ARGUMENTET E MONOTEIZMIT DHE QËLLIMET FINALE TË KRIJIMIT

1. Argumenti i mundësisë

Gjithësia është nga lloji i qenieve të mundshme. Pra, ekzistenca dhe mosekzistenca e saj janë në raport të barabartë ndaj njëra-tjetrës: gjithësia mund të ekzistojë po aq sa mund të mos ekzistojë ose, e kundërta, mund të mos ekzistojë po aq sa mund të ekzistojë. Ndërkaq, çdo qenieje e mundshme varet nga një shkak jashtë saj, pra, që të ekzistojë, duhet të jetë një shkak i jashtëm që mundëson së pari ekzistencën e saj, pastaj edhe format dhe cilësitë e ekzistencës së saj. E thënë ndryshe, duhet të jetë një shkak i jashtëm që të zgjedhë ekzistencën e qenies së mundshme ndaj mosekzistencës së saj. Dhe ky shkak është Allahu, Zoti i gjithësisë.