pasurit. Përndryshe ndodh krejt e kundërta, nëse nuk ka ndjenja bujarie te të pasurit dhe vetëmjaftim, mospritmëri, virtyt dhe dorëzim tek Allahu te të varfërit, atëherë përplasja mes tyre është e paparandalueshme. Agjërimi është dinamika më e rëndësishme që i vë në lëvizje këto ndjenja dhe emocione. Për rrjedhojë, të pasurve u krijohet mundësia të shohin gjendjen e atyre që nuk janë të pasur si ata, duke bërë që të kujtojnë fjalët e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i Cili thotë:
“Nuk është (vërtet) besimtar, ai që e ngrys natën, ndërkohë që fshinji i tij është i uritur.”
Gjendja e të uriturit kuptohet më së miri kur je vetë i uritur dhe e të eturit, kur je vetë i etur. Mbajtja e agjërimit duke i frenuar dëshirat dhe kërkesat tona, si përgjigje ndaj urdhëresës së Allahut, si dhe mësimi ynë me dietën në këtë aspekt, do të bëjnë që ne të jemi më të mirë në jetën shoqërore dhe të bëhemi një pjesë e përsosur e një shoqërie të përkryer.
3. Parandalon lypjen
Njeriu që e edukon egon e vet duke agjëruar, përballon vështirësitë dhe i rreh gjoksin urisë dhe etjes, kaplohet nga një gjendje që nuk ka krijesë a ndodhi që nuk mund t’i bëjë ballë. Tashmë atë nuk e kufizojnë dot, as uria, as etja. Çfarëdo vështirësie të ketë, sikur edhe të ngelet i etur dhe i uritur për ditë me radhë, ai nuk e sakrifikon nderin dhe krenarinë e tij dhe t’u shtrijë të tjerëve dorën. Ndërsa ai që nuk di asgjë rreth agjërimit, që nuk ka mbajtur agjërim në periudha të caktuara të jetës dhe nuk është mësuar me qëndrimin pa ngrënë dhe pa pirë, nëse i ndodh që të kaplohet nga varfëria dhe uria, ai mund të fillojë të dalë derë më derë për të lypur, duke e marrë nëpër këmbë nderin dhe krenarinë e vet.
Shënimet
- 157.Dhariat, 51/56.
- 158.Tirmidhiu, daauat 87; Ibni Maxhe, sijam 44.
- 159.Hud, 11/11.
- 160.Hud, 11/115.
- 161.Dhumer, 39/10.
- 162.Al-i Imran, 3/26.
- 163.Jusuf, 12/53.
- 164.Muslim, dhikr 73; Ebu Daud, uitr 32; Tirmidhiu, daauat 68.
- 165.Tirmidhiu, deauat 14, fadlu’t-tesbih 95; Ebu Daud, neum 8.
- 166.Buhariu, nikah 2, 3; Muslim, nikah 1.
- 167.Buhariu, saum 8, edeb 51; Tirmidhiu, saum 16; Ebu Daud, saum 25.
- 168.Buhariu, isti’zan 12, kader 9; Muslim, kader 5.
- 169.El-Bejhaki, ez-Zuhd, fq. 165; Hatib el-Bagdadi, Tarihu Bagdad 13/523.
- 170.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Mektubat fq. 454 (Letra e Njëzetenëntë, Pika e tetë). 176 Tin, 95/4-6.
- 171.Enbija, 21/26-28.
- 172.Dharijat, 51/22.
- 173.Muminun, 23/18-19.
- 174.Abese, 80/24-32.
- 175.Bakara, 2/152. 182 Ibrahim, 14/7.
- 176.Sexhde, 31/16.
- 177.Hakka, 69/24.
- 178.Buhariu, saum 22; Muslim, sijam 163.
- 179.Buhariu, rikak 41; Muslim, dhikr 14, xhenet 63.
- 180.Isra, 17/29.
- 181.Furkan, 25/67.
- 182.En’am, 6/141.
- 183.Nahl, 16/112.
- 184.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/447; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 5/331.
- 185.El-Bezzar, el-Musned 3/161.
- 186.Ebu Daud, edeb 2; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/296.
- 187.Muhammed, 47/12.
- 188.Mu’minun, 23/8.
- 189.Buhariu, iman 24, shehadat 28, uesaja 8, libas69; Muslim, iman 107-110.
- 190.Isra, 17/34.
- 191.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 21 (Shkrepëtima e tretë, Pika e tretë).
- 192.Buhariu, zekat 50; Muslim, zekat 124.
- 193.Munafikun, 63/8.
- 194.Ihlas, 112/1-2.
- 195.Kehf, 18/109.
- 196.Rahman, 55/29.
- 197.Buhariu, edeb 27; Muslim, birr 66.
- 198.El-Hakim, el-Mustedrek 2/15.