“A është e nevojshme të përfitojmë nga shkencat për të treguar për Zotin dhe fenë tonë? Po qe e nevojshme, cilat janë anët justifikuese të kësaj? Cili duhet të jetë orientimi në këtë çështje?”
Gjithsesi do të ishte me vend që kësaj pyetjeje t’i jepej kjo përgjigje: “Në tri drejtime, e nevojshme, dhe në tri drejtime, e justifikueshme!” Pra, edhe e nevojshme, edhe e justifikueshme. Sepse:
Ashtu siç u japim drejtim mendimeve, ndjenjave, bindjeve dhe veprimeve tona duke lexuar Kuranin, librin e Zotit tonë, ashtu dhe në rreshtat, fjalitë dhe faqet e librit të gjithësisë, nga njëra anë gjejmë dhe e njohim veten tonë, nga ana tjetër, me shikimet, mendimet dhe shkencat, sodisim me habi dhe mahnitje veprimtarinë, urtësinë dhe artin e Zotit tonë dhe themi: Allahu Ekber, Allahu është më i Madhi! Adhurim është ky, madje, me një orë meditim të tijin, ndoshta më i lartë se dy mijë sexhde!
Në fakt, çdo shkencë, si një gjuhë e veçantë, flet për Zotin, për rrjedhojë, edhe ne, me anë të atyre gjuhëve, në një aspekt, i bëhemi intepretë Zotit. Pastaj, sot jemi të detyruar nga çdo këndvështrim t’i përdorim shkencat, sepse as jetojmë në kohën e Fatihut apo Sulejmanit, as ndodhemi në një kohë kur sundojnë dhikri dhe dallditë mistike! Ne sot jetojmë në një ditë të tillë kur veprimtaria dhe arti i Zotit tonë pothuaj përdoret kundër Tij! Edhe shkenca të tilla si mjekësia që karakterizohen si altari i besimit, janë duke u konsideruar si mjete për mohimin e Allahut dhe gjërave të shenjta dhe duke sulmuar Kuranin që sot u prin shkencave dhe njofton të panjohurat. Për këtë shkak, në kundërshtim me përdorimin e materies dhe shkencave nga materialistët në emër të mohimit, përdorimi në emër të besimit i fizikës, astrofizikës, kimisë, biologjisë, mjekësisë, matematikës, shkurt, i të gjitha shkencave të formuara nga shfaqjet e emrave të Allahut dhe të përbëra nga fryma e ligjeve të vëna prej Tij, si dhe i të vërtetave shkencore duke u dhënë kuptimet dhe funksionet e vërteta, duhet të jetë një shërbim me përfitime shpirtërore!
Ashtu siç ndodh që shkencat, me nivelin e tyre të sotëm, nuk janë të vërteta bazë dhe përfundimtare, ashtu do të ndodhë që, edhe nesër, kur, ndoshta, do të arrijnë nivelin e tyre më të lartë, nuk do të përbëjnë dot çudi, por vetëm do të jenë mjete që e tregojnë Zotin dhe pretekste për të fshirë pluhurin nga kokat, prandaj dhe duhet të mbeten mjete dhe pretekste, nuk duhet t’u jepen detyra bazë veç si fshirës të dyshimeve dhe lëkundjeve drejtuar atyre vetë, vënës në mendime dhe dhënës idesh dhe kurrë nuk duhet të zënë vendin e rregullit që e mban në këmbë njeriun, domethënë, vendin e Kuranit dhe besimit. Dhe për sa kohë që të përdoren në këtë kuadër, ne mund të përfitojmë në çdo kohë nga shkencat në emër të Islamit dhe besimit.
Tre lloj dëmesh të rëndësishme që mund t’u hapë rrugë përdorimi i shkencave.
Për shkencat nuk mund të flitet për të bërë shkencë dhe duke shitur mend. Sigurisht, nuk mund të flitet për të vërtetat shkencore në emër të Kuranit dhe besimit me një frymë dhe pamje për të bërë origjinalitet. Një qëndrim i tillë, siç do të jetë mëkat për folësin, s’do të ketë dobi as për dëgjuesin, sepse një qëndrim i tillë do të bartë synimin për ta zënë mat dëgjuesin, për ta detyruar, për t’ia mbyllur gojën dhe për ta burgosur brenda paditurisë së vet. Edhe bashkëbiseduesi, përballë një qëndrimi të tillë, do të ndjejë nevojën për ta mbledhur veten, për ta plotësuar dijen e vet dhe për t’u përgatitur për kundërpërgjigje me ndjenjën e papranueshmërisë së faktit që ia mbyllën gojën.
Në themel të shembjes së pësuar nga bota islame në shekullin e fundit dhe të krizës ideore e shpirtërore ku u rrokullisën edhe personalitete shumë të rëndësishëm, në një aspekt, qëndron rënia në kompleksin e inferioritetit ndaj shkencave eksperimentale. Sigurisht, rënia në qëndrime e sjellje të buruara nga kompleksi i inferioritetit, si “kjo e vërtetë shkencore përmendet edhe në Kuran; këtë gjë Kurani e ka thënë 14 shekuj më parë”, etj., është një gabim i madh i bërë në emër të Kuranit dhe besimit. Kjo gjendje ndodh edhe me ne që herë pas here bëjmë të njëjtin gabim duke kërkuar mbështetje në ndonjë shkencëtar amerikan apo europian dhe, për rrjedhojë, bëjmë gabimin e madh të peshimit të të vërtetave kuranore dhe besimore në peshoren e shkencave që s’kanë arritur ende te të vërtetat përfundimtare. Në ditët tona, nxjerrja e shkencave në plan të parë duke e menduar Kuranin në plan të dytë dhe duke e treguar atë sikur të ishte nevojtar për mbështetjen dhe miratimin e shkencave, është aq i përhapur, sa njeriu ikën ashtu i dëshpëruar thellë kur e sheh dhe e dëgjon një gjë të tillë.
Nuk duhet ta humbim veten në shkencat duke e harruar Zotin në zemrat dhe ndërgjegjet. Preokupimi vetëm me shkencat pa i vizituar herë pas here shtresat e zemrës dhe ndërgjegjes, mund ta shtrëngojë njeriun brenda një lëkure materialiste dhe natyraliste. Pamundësia për t’u shmangur nga shkencat pas përdorimit të tyre të rregullt si fshesë, si çelës, si shkallare e si mjet, bëhet pengesë për përparimin ndjesor dhe shpirtëror. Duhet të jetë parim që, pas një pike të caktuar, të lihet çdo gjë dhe, drejtpërdrejt nën rrezet ndriçuese të Kuranit, të ecet në klimën e ndritshme të Kuranit, të bëhen përparime dhe të mbetet kokë më kokë me besimin te Allahu!