VEPRIMI DHE MENDIMI
Fusha jonë e betejës për trashëgimtarët e tokës mund të përmblidhet si “veprim dhe mendim.” Në fakt, rruga e vërtetë e ekzistencës në jetë shkon përmes një transformimi potencial veprimesh dhe mendimesh. Kjo mandej është në gjendje të transformojë edhe të tjerët. Në fakt, çdo formë ekzistence e parë nga ky këndvështrim është produkt i një veprimi dhe disa disiplinave të caktuara, ndaj vazhdimësia e saj varet gjithashtu nga ky veprim dhe nga këto disiplina.
Veprimi përbën komponentin më të rëndësishëm dhe më të nevojshëm të jetës sonë. Kur marrim mbi vete përgjegjësi të veçanta nëpërmjet veprimeve dhe mendimeve të vazhdueshme, kur ballafaqojmë dhe mbartim vështirësi të caktuara, në njëfarë mënyre, kur i ngarkojmë vetes si detyrë t’i kryejmë ato edhe nëse mund të varen nga gjëra të tjera, gjithmonë duhet të veprojmë dhe të përpiqemi. Nëse ne nuk veprojmë në përputhje me atë çfarë jemi, zhytemi në valët e shkaktuara për shkak të shtypjes dhe veprimeve të të tjerëve, duke hyrë në vorbullën e planeve dhe mendimeve të tyre, për rrjedhojë, detyrohemi të veprojmë në emër të të tjerëve.
Duke qëndruar larg të vepruarit, duke mos u përfshirë në ngjarjet që ndodhin rreth e rrotull nesh, duke u larguar nga organizimet sociale përreth dhe duke qëndruar indiferent, është njësoj sikur ta lëmë veten të shkrihet si akulli në ujë. Një shkrirje e tillë, e cila nuk e ruan modelin tonë molekular, do të ishte dorëzim dhe nënshtrim ndaj formimeve dhe përbërjeve të cilat janë në kundërshtim me veten dhe thelbin tonë. Ata të cilët planifikojnë të mbeten vetvetja, duhet të kërkojnë realisht thelbin e tyre, me të gjithë forcën e dëshirës, vullnetit, zemrës, ndërgjegjes, sjelljes, punëve dhe mendimeve të tyre. E tërë esenca e qenieve njerëzore duhet të jetë vigjilente, nëse dëshiron të ekzistojë. Ekzistenca dhe vazhdimësia e saj kërkojnë prej nesh veprimin e krahëve, të gjymtyrëve, zemrave dhe mendjeve tona. Nëse nuk ia përkushtojmë që tani zemrat dhe mendjet të ardhmes së ekzistencës sonë, të tjerët mund të na e kërkojnë këtë paturpësisht në një sfond dhe në një kohë, në të cilat nuk do të kemi asnjë dobi.
Duke i bashkuar dëshirat dhe aspiratat tona me ato të të tjerëve, mandej duke gjetur një rrugë, apo kahe veprimi për veten tonë, brenda ekzistencës si tërësi, duke e lënë veten që të çlirohet brenda rrugës sonë, brenda rrymave të përgjithshme dhe lëvizjeve të universit, duke ruajtur linjën tonë e njëkohësisht duke qenë të integruar me gjithë ekzistencën, ne bëhemi pjesë e aspektit më të dukshëm të veprimit dhe të mendimit islam. Përsa i përket botës së brendshme, një person i cili është i paaftë të lidhet, apo të bashkëveprojë me tërësinë e ekzistencës dhe i cili nuk arrin të perceptojë një pikëlidhje të tillë me universin, është i robëruar dhe i kufizuar prej dëshirave dhe synimeve të rëndomta individuale. Ata të cilët veprojnë në këtë mënyrë janë persona të cilët e ndajnë, e bëjnë të vuajë dhe e përjashtojnë vetveten nga ekzistenca si tërësi, duke e ndëshkuar dhe dënuar atë drejt qelizës së vdekur të egoizmit. Të gjitha dëshirat dhe ambiciet trupore, të gjitha betejat rreth materiales dhe trupores dhe çdo ngushëllim bosh, vetëzhgënjyes që mund të vërehet tek dëshirat trupore dhe materiale, burojnë padyshim prej izolimit të plotë nga ekzistenca e vërtetë e një personi dhe nga lënia e tij në vetmi. Bota e vërtetë e një personi veprues dhe mendimtar, si dhe lumturia e vërtetë që ai gjen në të, janë të ngjyrosura me nuancat e universalitetit dhe të skalitura brenda kornizës së pafundësisë. Në këtë mënyrë, bota e tyre duket, si pa fillim e pa fund, edhe nëse ajo do të kishte ndonjë fillim, apo fund, kjo e kapërcen konceptin tonë të imagjinatës. Nga ky aspekt, kur ne flasim për një “njeri të lumtur,” ne kemi në mend këtë lloj personi. S’mund ta konsiderosh lumturi të vërtetë atë që është e kufizuar nga një fillim dhe një fund.
I parë nga një këndvështrim tjetër më i goditur, veprimi përbën aktin e të përqafuarit të plotë të ekzistencës nëpërmjet sinqeritetit më të madh dhe vendimit më të ndierë, analizën e ekzistencës, si dhe udhëtimin drejt pafundësisë nëpërmjet korridoreve të krijimit, ndaj, duke përdorur të gjithë fuqinë e intelektit dhe të vullnetit, me anë të sekreteve dhe forcës së fituar prej të Pafundmit, vendos botën e tij të brendshme në orbitën e vërtetë, të synuar me anë të krijimit.
Përsa i përket mendimit, ai përbën një veprim të brendshëm. Mendimi sistematik dhe që ka një qëllim të caktuar, përbën aktin e hetimit të universit me të cilin ballafaqohemi për të nxjerrë në pah të gjitha enigmat dhe sekretet e procesit të krijimit të tij, si dhe gjetjen dhe studimin e përgjigjeve rreth kësaj. Me fjalë të tjera, mendimi përbën veprimin e kërkimit të së vërtetës me ndërgjegje të plotë, duke vendosur një lidhje të ngushtë kudo, ndërmjet mbarë ekzistencës dhe njerëzimit me gjuhën tipike të çdo fenomeni.
Falë të menduarit, shpirti i njeriut lidhet ngushtë, mplekset pazgjidhshmërisht dhe mbështillet prej universit, prandaj ai vazhdimisht fiton thellësi përherë e më të mëdha në vetvete. Ndarja në pjesë dhe studimi i hollësishëm dhe i llogaritur, arsyetimi i imët, si dhe hulumtimi i përditshëm bën që mendja e njeriut të burojë dhe të shpëtojë vetveten nga konjukturat, zhgënjimet dhe kufijtë e ngushtë të saj, duke na çuar në zgjimin drejt realitetit dhe të vërtetës absolute. Kjo nuk të shpie kurrë në rrugë të gabuar. Me fjalë të tjera, mendimi përbën rrjedhën e qenies së brendshme për të përgatitur hapësirën e nevojshme që i duhet përjetimit të përvojave metafizike në thellësitë e botës shpirtërore. E ndërsa ky përbën hapin e parë të të menduarit, hapi i fundit është të menduarit aktiv.
Dinamika bazë e jetës, e veprimit dhe e mendimit tonë, është bota jonë shpirtërore. Ne s’mundemi ta ndajmë jetën tonë shpirtërore nga mendimet dhe idetë tona fetare. Lufta jonë për ekzistencë është zhvilluar gjithmonë duke e lëshuar vetveten drejt shpirtit dhe thelbit islam. Ashtu siç mbin fara, kur mbillet në tokë dhe ashtu siç sythet lulëzojnë, kur ndriçohen nga drita e diellit, edhe ne u shndërruam në esencën tonë në njerëz me botë të thellë shpirtërore dhe cilësi të larta, kur kthyem sytë drejt Islamit dhe e përqafuam atë. Ky kthim i vëmendjes dhe ky kërkim për thelbin tonë, zhvilloi aftësitë dhe potencialet tona duke na garantuar ekzistencën dhe vazhdimësinë për shekuj me radhë. Madje, ashtu siç u arrit me anë të adhurimit, përkujtimit dhe mendimit pjesëmarrja jonë në nivelet e shpirtit e zemrës brenda botës shpirtërore, po ashtu, edhe përqafimi i gjithë krijimit, ndjesia e Zotit në pulsin tonë, si dhe perceptimi i Tij me të gjitha aftësitë që posedon mendja, varen prej vetëdijes së adhurimit dhe prej përpjekjeve tona në reflektim dhe përkujtim. Çdo veprim i një besimtari të vërtetë përbën një adhurim, çdo mendim përbën një akt vetëdisipline, apo vetëkontrolli, çdo fjalë është një lutje dhe bisedë shpirtërore, çdo vëzhgim i ekzistencës përbën një studim dhe investigim të hollësishëm dhe çdo marrëdhënie e tyre me të tjerët është dhembshuri hyjnore. Arritja e një shkalle të tillë shpirtërore, varet nga të qenit i hapur ndaj perceptimeve, logjikës dhe arsyes dhe prej aty ndaj mendimeve dhe frymëzimeve hyjnore. Me fjalë të tjera, është mjaft e vështirë për një person që të arrijë këtë majë, të fitojë një status të tillë, përderisa përvoja të mos jetë situr me anë të filtrit të arsyes, arsyeja të mos jetë dorëzuar intelektit të ndritur dhe largpamësisë së jashtëzakonshme të profetëve, logjika të jetë shndërruar plotësisht në dashuri dhe dashuria e zakonshme të jetë shndërruar në dashuri për Zotin. Nëse arrihen të gjitha këto, shkenca si rezultat, kthehet në një dimension të fesë dhe bëhet shërbëtore e saj, intelekti kthehet në një rreze drite, e cila arrin kudo me anë të frymëzimit, dija e arritur nëpërmjet përvojës kthehet në një prizëm reflektues të shpirtit të ekzistencës dhe çdo gjë flet me zërin e dijes shpirtërore, dashurisë dhe gëzimit shpirtëror.
Megjithëse disa mjedise të shoqërisë sonë ndajnë të njëjtat ndjenja dhe mendime, si dhe të njëjtën, ose gati të njëjtën gjendje shpirtërore, pra, edhe pse gjenden kaq shumë gjëra të përbashkëta, ato janë të paafta të veprojnë në mënyrë aq pozitive sa ç’mund të pritet. Në qoftë se ato nganjëherë gabojnë, devijojnë dhe kundërshtojnë në mënyrë të përsëritur, arsyeja duhet të gjendet në faktin se njerëzit që i përbëjnë ato, nuk janë, apo nuk kanë qenë në gjendje të bëhen besimtarë të vërtetë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk ka rëndësi se në çfarë kushtesh, presionesh, apo ndikimesh negative mund të kalojë, apo t’i nënshtrohet një besimtar i vërtetë, sjellja e tij duhet të jetë gjithmonë e ngjyrosur me besim dhe veprimet e tij duhet të jenë të paramenduara dhe të mirëpërgatitura.
Prandaj, trashëgimtarët e tokës, të cilët planifikojnë të ndërtojnë botën e së ardhmes, duhet të jenë të vetëdijshëm për llojin e botës që ata duan të ndërtojnë dhe për llojin e xhevahireve që ata duhet të përdorin gjatë ndërtimit të saj, në mënyrë që më vonë të mos e ndjejnë nevojën e shkatërrimit me duart e tyre të asaj çfarë kishin ndërtuar. Rrënjët tona shpirtërore dhe thelbi ynë janë të qarta dhe të dukshme. Arkitektët e dritës së të ardhmes, përmes forcës së tyre të mendimit, bashkë me dinamizmin e veprimit, duhet të përfitojnë maksimalisht nga fleksibiliteti, gjerësia dhe universaliteti i dinamikave historike në të cilat ata do ta bazojnë fenë dhe jetën tonë kombëtare. Ata do ta bëjnë këtë duke ruajtur zbatimin rigoroz të porosive të Kuranit, sunetit dhe gjykimeve autentike të dijetarëve të hershëm myslimanë të mbështetur mbi këto dy burime themelore. Ata do të përpiqen edhe njëherë të marrin sinjalin e zërit të Islamit, të kapen pas linjës së tij të mendimit, të masin pulsin e tij, si dhe të dëgjojnë rrahjet e zemrës së tij, në përputhje me kuptimin, mënyrat dhe dijet e epokës, që të mos përjetojmë jetën e berzah*-ut në rrugën e ringjalljes. Kjo, para së gjithash, kushtëzohet me distancimin e vetvetes prej të gjitha tendencave dhe presioneve të dëshirave trupore, në hapjen dhe lundrimin drejt botës shpirtërore, si dhe në njohjen dhe pranimin e kësaj bote si stacionin, në të cilën presim për të kaluar në botën e përtejme. Me fjalë të tjera, kjo mund të arrihet duke rritur sasinë e praktikave dhe adhurimeve fetare cilësore, duke mbushur boshllëkun që ka ardhur për shkak të kryerjes mekanike të adhurimeve, duke bërë që tani e tutje ato të kryhen me vetëdije, sinqeritet dhe thellësi shpirtërore, me anë të lutjes së kujdesshme të vetëdijshme dhe të matur, drejtuar Qenies që është më afër nesh, nga ç’jemi ne për vetveten. Të gjitha këto duhet të kuptohen dhe të kryhen prej atyre të cilët luten dhe e përjetojnë namazin, sikur të ishin duke ecur drejt Miraxhit*, prej atyre të cilët e përjetojnë agjërimin, sikur të ishin veçuar në izolim për të zbuluar sekretet Hyjnore, prej atyre të cilët japin lëmoshë duke u sjellë si administratorë të lehtësuar nga kjo barrë, duke thënë: “Oh, unë jam lehtësuar dhe çliruar nga ngarkesa e të mbikëqyrurit të parave”, dhe prej atyre të cilët e përjetojnë haxhin, si pritje e një kongresi ndërkombëtar në të cilin do të diskutohen çështjet dhe problemet që kanë të bëjnë me botën islame, në një vend ku, si zemra, ashtu edhe shpirti, mund të vërejnë me përqendrim shkëlqimin dhe madhështinë e së përtejmes, sferave më të larta të ekzistencës.
Orientimi drejt tyre dhe përmbushja e të gjithë qëllimeve fisnike të lartpërmendura, varet nga ato qenie shpirtërore që janë quajtur doktorë shpirtërorë. Ata janë në gjendje të diagnostikojnë dhe të kurojnë sëmundjet tona të brendshme dhe të jashtme, janë pikërisht këto qenie udhëheqëse që ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me të përtejmen dhe të cilët nuk gabojnë kurrë. Te të tillë udhërrëfyes, bota e mendimit shtrihet nga materialja tek jomaterialja, nga fizika tek metafizika, nga filozofia tek sufizmi. Të tillë njerëz kanë qenë gjithmonë promotorë të periudhave të përparimit gjatë të shkuarës dhe si të tillë, do të përfaqësojnë gjithashtu edhe lëvizjet e ardhshme që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe me rimëkëmbjen. Ky përfaqësim do të arrihet me anë të zhvillimit të doktrinave të reja gjykuese, të bazuara në Kuran dhe Sunet, nën dritën e ngjarjeve, zhvillimeve dhe ndodhive të së ardhmes, me anë të stolisjes së pikëpamjeve të tyre me perspektivat dhe këndvështrimet e çështjeve mbarëbotërore, me anë të pastrimit dhe përmirësimit të frymës dhe ndërgjegjes kombëtare nën prizmin e Islamit, me anë të përhapjes së interpretimeve të freskëta në art, duke i bashkëngjitur atyre sensin e abstraksionit soditës, të përshtatshëm me universalitetin e Islamit, si dhe me anë të rimodelimit të kulturës sonë e cila përfshin kombinimin e materies me shpirtëroren dhe kësisoji ka arritur të mbijetojë dhe të zgjasë për mijëra vjet.
Një përfaqësim në këtë shkallë do ta përparojë shoqërinë tonë në të ardhmen nëpërmjet shkencës, dijes, filozofisë, artit dhe fesë, duke e vënë atë në ballë të kombeve të tjera të botës. Ajo do të drejtojë të gjitha aspektet e jetës sonë dhe do t’i bëjë fëmijët tanë, qofshin me shkollë, apo jo, por edhe ata të cilët janë pa punë, pa përkrahje dhe pa strehë, të shndërrohen në njerëz të ideve, mençurisë, dijes dhe mjeshtërisë. Si rezultat, të gjitha mjediset do të thithin ajrin e shkollave, burgjet do të kthehen në qendra edukimi dhe ndriçimi shpirtëror dhe shtëpitë do të transformohen në qoshe parajse duke lëshuar përreth aromën e kësaj të fundit. Shkenca dhe dija do të ecin krah për krah me fenë, kudo. Besimi dhe arsyeja do të mbështillen në një përqafim të ngushtë duke lëshuar dhe përhapur frytet e tyre kudo. E ardhmja do të bulëzojë dhe lulëzojë në kraharorin e shpresës, aspiratave dhe ringjalljes, më e fuqishme, më e ngjyrosur, më elegante dhe më e pasur, sesa në utopi. Të gjitha mediat - radioja, televizioni, revistat, gazetat - do të mbulohen nga drita e bollshme, duke ndriçuar gjithçka rreth e rrotull dhe çdo zemër, me përjashtim të atyre të fosilizuara, do të sillen rreth e rrotull duke shijuar dhe duke u kënaqur me keutherin* gjatë kësaj pranvere hyjnore.
Kjo zanafillë e re do të lindë prej vlerave tona historike, qytetërimit, kulturës dhe romanticizmit tonë. Ajo do të lulëzojë nga njëra anë, për shkak të vuajtjeve, keqtrajtimit, padrejtësive, dënimit dhe shtypjes që kemi përjetuar përgjatë viteve dhe nga ana tjetër për shkak të entuziazmit në zemrat tona, të cilat janë të kënaqura dhe të ngopura me besim, gjithmonë vigjilente nga pikëpamja shpirtërore dhe të gatshme për të vënë në provë vetveten.
Përmbushja e një misioni të tillë vital, varet së pari prej forcës me anë të së cilës ne do t’i lëvizim shpirtrat e shthurur, në këtë botë të shthurur. Leva e ngritur dhe e ulur për pesëdhjetë vitet e fundit për t’i dhënë hov të këtij procesi, duket se ka filluar ta bëjë punën e vet. Duke marrë parasysh fjalët e poetit Nexhip Fazëll, mund të themi: “Bjeri kazmës! E shumta kaloi, pak ka mbetur.“ Veprimi i parë që duhet bërë është veprimi i shpirtit. Ai tani i ngjan butësisë së qetësisë (sekine*), i ngjan ngrohtësisë dhe butësisë së gjurmëve që paralajmërojnë pranverën, si dhe harkut të ylberit mbi kokat tona që na përshëndet ngado që shkojmë. Ne besojmë se nuk është e largët dita, kur ky veprim i shpirtit do ta përqafojë plotësisht tokën e të shtypurve, të keqtrajtuarve dhe të dënuarve padrejtësisht, duke përhapur mbi ta mëshirën, dhembshurinë dhe bekimet e Zotit.
Sot, forca në një masë të ndjeshme, pothuajse është venitur krejtësisht, për shkak të së vërtetës, duke u rrethuar nga të gjitha anët prej saj. Sigurisht ekziston një arsye, apo justifikim për përdorimin e forcës dhe shumë çështje ende s’mund të zgjidhen pa të. Megjithatë, nuk ka dyshim se forca që buron nga shmangja prej së vërtetës, madje duke e kundërshtuar atë hera-herës është e dëmshme. Ne mund ta pranojmë forcën vetëm në rastin kur ajo bashkohet dhe i shërben të vërtetës, si pjesë e mbizotërimit të saj. Kuraja që lind prej bashkimit të forcës me të vërtetën nuk është e padrejtë, mizore, apo tiranike, por, përkundrazi, është shenjë e mbrojtjes së të shtypurve dhe të keqtrajtuarve, duke u shndërruar kështu në gjuhën që artikulon të vërtetën. Ajo çfarë është e rëndësishme pas kësaj është përfaqësimi i kësaj të vërtete nëpërmjet njerëzve të mendimit dhe veprimit. Në kapitullin që vijon ne do të paraqesim disa prej këtyre njerëzve të veprimit.
HERONJTË E MENDIMIT DHE TË VEPRIMIT
Njerëzit e mendimit dhe të veprimit janë persona aktivë, energjikë, që planifikojnë vazhdimisht. Ata janë thellësisht të përqendruar për të sjellë paqen në botë dhe përfaqësojnë lëvizjen e ngritjes sërishmi të statujës së shpirtit tonë, ndërkohë që kemi qenë të rrëzuar përtokë për shekuj me radhë, ata sjellin vlerat tona historike në epokën moderne. Ata janë të aftë të lëvizin me efikasitet midis veprimit dhe mendimit me anë të vullnetit dhe arsyes së tyre, duke qenë të tillë, që bëjnë të mundur endjen e pëlhurës më të re të shpirtit dhe arsyes sonë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.
Ata kanë qenë gjithmonë të frymëzuar nga “paqja” përgjatë udhëtimit të tyre, që nga ndjenjat e deri tek idetë, dhe prej aty në çdo fazë të jetës praktike. Objektivi i tyre i vetëm është rindërtimi dhe projektimi i të ardhmes sonë. Ata janë ushtarët shpirtërorë të së Vërtetës, në vend që të pushtojnë vende dhe të kalojnë nga fitorja në fitore me anë të përdorimit të forcës dhe fuqisë së tyre materiale, realizojnë trajnimin e liderëve të shpirtit, arkitektëve të mendimit dhe punëtorëve të ideve të reja. Ata gjithmonë i mbushin mendjet tona me ide që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe i udhëheqin pasuesit e tyre drejt rrugës së rindërtimit të rrënojave të shoqërisë së vjetër. Ata janë ushtarët shpirtërorë të pajisur me zell të jashtëzakonshëm dhe me mirënjohje të cilët kanë qenë në gjendje të bashkojnë vullnetin e tyre me Vullnetin e Pafundmë, të transformojnë varfërinë në përparim dhe dobësinë në fuqi. Për sa kohë që ata të përdorin këto burime fuqie, në përputhje dhe bindje të plotë ndaj urdhrave të Zotit, ata kurrsesi nuk mund të mposhten dhe në rastet kur mendohet gabimisht se janë mundur, do të rishfaqen në majë të një tjetër kështjelle si fitimtarë.
Një hero i mendimit dhe i veprimit merr përsipër role të ndryshme në shoqëri: herë si patriot besnik, si hero i veprimeve kuptimplote, herë si pasues i devotshëm i shkencës dhe dijes, si artist, apo gjeni, si burrë shteti dhe nganjëherë me të gjitha këto veti së bashku. Historia jonë jo e largët na sjell ndërmend një numër të konsiderueshëm njerëzish të cilët mund t’i paraqesim si shembuj për të ilustruar rolet e lartpërmendura. Disa prej tyre jetuan duke përdorur në dobi të shoqërisë më tepër mendjen, se veprat, të tjerë i patën të dyja në të njëjtin nivel. Por ka edhe njerëz të veprimit, idetë e të cilëve qenë krejtësisht të zbehta dhe të padukshme.
Ahmed Hilmiu i Plovdivit, Mustafa Sabri Bej, Ferit Kam, Muhamed Hamdi Jazër, Sulejman Efendi, Ahmed Naim, Mehmet Akif, Nexhip Fazëll dhe Bediuzzamani janë vetëm disa prej emrave që mund të përmendim mes figurave të shquara për karakterin e tyre. Unë nuk do të hyj në detaje biografike me qëllim qëndrimin brenda caqeve të këtij teksti të shkurtër, por vetëm sa do t’u hedh paksa dritë historive të jetës së tyre.
Ahmed Hilmiu i Filibes (Plovdiv) (1865 – 1914)
I lindur në Plovdiv të Bullgarisë dhe duke qenë i biri i ambasadorit turk atje, ai e nisi shkollimin e tij në Liceun “Gallatasaraj” (Mekteb-i Sulltani), ku u njoh edhe me idetë e epokës së re. Më vonë u zhvendos në Izmir, pasi ishte dërguar më parë në Bejrut. Ndërkohë mbante kontakte me Xhon Turqit dhe për pasojë u internua për në Fizan. Më vonë u rikthye në Stamboll dhe u angazhua në themelimin e qeverisë Kushtetuese, duke u bërë flamurtar i ideve të Ittihadi Islam (Unionit të Islamit), me anë të botimit të një gazete me të njëjtin emër dhe duke mbajtur njëkohësisht detyrën e zëdhënësit të kësaj rryme. Më vonë, nisi të punonte për një tjetër të përditshme, “Hikmet”, e cila shërbeu si një platformë për ballafaqimin e tij me grupimin Ittihad ve Terakki (Bashkim dhe Progres). Më pas ai vajti të punonte në shumë gazeta dhe revista të tjera, si dhe të shpjegonte filozofi për pak kohë në Darulfunun (Universitetin e Stambollit). Ahmed Hilmiu vdiq në moshë mjaft të re, i helmuar, me shumë gjasa, prej masonëve, të cilët ishin armiqtë e tij të përhershëm.
Ky njeri mjaft i shquar i mendimit dhe veprimit, në jetën e të cilit ne vetëm sa hodhëm një vështrim të shpejtë, është një person i cili la pas shumë vepra në pritje të zbulimit të tyre prej fletëve të historisë.
Ferit Kam (1864-1944)
Jetëshkrimi i këtij njeriu të shquar të mendimit, shijehollë dhe mjeshtër i gjuhës, mjaft aktiv që në moshë shumë të re në jetën kulturore të Stambollit, është si vijon: ai ishte një mësues frëngjishteje dhe kishte një interes të madh për fushën e filozofisë. Për shkak të ndjekjes së zellshme të kësaj fushe, për njëfarë kohe ra në depresion, por menjëherë më pas, me ndriçimin e Dritës Hyjnore, gjeti strehë tek Sufizmi dhe u bë edhe një herë i aftë për të rigjetur ekuilibrat e humbur. Ai shkroi për gazetat “Sirati Mustekim” dhe “Sebilurreshad”, punoi si profesor në “Darulfunun” dhe Medresenë “Sulejmanije”, më pas iu bashkëngjit Darul Hikmetil Islamije (Këshilli i Mençurisë Islame), duke përjetuar transferime dhe pushime nga puna, si dhe vuajte dhe privime të pafundme. Si rezultat i këtyre, ai, si çdo hero i mendimit dhe i veprimit, kaloi një jetë mjaft aktive me përkushtim ndaj Ahiretit, deri në ditën kur u nis drejt Zotit.
Vëllime të tëra librash nuk do të mjaftonin të përshkruanin gjithë jetën e tij të devotshme me anë të kritikave dhe komenteve të ndryshme. Ky intelektual i shekullit të njëzetë duhet të gjendet patjetër në kurrikulumin e brezave të sotëm. Ai përbën një burim të pasur frymëzimi.
Mustafa Sabri Bej (1869-1954)
Ky bir i shquar i Anadollit, ishte një hero i përpjekjeve. Ai punoi si profesor, si drejtor i bibliotekës së pallatit mbretëror, si deputet në parlament, si shkrimtari kryesor i Bejanul Hak. Qe një anëtar i Hyrrijet ve Itilaf Firkasi (Partia e Pavarësisë dhe e Bashkimit), dhe në fund iu bashkëngjit shejhulislamit. Ai gjithmonë u shfaq si hero i veprimit dhe i përpjekjeve derisa u detyrua të largohet nga vendi, pas grushtit të shtetit të 1913. Rrethanat e papërshtatshme e detyruan të vazhdonte shërbimin e tij në një vend tjetër mysliman, por ai u rikthye, sapo vuri re se ekzistonte mundësia për ndjekjen e kauzës së tij në Turqi. U bë anëtar i Daru’l Hikmeti’l Islamije, e më vonë u caktua si Shejhulislam*. Kjo ishte mundësia e tij e fundit për t’i shërbyer vendit të vet. Në vitin 1922 u largua për në Rumani, pastaj në Greqi dhe më vonë vdiq në Egjipt në vitin 1954 pasi kishte kaluar një jetë plot me grindje dhe ankth të pareshtur, me ulje dhe ngritje, por tejet të pasur, duke u bërë burim i rëndësishëm kërkimi për shumë studiues.
Babanzade Ahmed Naim (1872-1934)
I lindur në Bagdad, Ahmed Naim ishte djali i një pashai. Ashtu sikurse edhe shokët e tij, edukimin e tij e pati në Stamboll. Ky karakter i dalluar ishte i pajisur me një botë të gjerë ndjenjash dhe mendimi. Studioi në Liceun “Gallatasaraj”, Shkollën “Mulkije” (Shkolla e Shkencave Politike), pastaj u bë zyrtar i Departamentit të Përkthimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme e më pas drejtor i Arsimit në Ministrinë e Edukimit. Më pas edhe anëtar i Zyrës së Përkthimeve, pedagog në Fakultetin e Letërsisë të “Darulfununit” e në fund edhe rektor i këtij universiteti për një kohë të shkurtër.
Duke u lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme shkencore dhe edukative brezave të ardhshëm, Ahmed Naim përbën një burim të rëndësishëm ushqimi shpirtëror e mendor për shoqërinë turke të ditëve tona, si nga pikëpamja filozofike, ashtu dhe nga ajo shpirtërore.
Mehmet Akif Ersoj (1873-1936)
Vëllime të tëra librash janë shkruar rreth këtij patrioti të sinqertë, ai qëndron më lart se çdo lloj përshkrimi që mund t’i bëhet. Shumë komente dhe kritika janë bërë rreth figurës së tij, por unë besoj se shumë të tjerë do t’i bëjnë jehonë besimit, dashurisë, entuziazmit, aktivizmit, kauzës dhe ideve të tij. Ai është një nga intelektualët e paktë turq të epokës së vet, i cili përshkoi Anadollin, Rumelinë dhe Arabinë. Në çdo qytet ku ai u ndal, foli për brengat e gjata të një kombi të pafat dhe talenti i tij poetik i bëri të tjerët të dridhen. Ai ia arriti të ruante vijueshmërinë në rrugën e tij si një figurë publike e sinqertë dhe e përkushtuar përgjatë gjithë jetës, duke nisur karrierën si mjek veterinar, duke vijuar pastaj si inspektor zyrtar, më pas si pedagog letërsie në “Darulfunun” dhe më vonë si anëtar i Sirati Mustekim, duke marrë pjesë në Daru’l Hikmeti’l Islamije dhe duke mbajtur ligjërata të shumta gjatë Luftës Kombëtare Turke.*
Ne jemi mirënjohës për studimet që janë bërë rreth jetës dhe veprës së Mehmet Akifit. Ne sërish shpresojmë se në të ardhmen do t’i kushtohet një vëmendje edhe më e madhe kërkimeve rreth aktivitetit dhe ideve të shumë aktivistëve të së shkuarës në fushën e mendimit, veprimit dhe artit, si ky bir i shquar i kombit turk, i cili jetoi me përulësi si sahabet e Profetit, duke ikur nga kjo botë krejtësisht i mjerë dhe i zhveshur nga të gjitha pasuritë materiale të kësaj bote.
Elmallëllë Muhamed Hamdi Jazër (1878-1942)
Ai ishte një dijetar kalibri, i respektuar gjerësisht në të gjithë botën. Pasi kreu shkollën fillore në Elmallë, një qytet i vogël në Anadoll, lëvizi për në kryeqytet për të plotësuar shkollimin e tij. Mori mësime prej dijetarëve mjaft të shquar, duke u diplomuar në teologji e më pas duke mbajtur leksione dhe seminare në Mektebi Nuvvab dhe Medresetul Vaizin. Më pas u bë anëtar i parlamentit gjatë Qeverisë së Dytë Kushtetuese. Për shkak të një interpretimi jokorrekt nga ana e tij, ai nënshkroi vendimin juridik (fetvanë) për abdikimin e Sulltan Abdulhamidit II. Pastaj u bë anëtar i Daru’l Hikmeti’l Islamije dhe më pas Ministër i Çështjeve Sociale. Pasi u persekutua prej “Gjykatave të Pavarura,” i shpëtoi ekzekutimit dhe u dërgua në një internim mjaft të gjatë, gjatë të cilit shkroi një koment të mrekullueshëm të Kuranit. Hamdi Jazër, zë një vend të veçantë në historinë tonë të filozofisë dhe aktivizmit.
Nexhip Fazëll Kësakyrek (1905-1983)
Paraardhësit e Nexhip Fazëll ishin nga Marashi, por ai vetë lindi në Stamboll dhe u rrit si fisnik Stambolli. Kolegji Amerikan dhe Marina qenë dy vendet që luajtën një rol mjaft domethënës në rininë e tij të hershme, duke përgatitur terrenin për të nxjerrë në pah talentin. Pasi studioi filozofi në Darulfunun, iku për në Sorbonë, ku u ndesh për herë të parë me botën perëndimore. Pasi punoi si inspektor bankar, i hyri biznesit për një kohë të shkurtër pa dëshirën e tij. Frymëzimi i tij artistik ndikoi tek të gjithë, me, apo pa talent, në Konservatorin Shtetëror dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai qe projektues dhe arkitekt, por edhe zotërues i përvuajtur i shkollës së mendimit të quajtur Byjyk Dogu (Lindja e Madhe), duke botuar edhe një gazetë me të njëjtin emër. Kjo gazetë u mbyll me forcë disa herë, por vazhdonte të botohej përsëri, çdoherë me një program të ri, të modifikuar gjatë mbylljes, duke u udhëhequr prej vullnetit të jashtëzakonshëm të themeluesit të saj. Nexhip Fazëll ishte një mjeshtër i poezisë dhe prozës, gjithashtu një punëtor i ideve të së ardhmes. Hapësira gjerë sufiste e mendimit, zgjuarsia metafizike, respekti i përhershëm për të Vërtetën Absolute, moderimi i thellë dhe përulja ndaj shpirtit të Profetit, Krenarisë së gjithë ekzistencës, përbëjnë vetëm disa prej pikave të oqeanit të gjerë të cilësive të tij të admirueshme, të cilat i demonstroi në fusha të ndryshme. Këtij njeriu të madh është e domosdoshme t’i bëhet një analizë e thellë në çdo aspekt, ndaj ai duhet t’i bëhet i njohur rinisë turke e madje edhe botës mbarë me anë të themelimit të një instituti që të mbajë emrin e tij.
Sulejman Efendi (Hilmi Tunahan 1888-1959)
Bir i një familjeje fisnike në Silistre, Sulejman Efendiu u rikthye dhe filloi të jepte mësim në qytetin e tij të lindjes, ashtu si i ati. Pasi arriti një nivel të lartë maturie, ai u aftësua të ndërthurë pasurinë shpirtërore me shkollimin që kishte marrë në Stamboll. Familja e tij, duke e parandjerë misionin dhe të ardhmen e tij të ndritur, ishte mjaft e lumtur për faktin se shpresat e tyre po bëheshin realitet dhe po mbusheshin me gëzim, kur shikonin numrin në rritje të studentëve, shokëve dhe vëllezërve që mblidheshin rreth tij me besnikëri dhe bindje të plotë.
Sulejman Efendiu ishte një hero i përpjekjeve, një prej atyre njerëzve mjaft të rrallë, të cilët kurrë nuk lodhen gjatë gjithë jetës. Ai mbrojti me vendosmëri rrugën suni të besimit dhe zgjodhi të punonte dhe të luftonte në një kohë, kur ndjenjat dhe idetë fetare ishin nën goditje të vazhdueshme. Ai thuri dantellën e shpirtrave tanë, duke përdorur idetë dhe ndërgjegjen historike si pëlhurë, u përpoq t’i bënte themelet e ekzistencës të perceptueshëm për të gjithë, me anë të hapjes së shkollave, konvikteve dhe azileve në çdo cep të vendit, duke mos u tërhequr kurrë nga përpjekjet për përmbushjen e misionit të tij deri në ditën e vdekjes.
Është e pamundur ta përshkruash këtë njeri të madh të veprimit në kaq pak rreshta. Për të përshkruar një hero të tillë të shpirtit dhe arsyes, do të duheshin vëllime të tërë librash. Ky hero, pavarësisht shumë pengesave, u bë furnizuesi i çdo cepi të vendit, që nga Edirneja e deri në Ardahan, me edukim dhe shkollim, në një periudhë mjaft të shkurtër.
Ne do t’ia lëmë analizën e misionit, veprës, interpretimit dhe filozofisë së këtij personaliteti mjaft të rëndësishëm kërkimeve të akademikëve me cilësi shpirtërore dhe hulumtuese, duke shpresuar që kjo përpjekje e vogël mund të shndërrohet më vonë në një vepër shumë më të madhe.
* * *
Kur flasim për intelektualët e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, nuk ka si të mos na vijë ndërmend Nurettin Topçu, një bir i vërtetë i kombit, mendimtar krijues, hero i dashurisë dhe ngazëllimit, pavarësisht prej disa sjelljeve të tij kontradiktore, të cilat bien në kundërshtim me kriteret tona bazë. Gjithashtu duhet të marrim në konsideratë edhe figurën e Sezai Karakoçit, intelektualit të shquar dhe mendimtarit të madh, poetit kolos dhe shkrimtarit të shekullit, i cili thuri me durim idetë e tij të ndritura për të ardhmen, duke ecur në rrugën e tij, i mbushur me dhimbjet më të thella, por të kaluara në heshtje. Ne duhet të përmendim gjithashtu me respektin më të madh Esad Efendi, Sani Efendi, Arvasi Hazretleri, Ali Hajdar Efendi, Mehmed Zahit Kotku, Imam Allvar, Seyda i Serdehlit, dhe Muhamed Reshit Efendi i Menzilit dhe të mendojmë në lidhje me dashurinë, entuziazmin dhe veprat e tyre përsa i përket fushës së shërbimit ndaj të tjerëve.
Dhe a mund të harrohet vallë Bediuzzamani, i cili i përmbysi të gjitha planet e jobesimtarëve dhe ateistëve me atë besim të fuqishëm, me idetë e tij kumbuese dhe me aktivizmin të tij marramendës?
Është thënë e shkruar shumë në mbarë botën për këtë mendimtar që është edhe njëri prej autorëve më të lexuar në mbarë botën gjatë gjithë shekullit të fundit. Veprat e tij janë përkthyer në të gjitha gjuhët më të rëndësishme. Nuk është e nevojshme të bëhen përshkrime të gjata për ta bërë atë më të njohur, prandaj është e mjaftueshme të citojmë një fragment të shkurtër nga parathënia e shkruar për njërën nga veprat e tij.
Bediuzzaman Said Nursi (1877-1960)
Jeta e Bediuzzamanit, përbën një burim të pasur kërkimesh për dijetarët, duke bërë kështu të mundur paraqitjen e veprës dhe personalitetit të tij mbarë njerëzimit. Ai ishte figura numër një e epokës moderne, e cila bëri të mundur paraqitjen e oqeanit të gjerë të besimit islam, vlerave morale dhe ndërgjegjes në mënyrën më efikase dhe të pastër të mundshme. Një vlerësim sentimental në lidhje me Bediuzzamanin dhe idetë e tij, nuk përbën mënyrën më të mirë për ta rikujtuar atë dhe veprat e tij. Sentimentalizmi nuk përputhet mirë me seriozitetin e çështjeve, të cilat ai i studioi në mënyrë të vazhdueshme dhe u bëri jehonë me trimëri. Ai e kaloi tërë jetën nën hijen e Kuranit dhe traditës profetike, si dhe nën krahët e përvojës dhe të logjikës. Ai qe një njeri me gjykim të shëndoshë, i mbushur me dashuri dhe entuziazëm në një shkallë të pakrahasueshme.
Shumë botime dhe konferenca i janë kushtuar cilësive të dallueshme të Bediuzzamanit, si devotshmëria ndaj idealeve të larta, perceptimi i tij i thellë për botën e sotme, thjeshtësia, humanizmi gjithëpërfshirës, besnikëria ndaj shokëve të tij, dëlirësia, modestia, përulësia dhe të kënaqurit me pak. Është fakt që secila prej këtyre cilësive kërkon një studim të veçantë, në vëllime të veçanta, për arsye se Bediuzzamani flet zakonisht për to në veprat e tij. Ka ende shumë prej shokëve të tij mes nesh, çdonjëri prej të cilëve përbën një dëshmi të gjallë dhe të bekuar që pati fatin e mirë të të qenit afër tij gjatë jetës, duke u bërë kështu dëshmitarë të gjerësisë shpirtërore dhe prosperitetit intelektual të atij njeriu.
Pamja tij e jashtme ishte e thjeshtë dhe modeste, gjë e cila nuk të jepte përshtypjen se ke të bësh me një dijetar të këtij kalibri. Megjithatë, ai shfaqi gjithmonë një karakter mjaft të fortë nëpërmjet ideve dhe jetës së tij mjaft aktive. Tipare të tilla janë vërejtur në shumë pak personalitete të tjera historike. Ai e përqafoi mbarë njerëzimin me anën e ideve që kishin të bënin me çështje të përbashkëta rreth vuajtjeve të njerëzve në mbarë botën. Urrente mosbesimin, tiraninë dhe largimin nga feja, ndaj luftoi kundër despotizmit, duke i qeshur vdekjes në fytyrë. I qëndroi besnik kauzës së tij me aq fisnikëri saqë nuk ndjente asgjë tjetër përveç dëshirës për të plotësuar nevojat minimale për mbijetesë. Të qenit gjatë gjithë jetës dhe misionit të tij si person me një gradë të lartë shpirtërore, ishte rezultat i të vepruarit në përputhje me Kuranin dhe Sunetin, të respektimit të arsyes dhe logjikës. Sjelljet e tij modeloheshin prej dy pjesëve të veçanta të karakterit të tij të pasur: e para ishte të qenit një person heroik, një ushtar i madh i ndërgjegjes, njeri i dashurisë dhe i entuziazmit, ndërsa e dyta përbënte pjesën e karakterit të një mendimtari vizionar, i cili udhëhoqi bashkëkohësit drejt planeve dhe projekteve të mëdha që kishin për bazë ekuilibrin intelektual. Ky këndvështrim ndaj Bediuzzamanit është mjaft domethënës, si një prej hallkave të zinxhirit të njerëzve të mëdhenj të historisë islame, e cila do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë atë çfarë ai përfaqësonte për ne në këtë epokë.
Megjithëse duket se disa e injorojnë me qëllim, bashkëkohësit e tij e konsiderojnë Bediuzzamanin një prej mendimtarëve dhe shkrimtarëve më seriozë të epokës së tij, zëdhënës dhe prijës i masave dhe njëkohësisht një njeri i cili arrinte të ruante të paprekur modestinë, duke qenë mjaft larg prej çdo shfaqje mburrjeje. “Fama është e njëjtë me hipokrizinë dhe është mjaltë i helmuar që vret zemrat”, është një prej epiteteve të tij në lidhje me këtë çështje. Ai ka qenë gjithmonë një prej autorëve më të admiruar të botës islame të shekullit të njëzetë dhe në ditët tona është një prej më të admiruarve në mbarë botën. Veprat e tij janë lexuar vazhdimisht me mjaft kujdes, me ndjenja të sinqerta vlerësimi dhe do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë sa më shumë që kalon koha.
Veprat e Bediuzzamanit janë fryt i përpjekjeve serioze për të shpjeguar çështje të veçanta. Ato kanë nevojë të studiohen nga këndvështrimi i kohës në të cilën lindi. Lexuesi mund të lexojë vajtimet, shpresat dhe etjen e Anadollit, por edhe të mbarë botës islame. Megjithëse lindi në një fshat të vogël, në njërin nga skajet më të largëta të Anadollit lindor, i shprehu ndjenjat tona si një fisnik i lindur në Stamboll, duke përqafuar mbarë vendin me një mëshirë të gjerë dhe sinqeritet të pastër.
Bediuzzamani e udhëhoqi popullin tonë të dërrmuar prej goditjeve të njëpasnjëshme drejt burimit të Hidrit*, duke frymëzuar kështu rilindjen nëpërmjet veprave të tij, të cilat shndrisnin prej besimit dhe shpresës, në një kohë kur materializmi e kishte përmbytur jetën tonë intelektuale, kur komunizmi kishte arritur kulmin e tij dhe kur bota ishte duke përjetuar periudha fatkeqe të mbushura me kaos. Përpara gjithë të tjerëve, ai u ballafaqua dhe u përpoq të ndeshej me anarkinë e cila bazohej në mosbesim dhe ateizëm, duke e përkufizuar atë si problemin më domethënës që kishte nevojë të zgjidhej urgjentisht. Përpjekjet e tij në këtë drejtim ishin të mëdha, saqë arrinin përmasat e mbinjerëzores. Duke u vënë ballë për ballë me një botë të tillë kaotike, Bediuzzamani ishte plotësisht i ndërgjegjshëm në lidhje me përgjegjësinë e madhe që kishte mbi supe, ndaj ai e mbarti këtë barrë të tmerrshme pa u ankuar. Ai qe një person me modesti të pashoqe dhe njëkohësisht e njihte më mirë se kushdo Zotin dhe fuqinë e Tij të pafundme, si dhe mirësinë e Tij të pakufishme.
Në një epokë kur gjithë njerëzimi ishte zhytur në ateizëm për shkak të abuzimit me shkencën dhe filozofinë, kur truri shpëlahej me komunizëm dhe kur, ata të cilët përpiqeshin të ndalonin këto zhvillime të pafavorshme dëboheshin nga vendi, kur dëbimet më të sikletshme kryheshin pareshtur në çdo cep të vendit (dhe të gjitha këto bëheshin për hir të qytetërimit dhe modernizimit!), dhe kur nihilizmi përbënte ligësinë më të përhapur, Bediuzzamani na rikujton izolimin tonë të brendshëm, llojet e ndryshme të vetëburgosjes së shpirtrave tanë, vrasjet dhe dëbimet që ne kryenim kundër vetes. Ai zgjoi virtytet njerëzore në dimensionet dhe ndërgjegjen tonë shpirtërore e cila kishte qenë për një kohë të gjatë e fjetur, shoi etjen e zemrave tona nëpërmjet dijes sublime, nxori në pah kapacitetet tona të brendshme për të arritur botën tjetër dhe derdhi mbi ne të gjithë pasurinë e shkollave dhe strehave sufiste (teqet, zavijet, mektebet dhe medresetë).
Në një kohë të mbrapshtë, kur kombi ynë ishte në gjendje të vështirë për shkak të intelektualizmit shterp, kur çdo problem shoqëror degjeneronte në kaos, kur njerëzve u duhej të përballeshin me qindra ngjarje që sillnin gjakderdhje në mbarë vendin dhe kur vlerat kombëtare dhe islame ishin shkatërruar, Bediuzzamani analizoi shkaqet dhe propozoi zgjidhjet e duhura, tamam si një farmacist i kujdesshëm. Ai vërente brezat e pafat që zhyteshin thellë e më thellë në moçalin e mosbesimit, devijimit dhe dyshimeve ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga kjo situatë, ndaj ai ishte thellësisht i vetëdijshëm për këtë shkallë të lartë të zymtësisë së tablosë që shfaqej përpara tij. Megjithatë jeta e tij vetjake ishte e mbushur me entuziazëm. Ai e manifestonte këtë entuziazëm vazhdimisht, duke projektuar ide alternative dhe duke ua paraqitur ato qeverive dhe shoqërisë. Ai luftoi për t’i rikujtuar këtij kombi të lavdishëm, por të pafat, trashëgiminë e tij të gjerë nga e kaluara.
Bediuzzamani udhëtoi nëpër shumë provinca të vendit duke nisur që nga koha kur Devleti Alije (shteti osman) ishte akoma në pushtet, vizitoi të gjitha zonat e banuara, që nga qytetet më të mëdha, deri në fshatrat më të largët, që nga zonat më të populluara, deri te zonat më të shkreta malore. Ai lemeritej kur shikonte se në çdo vend ku ndalonte, mbizotëronte injoranca, masat popullore vuanin izolimin më të skajshëm dhe njerëzit tanë pengonin dhe dëmtonin njëri-tjetrin për shkak të konflikteve të ndryshme. Si një intelektual i dalluar, i cili kishte aftësinë ta interpretonte kohën e tij me kuptimin më të lartë, ai dëshironte të frymëzonte masat e mjera dhe të dëshpëruara me shpirtin e dijes dhe të mësuarit. Ai nxori në pah shkaqet e varfërisë aktuale dhe problemet ekonomike, duke paraqitur edhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve brenda shoqërisë, duke bërë thirrje vazhdimisht për unitet dhe bashkëjetesë kolektive, duke mos e braktisur kështu vendin në fatin e tij të keq edhe në periudhat më kaotike: “Nëse në këto shqetësime dhe trazime nuk vihet dorë dhe nëse plagët nuk mjekohen nga duar kompetente dhe të specializuara, sëmundjet tona do të bëhen kronike dhe plagët do të gangrenizohen. Është e qartë se ne duhet t’i identifikojmë problemet tona në lidhje me dijen, ekzistencën shoqërore dhe administratën, ne duhet të nisim t’i zgjidhim shqetësimet tona, qofshin ato materiale, apo shpirtërore. Kjo është mënyra për ta mbrojtur vetveten prej rreziqeve të ardhshme, të cilat mund të brejnë ekzistencën tonë, duke lëkundur themelet tona dhe duke na hedhur në hendeqe vdekjeprurëse”.
Bediuzzamani analizoi tre faktorë madhorë që kishin të bënin me thelbin e problemeve të atëhershme, por që mbetën të tillë edhe në kohën tonë: injoranca, varfëria dhe përçarja shoqërore. Injoranca, në sensin e indiferencës ndaj Zotit dhe Profetit, bjerrjes së interesit në fe dhe dinamikat historike, përbën shqetësimin kryesor prej të cilit vuajmë. Bediuzzamani ia kushtoi jetën luftës ndaj këtij virusi fatal. Në syrin e tij, shpresa e shpëtimit për kombin tonë, do të ishte e kotë përderisa ideologjitë e rreme dhe të devijuara do të mbizotëronin dhe derisa shoqëria të mos ndriçohej me dritën e të mësuarit, dijes dhe mendimit sistematik. Për shkak të kësaj injorance, Kurani dhe universi u ndanë nga njëri-tjetri. I pari mbeti jetim në birucat e fantazisë së shpirtrave fanatikë, të cilët janë të painformuar në lidhje me misteret, formimin dhe fenomenet e ekzistencës, ndërsa i dyti perceptohet si një kaos i plotë në sytë e materialistëve me një nivel të pakrahasueshëm injorance. Ata janë tërësisht të verbër ndaj botës shpirtërore.
Injoranca është arsyeja kryesore që thellon varfërinë dhe mjerimin e kësaj pjese të bekuar të botës, edhe pse kjo tokë është e mbuluar nga fushat më pjellore dhe lumenjtë më të rrjedhshëm, e megjithatë, banorët e kësaj zone sot u ngjajnë lypësve që trokasin tek dera.
Pikërisht për shkak të kësaj injorance të frikshme, ne jemi të kërrusur nga pesha e frikshme e borxheve të mëdha, megjithëse kemi minerale të konsiderueshme, të fshehura nën tokë, pasuri të panumërta nëntokë e mbi tokë, që mbushin xhepat e të tjerëve.
Po për shkak të injorancës dhe të varfërisë, punëtorët dhe fermerët rropaten ditë e natë duke punuar pa ndërprerë dhe pa arritur të vjelin frytet e punës së tyre, duke fituar aq sa për të mbajtur frymën gjallë. Ata nuk kanë si të jenë të lumtur dhe kushdo mund të vërejë se gjendja e tyre keqësohet hap pas hapi dhe ditë pas dite.
Injoranca dhe përçarja shoqërore që ajo sjell e ndalojnë shoqërinë të ndërmarrë veprime kundër fatkeqësive, internimeve, shtypjes, poshtërimit, varfërisë, pengesave dhe tragjedive të ndryshme që përjetohen në viset tona, pavarësisht gjakderdhjes së pafundme, dhunimit dhe shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Mbarë bota është duke u lëkundur pa vetëdije nga njëri cep në tjetrin, e zënë mat në rrjetën e çekuilibrit. Përballë gjithë këtyre ngjarjeve, ne kemi dështuar, s’kemi qenë të aftë të distancohemi nga përçarja, të paaftë t’i japim fund kësaj katastrofe dhe sëmundjeje. Ne nuk mund t’i sigurojmë botës islame shërim për plagët e saj, nuk ekziston asnjë kurë parandaluese kundër gremisjes edhe njëherë tjetër. Ajo ka për të qenë më e tmerrshme me kalimin e ditëve. Ne nuk mund të frymëzohemi me shpirtin e unitetit në mënyrë që të ballafaqohemi me epokën në të cilën jetojmë.
Ne jemi zhytur në dhimbje për shkak të rrethanave të lartpërmendura, ndërsa disa prej nesh janë mposhtur, sytë e tyre janë verbuar, shikimi u është turbulluar dhe kokat u janë trullosur për shkak të progresit aparent material të perëndimit. Në vend që të arrijnë pasuri materialo shpirtërore nëpërmjet angazhimit të mendjes së tyre me shkencat pozitive si dhe të zemrave me të vërtetat fetare, këta njerëz të magjepsur zgjodhën të veprojnë sikur të ishin krejt pa shpirt, duke u larguar nga rrënjët e tyre, ata u bënë promotorë të dinamikave tona më fatale, si nga pikëpamja kombëtare, ashtu edhe nga ajo fetare, duke i privuar masat e njerëzve prej moralit, virtyteve, vetëdijes historike, duke i izoluar ata nga karakteri kombëtar nëpërmjet imitimit të verbër. Megjithëse kjo bëhej gjoja për të shpëtuar shoqërinë, imitimi i verbër rezultoi të ishte më i dëmshëm, duke sjellë plagë të pashërueshme në shpirtin e shoqërisë.
Shoqëria jonë ka vuajtur nga ky makth shokues i injorancës dhe i përçarjes për vite me radhë, duke u ndarë gjithashtu edhe nga identiteti kombëtar, çka solli për pasojë shkatërrimin e vlerave tona, si fisnikëria shpirtërore dhe aktivizmi global.
Bediuzzamani qëndroi i palëkundur në këto parime edhe pse iu nënshtrua keqtrajtimeve të cilave u nënshtrohej edhe shoqëria e asaj kohe. Ai i analizoi pareshtur sëmundjet tona shekullore, i diagnostikoi ato dhe paraqiti kurat përkatëse, duke ia kushtuar tërë jetën shërimit të tyre deri ditën kur u largua prej nesh në Urfa. Ai ishte gjithmonë i sinqertë në fjalët dhe veprat e tij dhe trim në shpalosjen e ideve të tij.
Nuk është një punë e lehtë të futësh ide dhe mendime të reja në mendjen kolektive të një shoqërie. Është mjaft e vështirë edhe të ç’rrënjosen idetë, konceptet dhe traditat ekzistuese, qofshin ato të drejta, apo të gabuara. Masat popullore kanë qenë nën ndikimin e këtyre mbetjeve nga e kaluara, të dobishme, apo jo. Jetët individuale, apo kolektive kanë qenë të modeluara në përputhje me këto tradita, duke hedhur poshtë gjithçka që nuk ishte në përputhje me to dhe që nuk ishte në një linjë me ndjenjat e përbashkëta. Këto pikëpamje, apo paragjykime mund të mos jenë gjithmonë të drejta. Duke pasur parasysh faktin që paragjykimet kolektive janë në shumicën e rasteve të rrënjosura thellë, për shkak se kanë ekzistuar dhe përjetuar për një kohë të gjatë, mund të themi se shoqëria doemos duhet të çlirohet prej tyre dhe të stoliset me virtytet e përshtatshme.
Bediuzzamani merrej gjithmonë me të tilla ide që në moshë mjaft të re. Ai e konsideronte si tradhti ndaj vendit dhe popullit të tij fshehjen e të vërtetave, qofshin ato edhe më të voglat. Ai qëndroi në cep të rrugës duke thirrur: “Kjo është një rrugë pa krye”, sidomos kur pa që ligjet e mbrapshta po rrezikonin fatet e kombit. Ai e kishte për natyrë të shqetësohej kur vërente gjëra të këqija që hidhnin baltë mbi vlerat fetare. Ishte njeri me një vizion të gjerë, njeri i përpjekjeve, i ngjashëm në vendosmëri me profetët e mëdhenj. Ky hero zemërluan nuk e kishte për natyrë të mbyllte sytë e të qëndronte indiferent përballë shkatërrimit të një kombi të tërë. Duke nxjerrë në pah të gjithë faktorët që çuan në rënien tonë, duke nxjerrë përfundimet më të thella dhe duke vënë në pah pikat më të fshehta të kësaj çështjeje, ai e ndihmoi shoqërinë të arrinte në një nivel autokritike. Ai vazhdimisht na risjell ndërmend arsyet që çuan në rënien tonë duke dhënë njëkohësisht edhe zgjidhjet përkatëse për daljen nga kjo situatë. Ai i theksoi me forcë të vërtetat më të dhimbshme, pa asnjë dyshim, na udhëhoqi larg paragjykimeve të rreme, mendimeve të pabaza, mosbesimit dhe ateizmit. Përgjatë gjithë jetës, ai u përpoq t’i rezistonte pengesave që ngriheshin para të vërtetës.
Në kohët më të egra, atëherë kur askush nuk guxonte të fliste një fjalë në lidhje me të vërtetat fetare, ai e paralajmëronte shoqërinë për rrezikun e zhgënjimit. I shpalli luftë injorancës, varfërisë dhe përçarjes, duke lëkundur kështu themelet e shumë atavizmave të shoqërisë prej të cilave ishte dalldisur. Themeloi një front kundër ateizmit, herezisë tronditëse dhe supersticioneve, duke nxjerrë në pah qorrsokakun ku ata të shpinin. Një proverb arab thotë: “Damkosja është mjekimi i fundit”. Iniciativa e tij e jashtëzakonshme qytetare bëri të mundur analizimin e përkryer të fenomeneve dhe për pasojë vendosjen e hekurit të nxehtë mbi plagët tona disashekullore. Fjalët e tij i bënin jehonë shpirtit të të gjithëve, nga oborrtarët e sarajit mbretëror te kryetarët e fiseve në lindje, nga përfaqësuesit e fesë te krerët e ushtrisë. Megjithëse për natyrë nuk kënaqej kurrë kur e nderonin, bukuria e veprave të tij qenë prej natyre magjepsëse për gjithë shoqërinë, në çdo udhëkryq të saj.
Xhihadi (përpjekja) i vazhdueshëm që ai bënte, konsistonte në paralajmërimin e çdo shtrese se, para se të nxirrnin shpatat nga mllefi, duhet të këputen vargonjtë që kanë burgosur mendjet dhe shpirtrat tanë. Ai i frymëzoi brezat e rinj me sihariqet e rilindjes dhe i udhëhoqi ata drejt shtigjeve që të shpinin tek mendimi islam. Ai ishte i shqetësuar për faktin se vendi mund të përçahej, por sidomos, sepse mendjengushtët, shpirtrat e trazuar, imituesit e verbër dhe kopjuesit e rëndomtë të perëndimit, mund të bëheshin pjesë e njerëzve që ndiqnin idetë e tij, duke e çuar kështu vendin në çfarëdolloj katastrofe.
Ai gjithmonë i referohej “dijes, aktivizimit të mendjes dhe punës së madhe”, punonte për lindjen e një shoqërie të përsosur dhe të shëndoshë, duke u përpjekur t’i shpëtojë individët nga vetmia. Për arritjen e një ideali të tillë, ai mendonte se edukimi përbënte udhërrëfyesin - edukimi kudo dhe në çdo kohë - një mobilizim edukativ, ku të përfshiheshin xhamitë, shkollat, garnizonet, rrugët, këndet e lojërave, madje edhe burgjet. Vetëm me ndihmën e edukimit ne mund të arrijmë një bashkim, ku të gjitha mendjet të jenë të përqendruara tek i njëjti objektiv. Shoqëria e mendjeve që nuk janë në paqe me njëra-tjetrën, nuk mund të zgjasë për shumë kohë. Është parakusht i domosdoshëm që ndërgjegjet të bashkohen, duke bërë që edhe zemrat dhe duart t’i ndjekin ato. Ky lloj bashkimi është i mundur vetëm kur jeta jonë vijon sipas rregullave fetare, të cilat janë të shpallura në mënyrën më të mirë të mundshme dhe janë plotësisht të përshtatshme për mendjet bashkëkohore, në përputhje të plotë me Librin, Sunetin si dhe me interpretimin e pastër të pasuesve të këtyre (selefi salihin).
Shoqëria jonë duhet t’i bëhet e njohur epokës moderne dhe duhet të përputhet me kuptimin dhe frymëzimin e saj. Ne kurrsesi nuk duhet të mbyllemi brenda guaskës sonë të vogël, ndërkohë që pjesa tjetër e botës përparon me hapa të shpejtë. Për ta jetuar jetën siç duhet, çdokush duhet të ketë vullnet dhe të bëjë përpjekje të mëdha drejt harmonisë e cila përbën ujëvarën e jetës. Rezistimi i pashpresë ndaj botës aktuale të globalizuar do të përbënte një shkatërrim.
Edhe sikur disa qindra intelektualë ta kishin përqafuar mesazhin e Bediuzzamanit, kur ai u lutej pareshtur përgjatë gjithë vendit, ndoshta tani do të ishim bërë një nga kombet më të qytetëruar dhe më me peshë të botës së sotme, duke qenë mjaft të fortë për të kapërcyer çdo pengesë, duke e bërë realitet objektivin e ecjes drejt kësaj rruge të ndritshme që në shekullin e njëzetë, rrugë në të cilën ne, mesa duket, kemi filluar të hedhim hapat e parë në ditët e sotme. Nëse do të kishte ndodhur kjo, nuk do të kishim vuajtur nga vështirësitë e vazhdueshme që kemi kaluar. Megjithatë, ne akoma shpresojmë, ndaj unë do të dëshiroja t’i bashkohem atyre që thonë se shoqëria jonë është krejtësisht e shkëputur nga rrënjët e saj shpirtërore, duke përjetuar një periudhë plogështie dhe neglizhence. Ne nuk mund ta mohojmë se shoqëria jonë ka përjetuar dështime, ashtu si edhe shumë shoqëri të tjera, megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund ta marrim veten. Në vend të kënaqësisë për rehati tani shkëlqejnë dritat e vigjilencës, shpirtrat tanë që dridhen me ndjenja haremi*, tani janë duke u rigjallëruar dhe duke u rifreskuar. Ditët e gëzueshme pranverore do të vijnë me siguri pas këtyre zhvillimeve. Vetëm se ne jemi në pritje të heronjve si Hidri, të cilët do t’i kthejnë kodrat në vende adhurimi dhe Iljasi*, që do të lundrojnë pa frikë në oqeanet e gjera. Dhe Bediuzzamani është një shenjë e rëndësishme në këtë temë...
“Gjeniu nuk zgjedh”, thonë. Kjo do të thotë se gjeniu nuk bën gjykime në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë dhe nuk vendos se çfarë është e dobishme, apo e dëmshme. Gjeniu është një mrekulli e krijimit, i cili si një burim i fuqishëm ka grumbulluar çdolloj fuqie për t’ia dalë mbanë nevojave më të ndërlikuara, të jashtme, të fshehta dhe atyre shpirtërore të shoqërisë, duke u çelikosur me talent hyjnor, impuls shpirtëror dhe dëshirë të zjarrtë. Studiuesit e kësaj lloj jete dhe vepre, mund të dallojnë me lehtësi të gjitha aspektet e gjeniut tek figura e Bediuzzamanit. Ai gjithmonë ruajti nivelin e tij të jashtëzakonshëm, qoftë në veprat e tij të hershme, të cilat dëshmonin shenjat e para të zgjuarsisë së tij të jashtëzakonshme dhe sigurisht, në veprat e tij të mëvonshme, të cilat qenë secila fryt i një pjekurie, i një jete të mbushur me vuajtje, gjyqe, burgosje e internime.
Shënimet
- 14.* berzah: Bota ku shkojnë shpirtrat e personave të vdekur. Këtu, autori me fjalën berzah, nënkupton botën në të cilën njerëzit nuk kanë mundësi të ndërhyjnë, apo të kontribuojnë për asgjë.
- 15.* Miraxh: Ngritja e Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të!, në qiell dhe komunikimi i tij me Zotin.
- 16.* Keuther: Ujë parajse, bollëk, mirësi
- 17.* Sekine: Paqe, qetësi. Engjëjt dhe qeniet shpirtërore quhen kështu, për shkak të një gjendjeje të tillë që posedojnë.
- 18.* Shejhulislam: Posti që përfaqësonte organin zyrtar fetar në perandorinë osmane.
- 19.* Lufta kombëtare turke për të shpëtuar atdheun nga pushtimi i fuqive të huaja pas Luftës së Parë Botërore (1919-1922).
- 20.* Hidri (a.s) ishte një person i bekuar emri i të cilit është përmendur në komentet e Kuranit dhe në hadithe (Buhari, Tefsir, 249). Hidër (apo Hadir) ka kuptimin e gjelbërimit, apo të një vendi me bollëk bimësh të gjelbra. Sipas një hadithi, Hidri u quajt kështu për arsye se pasi u ul në një tokë të shkretë, ajo u bë e gjelbër dhe plot bimësi (Buhari, Enbija 29). Raportohet gjithashtu se që kur Hidri piu ujë nga një burim në parajsë, çdo vend ku hidhte hapin, bëhej i gjelbër (Makdisi III, 78).
- 21.* harem: quhet qyteti i Mekës dhe i Medinës me rrethinat e tyre.
- 22.* Iljasi (Elijah), paqja qoftë mbi të!, person i bekuar emri i të cilit përmendet në Kuran, por pa u cilësuar si profet. Raportohet se ai u ngrit në një nivel të ndryshëm jete bashkë më Hidrin, paqja qoftë mbi të! (Nursi, Letrat, Letra I)