TRE MUAJT DHE RAMAZANI

A. TRE MUAJT

1. Tre muajt: Prerja e bekuar e kohës

Tre muajt kanë një shije, një aromë, që është krejt e veçantë dhe i dallon ata nga muajt e tjerë të vitit... megjithëse të gjithë muajt ne i ndiejmë dhe i jetojmë secilin sipas bukurive dhe frymës së vet, kjo prerje e veçantë e kohës jetohet me zemër dhe ndjenjat më të thella të brendshme. Njerëzit që i drejtohen botës së zemrës në këta muaj, sikur depërtojnë nëpër perden e ekzistencës me dritat që rrjedhin nga besimi dhe bindja e tyre ndaj Allahut, aq sa në ndjenja bëhen sikur të kenë arritur e të jenë zgjuar në parajsat e Firdeusit ku do të jetojnë një përjetësi. Për ta, edhe ditët, netët, madje edhe orët dhe minutat e këtyre muajve, sikur vijnë dhe ikin me një magji të tjetërfartë; vijnë dhe ikin dhe sipas gradës së secilit, i pëshpërisin diçka gjithkujt.

Në këta muaj koha është përherë e veshur me ngjyrat e amshimit... njerëzit bëhen fare të butë, sikur të ishin banorët e jetës së përtejme dhe arrijnë një thellësi të mistershme. Të gjithë, ehe nga thellësia e vetes, por edhe nga zemra e ekzistencës, sikur dëgjojnë një poezi me përmasën e përjetësisë dhe në grumbuj, shëtisin nëpër lindjen dhe perëndimin e sa e sa ëndrrave, kujtimeve, pritshmërive. Herë-herë të trishtuar, herë-herë të gëzuar, këta tre muaj na kujtojnë, edhe mallin e Parajsës së humbur, edhe na kaplojnë në tërë qenien tonë me shpresën se mund ta gjejmë sërish atë. Po, kujtimet dhe nxitjet e këtyre ditëve që mund ta shndërrojnë në një tjetër gëzim, në një tjetër hare, në një tjetër tension dhe në një tjetër aksion çdo minutë të jetës, i shndërrojnë ndjenjat tona në një poezi të heshtur, ndërsa jetët në nga një bukuri të magjishme.

Me përfshirjen e zemrave nga drita e këtyre muajve, dritat e rrugës, zërat e ëmbël që vijnë nga minaretë, gjallëria shpirtërore që mbizotëron ngadodhe butësia në fytyrat e njerëzve që ngarendin drejt faltoreve, kjo prerje plot dritë e kohës të kujton kohët e Xhenetit, duke u paraqitur njerëzve që ia dinë vlerën shije e kënaqësi të veçanta shpirtërore. Po, na përqafojnë të gjithëve me atë flladin e ëmbël të një kënaqësie që nuk njeh të shterur, grumbulluar nga tërë ngjyrat e dritës që e ka burimin në valë të ndryshme, në delikatesën e erës që fryn butë-butë dhe në zërat e kohës që ka kaluar duke i magjepsur sakaq të gjithë, e cila i mbështjell dhe i përkëdhel të gjitha ato shpirtra që i kuptojnë dhe i ndiejnë, besimin, Islamin, faltoren dhe adhurimet; që janë të hapura kah kënaqësitë e thellësishme të njohjes së Allahut dhe të dashurisë për Allahun.

Pothuajse çdo vit, kur arrijmë ta kuptojmë këtë prerje të artë të kohës, ne bëhemi sikur të jemi rikthyer edhe njëherë në ato ditë të gëzueshme, të kaltra dhe aq të dashura të jetës së vërtetë. Po, përpara syve tanë shpërfaqet tyli i një pranvere të gjithkahshme... në çdo anë shkumëzon sërish jeta... gjelbëron mali dhe fusha dhe sikur lëshojnë të qeshura të forta në gjallërinë e tyre... lulet nisin të vallëzojnë, bilbilat nisin të këndojnë këngët e tyre... dhe ndienjat bëhen sikur të kenë marrë flakë ngae trëndafilave dhe tulipanëve. Asisoj që kjo atmosferë e përgjithshme, e cila frymon ngado, na i mbështjell zemrat me një premtim lumturie dhe na pëshpërisin sa e sa gjëra të panjohura, të pandjera më parë. Madje edhe njerëzit që e kanë jetën të izoluar në fatkeqësi dhe pesimizëm marrin diçka nga kjo festë qiellore. Madje, ditët, kur i bëjnë orët që janë thelluar me adhurime të lëvizin si shigjeta mbi zemra, prej andej nis poezia e pastër sa cicërimat e zogjve dhe me atë shijen e gëzimit fëminor, me një ndikim po aq të fortë sa bukuritë e Xhenetit në minutat e ezanit dhe e pjekur po aq sa zemrat e dashuruara pas kësi bukurish dhe orët e adhurimeve të kryera me pjekuri, dhe na i entuziazmon zemrat me dhikrin dhe mendimin për Allahut, që frymon aromën e të qenit bashkëbisedues i Zotit... fillon dhe perdja në fytyrën e ekzistencës ikën dhe minutat e kaltra, të ngrohta dhe plot shije të paqes dhe bindjes së veçantë të afrisë me Allahun bëhen tonat.

Pesë herë në ditë, më së paku tridhjetë herë në javë, shëtisim si nëpër një rreze drite, shkrihemi në mundësitë e përjetimit të miraxhit në zemra dhe kalojmë nga njëra ëndërr që të bëhemi njerëz të përsosur në tjetrën.

Edhe pse hëna shfaqet disa ditë më parë, fillimi i tre muajve na thotë “përshëndetje” në një të enjte të mveshur me ndihmesën e hapur ndaj çdo thirrjeje dhe zbret në zemrat tona si një penzë. Ndjenjat tona që janë gati për akordin me ato ditë të larta dhe për atë ditën, që është më e larta, është një zë që thotë “Regaip”, që na i zgjon dhe entuziazmon zemrat edhe njëherë, porsi një provë instrumentale. Miraxhi, që vjen njëzet e ca ditë më pas, vjen së bashku me mendime qiellore, me zhurmën e hapjes së portave të qiellit dhe me frymimet e amshimit për të gjitha shpirtrat e përgatitura e në tension për ta përjetuar atë. Berati u flet zemrave me sihariqet e shpëtimit duke pritur i gatshëm për të na bërë paralajmërimet e radhës. Dhe, kur vjen nata e Kadrit, ajo i përqafon këta njerëz që ia dinë gjërave vlerën me një dritë dhe begati që nuk mund të arrihet vetëmse vetëm me përpjekje të jashtëzakonshme dhe përtej imagjinatës, e cila mund të realizohet vetëm në njëmijë muaj dhe i mbështjell ata me erëmimet e faljes dhe mëshirës.

Kjo ngrohtësia e ëmbël dhe kaq zilepsëse e tre muajve vazhdon ditë e natë për zemrat e besimtarëve. Çdo ditë, pasi zbraz mbi kryet tona tërë atë begati me shkëlqimin dhe gjallërinë e vet, shkon e mbyllet në horizont dhe pas saj vjen një agim i ri, me tërë bukuritë e tij të ëmbla, të buta dhe sylëbyrëse... një agim plot ëndrra për zemrat e përmalluara, duke i mbushur ato dhe botët tona të brendshme me sa e sa bukuri të fshehta e të mistershme.

Shpirtrat e zgjuara kah lutja, përgjërimi, falënderimi i Allahut dhe në gatishmëri të plotë ne hyrjen e muajit Rexhep, drejt fundit të muajit, arrijnë një kënaqësi të plotë dëshmie të zgjuar kah e përtejmja... arrijnë dhe të gjithëve u ndryshon gjuha, qëndrimi dhe qasja që kanë ndaj çdo gjëje, në fytyrat e tyre zë të mbizotërojë një farë madhështie, frike dhe respekti të dukshëm karshi Allahut dhe pa dyshim, gëzimi i shpresës. Çdonjëri fillon e flet pak më shumë me gjuhën e zemrës... ngurtësia njerëzore zbutet... dhe sa e sa njerëz i hedhin tej peshat e jetës së kësaj bote, njësoj sikur të ishin duke u përgatitur për miraxh dhe arrijnë lehtësinë e shpirtit. Aq sa drita dhe delikatesa plot dritë e ngjyra ngjyra që rrjedh nga zemrat e këtyre njerëzve të drejtuar kah Ai, që është më i Drejti, kanë arritur në shkallë të atilla që mund të zbutin e të bëjnë të pendohen edhe zemrat më të ngurta.

Netët e veshura me një thellësi ndryshe me hyrjen e muajit të Rexhepit, marrin një trajtë edhe më të magjishme dhe i frymëzojnë të gjithë me sa e sa mendime gjeniale. Sidomos ato copëza kohe të bekuara të këtyre netëve, që janë të hapura kah e përtejmja, në çdo kohë, na injektojnë ëndrra të entuziazmit të ndjesive tona për Xhenetin dhe dëshirave që na ngjajnë me zemrën... na i injektojnë dhe na përqafon dëshirat tona për përjetësi dhe prekin t›u hapin shpirtrave tona portat e ëndrrave. Na i zgjojnë ndjenjat që rrinë të heshtura e të topitura në qenien tonë pothuajse çdo natë dhe na frymëzojnë me mendime të një lumturie edhe më të thellë sesa ajo që po përjetojmë në këtë botë.

Muajin Shaban, i cili nëpër libra përmendet edhe si “Muaji Madhështor i Allahut”, e ndiejmë si një kënaqësi të veçantë, e cila është shkrirë me krejt qenien dhe ekzistencën tonë dhe na vjen sikur ndiejmë se zemrat tona po rrëshkasin kah shpresa, pritshmëria dhe bukuritë e amshimit. Ai, me natën dhe ditën e vet, ndikon te njeriu me atë melodinë e vet të magjishme, që i ngjason kompozimit të Ramazanit... dhe na përqafon me krahët e vet qiellorë, të gjithë sa njerëz jemi që kërkojmë mbrojtje... na përqafojnë me dhembshurinë e një nëne dhe na shtëtisin nëpër thellësitë e mëshirës. Për ata që e kanë kuptuar atë më së miri në shpirtin e vet, koha bëhet sikur të jetë çarë dhe mbi ndjenjat tona të jetë duke rrjedhur diçka nga përtej kohës. Aq sa, çdokush, sikur të hedhë edhe një hap të vetëm nëpër minutat e tij të ndritura apo thellësitë e të ndjerit të tij, veten do ta gjejë duke ecur nëpër një palë shkallë magjike. Thuajse çdo ditë, çdo natë, çdo orë dhe çdo minutë, ndien nevojën tonë për të përtejmen nga dëshira dhe mendimet për përjetësi që fshihen në natyrën tonë dhe ne ngarendim të shohim ato që dëshirojmë vërtet nga dritaret që na ka çelur ky muaj i Allahut.

Sakaq, në horizont ia beh Ramazani me minutat e tij të ngrohta, kaq të buta e plot mistere... ndërgjegjet kalojnë në gatishmëri të plotë, të gjitha zemrat zgjohen dhe tërë ndjenjat i kaplon entuziazmi... njerëzit rrjedhin drejt faltores në grumbuj; së andejmi ecin drejt Krijuesit të tyre. Me ardhjen e Ramazanit përforcohen lidhjet e shpirtit... dëshirat dhe kërkesat për amshim shkumëzojnë; shkumëzojnë dhe një mendim Ramazani që bie e ngrihet si një penzë mbi ndjenjat, i entuziazmon zemrat besimtare me dashuri dhe dëshirë, aq sa në shpirtrat e tyre ndizet flaka. Për Ramazanin mund të thuhet se ai zbret në tërë qenien tonë si një dinamizëm i rëndësishëmë i jetës sonë shpirtërore, me ato ditët e tij të ndritura, të përshpirtshme dhe aq të bukura, duke na bërë të përjetojmë kënaqësi amshimi të njëpasnjëshme. Peizazhi i pazarit dhe rrugëve shkumëzon nga ndjenjat për të përtejmen. Frymimet e minareve jehojnë në zemra me melankolinë e Kuranit... faltoret i mbulon drita dhe kumbojnë nga e qara me tërë fuqinë e zërit të zemrave besimtare. Kudo, nga shtëpia në faltore, nga faltorja në shkollë, në çdo vend përjetohen gëzimi dhe ngopja shpirtërore që të fal drejtimi kah Allahu i Madhërishëm... kraharorët e fryrë nga adhurimi, shfaqin tërë bukuritë faqeza... dhe ulërasin dashurinë, pasionin që shkëputet e vjen nga bota e tyre e brendshme me notat e një intimiteti krejt ndryshe. Këta njerëz, njësoj sikur të kenë marrë urdhrin, “bëhuni gati për ritakimin” dhe e quajnë atë si një vigjilje të “natës së parë të ritakimit”, çka bën që çdo ditë të kalojë me ndjesinë e thellë të ritakimit.

Po, në çdo zë të Ramazanit është premtimi i një fillimi, në çdo frymëmarrje është e pranishme shpresa e shpëtimit. Iftaret na pëshpërisin ca të fshehta dhe ato shfaqen në horizontin tonë m thirrjet e takimit të madh... vetëm ta dini ç’i premtojnë botës sonë të shpresës teravitë... netët, njësoj si një nuse me naze, na hapin portën e dhomës intime të ritakimit dhe bëhet dritë në valët e çdo zhvillimi shpirtëror dhe rrjedhin në zemrat tona... agimet gumëzhijnë si zhurma e borisë së vaporëve, zhurma e avionëve dhe raketave dhe rrokjezojnë udhëtimin e një nate drejt ritakimit me Mikun... Derisa, më në fund, vjen e na mbështjell në çdo anë një ditë e stërgjatë, e mbushur me orët e kujdesshme, plot shpresë dhe emocione, të kapluara nga shqetësimi i atij takimi të ëmbël.

Gjatë Ramazanit, jeta është aq e thellë dhe kuptimplotë, sa që çdo fjalë e thënë, çdo zë që dëgjohet, i vjen njeriut si një kompozim që rrjedh nga zemra; i vjen dhe depërton nëpër ndjenjat tona në trajtën e melodive më të ëmbla. Ramazani, i cili bëhet shkas që shpirti ynë të çelë porsi një syth dhe ndjenjat që flenë në thellësitë e qenies të zgjohen dhe na shëtit ne nëpër botët më të bukura dhe marramendëse të imagjinatës, na formon të gjithë me një nevojë për ritakim dhe dëshirën dhe dashurinë për atë ritakim, të cilat i ndiejmë gjer në palcë dhe në zemra ne ndiejmë freskinë e jetës së vërtetë.

Ata që dinë të përgatiten plotësisht për jetën gjatë Ramazanit, përtej çdo gjëje që kanë fituar këtu, kupton se në fund të kësaj rruge plot dritë, por pak me mjegull, ka një lumturi të përjetshme dhe me tërë qenien e tyre, drejtohen kah Ai. Po, në çdo iftar dhe çdo agim, njeriu ndien sikur është hapur një portë e re e ritakimit dhe dy hapa tej ndien nevojën dhe shpresën e një takimi edhe më të gjerë, më magjepsës; e ndien dhe nga njëra anë ndien mall dhe vetmi, nga ana tjetër pritmëritë dhe ëndrrat i kaplon ata me një farë magjie më të thellë, duke i tërhequr kah thellësitë e dashurisë së vërtetë. Asisoj që ata ndiejnë se çdo gjë në pafundësinë e hapësirës shtillet rreth dashurisë, njësoj siç çdo gjë ndhodh rreth dashurisë në zemrat e tyre dhe ata ekzaltohen. Burra e gra, të rinj e të vjetër, të pasur dhe të varfër, të gjithë sipas aftësisë së vet të të kuptuarit, përjetojnë një periudhë të një përgatitjeje të veçantë gjatë Ramazanit; mandej, ndiejnë sikur ecin vetëm drejt Allahut, me ndjesinë e një rruge që nuk do të mbarojë kurrë...

2. Virtyti i tre muajve

Tre muajt janë një prerje e bekuar e kohës dhe zënë një vend të veçantë në jetën e besimtarëve. Çdo besimtar e pret, dhe duhet ta presë, me emocion tejet të veçantë ardhjen e kësaj prerjeje të kohës. Kjo pritje neve na ka mbetur trashëgim nga Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ai (pqmT) mezi e pristje ardhjen e tre muajve dhe kur ata vinin, Ai lutej duke thënë:

“O Zot! Bekoje për ne Rexhepin dhe Shabanin dhe çona ne në

Ramazan.”

Muaji Rexhep

Rexhepi është fillimi i tre muajve dhe një nga katër muajt që Allahu i ka shpallur si muajt e ndaluar (muajt, në të cilët është e ndaluar të luftohet) në Kuranin Fisnik:

“Që nga koha kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën, numri i muajve është dymbëdhjetë. Katër prej tyre janë muaj të ndaluar.”5

Në muajin Rexhep, shpërblimet rrjedhin si shiu, prandaj edhe ky muaj është quajtur si “Rexhepi i bollshëm”. Me një fjalë ai është muaji kur entuziazmohet mëshira hyjnore dhe qerasjet dhe mirësitë e Allahut rrjedhin me bollëk mbi robërit e Tij.

Këtë muaj e kanë quajtur edhe si “Rexhepi i shurdhët”. Duke qenë se ai është një muaj që është e ndaluar të luftohet, në këtë muaj armët heshtin dhe nuk dëgjohen thirrjet e luftës, por mbizotëron paqja dhe qetësia në çdo anë. Prandaj edhe ia kanë vënë këtë emër.

Miqtë e Allahut, muajin e Rexhepit e kanë përngjasuar me periudhën kur hidhet fara në tokë. Muajin Shaban me kujdesjen për farat dhe kallinjtë e parë, ndërsa Ramazani është si një farë stine e korrjes. Nga ky këndvështrim, nëse një besimtar ka dalë në rrugë për të fituar prej të mbjellave që korren në ahiret, duhet që pikë së pari ta hedhë farën mirë. Punët e mira që do të bëjë dhe qëllimi i tyre do të jenë farat më të mira të frutave që do të marrin në ahiret.

Edhe Bediuzamani i nderuar përdor këto fjalë për virtytin e tre muajve: “Nëse shpërblimi për çdo punë është dhjetë në kohë të tjera, në Rexhepin e bekuar bëhet njëqind, në Shabanin Madhështor më shumë se treqind, ndërsa në Ramazanin e Bekuar, shkon në njëmijë, gjersa bëhet njëmijë në netët e së premtes dhe tridhjetëmijë në Natën e Kadrit.”

Nata e së premtes së parë të muajit Rexhep njihet ndryshe edhe si nata e Regaipit. Allahu u fal mirësi të gjithëllojshme besimtarëve në këtë natë. Edhe ata janë të interesuar për këto mirësi. Zaten ky është edhe kuptimi i fjalës “regaip”, interesim. Allahu i trajton me mëshirën e tij, të gjithë ata që tregojnë respekt ndaj kësaj nate. Prandaj duhen bërë përpjekje që kjo natë të shfrytëzohet e të vlerësohet me sa më shumë punë të mira, gjatë ditës dhe gjatë natës. Të falë namaz, të agjërojë, të japë sadaka dhe të lexojë bukur Kuran me sa të ketë mundësi; të përpiqet të kënaqë sa më shumë të sëmurë, të moshuar dhe të varfër.

Një nga netët e mira që gjendet në muajin Rexhep është edhe nata e Miraxhit. Ngjarja e Miraxhit, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u hap drejt botëve përtej qiejve dhe u takua me Allahun e Madhërishëm, ka ndodhur në natën e njëzeteshtatë të muajit Rexhep, afërisht një vit para mërgimit. Atë natë, Profeti ynë i Nderuar (pqmT) u çua fillimisht në Faltoren e Ndaluar në Jerusalem. Në Kuranin Fisnik kjë ngjarje përmendet edhe me fjalën “isra”, e cila ka kuptimin e “ecjes së natës”. Nga këtej Ai u ftua drejt katit të lartë të Allahut, me udhëtimin nën cilësinë e “miraxhit”. Në Miraxh Allahu i dha Profetit tonë të Nderuar sihariqin se kushdo nga umeti i Tij që nuk bën idhujtari, do të hyjë në Xhenet; i shpalli Atij ajetet e fundit të sures “Bakara” dhe i bëri të ditur shpalljen detyrim të faljes së pesë kohëve të namazit.

Muaji Shaban

I dyti i tre muajve, Shabani, është po aq i rëndësishëm dhe me virtyte. Në lidhje me këtë Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:

“Veprat i paraqiten Zotit të Botëve në muajin Shaban. Dhe unë dua

që veprat e mia t’i paraqiten kur unë të jem duke agjëruar.”

Gjatë këtij muaji, Profeti ynë i Nderuar agjëronte shumë. Madje, nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha) na ka transmetuar:

“Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), nganjëherë agjëronte aq shumë, saqë ne thoshim: ‘Me gjasë, kësaj here nuk do ta ndërpresë më agjërimin.’ - Ndërsa, nganjëherë, bënte aq shumë pushim pa agjëruar, sa që ne thoshim: ‘Me gjasë, nuk do të mbajë më agjërim.’ - Unë nuk kam parë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) të ketë kaluar me agjërim ndonjë muaj tjetër të plotë, përveç Ramazanit. Dhe nuk kam parë që të ketë agjëruar në ndonjë muaj tjetër sa në muajin Shaban.”

Siç ka mbajtur vetë shumë agjërim gjatë këtij muaji, ai ka këshilluar edhe umetin e Tij që të veprojnë edhe ata si ai. Pyetjes, “cili është agjërimi më i virtytshëm pas agjërimit të Ramazanit”, Krenaria e Njerëzimit (paqja qoftë mbi Të) është përgjigjur duke thënë: “Është agjërimi i mbajtur për të respektuar Ramazanin në muajin Shaban.”

Nata që lidh katërmbëdhjetën e muajit Shaban me pesëmbëdhjetën është nata e Beraetit. Kjo fjalë e ka prejardhjen nga kuptimi i pastrimit, i të qenit i pafajshëm. Ky emër i është vënë ngaqë shpresohet që besimtarët të dalin prej saj krejtësisht të pastruar nga të gjitha mëkatet e tyre.

Sipas disa dijetarëve nata e Beraetit është nata e bekuar për të cilën bëhet fjalë në ajetet e para të sures “Duhan”:

“Ha-Mim. Betohem në këtë libër që është i qartë dhe tregon të vërtetën se ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Sepse ne i paralajmërojmë ata që largohen nga e drejta. Ajo është një natë që pikërisht në atë kohë ndahet çdo punë e urtë.”

Sipas dijetarëve të parë, ndarja e punëve të urta nga njëra-tjetra do të thotë: “engjëjt shkruajnë në librat e fatit të gjitha ngjarjet që do të ndodhin nga kjo natë gjer në vitin e ardhshëm. Asisoj që të gjitha, ushqimi, exheli, pasuria, varfëria, vdekja, lindja, përcaktohen në këtë natë.

Ndërsa, për sa i përket çështjes së zbritjes së Kuranit në këtë natë, dijetarët që mendojnë se bëhet fjalë pikërisht për natën e Beraetit thonë se Kurani Fisnik është zbritur nga Libri i Madh i Çdo Gjëje në qiejt e tokës pikërisht në natën e Beraetit, dhe kjo emërtohet me termin “inzal” (zbritja). Ndërsa, në natën e Kadrit, ai i është zbritur Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) për herë të parë, duke filluar t’i zbritet pjesë-pjesë në vijimësi dhe kjo është quajtur “tenzil”.

Në një prej haditheve të bekuara të Tij Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) e përshkruan me këto fjalë dritën dhe begatinë e natës së Beraetit:

“Natën e ditës së pesëmbëdhjetë të Shabanit, kalojeni me adhurim, ndërsa ditën duke agjëruar. Pasi perëndon dielli, atë natë, Allahu zbret me mëshirën e Tij gjer në qiellin e tokës dhe drejtohet me fjalët: “A nuk ka ndonjë që më kërkon falje, ta fal! A nuk ka nuk ka ndonjë që kërkon që ta furnizoj, ta furnizoj! A nuk ka ndonjë që i ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, apo që kërkon shëndet e mirëqenia, t’ia jap!” - Dhe ky zë vazhdon kështu gjer në të zbardhur mbi sipërfaqen e rruzullit tokësor.”

Siç transmetohet, Aishja e nderuar (radijallahu anha), një natë Beraeti, nuk e gjen pranë të Dërguarin e Allahut (pqmT) dhe del ta kërkojë. Në fund ajo e gjen Atë në varrezën e Parajsës së Përjetshme me kokën ngritur nga qielli, i zhytur në meditim dhe lutje. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ia përshkruan bashkëshortes së tij të pastër virtytin e kësaj nate me këto fjalë:

“Allahu i Lartësuar shfaqet me mëshirën e Tij mbi qiellin e tokës në natën e pesëmbëdhjetës së muajit Shaban dhe atë natë, falen mëkate të njerëzve aq sa kanë qime tërë delet e fisit të Beni Kelbit.”

Bediuzamani i nderuar, pikëpamjen e tij në lidhje me virtytin e kësaj nate e shpreh me këto fjalë: “Kjo natë e Beraetit që po vjen, është si një farë e shenjtë e tërë vitit dhe është si një lloj programi i së ardhmes së njeriut, andaj është në lartësinë e natës së Kadrit si natë e mirë. Njësoj siç çdo punë e mirë në natën e Kadrit vlerësohet me tridhjetëmijë shpërblime, edhe në natën e Beraetit, shpërblimi i çdo pune të mirë dhe çdo shkronje të Kuranit të lexuar shkruhen me njëzetmijë. Nëse në kohë të tjera ato shkruhen me dhjetë, gjatë tre muajve ato ngjiten gjer në njëqind apo njëmijë. Këto netë mund të vlejnë sa pesëdhjetë vite adhurime. Prandaj, me sa të kemi mundësi, nëse i kalojmë ato duke lexuar Kuran, duke kërkuar falje dhe duke përshëndetur me salavate të Dërguarin e Allahut, për ne do të jetë një fitim shumë i madh.”

Vetëm se, në këtë natë kur Allahu na trajton me mëshirën e Tij - brenda përshkrimit të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) - disa njerëz do të mbeten të privuar nga mëshira:

“Allahu (xhel’le xhelaluhu) na sheh me mëshirë në natën e pesëmbëdhjetës së Shabanit dhe i fal të gjitha krijesat e Tij. Vetëm këta bëjnë përjashtim: idhujtarët, ata që kanë shumë mllef, (dhe sipas një transmetimi) ata që shkëpusin lidhjet farefisnore, që lëndojnë nënën dhe babain, si dhe ata që janë të dhënë pas pijes.”

3. Të përfitosh nga tre muajt

Tre muajt janë prerje të bekuara të kohës, kur njeriu mund të jetë më afër se kurrë me Allahun, mund të bëhet i denjë për të përfituar nga mëshira e Tij e thellë, largohet nga mëkatet dhe të udhëtojë nëpër horizontin e zemrës dhe shpirtit. Zaten edhe njeriu ka nevojë për një periudhë të tillë rehabilitimi qiellor, të paktën njëherë në vit, si për të pastruar egon e tij, ashtu edhe për të edukuar shpirtin, apo për të kontrolluar edhe njëherë gjendjen e zemrës. Prandaj, këto prerje të bekuara të kohës janë shkaqe më se të rëndësishme për realizimin e një rehabilitimi të këtillë.

Që njeriu të mund të shpëtojë nga peshat trupore dhe egoiste në këto kohë të begata, në mënyrë që të ngjitet drejt një niveli dhe horizonti të caktuar, atij i nevojitet meditim. Por, kur e bën këtë, ai duhet t’i mbajë të hapura kah shpirtërorja, edhe zemrën, edhe shpirtin. Pra, gjatë këtyre muajve, ndërkohë që nga njëra anë do të përdor të gjitha fakultetet e mendjes dhe të arsyes për të kuptuar çështjet që kanë të bëjnë me besimin dhe Kuranin, nga ana tjetër, ai do të përpiqet të përdorë edhe rrugën e bashkëbisedimit, dhe do të përpiqet që medoemos ta tërheqë drejt vetes këtë shi të dritës dhe shpirtërores.

Gjer më sot, secili sipas horizontit të vet, sa e sa njerëz kanë thënë fjalët më të bukura në lidhje me këto prerje të kohës, duke e tërhequr vëmendjen drejt bukurive që mund t’i përftojnë jetës së besimtarit me ditët dhe netët e tyre. Leximi i këtyre veprave që vlejnë thesare duke u ndalur në grupe dhe duke i analizuar gërmë për gërmë, përvetësimi i tyre përmes metodës së bashkëbisedimi, janë shumë të rëndësishme për të kuptuar dhe ndjerë shkëlqimin dhe frymëzimet shpirtërore që i përftojnë njeriut këta muaj. Po, për të përfituar sa më shumë nga gjithë ç’janë shkruar në lidhje me këta tre muaj, ne duhet të largohemi nga leximi i cekët dhe sipërfaqësor i tyre dhe të dimë se si të thellohemi në çështjet e trajtuara prej tyre. Dhe pa u zhvilluar ndjenjat dhe mendimet e nevojshme do të jetë e pamundur që të përfitohet sa duhet, si nga ato që lexojmë, ashtu edhe nga ato çfarë dëgjojmë.

Që të mund t’i shijojmë dhe ndiejmë në mënyrë të përsosur bukuritë e veçanta të këtyre tre muajve, si dhe kënaqësinë dhe shijet që reflektojnë në zemrën. njeriut, ne duhet të dimë që këta janë muajt e “mbledhjes” së fryteve, ndaj duhen shfrytëzuar pa humbur qoftë edhe një sekondë të vetme nga koha e tyre. Një njeri që nuk çohet gjatë natës për t’iu drejtuar Allahut me vullnet dhe vendosmëri, që nuk shijon prej fryteve shpirtërore të natës, është e pamundur që të mund ta përkapë dot shijen dhe thellësinë e bukurive të shprehura me shkrim ose me gojë. Nëse njeriu nuk hyn në këta muaj me një farë tensioni metafizik të caktuar, nuk ia kushton veten njëfarësoj adhurimit me një vetëdije të fortë robërie dhe nuk e lëshon veten në brendësi të çështjes, edhe sikur të derdhet si uji nga gotat domethënia e këtyre pjesëve të begata të kohës, ai nuk përfiton asgjë. Madje ai mund t’i peshojë me peshoren e vet të aftësisë kuptuese dhe kapacitetit të vet edhe shprehjet më të mrekullueshme të të tjerëve dhe t’i konsiderojë ato si diçka luksi dhe fantazi, madje ato fjalë shumë të gjalla dhe të ndritura, atij t’i duken të vdekura dhe të zbehta tërësej. Asisoj që as fjalët e Ibn Rexhep elHanbelit, të cilat të prekin në zemër, as fjalët që frymëzojnë veç dëshirë e dashuri të Imam Gazaliut, nuk reflektojnë asgjë në zemrën e tij. Thjesht thotë: “Ç’thonë kështu këta njerëz!” - dhe e anashkalon çdo gjë. Sepse, në mënyrë që këto fjalë të kenë një farë ndikimi, aq sa vlera e fjalëve të thëna, rëndësi mjaft të madhe kanë edhe këndvështrimi, qëllimi, aftësia për të kuptuar dhe zemra, nëse e ka të hapur apo të mbyllur ndaj këtyre të vërtetave, të atij që i dëgjon.

Po, në mënyrë që të mund t’i ndiejmë frytet e arritjeve shpirtërore që sjellin me vete këto ditë të bekuara, fillimisht ne duhet të kemi besuar dhe t’i drejtohemi Allahut. Sepse vetëm prirjes i përgjigjet me prirje. Nëse ju nuk u drejtoheni shpirtit dhe domethënieve të këtyre muajve, atëherë as ata nuk do t’jua hapin juve portat e tyre.

Prandaj njeriu duhet t’i dalë asisoj për zot kësaj çështjeje, sa që të bëhet njësh me muajin e Rexhepit, njësh me muajin e Shabanit dhe njësh me muajin e bekuar të Ramazanit. Po, ai duhet të bëhet aq njësh me këta muaj, sa që ta ndiejë e ta dëgjojë vetë se çfarë i thonë shpirtit njerëzor këta muaj. Nga kjo pikëpamje, njerëzit që nuk shpëtojnë dot nga sipërfaqësorja, qëndrojnë të hapur kah kotësia, nuk bëjnë asnjë përpjekje për t’u rinovuar në një stinë si kjo e mbledhjes së fryteve shpirtërore më të arrira, nuk e arrijnë dot seriozitetin në sjelljet dhe veprimet e tyre, vështirë se mund të përfitojnë dot prej këtyre muajve.

Programe të përshtatshme për shpirtin e fesë

Në anën tjetër qëndron edhe çështja e pranimit të përgjithshëm në shoqëri. Sepse, vetëm njerëzit e thellë për nga horizonti i shpirtit dhe zemrës janë të denjë për ta ndjerë thellësinë që shprehin këta muaj.

Megjithatë, tani, myslimanët sikur po e kuptojnë në një farë mase vlerën dhe begatinë e këtyre muajve, kanë filluar të drejtohen drejt xhamive dhe po drejtohen kah Allahu i Madhërishëm. Kështu që, duke u përdorur mirë kjo situatë, në shpirtrat e njerëzve mund të fryhen mesazhe të ndryshme duke organizuar aktivitete dhe programe të ndryshme edhe gjatë këtyre tre muajve. Kësisoj ne do t’i kemi vlerësuar dhe shfrytëzuar mirë këto netë të bekuara, si për t’i afruar njerëzit me Zotin, ashtu edhe për të përçuar në zemra të vërtetën e fesë. Ashtu siç disa të vërteta mund të përçohen në zemrat e atyre që vijnë në xhami, takime dhe bashkëbisedime të ndryshme mund të organizohen edhe nëpër ambiente të tjera. Në këtë mënyrë do të shfrytëzohen drejt edhe interesi dhe pritshmëritë e besimtarëve për domethënien e këtyre muajve për ta.

Meqë ky është edhe vendi, ka diçka që mua më duket mjaft e rëndësishme në lidhje me këto programe, tek e cila dua të tërheq edhe vëmendjen tuaj: Në të gjitha aktivitetet që ne zhvillojmë duke shfrytëzuar arsye të ndryshme, si qëllim ne duhet të kemi vetëm afrimin në ndjenja dhe në mendime të njerëzve me Allahun, sikur edhe një hap të vetëm më shumë. Nëse ne nuk u japim dot zë disa të vërtetave në lidhje me Krijuesin, nëse nuk i afrojmë dot ata sadopak me Profetin e profetëve (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), por organizojmë thjesht programe që u drejtohen epshit dhe kënaqësive të zakonshme të njerëzve, duke mos kaluar më tej se sa t’i bëjmë ata thjesht të thonë: “Kaluam minuta të bukura!” - atëherë ne nuk kemi bërë asgjë veçse kemi humbur kohë dhe për më tepër, kemi hyrë edhe në mëkat. Sepse çdo rrugë që nuk të çon tek Allahu (xhel’le xhelaluhu) dhe nuk ka si destinacion Profetin e Nderuar, nuk është veçse zhgënjim. Zaten, argëtimi i njerëzve duke organizuar spektakle apo aktivitete karnavaleske nuk është detyrë e jona.

Veç kësaj, ne duhet ta dimë mirë se njerëzit e sotëm kanë tashmë një stil jetese të prirur kah argëtimi. Prandaj, interesimi i tyre edhe mund t’ju gënjejë. Asisoj që ju shikoni gëzimin e tyre dhe pandehni se keni bërë diçka të mirë. Kur, në fakt, më shumë se sa interesimi i tyre, i rëndësishëm është nëse organizimi është sipas kritereve të Kuranit dhe Sunetit. Për rrjedhojë, edhe nëse nuk ka interesim të mjaftueshëm për organizimin e mbajtur, edhe nëse pjesëmarrja nuk është e gjerë, ju duhet të ngarendni vetëmse pas asaj që është e drejtë. E thënë me fjalë të tjera, të rëndësishme nuk janë vlerësimi dhe duartrokitjet e njerëzve, por domethënia që ka aktiviteti i organizuar për jetën tonë të zemrës dhe të shpirtit.

Rrjedhimisht, në një prerje të këtillë të kohës, e cila është kaq e begatë, qiellin e pushton drita, rruzulli tokësor shtrohet me sofra qiellore, ne duhet t’i drejtojmë njerëzit kah thellimi i jetës së tyre të zemrës dhe të shpirtit dhe çdo punë që bëjmë, ta lidhim me qëllimet më të epërme dhe mendimet më të thella. Asisoj që përherë të injektojmë një domethënie, një shpirt të ri, në zemrat e njerëzve që i kemi zgjedhur si bashkëbisedues. T’i bëjmë ata të hapin velat drejt një pangopësie për shpirtëroren. Dhe, për ta arritur këtë, ndaç duke kënduar ilahi, elegji apo lutje të trashëguara që herët nga e shkuara, ndaç t’i shprehim nëpërmjet kompozimesh dhe melodish të reja këto domethënie, por mjaft që të nxitim te njerëzit dëshirën për përjetësinë, në zemra dashurinë për të fituar lumturinë e përjetshme dhe të vëmë në lëvizje shqetësimin se mos dalim të humbur, pra, me pak fjalë, t’i zgjojmë njerëzit edhe njëherë për shpirtin e fesë.

Nëse do të duhej ta përmblidhim në pak fjalë, xhamitë, bashkësitë, ditët e xhuma, Rexhebët, Shabanët, Ramazanët, Regaipet, Kadret, duhet të bëhen medoemos arsye për t’i ndihmuar njerëzit që të drejtohen kah Allahu i Madhërishëm dhe të gjitha këto aktivitete, të organizuara në prerjet e bekuara të kohës, kur çdo çast është i gatshëm të lindë përjetësinë, duhet të synojnë veçse realizimin e qëllimeve të larta e të epërme.

B. MUAJI I RAMAZANIT DHE VIRTYTI I TIJ

1. Adhurimi i veshur me falje

Nëse ka një muaj, që mbruhet me një hare që nuk ka të shuar, një kënaqësi që s’mbaron dhe me një dashuri që nuk di të pakësuar, ai është Ramazani. Ditët dhe netët e Ramazanit, që t’i ofron me shijen më të ëmbël të gjithë thelbin, shpirtin dhe përmbajtjen e të gjitha muajve dhe stinëve që kalojnë gjithë naze përgjatë gjithë vitit; çdo çast, i mbështjellin zemrat me një kënaqësi dhe me një ëmbëlsi aq të rrallë, i përqafon ato me dhembshuri, i përkëdhel me dashuri dhe u fal entuziazmin e dëshirës për të jetuar.

Në çdo anë të botës, por veçanërisht në vendet myslymane dhe sidomos në botën tonë, ditët e Ramazanit bëhen epiqendra e çdo interesimi, sheshi i tërë kënaqësive shpirtërore, skena e gjithë emocioneve të mundshme, një spirale drite për çdo lartësim dhe një mundësi e hapur kah zgjerimi dhe thellimi i të gjitha vetive njerëzore, një hapësirë ku fitimi është shumë i madh.

Ditët e Ramazanit, me netët kapluar nga ndjenjat më të veçanta dhe ditët që lindin me një dritë të veçantë, frymojnë një frymë të pashoqe ndër zemra… dhe i përbashkon edhe njëherë të gjitha pjesët e shkëputura nga njëra-tjetra të shoqërisë, i bën një, u hap rrugën e bashkësisë gjithë njerëzve të veçuar dhe u jep fund mërgimit të tyre… i shtron secilit, në dimensione të ndryshme, nga një gosti të veçantë ndjesish dhe mendimesh duke i zgjuar të gjithë edhe njëherë t’i çelin sytë kah jeta.

Ramazani është i mbështjellë nga një aurë drite në çdo vend, duke filluar që nga kulmi i minaresë, deri te abazhurët e stolisur brenda xhamisë, nga llambat e shtrira përskaj në të djathtë dhe të majtë të rrugëve që zgjaten drejt faltoreve, e deri te dritat e shtëpisë, e nga qashtërsia që ndrit në fytyrat e besimtarëve, deri te ndriçimi që mbizotëron në zemrat e tyre. Sidomos në ditët e sotme, kur feja i është rikthyer edhe njëherë rinisë së saj, ai vjen dhe i ledhaton zemrat me një atmosferë, një dritë dhe një aromë krejt të veçantë, aq sa vetëm flatrimi me krahët e dashurisë së përmalluar mund të jetë aq tërheqës, aq zilepsëse. Sikur pa ardhur muaji i Ramazanit mes njeriut dhe dëshirës së shpirtit njerëzor për pafundësi të ish veç një perde që i ndante dhe ja, tani, sikur ajo perde hapet… dhe gjithë dashuria e dëshira që deri në atë çast kish fjetur qetësisht në ndonjë nga qoshet e zemrës, merr jetë, kapardiset, shkumon; mbështjell tërë qenien dhe shndërrohet pa pra në një dëshirë të pakapërcyeshme për ritakimin e përmallshëm. Dhe, për ta plotësuar këtë dëshirë të madhërishme, kërkohen agimet në të cilat shfaqen flladitshëm, njëra pas tjetrës, erërat e pasqyrimit, dhe vlerësohet çdo namaz, i kthyer në nga një dritare e hapur kah e përtejmja për çdokënd… shpirtrat entuziazmohen me teravitë, që janë frymë e jetë për shpirtin… ndjenjave u jepen gota të tëra me frymëzime hyjnore… dhe, saora, sipas gradës secili sikur përjetësohet, thellohet në përbrendësi, duke marrë një farë trajte engjëllore.

Duke qenë se Ramazani është muaji i Kuranit, edhe ata që kanë mbetur larg Kuranit për një vit të tërë, e gjejnë veten në atë atmosferë rrëzëllitëse me një etje të madhe… dhe Kurani i ujit të gjitha luginat e qenies që kanë zënë të thahen, me tërë shpirtin, domethënien, misteret dhe mirësitë që ka derdhur vrullshëm mbi kryet e tyre… i kthen botët e zemrave të tyre në kopshtije të mbushura me lule, duke u falur kënaqësinë e madhe të ekzistencës. Në Kuran ata ndiejnë dhe dëgjojnë krejt ekzistencën; bëhen me krahë nga ndjenjat dhe mendimet e përftuara prej tij.. ndiejnë se si në Kuran merr frymë i tërë krijimi mbarë dhe drithërohen… herë-herë ekzaltohen në drithërima; herëherë marrin frymë me lot, e me lotët zbrazen, gjersa ndiejnë se perdet janë ngritur e ata janë më pranë Allahut se kurrë duke e gjetur sakaq veten të përfshirë nën një melodi të veçantë kënaqësie.

Përmbajtjen e thellë të Kuranit vetëm ata që arrijnë të ndiejnë në Të gjithë zërin e ekzistencës dhe njëkohësisht të tërë atë muzikë të frikës dhe shpresës, shqetësimit dhe gëzimit, vuajtjes dhe haresë. Shpirtrat e mbikohshëm, që arrijnë ta dëgjojnë Kuranin sikur t’u ishte zbritur atyre vetë, dëshmojnë mes fjalëve të Tij shijen e frutave të Xhenetit, larushinë dhe bukurinë e kopshtijeve të Firdeusit dhe peizazhet e ujëvarat e majave të Rej’janit dhe kjo i bën që të gurgullojnë edhe ata së brendshmi. Zemrat e kulluara, që ngrenë velat drejt thellësive të Tij duke e trajtuar atë me tërë tejdukshmërinë karakteristike të Ramazanit dhe duke përdorur kriteret vlerëçmuese të zemrës, ndiejnë se janë çdo çast duke fituar një farë vlere përjetësie dhe duke njohur sa herë nga një dimension të ndryshëm të pafundësisë. Në mendimet dhe jetët e këtyre njerëzve “metafizika” bëhet plotësuese e “fizikës”, shpirtërorja bëhet vlera dhe përmbajtja e vërtetë e lëndës, e çdo gjë del në pah me të gjitha vlerat e veta në prapaskenë. Dhe poende, në fytyrat e këtyre njerëzve vërehet një ndijim i mistershëm, një botëkuptim i thellë dhe ndryshe, sikur të frymëzuara nga qenia hapur kah rrethi i thellë i emrave dhe cilësive hyjnore, por edhe sikur buron një pjekuri, një ngopje, një qashtërsi, një përzemërsi dhe ndjeshmëri e ushqyer me kënaqësitë e arta të besimit. Edhe sikur të mos flasin fare, të mos tregojnë asgjë, nga ato qëndrime, sjellje, shikime, reagime dhe pozita e tyre kuptimplotë këto kuptime dalin, kuptohen dhe jehojnë në të gjitha anët.

Nuk ka asnjë muaj tjetër që të ketë krahët e përmasën e Kuranit, si muaji i bekuar i Ramazanit, që i ka të ndritura me një nur të veçantë, si natën, ashtu edhe ditën. Çdo Ramazan, njeriu sheh, ndien dhe kupton Kuranin me tërë freskinë e tij dhe burimin e tij të përtejqiejve, njohjen hyjnore me të cilën është i veshur ai, shenjat e tij të shpërndara kudo nëpër gjithnajën e kohë-hapësirës, dashurinë e Allahut dhe shenjat e ndritura që shkëlqejnë në fytyrat e atyre që i kanë besuar Atij.

Po, gjatë Ramazanit, Kurani shndrit me një përjetësi të pashoqe në të gjithë sytë plot shkëlqim të këtyre fytyrave të thadruara prej kaderit, të cilët janë dëshmitarët e thellësisë së brendshme të tërë shpirtërores… gra e burra, të moshuar e të rinj, të pasur e të varfër, të ditur e të paditur, aristokratë e popuj, në këtë prerje të bekuar të kohës, pothuajse të gjithë bëhen njësh me muajin e Ramazanit dhe frymon veç përmbajtjen hyjnore që vjen bashkë me të…

Po, me të të gjithë, secili sipas aftësisë dhe kapacitetit të vet, në një dimension krejt të veçantë, pastrohen nga çdo sjellje e papërshtatshme, çdo veprim që mund ta përmbysë e poshtërojë njeriun, apo çdo papastërti shpirtërore qoftë ajo… duke e shndërruar në një prej njerëzve të Xhenetit. Për nga begatia dhe prurja e çdo të mire muaji i Ramazanit është aq i pasur, sa që çdonjëri që strehohet nën hijen e tij mund të përfitojë nga pasuria dhe ngopja që ai sjell dhe mund të arrijë në mbretëritë e përjetësisë: të rinj e të moshuar, besimtarë të shëndoshë a problematikë, të zgjuar a të mefshtë, inteligjentë a të çmendur, të atillë që u është hapur shikimi përtej perdeve a të atillë që i kanë sytë të mbyllur, të dobishëm a të padobishëm, njerëz që e kapin çdo gjë në ajër a njerëz që nuk lagen as nën shi, të lindur në këtë botë për të sunduar a të lindur për t’u sunduar, nga ata që rrinë në këmbë edhe mes njëmijë e një problemesh a ata që nuk durojnë dot as lëkundjen më të vogël e rrokullisen dhe e çojnë jetën me pesimizëm e duke vajtuar apo ata që arrijnë të këndojnë muzikën e shpresës edhe brenda ferrit, apo ata që nuk gjejnë dot asnjëherë zgjidhje, por e shtyjnë jetën duke u mbështetur te të tjerët - vullnetet zëri i të cilëve kumbon shpresën edhe teksa janë duke u përballur me vështirësitë më të pazgjidhshme, apo edhe ata njerëz që duan më së shumti rehatinë e trupit të tyre e që e kanë programuar jetën vetëmse te të ngrënët, të pirët dhe të fjeturit dhe ata njerëz që e kanë tejkaluar njëherë e mirë të ngrënët, të pirët dhe gjumin… Po, tërë këto klasa, secila me njerëz krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, edhe pse secili në përmasa të ndryshme dhe sipas gjendjes dhe aftësive të veta, të gjithë tjetërsohen, pësojnë shndërrime dhe arrijnë në të tjera lartësi medoemos kur hyjnë në atmosferën e këtij muaji…

Në saje të frekuencave në valën e kësaj fshehtësie të mistershme që lëshon mbi grupe të ndryshme njerëzish bukuria dhe drita e Ramazanit dhe për rrjedhojë, edhe madhështia plot domethënie shpirtërore e ekzistencës, e cila reflekton në sytë e hapur kah ajo dritë, ky muaj zbret e shkrihet ndër zemra me atë shijen, atmosferën, frymën dhe shpirtin karakteristik të tij, sa që edhe mendjet më kokëforta e inatçore nuk i bëjnë dot rezistencë dhe dorëzohen tek ai.

Përgjatë Ramazanit, netët që e mbulojnë çdo gjë me misteret e tyre dhe ditët që i përqafojnë ndjenjat dhe mendimet e njerëzve me butësinë e ëmbëlsinë e tyre, janë aq të ngrohta dhe të buta, sa që çehret që kanë besuar kaplohen aq shumë nga ndjenjat dhe bëhen të thella në mendim, zërat që ftojnë për tek Allahu bëhen aq të dhembshur dhe tërë domethënia e mesazheve që japin këto të gjitha bashkë, janë aq prekëse, sa që ata që mund t’ia hapin zemrat e tyre këtij muaji të faljes, largohen nga shqetësimet dhe vuajtjet, sikur edhe për një farë kohe, dhe mund të ndiejnë lumturinë e Xhenetit.

2. Kuptimi i fjalës Ramazan

Për kuptimin e fjalës Ramazan ka pasur mendime të ndryshme. Këto janë:

Fjalët er-Ramaz dhe er-Ramza, kanë kuptimin “jashtëzakonisht nxehtë”. Nëse mendohet prejardhja prej këtyre fjalëve, atëherë muaji i Ramazanit fiton domethënien, “muaji që i djeg dhe i zhbën mëkatet”. Veç kësaj, këtë emër mund ta ketë marrë edhe nga nxehtësia që ndodh te njerëzit prej qëndrimit të etur dhe të uritur gjatë agjërimit të mbajtur në këtë muaj.

Fjala er-Ramaz ka edhe kuptimin e shiut që bie në fund të verës ose në fillim të vjeshtës dhe i jep jetë tokës së tharë nga të nxehtët dhe e pastron tokën nga pluhuri i verës. Sipas kësaj, Ramazanit i përftohet kuptimi i “muajit që freskon zemrat e përvëluara dhe pastron mëkatet”.

3. Virtyti i muajit të Ramazanit

Në një hutbe të mbajtur me rastin e afrimit të muajit të Ramazanit, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u pati thënë sahabëve të Tij:

“O njerëz! Hija e një muaji të lartë dhe të bekuar mbërriti gjer mbi kryet tona. Ky është një muaj i atillë, në të cilin gjendet nata e Kadrit, që është më e mirë dhe e mbarë edhe se njëmijë muaj. Allahu ju ka caktuar që këtë muaj ta kaloni duke agjëruar gjatë ditës dhe duke bërë adhurime nafile (shtesë) gjatë natës. Ai që bën një të mirë nga vetja gjatë këtij muaji, fiton shpërblim sikur të ketë bërë një të mirë që është e detyruar në muajt e tjerë. Ai që bën një të mirë që është e detyruar gjatë këtij muaji, fiton shpërblime sikur të ketë kryer shtatëdhjetë të mira që janë të detyruar në muajt e tjerë. Ky është muaji i durimit. Dhe shpërblimi i durimit është Parajsa. Ky është muaji i ndarjes me të tjerët dhe i mbështetjes te njëritjetri. Kush i shtron iftar një agjëruesi, kjo bëhet shkas që ai të falet dhe të shpëtojë nga Xhehenemi. Fiton edhe shpërblim sa ai agjërues, pa iu pakësuar as atij asgjë nga shpërblimet e tij.”

Disa nga sahabët thanë: “O i Dërguar i Allahut, po jo të gjithë ne kemi mundësi t’i shtrojmë iftar një agjëruesi.” - I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të), i dëgjoi këto fjalë dhe tha: “Këtë shpërblim Allahu ia jep edhe atij që jep iftar sikur edhe me një hurmë apo një gllënjkë ujë ose qumësht të vetme.”

Në vazhdim, Profeti ynë tha: “Ky është një muaj që fillimin e ka mëshirë, mesin falje dhe fundin shpëtim nga Xhehenemi. Kushdo që ia lehtëson punën punëtorit apo shërbyesit të tij gjatë këtij muaji, edhe Allahu e fal atë duke e shpëtuar nga Xhehenemi. Në këtë muaj, katër gjëra t’i bëni sa më shumë. Me dy të parat fitoni kënaqësinë e Zotit tuaj, ndërsa me dy të tjerat nuk mund të ngeleni mospritës. Dy punët, me të cilat mund të fitoni kënaqësinë e Zotit janë: të thoni Fjalën e Dëshmisë dhe të kërkoni falje pa ndërprerë. Kurse dy punët, nga të cilat nuk mund të jeni mospritës, janë: t’i kërkoni Allahut Xhenetin dhe t’i kërkoni që t’ju mbrojë nga Xhehenemi. Kush i jep të hajë e të pijë dikujt që ka agjëruar, Allahu i jep atij të pijë në Xhenet një ujë të atillë nga burimi im, aq sa ai nuk ndien më etje gjersa të hyjë në Xhenet.”

Çdo ditë e Allahut është e bekuar. Mirëpo, nga mënyra se si i vlerësojnë njerëzit këto ditë, ato fitojnë një begati të veçantë, duke u kthyer në prerje të arta të kohës. Kurse muaji i Ramazanit është një prerje e bërë e artë që në krye nga Allahu i Madhërishëm. Sepse ai është kryekëput muaji i mëshirës dhe faljes.

Po, muaji i bekuar i Ramazanit bart një rëndësi të veçantë dhe të posaçme për të gjithë myslimanët. Prandaj, çdo mysliman do që ta vlerësojë sa më mirë këtë muaj. Me këtë rast, disa shkojnë nëpër vendet e shenjta, në Mekë dhe në Medinë, disa duke shtuar adhurimet atje ku gjendet, duke u përftuar atyre një thellësi të re, ndërsa dikush tjetër përpiqet me rrugë të tjera dhe sipas shkallës së sinqeritetit të vet, bëhet i denjë për mirësitë e Allahut.

Ramazani i duket njeriut si një muaj në vit kur ai mund të ndihet sikur shëtit në kodrinat e Parajsës, edhe pse është ende në këtë botë. Njësoj sikur të jetë duke vrapuar për të parë bukurinë e Allahut në kodrinat e Parajsës, nguti për të pritur iftarin zgjon tek ai njëherazi ndjesinë e pritjes për të parë një orë e më parë bukurinë e Allahut. Zgjimi çdo natë, përgjatë një muaji, për të ngrënë syfyr, ndihet në ndërgjegje si të ishte ngritja për t’u ringjallur. Prandaj bajramët e Ramazanit, edhe pse janë ditë gëzimi të veçanta, gjatë këtyre ditëve të gjitha këto ndjenja janë të mbështjella nga një farë trishtimi, sikur të thuhej: “Ah sikur të mos mbaronte Ramazani!”

Nga ana tjetër, megjithëse Ramazani është një kohë e shkurtër sa një muaj, ai fiton mbi të gjitha zakonet e përftuara prej nesh gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë dhe na bën që t’i harrojmë tërësej ato. Sikur të thoshte, “unë jam prerja më e vyer e kohës” dhe lë te ne gjurmë më shumë sesa të njëmbëdhjetë muajt e tjerë të vitit bashkë, duke sunduar mbi kohën në tërësi. Dhe ai vlerën nuk e fiton vetëm se është muaji i agjërimit dhe teravive. Në të njëjtën kohë, ai është muaji i Kuranit, prandaj, në një përmasë krejt tjetër, ai është edhe muaji i afrimit tonë me Allahun. Në një kohë të caktuar, Allahu reflekton në qiellin e rruzullit tokës dhe thotë: “Nuk ka asnjë që të më lutet, që Unë t’i përgjigjem lutjes së tij! Nuk ka ndonjë njeri që të më kërkojë diçka dhe Unë t’ia plotësoj atij kërkesën! Nuk ka ndonjë njeri që të më kërkojë ta fal dhe unë ta fal atë...” - kështu thotë dhe çdo natë, na i mbështjell ndërgjegjen, ndjeshmëritë tona të holla hyjnore, shqisat dhe vetëdijet tërësej dhe me gjuhën e misticizmit, na bëjnë të përjetojmë një afrim me Krijuesin. Të gjitha këto gjendje na bëjnë të përjetojmë dëshmimin e vërtetë dhe të bëhemi bashkëbisedues me Zotin.

Muaji i Ramazanit është muaji më i nderuar pranë Allahut. Prandaj edhe ai është përmendur gjithmonë si mbreti i muajve. Ai ka një epërsi të dukshme ndaj të gjithë muajve të tjerë të vitit. Edhe muajt e tjerë Allahu i ka krijuar, por Ramazanit i ka falur një virtyt të rrallë. Ai fillimin e ka mëshirë, mesin falje, ndërsa fundin çlirim nga Xhehenemi. Kurani Fisnik, i cili është fjala e lartësuar e allahut të Madhërishëm dhe që do të shërbejë gjer në ditën e kiametit si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin, ka zbritur në qiellin e botës pikërisht në muajin e Ramazanit, ndaj ai është edhe muaji i Kuranit. Gjatë këtij muaji besimtarët kalojnë kohë vazhdimisht me Kuranin dhe bëjnë çdo përpjekje për ta lexuar atë me herë të tëra nga fillimi gjer në fund, për ta mësuar përmendësh atë dhe që t’ia kuptojnë sa më mirë domethënien e ajeteve në të. Dhe siç e thotë vetë Allahu në Kuran, edhe nata e Kadrit, që është “më e mirë edhe se njëmijë muaj”, gjendet pikërisht në këtë muaj. Por dhe ky hadith i bekuar i Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e shpjegon mjaft bukur virtytin e këtij muaj:

“Nëse do t’ia dinin virtytet muajit të Ramazanit, robërit e Allahut do të luteshin që i gjithë viti të ishte Ramazan.”

Pranë Allahut, të gjitha veprimet, bëmat dhe punët e bëra gjatë Ramazanit janë shumë herë më të vyera se çdo punë e bërë muajt e tjerë. Për këtë arsye, duhen bërë përpjekje të jashtëzakonshme që as edhe një çast i vetëm i Ramazanit të mos kalojë kot. Çdo besimtarë duhet të përpiqet të ngarendë më shumë për çdo lloj të mire që mund të bëjë, për shembull, nëse çdo ditë ka falur pesë kohët e namazit, t’u shtojë atyre edhe pesë të tjera, nëse çdo ditë ka lexuar nga një xhuz të Kuranit, t’u shtojë atyre edhe nga disa xhuze të tjera në ditë, të shpërndajë sa më shumë sadaka dhe t’i forcojë edhe më shumë lidhjet me familjen e tij. Nga Abdullah bin Abasi (radijallahu anhuma) na është transmetuar që Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Një umre, një haxh i bërë gjatë muajit të Ramazanit bëhet i denjë për të fituar shpërblim sa një umre apo një haxh i bërë bashkë me mua.”

Çdo vit të jetës së tij, besimtari dëshmon periudhën shpirtërore të këtyre tre muajve. Kjo periudhë nis me muajin e Rexhepit dhe me një farë doze në rritje, arrin majën në Ramazan. Me Ramazanin njeriu sikur fillon t’i përkasë tëresisht amshimit. E si të mos i përkasë? Ebu Hurejreja (radijallahu anh) na ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu:

“Kur hyn muaji i bekuar i Ramazanit, hapen portat e Xhenetit (sipas një transmetimi tjetër thuhet portat e mëshirës së Allahut), mbyllen portat e xhehenemit dhe shejtanëve u vihen zinxhirët.”

Duket sikur Zoti u vë prangat djajve dhe mbyll të gjithë koridorët që shkojnë drejt Xhehenemit, vetëm që njeriu të kthehet në engjëll, madje duke i hapur edhe tërë koridorët që të çojnë në Xhenet. Njeriui vetëdijshëm për tërë këto mirësi që fal Ramazani, e përdor gjer në fund këtë mundësi duke u përpjekur të bëhet sa më i denjë për parajsën. Sepse kështu ka vepruar edhe vetë Udhërrëfyesi ynë i Përkryer (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Që, siç na e tregon bashkëshortja e Tij e kulluar, Aishja e nderuar (radijallahu anha):

“Me të ardhur dhjetëditëshi i fundit i muajit të Ramazanit, i Dërguari i Allahut i gjallëronte netët me adhurim, zgjonte edhe familjen, hiqte dorë krejtësisht nga bota dhe ia kushtonte veten robërimit karshi Allahut.”

Ai (pqmT) nuk mjaftohej vetëm me adhurimet, por bënte çdo përpjekje që të bënte çdo të mirë që mund të bëhej dhe të përparonte në rrugën e afrimit me Allahut. Ibni Abasi ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ishte më bujari ndër njerëz. Ndërsa koha kur bujaria e Tij arrinte maja, ishte koha kur takohej me Xhebrailin (alejhis’selam). Çdo natë të Ramazanit, Xhebraili (alejhis’selam) takohej me të Dërguarin e Allahut dhe lexonin Kuran me njëri-tjetrin (mukabele). Gjatë kësaj periudhe, Ai (pqmT) bëhej më bujar edhe se një erë e begatë që fryn më shpejtësi pa u penguar askund.”

Një virtyt tjetër i muajit të Ramazanit është që ai e pastron çdo mëkat të njeriut. E patëm shprehur edhe më parë, që ky kuptim është edhe në rrënjën e fjalës së tij. Këtë domethënie e mbështet edhe transmetimi i Ebu Hurejres (radijallahu anh), sipas të cilit i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë dhe muajt e Ramazanit të kaluar me adhurime të shumta, janë falje për mëkatet (e kryera ndërmjet).”

Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) e ka caktuar detyrim adhurimin e agjërimit, shpërblimin e të cilit e ka marrë përsipër Vetë, pikërisht në muajin e Ramazanit. Agjërimet e mbajtura gjatë një muaji të tërë i përftojnë një vlerë edhe më të veçantë Ramazanit, për të fituar kënaqësinë e Allahut. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në lidhje me agjërimin e mbajtur gjatë këtij muaji:

“Njeriu që humbet pa pasur kurrfarë arsyeje një ditë pa agjëruar nga Ramazani, sikur një vit të tërë të agjërojë më pas, ende nuk e fiton dot shpërblimin e asaj një dite të tij.”

Në çdo natë të këtij muaji, me mijëra, ndoshta me miliona robër mëkatarë të Zotit bëhen të denjë për faljen dhe mëshirën e Allahut; bëhen të denjë për Xhenetin, ndërkohë që ajo që meritojnë është Xhehenemi. Në këtë muaj hapen portat e mëshirës, punët e bëra vlerësohen shumëfish herë më shumë. Poende, kush i jep të hajë iftar një personi, në librin e jetës së tij shtohet edhe shpërblimi i agjërimit të mbajtur prej atij personi. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Kush i shtron të hajë iftar një agjëruesi, fiton shpërblime sa ai që ka agjëruar. Dhe nuk pakësohet asgjë nga shpërblimi i atij që ka agjëuar.”

Tre vetë e humbasin mundësinë

Në një hadith na thuhet se njëherë Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) qe ngjitur në minber për të mbajtur hutben dhe në çdo tri shkallë pati thënë “amin”. Kur mbaroi hutbeja, sahabët e nderuar e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Ne sot dëgjuam nga goja jote diçka që nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë; teksa ngjiteshin në minber, thatë tri herë “amin”. Cila është urtësia e kësaj?” - Dhe Profeti ynë i Nderuar u përgjigj me këto fjalë:

“Në atë kohë erdhi Xhebraili (alejhis’selam) dhe tha: ‘Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin ata që nëna dhe babai u ka arritur në moshën e pleqërisë dhe ata nuk kujdesen për të drejtat e tyre, nuk i trajtojnë ata mirë dhe nuk e vlerësojnë siç duhet mundësinë që të falen.’ - ndaj unë thashë “amin!”Pastaj Xhebraili tha: “O i Dërguari i Allahut! Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin edhe ata që dëgjojnë të përmendet emri Yt, por nuk të dërgojnë Ty përshëndetje!” - dhe unë thashë “amin!” - Dhe në shkallën e fundit Xhebraili tha sërish: ‘Turp t’u vijë edhe njerëzve që e kanë kuptuar Ramazanin, por nuk kanë fituar dot faljen e Allahut!” - dhe unë thashë sërish “amin!”

Allahu u ngarkon njerëzve përgjegjësi nëpërmjet disa përgjegjësive që kanë një farë barre dhe vështirësie. Pavarësisht dimensionit të sprovës që ka secila syresh, urtësia dhe qëllimi hyjnor i secilës prej këtyre përgjegjësive është që robi të bëhet i denjë për të merituar faljen e Allahut. Mirëpo, nëse robi nuk e kryen detyrën e tij, jo vetëm që nuk përfiton dot nga mundësia që i ka ofruar Allahu si mirësi, por mund të meritojë edhe ndëshkimin, sipas rastit. Edhe në hadithin e përmendur më sipër janë përmendur tre nga përgjegjësitë që Allahu u ka ngarkuar njerëzve.

E para është përgjegjësia e njeriut për t’i shërbyer nënës dhe babait,

të cilët janë bërë shkas për ardhjen e tij në jetë; e dyta, përgjegjësia e shprehjes së falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Profetit, nga i Cili kanë mësuar çdo gjë të fesë; e treta, përgjegjësia e shfrytëzimit të muajit të Ramazanit, i cili është një mirësi që Allahu ua ka falur njerëzve, në mënyrë që ata të mund të pastrohen nga mëkatet.

Po, të tria këto përgjegjësi kanë disa vështirësi. Mirëpo, po të krahasohen me shpërblimin e premtuar për to, ato mbeten fare të vogla. Në këmbim të tyre ka shpërblime shumë të shtrenjta, siç janë shpëtimi nga Xhehenemi, Xheneti vetë, apo edhe vështrimi i bukurisë së Allahut të Madhërishëm. Andaj ato nuk duhet kurrsesi të shihen si vështirësi të mëdha. Pastaj edhe të kuptuarit e vlerave të nënës dhe babait, përmendjes së Emrit të Madh të Dërguarit të Allahut pranë Tij dhe arritjes së muajit të Ramazanit, janë të gjitha mirësi hyjnore tejet të rëndësishme më vete. Por, prapëseprapë, njeriu që nuk e kupton vlerën e këtyre mirësive, pavarësisht kësaj, e meriton ndëshkimin nga fillimi deri në fund.

Kjo është arsyeja që Xhebraili (alejhis’selam) përdor shprehjen “vuajtje paçin”, si për të treguar se sa të mjerë dhe të humbur janë ata që nuk përballojnë dot as një përgjegjësi të vogël, edhe pse në këmbim të saj ka shpërblime tejet të mëdha; dhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), si për ta aprovuar të drejtën, u ka thënë këtyre lutjeve “amin”.

C. Vlerësimi i Ramazanit

1. Përgatitja me mendim për Ramazanin

Që të mund të vlerësohet në më të mirën e mundshme Ramazani, siç e theksuam edhe më parë, fillimisht duhet që ne ta dimë sa më mirë vlerën e tij të vërtetë. Njeriu nuk di se si ta vlerësojë diçka që nuk ia di vlerën. Të themi se keni në dorë një unazë metalike, por me një vlerë shumë të lartë antikuari. Nëse e çoni atë në tregun e hekurpunuesve, për ta shitur, në këmbim të saj ata do t’ju japin një çmim shumë më të ulët sesa vlera e saj e vërtetë. Por, nëse e çoni atë në pazarin e antikuarëve, ata do t’ju thonë menjëherë vlerën e vërtetë të saj. Prandaj, fillimisht duhet që ju të kuptoni natyrën dhe vlerën e vërtetë të asaj unaze. Po kështu, një person që nuk ia di vlerën muajit të Ramazanit, do të jetë i pamjaftueshëm për ta vlerësuar atë. Kurse ai që ia di do të përpiqet që të mos e çojë dëm as edhe një çast të vetëm të tij. Nga kjo pikëpamje, përparësi për këtë ka që të lexohen dhe të kuptohen sa më mirë të gjitha temat që kanë të bëjnë me agjërimin dhe muajin e Ramazanit, si në Kuranin Famëlartë, ashtu edhe në hadithet e bekuara. Ai që e bën këtë, do të thotë se e ka hedhur hapin e parë në rrugën e vlerësimit të Ramazanit.

Veç kësaj, vlerën që bart Ramazani ai duhet ta mësojë nga ata që e dinë dhe e kanë kuptuar më së miri vlerën e tij. Prandaj është shumë i rëndësishëm leximi i shkrimeve të miqve të Allahut dhe njerëzve të virtytshëm dhe të ditur në lidhje me këtë çështje. Një udhërrëfyes mjaft i mirë për ne janë edhe vlerësimet që kanë për Ramazanin dhe agjërimin personalitete si Imam Gazaliu, Imam Rabaniu, Mujidin ibni Arabiu dhe Bediuzaman Said Nursiu. Veçmas, të dish edhe se si e kanë kaluar muajin e Ramazanit në rrugëtimin e tyre të jetës këta miq të Zotit do të jetë një dinamikë e jashtëzakonshme motivimi dhe rehabilitimi për sa i përket kësaj çështjeje.

2. Mbajtja e agjërimit

Veçoria më e madhe e muajit të Ramazanit është agjërimi i mbajtur përgjatë këtij muaji. Me fillimin e tre muajve, besimtarët bëjnë përgatitje për agjërimin që do të mbajnë gjatë muajit të Ramazanit dhe përpiqen që të përgatisin, qoftë mendjen, qoftë trupin. Këtu është shumë i rëndësishëm edhe roli që luajnë agjërimet e mbajtura nafile gjatë muajve Rexhep dhe Shaban në mësimin me agjërimin, që është i detyruar gjatë Ramazanit. Sepse çdo besimtar që e arrin muajin e Ramazanit - nëse nuk ka asnjë justifikim - nuk ka asnjë alternativë tjetër pos agjërimit. Sepse, siç e trajtuam edhe më parë, i Dërguari i Allahut (sal›lallahu alejhi ues›sel›lem) ka thënë se një ditë agjërimi e Ramazanit e pa mbajtur pa kurrfarë justifikimi nuk mund të zëvendësohet as me agjërimin e një viti të tërë në ditët e tjera të vitit. Rrjedhimisht, mund të themi se në krye të të gjitha gjërave që duhet të bëhen gjatë muajit të Ramazanit vjen mbajtja e agjërimit.

Duke qenë se çështjen e mbajtjes së agjërimit do ta trajtojmë gjerësisht në pjesët e ardhshme të librit, këtu do të mjaftohemi me kaq.

3. Kalimi i kohës duke qenë i zënë me Kuranin

Kurani Fisnik është zbritur në muajin e Ramazanit. Nga kjo pikëpamje, kjo është arsyeja që muaji i Ramazanit cilësohet ndryshe edhe si “muaji i Kuranit”. Kurani është burimi i udhëzimit të besimtarëve, ndaj është një libër që duhet të lexohet pa ndërprerje dhe të mendohet rreth tij, si dhe të meditohet sa më shumë në lidhje me trajtesat e ofruara në të. Sepse më shumë se për çdo gjë, besimtari ka nevojë për Kuranin. Kurani ka për jetën shpirtërore të njeriut kuptimin që kanë buka, uji, ajri, për mëkëmbjen e jetës së tij fizike. I Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të), të gjithë jetën e ka kaluar duke i thirrur njerëzit drejt Kuranit dhe duke u siguruar që ata ta jetojnë jetën në përputhje me Kuranin. Sahabët fisnikë tregojnë se veçanërisht në namaz, Profeti ynë lexonte shumë Kuran. Veç kësaj, përveçse këndonte vetë, Ai ua këndonte Kuranin edhe sahabëve të Tij. Koha që kalonte me Kuranin shtohej edhe më shumë me ardhjen e Ramazanit duke fituar një rëndësi të posaçme për Të.

Neve na janë transmetuar shumë hadithe në lidhje me virtytin e kalimit kohë me Kuranin. Për shembull, Ebu Umameja i nderuar (radijallahu anh) na transmeton se i Dërguari i Allahut (pqmT) ka thënë:

“Lexoni Kuran. Sepse, në ditën e Gjykimit, Kurani do të bëhet ndërmjetësues për ata që e kanë lexuar.”

Njëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu:

“Ka shpërblim për çdo shkronjë të vetme të lexuar nga Kurani Fisnik dhe këto shpërblime shkruhen dhjetëfish në librin e shpërblimeve të njeriut.Për shembull, Elif-Lam-Mim nuk janë një gërmë e vetme; Elif është një gërmë, lam një gërmë, mim një gërmë tjetër.”

Sipas një transmetimi që vjen nga Aishja e nderuar (radijallahu anha), Profeti Fisnik (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:

“Kush është i mirë në leximin e Kuranit dhe e lexon atë bukur dhe ashtu siç duhet është bashkë me engjëjt e nderuar dhe të bindur me të cilët është zbritur shpallja. Në anën tjetër, ata që nuk janë të mirë në të, që kanë vështirësi në leximin e Kuranit dhe që mund ta lexojnë atë duke belbëzuar, marrin dyfish shpërblim (sepsepavarësisht kësaj vazhdojnë të lexojnë e këndojnë Kuran).”

Pranë Allahut, një vlerë të veçantë ka edhe që t’ua mësosh edhe të tjerëve leximin dhe këndimin e Kuranit, krahas leximit dhe këndimit vetë. Siç na transmetohet prej Osman bin Afanit (radijallahu anh), Profeti ynë (pqmT) ka thënë:

“Më të mbarët ndër ju janë ata që e mësojnë Kuranin vetë dhe ua mësojnë atë edhe të tjerëve.”

Një nga dy njerëzit që do të shihen me zili nga të gjithë është ai që kalon kohën duke qenë i zënë me Kuranin Famëlartë. Nga ibni Omeri na është transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Vetëm dy njerëz janë të denjë për t’u pasur zili: Njëri është ai që Allahu i ka dhënë (dijen) e Kuranit dhe merret me të ditë e natë, ndërsa tjetri është ai që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai, ditë e natë, e shpenzon atë në rrugën e Tij.”

Kurse nga një hadith tjetër që na e ka transmetuar Abdullah bin Amri (radijallahu anh) thuhet se shkalla e njeriut në amshim do të jetë sipas Kuranit që ka lexuar:

“Atij që është marrë në çdo kohë me leximin e Kuranit do t’i thuhet: ‘Lexo dhe lartësohu, lexoje me saktësi dhe bukuri edhe këtu, njësoj siç e lexoje me saktësi dhe bukuri edhe në atë botë. Nuk ka dyshim, që shkalla jote është pranë ajetit të fundit që lexove.”

Shtëpitë, në të cilat lexohet Kuran dhe diskutohet rreth Kuranit, i mbështjell mëshira e Allahut. Siç transmetohet edhe prej Ebu Hurejres (radijallahu anh), i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu:

“Nëse një grup njerëzish mblidhet në një prej shtëpive të Allahut, lexojnë Kuran dhe diskutojnë rreth Tij mes veti, mbi ta bie një qetësi, ata i mbështjell një mëshirë dhe rrethohen nga engjëjt. Allahu i përmend ata njerëz me ata që gjenden pranë Tij.”

Krahas leximit shumë të Kuranit dhe mësimit të tij përmendësh, thelbësore është që të dish domethëniet që fshihen brenda tij. Sepse edhe pse leximi pa kuptuar asgjë ka shpërblimin e tij, Allahu e ka zbritur atë që ta kuptojmë dhe të veprojmë në përputhje me urdhëresat që janë brenda tij. Në një hadith, i cili bart pikërisht këtë përmbajtje, Profeti ynë (pqmT) e ka portretizuar me këto fjalë gjendjen në ditën e kiametit të atyre që kanë lexuar Kuran dhe kanë vepruar në përputhje me ato çfarë kanë lexuar:

“Kush e lexon Kuranin Fisnik dhe vepron sipas tij, në ditën e kiametit,prindit të tij i vihet mbi krye një kurorë. Imagjinoni se sa dritë do të krijohej nëse futej dielli brenda një shtëpie, më e madhe dhe më e bukur do të jetë edhe drita që lëshon kjo kurorë. Kur gjendja e prindit është e këtillë, e imagjinoni se sa e fortë do të jetë drita e vetë atij që ka vepruar me Kuranin?”

Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë kështu:

“Kush e lexon Kuranin, e mëson atë mirë përmendësh, e pranon të lejuarën si të lejuar, të ndaluarën si të ndaluar dhe u bindet këtyre, në saje të kësaj Allahu e vë në Xhenet robin e Tij. Veç kësaj, i jep të drejtën e ndërmjetësimit për dhjetë pjesëtarë të familjes së tij, edhe nëse ata e kanë pasur hak Xhehenemin.”

Veç përshkrimit të virtyteve të kalimit të kohës me Kuranin, Profeti ynë i Nderuar (pqmT) e përngjason zemrën, në të cilën nuk ka vend Kurani, si një shtëpi të mbetur rrënojë. Na është transmetuar edhe nga ibni Abasi (radijallahu anh), se i Dërguari i Allahut (pqmT) ka thënë:

“Njeriu, në zemrën e të cilit nuk gjendet asgjë prej Kuranit, është si një shtëpi e mbetur rrënojë.”

Mukabeleja e Ramazanit

Edhe ata që kanë qëndruar larg Kuranit përgjatë një viti të tërë, në klimën ndriçuese të Kuranit kanë mundësi të pijnë me etje të madhe prej burimit të Fjalës hyjnore. Një nga rrugët më të rëndësishme të realizimit të kësaj janë edhe mukabele-të që realizohen kudo përgjatë këtij muaji, që është edhe muaji i faljes.

Xhebraili (alejhis’selam) zbriste çdo vit, në çdo ditë të muajit të Ramazanit - sipas një transmetimi tjetër, çdo natë të muajit të Ramazanit - pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), për të parë që Kurani ruhet i pandryshuar, ashtu siç është zbritur nga Allahu dhe suret janë të organizuara në mënyrën e duhur; i Dërguari Fisnik (alejhi ekmelut’tehaja) ia këndonte Xhebrailit ajetet një e nga një, ndërsa Xhebraili i nderuar ia dëgjonte këndimin me kujdes.

Dhe ja, këndimi (leximi) i ndërsjellë në këtë mënyrë i Kuranit Fisnik mes Krenarisë së Njerëzimit dhe Xhebrailit të Besuar është quajtur mukabele. Për këtë arsye besimtarët e kanë kthyer tashmë në një traditë mbledhjen përgjatë Ramazanit nëpër xhami ose shtëpi, për ta lexuar Kuranin me mukabele, por edhe për të bërë hatme të tij, edhe në shenjë respekti ndaj atij kujtimi të shenjtë, edhe meqë Kurani është zbritur pikërisht në muajin e Ramazanit dhe veçanërisht, meqë ekziston sihariqi se leximi pikërisht gjatë këtij muaji do të shpërblehet shumëfish herë.

Të parët tanë të mirë, leximin e Kuranit të plotë, të paktën njëherë në muaj, e kanë konsideruar si kufirin më të ulët të respektit dhe besnikërisë ndaj tij, duke theksuar se kush nuk e lexon atë të plotë, të paktën njëherë në muaj, do të konsiderohet jo si besnik ndaj tij dhe se e ka braktisur atë. Në këtë këndvështrim ne duhet t’i vlerësojmë më së miri ditët e Ramazanit dhe ta mësojmë veten që ta lexojmë Kuranin të paktën njëherë në muaj, dhe të jetë ky një fillim i ri për ne, që të jemi edhe në vazhdim besnikë ndaj fjalës hyjnore.

Në fakt, edhe ata që nuk e dinë duhet të jenë përherë në kërkim të mësimit dhe kuptimit të tij, ndërsa ata që dinë ta përqendrojnë të gjithë forcën te përthithja dhe mësimi i thellë i tij, na mënyrë që të dinë ta shprehin atë më mirë dhe ta bëjnë më të përhapur, si leximin, ashtu edhe kuptimet e tij. Sepse ai është dhurata më e madhe që mëshira hyjnore u ka bërë mendjes dhe aftësisë njohëse të njeriut, që ai të kuptohet dhe t’u mësohet edhe të tjerëve. Të mësosh ta lexosh atë, por edhe ta kuptosh pasi të kesh mësuar ta lexosh, janë, edhe detyrë, edhe njohje e vlerave të tij; kurse t’ua shpjegosh atë edhe të tjerëve është një tregues i respektit dhe mirënjohjes edhe ndaj zemrave që kanë nevojë për dritën e tij.

Për rrjedhojë, nëse nuk dimë të lexojmë Kuran, ta bëjmë Ramazanin e bekuar arsye dhe të vihemi në kërkim të rrugëve për mësimin e tij. Nëse arrijmë që ta lexojmë fjalën hyjnore, por nuk e kuptojmë dot atë, atëherë t’u drejtohemi kuptimit të ajeteve në gjuhën tonë dhe interpretimeve të tyre, ose diçka që është edhe më e bukur, të lexojmë një libër të mirë tefsiri. Vetëm kështu do të mund ta trajtojmë këtë muaj si muaj i Kuranit. Për shembull, pas leximit të një faqeje Kuran, mund të ndalemi te kuptimi i ajeteve në atë faqe. Këtë është e mundur që ta bësh lehtësisht edhe duke e ndarë nëpër orë të ndryshme të ditës. Bie fjala, një xhuz i Kuranit mund të lexohet i ndarë në tri pjesë, një në drekë, një në ikindi dhe një gjatë teravive. Po, të paktën të përpiqemi t’i japim sadopak nga vlera e merituar në këtë formë. Çfarë kërkon Allahu prej nesh në Kuranin Fisnik? Cilat janë synimet e Tij të patëmeta? Ne duhet t’i drejtohemi Kuranit me gjithë zemër, për t’i parë ato, t’i hapim gjer në fund portat e zemrës ndaj fjalës së Allahut dhe të bëjmë një përpjekje të denjë për bekimin e Ramazanit, për të kuptuar “se cilat janë ato që e bëjnë Allahun të jetë i kënaqur me ne, në fjalën e Tij”.

Kurani Famëlartë duhet të lexohet siç e meriton ai

Kur lexojmë Kuran, shqiptimi i drejtë i fjalëve është shumë i rëndësishëm. Nganjëherë, megjithëse e ka mësuar mirë leximin e Kuranit, disa fjalë ai mund t’i lexojë gabim. Allahu nuk e bën atë përgjegjës për këtë - dashtë Zoti i Madh. Por, kur është mundësia për një përpjekje pak më të madhe, për ta lexuar saktë, dhe qëndrohet shpërfillës duke mos i kushtuar rëndësinë e nevojshme, atëherë kjo është mungesë respekti ndaj Tij. Besimtari duhet të përpiqet që ta lexojë Kuranin, që është fjalë e Allahut, me tonin më plot respekt dhe me një gjendje shpirtërore të kapluar nga ndjenja dhe melodi respekti.

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë: “(Duke lexuar Kuran) në namaz personi i lutet Zotit, i zbraz çfarë ka në shpirt (flet me Të duke pëshpëritur, nëse më lejohet ta them kështu). Për rrjedhojë, të bëjë kujdes se si e bën këtë. Mos lexoni Kuran duke i bërtitur njëritjetrit.”

Ai që është i vetëdijshëm se është duke komunikuar me Allahun teksa lexon Kuran, do të përpiqet të jetë pak më i rregullt në çdo qëndrim dhe sjellje të tij. Njësoj si ushtari, i cili qëndron gatitur përpara komandantit të tij, duke përsëritur fjalët që thotë ai, edhe ai do ta theksojë çdo fjalë sipas nivelit të vet shpirtëror, duke marrë pa pra kënaqësi syresh dhe me një këndim të përpiktë, sikur të ishte duke i pirë ato fjalë dhe të gjitha këto janë tregues i respektit ndaj Kuranit dhe Zotëruesit të Kuranit Famëlartë, që është Allahu i Madhërishëm.

Një besimtar që ka mangësi në këndimin e duhur të Kuranit duhet t’i vlerësojë sa më mirë mundësitë dhe të mësojë më shumë duke qëndruar pranë dikujt që di t’i shqiptojë mirë të gjitha fjalët e Kuranit dhe t’i këndojë sa më shumë gjatë faljes së namazit të gjitha ajetet e mësuara.

Po, Kurani duhet të lexohet e të këndohet si fjalë e Allahut. Sa bukur e thekson Mevlana Halidi këtë çështje, kur na tregon një shembull nga jeta e tij: “Unë lexoja shpesh Kuran. Pavarësisht, babai më thoshte gjithmonë: ‘Lexo Kuran, o bir!’ - Një ditë nuk durova dot dhe i thashë: ‘Baba, po unë nuk po e heq nga duart për asnjë çast këtë fjalë të bekuar.’ - Aty babai më tha këto fjalë: ‘O bir! Mos e lexo Kuranin si Kurani që i është zbritur të Dërguarit të nderuar të Allahut, Muhamedit (pqmT), por lexoje sikur të jesh duke e dëgjuar atë drejtpërsëdrejti nga Folësi i Pakohë i Asaj fjale, pra sikur të jesh duke e dëgjuar drejt e nga Allahu (xhel’le xhelaluhu)!’ Ja, kjo është mënyra se si duhet të lexohet Kurani.

Edhe Bediuzamani i nderuar flet se Kurani duhet të lexohet sikur të jesh duke e dëgjuar drejtpërsëdrejti nga Allahu ose Xhebraili i Besuar, apo nga Besniku i Besuar, Profeti Muhamed (pqmT). Ta lexosh dhe ta këndosh Kuranin njësoj sikur të ishe duke e dëgjuar atë drejtpërsëdrejti nga Allahu është një çështje tejet serioze dhe e rëndësishme. Dikush që ndien brenda vetes ndjesi të këtilla karshi Kuranit, e rrotullon atë nja dhjetë herë nëpër mendje dhe mandej, ia lë amanet gjithë neuroneve të trurit. I thotë korteksit: ‘Ti prit një minutë, se do të vij sërish te ti.’ E kalon atë edhe njëherë nëpër mendje, njësoj siç kontrollon ndonjëherë dokumentat brenda një dosjeje. Kur shihet me këtë sy, ne e kuptojmë se të gjitha problemet në jetën tonë personale, familjare, shoqërore dhe kulturore, janë të përmendura në Kuranin Famëlartë, së bashku edhe me rrugëzgjidhjet për to.

Më duhet ta theksoj edhe njëherë se Kurani duhet të lexohet me kujdes, duke zbritur në domethëniet e tij dhe me vetëdijen se ajo që po lexojmë është fjala e Allahut, me një farë ngurrimi në gjuhë dhe me një drithërimë që na kaplon në shpirt. Sepse, Lajmëtari i Besuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë: “Kurani është zbritur me trishtim (melankoli). Prandaj, qani, kur të lexoni Kuran. Nëse nuk arrini të qani dot, detyrojeni veten të qani.”

Kurani u ngjason melodive të drejtimit nga Allahu dhe përgjërimit të një njeriu të vuajtur apo të dikujt që ecën nëpër shkretëtirë i vetëm. Ky libër, i cili u është zbritur si mik zemrave të përvuajtura, është zbritur me trishtim dhe po me një ndjesi të këtillë trishtimi duhet të lexohet. Por kjo është diçka që varet një gjendja e ndërgjegjeve, nëse ato arrijnë dot ose jo që ta ndiejnë atë. Në të nuk ka asnjë kuptim që mund të kuptohet prej zemrave të vdekura.

4. Namazi i teravive

Nazai i teravive është një lloj namazi i veçantë për muajin e Ramazanit, i cili falet pas namazit të jatsisë si namaz sunet-i muekede.

Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ua ka drejtuar sahabëve faljen e teravive për disa net me radhë, pastaj i shqetësuar se myslimanët mund të mos kenë fuqi për t’ia dalë faljes së tyre bashkë me Të, ka zgjedhur faljen e tyre vetëm. Por i ka nxitur sahabët drejt këtij namazi duke i këshilluar: “Kush i kalon netët e agjërimit me adhurime duke e shpresuar shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Më vonë, në periudhën e kalifatit të tij, Omeri i nderuar pati menduar se falja e këtij namazi me xhemat në xhami do t’i nxiste njerëzit më shumë drejt këtij namazi, pati caktuar disa nga sahabët që të shërbenin si imamë për faljen e teravive në bashkësi. Domethënë themeluesi këtij zakoni të bukur në çdo anë të botës islame është Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të), ndërsa shkaku i vazhdimësisë dhe përhapjes së saj është Omeri i nderuar (radijallahu anh).

Një besimtar, krahas faljes së pesë kohëve të namazit, duhet të bëjë përpjekje që të falë edhe namazet e tjera që janë nafile. E thënë me fjalët e hadithit, kur të ngrihet peshorja matanë, nëse namazet e detyruara të robit janë të mangëta, Allahu do të thotë: “Shikoni, a ka namaze nafile robi im? Merrini dhe mbushini me nafile-t boshllëkun e krijuar nga mungesa e farz-eve!”

Një çështje tjetër, mbi të cilën lipset të ndalet është edhe ajo që numri i rekateve të namazit të teravive është po njëzet, pikërisht sa ç’është edhe numri i rekateve të pesë namazeve të një dite gjithsej. Njësoj si namazet sunete që ekzistojnë mes namazeve të detyruara të një dite, njëzet rekatet e namazit të teravive mund të shikohen si plotësuese të mangësive në ato që janë të detyruara. Nëse ka diçka të metë e të mangët në namazet e detyruara; i kemi falur namazet të përhumbur; kemi lënë diçka të mangët në abdesin e marrë... këto do të arnohen e mbështillen me namazet sunet dhe nafile, dhe edhe kjo e ka burimin te thellësia e mëshirës së Allahut të Madhërishëm.

Falja e namazit të teravive me bashkësi është shumë e rëndësishme edhe për bashkëveprimin në çështjet që kanë të bëjnë me amshimin. Falja e tij duke dhënë selam në çdo dy rekate është më i virtytshmi. Mes tyre mund të lexohen edhe lutje të ndryshme, si Xheusheni, Esmau’lHusna, dhe Hizbul-hasinapo Hizbu’l-masun.

Dijetarët kanë theksuar se falja e namazit të teravive duke e bërë Kuranin hatme të paktën njëherë gjatë muajit është sunet, ndërsa falja e tij duke e bërë më hatme më shumë se një herë është virtyt. Të parët tanë të mirë, ose e kanë kënduar vetë të gjithë Kuranin nga fillimi deri në fund, ose kanë falur namaz pas dikujt që e ka kënduar me hatme atë. Kur falet namazi i teravive, qoftë duke u kënduar suret e shkurtra, qoftë duke u bërë hatme, e qenësishme është që ato që këndohen të këndohen me saktësi dhe namazi të falet sipas të gjithë mënyrës së përsosur të faljes së tij. Përndryshe, këndimi i ajeteve shumë shpejt, sikur të jesh duke garuar me kohën, apo ulja në ruku dhe në sexhde sikur do që t’i heqësh qafe një orë e më parë, nuk janë kurrsesi të drejta dhe mund të konsiderohen edhe si mungesë respekti ndaj shpirtit të namazit. Besimtarët duhet të tregohen më se të matur në këtë çështje; duhet ta shohin edhe namazin e teravive si të gjitha adhurimet dhe namazet e tjera, ta konsiderojnë atë si një kafshë transporti shpirtëror në rrugën e afrimit me Allahun dhe ta pranojnë atë si një mënyrë mjaft të mirë për t’u afruar me Allahun. Për rrjedhojë, ne duhet ta vlerësojmë më së miri këtë mundësi që Zoti na e ka falur si mirësi, dhe të mos i falim sa për të kaluar radhën ato rekate, por duke i përmbushur siç duhet.

5. Itikaf-i

Itikaf-i, si fjalë, bart kuptimet e tërheqjes në izolim, t’i kushtohesh diçkaje dhe të mbyllesh diku, por në terminologji ai është akti i tërheqjes së një myslimani në një vend a faltore ku pesë kohët e namazit falen me bashkësinë dhe ku të gjithë ia kanë kushtuar veten dhe kohën kryerjes së adhurimeve, forcimit të devotshmërisë, mendimit dhe përmendjes së Allahut dhe lutjes e përgjërimit ndaj Tij.

Për itikaf-in na flet edhe ky ajet i Kuranit Fisnik, në të cilin thuhet:

“Mos iu afroni bashkëshorteve tuaja kur jeni në itikaf nëpër faltore.”

Ndërsa, në një ajet tjetër ka shenja se itikaf-i ka qenë i pranishëm edhe në umetet e tjera:

“Ibrahimin dhe Ismailin i patëm urdhëruar: ‘Mbajeni më se të pastër shtëpinë Time (Qaben) për ata që i vijnë përreth e rrotull, ata që hyjnë në itikaf dhe ata që bien në ruku dhe në sexhde!’”

Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), pas vitit të dytë të mërgimit, çdo vit, dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazanit i ka kaluar duke qëndruar në itikaf në faltore. Një vit, kishte qenë në rrugë dhe nuk kishte gjetur mundësi që të izolohej, por edhe ato ditë i pati zëvendësuar në Ramazanin e vitit të ardhshëm, duke qëndruar në itikaf për njëzet ditë me radhë.47

Aishja e nderuar (radijallahu anha) i përshkruan me këto fjalë emocionet e të Dërguarit të Allahut gjatë këtyre ditëve:

“(I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), gjatë muajit të Ramazanit kryente më shumë adhurime krahasuar me muajt e tjerë të vitit.) Dhjetë netët e fundit të Ramazanit i mbante shumë më të gjalla sesa netët e mëparshme, madje i zgjonte të gjithë pjesëtarët e familjes që t’i mbanin edhe ata sa më të gjalla. I drejtohej adhurimit me seriozitet.”

Përpos shumë prej sahabëve, sunetin e itikaf-it e kanë kryer edhe bashkëshortet e Profetit tonë të Nderuar nëpër vende të caktuara, të organizuara brenda shtëpive të tyre. Siç shprehen ato vetë, edhe pas mërgimit të Profetit në amshim, ato nuk e kanë lënë asnjëherë pa e kryer këtë sunet.

Profeti ynë i Nderuar, kur do të hynte në itikaf, njërin cep të faltores e rrethonte me hasra dhe i mbyllur atje e ka kaluar kohën duke kryer adhurime dhe pa qenë nevoja nuk është ka dalë jashtë faltores. Madje, njëherë, kur ka dashur të lante flokun e bekuar, që nga vendi ku gjendej vetëm sa ka zgjatur kokën drejt dhomës së tij dhe Aishja e nderuar ia ka larë dhe krehur flokun pa hyrë në shtëpi.

Ndërkohë që hyrja e burrave në itikaf ka qenë e domosdoshme, ky kusht nuk është vendosur edhe për gratë, por është thënë se ishte më e përshtatshme që ato të organizonin një pjesë të shtëpisë dhe të tërhiqeshin atje në adhurime. Krahas kësaj, nëse kushtet janë të arritshme në përputhje me shpirtin e fesë, nuk ka asnjë ndalesë që edhe ato ta kryejnë itikaf-in duke u izoluar nëpër faltore.

Gjatë qëndrimit në itikaf duhet treguar një kujdes maksimal që të mos flitet asnjë fjalë përveç fjalëve të mira. Edhe pse nuk ka asnjë ndalesë për foljen e fjalëve që nuk janë mëkat, e përshtatshme për shpirtin e përgjithshëm të itikaf-it është, ose të flitet mirë, ose të heshtet. Veçanërisht duhet qëndruar larg çdo gjëje që përbën mëkat, siç janë thashethemet, shpifjet, përgojimi apo bartja e thënieve të të tjerëve. Veprat që përputhen më së shumti me shpirtin dhe domethënien e këtij adhurimi janë leximi i Kuranit Fisnik, përmendja pa ndërprerje e Allahut dhe gjithë punët e tjera që e bëjnë shikimit të të anojë vetëm kah jeta e përtejme. Veç kësaj, në ato ditë mund të lexohen libra rreth jetës së Profetit tonë të Nderuar, profetëve të tjerë dhe personaliteteve të tjera të mëdha; mund të diskutohen çështje të ndryshme të fesë dhe besimit.

Itikaf-i e largon personin nga një varg dëshirash dhe kërkesash njerëzore dhe egoiste, dhe përgatit terrenin që ai të ngjitet në gradët e jetës së zemrës dhe të shpirtit. Besimtari, bashkë me fillimin e tre muajve, hyn në një atmosferë shpirtërore të veçantë dhe me agjërimin e namazit dhe faljen e teravive, kjo atmosfere i ngjason edhe më shumë amshimit. Ndërsa itikaf-i që do të kryejë gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, ai e largon atë edhe nga një varg nevojash që janë të lejuara dhe e kthen atë në një farë engjëlli. Sepse gjatë kësaj kohe, ai vë në kontroll të ngrënin dhe të pirin, braktis çdo çështje të kësaj bote, mbyllet krejtësisht ndaj mëkateve dhe nuk merret veçse me adhurime dhe vepra që forcojnë devotshmërinë.

Disa personalitete të mëdha e kanë përngjasuar itikaf-in me gjendjen e dikujt që ngulet te porta e një njeriu të madh dhe thotë: “Pa ma përmbushur këtë nevojë nuk kam për t’u larguar nga kjo portë.” Robi, për dhjetë ditë me radhë, nuk largohet nga porta e Allahut dhe afrohet edhe më shumë kah Ai me punët e tij të mira, i lutet dhe përgjërohet Atij pa pra dhe ngjan sikur me gjuhën e gjendjes shpirtërore, thotë: “Pa më falur e pa më mëshiruar Ti unë e kam vendosur, nuk largohem.”

Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na ka këshilluar që natën e Kadrit ta kërkojmë në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Nata e Kadrit, e cila mund të humbet nga përhumbja gjatë netëve të tjera, ka më shumë gjasa që të vlerësohet siç duhet nga besimtarët që kanë hyrë në itikaf. Ai që i kalon dhjetët ditët e fundit të Ramazanit në itikaf dhe e kalon kohën vazhdimisht vetëm duke adhuruar Allahun, gjen mundësinë që të përfitojë edhe shpërblimin e natës së Kadrit, e cila është më e mirë edhe sesa njëmijë muaj.

Në anën tjetër, itikaf-i mundëson që njeriu të largohet nga të gjitha barrët e kësaj bote dhe të ballafaqohet me veten, të meditojë dhe të bëjë një llogari të jetës së tij. Ndërkohë që në pjesën tjetër të kohës, shqetësimi i jetesës dhe problemet e kësaj bote e mbajnë atë të zënë, kur është në itikaf, qoftë edhe për një farë kohe, ai mund të shpëtojë syresh. Për dhjetë ditë me radhë, njeriu kupton madhështinë e Allahut të Madhërishëm, pafundësinë e mirësive, se sa të shumta i ka mëkatet, se sa pak e ka falënderuar Allahun dhe e kalon nëpër sy edhe njëherë të gjithë jetën e vet, pas itikaf-it mund të hapë një faqe të re në jetën e tij. Edhe nga kjo pikëpamje itikaf-i i ofron njeriut një mundësi të madhe, të cilën nuk e arrin dot edhe aq lehtë në kohë të tjera.

Besimtari që hyn në itikaf, në një farë kuptimi është pritje të namazit të radhës. Siç thuhet edhe në hadithet e bekuara, njeriu që pret namazin e radhës pasi ka falur një namaz, fiton shpërblime sikur të jetë duke falur namaz përgjatë gjithë kohës që është me abdes. Ja pra, besimtari që nuk e braktis vendin e itikaf-it dhe përpiqet që të jetë me abdes gjatë gjithë kohës, ka fituar edhe mundësinë e përfitimit nga ky shpërblim i premtuar në hadithe.

Fatkeqësisht, itikaf-i është ndër sunetet që ka filluar të harrohet në ditët e sotme. Edhe pse ka ende pak njerëz që e kryejnë këtë sunet, vështirë të thuhet edhe se ata e kryejnë itikaf-in në përputhje të plotë

me shpirtin e tij. Sepse në itikaf thelbësore është bërja e një jetese të thelluar në devotshmëri duke u larguar tërësej nga kjo botë dhe ta ndiesh thellësisht mendimin se je duke u parë nga Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu). Në të thelbësore është të hash pak, të pish pak, të habitesh, të bëhesh kalimtar dhe të gjesh Allahun (xhel’le xhelaluhu).

Ah sikur të ishin mundësitë dhe të ndërtoheshin xhami me pjesë të ideuara enkas për të bërë itikaf gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Xhami që të kenë pjesë të ndara, si për burrat, edhe për gratë, ku ata do të mund t’i përmbushin lehtësisht gjithë nevojat e tyre, ku do të mund të merrnin abdes lehtësisht dhe ku të mund të bënin itikaf njëqind apo dyqind vetë dhe të gjithë të mund të qëndronin në dhoma të ndara për tre-a katër vetë...

6. Të ndash në rrugën e Allahut

Ramazani është një muaj që duhet vlerësuar në mënyrën më frytdhënëse të mundshme, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Një nga rrugët e vlerësimit të tij është edhe që të ndash sa më shumë nga ç’është e jotja në rrugën e Allahut.

Siç e transmetuam edhe më herët, ibni Abasi, kur përshkruan Ramazanin e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi Të), thotë kështu:

“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ishte më bujari ndër njerëz. Dhe koha kur Ai ishte më bujar se kurdoherë, ishte koha kur me të takohej Xhebraili i Nderuar (alejhis’selam), takoheshin me Profetin tonë çdo natë dhe këndonin Kuran përballë njëri-tjetrit. Prandaj, gjatë këtyre ditëve, i Dërguari i Allahut bëhej më bujar edhe se erërat bujare që fryjnë pa njohur pengesë.”

Besimtarët, të cilët e merrnin Profetin tonë të Nderuar (pqmT) shembull në çdo veprim të Tij, përpiqeshin që të jepnin sa më shumë në rrugën e Allahut edhe ata gjatë këtij muaji. Po, megjithëse zekati sipas masës së karatëve të arit ishte detyrim një vit më pas, besimtarët tregoheshin shumë të kujdesshëm që ta jepnin zekatin gjatë këtij muaji, në mënyrë që të fitonin sa më shumë prej shpërblimeve të tij. Me sadakatë e shumta dhe të mirat e dhëna në rrugën e Allahut gjatë këtij muaji, bëheshin përpjekje që t›u fitohej zemra sa shumë njerëzve në radhët e të varfërve, jetimëve, nxënësve, të moshuarve dhe atyre që ishin në nevojë. Sepse, siç e nënvizuam edhe më parë, shpërblimi i punëve të kryera gjatë këtij muaji do të jepet shumëfish herë më shumë.

Një nga punët që duhen kryer medoemos gjatë muajit të

Ramazanit është edhe sadakaja e fitr-it, e cila për Hanefitë përbën një domosdoshmëri (uaxhib). Duke qenë se këtë temë do ta trajtojmë më gjerësisht në një pjesë tjetër të mëvetësishme të këtij libri, këtu dua që të ndalemi më shumë te një përvijim i përgjithshëm i konceptit të sadakasë dhe dhënies në rrugën e Allahut.

Në fakt, çdo punë e mirë, materiale apo shpirtërore, që kryhet për të fituar kënaqësinë e Allahut, është quajtur sadaka. Sadakaja, e cila është trajtuar mjaft gjerësisht në Islam, ka disa forma. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë kështu:

“Çdo kyç i njeriut kërkon një falënderim të veçantë. Prandaj ia vlen sikur çdo ditë të jepet diçka për hir të falënderimit për të. Edhe të gjykosh drejt në mosmarrëveshjen mes dy vetëve është një lloj sadakaje. Edhe sikur t›i vish në ndihmë dikujt që kërkon të hipë në kafshën tënde të barrës dhe ti e merr atë mbi kafshën tënde, apo ia ngarkon barrët e tij mbi të, është një lloj sadakaje. Çdo fjalë e mirë që thua është një lloj sadakaje. Çdo hap që hedh drejt faltores për të falur namazin, është një lloj sadakaje. Edhe të largosh diçka nga rruga, e cila përndryshe do të pengonte dikë teksa do të kalonte atypari, është një lloj sadakaje...”

Siç shihet, domethënia e sadakasë është trajtuar shumë gjerë në këtë hadith të bekuar. Në ditët e sotme, kur thua sadaka, parasysh vjen më shumë lëmosha e dhënë në formën e një shume parash. Mirëpo besimtari duhet ta organizojë jetën në atë mënyrë që të bëjë sadaka në çdo rast dhe në çdo kusht të jetës së tij, duke e bërë atë një pjesë të pandarë të jetës së vet. Siç transmetohet nga Ebu Musa el-Eshariu (radijallahu anh), njëherë, Profeti Fisnik ka thënë: “Dhënia e sadakasë është detyrë për çdo mysliman.” - Ata që ishin të pranishëm, e pyetën: “Po ata që nuk kanë asgjë për të dhënë, çfarë do të bëjnë, o i Dërguari i Allahut?” - Kësaj pyetjeje të tyren Profeti ynë i Nderuar iu përgjigj me fjalët: “Do të punojë, do të fitojë me mundin e duarve të veta dhe do të bëhet i dobishëm edhe për veten, por do t’u japë edhe të tjerëve sadaka.”

Po nëse nuk bëjnë dot, as kaq, o i Dërguari i Allahut? - vijuan të pyesnin ata.

Ndihmon dikë që ka nevojë për ndihmë, atëherë.

Po sikur të mos ketë mundësi as për këtë?

T’i udhëzojë njerëzit për mirë.

Po sikur të mos ketë mundësi as për kaq?

Të paktën të mos i bëjë askujt keq. Edhe kjo është një lloj sadakaje, - u përgjigj në fund i Dërguari i Allahut.

Për të na e ndriçuar pak më shumë horizontin, që ta kuptojmë më mirë dhe drejt vlerën që ka dhënia e sadakasë pranë Allahut, do të na vinin në ndihmë edhe këto hadithe të bekuara:

“Ruajuni nga Xhehenemi, sikur edhe me gjysmë hurme.”

“Dhënia e sadakasë nuk e pakëson pasurinë.”57

“Dora që jep është më e mirë se dora që merr.”

“Sadakaja e zbut ashpërsinë e Zotit dhe e mbron njeriun nga fundi i keq.”

Ka edhe shumë hadithe të tjera, të cilat tregojnë se sa e rëndësishme është dhënia e sadakasë për një mysliman. Çdo besimtar i vetëdijshëm

për këtë, veçanërisht në muajin e bekuar të Ramazanit, kur shumëfishohet shpërblimi i punëve të mira, duhet të përpiqet që të japë sa më shumë sadaka.

Gjithashtu, një lloj tjetër i sadakasë është edhe ajo që quhet “sadakaja e vijueshme”, që është shkak që në librin tonë të bëmave të jetës të shkruhen shpërblime edhe pas vdekjes. Ndërtimi i xhamive, shkollave, rrugëve, konvikteve, prej të cilave mund të përfitojnë të gjithë njerëzit; mbjellja e pemëve; lënia e veprave të dobishme, janë disa nga kategoritë e punëve që mund të përfshihen në këtë lloj sadakaje. Edhe në hadithin e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi Të) që shenjon pikërisht këtë lloj të sadakasë thuhet:

“Kur njeriu vdes, përveç tre bëmave, shpërblimi për bëmat e tij ndërpritet. Punët që e ndihmojnë njeriun t’i shkruhen shpërblime edhe pasi ka vdekur janë këto: “sadakaja e vijueshme”, dija e tij, nga e cila përfitojnë njerëzit dhe fëmija i mbarë që lutet nga pas.”

7. Shtimi i punëve të mira

Adhurimet që Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) na i ka shpallur detyrim dhe na i ka ngarkuar të gjithëve si përgjegjësi, sipas cilësisë së kryerjes së tyre, do të përftojnë gjendje të caktuara dhe do të dëshmojnë për ne pranë Allahut. Prandaj, ne duhet ta kënaqim sa më shumë këtë muaj të faljes, në mënyrë që edhe dëshmia e tij për ne të jetë e mirë dhe të kumbojë anekënd. Sepse, nëse Ramazani i bekuar vlerësohet siç duhet, kur të largohet prej nesh, ai do të dëshmojë në dobinë tonë dhe mbase do të thotë se ne jemi të denjë për të hyrë në Xhenet nga porta e Rejanit. Kështu që ne duhet të tregojmë respekt për adhurimet që Allahu i ka caktuar për ne, t’i vlerësojmë ato si shumë të çmuara dhe të jemi përherë në përpjekje për t’i vlerësuar maksimalisht ato.

Veç kësaj, në amshim njeriu do ta dijë se për çfarë është secila mirësi që po i fal Allahu, shpërblim për cilën punë të tij në këtë jetë, dhe kjo mirësi do t’i falë atij një kënaqësi të tejskajshme. Ndoshta, i gjendur përballë tërë këtyre mirësive që janë konsideruar të denja për të, do të thotë: “Shyqyr, o Zot! Fillimisht Zoti më nderiu mua me punë të mira, kurse tani po më nderon me shpërblimin e tyre.”

Po, atje njeriu do t’i njohë agjërimet e tij me gojë, me hundë dhe me veshë. Sipas cilësive dhe dimensioneve të jetës së përtejme do t’i dijë dhe do t’i njohë menjëherë, qëndrimin e tij i etur dhe i uritur, lodhjen gjatë teravive, emocionet e zgjimit në syfyr dhe gostitë e shijshme të iftareve dhe do të ndiejë edhe njëherë kënaqësinë e tyre.

Disa adhurime e fitojnë thellësinë e tyre pikërisht nga forma e tyre. Kështu janë edhe adhurimet e kryera gjatë muajit të Ramazanit. Prandaj veprat e kryera gjatë muajit të Ramazanit do të fitojnë një vlerë shumë të veçantë. Gjatë këtij muaji njerëzit i afrohen Allahut shumë ndryshe. Nuk ka asnjë agjërim tjetër që mund t’i afrohet sadopak shpërblimit të mbajtur në muaj të tjerë. Njëzet rekate namaz të falura gjatë muajve të tjerë nuk e zëvendësojnë dot namazin e teravive. Po njësoj, syfyret e bëra në netët e muajve të tjerë, nuk të përftojnë dot shpërblimin që fitohet nga syfyret e muajit të Ramazanit. Ashtu si edhe pritjet që të thirret ezani i akshamit nuk mund të jenë kurrsesi si pritja e ezanit për të çelur iftarin gjatë muajit të Ramazanit. Me pak fjalë, punët e bëra në kohë të tjera nuk e arrijnë dot kurrsesi shpërblimin e arritur gjatë muajit të Ramazanit. Kjo është arsyeja që besimtarët e sinqertë, që e ndiejnë mjaft thellë në ndërgjegjen e tyre këtë të vërtetë, ndiejnë një trishtim të madh për ikjen e Ramazanit dhe ndiejnë mall për të gjer sa të vijë Ramazani i ardhshëm. Ku ta dimë, ndoshta ky mall u përfton atyre gjithë shpërblimin e një muaji Ramazani më vete.

Dihet dhe ne e kemi trajtuar, një varg muajsh, ditësh dhe netës kanë virtyte të veçanta. Për shembull, me fjalët e Kuranit, njeriu që i jep jetë natës së Kadrit fiton shpërblime sikur t’u kethë dhënë jetë njëmijë muajve të tërë. Poende edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), dikush që mban dezhurn një ditë me qëllimin e mbrojtjes së atdheut, fiton shpërblime sikur të ketë kryer adhurime për ditë dhe muaj me radhë. Ashtu si njeriu që mediton, i cili bëhet sikur të ketë qenë duke kryer adhurime prej vitesh. Domethënë, diçka shumë personale, mjaft e vogël dhe e pjesshme që mund të bëjë njeriu në një prerje shumë të ngushtë të kohës dhe në një vend që ka rëndësi jetike, fiton menjëherë tërësi, madje aq sa mund të dalë edhe prej saj dhe të shndërrohet në thelb, dhe pranë Allahut pranohet sikur të jetë kryer e plotë.

Nëse dikush i kalon netët e Ramazanit të bekuar me namaz dhe ditët duke mbajtur agjërim, domethënë e mban atë të gjallë ditë-natë, ai mund të fitojë edhe mirësitë hyjnore që janë premtuar se do të jepen në natën e Kadrit. Për rrjedhojë, ai do të jetë i hapur ndaj çdo mbarësie edhe përgjatë vitit, duke u përfshirë në rrugën e lëvizjes dhe veprimit vetëmse në rrugën e së mirës. Dhe kjo do të thotë se për atë njeri është ngritur një rreth i vijueshëm i së mirës. Mandej, çdo e mirë lind një të mirë tjetër, aq sa për të krijohet një rreth që lind vetëm të mirën dhe të mbarën. Një portë e këtillë, që është potencial i mirësisë dhe mbarësisë, është e hapur për të gjithë.

Ta mbash gjallë gjithë muajin e Ramazanit

Për njeriun që e mban gjallë muajin e Ramazanit të plotë Profeti ynë (pqmT) ka thënë:

“Kush e mban agjërimin e Ramazanit të bekuar duke besuar te shpërblimi i tij dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen gjithë mëkatet e shkuara.”

Domethënë, në këto lloje adhurimesh qëllimi, sinqeriteti dhe bindja në besim janë shumë të rëndësishme, përderisa Allahu, sipas thellësisë së tyre, nganjëherë jep dhjetëfish, nganjëherë njëqindfish, e nganjëherë një milion dhe e bën shkas që njeriu të fitojë shpërblime që e kapërcejnë edhe jetëgjatësinë e tij.

Nëse do të duhej ta shpjegonim me një ilustrim, të themi që e kapët natën e Kadrit gjatë një muaji të Ramazanit dhe e jetësuat atë duke kryer adhurime të shumta. Sipas një përllogaritjeje në bazë të asaj që thuhet, me “njëmijë muaj”, ato bëjnë afërsisht tetëdhjetë vjet. Sipas kësaj ju do të fitoni shpërblime njësoj sikur të keni jetuar tetëdhjetë vite dhe të tetëdhjetë vitet t’i keni kaluar duke kryer adhurime. Kjo është një arritje dhe meritë shumë e madhe, të cilën njeriu e ka të vështirë ta përfshijë brenda jetës së tij të shkurtër.

Veçanërisht, ato janë njëmijë muaj ose tetëdhjetë vite të atilla që brenda tyre nuk ka, as vetëpëlqim, as dëshirë për t’u dukur. Sepse adhurimiin e kryer në një çast të natës dhe në një vend ku nuk ka asnjë njeri tjetër përveç teje, nuk mund ta marrë dot furtuna e vetëpëlqimit apo dëshirës për t’u dukur. Në të nuk ka mëkate të tjera; për shembull, nuk ke parë drejt së ndaluarës, nuk ke gënjyer dhe nuk ke vepruar ndesh me asnjë nga kriteret e fesë së madhe të Islamit.

Ja, një muaj që lind mbarësi kaq të rëndësishme, i këtillë është Ramazani. Unë jam i mendimit se veçanërisht për ata që i shërbejnë besimit dhe Kuranit, muaji i Ramazanit, por edhe kohë të tjera, kanë një rëndësi të veçantë. Sepse, duke qenë se ata ia kanë kushtuar shërbimit jetën e tyre, ndoshta çdo minutë, çdo sekondë e jetës së tyre, do të begatohet si të ishte Ramazan. Nga ky këndvështrim, nëse një muaj Ramazani i kaluar me sinqeritet i përfton njeriut tetëdhjetë vite jete në terma të adhurimit, atëherë besoj se është e pamundur të llogarisësh dot jetëgjatësinë e këtyre të fundit.

8. Shtrimi i sofrave të iftarit edhe për të tjerët

Muaji i Ramazanit, i cili shfaqet në horizontet tona me bukuritë e tij marramendëse, si agjërimi, iftari, syfyri, teravitë, dhe krijon një atmosferë të shenjtë, që është karakteristike e tij, edhe në kohërat kur tensionet ndjekin njëri-tjetrin, dhuna dhe ashpërsia ia lënë vendin njëra-tjetrës, konfliktet e krijuara njihen si meritë dhe në mes masave mbizotëron ftohtësia, ka një ndikim të veçantë, që shpirtrat të arrijnë paqen edhe njëherë, zemrat, ndjenjat dhe mendimet të bëhen të qashtra dhe çdo ngërç, ngurtësi dhe ashpërsi të bëhet e paqtë. Zaten, një e vërtetë tjetër është edhe që në këtë muaj të bekuar, kur paqja, butësia dhe ëmbëlsia janë më të ndjeshme, te myslimanët mbizotëron një ndjenjë e thellë respekti. Nga kjo pikëpamje, edhe nëse tani ne jemi të rrethuar nga çdo anë nga të këqija nga më të ndryshmet, ne mund të përdorim vullnetin dhe t’i hapim zemrat ndaj kësaj prerjeje të bekuar të kohës, të besojmë me gjithë zemër te begatia e tij dhe t’i drejtohemi me ndjenjat më të thella të respektit; edhe ai do të na përqafojë ne, do të na e zbrazë mbi krye gjithë begatinë e vet, do t’i dalë përpara ashpërsisë, egërsisë dhe inatit, e kësisoj, në shoqëri do të sundojë atmosfera e qetësisë dhe paqes.

Tani, nëse do të ndalemi tek ato që duhen bërë, për shembull, dikush që banon në një apartament, cilatdo që të jenë kultura dhe botëkuptimi i fqinjëve të tij, t’i ftojë ata në sofrën e vet të iftarit dhe me sa të ketë mundësi, të sillet me ta me bujari dhe si xhentilmen. Madje, pasi t’u japë për të ngrënë, t’u thotë: “Ju u munduat duke ardhur deri te ne. Nëse e pranoni, edhe kjo le të jetë si një farë qiraje për dhëmbët tuaj.” - dhe t’u japë nga një dhuratë të vogël të përgatitur më herët. Nëse i ka mundësitë, t’u japë nga një dhuratë të vogël edhe fëmijëve, në mënyrë që t’i kënaqë edhe ata të vegjël. Në të njëjtën mënyrë, dikush që është mësues në shkollë, apo dikush që është profesor në universitet ose dikush që punon në një institucion tjetër, mund të kontribuojë në paqen shoqërore duke ua hapur sofrën e tij të iftarit të gjithëve pa bërë dallime se cilës shtresë i përkasin ata që do të ftojë.

Ne duhet ta vlerësojmë aq mirë këtë muaj të bekuar e që vjen me shumë begati, aq sa nuk duhet të ketë asnjë sofër që nuk pret miq në iftarin e saj. Po, sofrat e iftarit duhet të pasurohen më shumë me praninë e sa më shumë miqve të shumëllojshëm, më shumë se sa me shumëllojshmëri ushqimesh. Ju e dini, Profeti ynë i Nderuar thotë: “Ushqimi që është për një person u mjafton edhe dy vetëve, ushqimi që është për dy u mjafton edhe katër vetëve, ushqimi që është për katër vetë u mjafton edhe tetë vetëve.” Nga kjo pikëpamje, në Ramazan, i cili vjen me një begati krejt të veçantë, nuk duhet të ekzistojë shqetësimi se kanë ardhur shumë miq.

Një sjellje si kjo është një rrugë e rëndësishme diplomacie tejet e rëndësishme për mbylljen e humnerave që ekzistojnë mes shtresave të ndryshme të shoqërisë, por edhe për kapërcimin e paragjykimeve të shumta që e përçajnë shoqërinë. Ka shumë probleme, të cilat nuk zgjidhen dot me forcë dhe fuqi, por zgjidhen menjëherë me anë të kësaj rruge. Nëse ju ia hapni të gjithëve zemrën, hyni në zemrat e bashkëbiseduesve tuaj me njerëzinë tuaj, përgatitni në zemrat tuaja një vend ku mund të ulet gjithkush dhe kësisoj, zemrat njerëzore fillojnë t’ju ndjekin nga pas, atëherë nuk ka urrejtje, mllef, inat, gjakderdhje dhe humbje jete që nuk ndërpritet. Përgjatë historisë së njerëzimit, asnjëherë nuk është vërejtur që problemet të jenë zgjidhur, apo shqetësimet të jenë kapërcyer nëpërmjet kanosjes. Përkundrazi, njerëzit janë nxitur edhe më shumë nga kanosjet dhe janë organizuar edhe më shumë në boshtin e tyre të inatosjes dhe shkatërrimit.

E thotë edhe një fjalë e urtë, një kafe e ka hatrin dyzet vjet. Edhe një iftar që do të shtrojmë, do të ketë hatrin e vet për dyzet vjet me radhë. Prandaj, kjo është një bujari që duhet të kryhet, sepse kthimin e ka shumë ndryshe. Nuk e dimë, ndoshta këtu fshihet një pjesë e rëndësishme e begatisë së muajit të Ramazanit. Domethënë, ne mund të fitojmë shpërblime hyjnore duke agjëruar, duke falur teravitë, por fitojmë edhe më shumë duke hyrë në zemrat e njerëzve.

Nga ana tjetër, shërbëtorët e Kuranit, të cilët ngarendin në rrugën e shërbimit ndaj njerëzimit në të katër anët e botës, mund ta konsiderojnë Ramazanin si një shkas shumë të rëndësishëm për të hyrë në zemra. Njësoj siç vihen në pah ndjesitë e bujarisë në Bajramin e Kurbanit, kur kurbanët e prerë shpërndahen ngado, duke nisur që nga njerëzit në nevojë, dhe nëpërmjet kurbanit fitohen sa e sa zemra, por në to u vunë në lëvizje edhe sa e sa ndjenja besimi që mes tyre ekziston një farë vëllazërie. Po ashtu, duke ua hapur të gjithëve dyert e syfyrit dhe iftarit, mund të fitohen sa e sa zemra dhe ky muaj i bekuar të fitojë një cilësi të veçantë, me të cilën Allahu (xhel’le xhelaluhu) do të jetë i kënaqur. Veçanërisht ftesat e syfyrit dhe iftarit jashtë vendit, do të jenë mjaft të dobishme për të njohur njëri-tjetrin dhe për ndërtimin e paqes në mesin e njerëzimit. Sidomos ezanet e kënduara në çastin e iftarit do të jenë mjaft origjinale, sepse do të dëgjohen ngado si një zë surprizë. Prandaj, një mundësi e këtillë duhet vlerësuar sa më mirë që të jetë e mundur, për t’u treguar bashkëbiseduesve bukurinë tonë, por edhe për t’i njohur ata me pasuritë tona.

Ndoshta këto aktivitete te bashkëbiseduesit tanë do të krijojnë thjesht një simpati ndaj Islamit. Mirëpo edhe një fitore e këtillë nuk është për t’u nënvlerësuar. Kushedi, ata njerëz, që ndoshta e ndiejnë çdo gjë të njomë e të freskët, me kalimin e kohës do t’i ndiejnë bukuritë e Islamit dhe si në një trampolinë vertikale, do të lartësohen drejt fronit të përsosmërisë. Nga ky këndvështrim, që të arrihet ky rezultat, ia vlen të shtrohen nga tri-katër sofra në ditë, jo vetëm një sofër iftari.

Fatkeqësisht, njeriu i ditëve tona jetoi i privuar nga bukuritë e të qenit mysliman, nuk i dalloi dot sjelljet dhe qëndrimet e mirëfillta myslimane. Ja, kjo është detyra jonë më e rëndësishme, t’u tregojmë atyre cili është Islami i vërtetë, me strukturën tonë familjare, me marrëdhënien që ne kemi me nënën, babain dhe fëmijët, me ftesat tona, duke u treguar se sa xhentilmenë jemi. Nëse dikush i sheh myslimanët si armiqtë e vet, atëherë rruga e kapërcimit të kësaj është qëndrimi sa më afër me ta. Prandaj, në muajin e bekuar të Ramazanit, myslimanët duhet të bëjnë çdo përpjekje që ta bëjnë këtë punë në mënyrën më të arsyeshme, ashtu siç e kërkon pozicioni në të cilin gjenden dhe duke përdorur arsyen, logjikën, gjykimin dhe fuqinë e këshillimit me njëri-tjetrin.

D. Nata e Kadrit

Një nga veçantitë e muajit të Ramazanit është që ka brenda tij edhe natën e Kadrit. Fjala “kadir”, nga e merr emrin kjo natë, nuk është e ndryshme nga fjala “kadir”, të cilën e përdorim në gjuhën turke. Si për nga prejardhja, ashtu edhe trajtën kuptimore të përdorur, ajo është e njëjta. Domethënë, në këtë natë zënë vend shpirti dhe përmbajtja e një vlerësimi, një njohjeje vlere të mirëfilltë. Ngjan sikur me të të na thuhet, “t’ia dini vlerën kësaj nate, që t’ju dihet edhe juve vlera që keni!” Veçantia më e rëndësishme e natës së Kadrit është që Kurani Fisnik, libri ynë i madh, që është një përkthim i pakohë i librit të gjithësisë dhe që premton t’u falë njerëzve dhe xhindeve lumturinë në të dyja botët,është zbritur në qiellin e kësaj bote pikërisht në këtë natë. Në suren “Kadr” Allahu (xhel’le xhelaluhu) thotë:

“Ne e zbritëm Kuranin në natën e Kadrit. E di ti se çfarë është nata e Kadrit? Është më e hairit se njëmijë muaj nata e Kadrit! Atë natë, me lejen e Zotit Shpirti dhe engjëjt zbresin e zbresin për çdo lloj gjëje. Në të vërtetë, është një paqe ajo natë, gjersa fillon të zbardhë.”

Kurani është zbritur në qiellin e botës si një i tërë në natën e Kadrit, e pastaj, sipas nevojës dhe ndodhive, i është zbritur Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe mbarë njerëzimit.

Në këtë ajet shprehet se kjo natë është më e hairit e më e mbarë edhe se njëmijë muaj. Në lidhje me këtë temë, në veprën me titull “Muuatta” të Imam Malikut përballemi me një të dhënë të tillë: “Të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) iu tregua jeta e popujve të parë, që kishin jetuar përpara Tij. Kur pa jetëgjatësinë e tyre dhe mendoi për shpërblimet që do të fitonin ata, Profetit tonë (pqmT) jeta e popullit të Tij iu duk e shkurtër dhe mendoi se ata nuk do të mund t’i arrinin dot aq shpërblime, me të cilat do të nderoheshin popujt që kishin jetuar para popullit të Tij. Për këtë arsye Allahu i fali Atij natën e Kadrit, që është më e vyer se njëmijë muaj.”

Sipas një transmetimi tjetër Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), një ditë, u pati treguar sahabëve të tij se katër vetë nga bijtë e Izraelit kishin kryer adhurime pa bërë asnjë mëkat për tetëdhjetë vite me radhë. Kjo i habiti shumë sahabët. Aty, në atë çast, erdhi Xhebraili (alejhis’selam) dhe tha: “O Muhamed! Populli yt u habit kur dëgjoi se si ata kryen adhurime për tetëdhjetë vjet me radhë. Allahu të ka zbritur Ty diçka më të mirë se kjo.” – dhe i këndoi aty suren “Kadr” dhe fill pas kësaj, i tha: “Ja, kjo po që është më e mirë e më e hairit për Ty dhe popullin Tënd sesa ajo që i habiti ata.”

“Njëmijë muaj” është e barabartë me një kohë sa tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Nata e Kadrit është një mundësi shumë e madhe, që një besimtar të marrë brenda një nate të vetme një fryt shpirtëror që vetëm gjatë gjithë jetës do të mund ta fitonte. Ai duhet të përpiqet e të bëjë çmos që të mos e humbasë këtë mundësi, e nëse është nevoja edhe të sakrifikojë. Ç’është e vërteta, ky është edhe kuptimi i asaj që quhet itikaf69, pra, izolimit përgjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Ai besimtar që i vlerëson siç duhet dhjetë ditët e itikafit, detyrimisht do të ketë vlerësuar mirë edhe natën e Kadrit.

Në ca kohë dhe gjendje të caktuara Allahu (xhel’le xhelaluhu) u jep vlerë të shumëfishtë edhe shumë pak veprave të mira. Për shembull, pritja një orë në kufi gjatë detyrës e një ushtari të kufirit shkon si një vit adhurim ndaj Zotit. Dikush që bie dëshmor në rrugën e Allahut, si të ishte hedhur në një trampolinë, ngjitet vertikalisht shumë lart drejt përsosurisë së më të mirës së të mirave. Po ashtu, një natë Kadri e vlerësuar siç duhet, bëhet e barabartë me tetëdhjetë e kusur vite adhurim. Siç shihet nga të gjitha këto punë të mira të realizuara, ai mund të fitojë në shkallë të atilla, që nuk i ka pritur, ato i shtohen dhe kthehen njëfarësoj në kallinj që japin njëmijë në një.

Sipas një këndvështrimi, të qenët më e mirë se njëmijë muaj është një metonimi që tregon madhësinë. Me një fjalë, në këtë ajet, më shumë sesa numri i përdorur, aty është theksuar se si ajo natë është një burim arritjesh shpirtërore aq të mëdha.

Ndërsa sipas një pikëpamjeje tjetër, kjo arritje nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që e dinë natë “Kadri” çdo natë. Po, sikur ata ta kenë gjallëruar çdo natë dhe sikur mëshira ta ketë mbushur gotën pikërisht këtë natë dhe kështu, pikë pikë, ata të jenë hapur drejt një deti të tërë mëshire.

Këtu në mendje mund të vijë edhe një pyetje e këtillë: “Një mirësi si kjo, pse i është falur vetëm e vetëm umetit të Profetit Muhamed (pqmT)?” Kësaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje kështu: “Umeti i Profetit Muhamedit është në një pozitë të veçantë për sa i përket konceptimit të të vërtetave. Përpos kësaj, edhe Profeti i këtij populli është në majën më të lartë. Kështu që kjo natë është caktuar për këtë popull, së bashku me Profetin që u është dërguar atyre, dhe kjo është një mirësi bujare e Allahut të Madhërishëm.”

Një tjetër shkak mund të jetë edhe ky: Mrekullia e Fjalës, Kurani, është zbritur në natën e Kadrit. Kurani është predikuar nëpërmjet Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i Cili ishte i merituari i Emrit më të Madh, pra i shkallës më të lartë të emrave të Allahut (xh.sh.) dhe i destinuar për një popullsi, që ishte më e përkryera. Veç kësaj, Kurani ka ardhur nëpërmjet Xhebrailit të Besuar, që ishte i përzgjedhuri i fjalës hyjnore dhe në një farë kuptimi, një engjëll i madh që ishte si profet i engjëjve. Prandaj, nata në të cilën Kurani u zbrit në qiellin e botës dhe filloi t’i zbritej edhe Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), është një natë shumë e rëndësishme në jetën e umetit të Profetit Muhamed dhe këtë natë Allahu i Madhërishëm e ka mbajtur mbi gjithë netët e tjera dhe e ka bërë të jetë e barabartë me njëmijë muaj.

1. Koha e natës së Kadrit

Ashtu siç është mbajtur e fshehtë ajo që quhet “koha e pranimit” në ditën e premte, pra ora kur pranohen të gjitha lutjet, apo robërit e lartë në mesin e njerëzve, apo Emri i Madh mes Emrave të Bukur, edhe nata e Kadrit është mbajtur e fshehtë në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan. Dhe kësisoj, nga besimtarët pritet që ata të jenë vazhdimisht të zgjuar dhe të kujdesshëm, ta kalojnë kohën me adhurime pa ndërprerë dhe të mos u ikë nga duart asnjë mundësi për të bërë mirë.

Nga nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha) na është transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i kalonte i mbyllur në faltore duke ia dhënë veten krejtësisht adhurimit, fakt ky që e kemi treguar edhe më parë. Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit mes dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!” Ndërsa, njëherë tjetër ka thënë: “Natën e Kadrit kërkojeni në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!”

Siç na transmetohet nga Abdullah bin Omeri (radijallahu anh), një grup nga sahabët patën parë në ëndërr se nata e Kadrit ishte në një nga shtatë netët e fundit të Ramazanit. Kur e dëgjoi këtë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u tha atyre: “Shoh se ëndrrat tuaja në lidhje me natën e Kadrit bashkohen në pikën që ajo është në shtatë netët e fundit. Atëherë, kushdo që kërkon natën e Kadrit, ta kërkojë atë në shtatë netët e fundit të Ramazanit!” E në një transmetim tjetër, na këshillohet që atë ta kërkojmë veçanërisht në natën e njëzeteshtatë të Ramazanit.

Profeti ynë, Krenaria e Njerëzimit, e dinte kohën e saktë të natës së Kadrit. Por, një ditë, pati thënë: “Mua më qe treguar se në cilën dite ishte nata e Kadrit. Dola jashtë për t’jua treguar, kur pashë dy njerëz që po debatonin me njëri-tjetrin. Teksa u mora me ta, Mua m’u harrua nata e Kadrit.” Kështu pati thënë dhe me këto fjalë pati vënë theksin te fakti se sa shumë e kishte plagosur thellë edhe një mosmarrëveshje dhe përplasje e vogël mes besimtarëve, si dhe në atë se çfarë mund të shkaktojë përplasja dhe mosmarrëveshja mes besimtarëve.

Edhe shprehja frazeologjike, “Çdo natë ta dish Kadër, çdo njeri ta dish Hizër.”, është një fjalë shumë kuptimplotë. Sepse, ashtu siç nata e Kadrit është e fshehur mes netësh, edhe Hizri (alejhis’selam) është i fshehur në mesin e njerëzve. Nëse ju tregoni respekt për çdokënd, i ndihmoni në çdo nevojë, e mbani çdokënd për dore dhe ia hapni zemrën që aty të mund të hyjnë të gjithë, një ditë përballë do t’ju dalë një Hizër dhe kopshti i zemrës suaj do të lulëzojë. Kështu, duke i fshehur këto të dyja Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) na ka drejtuar të gjithëve ne që të sillemi vazhdimisht me shumë kujdes dhe të jemi pa ndërprerë të përfshirë në një tension metafizik, që të jemi përherë të zgjuar dhe të kujdesshëm.

Mirëpo, nëse nuk keni një lidhje kaq të fortë e të përzemërt me Allahun (xhel’le xhelaluhu), është shumë e vështirë që t’i gjeni, si natën e Kadrit, ashtu edhe Hizrin. Këto të dyja janë të mundura vetëm kur në zemrën tuaj të kapni shkallën e besimit dhe besnikërisë; jua hap juve perden e fshehtësive vetëm kur ju të kërkoni njëherë e ta gjeni në zemrën tuaj atë. Nëse ka te ju mendime të gjetjes së gjërave gati, “ta gjej menjëherë, ta shoh menjëherë, ta fitoj menjëherë” dhe jeni të varura nga ndjesi të këtilla, atëherë ta dini se do t’ju duhet të prisni shumë.

Në këtë këndvështrim, ata që janë në kërkim të gjërave të lira, nuk besoj se do të përfitojnë plotësisht nga nata e Kadrit. Ata le të presin përgjatë një viti të tërë; le të gjallërojnë vetëm natën e njëzeteshtatë të Ramazanit të Bekuar dhe të fitojnë mirësitë hyjnore që Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) i ka falur për ata që e vlerësojnë siç duhet natën e Kadrit. Por, nëse nuk ka një mirësi hyjnore të rrafshit të së jashtëzakonshmes, kjo nuk është diçka që mund të ndodhë shumë. Andaj edhe Imam Ebu Hanifeja ka thënë: “Nata e Kadrit nuk është vetëm në netë të caktuara, por ajo duhet kërkuar në secilën prej treqind e gjashtëdhjetë e kusur netët e vitit. Nëse ju i mbani të gjalla me kujdesin më të përsosur të treqind e gjashtëdhjetë e kusur netë, nuk ka dyshim që Allahu i Lartësuar do t’i përgëzojë zemrat tuaja të sinqerta.”

2. Vlerësimi i natës së Kadrit

Nata e Kadrit është një natë, kur Allahu (xhel’le xhelaluhu) do t’u falë njerëzve shpërblime të shumta. E thënë me fjalë të tjera, kjo natë është një prerje e bekuar e kohës kur Mbreti i Pafillimësisë dhe i Përjetësisë do t’u shpërndajë dhurata e shpërblime atyre që i besojnë Atij. Gjatë kësaj nate, pothuajse të gjithë atyre që hyjnë në atë atmosferë Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) u fal secilit nga diçka sipas kuptimit dhe vlerës që ka tek Ai. Poende, atë natë, Allahu vepron me robërit e Tij si Sundues i Gjithësisë; nuk i shikon mëkatarët, skllevërit, lypësit dhe nevojtarët sipas rrënimit shpirtëror apo shprishjes fizike që mund të kenë përjetuar; nuk i vëren, por i trajton ata me mirësi sipas madhështisë së Vet. Për rrjedhojë, i Dërguari i Allahut, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë kështu në lidhje me këtë natë:

“Atij që e vlerëson natën e Kadrit siç duhet, duke besuar te virtyti i saj dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Kuptimi dhe kapja e orës së bekuar, kur çdo gjë kthehet një me njëmijë, në Qabe, në Arafat, në Muzdelife, në Muuaxhehe, apo gjatë natës së Kadrit dhe në ditën e premte, përbëjnë një rëndësi shumë të madhe për sa i përket kapjes së të gjithë lartësimit dhe shpërblimeve që do të vijnë nga Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu). Prandaj, kur i kupton plotësisht këtë hapësirë dhe kohë, njeriu duhet ta harrojë vetveten tërësisht dhe, për shembull, të lutet me këto fjalë:

“O Zot! Lartësoji edhe njëherë nëpër çdo anë të botës emrin Tënd të Lartë, të drejtën dhe të vërtetën. Na i hap edhe njëherë zemrat, si neve, ashtu edhe mbarë robërve të Tu nëpër botë, ndaj besimit, Islamit, Kuranit dhe shërbimit në besim dhe na mbaj neve të ngarkuar e në krye të kësaj detyre. Përhap mes robërve të Tu në qiell dhe në tokë dashuri dhe pranim për ne. Na bëj neve prej robërve të Tu të sinqertë, të pranuar me sinqeritet, të devotshëm, që kanë frikë të gabojnë ndaj Teje, të përkushtuar në adhurim dhe që meritojnë të jenë pranë me Ty, të kënaqur me Zotin e tyre dhe që Zoti i tyre është i kënaqur me ta, që të duan Ty dhe që duhen pranë Teje, që janë të përshpirtshëm, të thjeshtë dhe që moral kanë moralin e Kuranit. Dërgoju o Zot, salavate pa fund Profetit tonë, Muhamedit (pqmT), dhe paqe të gjithë sahabëve të Tij! Amin! Pafundësisht amin!”

Në një farë kuptimi ky horizont i “Nëse e shoh të shpëtuar besimin e popullit tim, jam i kënaqur edhe ta shoh veten mes flakëve të Ferrit.” – duhet të quhet detyrë nga ana e çdo besimtari. Ky është një horizont, në të cilin njeriu e ka harruar tashmë vuajtjen e vet dhe nuk ndien asgjë tjetër veç vuajtjeve që kanë të tjerët.

Po, sot njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Allahun dhe për mesazhin e ndritur dhe të bekuar që Allahu ia pati dërguar me dorën e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Prandaj, edhe pse mund të duken të vogla, përpjeket e bëra në këtë drejtim të ngadhënjimit dhe çlirimit të zemrave, ma merr mendja se kanë një rëndësi shumë të madhe pranë Allahut. Dhe të mendosh kështu, të përpiqesh në këtë çështje dhe të përgjërohesh me lutje pas lutjesh, është një sjellje profetike.

Veç kësaj, veçanërisht për këtë natë, ne duhet ta bëjmë sa më shumë këtë lutje që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na e ka mësuar nëpërmjet Aishes së nderuar (radijallahu anha):

“O Zot! Ti je shumë falës, Bujaria është e Jotja, e Ti e do që të falësh. Falmë edhe mua!”

Këtë natë të ndritur deri në të zbardhur dhe gostinë hyjnore të saj e bëjnë të gëzueshme zbritja dhe prania në tokë e engjëjve dhe krijesave shpirtërore, me në krye Xhebrailin (alejhis’selam), i Cili ka sjellë edhe Kuranin Madhështor. Për çdo gërmë të lexuar nga Kurani në këtë natë, jepen tridhjetëmijë shpërblime. E po të njëjtën rritje të shumëfishtë kanë edhe shpërblimet për adhurimet e tjera. Në këtë këndvështrim, për ta vlerësuar drejt natën dhe për ta shtuar përfitimin nga begatia dhe shkëlqimi i asaj kohe, falet namaz, lexohet Kuran dhe përmendet Allahu (xhel’le xhelaluhu) me uirde dhe dhikre nga më të shumtat, thuhen salavate, i lutemi dhe i përgjërohemi të dorëzuar Allahut, si dhe u jepet të varfërve dhe njerëzve të vetmuar sa më shumë sadaka. Me pak fjalë, bëhet çdo përpjekje për t’u vlerësuar sa më shumë kjo natë.

E. Sadakaja e Fitrit

Sadakaja që i është ngarkuar të japë çdo mysliman që i ka mundësitë gjatë muajit të Ramazanit për secilin prej pjesëtarëve të familjes së tij, quhet sadakaja e Fitrit. Në mesin e njerëzve kësaj i thuhet edhe “fitreja”. Në thelb sadakaja e Fitrit, që jepet me qëllimin për të përfituar sa më shumë nga begatia e muajit të Ramazanit, ka një fitim tejet të rëndësishëm në jetën e përtejme. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të), teksa tregonte begatinë hyjnore të sadakasë dhe të ndarjes prej pasurisë për të tjerët, ka thënë kështu:

“Nga një shkak i thjeshtë si ai i të dhënit dikujt një kafshatë bukë, një grusht hurma, apo diçka e ngjashme që mund t’i bëjë dobi të varfërit, Allahu vë në Xhennet tre persona: kryefamiljarin që urdhëron dhënien e lëmoshës, zonjën e shtëpisë që përgatit atë që do të jepet dhe shërbyesin që ia çon nevojtarit lëmoshën.”

Urdhëresa për dhënien e sadakasë së Fitrit ka ardhur në vitin e dytë të mërgimit, së bashku me shpalljen detyrim të mbajtjes së agjërimit të Ramazanit. Në një prej haditheve të Tij Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka bërë të ditur se sadakaja e Fitrit duhet dhënë për çdo mysliman, i lirë, skllav, mashkull apo femër. Mbështetur në këtë hadith, dijetarët Shafii, Maliki dhe Hanbeli, kanë thënë se sadakaja e fitrit është farz – detyrim. Ndërsa, sipas medhhebit Hanefi, ajo është uaxhip – domosdoshmëri.

Ibni Abasi (radijallahu anh) thotë kështu në lidhje me urtësitë e sadakasë së fitrit:

“I Dërguari i Allahut e ka urdhëruar sadakanë e fitrit, për ta pastruar agjëruesin nga sjelljet e kota e të shëmtuara dhe që të varfërit të kenë diçka për të ngrënë.”

Nëse do të qëndrojmë te ky vlerësim i Ibni Abasit, sadakaja e fitrit është njëfarësoj si sexhdeja e gabimit në namaz; shërben si një shkas për faljen e gabimeve dhe mangësive që mund të kenë ndodhur gjatë mbajtjes së agjërimit përgjatë muajit të Ramazanit.

Në të njëjtën kohë, sadakaja e fitrit kontribuon edhe në përforcimin e solidaritetit në mesin e shoqërisë. Dhe është mjaft i rëndësishëm, duke qenë se u mundëson edhe atyre që janë nevojtarë, që të paktën në ditët e Bajramit, të mund të përmbushin ndonjë prej nevojave të tyre dhe të mund t’u mundësojnë fëmijëve që ta ndiejnë edhe ata gëzimin e festës së Bajramit.

F. Dieta

Dieta është emërtim i ndihmës që bëjnë të gjithë ata që nuk e mbajnë dot agjërimin duke qenë se vuajnë nga një sëmundje kronike, pleqëria, shtatzënia apo ushqimi me gji i fëmijës, për çdo ditë që nuk kanë mundur të agjërojnë, duke i siguruar një të varfri të paktën sa për t’u ushqyer me dy vakte ushqimi të ditës.

Dieta është e caktuar me një ajet kuranor, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë kështu:

“Agjërimi që ju është urdhëruar është me ditë të caktuara. Kushdo që është i sëmurë ose në udhëtim në ato ditë dhe nuk e mban dot agjërimin, për aq ditë sa nuk e ka mbajtur dot, kur t’i kthehet shëndeti ose të mos jetë udhëtar, agjëron në ditë të tjera. Ata që nuk mund të agjërojnë nga pleqëria ose për arsye të tjera, si sëmundjet e rënda, ata duhet të japin dietë sa për të ngopur një të skamur...”

G. Bajrami i Ramazanit

1. Mendimet e Bajramit

Muajt që i prijnë Ramazanit, të cilat vijnë me mbarësi dhe begati, janë si shenjat dhe lajmëtaret se në horizont duken ditët e qeta, të heshtura, e të bekuara por plot e përplot me një shkëqim që do t’i mbështjellin zemrat. Çdo zemër që ka besuar, së bashku me ditën e parë të këtyre muajve, ndien se ka hyrë në territorin e Ramazanit, e përjeton këtë dhe, për ta vlerësuar sa më mirë muajin e begatisë që e pret disa hapa më tej, i kalon edhe njëherë nëpër sy të gjitha ndjenjat për sa i përket frymimeve dhe robërimit që do të shpërfaqë përpara Krijuesit.. sikur të mos i jenë hapur ende plotësisht qepallat nga gjumi dhe nuk është arritur ende përqendrimi në lidhje me ato që do të bëhen e do të thuhen, por me disa mërmërima dhe belbëzime, ndien sikur të jetë duke bërë disa përpjekje për të kapur melodinë e kësaj pune të madhe dhe këtij drejtimi të shenjtë, si e si për ta përkapur atë ritëm.

Kur zemrat mbushen plot emocion dhe shpirtrat vijnë në atë trajtën e tyre të pjekur, pas gjithë këtyre ditëve që vlejnë secila nga një agim më vete, me reflektimin e hënës së parë, por si një hënë e plotë, lind përnjëherësh Ramazani. Fryn gjithë frymë gjallërimi si erëra të ëmbla.. fryn e na i mbështjell zemrat; na i përkëdhel shpirtrat dhe lëkurën njësoj si mëndafshi dhe si kodrat në pranverë na i zgjon sytë drejt bukurive, e në zemra na zgjon dëshirën për t’u ngjitur lart në zemrat tona.. dhe porsi ujëvarat, kraharorët tanë i pushton një drithërimë e butë dhe e ëmbël.

Në fund, mikpritja e një muaji përfundon, e ikën edhe Ramazani që erdhi me njëmijë e një arritje e shpërblime.. ikën, por shpirtrat që janë zgjuar e ringjallur nga drita e prurë prej tij, zemrat që kanë menduar vazhdimisht vetëm për të dhe janë drithëruar nga frika plot respekt ndaj Allahut, ndërgjegjet që kanë dalë në rrugë me dëshirën e madhe të ritakimit dhe kanë shkumëzuar ndjesish, kësaj here do të përqafohen me ditët aq të ngrohta të Bajramit. Po, ashtu si ata që e lëshojnë veten në det dhe pas një çasti ndiejnë ujin që i prek në çdo anë të trupit, edhe ne, pas tre muajve, e gjejmë veten në atmosferën larushane të Bajramit, në atë atmosferë të paqes dhe nginjjes shpirtërore.. e gjejmë dhe e ndiejmë atë me të gjitha shqisat tona, me tërë qenien, dhe e shpërndajmë me të gjitha kriteret e përvijuara nga gjendja jonë.

Pothuajse të gjitha zemrat që kanë besuar, nga të gjitha, namazet e falura gjatë Bajramit, tekbirët, sadakatë e fitrit, kurbanët dhe vizitat te njëri-tjetri, gjejnë një rrugëkalim, një dalje në imagjinatë dhe porsi vela të fryra nga erëra të brendshme, u duket sikur rrëshkasin drejt një bote ëndrrash të ëmbla. Po, me magjinë e atmosferës së përgjithshme, zërave, fjalëve dhe sjelljeve gjatë ditëve të Bajramit njeriu e ndien veten si të ishte ngjitur në një balonë fluturuese dhe sikur ngjitet pak e nga pak drejt qiellit, imagjinon sikur po largohet nga vendi në të cilin gjendej dhe përjeton aty një botë të magjishme, të cilën e kanë krijuar dritat e zbrazura nga një erë e çuditshme që ka sjellë Bajrami.

Në Bajram ne i ndiejmë të përfshira në njëra-tjetrën, të shkuarën, të ardhmen dhe të tashmen dhe kjo na fal kënaqësi. Njësoj sikur të kishte një farë magjie në zërat që dalin e ngrihen nëpër ajër nga faltoret, në ato shtëpitë ku shkojmë për vizitë apo në duart e bekuara që puthim, dhe me një prekje tonën sado të vogël, mbi të shkuarën sikur hapen dritare të njëpasnjëshme... dhe sakaq, ne na duket vetja sikur jemi në të njëjtën radhë në një faltore të vjetër së bashku me gjyshin, gjyshin e gjyshit dhe gjyshin e tij... me nxitjen që na jep kalimi i buzëve nga një dorë e pastër në tjetrën, njëra pas tjetrës, ndiejmë gëzimin e kalimit përpara fytyrës të sa e sa duarve të bekuara, sa e gjithë bota, njëra pas tjetrës. Kur përqafojmë miqtë dhe të afërmit dhe i shtrëngojmë fort në kraharor, na bëhet sikur në atë çast të jemi duke shtrëngjuar në kraharor edhe të afërmit tanë që kanë jetuar shumë më herët, shumë shumë më herët dhe na duket sikur i erëmojmë të gjithë... na bëhet dhe çdo mendim, çdo imagjinatë, çdo fjalë dhe çdo sjellje që depërton nga Bajrami sikur ringjall një prerje kohe të ndritur të së shkuarës, që na e kaplon tërë horizontin, bëhet e jona, jeton bashkë me qenien tonë dhe u fal të gjithëve një shembull të “ringjalljes pas vdekjes” sipas gjerësisë së imagjinatës së vet.

Bajramet janë jehona melodike të të parëve tanë të lavdishëm dhe rrënjëve tona të bekuara, që kanë mbërritur deri sot e kësaj dite te ne. Me magjepsjen që shkaktojnë këto kumbime, ne shkojmë drejt botësh të pamundura për t’u arritur, hyjmë kudo me lehtësinë e hyrjes në ëndërr, e shëtisim çdo anë e kënd me shpejtësinë e imagjinatës dhe shumë shtresa të kohës mbivendosen, duket sikur iu mvishen njëratjetrës dhe ne i përjetojmë të gjitha në një të vetme. Po, për aq sa ne e lëshojmë veten në duart e fuqisë magjike të Ramazanit, e shkuara sikur rigjallërohet me tërë madhështinë e saj dhe kthehet edhe njëherë drejt nesh... çdo humbje e jona ringjallet dhe gjithë ç’kemi humbur e gjejmë edhe njëherë. I frymojmë edhe njëherë ato ditë të qashtra të së shkuarës, i thithim me një frymëmarrje më të fortë drejt mushkërive, pijmë me etje prej ujërave të kulluara që buçasin të së shkuarës dhe na ngjan vetja sikur të jemi në një ekskursion në një botë krejt të tjetërfartë... Dhe e pandehim aq thellë dhe aq sikur ta kemi lëshuar veten krejt në të, sa që na duket sikur të gjithë të vdekurit ringjallen në varret e tyre... të gjitha gjërat e kalbura e të shpërndara tashmë, mblidhen edhe njëherë, fitojnë shpirt edhe njëherë... gjërat e copëtuara sa këtu atje, bashkohen dhe bëhen edhe njëherë njësh... prerjet e kohës të jetës sonë vijnë e na i përqafojnë edhe njëherë shpirtin... dhe krahas atyre kënaqësive të thella, shumë të thella, që kemi përjetuar dje dhe atyre që jemi duke përjetuar sot, me kujtimet e bukura të së shkuarës futemi në kënaqësi shpirtërore aq të magjishme, sa që në atë pikë ku kemi arritur, përbërësit e shijes dhe kënaqësisë, njësoj siç ndodh në ëndrra, ndryshojnë, risohen dhe marrin format që duam ne dhe kthehen nga një në njëmijë, duke hyrë nëpër qëllimet, mendimet dhe zemrat tona. Gjithçka që shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë, ndërron nga njëra formë në tjetrën me një magji që është e pamendueshme lehtë; prandaj ne kalojmë nga njëra ndjenjë, mendim dhe kënaqësi në ndjenjën, mendimin dhe kënaqësinë tjetër, sikur jeta jonë të ishte brenda një ylberi.

Kur vjen agimi i Bajramit dhe nga kryet e minareve fillojnë të kumbojnë lavdet e Zotit dhe gjithkah mbështillet nga një ëmbëlsi shpirtërore, në ato minuta ndiejmë aq shumë gjëra të mistershme që na i entuziazmojnë ëndrrat, të cilat na marrin ne e na çojnë drejt thellësive, madje drejt thellësive më të thella se thellësitë dhe u pëshpërisin zemrave tona ndjesi të fshehta që nuk mund të thuhen asnjëherë dhe tregojnë për disa gjëra të pamundura për t’u shprehur, sidomos me gjuhën e përditshme, krejtësisht të pa pashpjegueshme.

Po, ajo atmosferë, ajo estetikë dhe ai stil i ezaneve, lavdërimeve të Zotit, tekbirëve, “La ilahe il’lallah”-eve, që shkëputen nga ndjenjat dhe mendimet e Itrive, Dede Efendive, është një zë dhe gjuhë e veçantë shumëdimensionale e botës së popullit tonë, një gjuhë e pakapshme e zemrës së tyre. Këto nota të zërit që të shkaktojnë drithërima janë shprehje e ndjenjave, melodi e zemrave tona, lënë në shpirtrat tona një gjurmë të fortë të përtejkohshme si një tog fjalësh të ardhura nga shumë përtej.

Nganjëherë klithmat e njëpasnjëshme, si të ishte duke ardhur ndonjë urdhër nga muezini, nganjëherë përvajtimi me melodi qiellore e imamit pas një farë kohe, nganjëherë kumbimi i tërë xhematit si në një kor, janë aq madhështore, aq drithëruese dhe i përkasin aq shumë botës sonë, aq sa ne të gjithë, ndërsa mërmërisim zërat që ngjiten nga faltorja drejt qiellit, e ndiejmë edhe njëherë gjithë atë të shkuar të gjatë e të lavdishme, madje edhe më tej, një të vërtetë të përbotshme, një të vërtetë që nis nga pakohësia dhe shkon drejt përjetësisë, me gjithë freskinë e saj të veçantë dhe përjetojmë atë tension të veçantë kënaqësie shpirtërore. Veçanërisht gjatë ditëve të Bajramit, faltorja na pëshpërit neve atë pastërtinë e ndjenjave aq të holla dhe të buta si mëndafshi dhe atë atmosferë aq të gjallë sa një çerdhe zogjsh, rehatinë e trupit, bindjen e shpirtit, qëllimin e jetës, aventurën e saj, rrënjët shpirtërore të popullit tonë, themelet e kulturës, pavdekësinë e fesë sonë, muzikalitetin e gjuhës, botëkuptimin për jetën, bindjet, stilin dhe shijen tonë dhe na tregojnë rrugët për t’u bërë njeri i mirëfilltë.

Pothuajse në çdo kohë, mes këtyre zërave të ëmbël që jehojnë nëpër faltore, ne ndiejmë dhe na bëhet sikur e shohim me sy se si qiejt afrohen drejt tokës, toka kërkon të lartësohet e të bëhet njësh me qiejt, yjet që u shkelin syrin luleve në tokë dhe lulet që pulitin sytë ndaj banorëve të qiellit dhe se si përjetohen gjithë këto vajtje-ardhje të mistershme e magjepsëse mes këtyre dy botëve.

Këta zëra, këto fjalë dhe këto imazhe, që i marrin të gjithë sipas thellesisë së tyre shpirtërore dhe të imagjinatës dhe i çojnë tej nëpër shumë botë të tjera, jo vetëm që jehojnë në zemrat që kanë besuar me bukuri që ndjellin zili, drithërimat, emocionet entuziazmuese dhe frymimet rigjallëruese, por, kur mbaron namazi, përmbushet edhe ai udhëtim qiellor dhe faltores i thuhet përkohesisht ‘lamtumirë’, për të “zbritur” kësaj here nga Më i Drejti te njerëzit, të gjithë kthehen te njerëzit me një tjetër lloj thellësie... përqafohet me ta, i uron për Bajramin dhe të gjitha ato që ka arritur në shpirt në atë rrugëtim drejt e nga faltorja, i ndan me të gjithë që takon në rrugë, në lagje, në shtëpi, në vendin e punës, në shkollë... kësisoj, copëzave të kufizuara kohës, të cilat janë të ndara në orë, u përfton pafundësi me aq sa ia lejojnë gjerësia e zemrës dhe pakohësia e shpirtit, aq sa duket sikur i kthen në përjetësi... dhe ende duke qenë në këtë botë, vë në pah se sa i lidhur është me gjithçka të përtejme, sa thellësisht është i lidhur me përjetësinë.

Të gjithë myslimanët pa përjashtim, që të mund të jehojnë kaq fort në shpirtrat e tyre dhe të mund t’i ndiejnë të gjitha sakaq këto ndjenja, këto ëndrra dhe këto emocione, lind nevoja për kushedi se sa kohë e organizime që mund të realizohen me rrugë të tjera. Gjithsesi, nuk mendoj se është e mundur që të arrihet dot njësoj po e njëjta atmosferë qiellore. Sepse gëzimi, lumturia, kënaqësia dhe emocionet e Bajrameve më shumë se sa nga ajo që përjetohet burimin e ka te dimensioni i përjetësisë dhe të ardhmes, tek ajo që do të përjetohet edhe pas asaj që është duke u përjetuar tani. Të gjithë, me atë çfarë janë duke përjetuar tani, jetojnë magjinë e gjërave që do të ndiejnë zemrat e tyre në kullën e tyre të fildishtë... dhe më shumë se sa kjo jetë kalimtare që vjen e ikën, shëtisin nëpër ëndrrat e një të ardhmeje pa dyshim më të përshtatshme me botën e tyre shpirtërore, më të butë, më të ngrohtë. Në të vërtetë, njeriu është fëmija i një pritjeje. Një pjesë të mirë të jetës ai e kalon në kodrinat e një pritjeje të veshur me velin e shpresës. Pothuajse të gjithë ne kemi diç në thelbin tonë që është shumë fort e lidhur me Parajsën. Kjo pritje nuk është një pritje pasi nuk na kanë pëlqyer ato që kemi gjetur apo jetuar këtu; kjo pritje është pritja e surprizave hyjnore, për të cilat imagjinata jonë është shumë e ngushtë, edhe që të kuptojë në fytyrën e “paradhënieve” të shijuara veçanësinë e të qenit njeri, e sidomos privilegjin e të qenit njeri. Se sa e vërtetë është kjo dhe se sa me vend, Bajramet janë gjuhët më të pastra që e shprehin më së miri nga dritaret e mëdha të zemrës drejt thellësive të shpirtrave tona.

2. Dimensioni shpirtëror i Bajramit

I ndjeri Nexhip Fazëll, besimtarin e vërtetë e përngjasonte me një formë karameleje të shtrënguar mirë e mirë. “Besimtari është si një karamele e ngjeshur mirë, ka forcë ta ëmbëlsojë gjithë detin.” Po, sepse një besimtar që ka besuar mirë dhe ka arritur që besimin e tij ta reflektojë edhe në qëndrimet dhe sjelljet e tij është mëshirë për gjithë ç’ka përreth; njëfarësoj ai e ëmbëlson çdo gjë e çdo kënd përreth tij. Ai është si një formë karameleje, që edhe sikur në det, që është ujë me një masë të përqendruar kripe, ta hidhni, ai ka aq shumë ëmbëlsi sa që mund edhe detin e paanë mund ta bëjë sherbet.

Po ashtu, edhe Bajrami, megjithëse është i shkurtër, ai është një prerje e kohës që fsheh brenda saj arritjet, mbarësinë, begatinë dhe gëzimin e javëve të tëra, madje muajve. Në Bajram drejtimi dhe mirësitë surprizë të Allahut janë të atilla që mund të mos arrihen dot as në dhjetë ditë, një muaj, ndoshta as në dhjetë muaj apo disa vjet njëherësh. Sepse të mirat dhe mirësitë e bëra fitojnë vlerë vetëmse me drejtimin e përgjigjen e Allahut ndaj tyre. Dhe ja, Bajrami është një nga shkaqet më të rëndësishme të një drejtimi të këtillë; sikur është pikërisht koha që mund të ta ëmbëlsojë gjithë jetën, sepse është koha e mundur për të arritur mirësitë hyjnore më të thella.

Patjetër, një arritje e këtillë është vetëm për ata njerëz që i kanë vlerësuar më së miri arritjet e mundshme të Ramazanit dhe nuk janë përfshirë në kotësi gjatë Bajramit. Është shumë e vështirë që të përfitojnë prej të mirave të veçanta dhe arritjeve shpirtërore të Bajramit ata që e shohin Bajramin thjesht si një ditë pushimi, apo që hanë atë ditë dhe hedhin në bark çdo gjë që u del përpara, si të ishin duke marrë hakun e një muaji që kanë qëndruar pa ngrënë e pa pirë, apo që u rikthehen mëkateve pas një vargu ditësh të bekuara. Vetëm njerëzit që arrijnë ta ruajnë kujdesin dhe vigjilencën, si në Ramazan, edhe në Bajram, që qëndrojnë të distancuar nga mëkatet përgjatë gjithë jetës ashtu siç kanë qëndruar larg gjërave të dyshimta (mubah) gjatë Ramazanit dhe që kanë një koncept të plotë të robërisë ndaj Allahut, arrijnë që të meritojnë një mbarësi dhe të mira të mbledhura kaq dendur në pak kohë. Për ta Bajrami është trashëgimtari i vërtetë i Ramazanit; pra ato shpërblime dhe çmime të premtuara për në Ramazan është e mundur që t’i gjesh dhe t’i marrësh edhe ne Bajram ato fryte. Njësoj si nata e Kadrit, që mban të ngërthyer në vete mirësitë dhe të mirat e një jete të plotë, ashtu është edhe Bajrami. Por, ndërkohë që ditët e Ramazanit dhe nata e Kadrit shihen si mundësi afrimi dhe afërsie me Allahun, në Bajram thelbësore është shpresa e afrimit. Bëhet fjalë për një shpresë që mund të shprehet me fjalët: “Me lejen e Allahut ne e arritëm atë afërsi; ishim ushtarë, u bëmë mareshalë.”

Në asnjë mënyrë, Bajrami nuk është gëzim për daljen nga Ramazani, që i le tashmë pas ditët e agjërimit dhe tani je i lirë të hash e të pish lirshëm ç’të duash. Ai është një farë çlirimi i zemrës që tashmë e ke kryer detyrën e robërisë dhe adhurimit ndaj Zotit dhe me shpresën që je bërë më i mirë për të fituar faljen e Tij. Ne nuk festojmë Bajram meqë e lamë pas Ramazanin dhe ditët e agjërimit, por Bajramin si festë të shpresës që kemi shpëtuar nga pesha e rëndë e gabimeve dhe mëkateve. Sa bukur e shprehin ndjenjën dhe mendimin tonë këto fjalë të imamit të Allvarit:

“Zoti të na falë, Bajrami atë ditë është Bajram

Të ikën gabim’ e mëkate, Bajrami atë ditë është Bajram.”

Po, për ne Bajram do të thotë trajtimi më së miri dhe drejt i muajit të bekuar të Ramazanit, i cili fillimin e ka mëshirë, mesin falje dhe fundin shpëtim nga zjarri i Xhehenemit, pra është një festë e ngritur mbi shpresën e shpëtimit njëherë e mirë nga flakët; një festë e ndërtuar mbi pritmërinë e përfitimit sadopak prej thellësisë së mëshirës së Allahut dhe asaj shprese.

E vërteta është se ne ende nuk jemi ndalur te gjërat e premtuara që do të na ofrohen në fund të agjërimit. Dhe është e pamundur që ta vlerësojmë dot me receptorët tanë fizikë dhe kriteret tona të kësibotshme drejtimin e veçantë të Allahut. Cilido të jetë shpërblimi i theksuar në premtimin e patëmetë të Allahut që është i Patëmetë: “Agjërimi është vetëm për Mua; shpërblimin e Tij vetëm Unë do ta jap.” – ne nuk mund ta dimë – por ne ende nuk e kemi marrë atë. Mirëpo ne besojmë aq fort te premtimi i Allahut dhe Ai do të na e japë dhe do të jetë shumë përtej pritshmërive tona; Ai do të na falë mirësi sipas madhësisë së thesareve të Tij që nuk njohin të mbaruar. Ne besojmë se i Gjithëmëshirshmi Mëshirues, Allahu që është Rahman dhe Rahim, që na ka mundësuar ta arrijmë Ramazanin, që na ka falur mundësinë për të thurur një thurimë të bukur robërie mes syfyrit dhe iftarit përgjatë një muaji të tërë, por duke na dhënë edhe forcën dhe fuqinë për të kryer detyrat tona me aq sa kemi mundësi, ka për të na falur një ditë edhe ato ditë të lumtura, në të cilat gëzimi do të jetë edhe shumë herë më i madh sesa gëzimi i sotëm. Ja pra, kështu e kuptojmë Bajramin me besim dhe jemi të mbushur plot e përplot me ëndrrat për Bajramet e vërteta që do të festojmë në sarajet e lumturisë së përjetshme.

Po, njëlloj siç shpresojmë se do të arrijmë një ditë në majat e gëzimit në Parajsë, pavarësisht të gjitha vështirësive, mundimeve dhe vuajtjeve që na presin rrugën drejt Xhenetit përgjatë gjithë jetës dhe përpjekjes së përditshme me lloj-lloj dëshirash, oreksesh dhe epshesh, që na tërheqin drejt Xhehenemit, është më se normale që të kemi disa pritmëri me dimensionin e mëshirës brenda nesh prej Atij që na e mundësoi të kalojmë një Ramazan me përpjekje për t’i kaluar të gjitha ato ditë në vijën e “kënaqësisë së Zotit”, me mendimin se na u dha mundësia të bëjmë investime të rëndësishme për sa i përket jetës së përtejme. Madje këto pritmëri janë një domosdoshmëri e besimit tek Allahu (xhel’le xheshanuhu). Për rrjedhojë, për ne Bajrami është edhe një ditë e çlirimit dhe frymëzimit shpirtëror, me të cilin i kemi lidhur të gjitha shpresat dhe pritmëritë tona për lumturi të përjetshme.

Bajramet tona

Parë nga një anë tjetër Bajramet tona janë shumë ndryshe festimeve, festivaleve apo karnavaleve që janë në shumë kultura të tjera. As në Bajram te besimtarët nuk mund të vërehen kurrsesi sjellje apo veprime të kota, anarki apo çekuilibrime. Tek ata vëren vetëm një seriozitet që e ka zanafillën te dëgjimi dhe bindja ndaj Kuranit, në çdo sjellje të ekuilibruar të tyre, në qëndrimet e tyre serioze apo shikimet e tyre të thella. Si në çdo ditë tjetër edhe në Bajram ata qëndrojnë të hapur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij; marrëdhëniet me të tjerët i mbajnë mbi ekuilibrin e boshtit të respektit, dashurisë dhe dhembshurisë. Ata përpiqen që të mos e çojnë dëm sikur edhe një grimëçast të vetëm të atyre ditëve të bekuara.

Me aq sa dihet, në kohën e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) puna nuk bëhej pushim në ditët e Bajramit. Njerëzit vijonin t’i kryenin po njëlloj të gjitha punët e tyre të përditshme. Atë ditë e prisnin pak më ndryshe me namazin dhe hutben e Bajramit;

86 M. Fethulla Gylen

mandej u buzëqeshnin të gjithë njëri-tjetrit, vraponin kush të kujdesej më shumë për të varfërit dhe nevojtarët dhe u shtronin për të ngrënë shokëve dhe miqve.

Shënimet

  1. 3.M. Fethullah Gylen, “Prerja e bekuar e kohës: tre muajt”, “Mendime që lulëzojnë” (Yeşeren Düşünceler), fq.
  2. 4.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/259; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 4/189. 5 Teube, 9/36.
  3. 5.Bediuzaman Said Nursi, Rrezet fq. 483 (Rrezja e Katërmbëdhjetë).
  4. 6.Nesai, sijam 70; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/201.
  5. 7.Buhariu, saum 52; Muslim, saum 173, 174, 176, 177.
  6. 8.Tirmidhi, zekat 28; Ibn Ebi Shejbe, el-Musannef 2/346.
  7. 9.Duhan, 44/1-4.
  8. 10.Ibni Maxhe, ikame 191.
  9. 11.Tirmidhi, saum 39; Ibni Maxhe, ikame 191. (Fisi i Beni Kelbit njihej në mesin e gjithë fiseve arabe pikërisht për numrin e madh të kokëve dele që kishin në pronësi.)
  10. 12.Bediuzaman Said Nursi, Rrezet fq. 495 (Rrezja e Katërmbëdhjetë).
  11. 13.Ibni Maxhe, ikame 191; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/108.
  12. 14.Ibni Huzejme, es-Sahih 3/191; el-Bejhaki, Shuabu’l-iman 3/306.
  13. 15.Buhariu, teuhid 35, tehexhud 14, daauat 13; Muslim, musafirin 166.
  14. 16.Kadr, 97/3.
  15. 17.et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 2/388; el-Hejthemi, Mexhmeu’z-zeuaid 3/141.
  16. 18.Buhariu, xhezau’s-sajd 26; Muslim, haxh 222.
  17. 19.Buhariu, saum 5; Muslim, sijam 1.
  18. 20.Buhariu, fadlu lejleti’l-kadr 5; Muslim, itikaf 7.
  19. 21.Buhariu, bed’u’l-uahj 5, saum 7; Muslim, fedail 50.
  20. 22.Muslim, taharet 16; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 2/359.
  21. 23.Buhariu, saum 29; Tirmidhi, saum 27; Ebu Daud, saum 38; Ibni Maxhe, sijam 14.
  22. 24.Tirmidhi, saum 82; Ibni Maxhe, sijam 45.
  23. 25.et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 19/144; el-Bejhaki, Shuabu’l-iman 2/215.
  24. 26.Buhariu, saum 29; Tirmidhi, saum 27; Ebu Daud, saum 38; Ibni Maxhe, sijam 14.
  25. 27.Muslim, salatu’l-musafirin 252; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/249, 257.
  26. 28.Tirmidhi, fedailu’l-Kuran 16; el-Bejhaki, Shuabu’l-Iman 2/342.
  27. 29.Muslim, salatu’l-musafirin 244; Ibni Maxhe, edeb 52.
  28. 30.Buhariu, fedailu’l-Kuran 21; Tirmidhi, fedailu’l-Kuran 15.
  29. 31.Buhariu, fedailu’l-Kuran 20, teuhid 45; Muslim, salatu’l-musafirin 266-267.
  30. 32.Tirmidhiu, fedailu’l-Kuran 18; Ebu Daud, uitr 20.
  31. 33.Muslim, dhikr 38; Ebu Daud, uitr 14; Ibni Maxhe, mukaddime 17.
  32. 34.Ebu Daud, uitr 14.
  33. 35.Tirmidhi, fedailu’l-Kuran 13; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/148, 149.
  34. 36.Tirmidhi, fedailu’l-Kuran 18; Darimi, fedailu’l-Kuran 1.
  35. 37.Muvatta, salat 264; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 2/67, 4/344; et-Taberani, el- Mu’xhemu’l-eusat 5/41.
  36. 38.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 451 (Letra e Njëzetenëntë, Pika e Gjashtë).
  37. 39.et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 3/193; Për një hadith në një kuptim të përafërt, shih:Ibni Maxhe, ikamet 176; Ebu Ja’la, el-Musned 2/50.
  38. 40.Tek suneti muekkede bëjnë pjesë të gjitha gjërat, veprimet a aktet që Profeti ynë ( pqmT) i ka bërë rregullisht, por që në kohë të caktuara mund të mos i ketë kryer me të njëjtën vazhdimësi.
  39. 41.Buhariu, salatu’t-teravih 1; Muslim, salatu’l-musafirin 173.
  40. 42.Ebu Daud, salat 148; Tirmidhi, salat 188; Nesai, salat 9; Ibni Maxhe, ikame 202.
  41. 43.Bakara, 2/187.
  42. 44.Bakara, 2/125.
  43. 45.Buhariu, itikaf 17; Tirmidhi, saum 79; Ebu Daud, saum 78; Ibni Maxhe, sijam 58. 47 Ibni Maxhe, sijam 58; Ibni Hudhejme, es-Sahih 3/346; el-Bejhaki, es-Sunenu’l- kubra 4/314.
  44. 46.Buhariu, fadlu lejleti’l-kadr 5; Muslim, itikaf 7.
  45. 47.Buhariu, itikaf 2; Muslim, itikaf 5.
  46. 48.itikaf 3; Muslim, itikaf 6, 7.
  47. 49.Shih: Buhariu, fadlu lejleti’l-kadr 3; Muslim, sijam 205.
  48. 50.buju’ 49; Muslim, mesaxhid 272-273.
  49. 51.bed’u’l-uahj 5, saum 7; Muslim, fedail 50.
  50. 52.sulh 11, xhihad 72, 128; Muslim, salatu’l-musafirin 84; zekat 56.
  51. 53.Buhariu, zekat 30, edeb 33; Muslim, zekat 55.
  52. 54.Buhariu, zekat 9, 10, menakib 25, edeb 34; Muslim, zekat 57 Muslim, birr 69; Tirmidhi, birr 82.
  53. 55.Buhariu, zekat 18, uesaja 9; Muslim, zekat 94-97.
  54. 56.Tirmidhiu, zekat 28; Ibni Hibban, es-Sahih 8/103.
  55. 57.Muslim, uasijet 14; Tirmidhi, ahkam 36; Ebu Daud, uesaja 14.
  56. 58.Shih: Kadr, 97/3.
  57. 59.Muslim, imaret 163; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/349.
  58. 60.Shih: Ebu’sh-Shejh, el-Azame 1/299.
  59. 61.Buhariu, iman 28; Muslim, salatu’l-musafirin 176.
  60. 62.Buhariu, et’ime 11; Muslim, eshribe 179.
  61. 63.Kadr, 97/1-5.
  62. 64.Muuatta, itikaf 15.
  63. 65.Eth-Thalebi, el-Keshf ue’l-bejan 10/255; ibni Kethir, Tefsiru’l-Kurani’l-adhim4/531. 69 Përshkrim se ç’është itikafi.
  64. 66.Buhariu, fadlu lejleti’l-kadr 3; Muslim, sijam 205.
  65. 67.Buhari, fadlu lejleti’l-kadr 3; Muslim, sijam 205.
  66. 68.Buhariu, lejletu’l-kadr 2, tabir 8; Muslim, sijam 205, 209.
  67. 69.Shih. Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/313, 319.
  68. 70.Buhari, iman 25; Muslim, salatu’l-musafirin 176.
  69. 71.Shih. Ibni Abdilberr, et-Temhid 2/208; en-Neueui, Sherhu Sahihi Muslim 8/57.
  70. 72.Buhariu, iman 25; Muslim, salatu’l-musafirin 176.
  71. 73.Bediuzaman Said Nursi, Tarihçe-i Hayat, fq. 616 (Tahliller) (Bëhet fjalë për veprën “Jetëshkrimi”, pjesa “Analizat”, në origj. fq. 616).
  72. 74.Tirmidhiu, daauat 84.
  73. 75.Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 5/278; el-Hakim, el-Mustedrek 4/149.
  74. 76.Buhariu, zekat 70, 71, 77, 78; Muslim, zekat 12, 13, 16.
  75. 77.Ebu Daud, zekat 17; Ibni Maxhe, zekat 21.
  76. 78.Bakara, 2/184.
  77. 79.Fethullah Gylen, “Mendime rreth Bajramit (1)”, në: “Kur ditët frymojnë pran verën” (origj. Günler Baharı Soluklarken), fq. 57-61.
  78. 80.Buhari, teuhid 35; Muslim, sijam 160.