VII. VEÇORITË E ENGJËJVE, XHINDËVE DHE DJAJVE

1. Veçoritë e engjëjve

Të krijuar prej drite, në natyrën e tyre duket se drita është bazë. Engjëlloritet do të thotë mision profetik (këshillues, paralajmërues), përfaqësim, kujdestari, vëzhgim, dorëzanësí, roje mbi një punë dhe miratim i saj, zbritje prej një lartësie, etj. Në kuptimin absolut të fjalës, engjëjt janë grupi i përfaqësuesve shumë të shenjtë hyjnorë që krijon lidhje midis botës së madhe (hyjnore) dhe botës së vogël (materiale), që kryen detyra përfaqësimi, që sjell lajme, që na e përkëdhel dhe na e formëson zemrën (ndjesitë), etj. Me fytyrën të orientuar kah bota tjetër dhe të ngarkuar më shumë me detyra të botës tjetër, engjëjt vëzhgojnë dhe duartrokasin veprimtarinë e Zotit në të dy botët.

Engjëjt nuk i përkasin vetëm botës tjetër; ata kanë edhe trupa prej drite të posaçëm për vete, por që janë prej drite dhe të tejdukshëm. Prandaj, cilësia e tyre përshkuese e vepruese është tejet e shpejtë dhe e përsosur. Ata zënë vend brenda ninëzës së syrit, i japin mundësi të shohë dhe i tregojnë gjëra të bukura. Ata hyjnë në zemrën e profetëve dhe njerëzve të urtë me kuptime të veçanta dhe, në botën e bimëve dhe kafshëve, me kuptime të veçanta. Frymëzimet që lindin në zemër, janë, në përgjithësi, drejtpërdrejt nga Zoti, disa herë, edhe nëpërmjet engjëjve.

Engjëjt “nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut; ata bëjnë ashtu siç urdhërohen” (Tahrim, 6). Kjo është një cilësi dhe një status i posaçëm për engjëjt. Njeriu kurrë nuk mund të bëhet si engjëjt. Në qëndrimin e tij duken ngjitje-zbritje dhe zigzage të vazhdueshme. Ndërkaq, njeriu, siç mund të fitojë një cilësi engjëllore, mbiengjëllore, edhe mund të bjerë nën nivelin e krijesave të paarsyeshme e të pavetëdijshme. Kurse pozita e engjëjve është e fiksuar. Meqë janë të krijuar prej drite, tek ta kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk shfaqet kundërshtim dhe revoltë siç ndodh me njerëzit dhe xhindet. Engjëjt nuk kanë seks. Engjëjt nuk i kanë ndjenjat e këqija të zemërimit, furisë, urrejtjes, zilisë, smirës, etj. Gjithashtu, te ata nuk vihen re të metat që vihen re te njerëzit dhe xhindet. Ata janë të pafajshëm dhe të mbrojtur nga gabimet, të metat, fajet dhe mëkatet.

Engjëjt nuk hanë, nuk pinë, nuk uriten, nuk eten, nuk lodhen. Ata nuk i njohin këto ndijime. Ata nuk marrin shpërblim për punë, por në çdo urdhër të kryer në emër të Zotit ndjejnë një ëndje të hollë dhe një shije të këndshme. Megjithëse s’kanë kualifikim dhe grada, begatohen sipas gradës së adhurimeve që i bëjnë Zotit. Ashtu siç ushqehen njerëzit me ujë, ajër, dritë dhe ushqime të ndryshme, ashtu dhe engjëjt mbahen, ushqehen me adhurimet, afërsinë dhe dashurinë ndaj Zotit. Erërat e mira, aromat e këndshme e parfumore janë një lloj ushqimi për ta. Atyre u pëlqejnë aromat e këndshme dhe ndjejnë kënaqësi prej tyre. Me këtë rast le të kujtojmë se edhe i dërguari i Allahut, profeti Muhamed (s.a.s.) që e përfaqësonte natyrën e pastër në nivelin më të lartë, kënaqej nga erërat e mira, parfumore, dhe lyhej me to.

Engjëjt e kuptojnë më mirë se njerëzit individualitetin e lartë të Zotit dhe i njohin më mirë se ata emrat dhe atributet e Zotit. Por Zoti e ka krijuar njeriun më të përsosur se engjëjt si pasqyrë përgjithësuese të emrave dhe atributeve hyjnore, si botë ndjesore dhe jetë meditative.

Ne i njohim disa engjëj nga emrat dhe punët që bëjnë. Informacionin për ta e marrim edhe nga Kurani, edhe nga hadithet, porositë profetike. Kurse disa engjëj i njohim vetëm nga lloji i detyrës që kryejnë dhe nga titulli që u është dhënë të gjithëve bashkë. Por meqë rreth kësaj çështjeje për ta nuk ka ndonjë rrëfim, ne nuk njohim hollësi për emrat dhe zakonet e tyre.

Ne i njohim katër engjëjt e mëdhenj, Xhebrailin (a.s.), Mikailin (a.s.), Israfilin (a.s.) dhe Azrailin (a.s.), por nuk i njohim tetë engjëjt bartës të Arshit.

Veç katër engjëjve të mëdhenj njohim edhe engjëjt kerubinë, engjëjt muhejminë, vëzhguesin e xhenetit, Ridvanin, dhe rojen e xhehenemit, Malikun.

Njohim edhe engjëjt “kiramen katibin” që interesohen për gjendjen e fetusit njerëzor, që shënojnë fjalët dhe sjelljet e çdo njeriu. Nga ana tjetër, siç thuhet në hadithet, porositë profetike, çdo besimtar ka 360 engjëj që e mbrojnë. Këta mbrojnë veçanërisht fëmijët dhe pleqtë. Ka engjëj që i tregojnë njeriut të mirën dhe dobinë, që luten dhe bëjnë pendesë për besimtarin, që i frikësojnë mohuesit dhe u fusin lëkundje në shpirt, ka engjëj që ndjekin kuvendet ku bëhet adhurim, dhikër dhe ku diskutohen çështje diturore të fesë, engjëj që ndërrojnë detyrë në namazet e mëngjesit dhe pasdites, që sodisin lutjet e të premteve, që dëgjojnë Kuran dhe që krijojnë atmosferë qetësie dhe paqeje në këto mjedise.

Ka engjëj që falin namaz dhe marrin pjesë në lutje dhe adhurime të tjera.

Engjëjt Munkir dhe Nekir i shkojnë të vdekurit në varr dhe e marrin në pyetje.

Gjatë miraxhit, Profeti ka parë engjëj të mbetur qysh nga dita e krijimit, para madhështisë së Zotit, dikush në ruku, dikush në sexhde e dikush në këmbë.

Veç këtyre, ka, ndoshta, sa numri i molekulave në gjithësi, engjëj që vëzhgojnë lëvizjet e grimcave, rënien e shiut, rënien e meteorëve, lëvizjen e tokës, yjeve, sistemeve dhe galaktikave, çeljen e luleve dhe rritjen e frutave, përgjithësisht, të gjitha veprimtaritë krijuese e jetësore.

Çdo frymë do ta shijojë vdekjen! (A. Imran, 185) Çdo gjë është e përkohshme, vetëm Ai është i përjetshëm! (Rrahman, 26-27) Ky është një urdhër për çdo krijesë dhe engjëjt nuk bëjnë përjashtim nga ky urdhër. Në fund fare, edhe Azrailit do t’i thuhet: “Dorëzoje shpirtin tënd!” Megjithëkëtë, nëse ka krijesa të afërta të Zotit që do ta vazhdojnë jetën edhe pas kësaj, ne nuk mund t’i dimë.

Engjëjt, në mënyrë të veçantë engjëjt e mëshirës, nuk hyjnë në shtëpitë ku ka statuja, fotografi, qen dhe çanga, nuk u afrohen njerëzve të papastruar pas marrëdhënieve seksuale, njerëzve që kanë ngrënë gjëra me erë të rëndë e shqetësuese, si qepë, hudhra, presh, njerëzve që pijnë duhan dhe mund të thuhet se engjëjt ikin nga kundërmimet e rënda e të këqija. Ka rrëfime, sipas të cilave, engjëjt nuk shkojnë te njerëzit që presin marrëdhëniet me prindërit dhe të afërmit. Po qe se duam që engjëjt të jenë bashkë me ne, duhet të krijojmë për vete dhe për mjedisin tonë ato kushte që duan ata.

2. Kur mbron engjëlli dhe kur shfaqet?

Allahu e mbron njeriun drejtpërdrejt, por mund ta mbrojë edhe me anë të engjëjve, por për këtë është kusht që njeriu të dëshirojë dhe të ketë vullnet, që të jetë i pastër nga dredhitë dhe dinakëritë, që të hyjë në lidhje me engjëllin, që lidhja e tij me Allahun të vazhdojë dhe, më në fund, që të krijohet, në këtë mes, një lloj lidhjeje e caktuar. Me njeriun që krijon lidhje me botën engjëllore, edhe engjëjt hyjnë në marrëdhënie. Mbrojtjen e engjëjve e shohim te fëmijët, te të vegjlit e pafajshëm, te pleqtë e rënduar, sepse Allahu ka një mëshirë të posaçme për ta. Që engjëjt të shfaqen e ta mbrojnë njeriun, duhet që edhe njeriu të krijojë kushte për këtë, që të mos largohet nga Zoti, që të arrijë të krijojë lidhje me botën engjëllore. Por me botën engjëllore nuk mund të krijohet lidhje duke gogësitur apo duke mos ditur ç’thua!

3. Dobitë e besimit te engjëjt

Ashtu siç ka ndikime të mëdha pozitive besimi te Allahu, te ringjallja dhe llogaridhënia, ka ndikime të mëdha pozitive edhe besimi te engjëjt. Së pari, ky besim i jep qetësi e prehje individit dhe ia kthen egërsinë në butësi dhe afërsi. Engjëlli afrohet te ai dhe i bën shoqëri. Me anë të engjëllit marrin formë frymëzimet në zemrën e njeriut. Në sajë të marrëdhënieve dhe afërsisë me engjëjt mbushet me qetësi njeriu dhe me këto qenie i merr dritë qenia. Veçanërisht, duke menduar se është çdo çast nën vëzhgimin e engjëjve, njeriu rri larg nga mëkatet. Duke qenë engjëlli një frenues i dëshirave dhe pasioneve njerëzore, rregullimi dhe disiplinimi i jetës së njeriut bëhet më i lehtë.

Profeti Muhamed (s.a.s.) është më i virtytshmi në ndjenjat engjëllore. Edhe engjëjt që u kanë sjellë profetëve revelacionin, janë më të çmueshëm e më të virtytshëm se engjëjt e tjerë. Ashtu siç kanë, ndër njerëzit, më epërsi ata që patën marrë pjesë në luftërat e Bedrit, Uhudit, etj., edhe ndër engjëjt, kanë më epërsi ata që patën marrë pjesë në ato luftëra.

Profeti thoshte: “Unë kam në qiell dy vezirë, Xhebrailin me Mikailin, kurse në tokë, Ebu Bekrin dhe Omerin!”

4. Xhindet janë krijuar nga zjarri pa tym e pa prush

Xhindet janë krijuar nga zjarri (flaka) pa tym e pa prush. (Rrahman, 15) Kaq është informacioni që jep Kurani mbi strukturën dhe entitetin e xhindeve. Por, në një vend tjetër përdoret edhe shprehja “zjarri përvëlues që hyn (në poret e trupit)”. (Hixhr, 27) Megjithëkëtë, entiteti dhe cilësia e xhindëve është, për ne, prapëseprapë e panjohur. As teleskopët dhe mikroskopët nuk na kanë treguar gjë gjer më sot mbi një botë të tillë dhe entitetin e saj. Xhind do të thotë i mbuluar, i fshehur, i maskuar. Për t’i përshkruar xhindet përdoren shprehje të tilla si: “një rreze zjarri; një zjarr që digjet duke flakëruar, duke shpërndarë shkëndija përreth; si prush ose si qymyr i ndezur”; etj. Por nuk e di nëse shprehje të tilla janë apo jo të mjaftueshme për t’i përshkruar xhindet. Ashtu siç është mbledhur entiteti morfologjik i njeriut nga toka në gjendje koncentrati proteinash, edhe xhindet bartin veçoritë e zjarrit meqë janë marrë nga esenca e zjarrit. A është lënda e xhindeve ajër inkandeshent apo një përzierje si flakë e ajrit me zjarrin, apo radiacion, grimcë, apo dritë diellore, nuk e dimë. Ndoshta një lëndë që përmban cilësitë e të gjitha këtyre. Apo ndoshta është si grimcat përbërëse të atomit, si rrezatimet e tyre, apo një përzierje jonike me prejardhje nga bota nënatomike, apo një trup eterik, apo një antilëndë.

Po, xhindet mund të jenë trupa eterikë. Në lidhje me këtë, megjithëse në ajetet Kuranore nuk ka ndonjë gjë të qartë, në hadithet profetike diku thuhet se “arshi i Allahut ndodhet mbi errësirë” e, diku tjetër, “mbi ujë”. Në thënien e parë përdoret fjala “amá” që do të thotë “errësirë, verbëri”, por, që, në rastin konkret, nënkupton diçka fluide si eteri. Meqë kjo nuk është një çështje besimore, përqendrimi i gjatë mbi të është i panevojshëm. As mosqenia e eterit është shpjeguar gjer tani, as qenia. Mund të ekzistojë si grimca më e vogël, si një lëndë aq e tejdukshme e fluide sa të mos dallohet dot. Kush e di, ndoshta atje ku materia konsumohet plotësisht, fillon eteri!

Xhindet ndoshta janë, në përmasat e kohës dhe hapësirës, qenie që s’i shohim dot brenda valëve të dritës që na e tregojnë materien. Edhe sikur të bëhen përpjekje për të thënë ca gjëra me anë të fjalëve dhe shprehjeve shkencore, arritja në konkluzione të prera për lëndën dhe përbërjen e xhindeve do të thotë të bësh komente dhe interpretime të gabuara, gjë që, për ne do të thotë të vësh në pikëpyetje revelacionin hyjnor. Sepse ne nuk e dimë ç’do të thonë fjalët “marixh”, “nar” dhe “nari semum” që përdoren në Kuran. Pa shihni se ç’formë merr njeriu që e ka esencën nga toka! Atëherë, kushedi se si është zjarri nga i cili janë krijuar xhindet!

5. Si njerëzit, edhe xhindet janë të ngarkuar me besim dhe adhurim

Si qenie të padukshme të botës materiale, xhindet kanë shpirt me vetëdije. Xhindet dallohen nga njerëzit dhe engjëjt sepse kanë strukturë tjetër lëndore, kurse nga bimët dhe kafshët, sepse kanë vetëdije. Meqë janë të ngarkuar, si njerëzit, me detyrën për të besuar dhe adhuruar, mund të jenë edhe besimtarë, edhe mohues. Fitorja ose humbja e myslimanëve njerëz është edhe fitorja ose humbja e myslimanëve xhinde. Xhindet kanë seks, martohen dhe shtohen. Për jetëgjatësinë e tyre janë dhënë shifra gjer në një mijë (shih imam Shibli).

6. Lëvizjet dhe veprimet e engjëjve dhe xhindeve nuk janë të kushtëzuara dhe të kufizuara nga koha dhe hapësira

Në këtë botë me shumë aspekte relative, ku jetojmë, edhe gjëra të tilla si fuqia, forca, mundësia, format dhe mënyrat e të folurit, rëndesat, koha dhe shpejtësia janë relative. Për shembull, mes një veze dhe një cope druri, hekuri, guri e një mase zhive sa një vezë, ka ndryshime të theksuara rëndese (peshe). Si kjo, trupat kanë shpejtësi lëvizjeje dhe rënieje të ndryshme, të posaçme për veten. Zëri ka një shpejtësi përhapjeje të caktuar. Kurse drita thotë se është kufiri i shpejtësisë i materies. Gjatë rënies së lirë, shpejtësia e trupave rritet për çdo sekondë me produktin e rrugës së përshkuar në sekondën e parë me katrorin e kohës. Për shembull, po qe se një trup, gjatë rënies së lirë, në sekondën e parë përshkon një rrugë prej 5 metrash, në sekondën e dytë do të përshkojë një rrugë të barabartë me 4x5 =20m., në sekondën e tretë, 9x5=45m., në sekondën e katërt, 16x5=80m., në sekondën e pestë, 25x5=125m., etj. Me rritjen e shpejtësisë, koha ngadalësohet, si përfundim, trupi që arrin shpejtësinë e dritës, e humb cilësinë lëndore dhe fiton cilësi tejlëndore, jolëndore. Nëse ndodh kështu me trupat lëndorë, është mjaft normale që të mos i shohim shpirtin, engjëjt dhe xhindet që lëvizin me shpejtësinë e dritës, madje përtej saj. Ajnshtajni dhe Lorenci e kanë përcaktuar shpejtësinë e dritës, si një ligj fizik serioz, 300 mijë km. në sekondë. Duke u nisur nga kjo, materialistët kanë dashur të arrijnë në përfundimin se gjithësia është e kufizuar, përtej saj ka përsëri lëndë, mirëpo studimet kanë treguar se ky kufi specifik për materien mund të kalohet. Shkencëtarët kanë vërtetuar matematikisht mundësinë e ekzistencës së rrezeve të dritës jashtë konceptit masë dhe rreze të tilla i kanë quajtur “Rrezet Tachyon dhe Syrnkoff”. Pas kapërcimit të kufirit të shpejtësisë 300 mijë km. në sekondë, asnjë cilësi lëndore s’mbetet, kurse me pakësimin e shpejtësisë, fillojnë sërish të dalin në pah cilësitë lëndore, masa dhe dukshmëria.

Pas këtyre përcaktimeve të bëra për lëndën, çështja e shpejtësisë dhe largësive që mund të përshkojnë shpirtrat, engjëjt dhe xhindet, kuptohet më mirë. Kjo do të thotë se në botën e relativiteteve nuk ka më kufizim kohe dhe hapësire.

7. Në krahasim me njerëzit, engjëjt dhe xhindet mund të bëjnë punë më të mëdha e më të rënda

Para së gjithash, dihet se asnjë gjë nuk është e vështirë për fuqinë e Allahut. Allahu që i krijon me të njëjtën lehtësi si një mollë, ashtu dhe një mijë mollë, si kopshtin me mollë, ashtu dhe botën, si atomin, ashtu dhe galaktikën, si peshkun, ashtu dhe detin, mund t’u japë njerëzve, engjëjve dhe xhindeve fuqi dhe forcë në masën që dëshiron. Në fakt, ajo që bën njeriu s’mbetet aspak poshtë gjërave që bëjnë engjëjt dhe xhindet. Nëse janë engjëjt që vëzhgojnë lëvizjen e globit tokësor dhe trupave qiellorë, është njeriu që i vjen rrotull botës, që i jep formë lëndës, që ngre qytetërime dhe prodhon teknologji. Nëse njeriu do të kishte në dorë një gisht në vend të pesëve, flatra në vend të krahëve të vet dhe këmbë elefanti në vend të këmbëve që ka, a do të mund t’i bënte këto, vallë? Nga ana tjetër, punët e njeriut mos do t’ua dedikojmë gishtave, duarve dhe këmbëve? Ja, pra, bëmat mrekullore të engjëjve dhe xhindeve të padukshëm, ja dhe bëmat e reaksioneve kimike dhe rrymave biokimike të padukshme të trurit! Me se i ngrenë dora, krahu, muskujt tanë peshat? Duke e kërkuar bërësin e vërtetë, a nuk arrijmë te palca e kockave aq e dobët fizikisht sa s’ka ku të vejë më dhe te rrymat biokimike të padukshme?

Megjithëse nuk shihen me sy, rrymat ajrore dhe erërat shkulin pemët dhe shembin shtëpitë. Ç’shkëmbinj të paepur e ç’punë gjigande bëjnë rrënjët e holla si mëndafsh të bimëve, ç’rrjetë të mrekullueshme formojnë në tokë duke e kërkuar lagështirën dhe ushqimin! Janë shumë burime energjie mbi të cilat bëjnë studime shkencëtarët. Me energjinë që prodhojnë duke i kapërcyer edhe kapacitetet e digave, centralet atomike e vënë lëndën (materien) në lëvizje. Sidomos rrezet lazer dhe shumë gjëra të tjera që presin të zbulohen, e trajtojnë dhe e përpunojnë lëndën në të gjitha fushat e jetës. Kështu, në çfarëdo fushe të jetës që të përqendrohesh, do të shohësh se lënda dhe materia janë vetëm “materiali” që përpunohet, që vihet në lëvizje, që urdhërohet, kurse përpunuesi, lëvizësi dhe urdhëruesi janë forcat e padukshme. E padukshmja sundon në mënyrë absolute e të paevitueshme mbi lëndën dhe materien!

Ndërsa energjia dhe rrezatimet veprojnë kështu mbi lëndën dhe materien, engjëjt dhe xhindet si qenie të padukshme përtej tyre, me mjetet komanduese që u ka dhënë Allahu, e vënë lëndën dhe materien në lëvizje dhe mund të bëjnë punë të karakterit mrekullor krejt të pamundura për ne. Prapëseprapë, edhe njeriu, ashtu siç u trajtua kjo çështje në diskutimin mbi shpirtin, mund të bëjë shumë punë të karakterit mrekullor, si lëvizja pa mjete e sendeve dhe loja me zjarrin nga spiritistët, etj.

8. Sa është numri i engjëjve dhe xhindeve?

Vetëm Allahu e di numrin e engjëjve dhe xhindeve! Allahu që krijon miliona gjallesa në një pikë ujë, që u jep jetë 4-5 milion eritrociteve në një milimetër kub gjak, që vendos në disa pika spermë miliona spermatozoide – kandidatë për t’u bërë njeri, që u jep jetë peshqve në det dhe kafshëve nën tokë, po të dëshirojë, mund të krijojë engjëj sa ç’ka pika shiu, sepse për Dorën e Fuqisë së Tij, si e shumta, si e pakta, janë njëlloj.

9. Shëmbëllimi i engjëjve dhe xhindeve, dukja e tyre duke marrë formë dhe entitet të caktuar

Siç u prek edhe më parë, si avullimi i ujit, kthimi i lëndëve të ngurta në lëng dhe gaz, copëtimi i atomit dhe kthimi i tij në energji dhe kuante, shfaqja e yjeve në formë vrimash të zeza, në jetën tonë dhe në gjithësi ekziston një veprimtari, një lëvizje dhe një rrjedhe nga bota e dukshme për në botën e padukshme. Kurse kur e mendojmë këtë veprimtari hyjnore nga ana e kundërt, mund të vërejmë ekzistencën edhe të një rrjedhe nga e padukshmja për te e dukshmja, nga e paperceptueshmja dhe e panjohura, për te e perceptueshmja dhe e njohura. Gazrat lëngëzohen, pastaj, nga lëngje, masivizohen ose kristalizohen dhe bëhen trupa të ngurtë. Pikat e ujit të kthyera në avull, sikur të donin të na thoshin se vazhdojnë të ekzistojnë, se nuk duken, por nuk janë humbur, kondensohen, kthehen në pika shiu dhe na bien mbi kokë duke na lagur. Grumbujt e pambukut të arës qiellore reflektohen mbi pasqyrën tokësore si mbulesë bore. Uji që ngjitet lart si avull, pa fituar ende masivitet për t’u bërë i patejdukshëm e për të marrë formë që të shihet, bëhet akull dhe e bën copë-copë enën ku është futur, edhe sikur të jetë prej hekuri të trashë! Gjërat e padukshme që planifikojmë në mendjen tonë, kur përcillen në botën e jashtme, marrin formë dhe dimensionohen duke u bërë të dukshme e të prekshme dhe jo vetëm kaq, por edhe të përmasave ndoshta miliona herë më të mëdha se përmasat në gjendjen e tyre të padukshme në mendje.

Ja, pra, edhe shpirtrat, engjëjt dhe xhindet, sado që, për shkak të strukturës së tyre të veçantë, janë të padukshëm në kushtet e botës sonë, mund të bëhen të dukshëm duke përdorur mënyra dhe forma të kësaj bote. Kjo lloj shfaqjeje dhe dukjeje e engjëjve dhe xhindeve quhet shëmbëllim. Duke bërë fjalë mbi shëmbëllimin, Kurani (Merjem, 17) thotë: “(Engjëlli) iu shëmbëllye (Merjemes) në formë njeriu”. Engjëlli që i sillte revelacionin Profetit, disa herë i shëmbëllehej në një formë të posaçme, disa herë si një kalorës që kthehet nga lufta, etj. Kur do të nisej ekspedita kundër fisit Kurejdha, Xhebraili i pati shkuar Profetit si një kalorës lufte i mbytur në pluhur dhe i pati thënë: “O i Dërguari i Allahut, ju i nxorët parzmoret, por ne, engjëjt, jo!” Po kështu, Xhebraili i pati shkuar Profetit në pamjen e një personi ndër shokët e tij, të quajtur Dihje, ose si një i ardhur me veshje vizitori për ta pyetur mbi çështje të besimit.

Si engjëjt, edhe xhindet dhe djajtë mund të shëmbëllehen. Sipas Hysejin Xhisriut, në sajë të formës së krijimit që u ka dhënë Zoti, xhindet dhe djajtë mund të marrin forma të dendësuara, sipas dëshirës së vet, të ajrit, eterit ose ndonjë lënde tjetër dhe të shfaqen para njerëzve me to. Kurse imam Shibli, duke u mbështetur në pohimin e Ebu Jalasë, thotë se xhindet dhe djajtë nuk mund të ndërrojnë formë vetë (me dëshirën dhe mundësitë e veta), se nuk kanë fuqi për këtë gjë, por, po të thonë njërën prej fjalëve që ua ka mësuar Allahu, fjalë që shërbejnë si shifër, Allahu i kthen ata nga një formë në një tjetër, nga një gjendje, në tjetrën. Këto fjalë janë, pothuaj, si shifra që u shërbejnë atyre për t’i thënë në kufirin e kalimit nga një botë në tjetrën, si një vizë që është kusht për t’u treguar për kalim, si parullat që përdoren dhe kërkohen në shërbimet e ndryshme ushtarake. Xhindet dhe djajtë nuk mund ta bëjnë këtë transformim me mundësitë (kapacitetet) dhe vullnetin e vet; po të tentojnë ta bëjnë, u shpërbëhet struktura dhe e humbin vitalitetin.

Djalli që është nga lloji i xhindeve, mund të marrë formë dhe trajtë njeriu. Kështu, rrëfehet se, para luftës së Bedrit, djalli, në formën dhe trajtën e plakut Nexhid, shkoi te kurejshët, u dha ide nxitëse për kurthin që kishin ngritur dhe u propozoi zgjidhje. Gjithashtu rrëfehet se, një herë tjetër, roja që po ruante plaçkën e luftës, kapi një djall që po përpiqej t’u shkaktonte dëm mallrave dhe e liroi pas lutjeve të shumta. Radhën e tretë, kur personi që e kapi djallin, vendosi ta çonte te Profeti, djalli i tha: “Lëshomë se do të ta tregoj se me se mund të mbroheni prej nesh!” “Me se?” - e pyeti personi. “Me ajetin Kursi” - iu përgjigj djalli. Kur ia treguan ngjarjen Profetit, tha: “Është gënjeshtar i keq, por të vërtetën ka thënë!”

Në Kuran thuhet se xhindet kanë dëgjuar këndim Kurani nga Profeti dhe se ua kanë përcjellë popullatës së tyre mendimin mbi të: “O fisi ynë! Me të vërtetë, ne kemi dëgjuar një libër që ka zbritur pas Musait, që e vërteton librin para tij dhe që të shtyn te Zoti dhe te rruga e drejtë!” (Ahkaf, 29) Edhe në librat e hadithit, me anë të rrëfimeve të ndryshme, thuhet se Profeti u ka kënduar atyre Kuran dhe ua ka kumtuar fenë. Thuhet se, në këto takime, Profetin e patën shoqëruar gjer në një pikë, një radhë Ibni Mes’udi e, një radhë tjetër, Hz. Zubejri.

Siç mund të duken në formë dhe trajtë njeriu, xhindet mund të duken edhe në formë dhe trajtë kafshësh. Rrëfehet se xhindet janë shfaqur si gjarpër, akrep, ka, gomar dhe zog. Kështu, në oazin Nahle, ndërsa do të merrte besën e tyre, Profeti u kërkoi xhindeve të mos dukeshin si akrepër ose qenër ose kafshë të tjera, por në trajtën e vet ose në ndonjë formë dhe trajtë tjetër të pëlqyeshme. Kurse bashkësinë e vet, Profeti e pati porositur që, kur të shohin në shtëpi ndonjë kafshë si gjarpri ose insekte, t’u thonë tri herë, “shko, për hir të Allahut!” sepse mund të jenë xhinde dhe, nëse nuk shkojnë dhe u shkaktojnë dëm, t’i vrasin. Kjo ishte si një marrëveshje mes dy fiseve të veçanta, mes dy racave të veçanta ose mes dy klasave të veçanta. Edhe xhindet i patën dhënë fjalën Profetit kështu: “Po qe se umeti, bashkësia jote, e fillon çdo gjë me “besmele”, çdo gjë e mbyll dhe e mbron, ne nuk i prekim ushqimet e tyre!” Natyrisht, ne nuk e dimë se si mund të përfitojnë xhindet nga të ngrënat dhe të pirat tona. Ndoshta nga aroma, ndoshta nga gjendja e dekompozuar e tyre. Kështu, në një hadith, porosi profetike, thuhet: “Mos u pastroni me kocka ose bajga lope të thara se ato janë ushqimi i vëllezërve tuaj xhinde!”

10. A mund të hyhet në lidhje me xhindet? Në ç’kushte xhindet mund t’u shkaktojnë dëme njerëzve?

Shpirtrat e disa njerëzve janë të përshtatshëm për të hyrë në lidhje me xhindet. Ata mund të kalojnë shpejt në gjendje tranzitore, të dalin shpejt jashtë dimensioneve tona dhe të përshtaten me botën, gjuhën dhe mënyrën e ndërlidhjes dhe komunikimit të xhindeve. Kjo është një çështje mundësie, vetëm se nga kjo nuk mund të arrihet në mendimin apo konkluzionin mbi ndonjë epërsi.

Këto forca të padukshme kanë parimet e tyre. Për rrjedhojë, njeriu nuk mund t’i detyrojë ato të bëjnë diçka për të sa herë dhe ku të dëshirojë. Xhindet nuk mund të veprojnë jashtë dimensioneve të përcaktuara nga Allahu për ta. Njeriu mund t’i përdorë disa fjalë dhe shprehje si të hapte dryna enigmatikë, dhe të hyjë në lidhje me xhindet, por xhindet nuk mund të përdorin një mundësi që s’u është dhënë. Nisur nga kjo, çdo njeri nuk i përdor dot xhindet, nuk përfiton dot prej tyre dhe nuk i përdor dot ata për çdo dëshirë të vetën. Krahas kësaj, nuk janë të pakët as ata njerëz që hyjnë në lidhje me xhindet duke i përdorur disa fjalë e shprehje si kode, si numra telefoni, duke i përsëritur ato në forma dhe herë të caktuara.

Krahas faktit që ka një sërë rrugësh dhe mënyrash për të hyrë në lidhje me xhindet, për këtë kërkohet një drejtim dhe kualifikim i caktuar. Pa pasur një drejtues, pa njohur mënyrat dhe metodat përkatëse dhe pa një kualifikim në një nivel të caktuar, mund të bëhen gabime dhe të bihet viktimë. Njerëzit që merren me gjëra të tilla, si çdo njeri, nuk i kanë sytë të aftë për të parë në botën e kuptimit, prandaj, po s’i njohën vendet ku u shkel këmba, mund të sulmohen nga ato shpirtra, të hyjnë nën urdhrin e tyre dhe të bëhen lodër në duart e tyre. Si përfundim, xhindet i shtyjnë njerëz të tillë në krenari dhe mendjemadhësi, i përkëdhelin, i bëjnë t’i humbin kriteret e vlerësimit dhe, kur vjen koha dhe vendi i duhur, i kërcënojnë, i fusin nën ndikimin e vet dhe i bëjnë të flasin e veprojnë për interesa të veta. Kështu, në shek. XX, në Indi, Gulam Ahmed Kadijani qe bërë viktimë e shpirtrave të tillë të këqij. Ai pati dashur të luftonte në emër të Islamit në rrugën e fakirizmit kundër jogizmit indian, por qe sulmuar nga shpirtra të tillë dhe qe bërë lodër e tyre. Në fillim ia patën mbushur mendjen se ishte një novator, pastaj, se ishte Mehdi dhe, më pas, se ishte mesihu Isa. Ai shkoi gjer atje sa të thoshte se Zoti ishte mishëruar dhe shfaqur tek ai! Shpirtrat e këqij krijojnë shpejt lidhje me njerëzit e këqij dhe mund t’i çojnë ata gjer në çmenduri.

Xhindet u afrohen besimtarëve kur janë të papastër, kur s’falin namaz dhe në situata të tjera të ngjashme me këto si dhe me mënyra dhe forma të ndryshme për t’ua prishur dhe kthyer mendjen. Çdo mëkat i kryer është si një derë dhe një dritare e hapur për djallin dhe xhindet e këqij. Veçanërisht tipat e ndjeshëm, shpirtrat e dëmtuar, ata që bëjnë jetë të ulët, larg lutjeve dhe atmosferës së lutjeve, hyjnë shpejt nën ndikimin e xhindeve. Natyrisht, shkelja e kufijve jetësorë dhe e të drejtave të xhindeve si dhe hyrja në banesat dhe mjediset e tyre pa besmele janë faktorë të rëndësishëm që sjellin dëmtimin e njeriut nga xhindet. Prandaj Profeti na mëson që, para se të hyjmë në vende të pista, të bëjmë lutje, dhe na urdhëron të mos falim namaz në grumbujt e plehrave, pranë nevojtoreve, në banja, në livadhe, ku zakonisht ndodhen ata, dhe, madje, në varrezat. Këto janë vendet ku zakonisht shkojnë djajtë dhe shpirtrat e këqij. Profeti na porosit që, duke hyrë në nevojtore, të bëjmë lutjen: “Allahumme inni eudhu bike minel hubthi vel habaith!” Gjithashtu, ai na porosit që, çdo aspekt të jetës ta shoqërojmë me lutje, të ndodhemi në vende dhe mjedise të pastra për t’u ruajtur nga dëmet e tyre, të rrimë me njerëz të pastër dhe të mbrohemi me anë të adhurimeve. Kështu, kush dëshiron që të jetë i sigurt nga të gjitha të këqijat e xhindeve, para së gjithash, duke u shmangur nga mëkatet, të zërë vrimat nga mund të futen ata.

11. A është e vërtetë magjia dhe a mund të bëhet magji?

Ata që thonë se s’ka magji, se nuk besojnë në magjinë, ose janë mohuesit që, duke e parë çështjen me bazë fetare, mohojnë se ashtu ua kërkon karakteri i tyre mohues, ose janë tipa indiferentë që s’kanë lexuar e dëgjuar fare, që s’është e qartë nëse jetojnë apo s’jetojnë në këtë botë. Dikush mbi të pesëdhjetat që e pata takuar personalisht në xhami dikur, më pati thënë kështu:

“Gjer një vit më parë, unë nuk i besoja magjisë. Ndërkaq, njëri prej të afërmve të mi u çmend. Kur e kapte kriza, shtangej dhe i ngulte sytë në një pikë. S’mbeti mjek e s’mbeti magjistar xhindesh që s’shkuam. Atje ku shkuam për herë të fundit, personi që merrej me këtë punë, e këndoi dhe i bëri edhe gjëra të tjera. Në kthim, hipëm në makinë dhe i sëmuri ynë, me një zë, me të cilin ishim çmësuar tashmë, na pyeti: “Ku jam unë? Ç’ndodhi me mua?” Mbeta i habitur! Dhe atëherë besova se kishte magji!”

Së pari, Kurani bën fjalë për magjinë që ndan burrin me gruan (Bekare, 102) dhe trajton hollësisht ngjarjet e magjive në kohët e profetëve Sulejman dhe Musa. E dyta, një çifut i pati bërë magji Profetit dhe, pasi Profeti pati filluar të ndjente shqetësim, materiali i magjisë, me ndihmën e shenjës së Engjëllit, qe nxjerrë nga pusi ku qe hedhur dhe, pas këndimit të dy sureve të fundit të Kuranit, Allahu ia pati larguar shqetësimin Profetit. E treta, në jetë kanë ndodhur dhe ndodhin ngjarje të tilla si dhe ka shembuj të tillë, që, edhe sikur të ngrihem e të tregoj vetëm të miat, mbushen 20-30 faqe. Por unë desha të mjaftohem vetëm me ato që i përmenda më sipër, sepse shërbejnë si argument për rastet analoge.

Ndikimi dhe veprimi i magjisë janë të vërtetë e të vërtetuar në praktikë. Por, ndërkaq, t’i bësh magji dhe të keqe tjetrit, t’i ndash burrin me gruan nga njëri-tjetri, t’i vësh dhe t’i armiqësosh njerëzit ndaj njëri-tjetrit, të bësh përpjekje për magji pavarësisht nëse zë apo jo, të bësh magji vetë apo të porosisësh magji, t’i ndihmosh ata që bëjnë vetë dhe që porosisin magji, të gjitha këto janë kategorikisht haram, domethënë, të pamiratuara, të pabekuara, të ndaluara, si dhe mëkat, domethënë, faj! Kurse të bësh ose të porosisësh magji me bindjen e një akti të lejuar, të miratuar e të bekuar (hallall), është mohim (kufr). Por ta shpëtosh dikë që me të vërtetë është sulmuar nga xhindet ose ka rënë viktimë e magjisë dhe vuan, duke e kënduar për ta shpëtuar nga vuajtja, gjithsesi është mirësi! Vetëm se kjo çështje s’duhet kthyer në profesion dhe fushë preokupimi. Sepse nga Kurani dhe Suneti (tradita profetike), në lidhje me këtë çështje, s’dimë gjë. Profeti është takuar me xhindet, por kjo ka ndodhur në kuadrin e detyrës së tij profetike dhe si profet edhe i tyre. Ai u ka kumtuar xhindeve fenë, ka marrë besën e tyre dhe ua ka bërë të ditura përgjegjësitë që kanë. Jashtë këtij kuadri, Profeti jo vetëm nuk është marrë me gjëra të tilla si mënyra e krijimit të lidhjeve me ta, mënyra e thirrjes së tyre, mënyrat e bërjes dhe prishjes së magjisë, mënyra se si vihen në punë ata, por as në thëniet dhe deklaratat e tij të bekuara nuk shohim ndonjë gjë lidhur me këtë çështje. Por Profeti ka treguar pikat e afrimit me xhindet, dëmet e tyre dhe rrugët e shpëtimit prej tyre. Ndërkaq, edhe pse, në kuptim të përgjithshëm, preokupimi i bashkësisë me këto çështje nuk miratohet, gjithsesi, përdorimi nga persona të veçantë me besim dhe përgatitje të caktuar i xhindeve me qëllim dhe synim të mirë duhet të jetë i justifikuar, pasi, në këtë drejtim, në Kuran ndodhet një pikë horizonti e treguar me dorën e disa profetëve.

12. A mund të vihen në punë xhindet në të ardhmen?

Në Kuran tregohet se profeti Sulejman kishte ushtri prej zogjsh dhe xhindesh, se xhindet ndërtonin kala, basene dhe bënin kazanë, se mes tyre kishte muratorë dhe zhytës dhe, në mënyrë të veçantë, se ata ia patën sjellë atij në çast fronin e Belkisës nga disa mijëra kilometra larg. (Enbija, 82; Neml, 39; Sebe, 12; Sad, 37)

Ajetet kuranore na çojnë ne në botët metafizike dhe, duke na njohur me ngjarje metafizike, na shëtisin në një botë ku mund të bisedohet me shpirtrat, xhindet dhe djajtë me gjuhën e ndjenjave. Në këtë çast, njerëzimi ndodhet në abëcënë e kësaj pune, në periudhën e ecjes këmbadoras për t’u ngritur në këmbë. Tani sapo hapet pak perdja e telepatisë, e bisedës me shpirtrat, e ndërlidhjes në fusha të gjera me anë të xhindeve dhe djajve, e vënies së tyre nën urdhër dhe kryerjes së punëve të ndryshme me anë të tyre. Do të ketë çështje lidhur me lëndën dhe materien, që nuk do të mund të zgjidhen në laboratore, do të ndjehet nevoja për t’iu drejtuar botëve dhe gjallesave të padukshme, do të shfaqet nevoja e shpirtrave të mirë apo të këqij dhe e xhindeve për të zgjidhur shifrat e ardhura nga botët e tjera. Me shtimin e lidhjes me ta, do të shtohet edhe prirja për fushat e përdorimit të tyre.

Siç u pohua në ajetet e mësipërme, xhindet i shërbenin profetit Sulejman. Çdo profet ka qenë i merituari i vlerave dhe të fshehtave të një emri të Zotit, po kështu, edhe të emrave të vetë. Ideja dhe kuptimi i emrit Sulejman do të thonë sundim mbi botët e dukshme e të padukshme. Si domosdoshmëri e një emri të tillë, një dorë e atij profeti mund të vepronte në botën e dukshme, kurse dora tjetër, në botën e padukshme dhe ai mund të hynte në ndërlidhje me botën e padukshme. Këto cilësi janë shfaqur pjesërisht dhe përkohësisht edhe te disa profetë të tjerë, por te profeti Sulejman ishin një aftësi e përhershme dhe në një nivel të përparuar. Veçanërisht, këtu aludohet për rrugët dhe metodat me të cilat duhet të pajisen grupimet që u shërbejnë besimit dhe Kuranit.

Profeti Sulejman i pati zbuluar dhe vënë nën urdhër xhindet pa mjete dhe pretekste materiale, i pati vënë në punë, pati kryer ndërlidhje me ta duke treguar, në këtë fushë, kufirin e fundit ku mund të arrihej. Sipas shprehjeve të ajetit kuranor, nën urdhrin e tij, xhindet bënin siç dëshironte Sulejmani. Duke realizuar vepra të mrekullueshme të artit kaligrafik, xhindet patën dhënë një kontribut të madh për njerëzit për zhvillimin e këtij arti. Në të ardhmen, xhindet do të përdoren më gjerësisht në të njëjtën fushë dhe ata që kanë për t’i vënë në punë, do të vendosin gurët e kufirit të fundit të kësaj çështjeje.

Gjithashtu, siç u tha edhe më sipër, në Kuran bëhet e ditur se profeti Sulejman i ka përdorur xhindet për zhytje në fund të detit. Ka apo nuk ka lidhje kjo punë me telepatinë, por, sidoqë të jetë, një ditë do të arrihet që, me anë të xhindeve, të qëndrohet katër-pesë muaj nën det duke marrë edhe ushqimet me vete. Sepse është një i dërguar i Allahut që na tregon neve në këtë çështje horizontin e fundit.

Ajeti kuranor aludon se xhindet mund të përdoren në masë të madhe edhe në fushën e luftës. Duke përdorur xhindët në përpjekjet dhe luftën në fushën e teknikës dhe teknologjisë, shtetet e mëdha, meqë është eliminuar mundësia e përgjimit në ndërlidhje dhe meqë xhindet lëvizin me shpejtësi shumë të madhe, do të përfitojnë nga xhindet për të interceptuar dhe shtënë në dorë kodet, shifrat dhe çelësat e ndërlidhjes. Është e çuditshme se ata që sot tregojnë më shumë zell në këtë fushë janë vendet më të mbyllura ndaj ideve, Rusia dhe Kina!

Sigurimi i ndërlidhjes dhe bisedës me anë të xhindeve mund t’u vlejë edhe organeve dhe strukturave të sigurimit. Kështu, me anë të xhindeve mund të merret informacion në çast për aktet ose veprimet e çastit dhe në zhvillim e sipër duke i mbajtur ato si dhe grupet e veprimit nën kontroll. Kush e di, ndoshta atëherë do të ketë edhe drejtorë dhe komisarë policie nga radhët e xhindeve.

... Dhe do të vijë një ditë që popujve dhe kombeve nuk do t’u mbetet asgjë e fshehtë, xhindet dhe djajtë do t’i nxjerrin në shesh të gjitha gjërat e mbyllura, sekretet dhe anët e fshehta të popujve dhe kombeve dhe do të sigurojnë mundësinë për të njohur anët më të fshehta të çdo njeriu. Atëherë, njeriu do t’ua dedikojë çdo gjë bëmave të shpirtrave dhe xhindeve dhe, përfundim i zhvillimeve në këtë fushë, përdorimi i xhindeve në këtë mënyrë do t’i hapë rrugë, në një vështrim, mohimit të Allahut dhe Kuranit dhe, më në fund, njerëzit do t’i përdorin shpirtrat dhe xhindet për të realizuar kënaqësitë shpirtërore të veta.

Në ajetin e 82-të të sures Enbija të Kuranit, duke u bërë e ditur se xhindet kryejnë edhe punë të tjera veç këtyre që përmendëm, aludohet se në të ardhmen xhindet do të mund të përdoren edhe në shumë punë të tjera që ne nuk mund t’i dimë ose t’i parashikojmë. Ju mund të mendoni, për shembull, që xhindet të përdoren për të bërë libër ngjarjet e një mijë vjetëve, për zbulimin dhe shfrytëzimin nëntokësor të mineraleve, për të gjetur anijet e mbytura prej shekujsh, për të zbuluar burimet e reja pasurore ose për t’i përdorur xhindet si zhytësa të kozmosit, si satelitë, etj. Por, si gjithmonë, edhe në fund të këtyre që thamë, nuk duhet të lëmë pa thënë se “Allahu e di të vërtetën e çdo gjëje!”

13. A mund të bëhen xhindet shkak për sëmundje?

Xhindet janë qenie që mund të ushtrojnë pushtet mbi lëndën dhe materien. Edhe nëse nuk themi dot “ky është xhindi”, është e qartë se xhindet janë qenie të tejdukshme, të padukshme, me aftësi ndikimi dhe veprimi. Le të japim një shembull të thjeshtë. Po qe se rrezet Rontgen e përshkojnë trupin e njeriut, po qe se rreze të ndryshme të caktuara mund të shkrijnë metale e mund t’ia ndryshojnë përbërjen lëndës, pse të mos mund të ndikojnë mbi trupin e njeriut xhindet që janë më të imta se rrezet në fjalë? Po, xhindet mund të veprojnë mbi fiziologjinë e njeriut duke u hapur rrugë dëmeve të ndryshme, mund të ndërhyjnë në enët e gjakut dhe në pikat qendrore të trurit.

Gjer në vitet 1960, rrezet lazer qenë arma e idealizuar e romaneve fantastiko-shkencore. Por, të zhvilluara pas gjetjes rrezeve të para të lazerit të kuq nga T. Warman-i, rrezet lazer filluan të përdoren gjithnjë e më gjerësisht dhe sot janë kthyer në një mjet të zakonshëm teknologjik në shumë fusha, si në kompjutera, në ndërlidhje, në industrinë e armëve bërthamore, në kërkimet policore, në mjekësi, etj. Për shembull, vetëm me anë të rrezeve lazer mund të dallohen shenjat e gishtave në një krim të kryer dyzet vjet më parë. Por më e rëndësishmja është se rrezet lazer mund të “rrjedhin” nëpër damarët tanë bashkë me gjakun dhe të përdoren për hapjen e damarëve të bllokuar. Një nga përdorimet mjekësore me shumë vlerë të rrezeve lazer janë edhe operacionet në sy me anë të tyre.

Ng ana tjetër, e dimë se oksigjeni që përmban ajri që thithim me mushkëri, na hyn dhe qarkullon nëpër damarë dhe na e pastron gjakun. Pikërisht në këtë moment le të kujtojmë fjalët e profetit Muhamed, i cili thotë: “Shejtani (djalli) qarkullon atje ku qarkullon gjaku i njeriut!” Djalli, pra, qarkullon së bashku me gjakun sikur të jetë kthyer në rruazë të kuqe apo të bardhë të gjakut!

Në këto kushte, duke i trajtuar tërë xhindet si të dëmshëm për njerëzit, duket se mund t’u hapin rrugë dëmtimeve materialo-shpirtërore. Dashtë Zoti që afrimin e djallit, plagët që hap dhe rrugët për t’u mbrojtur nga kjo t’i trajtojmë në çështjen në vazhdim.

Xhindet dhe djajtë mund të bëhen drejtpërdrejt edhe shkak për sëmundje fiziologjike. Kjo është gjithmonë e mundur sepse ata mund t’u ngjiten leukociteve dhe të na qarkullojnë nëpër enët e gjakut. Ndërkaq, as ne të mos e teprojmë në këtë drejtim, as mjekët të mos e mohojnë këtë të vërtetë. Bie fjala, po të ngrihet njëri e të thotë se janë këta shpirtra të këqij që bëhen shkaktarë të kancerit duke krijuar anarki në qeliza, kurse ju t’i thoni se s’mund të ndodhë një gjë e tillë, keni dhënë një konkluzion të shpejtuar e të paramenduar. E drejtë do të ishte, të paktën të mbahej hapur mundësia e diskutimit. Më e drejta dhe e arsyeshmja e gjërave të thëna gjer më sot për kancerin, është se kanceri është një anarki qelizore, anarkia e pjesëve më të vogla të trupit, kundërshtimi i rregullit normal dhe harmonisë të trupit dhe prishje e veprimtarisë së normale të funksionit dhe zhvillimit të qelizave. Kjo mund të ndodhë si në organet e jashtme, ashtu dhe në ato të brendshme, si në mënyrë të ngadalshme, ashtu dhe të shpejtë ose të vrullshme. Është gjithmonë e mundur që xhindet të vendosen në zonën kanceroze dhe, duke vepruar në mënyrë të organizuar, të krijojnë anarki qelizore. Ashtu siç janë xhindet qenie të padukshme, ashtu dhe kanceri shpesh herë nuk duket qysh në fillim, por jep shenja shumë vonë, atëherë kur ilaçet nuk bëjnë më dobi.

Pranimi i ndikueshmërisë së shpirtrave të këqij, si te kanceri, edhe në sëmundjen e epilepsisë, duhet të jetë një rrugë e arsyeshme. Kush e di, ndoshta xhindet bëhen u pengesë disa gjendrave të trurit për të punuar normalisht dhe për të kryer funksionet e tyre.

Gjithashtu, shpirtrat e këqinj mundet që, duke ia prishur mendjen njeriut dhe duke vepruar mbi sistemin nervor, t’i hapin rrugë çmendurisë. Ç’është e vërteta, mjekët ua dedikojnë të gjitha llojet e skizofrenive shkaqeve materiale dhe disa i shohin si të trashëgueshme, mirëpo është e mundur edhe që xhindet të futen në enët e gjakut, ta prishin ekuilibrin mendor të njeriut, ta rrënojnë sistemin nervor, për pasojë, t’i hapin rrugë çmendurisë. Të mos keqkuptohemi, nuk dua të them se epilepsia apo skizofrenia janë patjetër punë të xhindeve, por po them “mundet”. Sepse këto sëmundje shpesh herë kalojnë me një këndim serioz të një goje lutëse.

Një prej shokëve tanë na solli kërkesën e një gruaje për t’u lutur për të. Për gruan e shkretë, mjekët kishin thënë se kanceri i kish lëshuar metastaza dhe se kishte edhe rreth një javë jetë. Ata i kishin këshilluar të afërmit e saj ta merrnin nga spitali që t’i kalonte në shtëpi ditët e fundit që i kishin mbetur...

Gruaja paskësh shumë mendim të mirë për personin tim. Duke kërkuar ndërmjetësimin e shokëve tanë, ajo kish thënë me bindje: “Le të lutet për mua, se kam për t’u shëruar!” Unë nuk e kujtoj dot tani se si u luta atëherë për atë të shkretë..., por, kur, pas gjashtë muajsh i pyeta rastësisht shokët se ç’kishte ndodhur me atë grua, më thanë se rronte! Pastaj kaluan edhe dy vjet dhe shokët më njoftuan se gruaja kishte shkuar në haxh dhe tani rriste nipërit e mbesat...

Në një rast tjetër, sjellin diku një të sëmurë me epilepsi me kriza të vazhdueshme dhe shumë të sëmurë. Hoxha hap Kuranin, këndon dy-tri ajete dhe i sëmuri ngrihet e shkon. Këto ngjarje është e pamundur të shpjegohen me anë të funksioneve materiale. Ju mund të arrini që, duke dhënë një ilaç, të veproni mbi një pjesë të trurit dhe, këtu, mund të bëheni i suksesshëm. Por suksesi në shërim mund të arrihet edhe me të kënduar!..

Po ofroj edhe një shembull tjetër. Tezja ime u çmend dhe nisi të shkatërrojë çdo gjë. Ajo mund të zotërohej vetëm duke e vënë në këmishën e forcës. U hodh nga kati i katërt i spitalit por nuk pësoi gjë. I shoqi shkoi te një hoxhë, i shkroi ca gjëra, ia solli dhe ia la asaj. Tezja tha: “Pse më keni lidhur kështu?” Dhe filloi të qante. Çudi, tezja ishte shëruar!..

Ka ngjarje të tilla, ka raste të tilla, para të cilave mjekësia dhe mjekët mbeten të paaftë. Dhe janë aq të shumta, sa çdo ditë mund të dëgjoni apo përjetoni një të re. Më në fund, po tregoj për një rast të tillë. Para shumë vitesh, në fshatin B., roja i komandës së policisë kishte pësuar një tragjedi të përsëritur: të shtatë fëmijët e parë i kishin vdekur nga asfiksia në ditën e 17 të lindjes! Më në fund, babai i shkretë kishte shkruar te një hoxhë dhe, më në fund, duke filluar me të tetin, fëmijët po i rronin. Tragjedia kishte marrë fund!

Ashtu siç kanë filluar tani në Europë dhe Rusi t’i përdorin fuqitë e padukshme për shërbime si ndërlidhje, etj., ka shumë mundësi që, në të ardhmen, tek të sëmurët psikikë të përdoret mjekimi me lutje. Madje, ndoshta, mjekimi me anë të xhindeve të bëhet aq popullor, sa të hapen për këtë katedra në universitete! Qysh sot ka mjekë që përdorin metodën e sugjestionit në mjekimin e ulçerës së stomakut. Bëhen edhe eksperimente për mjekimin me anë të muzikës duke ia ngritur moralin të sëmurit nëpërmjet dëgjimit të pjesëve muzikore të caktuara. Të gjitha këto tregojnë për ekzistencën e shpirtit dhe se sa rëndësi kanë ideja dhe mendimi në mjekim! Atëherë, ç’kuptim ka mohimi i shpirtrave të këqij dhe i xhindeve që u hapin rrugë sëmundjeve?

14. Ç’duhet bërë e ç’duhet kënduar për t’u mbrojtur nga e keqja e xhindëve?

Së pari duhen krijuar marrëdhënie të mira me Allahun dhe Profetin dhe duhet vepruar sipas

parimeve të Islamit.

Rruga e parë dhe më e sigurt e kësaj pune është krijimi i lidhjeve dhe marrëdhënieve të mira me Allahun dhe Profetin, vënia në jetë e parimeve të Islamit si feja që e ndan të mirën nga e keqja, thellimi ndjesor dhe jetimi i botës sonë në atmosferën tonë krejt të pastër. Duke i bërë të gjitha këto, në njërën anë, në anën tjetër dhe njëkohësisht duhet të mos lëmë asnjë boshllëk dhe dritare mëkati nga mund të kalojnë shpirtrat e këqij. Një e çarë që mund të hapet në shpirt, mund të përgatitet terren për përvjedhjen dhe kalimin e tyre.

I duhet përgjëruar Zotit me lutje me fjalë dhe vepra.

Elementi i dytë për t’u mbrojtur nga e keqja e shpirtrave të këqij është lutja e cila, me veçorinë e vet si pjesë e adhurimit ndaj Zotit dhe një armë e jona, s’duhet të na bjerë nga gjuha. Po, mbrojtjen duhet ta kemi në unitet fjale e veprimi, shfaqjeje dhe ndjenje.

Lutja është dy llojesh: me punë dhe me fjalë. Puna që bën bujku për lërimin e arës, përgatitjen për mbjellje, mbjelljen dhe ujitjen, është lutje me punë. Pastaj ai hap duart dhe lutet me fjalë: “Zoti ynë, jepna bereqet, mos na e kurse mëshirën dhe bujarinë!” Po s’qe lutja e llojit të parë, me punë, vetëm lutja me fjalë nuk i sjell asnjë fitim njeriut. Nga ana tjetër, mjaftimi vetëm me punë, pa i kryer detyrat e lutjes dhe adhurimit ndaj Zotit, do ta zhvlerësojë punën në zero.

Le ta supozojmë se një besimtar lutet kështu: “Zoti ynë, bëji myslimanët fitimtarë!” Kjo është e bukur, por e pamjaftueshme. Sepse zogu nuk fluturon dot vetëm me një krah. Fakti që Profeti bëri përgatitje të gjerë e të patëmetë para luftës së Bedrit dhe vetëm pastaj iu drejtua me të gjithë qenien e tij Zotit për t’iu lutur për fitore, tregon se në fillim duhet bërë lutje me punë, gjë që nënkupton se njeriu është i detyruar të kryejë gjithçka që i takon dhe ka mundësi pa lënë asgjë mangët e me të meta, pastaj duhen hapur duart për lutje, për të pritur nga Zoti atë që e ka në dorë Ai!

Po kështu, kur kemi ndonjë shqetësim në trup ose kur jemi të sëmurë, duhet të shkojmë te mjeku dhe të përdorim ilaçe; të gjitha këto veprime janë nga një lutje praktike më vete. Pas kësaj, duhet t’i lutemi Zotit që e ka në dorë shërimin, të na japë shërim; dhe kjo është lutje me fjalë. Disa herë ndodh që sëmundja ose dhimbja e kokës apo e dhëmbit të na kalojë vetëm me lutje me fjalë drejtuar Zotit, por ndodh edhe që dëshira dhe vullneti hyjnor ta kërkojnë që të shkojmë te mjeku. Profeti na ka nxitur të mjekohemi, domethënë, të lutemi praktikisht, duke thënë: “Allahu ka krijuar shërim për çdo sëmundje, prandaj mjekohuni!”

Ashtu siç e thamë edhe më sipër, duke e njohur dhe pritur shërimin nga Allahu, ne nuk e lëmë kurrë mangët lutjen si një nga detyrat tona të adhurimit ndaj Tij. Mirëpo, siç ndodh që, ndonjëherë, një lutje specifike me fjalë të mbetet e pamjaftueshme, ndodh që edhe lutja praktike të mbetet e pamjaftueshme. Pra, ndodh që Zoti e jep shërimin vetëm me njërën lutje dhe ndodh që e jep vetëm kur të plotësohen të dyja lutjet. Çdo gjë është në dorën e Tij. Sa shumë njerëz ka që, megjithëse nuk dinë ç’është lutja me fjalë, domethënë, nuk luten kurrë, bëjnë një jetë plot shëndet, të qetë e të lumtur dhe sa shumë njerëz të lidhur me zemër pas Allahut ka që, megjithëse mjekohen dhe nuk pushojnë së luturi, kalojnë një jetë me sëmundje e shqetësime. Në kushte të tilla ne pandehim se lutja nuk na është pranuar. Mirëpo pranimi është tjetër gjë dhe përgjigjja e pranimit, tjetër. Çdo lutje dëgjohet dhe merr përgjigje, por kjo përgjigje siç mund të jetë në formën dhe kohën që pritet, mund edhe që të jepet më vonë se ç’pritet ose të jepet jo në këtë botë, por pas ringjalljes. Kjo varet plotësisht nga urtësia e Zotit. Ju e thërrisni mjekun ose shkoni te ai, por, po t’i thoni se cilat ilaçe dëshironi t’ju japë, ai përgjithësisht nuk ju jep ç’dëshironi ju, por ç’e sheh të nevojshme e të domosdoshme ose më të mirë se ajo që mendoni ju. Edhe Zoti i dëgjon gjithmonë lutjet e njeriut, robit të vet, dhe, duke i dhënë qetësi, ia bën të ditur njeriut se e ka dëgjuar, sepse Ai është më pranë njeriut se damari i qafës që i rreh. Mirëpo mund të mos i japë njeriut çdo gjë që dëshiron ose i kërkon sepse ato që dëshiron dhe kërkon njeriu jo gjithmonë mund të jenë në të mirë të tij, ose mundet që dhënien e tyre ta shtyjë për më vonë përsëri në dobi të njeriut. Fundja, Ai është “i zoti i mallit” dhe “me mallin e vet mund të bëjë si të dojë”! Edhe favori i Tij është i këndshëm, edhe persekutimi! Ai nuk bën punë pa kuptim; në çdo gjë që bën, ka jo një, por një mijë urtësi!

Veçanërisht, duhet ditur kategorikisht se, si namazi, edhe lutja është pjesë e adhurimit dhe se duhet bërë me thjeshtësi, me pastërti shpirtërore, me qetësi dhe pa interes. Njeriu duhet t’i drejtohet Zotit me një zemër krejt të pastër e të sinqertë duke kërkuar pëlqimin e Tij. Disa herë, Zoti, me bujarinë dhe favorin e tij, mund ta kënaqë njeriun menjëherë. Prandaj, lutjet e bëra me këtë paramendim duke pritur se do të merret një rezultat i shpejtë dhe do të arrihet qëllimi për të cilin bëhet lutja, mund të mos pranohen. Ato mund të mos ngjiten në pikën e miratimit dhe pranimit ngaqë nuk janë të pastra nga ngarkesat me karakter subjektiv.

Nuk duhet këmbëngulur për shpërblime të parakohshme, por duhet këmbëngulur me vendosmëri në lutjet dhe pritjen e realizimit të gjërave vetëm nga Zoti. Të mos lësh mangët përgjërimin ndaj Zotit, të kërkosh gjithmonë gjërat e dobishme e të bekuara, t’i mbetesh gjithmonë besnik portës së Zotit ku mëkatet bien si gjethet në vjeshtë dhe ku vlerat njerëzore dhe virtytet shumëfishohen, të durosh me vendosmëri dhe, duke mos harruar se jemi në provë, t’i presësh rezultatet në jetën tjetër, ahiret, të gjitha këto janë domosdoshmëri të sinqeritetit ndaj Zotit!

Vlera e lutjes së personave të pranuar në Lartësinë Hyjnore.

T’u drejtohesh për lutje në emrin tënd njerëzve, lutja e të cilëve te Zoti është e çmuar, është shumë e rëndësishme dhe e dobishme. Me të vërtetë, Profetit i janë drejtuar shpesh për këtë gjë. Në rivajetet e Ahmed b. Hanbelit, Ebu Davudit dhe Taberanit, Umu Hani përcjell: “Të Dërguarit të Allahut i sollën një fëmijë të turbulluar. Profeti e preku duke thënë: “Largohu, o armik i Allahut!” Pastaj ia lau fytyrën fëmijës duke u lutur për të dhe te fëmija s’mbeti asgjë!” Edhe ne u drejtohemi njerëzve për të cilët kemi opinion të mirë dhe kërkojmë të luten për ne duke menduar: “Inshaallah Zoti na fal shërim!”

Po qe se u drejtohemi menjëherë atyre që merren me xhindet, kjo shkakton çarje në mendimin tonë besimor dhe mund të na e thyejë fuqinë shpirtërore. Gjithashtu, të tjerët mund të përfitojnë nga rasti ynë e të na shpërdorojnë. Shkrimi i nuskave andej-këtej duke e kthyer të sëmurin e shkretë në hamall nuskash, dhe përdorimi i tyre, sidomos, pastaj, humbja eventuale e tyre shkaktojnë shqetësime edhe më të mëdha te i sëmuri dhe e rëndojnë gjendjen e tij. Ai fillon të dridhet, të ketë frikë dhe ta humbë shpresën. Prandaj lutja është më e mira. Për shembull, Abdullah Ibn Amri u mësonte fëmijëve lutje. Ndërkaq, nuk duhet dhënë shumë pas kësaj pune. Sipas burimeve të haditheve autentike, Profeti, duke dhënë sihariqin e hyrjes në xhenet të 70 mijë personave pa u marrë në pyetje e pa u kërkuar llogari, thekson se ata janë njerëz të lidhur e të dorëzuar pas Allahut që nuk u japin vlerë nuskave, të fryrave e gjërave të këtij lloji. Prandaj, edhe lutja nuk duhet lënë, edhe shërimi prej Allahut duhet pritur duke iu dorëzuar dhe nënshtruar gjer në fund Atij!

Duhet shkuar te psikiatristët dhe mjekët besimtarë.

Këshilla jonë tjetër është që të shkojmë jo te psikiatristët dhe mjekët materialistë dhe mohues, por te ata që janë besimtarë dhe që i japin rëndësi rolit dhe ndikimit të shpirtrave dhe xhindeve në gjendjet e ndryshme të sëmura. Mjekët jobesimtarë të cilët, për shkak të mosushqimit të shpirtit dhe ndjenjave të veta, nuk munden të krijojnë ekuilibër ndërgjegje-ndjenja, për rrjedhojë, bëjnë një jetë dualiste, u këshillojnë të sëmurëve po të njëjtën gjë duke ua rënduar edhe më shumë gjendjen. Është pikërisht boshllëku shpirtëror një nga sëmundjet më të rënda të kohëve të sotme që bëhet shkak për shfaqjen dhe përgjithësimin e krizave të rënda shpirtërore e psikike me pasoja të shumta.

Duhen përdorur si lutje ajeti Kursi, suret Felek, Nas, etj.

Gjëja më e rëndësishme në kuadrin e kësaj çështjeje është mbështetja te Allahu, bashkimi me Të dhe hyrja nën mbrojtjen e Tij. Kjo është edhe ajo çka u thotë Allahu robve të Tij në Kuran: “Po qe se ke ndonjë shtytje djallëzore, menjëherë mbështetu dhe strehohu te Allahu!” (Fussilet, 36) Domethënë, thuaj: “Eudhu bil’lahi mine’sh shejtani rraxhim / Mbështetem te Allahu nga shejtani i përzënë (i mallkuar)!” Këtu le të shtojmë edhe këshillën për të mësuar përmendësh dhe përdorur si lutje ajetet 97 dhe 98 të sures Mu’minun. Ajetin Kursi e ka këshilluar dhe porositur vetë Profeti. Një shok i tij pati kapur një shpirt të keq në trajtë njeriu që donte të vinte dorë mbi mallin e caktuar për zekat. Me qëllim për të shpëtuar, shpirti i keq i pati thënë kështu atij: “Më lësho që të të mësoj një lutje që të ruheni prej nesh. Ajo lutje është ajeti Kursi!” Në lidhje me këtë ngjarje dhe me fjalët e shpirtit të keq, Profeti pati thënë: “Ai është gënjeshtar, por këtë herë ka thënë të vërtetën!”

Kur çifutët i patën bërë magji Profetit, magjia qe zgjidhur me këndimin e sureve Felek dhe Nas të quajtur muavidhetejn, dy ndihmësit. Siç tregon Hz. Aisheja, “Profeti këndonte në mëngjes e në mbrëmje nga tri herë suret Felek dhe Nas, frynte në pëllëmbët e bashkuara si grusht dhe të tri herët fërkonte trupin gjer ku t’i arrinte dora”. Gjithashtu, në mëngjes e mbrëmje Profeti këndonte nga tri herë lutjen “Bismil’lahil ledhi la jedurru measmihi shej’un fi’l erdi ue la fi semai ve huve semiul Alim”, e cila, me leje të Zotit, është sigurim nga paraliza. Gjithashtu, “Eudhu bi kelimatil’lahi tammati min kul’li shejtanin ve hammetin ve min kul’li ajnin ve lammetin”, është ndër lutjet e këshilluara dhe të provuara.

Këshilla e imam Gazaliut është këndimi 1 herë “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”, 10 herë “Allahu Ekber”, 19 herë “La juflihu sahiru hajthu eta”; gjithashtu, këndimi i “ue min sherrin neffathati fil ukad”.

(Ta-Ha, 69; Nas, 4)

Sipas këshillës së një personi tjetër, duhet vepruar kështu: në fillim pihet një të gëlltitur ujë, çaj ose supë, pastaj këndohen dy ajetet e mësipërme dhe kjo gjë përsëritet 19 herë.

Ka edhe shumë lutje për të cilat duhet parë në librat e hadithit ose duhen pyetur personat kompetentë. Veçanërisht këshillohen As’habi Bedr, Xheushen dhe Kaside Burde.

f) Shembuj nga shërimi prej xhindeve dhe shpirtrave të këqinj.

Kur njëri prej të afërmve të mi qe paralizuar, i qe kënduar Kaside Byrde për një javë me radhë dhe, me lejen e Allahut, qe përmirësuar.

Te gruaja e një shokut tim që e doja shumë, u shfaqën shenja të shqetësimeve psikike menjëherë pas martese. Shtangej, sytë i shtrembëroheshin dhe thoshte: “Erdhën!” Nuk lanë mjek pa shkuar. Edhe një profesor i shquar u mor me të, por pa rezultat. Më në fund, një hoxhë i njohur për suksese në raste të tilla, e këndoi për një muaj me radhë dhe, me lejen e Allahut, e sëmura pati një përmirësim të dukshëm. Një radhë, mora me vete një letër ku shkruheshin emrat e luftëtarëve të Bedrit dhe shkova te shoku për t’i bërë një vizitë. Unë isha duke ngjitur shkallët kur u dëgjuan thirrjet e gruas nga dhoma. Unë u ndala dhe ia lashë letrën të shoqit, shokut tim. Ai u ngjit lart dhe, sapo ia lëshoi letrën gruas sipër, ajo zuri të bërtasë: “Pse ikni, apo pse erdhi Hz. Hamzai?” Unë nuk e di se si mund ta shpjegoni ju këtë, por ajo motra jonë e bekuar tani është shëruar plotësisht.

Dhe tani le t’i përcjellim disa vëzhgime të një shokut tonë nga goja e vet:

“Kur ndodhesha me detyrë në një zonë të qytetit I., më erdhën dy të rinj rreth të tetëmbëdhjetave që dukej se i përkisnin shoqërisë mondane. Po më prisnin jashtë tek po dilja nga xhamia. Ndër sy u lexohej qartë një shqetësim. Më erdhën pranë me ndrojtje dhe më thanë: “Në aksh zonë, ne organizonim seanca të thirrjes së shpirtrave dhe xhindeve ku merrnin pjesë djem dhe vajza. Shpirtrat dhe xhindet vinin, luanin me filxhanët dhe bisedonin me ne me shkronja lëvizëse. Pas një farë kohe, e lamë këtë punë ose dëfrim, quajeni si të doni. Por s’deshën ata ta lënë. Dhe vazhdojnë ende të na shqetësojnë ditë e natë. Na i lëvizin shtretërit, luajnë me kapakët e dollapëve, etj. Meqë s’dinim si të shpëtonim prej tyre, erdhëm në xhami. Ja, edhe tani këtu pranë ndodhen, në rrëzë të asaj peme atje!” Unë i ftova brenda në xhami. Aty biseduam gjerë e gjatë. Shfrytëzova gjithçka dija për t’u thënë se këto gjëra janë të rrezikshme e të dëmshme dhe se mund të kapërcehen vetëm me dije, kulturë, besim dhe lutje. Pastaj u shkrova disa lutje dhe ua dhashë me vete.

Në mbrëmje isha tërhequr në dhomën time e po lexoja një libër kur papritmas më hynë fëmijët e mi që gjer aty po luanin në dhomën e tyre. “Baba, - më thanë të trembur, - në dhomën tjetër u ndezën dritat dhe dikush është brenda!” E kuptova. Tani kishin ardhur te unë për të më kërcënuar për të rinjtë që i kisha ndihmuar. Hapa librin e lutjeve që e kisha mbi tavolinë dhe nisa të lexoj emrat e luftëtarëve të Bedrit. Unë s’kisha mbaruar së lexuari kur dritat në dhomën tjetër u shuan dhe zhurmat heshtën!”

Një shok tjetër që shërbente në një xhami të një zone tjetër të qytetit I., më ka treguar:

“Sa herë që ngjitesha në minare për të kënduar ezan, dëgjoja zhurmë hapash nga pas. Kjo më ndodhte veçanërisht mbrëmjeve. Pas namazeve të mbrëmjes dhe jacisë, kur të gjithë besimtarët kishin dalë dhe unë përgatitesha të shuaja dritat e të largohesha, dritat shpesh shuheshin më parë se të prekja çelësat. Dhe kjo gjendje vazhdoi aq gjatë, sa nuk durova dot më dhe u transferova në një xhami tjetër.” 5) Një fshatar më pati treguar këto gjëra:

“Një natë, si çdo herë tjetër, po rrija vetëm në koliben pranë arës në fushë. Kështu bënim të gjithë gjatë verës për t’i ruajtur bimët dhe prodhimet nga tufat e derrave. Në një zonë të gjerë përreth s’ndodhej e s’lëvizte gjë. Pranë kisha armën. Isha shtrirë dhe, ashtu, kisha dremitur pak. Dremitjen ma prishi hapja e papritur e derës. Kush mund të ishte në këtë orë pas mesit të natës? Në derë u duk gruaja ime me fener në dorë! Ishte e pamundur që ajo të mund të vinte gjer këtu e vetme në këtë orë të vonë! Dhe s’kishte pse! E kuptova menjëherë si qëndronte puna dhe nisa të këndoj lutjet që dija. E ardhura u kthye, tërhoqi derën pas dhe u largua!”

6) Dikujt i kishin dalë nëpër duar nishane që po e shqetësonin shumë. Ai tregon: “Kurrsesi s’po më zhdukeshin! U vërtita doktor më doktor, por pa rezultat! Më zhdukeshin përkohësisht, por më dilnin shpejt prapë! Me këshillën e dikujt, këndova një lutje që s’më kujtohet. Të nesërmen duart dhe krahët i kisha krejt të pastra! Veç kësaj, lutjen ia këshillova edhe një të riu tjetër që vuante si unë. Kur u takuam pas disa ditësh, më tha i gëzuar: “Edhe unë u shërova! Ja, të gjitha m’u zhdukën!”

Ka shumë e shumë ndodhi të ngjashme me këto që s’mund të shpjegohen kurrë me shkaqe fizike. Prandaj specialistëve tanë u bie për detyrë që, në vend të nënvleftësimit absolut të këtyre rasteve si dhe të dukurisë në përgjithësi, gjë që nuk sjell asnjë dobi, ta studiojnë çështjen, t’i studiojnë rastet dhe të nxjerrin konkluzionet përkatëse.

Shënimet

  1. 7.7 Márixh: 1. flakë pa tym.
  2. 8.Nar: 1. zjarr. 2. xhehennem, ferr..
  3. 9.Nar-i semum: zjarr i nxehtë, ajër i nxehtë e përvëlues.