AGJËRIMI NË RAMAZAN
A. Rëndësia e agjërimit në Islam
Agjërimi është një nga adhurimet e rëndësishme, me të cilat Allahu e ka ngarkuar me përgjegjësi njeriun. Fjala përkatëse në gjuhën arabe që përdoret për të shenjuar agjërimin, saum, në kuptimin absolut në fjalor do të thotë të braktisësh e të mos e bësh diçka. Ndërsa, nga pikëpamja terminologjike, ajo do të thotë që ata njerëz që mund të agjërojnë të qëndrojnë larg ngrënies, të pirit dhe marrëdhënieve intime nga çasti i parë i agimit e deri në perëndim të diellit me qëllimin e adhurimit. Agjërimi është shpallur si farz, pra detyrim, në periudhën e Medinës, në muajin Shaban të vitit të dytë të mërgimit.
Agjërimi është një adhurim shumë i rëndësishëm në Islam. Prandaj mbi të është ndalur në shumë ajete fisnike në Kuranin Famëlartë, madje ai është konsideruar edhe si një shpagim në shumë forma dënimesh të ndryshme. Siç do të mund ta shohim edhe më gjerësisht në faqet në vijim, në të cilat do të ndalemi më imtësisht në lidhje me agjërimin, do të vërejmë se për shumë gabime apo krime të jenë dhënë edhe ndëshkime me gjashtëdhjetë ditë agjërim, nganjëherë dhjetë, e disa herë të tjera si shpagim me vetëm tri ditë agjërim. Me sa duket ai është një adhurim tejet i rëndësishëm, që i shkrin gabimet dhe mëkatet, e një veprim që e pastron njeriun, madje edhe e ndihmon drejt lartësimit.
Në të vërtetë, agjërimi – njësoj siç ndodh edhe në adhurimet e tjera – është një detyrë që duhet kryer vetëmse si një detyrim ndaj Allahut të Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) me vetëdijen e plotë të adhurimit si rob i Tij dhe pa u lidhur me mendime të dobive fizike a metafizike të tilla, që mund t’i ofrojë njeriut. Patjetër që çdo adhurim ngërthen në vetvete shumë urtësi dhe mirësi të tjera, të cilat vijnë natyrshëm bashkë me të. Por Allahu, me veprime që i përkasin sferës së adhurimit si rob, do të vërë në pah te robi atë që nevojitet për të treguar shkallën e trajtës prej robi që ka vlerë përpara Tij, si dhe di se cila është masa e kësaj trajtje pjekurie, që është e nevojshme për hyrjen e një njeriu në Xhenet. Parë në këtë këndvështrim, adhurimet janë caktuar si të tilla, në mënyrë që robi të fitojë meritë për të qenë afër me Allahun dhe të jetë i denjë për lumturinë e përjetshme dhe për të qenë prej banorëve të Xhenetit. Kështu që, edhe nëse te adhurimet ndijohen dhe vërehen disa dobi të kësibotshme, të mira dhe urtësi, ato kanë urtësi, ndikim dhe pasoja edhe më të thella e të rëndësishme, të cilat ne nuk i shohim e nuk i dimë dot.
Njëherë për njëherë, adhurimet e bëjnë njeriun, i cili është kalimtar, të denjë për përjetësinë. Njeriun, mes të cilit dhe Allahut Më të Lartit të çdo lartësie ka shtatëdhjetëmijë perde dhe ai e ka të pamundur që ta shohë Atë, e lartësojnë drejt cilësisë që të mund ta dëshmojë Zotin e tij nëpërmjet horizontit të zemrës dhe të shpirtit. I japin njeriut mundësinë për të fituar kënaqësinë e Allahut, që nuk ka pasuri të kësaj bote që të mund ta ketë njeriu e të mund t’i mjaftojë për të fituar kënaqësinë e Allahut. Dhe ja pra, edhe agjërimin me një mendim të këtillë duhet ta konsiderojmë. Domethënë ai është një mirësi tejet e rëndësishme që njeriu të bëhet i denjë për të qenë në Xhenet dhe një domosdoshmëri në rrugën që të çon drejt dëshmimit të Bukurisë së Allahut (xhel’le xhelaluhu).
Po, në të gjitha adhurimet mund të vërehen disa dobi, të mira dhe urtësi që në jetën e kësaj bote. Për shembull, zekati është një urë. Sepse ai është një mënyrë mjaft e mirë lidhjeje mes shtresës së të pasurve dhe shtresës së të varfërve. Po ashtu edhe haxhi, që është si një kongres shumë i gjerë; në ato takime e mbledhje mund të lindin edhe shumë dobi e rezultate të tjera që i përkasin kësaj bote. Kurse agjërimi është pak më ndryshe se këto. Edhe pse ai mund të ketë shumë më shumë të mira e dobi për njeriun dhe shoqërinë, tek ai këto cilësi nuk janë të dukshme haptas sa ç’janë në adhurimet e tjera. Duke qenë që është shumë e vështirë që të kuptohet apo të dihet me sy që dikush është duke agjëruar apo jo, ai i përket tërësej vetëm Allahut. Dhe shpërblim ka faljen. Ja se si e ka shprehur këtë veçanësi të agjërimit Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem):
“Kushdo që e mban agjërimin e Ramazanit duke besuar te shpërblimi për të dhe e pret prej Allahut shpërblimin për të, i falen mëkatet e shkuara.”
Ja pra, nëse me agjërimin e mbajtur çdo vit njeriut i falen mëkatet e shkuara, atëherë i bie që ky njeri ka fituar. Ai nuk del i poshtëruar; as këtu, as në varr e as në ditën e gjykimit... Mund ta thoni edhe me fjalët: “Nuk bie në pozita poshtëruese në këto ambiente, në këto vendqëndrime.”
Ramazani dhe ribati
Sidomos atyre që ngarendin sa këtu atje për t’u kujdesur për brezin e ri, kushedi se ç’dhurata u fal atyre Ramazani! Ata që bëjnë syfyr në rrugën e shërbimit ndaj fesë dhe njerëzve, që nuk dinë ç’është iftari në shtëpi, por udhëtojnë nëpër vende të ndryshme, kushedi se ç’fryte të mijëra viteve fitojnë përgjatë Ramazanit.
Ribat do të thotë, me pak fjalë, të përmbushësh kushtet për të pasur cilësinë e të “vetëdedikuarit”, duke qenë përherë vigjilent e i kujdesshëm për të gjitha problemet e fatkeqësitë që mund t’u vijnë fesë dhe njerëzve duke përmbushur çdo kusht të misionit ku beson. Një njeriu të dedikuar i shënohet shpërblimi i ribat-it, çdo hap që hedh në drejtim të qëllimit dhe synimit të tij në këtë rrugë. Po sikur ky shpërblim të jetë sipas begatisë së vetë muajit të Ramazanit? Po, secili mund të përfitojë nga ky shpërblim sipas sinqeritetit që ka në zemër, thellësisë në qëllim dhe sipas nivelit të lidhjes që ka me Allahun e Madhërishëm.
Të gjitha këto janë begati e Ramazanit. Një njeri që i vlerëson mirë këto mundësi që vijnë bashkë me Ramazanin dhe që janë potencialisht të gatshme përgjatë gjithë Ramazanit, nuk ka se për çfarë të qahet apo ankohet pas mbarimit të këtij muaji. Sepse ai fiton një trajtë të denjë në rrugëtimin për t’u bërë njeri i përsosur. Ai e ka vlerësuar siç duhet muajin e Ramazanit dhe është kandidat për të fituar edhe faljen e Allahut. Njërin prej gëzimeve e ka jetuar çdo mbrëmje në sofrën e iftarit, ndërsa tjetrën do ta shijojë kur të kthehet te Zoti i tij.
B. Përshkallëzimi i urdhërimeve të agjërimit
Shumë prej urdhëresave të fesë islame kanë zbritur shkallë-shkallë. Me një fjalë nuk kanë zbritur të gjitha njëherë e mirë, por etapë pas etape. Kësisoj ato kanë qenë më të lehta për t’u pranuar prej njerëzve dhe këta të fundit e kanë pasur më të lehtë që t’i braktisnin zakonet e tyre, me të cilat ishin mësuar të jetonin deri atë ditë. Dhe i këtillë, i zbritur shkallë-shkallë është edhe urdhërimi për të agjëruar. Muadh bin Xhebeli (radijallahu anh) tregon:
“Kur erdhi në Medinë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) agjëronte çdo muaj nga tri ditë, si dhe ditën e Ashures. Pastaj Allahu i Lartësuar e bëri detyrim agjërimin duke na zbritur ajetet 183 dhe 184 të sures “Bakara”. Shprehja “kush ka mundësi, ngop një të varfër” kishte kuptimin që kush kishte mundësi dhe donte agjëronte, kush donte, ushqente një të varfër dhe kjo vlente si të kishte agjëruar. Derisa Allahu zbriti ajetin: “Kushdo që e arrin atë muaj (Ramazanin), të agjërojë! Kush sëmuret ose është në udhëtim, të mbajë po aq agjërim në ditë të tjera.” Kështu, ndërkohë që Allahu urdhëronte prerazi mbajtjen e agjërimit për ata që ishin të shëndetshëm dhe nuk ishin në udhëtim, u lejoi të sëmurëve dhe udhëtarëve që ta zëvendësonin agjëronin në ditë të tjera. Ndërsa gjykimi për të ushqyer e për të ngopur një të varfër në vend të agjërimit, mbeti i kufizuar tek ata që ishin të moshuar dhe plotësisht të pamundur për të agjëruar. Për rrjedhojë, këto gjykime morën formën përfundimtare në dy etapa.”
Ndërkaq, Muadhi i deruar flet edhe për dy etapa në lidhje me gjykimet rreth brendisë së agjërimit:
“Në periudhën e parë kur u shpall i detyruar agjërimi, gjykimi ishte kështu: Nga mbrëmja derisa binim për të fjetur, ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet në familje ishin të lejuara, e pasi flinim e gjatë ditës riktheheshin sërish ndalimet e agjërimit. Një ditë, një prej ensarëve që e quanin Sirme, kishte punuar gjatë gjithë ditës edhe pse me agjërim dhe kur ishte kthyer në shtëpi, kishte falur namazin dhe nga lodhja e pafuqia kishte rënë të flinte pa ngrënë e pa pirë dot asgjë. Në mëngjes, kur ishte zgjuar, e kishte vazhduar ditën sërish duke agjëruar. Profeti ynë Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), kur e pa ashtu të lodhur e të rraskapitur, “Ç’është kjo gjendje?” – e pyeti. I shkreti ia tregoi se si qëndronte puna. Një gjë e ngjashme i kishte ndodhur edhe Omerit të nderuar (radijallahu anh). Edhe atë e kishte zënë gjumi dhe kur ishte zgjuar, i kishte shkelur ndalesat e agjërimit dhe i kishte treguar edhe Profetit tonë për këtë. Me këto ndodhi pati zbritur ajeti 187 i sures “Bakara”, që bënte të ditur se deri në çastin e parë të agimit, lejohej absolutisht që të hahej, të pihej apo të kryheshin marrëdhënie në familje.”
Ky përshkallëzim dhe shumë të tjera si ky, që na tregohen nëpër transmetime të ndryshme, janë mëshirë e Allahut për besimtarët.
Allahu e ka vendosur
C. Agjërimi në Kuranin Fisnik
Agjërimi është një adhurim që u është shpallur detyrim të gjithë besimtarëve me urdhër të hapur të Kuranit Fisnik. Në suren “Bakara” Allahu thotë:
“O ju që keni besuar! Njësoj siç u qe shpallur detyrim atyre përpara jush, edhe juve ju është bërë detyrim agjërimi, që ju të ruheni (nga mëkatet).”88
“Kush nga ju ta arrijë atë muaj (Ramazanin), të agjërojë.”
Siç kuptohet, mjaft haptas, edhe nga ajetet, çdo besimtar që e arrin muajin e Ramazanit – nëse nuk ka ndonjë justifikim të vlefshëm në aspektin fetar – ka përgjegjësinë që të agjërojë. Në Kuranin Fisnik bëhet e ditur që agjërimi është i detyrueshëm për të gjithë, por nuk i jepet vend gjykimeve në lidhje me të. Pasi janë vënë në pah disa nga urdhëresat kryesore, pjesa tjetër i është lënë Sunetit të Profetit tonë të Nderuar (paqja qoftë mbi Të). Disa nga urdhëresat dhe gjykimet në lidhje me mbajtjen e agjërimit në Kuran janë:
Ata që nuk agjërojnë dot
“Ditët e agjërimit janë të numëruara. Nëse ndonjëri nga ju është i sëmurë, apo është udhëtar, agjëron në ditë të tjerë për aq ditë sa nuk e ka mbajtur dot agjërimin. Ata që nuk e përballojnë dot agjërimin nga ndonjë dobësi e trupit, apo vuajnë nga ndonjë sëmundje që nuk ka shpresë për shërim, atëherë ata duhet të japin një dietë sa për të ngopur një të varfër. Nëse ndokush bën ndonjë të mirë nga vetja dhe jep më shumë, kjo është më e mbarë për të. Sikur ta dinit, agjërimi është më i hairit për ju.”
Marrëdhëniet familjare në natën e agjërimit
“Marrëdhëniet me bashkëshortët tuaj ju janë bërë të lejuara në natën e agjërimit. Ata/o janë për ju një veshje që ju mbron nga mëkati, e edhe ju jeni një veshje për ta. Allahu e di që ju nuk mund t’i besoni dot egos suaj, prandaj jua pranoi pendesën dhe jua fali mëkatet. Prandaj këndej e tutje ju mund t’u afroheni atyre dhe të kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju.”
Koha për të filluar agjërimin
“Hani dhe pini deri në kohën e agimit të parë, pikërisht atëherë kur ndriçimi i ditës fillon të ndajë nga errësira e natës. Pastaj plotësojeni agjërimin, derisa të vijë mbrëmja sërish.”
Zëvendësimi i agjërimit dhe e vërteta historike
Krahas trajtimit të disa gjykimeve në lidhje me agjërimin, në Kuranin Fisnik është ndalur edhe në trajtimin e të vërtetës së tij historike, natyrën e muajit të Ramazanit, rëndësinë që ka ai dhe shkallët që do të fitojnë ata që e kryejnë këtë adhurim:
“Ai muaj i Ramazanit, që u tregon njerëzve rrugën e drejtë, që bart haptasi argumentet e udhëzimit dhe në atë muaj është zbritur edhe Kurani që ndan të drejtën nga e rremja. Kush ta arrijë këtë muaj, të agjërojë. Kush është i sëmurë apo në rrugë, të agjërojë në ditë të tjera për aq ditë sa nuk ka agjëruar dot. Allahu do për ju lehtësinë, nuk do vështirësinë. Që ju t’i plotësoni ditët e agjërimit ”
Shpërblimi i agjërimit
Në Kuranin Fisnik agjërimi është renditur si një nga punët më të mira dhe një nga adhurimet më të mëdha. Teksa rendit njerëzit, me të cilët do të jetë i kënaqur, që do t’i falë dhe do t’i shpërblejë me shpërblime jashtëzakonisht të mëdha, Allahu ka bërë të ditur se prej tyre do të jenë edhe “burrat që agjërojnë dhe gratë që agjërojnë”:
“Për burrat dhe gratë myslimanë, burrat dhe gratë besimtare, burrat dhe gratë që janë të përhershëm dhe të qëndrueshëm në adhurime dhe devotshmëri ndaj Allahut, burrat dhe gratë që flasin fjalë të drejta, burrat dhe gratë që durojnë, burrat dhe gratë që janë të përulura nga respekti që kanë për Allahun, burrat dhe gratë që e ruajnë nderin e tyre, burrat dhe gratë që e përmendin shumë Allahun, Allahu ka përgatitur faljen dhe një shpërblim shumë të madh.”
D. Pranimi i agjërimit si dietë a shlyerje e gabimeve
Agjërimi ka një vlerë shumë të madhe pranë Allahut. Kjo është arsyeja që ndonjëherë Islami e ka pranuar atë herë si një çmim në vend të një pune të rëndësishme, herë si shlyerje të një gabimi, e herë si shlyerje të një mëkati a një mangësie në një punë të caktuar.
Për shembull, rruajtja dhe qethja kur je i veshur me ihramnë haxh është e ndaluar, prandaj nëse dikujt i duhet që të rruhet e qethet për ndonjë arsye të caktuar, ai duhet ta shlyejë këtë të metë të tij duke therur kurban, duke ushqyer nga të varfërit ose duke agjëruar vetë. Këtu agjërimi është si një vepër që e zhbën mangësinë e personit. Ja se si thuhet edhe në ajetin kuranor në lidhje me këtë çështje:
“Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekë. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.”
Një rast tjetër që agjërimi ofrohet dhe kërkohet si një shlyerje për mëkatin e bërë është edhe situata e vrasjes së një besimtari pa dashje. Në një rast si ky, besimtari, përpos dietës që duhet të paguajë, ai duhet të lirojë një skllav dhe nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë ai do të mbajë agjërim për dy muaj me radhë:
“Nuk bën që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht. Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar dhe t’u paguajë gjakun trashëgimtarëve të të vrarit, përpos rastit kur familja e të vrarit ia fal gjakun. Nëse i vrari është nga një popull që e keni armik e njëkohësisht është besimtar, duhet të lirohet një besimtar i robëruar. Nëse i vrari është nga një popull me të cilin ju keni lidhur marrëveshje, i duhet paguar gjaku familjes së tij, duke liruar edhe një besimtar të robëruar. Ai që s’mund të gjejë rob, duhet të agjërojë dy muaj rresht. (Kjo është bërë) në shenjë pendimi para Allahut. Se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.»
Gjithashtu, agjërimi zë vend edhe në shlyerjen e shkeljes së premtimit. Ai njeri që shkel premtimin, nëse nuk gjen dot të varfër që t’i ushqejë, nuk gjen dot një skllav për ta veshur apo liruar, atëherë në vend të këtyre ai agjëron për tri ditë:
“ Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës.”
Poende ka edhe një gjykim tjetër, i cili është për njeriun që gjuan për gjueti kur është i veshur në ihram gjatë haxhit. Siç dihet, gjuetia kur je i veshur në ihram është e ndaluar. Për ata që e shkelin këtë ndalesë, dënimi është ose të therin një kurban që konsiderohet i barabartë me gjënë e gjuajtur, ose do të ushqejë nevojtarët ose do të agjërojë. Edhe këtu, siç e vërejmë, agjërimi është konsideruar si një shpagim në një nivel me ushqimin e nevojtarëve apo therjen e kurbanit:
“O besimtarë! Mos gjuani, duke qenë në ihram! Kushdo që e vret gjahun me paramendim, për dënim duhet të therë si kurban në Qabe një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur, sipas vlerësimit të dy njerëzve të drejtë midis jush; ose të ushqejë disa të varfër për të larë gjynahun; ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e fal atë që ka kaluar (para ndalimit). Ndërsa atë që vepron pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.”
Dhe, në fund, një shlyerje tjetër është edhe ajo për një nga zakonet e kohës së injorancës, siç është ai që quhet me emrin “dhihar”:
“Ata që i ndajnë gratë e veta në këtë mënyrë e pastaj duan të kthejnë mbrapsht atë që thanë, duhet të lirojnë një skllav (apo skllave), para se të preken përsëri. Kështu ju urdhërohet. Allahu i di të gjitha ato që bëni ju.Ai që nuk gjen (ndonjë skllav për të liruar), duhet që të agjërojë dy muaj rresht, para se të preken si bashkëshortë. E, nëse nuk mund ta mbajë agjërimin, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të tregoni besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta janë kufijtë e
Allahut. Ndërsa për jobesimtarët ka vuajtje të mundimshme.”
E. Agjërimi në hadithe
Kurani Fisnik, shumë prej çështjeve i trajton në mënyrë të përmbledhur. Ai që do t’i shpjegojë dhe do t’ua mësojë ato njerëzve është i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të), të Cilit iu zbrit Kurani Famëlartë. Sepse pas Kuranit, interpretuesi më i madh i tij është vetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ai e ka trajtuar agjërimin me tërë imtësitë e tij duke na e shpjeguar me fjalët e Tij të ndritura. Këtu, pasi të rendisim disa nga fjalët profetike në lidhje me shpalljen e agjërimit si detyrim për mbarë besimtarët, do të përpiqemi të transmetojmë edhe disa nga hadithet e përçuara deri më sot të Resulullahut në lidhje me rëndësinë dhe virtytet e agjërimit. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:
“Islami është i ngritur mbi pesë kritere: Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër, përpos Allahut dhe Muhamedi i nderuar është robi dhe i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të kryesh haxhin dhe të mbash agjërimin e Ramazanit. (Në kohën e kësaj ngjarjeje, haxhi ende nuk ishte shpallur detyrim.)
Ndërsa në një hadith tjetër, te Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) erdhi Xhebraili i nderuar (alejhis’selam) në trajtan e njeriut dhe i drejton disa pyetje: “Ç’është Islami?” – dhe Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i kthen këtë përgjigje:
“Islami është të adhurosh Allahun dhe të mos njohësh të adhurueshëm tjetër, përveç Tij; të falësh namazin, të japësh zekatin dhe të agjërosh.”
Siç kuptohet dhe nga hadithet e lartpërmendura, agjërimi është një nga kriteret themelore të Islamit dhe është detyrim për të gjithë besimtarët. Ndër dijetarët e Ehli Sunetit nuk ka asnjë kundërshti për sa i përket kësaj çështjeje. Tashmë këtë e dëshmon më së miri edhe praktika e Profetit tonë (pqmT), e cila ka kaluar nëpër plot katërmbëdhjetë shekuj dhe ka ardhur te ne e paprekur.
Shpërblimin e agjërimit e ka në dorë Allahu
Për të treguar vlerën që bart agjërimi pranë Allahut, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë:
“Allahu tha: ‘Çdo punë që bën i biri i Ademit, e bën për vete. Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua. Shpërblimin e tij e jap Unë. Era e gojës së agjëruesit, pranë Allahut është më e këndshme edhe se erëmimi i miskut.’”
Ata që durojnë çdo lloj vështirësie, duke përmendur në krye që agjërimin, tek Allahu do të kenë një shpërblim të pamatë. Kurani Fisnik thotë:
“Ata që durojnë shpërblimin do ta kenë të pamatshëm.”
Agjërimi e ka edhe këtë si pjesë të përmbajtjes së tij. Në ahiret, kur të ngrihet peshorja dhe librat e jetës të fluturojnë sa andej këndej, kjo nuk do të jetë e vlefshme edhe për agjërimin. Sepse Allahu, kur garanton çështjen e agjërimit, për shpërblimin e tij thotë se ai do të jepet pa u vënë në peshore dhe nga Ai Vetë. Tek agjërimi ka përkushtim ndaj Allahut dhe braktisje të dëshirave njerëzore vetëmse për hir të Allahut. Në të ka një lloj frenimi ndaj sofrave gjithë mirësi që i janë shtruar përpara syve. Të gjitha këto besimtari i bën pa pasur asnjë lloj detyrimi me forcë, por duke përdorur forcën e vullnetit. Dhe shpërblimin e një pune të tillë Allahu nuk ia lë askujt, por e ka marrë përsipër Vetë.
Në vijim të hadithit thuhet se era e gojës së agjëruesit, pranë Allahut është më e këndshme edhe sesa era e miskut. Era e gojës e agjëruesit vjen nga uria. Pranë Allahut kjo erë është më e ëmbël, më e këndshme dhe e pastër edhe sesa misku. Ka disa aroma që engjëjt, të cilët janë shpirtra të pastra, i pëlqejnë jashtëzakonisht shumë. Në Lartësitë e Epërme erëmimet e mira janë si çelësa që hapin thesare plot mistere. Edhe era e gojës e agjëruesit është si këto erëmime të mira. Dhe kjo vjen ngaqë agjërimi është një adhurim me përmasën e lidhjes së fortë mes Allahut dhe robit të Tij. Në këtë pikëpamje, agjërimi duhet trajtuar në tërë thellësinë e tij. Përndryshe, era e gojës nuk është diçka e këndshme në vetvete.
Ka disa gjëra, që edhe pse mund të duken si të shëmtuara së jashtmi, rezultatin e kanë shumë të këndshëm, shumë të çmuar. Për shembull, plaga në trupin e dëshmorit është, ndoshta, një trëndafil në vështrimin e Allahut. Edhe era e gjakut që rrjedh nga trupi i tij, pranë Allahut mund të jetë erëmimi më i mirë e i veçantë. Kjo është arsyeja se pse dëshmorët varrosen pa u larë. Megjithëse, njerëzit mund ta shohin këtë si diçka të shëmtuar.
E këtillë është edhe aroma e gojës e agjëruesit. Kjo erë, e cila vjen nga uria dhe është njëfarësoj e shëmtuar, duke qenë se bart domethënien e fitimit të pëlqimit të Allahut, pranë Tij ajo është e mirë. Në këmbim të mundimeve me të cilat përballet besimtari, Zoti e bën të vyer deri edhe erëmimin e gojës së tij, duke e mbajtur më lart edhe se erëmimet më të mira. Veç kësaj, kjo vlen tejmase shumë për të treguar se sa i vyer mund të jetë tek Allahu edhe mundimi më i lehtë i përballuar në rrugën e Allahut.
Me pak fjalë, në çdo orë të çdo dite që agjëron, ndihet sikur të jetë në një Miraxh duke u ngjitur mbi një palë shkallë që i janë vënë përpara, vetëm sepse ndien brenda vetes të gjitha këto domethënie, dhe kjo ngjitje vazhdon deri në momentin që ai ta marrë nga Allahu shpërblimin.
Agjërimi është zekati i trupit
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejreja i nderuar (radijallahu anh), i Dërguari Fisnik i Allahut (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:
“Çdo gjë ka zekatin e saj. Dhe zekati i trupit është agjërimi. Agjërimi është gjysma e durimit.”
Si fjalë, zekat do të thotë: pastërti, shtim, që diçka të jetë e begatë. Duke dhënë zekatin besimtari e pastron pasurinë e tij nga ndotjet e ndonjë mëkati që mund ta ketë ndotur. Në një këndvështrim tjetër, nëpërmjet tij pastrohen edhe disa cilësi të shëmtuara që strehohen te njeriu, siç është kopracia, apo mundësitë e një përplasjeje të ashpër mes të kamurve dhe të varfërve në shoqëri. I Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të) thotë se çdo gjë ka zekatin e vet, që e pastron atë nga ndotjet dhe ndryshkja. Dhe ajo gjë që e pastron trupin është agjërimi. Sepse, ndërsa nga njëra anë agjërimi e pastron trupin materialisht, duke i mfalur shëndet, ai e pastron atë edhe shpirtërisht, nga mëkatet, dhe e shpëton kësisoj nga vuajtjet e Xhehenemit. Në këtë pikëpamje, po atë kuptim që ka zekati për pasurinë, ka edhe agjërimi për trupin.
Në pjesën e dytë të hadithit thuhet: “Agjërimi është gjysma e durimit.” Të mbash mbi shpinë barrën e përgjegjësisë së adhurimit, që të ka ngarkuar Allahu, duke mos u tronditur përballë gjërave që vijnë prej Tij, por duke qëndruar i palëkundur, duke mos u larguar nga porta e Tij, duke shtrënguar dhëmbët me durim... këto përbëjnë gjysmën e fesë. “Kështu, agjërimi është gjysma e durimit.” Sepse gjysma tjetër e durimit është shpërndarë në të tjera gjëra. Duke qenë se tek agjërimi ka një frenim karshi epsheve të egos, tek ai gjendet njëfarësoj durim ndaj mëkateve, nga ana tjetër (sidomos në ditët e nxehta) në të ka një durim si ai i vijimësisë së adhurimeve duke marrë përsipër diçka si qëndrimi pa ngrënë e pa pirë asgjë. Kësisoj agjërimi kthehet kështu në një të katërtën e fesë. Ai është, me pak fjalë, një nga katër kriteret më të mëdha dhe më të rëndësishme të Islamit. Veç kësaj, tek agjërimi, siç e theksuam edhe më sipër, qëndron i brendashkruar një qëndrim i palëkundur ndaj adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Allahut, por edhe ndaj kapriçove egoiste dhe ndjenjave e ngasjeve epshore të njeriut.
Agjërimi nuk ka të barabartë
Çdo gjë që kryhet për hir të Allahut e ka medoemos një shpërblim, një kundërvlerë të caktuar. Kur vjen puna tek agjërimi, si agjërimi nuk ka tjetër kur vjen puna te shpërblimi i tij. Ebu Umameja (radijallahu anh) transmeton se:
“I kërkova të Dërguarit të Allahut një këshillë. ‘Agjëro. Sepse agjërimi nuk ka të barabartë.’ – më tha. I kërkova sërish një këshillë. Ai, sërish, më tha: ‘Agjëro, sepse nuk ka të barabartë me agjërimin.’”
Ebu Umameja i nderuar (radijallahu anh) e përqafoi aq fort këtë këshillë që kishte marrë nga Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), sa që, që prej asaj dite, ai, e shoqja dhe shërbyesja e tij ishin gjithmonë duke agjëruar. Madje, nëse shikonte ndokush që nga shtëpia e tij të dilte tym, thuhej menjëherë: “Duhet të kenë miq në shtëpi.”
Megjithatë, këtë pjesë le ta mbyllim duke përmendur edhe disa hadithe të tjera të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në lidhje me virtytin e agjërimit:
“Në Xhenet gjendet një portë që quhet porta e Rej’janit, nga e cila do të mund të hyjnë vetëm ata që kanë agjëruar; askush, përveç tyre, nuk do të mund të hyjë prej saj.”
“Çdokënd që mban një ditë agjërim për Allahun, Allahu e largon atë shtatëdhjetë vite larg prej Xhehenemit.”
“Agjërimi dhe Kurani, në ditën e kiametit, do të ndërmjetësojnë për faljen e mëkateve të robit të Allahut. Agjërimi do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë gjatë ditës larg të ngrënit e të pirit dhe të gjithë kënaqësive të tjera. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ – Kurse Kurani do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë netëve larg gjumit. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ – Dhe ndërmjetësimi i këtyre të dyjave është një ndërmjetësim që pranohet.’”
F. Llojet e agjërimit
1. Agjërimet e detyrueshëm
a.Agjërimi i Ramazanit
Agjërimi është një nga adhurimet e rëndësishme në Islam, që u është urdhëruar të gjithë atyre që janë të ngarkuar me një përgjegjësi të tillë. Agjërimi i Ramazanit është bërë i detyrueshëm në vitin e dytë të mërgimit. Për të gjithë besimtarët që nuk kanë ndonjë sëmundje, nuk janë në udhëtim apo nuk kanë ndonjë gjendje tjetër të justifikueshme, agjërimi i plotë i muajit të Ramazanit është detyrim për të gjithë (farz-i ajn), pra është një adhurim që duhet ta kryejnë të gjithë, secili prej besimtarëve.
b. Zëvendësimi i agjërimit të Ramazanit
Një person, i cili e ka detyrim agjërimin, të gjitha ditët e agjërimit që nuk i ka mbajtur dot përgjatë muajit të Ramazanit, për një arsye të caktuar ose pa arsye të justifikueshme, apo që i ka nisur, por e ka prishur agjërimin, i zëvendëson ato pas muajit të Ramazanit, duke agjëruar një ditë tjetër në vend të ditës së pambajtur të agjërimit përgjatë Ramazanit. Këtë e shpreh fare mirë edhe ajeti kuranor:
“Të sëmurët dhe udhëtarët, agjërojnë në ditë të tjera po aq ditë të agjërimit, të cilat nuk i kanë mbajtur dot.”
c. Agjërimi i faljes së agjërimit të prishur
Në Islam thelbësore është përfundimi medoemos i një adhurimi të nisur. Sepse, në të vërtetë, adhurim do të thotë që të jesh në praninë e Allahut duke shfaqur një sjellje karshi Tij. Të adhurosh do të thotë t’i shprehësh Allahut respektin dhe përlartësimin që ndien për Të duke shprehur me të gjithë veten se je robi i Tij. Për këtë arsye nuk duhet bërë asgjë që bie ndesh me edukatën e të qenit në praninë e Tij. Dhe, për rrjedhojë, kjo ka edhe një ndëshkim të caktuar nga vetë Allahu. Dhe ja për shembull, nëse dikush që agjëron gjatë Ramazanit e prish agjërimin vetë me dashje dhe duke e ditur dhe pa pasur asnjë farë justifikimi, si ndëshkim ai duhet të agjërojë për dy muaj me radhë pa ndërprerje. Njësoj siç agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është i detyrueshëm, edhe zëvendësimi apo agjërimi për faljen e agjërimit të prishur, janë po ashtu farz, pra detyrim, për besimtarët. Në lidhje me këtë ne na është transmetuar nga Ebu Hurejreja (radijallahu anh) ky hadith:
“Tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) erdhi një burrë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë mora fund.” Profeti ynë e pyeti: “Çfarë të ka bërë ty të marrësh fund?” dhe ai iu përgjigj: “Unë kam kryer marrëdhënie me gruan gjatë Ramazanit.” Atëherë, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) tha këto fjalë: “A mund të gjesh plaçkë sa për të liruar një skllav?” – “Jo,” – u përgjigj burri. – “A mund të agjërosh për dy muaj me radhë pa ndërprerje?” – e pyeti sërish Profeti ynë. – “Jo,” – u përgjigj ai njeri. Atëherë, Profeti ynë e pyeti edhe njëherë: “A mund të gjesh plaçkë sa për të ngopur gjashtëdhjetë të varfër?” – “Jo,” – ishte po prapë përgjigjja. Pastaj ai burrë u ul në një qoshe. Në atë kohë, Profetit tonë i sollën ca hurma në një torbë. Profeti ynë i mori hurmat dhe ia zgjati atij burri duke i thënë: “Merri këto dhe shpërndaji si lëmoshë.” – Aty, ai tha: “Po ku ka më të varfër se ne! Në të gjithë Medinën nuk gjen familje më në nevojë se e jona.” – Kur dëgjoi këto fjalë, Profeti ynë i Nderuar buzëqeshi sa iu dukën edhe dhëmbët dhe tha kështu: “Shko e çoja këto hurma familjes, t’i hanë.”
2. Agjërimet e domosdoshme
a. Agjërimi i kushtimit
Kushtimi, për të cilin në gjuhën turke përdoret fjala “adak”, ka kuptimin e marrjes përsipër si një përgjegjësi e detyrim të një pune që nuk është e ndaluar, për të treguar respekt karshi Allahut të Madhërishëm dhe për të arritur kënaqësinë e Tij. “Ia kushtoj Allahut, që nesër do të agjëroj për Allahun, apo që do të fal kaq namaz.” Këto janë kushtimet. Për sa kohë që nuk bëhet fjalë për diçka që është e ndaluar, njeriu është i detyruar që ta përmbushë atë që ia ka kushtuar Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe le ta mbajnë fjalën kur bëjnë një kushtim.” Në lidhje me këtë çështje i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Kushdo që bën një kushtim (premtim) ndaj Allahut për diçka që është në bindje ndaj Allahut, le ta përmbushë atë; kushdo që bën një kushtim ndaj Allahut për diçka që do të thotë të ngresh krye ndaj Allahut, le të mos e përmbushë atë.”
b. Zëvendësimi i agjërimit nafile
Nëse prishet një agjërim që po mbahet si nafile, atëherë mbajtja e tij sërish në një ditë tjetër është kësaj here një domosdoshmëri. Nëse një namaz apo agjërim niset si nafile, por për një arsye apo një tjetër lihet në mes pa u plotësuar, atëherë ai duhet zëvendësuar. Nëna jonë, aishja e nderuar (radijallahu anha) na ka transmetuar një ndodhi në lidhje me këtë:
“Një ditë unë dhe Hafsaja ishim duke agjëruar dhe na sollën një ushqim. Na shkoi mendja për të ngrënë dhe hëngrëm prej tij. Pas pak, erdhi i Dërguari i Allahut. Hafsaja u tregua më e shpejtë se unë dhe i tha të Dërguarit të Allahut kështu: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne ishim me agjërim. Na sollën diçka për të ngrënë. Na shkoi mendja dhe e hëngrëm.’ – Atëherë, Profeti ynë (pqmT) tha: “Në vend të kësaj do të mbani agjërim një ditë tjetër si zëvendësim.”
3. Agjërimet nafile
Besimtari afrohet me Allahun duke bërë ato që ka urdhëruar Allahu dhe duke iu larguar atyre çfarë ka ndaluar Ai. Kësisoj ai krijon një lidhje shpirtërore me Të. Dhe punët që e afrojnë besimtarin me Allahun nuk janë të kufizuara vetëm me ato që janë të detyrueshme dhe ato që janë të domosdoshme. Shumë të vyera janë edhe adhurimet nafile për sa i përket përparimit në rrugën e “afrisë” me Zotin. Në një nga hadithet kudsi, Allahu i Lartësuar e ka shprehur me këto fjalë rëndësinë që kanë nafile-t:
“Mua robi nuk mund të më afrohet me asgjë që të jetë më e dashur për Mua sesa ato që unë i kam shpallur detyrim. Robi vazhdon të më afrohet duke kryer nafile. Derisa Unë e dua atë. Dhe kur Unë e dua robin Tim, atëherë unë bëhem veshi që dëgjon për të, syri që sheh, dora që mban dhe e mbaj atë të ecë përherë vetëm në të drejtë.”
Tashmë le të ndalemi paksa mbi llojet e agjërimeve nafile:
a. Agjërimi i Daudit (a.s.)
Daudi (alejhis’selam) prekej aq shumë nga madhështia e Allahut dhe qante aq shumë sa që fillonin t’i shfaqeshin shenja në fytyrë. Kur ligjëronte ai, qante edhe ai vetë, edhe të gjithë sa ishin të pranishëm; në kuvendin e tij kishte sa e sa njerëz që u plaste zemra vetëm nga dashuria për Allahun. Me fjalët e Kuranit, ai ishte ‘euuab’ (që e kishte fytyrën përherë të kthyer nga Allahu, që është Më i Drejti, i drejtuar tërësisht kah Ai). Ishte bërë shenjë dalluese e Tij, që përgjatë gjithë jetës, kishte qëndruar i drejtuar vetëm kah Zoti pa i larguar për asnjë çast sytë nga Ai dhe pa u ndalur në asnjë çast pa e shprehur robërinë ndaj Tij. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë se agjërimi më i virtytshëm, pas agjërimit të detyrueshëm, është agjërimi i identifikuar me Daudin (alejhis’selam), i cili agjëronte një ditë po e një ditë jo.
E transmeton Abdullah bin Amri: “E kishin njoftuar të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) që unë kisha thënë: “Për sa të kem jetë, netët do t’i kaloj duke falur namaz, ndërsa ditët duke mbajtur agjërim.” – E kishte marrë vesh dhe më pyeti: “Ti e ke thënë këtë?” – “Po, e kam thënë, o i Dërguari i Allahut!” – u përgjigja unë. Aty i Dërguari i Allahut më tha: “Po ti nuk e bën dot këtë. Ti më mirë nganjëherë agjëro, nganjëherë mos agjëro, herë fli, herë ngrihu dhe fal namaz. Si dhe agjëro tri ditë nga çdo muaj. Sepse për çdo punë të mirë shkruhen dhjetë shpërblime si të tilla. Dhe këto tri ditë janë sikur të kesh agjëruar përgjatë gjithë vitit.” – “Po unë kam mundësi të bëj më tepër,” – thashë unë. I Dërguari i Allahut më dëgjoi dhe tha: “Atëherë, një ditë agjëro, një ditë mos agjëro.” – “Po unë mund të bëj edhe më shumë,” – thashë unë. – “Tashmë, më të virtytshme se kjo nuk ka,” – ishin fjalët e fundit të të Dërguarit të Allahut.”
Ndërsa, në një hadith tjetër të Tij i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë: “Agjërimi më i virtytshëm është agjërimi që mbante Daudi (alejhis’selam). Ai, një ditë mbante agjërim, një ditë nuk mbante.” – duke e vënë kështu theksin te virtyti i agjërimit.
b. Agjërimi të hënë-të enjte
Një ndër agjërimet e tjera nafile është edhe agjërimi që mbahet gjatë ditëve të hëna dhe të enjte. Aishja e nderuar (radijallahu anha) ka thënë kështu në lidhje me këtë agjërim:
“I Dërguari i Allahut tregonte një kujdes shumë të veçantë, që të agjëronte ditëve të hënë e të enjte.”
Usameja i nderuar (radijallahu anh) ka transmetuar: “Unë, kur pashë që Profeti ynë i Nderuar agjëronte gjatë ditëve të hëna dhe të enjte, e pyeta se cila ishte arsyeja. Ai më dha mua këtë përgjigje:
“Punët e bëra i paraqiten Allahut në ditën e hënë dhe të enjte. Dhe unë desha që të jem me agjërim kur t’i paraqiten Allahut punët e mia.”
Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se kur është pyetur se cila është urtësia e agjërimit në ditën e hënë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është përgjigjur me këto fjalë:
“Unë atë ditë kam ardhur në këtë botë dhe po në atë ditë m’u dha profetësia (ose filloi të më zbriste shpallja).”
c. Agjërimi tri ditë në çdo muaj
Një ndër këshillat për mbajtjen e agjërimit nafile të Profetit tonë (paqja qoftë mbi Të) është edhe që një njeri t’i kalojë me agjërim tri ditë të çdo muaji. Dhe ditët me më shumë virtyt për t’u agjëruar janë ato që bien të jenë dita 13, 14 dhe 15 të çdo muaj sipas kalendarit të Hixhrit. Arabët, këto ditë i kanë emërtuar si “ejjam-i bijd” (ditët e ndritura). Arsyeja se pse u kanë vënë këtë emër është se në to ditët janë të ndriçuara fort nga dielli dhe netët të ndriçuara fort nga hëna. Siç përmendet edhe në hadithin e Abdullah bin Amrit, Profeti ynë ka thënë kështu në lidhje me agjërimin që mbahet gjatë këtyre tri ditëve:
“Dhe agjëro në tri ditë të çdo muaji. Sepse për çdo punë të mbarë shkruhen dhjetëfish shpërblime. Këto tri ditë agjërim janë si agjërimi i një viti të plotë.”
Po nga Ebu Hurejreja (radijallahu anh) dhe po në lidhje me këtë lloj agjërimi, na është transmetuar se:
“Shpirti i shpirtit tim, Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) më këshilloi për tri gjëra. Që të agjëroja tri ditë çdo muaj, të falja namazin e kohës së mëngjesit dhe para se të bija për të fjetur, të falja namazin e uitrit.”
E në një hadith tjetër që na është transmetuar nga ana e Ebu Dherit (radijallahu anh) i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) ka thënë: “O Eba Dher! Nëse do të agjërosh tri ditë të çdo muaji, mbaje agjërimin në ditën e 13, 14 dhe 15 të muajit.”
d. Agjërimi i Dhulhixhes dhe i ditës së Arefesë
Një tjetër agjërim nafile që e ka mbajtur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe na e ka këshilluar edhe neve, që ta mbajmë, është agjërimi dhjetëditor që mbahet në muajin e Dhulhixhes. Nëna jonë, Hafsaja (radijallahu anha) ka thënë:
“Profeti i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), katër gjëra nuk i ka braktisur kurrë. Këto janë: agjërimi në ditën e Ashures, agjërimi në nëntë ditët e para të muajit të Dhulhixhes dhe tri ditë agjërim në çdo muaj, si dhe suneti i namazit të sabahut.”
Dita e nëntë e Dhulhixhes është dita e pritjes së Kurban Bajramit. Veçanërisht agjërimi i mbajtur në këtë ditë është shumë i çmuar pranë Allahut. Vetë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) ka thënë kështu lidhur me të:
“Nuk ka ditë që i shpëton njerëzit nga zjarri i Xhehenemit tek Allahu më shumë sesa dita e pritjes së Kurban Bajramit (arefesë).”
Dhe në një hadith tjetër Ai ka njoftuar se agjërimi i mbajtur në ditën e arefesë do të jetë falje për të gjitha mëkatet e shkuara dhe të ardhme të nga një viti.
Mirëpo, i Dërguari Fisnik ua ka ndaluar atyre që janë duke kryer detyrimin e haxhit që të agjërojnë në ditën e arefesë.Sepse ai që agjëron në këtë ditë, do të ketë vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të adhurimit të haxhit e nuk i përmbush dot ato me tërë përmbajtjen, duke e shtyrë kësisoj në një plan të dytë atë që duhet ta kryejë me përparësi. Por nuk ka asnjë pengesë për ata që nuk ndiejnë asnjë dobësi apo humbje në forcë a fuqi gjatë agjërimit, edhe nëse do të agjërojnë gjatë kohës që janë në Arafat.
e. Agjërimi i Sheualit
Të agjërosh gjashtë ditë në muajit e Sheualit, i cili vjen menjëherë pas Ramazanit sipas kalendarit Hixhri, është sunet. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka shprehur virtytin e këtij agjërimi me këto fjalë:
“Kushdo që mban agjërimin e Ramazanit dhe pastaj i shton atij edhe gjashtë ditë agjërim nga muaji Sheual, është sikur ta ketë kaluar i agjëruar të gjithë vitin.”
f. Agjërimi i ditës së Ashures
Edhe agjërimi gjatë ditës së Ashures është një tjetër nga llojet e agjërimeve nafile. Në lidhje me këtë agjërim thuhet se Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) e ka mbajtur gjithmonë derisa u shpall i detyruar agjërimi i muajit të Ramazanit. Pasi u shpall detyrim (farz) agjërimi i Ramazanit, e patëm thënë edhe më parë, që pati thënë: “kush të dojë ta mbajë, kush të dojë të mos e mbajë”. Sipas disa dijetarëve ky agjërim mbahet vetëm në ditën e Ashures. Kurse sipas pjesës tjetër, thuhet se atij i shtohet edhe një tjetër, duke u bërë dy ditë agjërim, dhe kjo është sunet. Sepse, kur sahabët patën shkuar tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), për t’i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Hebrenjtë dhe të krishterët e respektojnë jashtëzakonisht shumë këtë ditë,” – Profeti ynë u qe përgjigjur duke u thënë: “Vitin e ardhshëm, nëse e agjërojmë, do ta agjërojmë edhe nëntën.” Me pak fjalë, u pati thënë që ditës së Ashures do t’i shtojmë edhe një ditë tjetër dhe do të agjërojmë dy ditë. Mirëpo, vitin tjetër, i Dërguari i Allahut pati ndërruar jetë pa e mbajtur dot agjërimin e ditës së Ashures.
g. Agjërimi i mbajtur gjatë muajve “Haram”
Muajt Zhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, dhe muaji Rexhep, pranë Allahut janë pranuar si muajt haram. Ndër agjërimet më të virtytshme që mbahen në këta muaj, në krye vjen ai i mbajtur në Muharrem, mandej ai i Rexhepit dhe më tej agjërimet e mbajtura në muajt e tjerë.
Në burimet e hadithit, në lidhje me agjërimin e mbajtur në këta muaj, ka transmetime si ky:
“Dikush nga sahabët erdhi tek i Dërguari i Allahut (pqmT) dhe e pyeti: ‘O i Dërguari i Allahut! Unë jam ai që pata ardhur edhe vjet te Ti.’ – ‘Po pse je dobësuar kështu?” – e pyeti i Dërguari i Allahut. – ‘O i Dërguari i Allahut! Gjatë ditës nuk kam ngrënë ushqim; kam ngrënë vetëm në mbrëmje (duke dashur të thoshte se kishte agjëruar vazhdimisht)’. Atëherë, i Dërguari i Allahut i tha: ‘Kush ta urdhëroi që ta mundosh veten?’ – ‘Po unë jam i fortë ende,’ – u përgjigj ai. – ‘Agjëro në muajin e Durimit, pastaj agjëro dy ditë çdo muaj.’ – ‘Po unë jam ende i fortë,’ – tha sërish sahabi. – Kësaj here, i Dërguari i Allahut e këshilloi: ‘Agjëro në muajin e Durimit, pastaj agjëro tri ditë çdo muaj. Si dhe agjëro në muajt haram.’”
h. Agjërimi i mbajtur në muajin Shaban
Një nga sunetet e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) janë edhe agjërimet që ka mbajtur gjatë muajit Shaban. Ai jepej më shumë pas agjërimit në këtë muaj, madje e bashkonte Shabanin me Ramazanin. Nëna jonë, Selemeja, transmeton kështu:
“Përveç muajit të Shabanit nuk ka asnjë muaj që i Dërguari i Allahut ta ketë kaluar të gjithin duke agjëruar. Ai e bashkonte muajin e Shabanit me atë të Ramazanit.”
“Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), në asnjë muaj nuk agjëronte më shumë sesa në muajin Shaban. Nganjëherë ai e kalonte të gjithë muajin Shaban duke agjëruar, e nganjëherë i mbetej vetëm shumë pak ditë pa agjëruar.”
4. Agjërimet e ndaluara
a.Agjërimet e mbajtura rresht
Ky agjërim, i cili në fikh emërtohet si “saum-i uisal”, ka kuptimin e agjërimit të dy a më shumë ditëve rresht pa bërë asfare iftar në mes. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), që ishte shembull i dhembshurisë dhe mëshirës njerëzore, i pati qortuar ata që agjëronin në këtë mënyrë duke u këshilluar që të mos mbanin agjërim të pandërprerë. Kur, në fakt, Ai vetë, sidomos në ditët e fundit të Ramazanit, nëse mund të shprehemi me këto fjalë, i përvishte mëngët dhe e kalonte të gjithë ditën duke adhuruar. Sidomos gjatë këtyre ditëve, Ai mbante agjërim të këtillë, domethënë pa bërë iftar për disa ditë me radhë. Sahabët e nderuar i magjepste ky agjërim i Tij dhe donin që të bënin edhe ata si Ai, por kjo ishte shumë e vështirë. Njëherë e kishin vendosur edhe ata që do të bënin po njësoj, mirëpo ditët ishin zgjatur shumë e atyre nuk kishte mbetur më forcë. Pati ardhur begatia, Bajrami dhe ata ishin gëzuar të gjithë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të) kishte buzëqeshur kur kishte parë gjendjen e tyre dhe pati thënë: “Sikur të ishte vonuar bajrami, unë prapë do të vazhdoja të agjëroja.” Dhe, në vijim, duke thënë: “Sepse mua më jep Allahu për të ngrënë e për të pirë asisoj që ju nuk e kuptoni dot.” – kishte shprehur se ata e kishin të pamundur që t’ia dilnin dot me forcën e tyre të kryenin të njëjtat adhurime, për të cilat Atij i mjaftonte përherë fuqia.
Nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha), thotë kështu në një fjalë të saj që e shpreh më së miri këtë gjendje: “Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm.”
b. Agjërimi i mbajtur përditë
Islami është një fe që mund ta jetojë lehtësisht çdokush. Në të nuk ka asnjë urdhëresë apo gjykim që për ta do të jetë i pamundur, apo që ata do të mbeten të shtypur nën peshën e tij. Në të nuk ka vend as për mangësi, as për teprim; në të çdo gjë zë vend me një masë të caktuar. Agjërimi i një personi përditë mund të sjellë një varg pasojash negative. Dobësimi në trup mund të bëjë që ata të mos i përmbushin dot të gjitha detyrimet që kanë dhe kësisoj, ta kenë të pamundur që të përshtaten siç duhet në shoqëri. Ose mund të mësohen me gjendjen e agjërimit. Dhe, kësimënyre humbasin shumë prej dobive që përftohen enkas nga agjërimi.
Ja pra, këto janë shkaqet që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka ndaluar që njerëzit të agjërojnë vazhdimisht për çdo ditë rresht.
c. Agjërimi i mbajtur në ditën e dyshimit se ka hyrë
Ramazani
Dita që dyshohet se mund të jetë dita e parë e Ramazanit është dita që i bie të jetë e tridhjeta e muajit të Shabanit. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) e ka ndaluar që të kalohet duke agjëruarkjo ditë. Dhe për këtë mund të jenë pasur parasysh një varg urtësish, si për shembull, që myslimanët të hyjnë të gjallëruar në muajin e Ramazanit, t’i kërkojnë mirë se kur janë kohët e fillimit dhe të mbarimit të Ramazanit, si dhe për t’i parandaluar mundësitë e ngatërrimit në lidhje me fillimin e agjërimit.
Amar bin Jathiri (radijallahu anhuma) thotë kështu lidhur me këtë
çështje:
“Kush agjëron në këtë ditë (të pritjes së Ramazanit), ka dalë kundër Ebu’l-Kasemit (Profetit tonë sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).
Në një transmetim tjetër thuhet që Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) të ketë thënë kështu:
“Ndonjë nga ju të mos agjërojë një ose dy ditë para Ramazanit. Vetëm nëse ka ndonjë agjërim tjetër, që ka qenë duke e mbajtur dhe është në vazhdim, le ta mbajë.”
Siç mund të kuptohet edhe nga ky hadith i fundit, nëse ndokush ka qenë duke mbajtur ndonjë agjërim tjetër të vazhdueshëm dhe vazhdimi i tij përkon edhe me ditën e pritjes së Ramazanit, atëherë nuk ka asnjë pengesë që ai ta mbajë agjërim edhe këtë ditë.
d. Agjërimi i mbajtur në ditët e bajramit dhe ato të teshrikut
Gjithashtu, agjërimi është i ndaluar edhe në ditët e bajramit. Në ditën e parë të bajramit të Ramazanit dhe katër ditët e Kurban Bajramit, agjërimi është ndaluar. Sepse ditët e bajramit janë ditë për të ngrënë e për të pirë, ditët kur myslimanët jetojnë gëzimin e këtyre ditëve dhe ulen në sofra të përbashkët me njëri-tjetrin. Në këto ditë, myslimani nuk mund të agjërojë, por duhet të përpiqet që të ndajë të njëjtat gjëra edhe me myslimanët e tjerë. Kjo është arsyeja që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka ndaluar mbajtjen e agjërimit në këto ditë, duke bërë të ditur se këto ditë janë ditët kur Allahu shtron një sofër gostie të veçantë për njerëzit. Ebu Said el-Hudriu (radijallahu anh) thotë që:
“I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) e ndaloi që të agjërohet në ditët e bajramit të Ramazanit dhe atë të Kurban Bajramit.”
e. Agjërimi i mbajtur vetëm ditën e premte
Dita e premte është një ditë feste për myslimanët. Allahu (xhel’le xhelaluhu) i ka falur një vlerë të veçantë ditës së premte, duke e bërë ditë të veçantë të myslimanëve. Një herë në javë, në këtë ditë, myslimanët bëhen të gjithë bashkë, takohen e bisedojnë me njëri-tjetrin; përpiqen të ndajnë me njëri-tjetrin si shqetësimet, ashtu edhe gëzimet e tyre. Ky përbashkim, nganjëherë, realizohet edhe rreth së njëjtës sofër. Prandaj një mysliman nuk mund t’i ndajë agjërimit veçanërisht këtë ditë dhe Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) e ka ndaluar:
“Mes netëve, adhurimit mos i ndani vetëm natën e së premtes, njësoj siç, për të agjëruar, mos i ndani agjërimit veçanërisht ditën e premte. Përveç atyre që kanë ndonjë agjërim të vazhdueshëm e të bërë zakon.”
f. Agjërimi në periudhat e menstruacioneve dhe lehonisë
Gratë, në periudhat e menstruacioneve dhe të lehonisë, janë falur nga moskryerja e disa adhurimeve, si namazi dhe agjërimi. Duke pasur parasysh mëshirën e thellë që ka Allahu për robërit e Tij, në këto periudha që janë njëfarësoj të mundimshme për to, gjatë këtyre ditëve, Ai nuk i ka ngarkuar ato me adhurime. Një grua që është në këto ditë, as nuk fal namaz, as nuk e zëvendëson atë më vonë duke e bërë kaza. Kurse gjatë muajit të Ramazanit, ajo nuk agjëron, por për aq ditë sa nuk ka agjëruar, ajo i zëvendëson ato pas muajit të Ramazanit.
Në një transmetim Muadhi (radijallahu anh) ka thënë:
“Unë e pyeta Aishen e nderuar (radijallahu anha) se cila ishte arsyeja që një grua në ditët e saj duhet të zëvendësonte vetëm agjërimin e pambajtur dhe jo namazin. Ajo më dha këtë përgjigje: ‘Ne, kur ishim me të Dërguarin e Allahut dhe ishim në ato ditë, Ai na thoshte që t’i zëvendësonim vetëm ditët që nuk kishim agjëruar, ndërsa për namazin nuk na thoshte asgjë.’”
G. Çështjet që duhet të ketë kujdes një agjërues
Si në çdo çështje, edhe kur bëhet fjalë për agjërimin, ka disa aspekte për të cilat agjëruesi duhet të tregojë shumë kujdes. Këto janë çështje për të cilat lipset treguar kujdes, në mënyrë që me agjërimin të arrihen të gjitha çfarë synohen me mbajtjen e tij.
1. Çështjet që duhet treguar kujdes në syfyr
Syfyri e ka prejardhjen nga e njëjta rrënjë me “agimin”, që përkon pikërisht me çastin kur fundi i horizontit zë të tregojë lindjen e një dite të re. Kjo kohë është edhe një ndër prerjet më të begata të kohës. Duke u ngritur në syfyr, besimtari përfiton nga begatia e saj, ndërsa nga ana tjetër mund të hajë diçka dhe të fitojë forcë dhe fuqi të mjaftueshme të trupit, që të mund t’i kryejë denjësisht, si agjërimin, ashtu edhe adhurimet e tjera të ditës. Kjo kohë e agimit, është pikërisht ajo prerje e kohës kur adhurimet e kryera i çohen Allahut të Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu).
Ushqimi i syfyrit është një ndër këshillat e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i Cili ka theksuar se në kohën e tij ka begati dhe se engjëjt luten për ata që janë ngritur në syfyr. Profeti ynë i Nderuar ka thënë:
“Në syfyr ka begati. Bëni syfyr, sikur edhe një gllënjkë ujë të pini. Sepse Allahu (xhel’le xhelaluhu) i trajton me mëshirë ata që ngrihen në syfyr; kurse engjëjt luten për ta dhe faljen e tyre.”
Një nga çështjet e lidhura me syfyrin, për të cilën kërkohet të tregohet kujdes është edhe që koha e ngrënies të shtyhet sa më shumë drejt kohës së përfundimit të kësaj prerjeje kohe. Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të), i Cili ishte i pari në mëshirë dhe dhembshuri ndaj bashkësisë së Tij, ka thënë edhe se kjo është më e virtytshme. Kësisoj, koha e agjërimit është disi më e shkurtër dhe veçanërisht për të sëmurët dhe të moshuarit, ajo merr një trajtë paksa më të durueshme e të përballueshme për ta. Veç kësaj, kryerja e syfyrit shumë herët çon që njeriu të bjerë në përhumbje e të përgjumet, aq sa mund të ndodhë edhe që të humbë namazin e sabahut. Ndërsa syfyri i bërë në një kohë shumë afër kohës së faljes së namazit të sabahut është shumë i rëndësishëm edhe për të bërë që ky namaz të falet në kohën e duhur. Në lidhje me këtë temë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:
“Për sa kohë që nxitojnë në iftar dhe e shtyjnë syfyrin, umeti im është në mbarësi.”
Në librat e hadithit ne hasim edhe një transmetim që ka të bëjë pikërisht me kohën mes syfyrit dhe namazit të sabahut:
“Në një kuvend, kur Zejd bin Thabiti (radijallahu anh) tha: ‘Hëngrëm njëherë syfyr me të Dërguarin e Allahut, pastaj falëm namazin e sabahut.’ – një nga të pranishmit e pyeti: ‘Sa kohë kaloi mes ngrënies së syfyrit dhe faljes së namazit të sabahut?’ –Zejdi u përgjigj me këto fjalë: ‘Sa për të lexuar pesëdhjetë ajete.’”
2. Çfarë duhet pasur kujdes në iftar
Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka renditur edhe se çfarë duhet të ketë kujdes një besimtar teksa bën iftar. Sipas kësaj, kur çel iftarin, një besimtar duhet të bëjë kujdes me:
Është sunet, që kur hyn koha e akshamit, besimtari menjëherë të bëjë iftar. Duke qenë se koha në iftar është shumë e kufizuar dhe namazi duhet të falet me të hyrë koha, i Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të) bënte njëherë iftar, mandej falte namazin e akshamit. Te këshilla e Tij për të bërë iftar sa më parë, menjëherë sapo të hyjë koha e akshamit, janë më se të qarta shenjat e dhembshurisë dhe mëshirës që ndiente Ai për njerëzit. Është e vështirë që të mund t’i shpjegosh e arsyetosh dot me shpirtin e dhembshurisë që ka feja islame, të vijosh t’i privosh edhe për më shumë kohë të gjithë ata njerëz që kanë qëndruar të etur e të uritur e të kufizuar përgjatë gjithë ditës. Prandaj Profeti ynë e ka nxitur umetin e Tij që të nxitojë për të bërë iftar sapo të hyjë koha, duke e vënë ata më përpara edhe se namazi, që për Të ishte si drita e syve. Ja se si thotë Ai:
“Për sa kohë që i ftojnë njerëzit që të nxitojnë (për të bërë njëherë iftar), ata do të jenë në mbarësi.”
Edhe në një transmetim tjetër nëna jonë, Aishja (radijallahu anha), na tregon neve edhe më shumë në lidhje me qëndrimin e të Dërguarit të Allahut (pqmT) në lidhje me këtë çështje. Ebu Atijeja tregon:
“Unë dhe Mesruku kishim shkuar tek Aishja e nderuar (radijallahu anha). Mesruku tha: ‘Janë dy burra nga sahabët e Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), të cilët garojnë për të qenë përherë në mbarësi. Njëri nxiton për të bërë iftar dhe për të falur namazin e akshamit, ndërsa tjetri që i shtyn të dyja, si akshamin, ashtu edhe iftarin.’ – Kur i dëgjoi këto fjalë, Aishja e nderuar pyeti: ‘Kush është ai që nxiton për iftarin dhe kohën e namazit të akshamit?’ – ‘Abdullah ibni Mesudi,’ – u përgjigj Mesruku. Atëherë, Aishja e nderuar na tha: ‘Ja, kështu bënte edhe i Dërguari i Allahut.’”
Gjithashtu, sunet është edhe që besimtari ta çelë iftarin me hurma ose ujë. Enesi i nderuar (radijallahu anh) thotë kështu lidhur me këtë çështje:
“I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të), para se të falte namazin, e çelte iftarin me disa hurma të njoma dhe nëse nuk do të kishte hurma të njoma, me hurma të thata. Nëse qëllonte që nuk kishte as hurma të thata, atëherë pinte disa gllënjka ujë.”
Sipas një transmetimi prej Sulejman ibni Amirit, i Dërguari i Allahut ka dhënë këtë këshillë:
“Kur të agjërojë ndonjëri prej jush, le të bëjë iftar me hurma. Sepse hurma është begati. Nëse nuk gjen dot hurma, atëherë të çelë iftar me ujë. Sepse uji është shumë pastrues.”
Një njeriu që qëndron pa ngrënë gjatë një dite të tërë agjërimi, i bie sheqeri në gjak. Dhe që të mund ta kryejë adhurimin e tij me një mendje më të kulluar, atij i duhet që ta ekuilibrojë disi sheqerin në gjak veçanërisht me një ushqim të ëmbël. Një tjetër aspekt është edhe se uria e madhe, e përforcuar gjatë gjithë ditës, do të bënte që ai të kryente një adhurim në një gjendje të rraskapitur dhe është e pamundur që të arrijë përkushtimin e nevojshëm. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e këshillimit që iftari të bëhet para faljes së namazit të akshamit.
Diçka tjetër që duhet bërë në kohën e iftarit është edhe lutja e shumtë.
Sepse Allahu i Madhërishëm thotë: “Lutmuni, që t’ju përgjigjem.”Dhe lutja e bërë në kohën e iftarit ka një vlerë krejtësisht të veçantë në lartësitë e Allahut (xhel’le xhelaluhu). Një besimtari që ka qëndruar përgjatë gjithë ditës i etur dhe i uritur për hir të Allahut, që është përpjekur ta ruajë veten me çdo kusht prej çdo mëkati të mundshëm po për hir të Allahut, si shpërblim, Allahu i pranon atij lutjet që do të bëjë në kohën e iftarit.
Një besimtar që mban agjërim nuk duhet ta humbasë këtë përgëzim të veçantë që i ka mundësuar Allahu, por, çdo nevojë t’ia shprehë Atij duke iu përgjëruar në kohën e iftarit. Ja se si ishte një nga lutjet që bënte Profeti ynë në kohën e iftarit:
“O Zot! Unë agjërova për kënaqësinë Tënde. Te Ti u dorëzova. Me rriskun që më ke falur Ti e çela iftarin. Pranoje Ti agjërimin tim. Nuk ka dyshim, Ti je Gjithëdëgjues, i Gjithëditur. Etja iku, damarët u njomën. Inshaallah u fiksua edhe shpërblimi.”
Kur ishte si i ftuar diku, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) lutej me këto fjalë:
“Ushqimin t’jua hanë njerëz të mirë. Në sofrat tuaja të çelin iftar agjëruesit. Dhe engjët të luten për faljen tuaj.”
Gjithashtu, një çështje tjetër, për të cilën lipset kujdes për sa i përket iftarit është edhe që sofra të mbahet përherë në pritje të mysafirëve dhe duhet bërë përpjekje që në të të ketë vend edhe për të tjerë, e veçanërisht për të varfërit. Kësodore njeriu jo vetëm u përkëdhel të varfërve zemrat, por edhe do të fitojë shpërblime për aq njerëz sa u ka mundësuar iftarin. Për sa i përket kësaj, Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:
“Kush i jep iftar një agjëruesi, fiton shpërblime po aq sa fiton edhe ai që ka mbajtur agjërimin. Dhe nuk pakësohet asgjë nga agjërimi i agjëruesit.”
3. Qëndrimi larg të këqijave
Agjërimi duhet të mbahet pikërisht ashtu siç e ka shpallur Allahu i Lartësuar dhe pikërisht ashtu si ajo çfarë quan “agjërim” Allahu. Në mënyrë që të marrë rezultatin e synuar nga agjërimi i tij, ashtu siç e kufizon veten nga të ngrënët dhe të pirët, besimtari duhet të kufizojë edhe gjuhën nga thënia e gjërave pa lidhje, pa kuptim e për më tepër të pahijshme. Madje duhet ta hapë gojën vetëm për të folur bukur e për gjëra të mbara, duke mos folur për asgjë të panevojshme, e ta zbulurojë gjuhën me bashkëbisedime të përshpirtshme. Po ashtu ai duhet të vërë nën kontroll edhe sytë. Ai duhet t’i mbyllë sytë e të mos e shohë të ndaluarën, t’i shohë mirë gjërat që sheh, t’i interpretojë siç duhet dhe të nxjerrë nga çdo gjë kuptime e domethënie sa më të mira.
Krahas këtyre, një besimtar duhet t’i mbajë veshët larg gjërave të kota e të ulëta, e t’i hapë ata vetëm për të Kuranin, hadithet e bekuara dhe fjalët e bukura të më të mëdhenjve ndër njerëz. Dhe, kësisoj, ashtu siç do të vërë në agjërim trupin e vet, duke e mbajtur të kufizuar nga uji dhe ushqimi, do të qëndrojë i mbyllur ndaj çdo gjëje të padobishme – që siç e kanë thënë të vjetërit – t’i bëjë që ta shijojnë të gjitha agjërimin, me gjymtyrë, me organe e me gjithë shqisa e aftësi ndijuese të jashtme e të brendshme. Thënë me këto fjalë, njeriu që agjëron duhet t’i mbyllë të gjitha portat karshi të këqijave e të mos u lejojë atyre asnjë shteg nga të mund të kalojnë dot, dhe për këtë duhet treguar mjaft kujdes me aspektet e mëposhtme:
a. Ruajtja e syve
Një nga mirësitë më të mëdha që i ka falur njeriut Allahu është syri. Syri është mjeti më i madh me të cilin njeriu krijon lidhje me botën e jashtme. Edhe në mënyrë që të meditojë e të kuptojë madhështinë e Allahut, njeriu ka nevojë që t’i shohë njëherë krijimet e Tij. Në saje të syve njeriu arrin që ta dëshmojë gjithësinë dhe mrekullitë që ka krijuar Allahu mbi gjithësinë. Gjithçka që hyn në zemër dhe në shpirt depërton brenda kryesisht nëpërmjet syve. Veçanërisht kur është duke agjëruar, njeriu duhet t’i ruajë sytë nga gjërat e ndaluara dhe veten nga çdo gjë që mund të hedhë helm në zemrën e tij. Sepse i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në një hadith kudsi:
“(Allahu thotë:) Mos e shiko të ndaluarën, sepse ajo është një shigjetë e helmatisur e hedhur nga djalli. Kushdo që e braktis atë, sepse ka frikë nga Mua, Unë i fal atij robit Tim një besim që do t’ia ndiejë gjer zemër ëmbëlsinë.”
Në Kuranin Fisnik Allahu ua ndalon besimtarëve që të shohin nga e ndaluara në një mënyrë fare të qartë e të hapur, duke urdhëruar:
“(I Dërguari Im!) Thuaju burrave besimtarë, t’i ruajnë sytë nga shikimi i mëkatit dhe ta ruajnë nderin e tyre. Kjo është më e përshtatshmja dhe më e pastra për ta. Allahu ka dijeni për çdo gjë që bëjnë ata. Thuaju gjithashtu edhe grabe besimtare, t’i ruajnë sytë e të mos e shohin të ndaluarin dhe ta ruajnë nderin e tyre...”
b. Ruajtja e gjuhës
Organi ndoshta më i rëndësishëm që duhet ta ruajë çdokush që agjëron është gjuha e tij. Sepse Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në lidhje me çështjen e ruajtjes së gjuhës:
“Kushdo që më jep mua garanci për atë që ka brenda nofullës së tij dhe atë që ka midis dy këmbëve, edhe unë i garantoj se ai do të shkojë në Xhenet.”
Patjetër që gjuha, për të cilën ka pasur nxitje edhe shumë herë të tjera, duhet të ruhet edhe më mirë kur bëhet fjala për agjërimin.
Sidomos kur është duke agjëruar, njeriu duhet ta ruajë gjuhën nga gënjeshtra, përgojimi, ngacmimi i të tjerëve, të folurit e çështjeve të ndaluara, zënkat dhe shkaktimi i zhurmës. Nëse do të kemi parasysh fjalët e bekuara të Profetit tonë të Nderuar (paqja qoftë mbi Të), ai nuk duhet të flasë asgjë vetëmse për mirë:
“Kush i ka besuar Allahut dhe ditës së gjykimit, ose të flasë për mirë, ose të heshtë.”
Ai besimtar që e bën kriter të vetes këtë hadith të bekuar të të Dërguarit tonë Fisnik, përherë duhet të jetë i zënë me Kuran dhe duke përmendur Allahun e Madhërishëm, duke folur vetëm për ato gjëra që të kujtojnë jetën e përtejme e që do të bëheshin shkas për meditim. Veçanërisht duhet t’u shmanget zhurmës dhe zënkave, pra të jetë i padorë ndaj kujtdo që e qëllon dhe i pagjuhë ndaj atij që do ta shajë, për të mos iu përgjigjur kurrsesi. Nëse ka ndonjë përplasje që i ofrohet, ai mund të thotë se është me agjërim dhe se e ka të pamundur që të përgjigjet. Profeti ynë (pqmT) ka këshilluar kështu në lidhje me këtë çështje:
“Agjërimi është një mburojë për besimtarin. Mos veproni me injorancë dhe të flisni gjëra të këqija, kur jeni me agjërim. Nëse vjen ndokush t’i thotë ndonjë gjë të keqe, apo të sillet keq me të, t’i thotë, ‘unë jam me agjërim’ dhe të mos përgjigjet (po njësoj).’”
Njeriu që nuk e kontrollon dot gjuhën e vet, megjithëse është me agjërim dhe i mban agjërim vetëm stomaku, nuk mund ta arrijë dot shpërblimin e mirëfilltë të agjërimit. Ajo çfarë fiton ai mbetet vetëm etja dhe uria. Sepse i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë:
“Allahu nuk ka nevojë, as për etjen, as për urinë e askujt, nëse ai nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe fjalët e sjelljet e këqija.”Ndërsa, në një vend tjetër thotë kështu:
“Ka sa e sa që agjërojnë, që ajo çfarë fitojnë nuk është veçse uria dhe etja. Ka sa e sa që e kalojnë natën duke kryer adhurime, që ajo çfarë fitojnë nuk është veçse pagjumësia.”
c. Ruajtja e veshëve
Si të gjitha organet, edhe veshët janë një organ që Allahu na i ka lënë neve amanet dhe ne duhet t’i dalim zot edhe këtij amaneti. Ruajtja e veshëve bëhet duke i mbajtur ata të mbyllur ndaj të gjitha gjërave të shëmtuara, si gënjeshtra, përgojimi, thashethemet. Sidomos kur është duke agjëruar besimtari duhet të largohet menjëherë nga çdo ambient ku fliten kësi gjërash. Sepse edhe dëgjimi i diçkaje është po aq i shëmtuar sa ç’është edhe që ajo të flitet. Kurani Fisnik e shpreh mjaft qartë se sa veprim i shëmtuar është që t’u vësh veshin fjalëve të shëmtuara pikërisht në këtë ajet të bekuar:
“Ata, vazhdimisht u vënë veshin gënjeshtrës dhe hanë nga e ndaluara.”
d. Ruajtja e të gjitha shqisave të jashtme dhe të brendshme
Më sipër ne përmendëm tri nga organet që i janë lënë njeriut amanet. Sepse njeriu hyn në mëkat kryesisht ngaqë nuk i ruan dot siç duhet këto organe. Dhe kur arrin që t’i ruajë ato, ai bëhet i denjë për të hyrë në Xhenet. Njeriu hapet ndaj botës së jashtme nëpërmjet këtyre organeve. Për rrjedhojë, për të mos rënë pre e gjërave që do ta ndotin shpirtin dhe ndërgjegjen nga jashtë, duhet treguar një kujdes tejet i veçantë për ruajtjen e tyre.
Ndërgjegjja është e përbërë nga katër elemente kryesore, ndërsa shpirti nga katër gjendje të rëndësishme. Këto janë, vullneti, mendja, ndjenjat dhe aftësitë ndijuese hyjnore. Besimtari është i detyruar të tregojë kujdes që t’i ruajë ato të pastra, duke u shmangur nga çdo gjë që mund t’i ndotë ato dhe të dijë se si t’i ruajë shqisat e tij të jashtme dhe të brendshme. Ai duhet të jetë i kapluar nga vullneti për përpjekje që t’i vërë të agjërojnë, njësoj si stomakun, edhe syrin, veshin, gjuhën, zemrën, imagjinatën dhe mendimet, e së bashku me to të gjithë përbërësit njerëzorë, që e bëjnë atë të veçantë si njeri.
Miqtë e të Drejtit e kanë ndarë agjërimin në tri lloje:
Agjërimi i masës: Ky është agjërimi i njerëzve të zakonshëm, që u mban agjërim vetëm stomaku dhe u qëndrojnë larg vetëm atyre gjërave që do ta prishnin së jashtmi agjërimin. Në këtë lloj agjërimi shihen si të mjaftueshme edhe vetëm qëndrimi larg nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale.
Agjërimi i elitës: Ky është agjërimi i robërve të zgjedhur, që përpiqen ta shijojnë çdo grimë të begatisë dhe dritës së agjërimit, të cilët ndërkohë që u mban agjërim stomaku, ata i ruajnë nga çdo gjë e shëmtuar edhe duart, gjuhën, sytë dhe veshët, madje tërë organet dhe gjymtyrët e tyre. Të këtillët janë të padorë ndaj kujtdo që i godet, të pagojë ndaj kujtdo që i shan. Edhe kur flasin, ata flasin vetëm në qerthullin e kënaqësisë hyjnore. Veshët i kanë të mbyllur ndaj dëgjimit të gjërave të shëmtuara. As sytë, kurrë nuk u shohin kurrë nga e ndaluara.
Agjërimi i elitës së elitës: Përtej agjërimit të elitës, ky është agjërimi i atyre njerëzve të devotshëm ndaj Allahut, që i mbajnë larg vetes edhe ato gjëra që mund të mos ngjajnë të bukura për zemrën, imagjinatën dhe mendimet e tyre, të cilat për ta janë njëfarësoj si banesa të Allahut. Në këtë lloj agjërimi, thelbësore është që të nxirret nga zemra çdo gjë tjetër, përveç Allahut (xhel’le xhelaluhu). Çdo mendim i kësibotshëm, që nuk është në boshtin e kënaqësisë së Zotit, shpirtërisht e prish këtë lloj agjërimi.
4. Mbajtja e përsinqertë e agjërimit
Ka edhe një aspekt tjetër të agjërimit, për të cilin duhet treguar një kujdes i jashtëzakonshëm, që është se robi duhet të bëjë çdo përpjekje që agjërimi i tij të jetë i sinqertë dhe vetëm e vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut. Robi duhet të jetë i fiksuar në sinqeritet, kur agjëron; duhet ta konsiderojë agjërimin si një dhuratë e rrallë që ia ka falur Allahu vetë, ndaj nuk duhet të përfshijë në të asgjë tjetër, përpos kënaqësisë së Tij. Për më tepër, ai duhet të jetë gjithmonë i mbërthyer nga mendime të llojit: “Nuk e mbajta dot agjërimin siç duhej, nuk e kreva dot detyrën time ashtu siç duhej dhe nuk e vlerësova dot Ramazanin sa ç’duhej.” Përndryshe, nëse e kap vetëpëlqimi, që ‘unë diçka jam duke e bërë’, si për shembull, ‘unë e mbaj agjërimin kështu, e mbaj ashtu...’, duke u mburrur, shprehur vetëpëlqim dhe mendjemadhësi e vetëpëlqim, e gjithçka që bëhet për t’i bërë të tjerët se adhurimi yt është tejet i thellë është pengesë për sinqeritetin.
Kështu që agjërimi duhet lidhur tërësej vetëm e vetëm me Allahun dhe synimin e arritjes së kënaqësisë së Tij. Dhe, zaten kjo bie ndesh me urtësinë e shpalljes së agjërimit, që njeriu t’ia marrë Allahut agjërimin dhe t’ia atribuojë atë vetes, duke u përpjekur që të nxjerrë një përfitim vetjak prej tij. Sepse Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) thotë:
“Agjërimi mbahet vetëm e vetëm për kënaqësinë Time dhe shpërblimin për të e caktoj, e jap vetëm Unë.”
Shënimet
- 81.Buhariu, iman 28; Muslim, salatu’l-musafirin 176.
- 82.Bakara, 2/185.
- 83.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/246; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 20/133. 88 Bakara, 2/183.
- 84.Bakara, 2/185.
- 85.Po aty, 2/184.
- 86.Bakara, 2/187.
- 87.Po aty.
- 88.Bakara, 2/185.
- 89.Ahdhab, 33/35.
- 90.Bakara, 2/196.
- 91.Nisa, 4/92.
- 92.Maide, 5/89.
- 93.Po aty, 5/95.
- 94.Muxhadele, 58/3-4.
- 95.Buhariu, iman 1, tefsiru sure (1) 30; Muslim, iman 19-21.
- 96.Buhariu, iman 36; Muslim, iman 5.
- 97.Buhariu, saum 2; Muslim, sijam 160.
- 98.Zumer, 39/10.
- 99.Buhariu, saum 22; Muslim, sijam 160.
- 100.Nesai, sijam 43; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/248, 249, 257; Abdurrezak, el-Musannef 4/309.
- 101.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 36/455.
- 102.Buhariu, saum 4; Muslim, sijam 166.
- 103.Buhariu, xhihad 36; Muslim, sijam 167, 168.
- 104.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 2/174; Ibnu’l-Mubarek, ez-Zuhd 2/114; el-Bejhaki, Shuabu’l-iman 2/346.
- 105.Bakara, 2/184.
- 106.Buhari, saum 30-31, hibe 20, nafakat 13, edeb 78, 95, keffarat 2-4, hudud 26; Muslim, sijam 81-82.
- 107.Haxh, 22/29.
- 108.Buhari, ejman 28, 31; Tirmidhi, nuzur 2; Ebu Daud, ejman 22.
- 109.Tirmidhi, saum 36.
- 110.Buhari, rikak 38; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 6/256.
- 111.Sad, 38/17.
- 112.Buhariu, saum, 59; Muslim, sijam 187.
- 113.Buhariu, tehexhud 7; saum 59; Muslim, sijam 182.
- 114.Ebu Daud, saum 53; Tirmidhi, saum 44; Nesai, sijam 70.
- 115.Tirmidhi, saum 44.
- 116.Ebu Daud, saum 53; Nesai, sijam 70.
- 117.Buhariu, saum 55; Muslim, sijam 183.
- 118.Buhariu, tehexhud 33, saum 60; Muslim, musafirin 85.
- 119.Tirmidhi, saum 54; Ibni Hudhejme, es-Sahih 3/302; el-Bejhaki, es-Sunenu’l-kubra 4/294.
- 120.Nesai, sijam 83; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 6/287.
- 121.Muslim, haxh 79; Nesai, menasik 194; Ibni Maxhe, menasik 56.
- 122.Shih: Muslim, sijam 196, 197.
- 123.Ebu Daud, saum 63; Ibni Maxhe, sijam 40.
- 124.Muslim, sijam 13; Tirmidhi, saum 53; Ebu Daud, saum 33.
- 125.Muslim, sijam 133, 134; Ebu Daud, saum 65; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/224, 1/344.
- 126.Ebu Daud, saum 54; Ibni Maxhe, sijam 43.
- 127.Ebu Daud, saum 11; Nesai, sijam 70.
- 128.Buhariu, saum 52; Muslim, sijam 167.
- 129.Buhariu, saum 20; Muslim, sijam 56.
- 130.Shih: Buhariu, saum 57; Muslim, sijam 186-187.
- 131.Buhariu, saum 11; Muslim, mesaxhid 258-259.
- 132.Buhari, saum 14; Muslim, sijam 139, 141.
- 133.Buhariu, edahi 16; Muslim, sijam 139, 141.
- 134.Muslim, sijam 148; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 6/444.
- 135.Muslim, sijam 69; Ebu Daud, taharet 102.
- 136.Buhariu, saum 20; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/12, 44, 17/150.
- 137.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/147; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-Kebir 25/163.
- 138.Buhariu, meuakit 27, saum 19; Muslim, sijam 47.
- 139.Buhariu, saum 45; Muslim, sijam 48.
- 140.Muslim, sijam 49; Tirmidhiu, saum 13; Ebu Daud, saum 20; Nesai, sijam 23.
- 141.Tirmidhiu, saum 10; Ebu Daud, saum 21.
- 142.Tirmidhiu, zekat 26, saum 10; Ebu Daud, saum 21; Ibni Maxhe, sijam 25.
- 143.Mu’min, 40/60.
- 144.Ebu Daud, saum 22; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 2/344.
- 145.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/138; el-Bejhaki, es-Sunenu’l-Kubra 4/240, 7/287.
- 146.Tirmidhiu, saum 82; Ibni Maxhe, sijam 45.
- 147.Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 10/173; el-Hakim, el-Mustedrek 4/349.
- 148.Nur, 24/30-31.
- 149.Buhariu, rikak 23; Tirmidhiu, zuhd 61.
- 150.Buhariu, edeb 31, 85, rikak 23; Muslim, iman 74, edahi 19.
- 151.Buhariu, saum 9; Muslim, sijam 163.
- 152.Buhariu, saum 8, edeb 51; Tirmidhiu, saum 16; Ebu Daud, saum 25.
- 153.Ibni Maxhe, sijam 21; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 2/373.
- 154.Maide, 5/42.
- 155.El-Gazzali, Ihjau ulumi’d-din 1/234.
- 156.Buhariu, teuhid 35; Muslim, sijam 160.