PROFETI MUHAMED SI EDUKATOR

A. PROFETI MUHAMED SI EDUKATOR DHE KRYETAR FAMILJEJE

Profeti Muhamed (s.a.s.) është përfaqësuesi i nivelit më të lartë të emrit Rab-Zot të Allahut. Ai është një natyrë e përjashtuar e përfaqësuesit më të lartë të këtij emri të Allahut mes njerëzve duke përfshirë edhe profetët. Natyrisht, edhe ata që janë përgatitur nën edukimin e tij, janë, pas profetëve, më të zgjedhurit e njerëzimit. Është e pamundur të tregosh dhe të përgatitësh mbi tokë një Ebu Bekr, një Omer, një Osman, një Ali (r.anhum) tjetër. Ndërkaq, është e pamundur të arrihet niveli i ndonjërit prej sahabeve, shokëve të Profetit, sepse ata janë përgatitur e formuar nën edukimin personal të tij. Janë edhe perlat e përgatitura në atmosferën e edukatës së tij dhe të përhapur në shekujt e mëpasëm, prandaj, në një kuptim, edhe ata janë përgatitur e formuar nga Profeti. Edhe përgatitja dhe formimi i njerëzve të ngjashëm me këta njerëz fisnikë e të zgjedhur që konsiderohen si krenari e njerëzimit, është e pamundur. Njerëz të tillë si Fudajl b. Ijad, Bishri Hafi, Bejazit Bistami, Xhunejd Bagdadi, Ebu Hanife, Shafii, Imam Malik, Ahmed b. Hanbel, Imam Rabbani, Imam Gazali, Mevlana Xhelaleddin Rumi, Sheh Gejlani, Shazeli, Nakshibendi, Ahmed Rufai dhe Bediuzzaman e sa e sa të tjerë i kanë marrë mësimet dhe edukatën prej tij dhe janë përgatitur e formuar me parimet edukative të tij. Edhe nëse thënia që do të citojmë më poshtë, e cila i njihet Profetit, nuk është hadith dhe, ndonëse nuk është e dokumentuar, është një thënie e bukur dhe me kuptim të hollë. Siç rrëfehet, Profeti ka thënë: “Dijetarët e umetit tim (bashkësisë sime) janë si profetët e të bijve të Izraelit!” Asnjë njeri nuk mund t’u afrohet profetëve përsa i përket virtytit të përgjithshëm. Megjithëkëtë, në disa kushte të veçanta, ka njerëz që shkojnë përkrah me ta. Të tillë janë të gjithë ata me të cilët krenohemi ne, ata që sapo i përmendëm dhe shumë të tjerë që mund t’i përmendim. Ata pothuajse kanë zbritur në tokë. Po qe se kërkohet të mbushet vendi i tyre me të tjerë, gjithsesi do të duhet të zbresin engjëj nga qielli, sepse ata mund të përfaqësohen vetëm me engjëj!

Kjo është një situatë e posaçme vetëm për Profetin Muhamed (s.a.s.). Sigurisht, është e posaçme vetëm për të që ka dhënë fryte të tilla. Dhe do të vazhdojë të japë fryte gjer në kiamet! Pas një periudhe thatësire dhe zie, kushedi ç’njerëz të zgjedhur do të formohen mes atyre që janë përgatitur në ditët e sotme e që janë të vendosur për t’u bërë të shquarit e të nesërmes. Përsa i përket zotësisë, ata janë gjithë shpresa jonë. Qysh kur kam ardhur në mendtë e mia, unë i kam pritur ata pa humbur asgjë nga shpresa dhe do të vazhdoj t’i pres!..

Dhe tani, pa kaluar në edukatën e përgjithshme të të Dërguarit të Allahut, le të përpiqemi ta shohim atë me sistemin e tij të edukimit në shtëpinë e vet. Ai ishte kryetar familjeje dhe në shtëpi kishte gratë, fëmijët dhe nipërit.

1. Profeti Muhamed si kryetar familjeje

Nuk ka asnjë dyshim se kjo shtëpi ka qenë shtëpia dhe foleja familjare më e lumtur, më me fat dhe më e begatë se të gjitha shtëpitë dhe foletë familjare që janë ngritur mbi tokë e që do të ngrihen në të ardhmen! Në shtëpinë e tij në çdo kohë ndihej lumturia. Kjo shtëpi ishte ndoshta një ndër më të varfrat në botë nga mundësitë materiale, sepse kalonin muaj dhe aty s’gatuhej as dhe një supë, kurse strehimi i secilës prej grave përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël ose nga një si kthinë e ngushtë. Ato gra fatbardha parapëlqenin ndaj çdo gjëje të kësaj bote të rrinin qoftë edhe nja dy orë në javë me të. Ato ishin tejet të lumtura e të kënaqura.

Të gjithë fëmijët e Profetit vdiqën para tij, përveç të bijës Fatime, e cila jetoi edhe pak kohë pas tij. Edhe ajo bënte vazhdimisht një jetë të vështirë. Pra, as asaj Profeti nuk i pati përgatitur një jetë me mirëqenie. Megjithëkëtë, si gratë, ashtu dhe kjo vajzë, fryti i zemrës së tij, e donin si të marra atë dhe e mbanin më të çmuar se çdokush, se çdo gjë! Në zemrat e tyre, i Dërguari i Allahut kishte një vend të zgjedhur mbi çdo përfytyrim.

Kur i vdiq i ati, Fatimeja derdhi lot për shumë ditë me radhë dhe thuri vargje zemërcopëtuese. Ajo mundi ta durojë ndarjen prej të atit vetëm gjashtë muaj dhe pastaj shkoi pranë tij me gëzim të madh. Asnjë fëmijë nuk e ka dashur të atin sa Hz. Fatimeja! Dhe asnjë baba nuk i ka dashur fëmijët sa ç’i ka dashur i Dërguari i Allahut, i cili, ndërkaq, ka qenë i ekuilibruar edhe në këtë drejtim. Të tilla i pati ai marrëdhëniet edhe me gratë e tij. Asnjë grua nuk e ka dashur të shoqin sa ç’e kanë dashur bashkëshortet e veta Profetin. Sigurisht, kjo aureolë dashurie e formuar rreth tij e ka pasur një shkak. Me mënyrën e trajtimit që u bënte Profeti atyre që kishte pranë dhe me edukatën me të cilën sillej ndaj tyre, bënte të lindte ndër zemra një interesim e një lidhje e pafundme. Pastaj ky interesim e kjo lidhje ndaj tij e nisur në familje, u zgjerua dallgë-dallgë gjersa përfshiu pothuaj gjithë njerëzimin. Dhe ky ishte një dimension tjetër i zgjuarsisë së tij profetike!

Mendoni se, kur pati vdekur, Profeti nuk pati lënë shtëpi për asnjërën nga gratë. Ato kishin trashëguar prej tij vetëm ato dhoma të vogla ku patën futur kokën në të gjallë të tij. Biografët thonë se ai u pati lënë si trashëgim grave nga një dhi për ta mjelur. Ja, vetëm kaq gjë pati mundur t’u sigurojë bashkëshorteve ai njeri për të cilin qe krijuar gjithësia, dhe pati ndërruar jetë duke i lënë ato në një varfëri të tillë. Ndërkaq, asnjëra prej grave, në asnjë periudhë të jetës së tyre bashkëshortore nuk pati thënë ndonjë fjalë që të shprehte ankesë për këtë gjendje. Edhe nëse për një moment, në kokën e ndonjërës prej tyre pati kaluar një gjë e tillë, me paralajmërimin e Kur’anit qe shuar. Hz. Ebu Bekri u jepte diçka nga malli i shtetit dhe ato mjaftoheshin me ç’u jepej. Edhe kjo nuk ishte kushedi çfarë, vetëm aq sa ç’u jepej njerëzve të radhës. Hz. Ebu Bekri nuk i pati trajtuar ato as në nivelin e atyre që patën hyrë të parët në Islam, kështu që u pati lidhur atyre zonjave të bekuara një rrogë të vogël, shumë më poshtë se të muslimanëve të parë. Kështu pati vepruar Hz. Ebu Bekri, sepse i tillë ishte opinioni i tij. Por kur u bë kalif Hz. Omeri, u lidhi të vejave të Profetit rrogë të shkallës së parë. Sipas tij, edhe pse gratë e Profetit nuk i përkisnin kohës së muslimanëve të parë, duhet të trajtoheshin së bashku me to pasi ishin njerëzit më të afërt të Profetit dhe do të vazhdonin të konsideroheshin gjer në kiamet nëna të muslimanëve. Edhe Omeri ashtu pati vepruar, sepse i atillë ishte opinioni i tij. Ndërkaq, specifika mbi të cilën ne deshëm të qëndrojmë me këmbëngulje, nuk janë këto gjëra, por çështja e vetme së cilës po i vijmë rrotull, niveli i lartë e i paarritshëm edukativ që arriti Profeti të realizojë te bashkëshortet. Ai qe një edukator i tillë që pati hyrë aq thellë në zemrat e bashkëshorteve, saqë nuk mendonin asgjë tjetër veç tij. Kurse ai u pati dhënë atyre nga gjërat e kësaj bote, domethënë, nga të mirat dhe favoret materiale, vetëm ato gjëra që i përmendëm më lart. Kjo do të thotë se ai kishte një tërheqje të tillë që e magjepste mjedisin që e rrethonte. Edhe kjo situatë flet për një anë tjetër të profetësisë së tij!

Meqë martesën e Profetit me shumë gra si një argument krejt të veçantë të profetësisë së tij, do ta parashtroj kur t’i vijë vendi, tani për tani atë çështje nuk do ta prekim. Ndërkaq, këtu do të them vetëm që shtëpia e bekuar e Profetit ishte si një shkollë ku praktikoheshin situatat specifike përkatëse të femrës. Pozita e veçantë e profetit në atë shtëpi si dhe specifikat përkatëse të femrës mësoheshin atje dhe pastaj i përcilleshin umetit, bashkësisë. Nëntëdhjetëpërqind të konkluzioneve dhe urdhrave mbi jetën familjare na janë përcjellë nga ana e bashkëshorteve të nderuara të të Dërguarit të Allahut. Për rrjedhojë, prania e grave në shtëpinë e tij me gjendje dhe nivele të ndryshme, ka qenë një domosdoshmëri. Vetëm për të mos u asgjësuar konkluzionet fetare, i Dërguari i Allahut i ka vënë gjoksin martesës me shumë gra pas moshës 53 vjeç dhe, në një kuptim, me këtë ka bërë sakrificë.

Po, në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut kishte nevojë për shumë gra. Meshkujt kishin mundësi gjithmonë të rrinin në faltore e të dëgjonin Profetin. Edhe nëse dikush nuk i ndiqte dot bisedat e një dite, shokët ia plotësonin mungesën duke ia përcjellë gjithçka ishte biseduar atë ditë. Por shumica e grave nuk e kishin një mundësi të tillë, sepse ato s’kishin mundësi gjithmonë e për çdo çast ta dëgjonin Profetin. Në këto kushte, kush do t’u fliste atyre veçanërisht për çështjet përkatëse të femrës? Kush do t’ia përcillte bashkësisë jetën private të Profetit, zakonet dhe shprehitë e tij, edukatën, etikën dhe moralin e dhomës bashkëshortore? A mund të mjaftonte, vallë, mundësia e një gruaje për ta përshkruar dhe përcjellë fenë së bashku me të gjitha parimet, bazat dhe disiplinat e saj?

Për shkak të natyrës njerëzore, as gruaja apo gratë e profetit nuk bëjnë përjashtim nga gratë e zakonshme përsa u përket problemeve të përditshme me të cilat përballet një grua e martuar, duke u shtuar, këtyre, edhe problemet e veçanta si bashkëshorte profeti. Atëherë, në rastin konkret të profetit Muhamed, një grua e vetme nuk do të kishte mundësi t’i përcillte e vetme të gjitha situatat, çështjet dhe problemet.

Prandaj gjithmonë ndjehej nevoja e shumë grave që do t’i përballonin dhe të na përcillnin aspektet përbërëse të gjendjes së Profetit, që do të kishin marrëdhënie të afërta e të ngushta me të. Dhe kjo nevojë s’kishte aspak lidhje me anën njerëzore të Profetit. Ajo ishte një nevojë dhe domosdoshmëri që buronte krejtësisht nga nevojat dhe domosdoshmëritë fetare. Edhe Profeti, për shkak të një nevoje dhe domosdoshmërie të tillë kishte marrë përsipër një peshë të rëndë.

Gratë e Profetit, jo vetëm qenë bërë shkas që fiset dhe tributë e tyre të lidheshin me të me lidhje krushqie e gjaku, por qenë bërë edhe ndërmjetëset më të mëdha të ruajtjes së mijëra haditheve. Mund ta them me siguri të plotë se bota femërore u detyrohet në shumë gjëra grave të të Dërguarit të Allahut. Aq shumë shërbime i kanë bërë ato fesë, saqë sikur të gjitha gratë t’i rreshtonin kokat si gurë kalldrëmi nën këmbët e tyre, përsëri nuk do t’ua paguanin dot hakun atyre.

Kështu, pra, as martesa e Profetit me disa gra nuk ishte një nevojë sensuale – sepse në një vend të nxehtë si Arabia kurrë nuk mund të thuhet se një burrë 53 vjeç ka nevojë për t’u martuar me shumë gra – as ato vetë nuk u martuan me të për nevoja sensuale ose për interesa materiale, sepse ai jetonte si njeriu më i varfër ndër njerëzit. Edhe gratë pranuan ose kërkuan të martoheshin me të duke e ditur gjendjen e tij ekonomike dhe mënyrën e jetesës.

Profeti sillej me gratë me drejtësi dhe dinjitet. Ai mund të takohej me secilën vetëm një herë në javë, megjithëkëtë, ato gjithmonë thonin: “I Dërguari i Allahut është njeriu më fytyrëqeshur, njeriu me sjelljet më delikate ndaj grave!”

Ju lutem, a nuk duhet të tregonin sadopak zemërim, si njerëz që ishin, këto gra që në shtëpi s’gjenin gjë për të ngrënë dhe që detyroheshin të vishnin të njëjtën rrobë për një kohë të gjatë? Por jo! Ne s’dimë për to gjë tjetër veç qëndrimeve që shprehnin pëlqim e kënaqësi ndaj tij. Pandeh se ata që do ta analizonin me kujdes historinë dhe bio-bibliografinë, do të më jepnin të drejtë mua!

Pavarësisht nga rëndësia dhe serioziteti i shpirtit profetik që kishte, Profeti afrohej dhe sillej në mënyrë delikate me gratë. Ndërkaq, në mes mbetej vetëm një perde e hollë që kishte të bënte me marrëdhëniet e tij me Allahun, sepse, në fund të fundit, ai ishte një profet. Edhe gratë e tij, para së gjithash, ishin umeti i tij...

Ishte e pamundur që të mbushej boshllëku i lidhjeve dhe marrëdhënieve me të, sepse edhe në këtë aspekt ai ishte i veçantë. Edhe gratë e tij nuk mund të mendonin kurrë një botë pa të.

Me Sevden Profeti pati lidhur kurorë qysh kur ndodhej në Mekë. Ajo ishte, atëherë, gruaja e dytë e Profetit. Por më vonë, nuk e dimë se me ç’shkak apo mendim, në një moment, Profeti deshi ta ndante. Kur e dëgjoi këtë, gruaja u godit rëndë. Ajo vrapoi menjëherë te Profeti vetë si dhe vuri edhe njerëz për të ndërmjetësuar. Ajo i lutej kështu atij: “O i Dërguari i Allahut! Unë s’pres prej tej asgjë të kësaj bote. Edhe një ditë që e pate ndarë për mua, ia kam lënë Aishesë. Po deshe, kurrë mos eja te unë as për të më pyetur se si jam. Vetëm mos më ndaj nga kurora me ty.

Dua të shkoj në botën tjetër si gruaja jote. Nuk mendoj dhe s’dëshiroj asgjë tjetër veç kësaj!” Kjo dëshirë e Sevdes u pranua nga Profeti dhe ajo mbeti si një nga bashkëshortet e nderuara të

Profetit.

Ja, kështu pati bërë vend Profeti në zemrat e tyre. Sikur ai ta kishte ndarë ndonjërën prej tyre, pa dyshim ajo do ta vinte kokën në pragun e tij dhe do të priste gjer në kiamet!

Kur pati ndjerë një herë shqetësim prej Hz. Hafsasë, Profeti qe shprehur kështu: “Po të dojë, i jap rrugë!” Edhe kaq pak fjalë, madje, mjaftuan për t’ia thyer krahët asaj. Ata që ndërmjetësuan te Profeti, nuk pushonin së treguari për vetitë e shquara të Hafsasë si grua që falte shumë namaz e agjëronte. Ata iu lutën profetit të mos e ndante Hafsanë. Dhe ai e konfirmoi edhe një herë qenien e saj që e kishte shoqe dhe bashkëshorte besnike, si banore të shtëpisë së lumtur profetike!

Gratë e quanin ndarjen prej Profetit më të rëndë se vdekjen. Në këtë pikë, të gjitha gratë pa përjashtim këtë ndjenin dhe këtë mendonin! Sepse Profeti i dy botëve kishte ngritur fron në zemrat e tyre në një mënyrë që nuk mund të shkulej e largohej që aty, kishte hyrë mes tyre dhe ishte bërë plotësisht një me to. Ai e kishte ndarë me to jetën e tij të bekuar, të butë e të natyrshme në atë mënyrë që ato e kishin krejt të pamundur të ndaheshin prej tij. Ndryshe, do të vdisnin si nga asfiksia!

Ç’është e drejta, pamja e tyre pas vdekjes së tij ishte pamje ndarjeje, malli dhe dëshpërimi.

Sa herë që Ebu Bekri dhe Omeri shkonin te gratë e Profetit, i gjenin ato duke qarë. Kishte ndodhur që edhe ata vetë të uleshin e të qanin bashkë me to dhe kjo pati vazhduar gjatë gjithë jetës së tyre. Ja, të tillë gjurmë të pashlyeshme pati lënë i Dërguari i Allahut tek to. Ndoshta kishin kaluar shumë pak kohë me të, por Profeti i dy botëve qe bërë burim jete për to. Kjo është edhe e veçanta e tij që kërkojmë të tregojmë. Edhe si kryetar familjeje ai kuptohet fare qartë se ishte i Dërguari i Allahut!

Qe një periudhë kur ai i pati të nëntë gratë, të cilat i pati mbajtur dhe trajtuar pa i lënë shteg asnjë problemi serioz. Një kryetar familjeje dhe bashkëshort i tillë delikat e i shquar ishte ai!

Pak ditë para se të vdiste, Profeti pati thënë: “Robi u la i lirë të zgjidhte Zotin apo këtë botë dhe ai zgjodhi Zotin e tij!” Njeri tejet i zgjuar, Ebu Bekri e pati kuptuar aludimin dhe pati qarë me ngashërim. Robi për të cilin bënte fjalë Profeti, ishte ai vetë. Sëmundja e Profetit nuk vazhdoi gjatë. Çdo ditë që kalonte, sëmundja i rëndohej edhe më shumë. Edhe në atë gjendje ai nuk e braktisi delikatesën dhe respektin ndaj të drejtave të grave. Ngaqë nuk mund t’u shkonte për vizitë në dhomat e tyre, Profeti iu lut grave ta lejonin të qëndronte vetëm në një dhomë dhe ato të gjitha ia pranuan lutjen. I Dërguari i Allahut i kaloi ditët e fundit në dhomën e Hz. Aishesë. Kështu, pra, ai i respektonte të drejtat e grave edhe në kushtet më të rënda. Shpirt të tillë kishte ai!

2. Vlera që u jepte bashkëshorteve

Vlera që i pati dhënë i Dërguari i Allahut gruas ishte e një niveli të paparë gjer atëherë dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot. Sikur të ngrihej një natë e të pyeste për shëndetin dhe mirëqenien e ndonjërës nga gratë, ai, do të shkonte edhe te të tjerat për t’i pyetur e respektuar po njëlloj. Nuk vërehej që, në sjelljen ndaj tyre, ai të parapëlqente ndonjërën ndaj të tjerave. Si çdo njeri tjetër, edhe secila nga gratë e pandehte veten si njeriun më të dashur për të Dërguarin e Allahut, gjë që buronte nga mirësia dhe bujaria e tij e madhe. Ndërkaq, ashtu siç asnjë njeri nuk mund t’i sundojë prirjet e zemrës, kjo gjë nuk duhej pritur as prej tij. Prandaj Profeti i kërkonte falje Allahut për prirjet e zemrës që s’i kishte në dorë dhe thoshte kështu: “Mund të

ndodhë që, pa i rënë as vetë në të, ta dua njërën më shumë se të tjerat dhe kjo do të ishte padrejtësi. Prandaj, o Zoti im, strehohem në mëshirën tënde nga kjo gjë që s’e kam në dorë!”

O Zot i madh! Ç’delikatesë, kjo, ç’hijeshi! Po ju pyes: a mundët gjer më sot t’i doni djemtë apo vajzat pa bërë dallime mes tyre? Me lejen tuaj, do të përgjigjem unë në vendin tuaj: Jo! Sigurisht, njëqind mijë herë jo! Le “jo”-në, sikur të mundnim t’i fshihnim prirjet tona ndjesore, ne, do ta quanim për vete shenjë karakteri e vullneti të fortë, kurse jo vetëm që këtë s’e bëjmë dot, por, ashtu siç lëvdohet koptiu për trimëritë e tij, e themi me të madhe! Kurse i Dërguari i Allahut pendohej për mundësinë e lindjes së pavullnetshme të një prirjeje të tillë në vetvete dhe i lutej Allahut ta falte!

Kjo delikatesë te ai do të ishte reflektuar me të gjithë anët e veta edhe te shpirtrat e bashkëshorteve që ndarja e tij pati lënë pas një vetmi dhe mall të pambarim. Ndoshta nuk i jepnin fund jetës sepse këtë gjë Islami e ndalonte, mirëpo, pas largimit të të Dërguarit të Allahut, jeta për to qe bërë një klithmë e gjatë, një dhimbje e pashuar!

Në të vërtetë, Profeti sillej me delikatesë dhe respekt ndaj të gjitha grave dhe këtë gjë ua këshillonte edhe të tjerëve. Nga ana tjetër, atë që ua këshillonte të tjerëve, e bënte vetë praktikisht me gratë e veta. Këtë hollësi sjelljeje të tij e shohim kështu te Buhariu. Ngjarjen na e përcjell Sad b. Ebi Vakasi nga Hz. Omeri. Hz. Omeri thotë: “Një ditë, hyra te i Dërguari i Allahut dhe e gjeta duke qeshur. Ai vazhdoi të qeshte edhe pasi unë u ula. I thashë: “Allahu të dhëntë buzëqeshje të përjetshme, o i Dërguari i Allahut! Pse qesh?” Ai m’u përgjigj pa e lënë buzëqeshjen: “Qesh me këto gratë! Ishin ulur e po bisedonin me mua. Sapo ta dëgjuan zërin, u fshehën secila në një qoshe!” U fola me zë të lartë grave që s’i shihja, por që e dija se ishin fshehur aty rrotull dhe më dëgjonin: “O armike të vetvetes! Domethënë keni frikë nga unë e jo nga i Dërguari i Allahut dhe silleni pa respekt pranë tij, apo jo?” Ato m’u përgjigjën: “Ti je i ashpër e i egër!”7

Në të vërtetë, Hz. Omeri s’ishte i ashpër, zemërak dhe i egër. Edhe ai mbante qëndrim delikat ndaj grave, por ashtu si njeriu i zakonshëm kur krahasohet me Hz. Jusufin me bukuri të pashoqe, duket i shëmtuar, ashtu dhe Hz. Omeri, kur krahasohej me Profetin në sjelljen e butë dhe delikate ndaj grave, dukej i ashpër, zemërak e i egër. Ky konkluzion relativ buronte nga krahasimi i tij me të Dërguarin e Allahut, mirëpo askush nuk mund të krahasohej me të Dërguarin e Allahut!

Gratë qenë mësuar me butësinë dhe delikatesën e të Dërguarit të Allahut, prandaj sjelljet e Hz. Omerit u dukeshin të ashpra e të egra. Kurse Hz. Omeri ishte ai që në të ardhmen do ta mbante mbi supe pa të metë peshën e zëvendësit të Profetit! Ai do të bënte një jetë të përkorë por tejet të ngjeshur dhe do të bëhej një nga shembujt më të shquar pas profetëve. Në kohën për të cilën po flasim, këtë s’e dinte askush, megjithëse qysh në atë kohë Hz. Omeri qe shquar për karakter të jashtëzakonshëm dhe drejtësi. Erdhi dita dhe personaliteti i tij u shpalos me të gjitha cilësitë dhe ai la pas një emër të pashlyeshëm. Hz. Omeri kërkonte pjekuri në të gjitha qëndrimet e sjelljet si për veten, ashtu dhe për të tjerët dhe bënte përpjekjet më të mëdha për ta parë dhe treguar të drejtën-të drejtë dhe të shtrembrën-të shtrembër!

Te ai kishte një cilësi shpirtërore që do ta sillte në pozitën e kalifatit, zëvendësit profetik. kjo cilësi shpirtërore mund t’u dukej e ashpër të tjerëve. Mirëpo vetëm me një cilësi shpirtërore të tillë do të mund të bëhej i suksesshëm ai kur t’i vinte supet kauzës së madhe që do ta përfaqësonte, dhe u bë!

3. Këshillimi me bashkëshortet

I Dërguari i Allahut ulej e bisedonte me gratë, madje disa çështje i diskutonte me to si shok.

Profeti nuk kishte aspak nevojë për idetë dhe mendimet e tyre sepse ai mbështetej nga zbulesa

hyjnore. Mirëpo Profeti donte t’i mësonte disa gjëra umetit, bashkësisë së tij. Sa për gratë, ato do të viheshin në një vend shumë të lartë, në kundërshtim me vendin që u ishte dhënë gjer atë ditë dhe, si çdo praktikë tjetër, edhe këtë i Dërguari i Allahut e fillonte nga shtëpia e vet!

... dhe një shembull

Marrëveshja e Hudejbijes u kishte ardhur shumë e rëndë muslimanëve! Pas nënshkrimit të saj, askujt s’i kishte mbetur më as fuqi e as dëshirë për të lëvizur vendit. Në këtë mes, Profeti u tha shokëve të thernin kurbanët që kishin marrë me vete me qëllim për umre, dhe të dilnin nga ihrami. Mirëpo sahabet nuk u ngutën ta zbatonin kërkesën e profetit me shpresën se mos bëhej ndonjë ndryshim në marrëveshje dhe shkonin në Qabe për vizitën e umres ashtu siç e kishin vënë si qëllim në nisje. Profeti e përsëriti kërkesën. Por qëndrimi i shokëve nuk ndryshoi. Kjo s’ishte aspak një opozitë ndaj Profetit. Ata prisnin vetëm një gjë: një ndryshim në urdhër, sepse ishin nisur me tjetër qëllim! Ato që ishin thënë aty, në Hudejbije, mund të mos zbatoheshin, por të rishikoheshin.

Profeti i kuptoi shokët pa fjalë dhe hyri në çadrën e vet. Ai u këshillua me gruan që kishte me vete, Ummu Selemen. Kjo grua me horizont të gjerë e dha mendimin e vet vetëm për hir të këshillës, sepse edhe ajo e dinte se Profeti nuk kishte aspak nevojë për ato gjëra që do t'i thoshte ajo. Me këtë këshillim, Profeti na jepte një mësim me vlerë shoqërore. Në kushte dhe raste të tilla nuk ishte aspak pa vend këshillimi me gruan, pra, duhej bërë një këshillim i tillë.

Ummu Seleme i dha Profetit pak a shumë këtë mendim: “O i Dërguari i Allahut! Mos e përsërit edhe një herë tjetër urdhrin se mos të kundërshtojnë dhe kjo gjë do t’i dëmtonte ata. Dil ti i pari, there kurbanin tënd dhe, pa thënë asnjë fjalë, dil nga ihrami. Me këtë, ata do ta kuptojnë se urdhri yt është i formës së prerë dhe, dashje pa dashje, do të të binden!” Profeti qe i një mendjeje me të. Ai doli jashtë dhe, pa thënë asnjë fjalë, pa komunikuar me asnjeri, filloi t’i therë kurbanet e tij. Atëherë edhe shokët filluan t’i therin kurbanet e vetë e të dilnin nga ihrami. Secili e kishte kuptuar se nga marrëveshja e bërë s’kishte kthim!

Nuk do të bëj dot pa ju pyetur: Cili nga ne ka treguar një konsideratë të tillë ndaj gruas? Sa kryetarë shtetesh ka që këshillohen me gruan e vet në çastet më të vështira? A mund t’i shumëfishojmë pyetjet për t’ua drejtuar të njëjtën pyetje të gjitha uniteteve shoqërore? Le t’u kumbojnë veshët të gjithë atyre me gojën sa një çorape që thonë se Islami e ka robëruar femrën! Cili feminist, vallë, ka arritur në këtë nivel?

Edhe këshilla dhe këshillimi, si çdo punë tjetër e dobishme dhe e bekuar, u praktikua më parë në shtëpinë profetike dhe i Dërguari i Allahut u këshillua me bashkëshortet. Ne ende vijmë rrotull rreth kësaj mendësie dhe nuk e dimë se nga mund të hapet kjo portë enigmatike. Madje, ne nuk e kemi arritur mundësinë për t’i rënë tokmakut të kësaj porte. Sot, edhe në mendimin e atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e femrës, madje, femra nuk ka shpëtuar ende nga të qenit një qenie e dorës së dytë. Kurse ne e shohim femrën si gjysmën e një uniteti, ekzistenca e së cilës është kusht për ekzistencën e gjysmës tjetër të këtij uniteti. Ne besojmë se uniteti njerëzor mund të formohet vetëm nëse bashkohen të dyja pjesët. Aty ku s’është ky unitet, nuk ka as njerëzí. Nuk ka as profetësi, as Islam, as komb.

Ashtu siç paraqitej në qëndrime e sjellje bujar dhe nderues ndaj grave të veta, ashtu dhe me fjalët e tij të ndritshme, Profeti nxiste dhe mbështeste të tjerët të silleshin bujarë e respektues ndaj grave. Në një porosi të tij, Profeti thotë: “Muslimani me besimin më të patëmetë, është ai me moralin më të lartë. (Me anë të moralit të lartë njeriu arrin nivele të tilla, lartësohet në qiej njerëzorë të tillë, që nuk mund t’i arrijë me asnjë lloj adhurimi.) Kurse muslimani me moralin më të lartë është ai që sillet më mirë me gratë!”

Shihet se, nëse në historinë e njerëzimit femra e ka gjetur ndonjëherë atë që ka kërkuar dhe është nderuar ndonjëherë, kjo ka ndodhur në kohën e profetit Muhamed (s.a.s.)!

4. Ngjarja e lejimit të bashkëshorteve për të zgjedhur

Këtu është fjala për lejimin nga ana e Profetit të bashkëshorteve të veta të lira për të jetuar apo jo së bashku me të. Pavarësisht nga burimi, kjo ngjarje ka të bëjë me një urdhër të engjëllit Xhebrail drejtpërdrejt për Profetin. Ajeti kur’anor mbi këtë çështje thotë kështu: “O i Dërguar! Thuaju grave: “Po qe se doni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, ejani t’ju fal dhe t’ju lë të lira me të mirë! Por po qe se doni Allahun, të Dërguarin dhe jetën e ahiretit, dijeni se Allahu ka përgatitur për ato nga ju që sillen mirë, shpërblim të madh!” (Ahzab, 33:28-29)

Ka mundësi që disa nga gratë e Profetit të kenë dëshiruar një jetë më me mirëqenie dhe të kenë thënë: “A s’mund të jetojmë edhe ne, si gjithë muslimanët e tjerë, pak më mirë? Të paktën, të gatuajmë një herë në ditë! Edhe rrobat t’i ndërrojmë pak më shpesh!” etj. Në shikim të parë, meqë kjo dhe kërkesa të ngjashme janë legjitime, mund të duken si mjaft të pafajshme e të drejta. Mirëpo ato ndodheshin në një shtëpi të tillë që do të mbetej shembull për të gjitha foletë familjare gjer në kiamet. Edhe me këtë aspekt, bashkëshortet e Profetit ndodheshin në qendër të vëmendjes. Për rrjedhojë, ato nuk mund të silleshin dhe vepronin si muslimanët e tjerë, sepse ato ishin ndër njerëzit e afërt të Zotit. Gjërat e konsideruara të mira e mirësi për të tjerat, duhet të pranoheshin si mëkat për bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut!

Kur Profeti ndjeu një dëshirë të tillë te disa prej bashkëshorteve, kaloi menjëherë në një korrigjim qëndrimi. Ai u betua se nuk do të takohej me to dhe u tërhoq në ballkonin e shtëpisë. Ngjarja u dëgjua menjëherë. Çdo njeri vrapoi në faltore dhe zuri të qajë, sepse edhe dëshpërimi më i vogël i të Dërguarit të Allahut mjaftonte për t’i bërë muslimanët të qajnë. Të gjithë muslimanët ishin njësuar aq shumë me Profetin, saqë shqetësimi më i vogël në shtëpinë e tij merrej vesh menjëherë dhe muslimanët prisnin me padurim të merrte fund. Kështu ndodhi edhe atë ditë.

Ky korrigjim qëndrimi e sjelljeje nga Profeti quhet edhe “ngjarja i’la”. Veç vlerësimeve të mësipërme për këtë ngjarje, kishte nga ata që e shihnin me sy tjetër. Ndër këta të dytët ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri që kishin vajzat e tyre mes bashkëshorteve të Profetit. Edhe Ebu Bekri dhe Omeri, sapo e mësuan ngjarjen, vrapuan për në faltore.

Ata kërkuan leje për të hyrë te Profeti por nuk iu dha. Atëherë, si gjithë të tjerët, edhe ata filluan të presin në faltore. Herën e tretë të kërkesës morën leje, hynë brenda dhe filluan t’i qëllojnë të bijat me shuplaka. Profeti i ndiqte veprimet e tyre nga larg dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, tha vetëm këto fjalë: “Këto kërkojnë prej meje gjëra që s’janë në dorën time!” Kurse Kur’ani u thoshte atyre: “O gra të të Dërguarit! Ju s’jeni si gratë e tjera!”13 (Ahzab, 33:32)

Gratë e tjera mund të shpëtonin vetëm duke kryer farzet, kurse ato që i vinin supet kësaj pune në qendër, ato që në mjedisin e tij intim ishin prezantueset intime të shumë të vërtetave, duhet ta sakrifikonin tërë qenien e tyre në mënyrë që në qendër të mos ndihej dobësi. Të qenët bashkëshorte profeti kishte shumë përparësi, por, edhe po aq rreziqe. I Dërguari i Allahut i përgatiste ato për të qenë modele për fenë dhe botën. Ai kujdesej për to që të mos i hanin dhuntitë e botës së përjetshme qysh në këtë botë e të mos pësonin shuplakën e ajetit që thotë: “... ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e kësaj bote...!” (Ahkaf, 46:20) Profeti i ruante ato si dritën e syve! Prandaj, nga disa anë, në shtëpinë bëhej një jetë e vështirë. Ja, pra, si rrjedhojë e kësaj jete ndodhnin hapur ose tërthorazi disa kërkesa të vogla. Ndërkaq, pozita e tyre s’ishte si e të

gjithave. Ato kishin disa përgjegjësi si rrjedhojë e pozitës ku ndodheshin. Ato s’mund të qeshnin si të gjitha, s’mund të hanin e pinin si të gjitha! Me të vërtetë, disa njerëz të mëdhenj kanë qeshur vetëm nja dy herë gjatë gjithë jetës, kurse disa të tjerë, gjatë gjithë jetës nuk e kanë mbushur barkun asnjëherë!

Fudajl b. Ijad pothuaj nuk qeshte kurrë. Vetëm një herë e patën parë duke qeshur dhe e patën pyetur të çuditur për shkakun. Dhe ai e pati shpjeguar kështu shkakun e asaj buzëqeshjeje të rrallë: “Sot më njoftuan për vdekjen e tim biri, Aliut. “E paska dashur Allahu” – u gëzova me vete dhe buzëqesha!”

Kur puna qëndron kështu me të mëdhenjtë, sigurisht që Profeti i cili ishte i madhi i të mëdhenjve dhe bashkëshortet e virtytshme të Profetit, të cilat ishin si nënat e të gjithë umetit, do të ishin shumë të ndryshme nga të tjerët!

Denjësia për të qenë bashkë me Profetin në këtë botë dhe në përjetësi nuk është një përfitim që mund të arrihet aq lehtë. Prandaj, siç e thekson ajeti, këto gra të veçanta e të zgjedhura jepnin një provë vullneti. I Dërguari i Allahut i linte të lira ato të zgjidhnin midis shtëpisë së tij të varfër dhe pasurisë e shkëlqimit të kësaj bote. Po qe se do të zgjidhnin pasurinë dhe shkëlqimin e kësaj bote, Profeti do t’u jepte ç’të kërkonin, por pastaj do t’i linte. Por po qe se do të zgjidhnin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do t’u duhej të pranonin standardin e jetesës që kishin bërë gjer atëherë, sepse kjo ishte një nga specifikat e asaj shtëpie. Meqë ajo shtëpi ishte e veçantë, e posaçme, edhe banorët dhe banoret e saj duhet të ishin të veçantë e të posaçëm. I tillë ishte kryetari i asaj familjeje. Atëherë edhe gratë dhe fëmijët duhet të ishin si ai!

Profeti thirri të parën Hz. Aishen dhe i tha: “Dua të bisedoj diçka me ty, por mos u nxito të më japësh përgjigje pa biseduar me prindërit!” Pastaj Profeti i lexoi asaj ajetin që përmendëm në krye të kësaj çështjeje. Përgjigjja e Aishes qe e denjë për vajzën besnike të babait besnik: “O i Dërguari i Allahut! Për këtë çështje do të bisedoj unë me prindërit? Vallahi, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”

Vazhdimin na e tregon Hz. Aishja kështu: “I Dërguari i Allahut bisedoi me të gjitha gratë dhe mori të njëjtën përgjigje prej secilës. Asnjëra prej tyre nuk shfaqi ndonjë mendim tjetër. Ç’të kisha thënë unë, thanë edhe ato!”

Ato thanë të njëjtën gjë sepse të gjitha ishin lidhur dhe bërë një me të Dërguarin e Allahut dhe s’mund të thonin të kundërtën. Po qe se i Dërguari i Allahut do t’u thoshte të agjëronin gjatë gjithë jetës pa prishur në iftar, ato do të pranonin, siç edhe pranuan dhe ashtu pranuan që iftari i këtij agjërimi u bë për to sherbeti i vdekjes së tyre i ofruar nga Azraili!

Mes grave të Profetit kishte nga ato që kishin bërë jetë pallati. E tillë ishte Hz. Safija. Në Hajber ajo humbi të atin dhe të shoqin. Të dy ata kishin qenë zotërinjtë e Hajberit. Safija ndodhej mes robërve të luftës, gjë që e kishte prekur rëndë atë grua krenare. Prandaj dhe, kur e pa të Dërguarin e Allahut, u nxeh shumë me të, aq sa, ndoshta, nuk ishte nxehur me njeri tjetër në botë gjer atëherë. Por zemërimi i saj nuk vazhdoi gjatë. Ndjenjat e saj ndërruan menjëherë... Kështu, pra, në shtëpinë e Profetit kishte edhe gra si Safija, e ardhur nga pallati, e cila pranonte jetën e rëndë të shtëpisë profetike ku nuk mundej as ta mbushte barkun me bukë! Safija bënte të njëjtën jetë si gratë e tjera. Ndërkaq, me personalitetin e tij tejet të veçantë e të shquar, Profeti kishte hyrë në zemrat e tyre në atë mënyrë që bashkëjetesa me të, pavarësisht nga çmimi që duhej të paguanin, përbënte qëllimin e vetëm të të gjitha grave të tij! Nga prejardhja, Safija ishte çifute. Një ditë, njëra nga gratë ia përplasi syve asaj këtë fakt, duke i thënë: “Moj çifute!” Safija ia tregoi Profetit incidentin dhe i foli për hidhërimin dhe dëshpërimin e saj. Profeti e ngushëlloi dhe qetësoi atë me këto fjalë: “Po qe se të thonë edhe një herë kështu, jepu këtë përgjigje: “Im atë është Haruni, im ungj është Musai, kurse im shoq, siç e

dini, Muhamed Mustafai! Po ju, me ç’mund të krenoheni para meje?” Dhe Safija, duke u larguar nga prania e Profetit, e linte pas të gjithë hidhërimin dhe dëshpërimin, sepse burri i saj ishte Muhamed Mustafai! Aty e tutje ajo do të krenohej vazhdimisht me këto fjalë!

Shkurt, cilësia e Profetit si kryetar familjeje e kapërcente nivelin e të mrekullueshmes me sa e pranojmë ne zakonisht. Fakti që ai i administronte kaq gra me kaq lehtësi duke u dashur gjer në fund prej tyre, fakti që ai ishte i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve dhe edukatori i shpirtrave të tyre, fakti që, pavarësisht nga të gjitha këto, ai nuk bënte asnjë lëshim në detyrën e tij dhe nuk nënvleftësonte asgjë nga punët që kishin të bënin me shtetin dhe popullin, janë argument dhe provë e hapur e profetësisë së tij. Po qe se për profetësinë e tij s’do të kishte asnjë argument tjetër, vija që ndiqte ai si kryetar familjeje do të ishte e mjaftueshme si argument dhe provë e profetësisë së tij!

B. PROFETI MUHAMED SI PRIND

I Dërguari i Allahut, i cili qëndron vazhdimisht në kulm, pothuaj në të gjitha aspektet e jetës pati përbërë një kulm. Duke e kërkuar atë, njerëzit s'duhet ta kërkojnë as në nivelin e vet, as dhe në nivelin e njerëzve të mëdhenj të epokës së vet. Duke e kërkuar atë, studiuesit duhet të mendojnë gjithmonë kulmet më të lartë të botës dhe me përfytyrim duhet të përsillen mbi kulmet, në mënyrë që të mos bëjnë krahasime dhe vlerësime të gabuara. Nëse do ta kërkojnë Profetin Muhamed (s.a.s.), ata duhet ta kërkojnë patjetër në horizontin e tij, sepse është e pamundur të arrihet te Profeti Muhamed me anë të përfytyrimeve të cunguara të njerëzve si ne! Si dhurata e lartë e Tij, Allahu i ka dhuruar epërsi në çdo fushë.

Krenaria e njerëzimit jetoi dhe perëndoi si një krenari. Njerëzimi nuk e pa dhe nuk mundi ta shihte edhe një herë tjetër të ngjashmin e tij. Ashtu siç nuk e pa tërë njerëzimi, nuk e panë dot as disa bashkëkohës, madje as disa nga ata që i rrinin pranë. Ndoshta shumica, vlera e të cilëve ishte e kushtëzuar me të, ashtu si lulet që çelen e vyshken me diellin, arritën ta kuptojnë perëndimin e tij kur u vyshkën vetë, vetëm se shumë vonë. Natyrisht, numri i atyre nga umeti i e tij, që e patën njohur dhe respektuar, ka qenë gjithmonë më i madh se i të tjerëve.

Megjithëse kanë kaluar 14 shekuj, ne u themi Hatixhes, Aishes, Ummu Selemes, Hafsas: "nënë, nëna jonë" dhe ndjejmë një kënaqësi të veçantë nga ç'mund të shkaktojnë zakonisht këto fjalë. Sigurisht që kjo ndjenjë ishte në atë periudhë më e thellë, më e brendshme, më e sinqertë. Dhe kjo ndodhte përsëri për hir të Profetit. Ebu Bekri i thoshte të bijës Aishe, "nëna ime". A nuk e thoshte këtë edhe ajeti kur'anor? "Bashkëshortet e të Dërguarit janë nënat e besimtarëve!" (Ahzab, 33/6) Ja, me këtë mendim i thoshte "nënë" Ebu Bekri vajzës së vet që e pati lindur e rritur në shtëpi! Ç'e do se gjithë respekti, afërsia dhe dashuria e veçantë që tregonin muslimanët për bashkëshortet e Profetit nuk patën mundur t'ua heqin atyre hidhërimin dhe dëshpërimin që u shkaktonte mungesa e tij. Gjer ditën kur perënduan një e nga një, edhe në kohët më të lumtura, ato qenë ngritur e ulur të hidhëruara, patën menduar e biseduar të hidhëruara.

Siç ishte një kryetar familjeje i jashtëzakonshëm në zemrat e bashkëshorteve të tij, Profeti ishte, në të njëjtën kohë, një baba i përsosur e me ndjenja atërore të thella si dhe, natyrisht, një gjysh i pashoq po me atë thellësi ndjenjash atërore. Edhe në këtë fushë ai ishte i pashembullt.

Ai i trajtonte fëmijët dhe nipërit me dhembshuri të jashtëzakonshme dhe, duke i trajtuar kështu, nuk mungonte t'ua kthente shikimet ndaj jetës së pasosur dhe gjërave të larta e sublime. Duke i ushqyer në prehër, u buzëqeshte në sy, i përkëdhelte e i çmonte dhe, në këtë mes, kurrë nuk i pëlqente që ata t'i nënvleftësonin çështjet e larta. Brenda kësaj mendësie, ai ishte ndaj tyre jashtëzakonisht i hapur, por edhe mjaft serioz dhe i rëndë në ruajtjen e marrëdhënies së tij me Allahun. Nga njëra anë, duke u sjellë lirshëm me ta, u tregonte se si të

jetonin si njerëz, nga ana tjetër, nuk u jepte shteg të silleshin të çlirët aq sa ta zhvlerësonin veten. Jo vetëm nuk u jepte shteg, por përpiqej me ndjeshmëri e kujdes të lartë për ta penguar degjenerimin e tyre dhe i përgatiste ata vazhdimisht për botët e larta shpirtërore. Edhe me këtë mënyrë trajtimi e veprimi, i Dërguari i Allahut përfaqësonte rrugën e mesme, larg qëndrimeve të skajshme, përfaqësonte rrugën e drejtë. Edhe kjo përbën një përmasë tjetër të zgjuarsisë së tij profetike!

1. Dhembshuria ndaj fëmijëve dhe nipërve

Në një hadith të rrëfyer nga Muslimi, Enes b. Maliku i cili pati nderin e lartë t'i shërbejë të Dërguarit të Allahut dhe ta kryejë këtë punë me besnikëri të lartë për dhjetë vjet me radhë pa ndërprerje, thotë: "Nuk kam parë njeri më të dhembshur ndaj pjesëtarëve të familjes se Hz. Muhamedi!"

Me të vërtetë, aq i dhembshur ishte Profeti, aq sinqerisht sillej dhe aq hapur vepronte, saqë është e pamundur të tregohet një kryetar familjeje dhe baba i dytë si ai!

Ndërkaq, po qe se ky pohim do të ishte vetëm i yni, rëndësia e tij ndoshta do të mbetej e kufizuar. Mirëpo janë me miliona njerëz të thelluar në dhembshuri sa të druhen të ngacmojnë edhe një milingonë, të cilët e pohojnë dhe e shpallin se nuk ka pasur njeri tjetër si i Dërguari i Allahut që të ndjente dhembshuri si ai për tërë qenien!

Si çdokush tjetër, edhe ai ishte krijuar si njeri, por Allahu kishte vënë në zemrën e tij një interesim të thellë për të gjithë qenien me qëllim që të krijonte lidhje me njerëzit. Prandaj ndodhte që i Dërguari i Allahut ishte plot interesim të paparë edhe ndaj pjesëtarëve të familjes, edhe ndaj njerëzve të tjerë.

Të gjithë fëmijët meshkuj i kishin vdekur herët. Më në fund, i kishte lindur një djalë prej të shoqes Marie, por edhe ai nuk i kishte jetuar. Mes dhjetëra punëve të rëndësishme, Profeti shkonte shpesh te djali që ndodhej te taja, mëndesha, e merrte në krahë, në prehër, e përkëdhelte, e puthte dhe pastaj kthehej në shtëpi. Edhe kur djali pati vdekur, e pati marrë në krahë duke shprehur me sytë plot lot hidhërimin e tij. Dhe atyre që e shihnin me mahnitje, u pati thënë: "Zemra dëshpërohet, sytë qajnë, por, inshallah, në dashtë Allahu, nuk do të themi gjë tjetër veç asaj që thotë Allahu e që i pëlqen Allahut!" Dhe, duke bërë me shenjë gjuhën e vet, u pati thënë: "Allahu të dënon për këtë!"

Le ta përsërisim edhe një herë se Profeti ishte më i mëshirshmi e më i dhembshuri i njerëzve!

Ai i merrte nipërit Hasan dhe Hysen në krahë a në shpinë dhe shëtiste andej-këtej. A mund ta merrte fëmijën në shpinë një njeri i shkallës së tij e të dilte me të në rrugë a mes njerëzve? Ai e merrte dhe dilte! Dhe, duke vepruar kështu, përcaktonte të ardhmen e tyre dhe nderin që kishin për të fituar ata! Një ditë, kur përsëri Profeti po i shëtiste nipërit e tij hipur mbi shpinë brenda në shtëpi, hyri Hz. Omeri dhe, me t'i parë Hasanin dhe Hysenin në shpinë të Profetit, u tha: "Ç'kalë të bukur që keni!" Kurse Profeti iu përgjigj aty për aty: "Ç'kalorës të bukur këta!" Pavarësisht nëse të nipërit ishin të vetëdijshëm për këtë apo jo, Profeti i nderonte me këtë mënyrë. Edhe një radhë tjetër, kur dikush i pati thënë Hasanit se ç'kalë të mirë kishte, Profeti i qe përgjigjur aty për aty se edhe ai ishte një kalorës i mirë!25 Profeti ishte ati i të gjithë njerëzve

të shenjtë gjer në kiamet dhe, duke iu përkushtuar në mënyrë të veçantë këtyre dy imamëve të rëndësishëm të familjes profetike që bartnin në identitetin e tyre embrionet e nderit dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë, i bartte ata herë pas here në supe ose në shpinë. Në këtë interesim të veçantë të Profetit për ta, pa dyshim që kishte pjesë familja profetike që do ta përfaqësonin, si dhe të gjithë njerëzit e shquar e të shenjtë. Prandaj, Abdulkadir Gejlani, një pjesëtar me rëndësi i familjes profetike, duke u nisur nga fakti që etërit e tij qenë bartur në supet e Profetit, thotë me të drejtë kështu: "Këmbët e bekuara të të Dërguarit të Allahut janë mbi supet e mia, kurse këmbët e mia, mbi supet e të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë!" Gjithsesi, kështu do të vazhdojë të mbetet gjer në kiamet!

Një radhë tjetër, Profeti pati dalë përsëri me nipërit në supe dhe u pati thënë atyre kështu:

"Ç'kalë i mirë ky nën ju dhe ç'ngarkesë e mirë ju mbi të!" Kështu i pati çmuar ai të bijtë e të nipërit, pati ngritur fron në zemrat e tyre dhe qe bërë i merituari i një dashurie mbi dashurinë e etërve dhe gjyshërve!

Si në çdo çështje tjetër, edhe në edukimin e fëmijëve, i Dërguari i Allahut pati ndjekur gjithmonë rrugën e mesme. Ai i donte me shpirt fëmijët dhe nipërit, ua shfaqte dhe i bënte ta ndjejnë këtë dashuri. Por ai kurrë nuk lejonte që ndjenja e tij e dashurisë të përdorej për keq, megjithëse nuk ndodhi kurrë që dikush nga bijtë apo nipërit e tij të prireshin apo niseshin për të bërë një gjë të tillë. Por kur ata bënin ndonjë gabim pa e ditur ose pa dashje, Profeti e vishte dashurinë e tij me seriozitet dhe, me një ashpërsi të matur, i pengonte ata të bënin veprime të dyshimta. Për shembull, një radhë, Hasani apo Hyseni, ende mjaft të vegjël për ta njohur çështjen përkatëse si dhe gabimin, zgjat dorën dhe merr një hurma nga ato të caktuara për sadaka, lëmoshë. Profeti kundërvepron menjëherë, ia merr hurmën nga dora djalit duke i thënë: "Hurma sadaka është haram (e ndaluar) për ne!" Përgatitja e tyre qysh në atë moshë për të qenë të ndjeshëm ndaj haramit, gjërave jolegjitime, pra, të pabekuara e të ndaluara, është një nga shembujt e bukur të ekuilibrit në edukim!

Sa herë që Profeti të hynte në Medine kaluar, mund të shihje disa fëmijë të hipur bashkë me të e të kapur pas tij. Kjo do të thotë se Profeti nuk tregonte dashuri dhe dhembshuri vetëm ndaj fëmijëve dhe nipërve të vet, por edhe ndaj fëmijëve të shtëpive fqinje që banonin edhe më larg. Ai i merrte pranë ata me shumë dhembshuri dhe sinqeritet duke ua fituar zemrat me dashurinë që u tregonte.

Por dashuria e tij nuk u përkiste vetëm djemve e nipërve, por edhe vajzave dhe mbesave. Ashtu siç i donte Hasanin dhe Hysenin, ai e donte edhe të mbesën Umame. Dhe e donte aq shumë, saqë e patën parë edhe në rrugë me të mbesën në krahë ose në sup. Pati ndodhur edhe që ta merrte në shpinë Umamen kur falte namaz. Kur do të binte në sexhde, e ulte mbesën në tokë dhe, kur ngrihej, e merrte përsëri në shpinë.

Dashurinë për të mbesën Umame, Profeti e shfaqte para njerëzve dhe një shoqërie të tillë që gjer një ditë më parë i groposnin vajzat e vogla përsëgjalli. Kështu, interesimi dhe dashuria që tregonte hapur Profeti ndaj të mbesës, ishte diçka krejt e re, një mënyrë sjelljeje krejt origjinale e paparë ndonjëherë gjer në atë kohë!

2. Dashuria dhe dhembshuria për të bijën Fatime

Sipas Islamit, mes djemve e vajzave nuk ka dallim. Dhe këtë, i Dërguari i Allahut e pati treguar personalisht. Ç'dallim mund të bëhet kur njëri është Profeti Muhamed dhe tjetra, Hz. Hatixhe, kur njëri është Adem dhe tjetra, Hava, kur njëri është Ali dhe tjetra, Fatime? Fatimja,

bija e të Dërguarit të Allahut, nëna e të gjithë shtëpisë profetike gjer në kiamet, nëna e të gjithë neve!

Ja, pra, kur kjo Fatimja e veçantë shkonte te i ati, i Dërguari i Allahut, ngrihej në këmbë, e kapte për dore, e ulte pranë vetes. Pastaj e pyeste për mbarëvajtjen dhe shëndetin, ia shfaqte dashurinë, e përkëdhelte dhe, kur do të ikte, e përcillte sërish me të njëjtat ndjenja e konsiderata.

Erdhi një ditë që Aliu deshi të bënte një martesë të dytë me të bijën e Ebu Xhehlit. Ç'është e vërteta, edhe kjo vajzë, si vëllai i saj i madh Ikrime, kishte hyrë në Islam dhe ishte bashkuar me karvanin e përjetësisë. Por gjithsesi kjo martesë do ta shqetësonte Fatimen, megjithëse, ndërkaq, Aliu as që e kishte menduar këtë gjë! Fatimja shkoi te Profeti dhe ia paraqiti çështjen dhe ia shfaqi hidhërimin dhe dëshpërimin e saj. Edhe Profeti u hidhërua, pastaj u ngjit në minber dhe mbajti një hutbe, ligjëratë, ku tha kështu: "Dëgjova se Aliu dëshiroka të bëjë një martesë tjetër mbi Fatimen! Po qe se Aliu është i vendosur në këtë dëshirë, duhet ta ndajë Fatimen, sepse kjo gjë e ka dëshpëruar shumë Fatimen. Fatimja është një pjesë e vetes sime, kështu që ai më ka dëshpëruar edhe mua! Kjo do të thotë edhe se ai që e gëzon atë, më gëzon edhe mua!"

Mes të pranishmëve që dëgjonin Profetin ishte edhe Aliu. Ai hoqi dorë menjëherë nga mendimi dhe dëshira e martesës së dytë dhe u kthye te Fatimja!

Në fakt, Hz. Aliu e mbante të bijën e të Dërguarit të Allahut si dritën e syve; edhe Fatimja që e dinte se sa i lidhur ishte ai pas saj, pa asnjë dyshim e donte atë me shpirt. Nga ana tjetër, kjo femër e lartë dukej sikur s'kishte mision tjetër veçse të bëhej embrioni i figurave të shquara e të shenjta. Sytë e saj ishin vetëm mbi të atin dhe mbi kauzën e tij. Ndryshe s'ka si të shpjegohet e qara e thellë e saj kur i ati e njoftoi në mënyrë posaçërisht të fshehtë për të, se së shpejti do të vdiste dhe, po kështu, e qeshura e thellë e saj kur i ati, menjëherë pas kësaj, e njoftoi gjithashtu në mënyrë posaçërisht të fshehtë për të, se ajo do të ishte e para nga familja që do të vdiste pas tij e do të takohej me të në jetën tjetër! Edhe i ati e donte shumë atë, edhe ajo të atin. Ndërkaq, duke e dashur Fatimen, Profeti dinte ta ruante ekuilibrin, vepronte gjithmonë me maturi dhe e përgatiste atë sipas botëve që kërkonin lartësimin e shpirtit. Sepse bashkimi i përjetshëm do të bëhej vetëm atje. I Dërguari i Allahut me të bijën Fatime kishin jetuar bashkë vetëm 25 vjet. Ajo vdiq në moshën 25-vjeçare, gjashtë muaj pasi i ati kishte ndërruar jetë!

3. Përgatitja e fëmijëve për jetën e pasosur

I Dërguari i Allahut kërkonte përjetësinë, domethënë kërkonte atë gjë që kërkonin njerëzit nisur nga krijimi i tyre. Po, njeriu ishte krijuar për përjetësinë! Dhe nuk mund të kënaqej me gjë tjetër veçse me Individualitetin e Përjetshëm, prandaj nuk kërkonte tjetër veç Tij dhe, dashje pa dashje, vetëm Atë dëshironte! Nisur nga kjo, njeriu e ka të pamundur të ngopet e kënaqet gjer në çastin kur t'i jepni përjetësinë! Njeriu ka qëllime dhe dëshira të përjetshme, prandaj, çfarëdo që t'i jepni, nuk e kënaqni dot! Dhe prandaj, baza e mesazhit të të gjithë feve dhe profetëve është rregullimi jetësor me dimension përjetësie. Është për këtë arsye që i Dërguari i Allahut, ndërsa nga njëra anë u bartte atyre kënaqësi me prehër, nga ana tjetër nuk e nënvleftësonte aspak t'i përgatiste për kënaqësinë dhe lumturinë e përjetshme. Njërin prej shembujve më domethënës të kësaj mund ta shohim në ngjarjen e mëposhtme. Fatimja shkon te Profeti me një varëse në qafë. Sipas një rrëfimi (sipas rrëfimit të Neseiut), Profeti ia heq Fatimes varësen prej qafe. Sipas një rrëfimi tjetër, Fatimja shkon te Profeti me varësen në dorë.

Kur ia sheh varësen, Profeti ia heq prej dore Fatimes dhe i thotë: "A mos do që të tjerët të thonë se e bija e të Dërguarit mban në dorë një varëse, një zinxhir xhehenemi?" Nga njëra anë i quante të shtrenjtë ata, kurse nga ana tjetër e drejtonte interesimin, prirjen dhe pëlqimin e tyre krejtësisht nga ahireti, jeta e pasme, nga Allahu, nga bukuritë e larta e të përjetshme. Kjo fjalë i kishte mjaftuar Fatimes, sepse i vinte prej njeriut që kishte ngritur fron në zemrën e saj dhe që kishte triumfuar mbi të në të gjitha delikatesat e saj. Prandaj Hz. Fatimja thotë: "Varësen e shita menjëherë! Pata blerë një skllav që ia dhashë lirinë aty për aty! Pastaj shkova te i Dërguari i Allahut dhe, kur ia tregova një nga një të gjitha, u gëzua shumë. Pastaj hapi duart dhe e lavdëroi

Allahun me këto fjalë: "Lavdi Allahut që ma mbron Fatimen prej xhehenemit!"

Sigurisht që Fatimja nuk kishte hyrë në mëkat pse kishte vënë në qafë një varëse. Vetëm se i Dërguari i Allahut kërkonte ta mbante atë brenda kuadrit të të afërmve të Allahut. Qortimi i tij ishte i dimensioneve të devotshmërisë. Në një aspekt, ky ishte mosinteresim për këtë botë, domethënë, për vlerat materiale, por, më shumë, duke u nisur nga vendi (pozita) që zinin dhe bashkësia që do të përfaqësonin gjer në kiamet, ishte model ndjeshmërie dhe korrektese që i takonte nënës së Ehli Bejtit, shtëpisë profetike: sigurisht që s'ishte e lehtë të bëheshe nënë e burimit të dritës për adhurues të tillë si Hasani, Hyseni e, pas tyre, si Zejnelabidini. Profeti e përgatiste atë të bëhej nënë së pari e shtëpisë profetike, pastaj e Gejlaniut, Muhamed Bahauddin Nakshibendiut, Ahmed Rufaiut, Ahmed Bedeviut, Shazeliut e plot të tjerëve. Me qortimin dhe paralajmërimin që i bënte, sikur i thoshte asaj: "Bija ime, ti po hyn në shtëpinë e burrit dhe po shkon nuse në një shtëpi të tillë, nga e cila do të dalin hallka të arta të një zinxhiri sa e gjithë bota, prandaj lëre këtë varëse e shih të bëhesh nënë për ta!" Sigurisht, nuk ishte e lehtë të bëheshe nëna e atyre njerëzve të shquar e të shenjtë! Prandaj, në këtë çështje i Dërguari i Allahut ishte më i ndjeshëm e më i ashpër ndaj shtëpisë së tij. Me këtë sjellje, krahas dhembshurisë dhe mëshirës, duke ua kthyer atyre vështrimet në drejtim të botëve të larta e sublime, Profeti u kujtonte një aspekt tjetër të rrugës së drejtë (sirati mustakim) dhe, duke ua mbyllur të gjitha dyert e dritaret të këqijave të mëdha e të vogla, ua kthente vështrimet vetëm nga ahireti, jeta e pasme, dhe u thoshte: "Juve ju duhet vetëm Allahu!" Sepse në rrugën e tyre do të dilnin njerëz të tillë që do ta kalonin tërë jetën në dimensione të larta e sublime duke e kërkuar vetëm Allahun, siç do të shprehej poeti Junus Emre:

Ajo që ata quajnë xhenet, bukuri,

Katër-pesë pallate e ca hyri;

Jepua atyre që i kërkojnë ato,

Mua më duhesh Ti, më duhesh Ti!

Me këtë konsideratë, i Dërguari i Allahut nuk lejonte që njerëzit e tij më të dashur të ndoteshin nga interesat materiale dhe të këqijat pasuese, ua kthente vështrimet nga botët e larta dhe i përgatiste për bashkimin atje. "Personi rri bashkë me atë që do!" Po qe se e doni Profetin Muhamed, duhet të jeni dhe të ecni në rrugën e tij! Dhe ata që janë dhe ecin në rrugën e tij, Përtej do të bashkohen e do të jenë me të. Duke i përgatitur njerëzit e tij për këtë bashkim, Profeti, nga njëra anë i donte e i mbante pranë ata, nga ana tjetër, e vlerësonte dhe e shfrytëzonte shumë mirë këtë dashuri dhe afërsi. Ai sikur i thoshte të bijës: "Të dua, të kam zemër, të kam të çmuar. Allahu të bëri ty të çmuarën e umetit. Ti je në krye të njerëzimit si Hz. Merjemja!" Sipas një transmetimi të dokumentuar dobët, Profeti i ka thënë të bijës: "Po të kishte një profete, ajo do të ishte Merjemja. Edhe ti je një grua e asaj madhësie, prandaj duhet të jesh e matur dhe e çmuar të paktën sa ajo!" Dashuria duhet, dhembshuria duhet, mëshira duhet, por në asnjë mënyrë s'duhet lejuar ndonjë plogështi e lëshim kur është fjala për t'u përgatitur për jetën tjetër! Ja, pra, sirati mustakim, rruga e mesme dhe e drejtë dhe i Dërguari i Allahut, udhëtari që prin në atë rrugë!

4. Kërkesa e Fatimes për shërbyes

Një fragment tjetër nga sistemi i tij i edukimit të profetit na e japin Buhariu dhe Muslimi. Ngjarjen e tregon Hz. Aliu, i cili thotë: "Ne nuk kishim shërbëtor në shtëpi. Të gjitha punët i bënte Fatimja vetë. E gjithë shtëpia jonë përbëhej nga një dhomë e vogël. Aty Fatimja ndizte zjarrin dhe përpiqej të gatuante diçka. Shpesh detyrohej të ulej për ta fryrë zjarrin që të merrte flakë dhe shkëndijat që i binin mbi trup ia kishin bërë rrobën vrima-vrima. Ajo gatuante bukën, mbante ujë dhe bluante me mokrën e dorës. Nga rrotullimi i gurit të mokrës i kishin zënë kallo duart, kurse nga mbajtja e ujit, i kishte zënë kallo kurrizi! Një ditë, në kthim nga një fushatë, ushtria solli me vete në Medine robër lufte. Profeti ua ndante robërit banorëve të Medinës që i bënin kërkesë. Unë i thashë Fatimes të shkonte te i ati për t'i kërkuar një shërbëtor që ta ndihmojë në punët e shtëpisë..."

Dhe tani le ta dëgjojmë vazhdimin e ngjarjes nga vetë Hz. Fatimja. "Shkova te im atë por s'e gjeta në shtëpi. Aishja më tha se, sapo të vinte, do të më lajmëronte. Ne kishim rënë në shtrat kur i Dërguari i Allahut hyri papritmas. Unë dhe Aliu u përpoqëm të ngriheshim shpejt, por ai s'na la dhe u ul pranë nesh. Freskinë e këmbës së tij që më prekte në kraharor, e ndjeja thellë. I Dërguari i Allahut na pyeti se ç'kërkonim. Unë ia përshkrova gjendjen dhe ia tregova kërkesën. Ai u bë serioz menjëherë dhe më tha kështu: "O Fatime, frikësohu nga Allahu dhe mos lër asnjë të metë në detyrën tënde ndaj Allahut. Dhe kryeji siç duhet detyrat që të ka ngarkuar Allahu mbi supe. Dhe ji gjithmonë besnike dhe e bindur ndaj tët shoqi! (Ti ke dy detyra: adhurimin ndaj Allahut dhe bindjen ndaj burrit) Po të them ty edhe diçka të veçantë. Kur dëshiron të biesh në shtrat, të thuash tridhjetë e tri herë Subhanallah, tridhjetë e tri herë Elhamdulil'lah dhe tridhjetë e tri herë Allahu Ekber! Ja, kjo është më e dobishme e më e bekuar për ty se shërbëtori!"

Kuptimi i kësaj ishte kështu: Unë e drejtoj shikimin tënd nga botët e larta dhe ti ke dy rrugë për t'u takuar dhe bashkuar me mua atje: e para, ta kryesh pa asnjë të metë dhe mangësi detyrën e robit ndaj Zotit; e dyta, ta kryesh plotësisht detyrën dhe përgjegjësinë tënde ndaj burrit. Po qe se shërbëtori apo shërbëtorja zënë vendin tënd në detyrat e tua ndaj burrit dhe bëjnë ato gjëra që duhet t'i bësh ti, kjo mund të bëhet shkak që ti të mbetesh në një farë mase e mangët. Kurse ti duhet të jesh e përkushtuar e dyanshme, edhe ndaj burrit, edhe ndaj Zotit. Si mund të bëhet njeriu një rob i përsosur i Allahut dhe t'i kryejë detyrat ndaj Tij në mënyrë të përsosur? Si mund të bëhet njeriu një njeri i përsosur dhe t'i kryejë në mënyrë të plotë e të përsosur detyrat dhe përgjegjësitë që i bien sipër? Ja ç'të takon ty: të kërkosh t'i mësosh e t'i dish këto!

Ti më parë plotësoje në mënyrën më të përsosur detyrën e robit ndaj Zotit tënd dhe bëhu adhuruesja më e përsosur. Pastaj çoje në vend përgjegjësinë tënde ndaj një njeriu të madh si Aliu që bart në esencën e tij njerëzit e shquar e të shenjtë që do të vijnë gjer në kiamet, dhe bëhu një njeri i përsosur, në mënyrë që të takohesh e të bashkohesh me mua në xhenet që është vendi ku mblidhen të gjitha përsosmëritë dhe të përsosurit!

Këtu nuk ma bën zemra të kaloj pa parashtruar një specifikë të ndërmjetme lidhur me Hz. Aliun. I Dërguari i Allahut ia kishte dhënë vajzën Aliut pa u lëkundur aspak, sepse ai ishte i pajisur me dinjitetin për të qenë burri i një vajze profeti dhe dhëndër profeti, sepse ai ishte kryeshenjtor39 dhe i krijuar për t'u bërë baba shenjtorësh. Një ditë, i Dërguari i Allahut i pati thënë kështu atij: "O Ali! Brezi i çdo profeti ka vazhduar duke u nisur prej tij, kurse brezin tim do ta vazhdosh ti!"40 Pra, pati dashur t'i thoshte kështu: "Ti do ta ujisësh drurin tim gjenealogjik, ti do ta rritësh dhe ti do ta zhvillosh e rregullosh. Si rezultat, ata që do të mbledhin frytet, bashkë me mua do të përmendin edhe ty si pjesëtar të shtëpisë profetike!" Për rrjedhojë, po ta shohim

çështjen nga kjo anë, bindja ndaj Hz. Aliut është e njëjtë me bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut. Dhe bindja ndaj të Dërguarit të Allahut do të thotë bindje ndaj Allahut!

Në lidhje me të drejtën e burrit në kuptim të përgjithshëm, Profeti porosit kështu: "Po qe se do të bëhej fjalë për sexhde ndaj tjetërkujt veç Allahut, do t'i urdhëroja gratë t'u bëjnë sexhde burrave!" Po të ishte e lejueshme kjo gjë, Aliu e kishte merituar këtë prej kohësh. Sigurisht, po të bëhej fjalë për sexhde të grave ndaj burrave, Aliu ishte i pari që e meritonte këtë gjë. Dhe tani, kur shërbimi ndaj Aliut merrte kaq shumë rëndësi në çështjen e përkushtueshmërisë së saj të dyanshme, përdorimi i shërbëtorit nga Hz. Fatimja do të thoshte për të t'i thyhej njëri krah i kësaj përkushtueshmërie. Kurse një grua e tillë me një krah nuk mund të bëhej nëna e Hasanit, Hysenit, Gejlanit dhe sa e sa njerëzve të shquar që do të vinin pas tyre gjer në kiamet! Për ta bërë të bijën Fatime një nënë kaq të madhe, i Dërguari i Allahut ia priste pothuaj të gjitha lidhjet dhe interesimet për këtë botë dhe ia kthente në drejtim të botës tjetër të përjetësisë. Sepse edhe Allahu kështu e pati rritur dhe edukuar atë vetë. Kur Profeti pati hapur sytë në këtë botë, nuk e pati gjetur të atin dhe kur qe bërë gjashtë vjeç, ia kishte marrë edhe mbështetjen tjetër, nënën. Dhe kur ishte ende në fillimet e jetës, ia kishte hapur rrugët që shkonin për te drita e teuhidit, besimit monoteist te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, për te e fshehta e unitetit të Zotit. Në fakt, për një farë kohe, për të ishte kujdesur i gjyshi Abdulmuttalib, një eveniment, ky, ndoshta, për ta fshehur dinjitetin dhe madhështinë si dhe për ta nderuar mbrojtësin dhe kujdestarin, megjithëse, në fund të fundit, kjo përbënte vetëm një vlerë shkakësore e jo esenciale, kurse kujdesi i Ebu Talibit nuk e pati kapërcyer dot kujdesin dhe mbrojtjen e një ungji, ndërkaq që fakti që Ebu Talibi ishte babai i Hz. Aliut, ishte për të një dhunti e rëndë dhe me përgjegjësi të përjetshme. Në sajë të kësaj afërsie, do të vinte një ditë që edhe Profeti do ta merrte pranë Aliun, do ta rriste e do ta bënte njeri të shquar. Kështu e pati trajtuar Allahu atë duke e shkëputur nga të gjitha shkaqet, dhe e pati kthyer nga vetja me të gjitha ndjenjat e tij. Profeti i ardhshëm, Muhamedi, duhej të bëhej përfaqësues i të vërtetës: "Zoti ynë, ne t'u dorëzuam vetëm Ty dhe i kthyem shikimet vetëm nga Ti!" (Mutmehine, 60:4). Ai duhet t'i besonte Allahut dhe të mbështetej te Ai!

Fatimja ishte bija e tij. Ai nuk mund t'ia kursente të bijës gjërat që ia pati favorizuar dhe dhuruar Zoti në lidhje me edukatën, të bijës që do të bëhej nëna e shumë njerëzve të shquar e shenjtorëve që nga Hasani e Hyseni. Prandaj ajo duhej rritur dhe përgatitur për t'iu bërë embrion atyre fryteve të bekuar. Pikërisht për këtë arsye ndodhte që, krahas dhembshurisë, mëshirës e dashurisë, Profeti e kthente dhe e mbante vazhdimisht vështrimin e Fatimes nga botërat e larta.

5. Atmosfera e përgjithshme edukative e Shtëpisë Profetike

Në banesën e lumtur të të Dërguarit të Allahut frynte vazhdimisht një frymë drojtjeje ndaj Allahut. Të gjitha lëvizjet që bëheshin atje, përshkoheshin nga një drojtje e vazhdueshme. Ata që mundnin t'i rroknin shikimet e Profetit, në ato shikime në çdo kohë mundnin të ndjenin, madje të shihnin qartë mahnitjen dhe zilinë për xhenetet ose rrëqethjen prej xhehenemeve. Profeti falte namaz duke u dridhur dhe rrëqethur, duke u tundur sa para, pas, duke u tronditur nga frika e xhehenemit ose duke marrë krahë si pëllumbat me dëshirën e xhenetit; të gjitha këto ishin nga të veçantat e asaj banese dhe gjëra që shiheshin gjithmonë e diheshin. Po, ai që e shihte Profetin, gjithmonë kujtonte Allahun. Imam Nesaiu na përcjell: "Kur i Dërguari i Allahut falte namaz, nga brenda i dëgjohej një gurgullimë sikur ziente diçka!"43 Ai i drejtohej Allahut gjithmonë me një botë të brendshme që qante e ziente dhe ashtu e falte namazin. Sa herë e

kishte gjetur atë Hz. Aishja të drejtuar nga Allahu, me ballin në tokë duke bërë sexhde duke u dridhur e përpëlitur.

Natyrisht që qëndrimi dhe gjendja e tij ndikonte pozitivisht tek njerëzit e shtëpisë dhe u përftonte shumë gjëra atyre në lidhje me edukatën. E njëjta drojtje, e njëjta frikë ishte edhe te gratë dhe fëmijët e këtij mbreti të profetëve, i cili e kishte shumë frikë Allahun, sepse Profeti gjithmonë thoshte atë që ndjente dhe, ato që thoshte, i mbështeste me ndjenjat dhe bëmat e veta. Ndikimin e unitetit të fjalës me bëmën në formën e vet më të qartë dhe me cilësinë e vet më të shquar, vetëm në banesën e tij mund ta shikojmë! Sikur të bashkohen të gjithë pedagogët dhe edukatorët e botës në emër të të gjitha sistemeve të edukimit dhe të përdorin të gjitha njohuritë e tyre, nuk mund të arrijnë atë që është arritur në atë banesë në lidhje me përgatitjen dhe edukimin e njeriut, dhe nuk kanë mundur ta arrijnë!

Gjërat që ka dashur t'i bëjë e t'i tregojë, i Dërguari i Allahut i ka shëmbëllyer dhe shprehur më shumë me qëndrimet dhe sjelljet e tij dhe pastaj u është bërë interpret gjërave të komunikuara me anë të qëndrimeve dhe sjelljeve të veta. I Dërguari i Allahut pati treguar duke vepruar vetë në shtëpinë e tij si duhet ndjerë frikë nga Allahu, si duhet mbajtur qëndrim i thjeshtë e i përulur, se me ç'thellësi duhen bërë sexhdet, si duhet bërë rukuja dhe si duhet qëndruar i përkulur më dysh gjatë ndenjjeve ulur, si duhet qarë natën dhe, pastaj, gjatë bisedave me shokët pati thënë: "Njerëzit duhet të veprojnë kështu e kështu. Fëmijëve të tyre duhet t'u dalin për zot në këtë mënyrë. Ata duhet të bëhen interpretë të tillë të së drejtës dhe së vërtetës, etj., dhe thëniet e tij patën gjetur miratim dhe pranim edhe në banesën e vet, edhe jashtë, dhe qenë reflektuar në zemrat e njerëzve që besonin.

Para së gjithash, ai ishte një baba dhe gjysh i pashembullt e i pashoq. Kjo veçori jetësore që na duket ne shumë e thjeshtë, është, në fakt, për çdo njeri, njëra prej pengesave më të vështira që duhen kapërcyer. I Dërguari i Allahut është babai dhe gjyshi më i dalluar që e ka kapërcyer këtë pengesë në mënyrën më të lehtë. Dhe ai ka rritur dhe përgatitur fëmijë dhe nipër të tillë, pasardhësit e të cilëve janë si diej, si hëna dhe yje të përhapur nëpër të gjithë shekujt në të gjithë horizontin e njeriut. Kjo veçori është një meritim i posaçëm vetëm për të Dërguarin e Allahut. Allahu e ka bërë atë të vetëm e të papërsëritshëm në këtë veçori. I vetmi brez prej miliona individësh, nga i cili nuk ka dalë asnjë renegat, pra, që s'përmban asnjë renegat, është brezi i të Dërguarit të Allahut!

Sa miq të Allahut ka që, megjithëse vetë janë shumë të mëdhenj, përsa u përket fëmijëve që kanë rritur në shtëpitë e veta, janë jashtëzakonisht të varfër. Fëmijët e tyre ose fëmijët e fëmijëve të tyre kanë rrëshqitur në perversitet dhe kanë rënë në rrjetën e djallit. Sot është plotësisht e mundur të jepen qindra shembuj të kësaj. Kurse asnjëri nga fëmijët dhe nipërit e të Dërguarit të Allahut nuk e kanë tradhtuar banesën ku janë rritur si dhe rrënjët ideore të asaj banese. Jo vetëm që nuk e kanë tradhtuar, por në çdo rast e kanë shfaqur këtë lidhje rrënjësore dhe janë bërë modele besnikërie.

Edhe ky fakt është një argument i profetësisë së të Dërguarit të Allahut. Sado gjeni që të jetë njeriu, është krejt e pamundur të bëhet një edukator i tillë!

C. EDUKIMI I NJEREZVE NGA PROFETI DHE KUPTIMI I PERGJITHSHEM I TRAJTIMIT EDUKATIV TE NJEREZVE NGA ANA E TIJ

Para se të kalojmë në kuptimin e përgjithshëm të veprimtarisë edukative të Profetit dhe në trajtimin edukativ të njerëzve nga ana e tij, le të përpiqemi ta analizojmë shkurt ajetin e mëposhtëm që do ta ndriçonte këtë temë, sepse është e pamundur për ta kuptuar plotësisht kulmin e arritur prej tij në edukim, pa ditur se me ç'njerëz u mor dhe kushtet në të cilat i Dërguari i Allahut e zhvilloi veprimtarinë e tij edukative. "(Allahu) zgjodhi dhe dërgoi mes analfabetëve një profet që u lexon ajetet, i pastron dhe u mëson librin dhe urtësinë, kurse ata më parë ishin në një rrugë krejt të shtrembër!"

Njerëzit e asaj dite nuk dinin gjë për Allahun, nuk e njihnin atë. Ata ishin të paditur, injorantë e të egër. Në zemrat e tyre Allahu nuk shfaqej as si "Ai". Ata nuk e njihnin Allahun as si një person të tretë të papërcaktuar. Ata ishin shumë shumë larg Allahut. Pastaj, në ajet thuhet se ata ishin analfabetë, s'dinin shkrim e këndim. Një bashkësi e pamësuar, injorante është një grumbull njerëzish shumë të vështirë për t'u marrë vesh me ta, megjithatë, duke dërguar mes tyre një profet me zemër të madhe e me shpirt të gjerë, Allahu nxori nga ato turma të egra gjenitë që do ta administronin dhe drejtonin botën!

Ndërsa Allahu u jepte penës, leximit, librit rëndësi të madhe para çdo gjëje tjetër, ata ndodheshin shumë larg tyre. Megjithëkëtë, Allahu e zgjodhi të dërguarin e Tij që do ta çonte mes tyre, nga mesi i tyre, pra, si ata, që s'dinte as shkrim e as këndim. Por ai kishte vetëm këtë gjë të përbashkët me ta, sepse nuk ishte as pagan, as politeist, pra, në bindje nuk kishte asgjë të përbashkët me njerëzit mes të cilëve jetonte. Në fakt, ai duhet të ishte i pamësuar, sepse mësuesi i tij do të bëhej Allahu. Ai do t'ia hapte rrugën e mësimit, do ta veçonte prej tyre të dërguarin e Tij që s'kishte marrë arsim, do ta përgatiste dhe do ta bënte mësues të atyre njerëzve të pamësuar.

Megjithëse para ardhjes së të Dërguarit të Allahut, ata lundronin në injorancë, bestytni dhe perversitet, Allahu do t'i pastronte, do t'i edukonte dhe do t'i përgatiste, siç edhe ndodhi, dhe të gjitha këto ai i bëri me dorën e një profeti që s'dinte shkrim e këndim! Në radhë të parë ai u mësoi librin, Kur'anin. Ky libër, ashtu siç bashkoi rreth vetes një bashkësi dhe e lartësoi njerëzimin në vlerat njerëzore dje, edhe në të ardhmen, brezat e ndriçimit do t'i lartësojë drejt përsosmërisë. Të gjitha mendimet që në ditët tona pandehen si origjinale, do të shuhen e mbarojnë një e nga një dhe Kur'ani do të mbetet i vetmi libër që do të mund t'u thotë diejve: "Mos perëndoni, jam unë!" Në botën objektive vetëm flamuri i tij do të valëvitet dhe të gjithë brezat do t'i këpusin zinxhirët e robërisë të lidhur për qafe e do të vrapojnë tek ai.

Ja, shihni sesi po shemben një e nga një perandoritë e së keqes, kurse Kur'ani, pavarësisht nga çdo pengesë, del në shesh si prushi nën hi dhe një botë e madhe e besimit te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, po ringjallet përsëpari. Me gjithë dhunën, padrejtësinë, shtypjen dhe mashtrimin e ushtruar mbi të, shpirti islam, me tërë rininë dhe freskinë e tij, po e tregon veten në të katër anët e botës dhe po zgjon interesim në zemra!

Allahu ia mësoi Librin të Dërguarit të tij famëmadh me qëllim që ai t'ua drejtonte njerëzve egot për nga e mira, që t'i lartësonte njerëzit në vlerat njerëzore, që, me anë të edukatës njerëzore, t'i drejtonte në rrugët për t'u bërë njerëz të përsosur dhe t'i bënte njerëzit ta përjetonin shpirtërisht edhe ata miraxhin ku qe ngjitur dhe që e pati përjetuar vetë, duke ua treguar rrugët e kësaj, edhe pse umeti i tij përbëhej prej njerëzish që më parë kishin qenë zhytur në injorancë, bestytni dhe perversitet! Po të dojë, Allahu e bën qymyrin diamant, dheun, flori. Ata njerëz zemërzinj Allahu i ktheu në diamantë vezullues. Brezi i Artë i Epokës së Bardhë i formuar nga Allahu me dorën e të Dërguarit të Tij, edhe sot e kësaj dite t'i merr sytë nga shkëlqimi! Po, është Allahu që e ka bërë këtë punë me dorën e Profetit Muhamed si argjendar dhe saraf. Me këtë konsideratë mund të thuhet se është Profeti Muhamed Mustafa, ai që e ka lartësuar njerëzimin në përsosmërinë njerëzore dhe që vetë ka kapur majën e përsosmërisë njerëzore!

Pastaj, njerëzit, kudo që të jenë ngjitur me krahët e pastrimit dhe purifikimit shpirtëror, me krahët e devocionit, me krahët e afërsisë ndaj Zotit dhe me krahët e shenjtërisë, kanë parë atje të valëvitet flamurin e Profetit Muhamed Mustafait. Dhe kudo që të kenë kaluar, kanë parë se para tyre aty ka kaluar Profeti Muhamed dhe kanë ndaluar në qëndrim respekti ndaj tij!

Është gabim ta mendosh edukimin e të Dërguarit të Allahut vetëm në formën e pastrimit të egove. Ai pati ardhur me një sistem edukimi universal dhe pati paraqitur një mesazh që do t'i lartësonte të gjitha zemrat, të gjithë shpirtrat, të gjitha mendjet, të gjithë egot në qëllimin e tyre të përfytyruar. Ja, këtë e shprehin edhe të vërtetat universale të Kur'anit. Ai do t'u dilte për zot mendjeve të njerëzve, do t'i nxiste mendjet dhe, duke u dhënë dimensione revelative, do t'i çonte gjer në pikën fundore ku mund të shkojë mendja. Pastaj do t'i rrokte shpirtrat dhe do t'i orientonte në drejtim të sublimes shumë më në krye të atyre që e kanë bërë profesion edukimin e shpirtrave, dhe do t'i shëtiste zemrat në majat e blerta si parajsë të atyre botëve, për të cilat zemrat janë të dëshiruara! Po kështu, do t'i merrte në dorë ndjesitë njerëzore dhe do t'u jepte krahë duke i çuar edhe atje ku përfytyrimi s'arrinte dot. Në të njëjtën kohë, nxënësve që i kishte lartësuar në ndjenja e në shpirt, do t'u hapte fletë më fletë dyert e ekonomisë, sociologjisë, administrimit, politikës, artit ushtarak, dyert e të gjitha diturive dhe shkencave, do t'i bënte ata administruesit më të përsosur, ekonomistët më të zgjedhur, politikanët më të suksesshëm dhe strategët ushtarakë më gjenialë. Po, i Dërguari i Allahut erdhi me një kauzë universale dhe, në një aspekt, dha mësime ekonomie, në një aspekt, mësime finance, në një aspekt, mësime administrimi e qeverisjeje, në një aspekt, mësime arsimimi e edukimi, në një aspekt, mësime drejtësie dhe, në një aspekt tjetër, mësime të drejtësisë juridike shtetërore e ndërkombëtare. Shkurt, me mesazhin që solli ai, përfshinte në mikroplan zhvillimin e sotëm në tërësinë e tij. Sigurisht, nëse sot, në një anë të këtij botëkuptimi edukativ të marrë prej tij si bazë e të ofruar njerëzimit, do të kishte ndonjë të metë të lehtë, qëllimi final i ardhjes së tij nuk do të vërtetohej plotësisht. Kurse ai ju thotë pak a shumë kështu: "Secili nga profetët e ardhur gjer tani ndërtuan një pjesë të kësaj ndërtese të shkëlqyer, pra, duke lënë gjithmonë diçka mangët. Çdokush që vinte, thoshte: "Vallë, kur do të plotësohet dhe mbarojë kjo?" Kurse unë po ju them: Ja, unë jam ai që e plotësova dhe e mbarova! Ndërtesës nuk i ka mbetur më asnjë mangësi!"

Duke e mbështetur Profetin në lidhje me këtë çështje, Kur'ani thotë: "Sot e plotësova për ju fenë tuaj!" (Maide, 5:3) Po, i Dërguari i Allahut erdhi për të plotësuar mangësitë. Pas kësaj, ata që kanë kërkuar mangësi në mesazhin e parashtruar prej tij dhe në parimet e sjella prej tij, do të bënin më mirë sikur të kërkonin mangësitë në kokat dhe boshllëqet në shpirtrat e veta. Ai ishte një plotësues, reformues, përmirësues dhe përsosës. Ai i drejtoi dhe përmirësoi gjërat e shtrembra, i plotësoi gjërat e mangëta dhe i përsosi gjërat e mbetura gjer atë ditë pa u përsosur. Se sa i madh mund të jetë një edukator, e shohim në këto veçori.

1. Lartësimi i shpirtit, unit dhe mendjes

E para është lartësimi i shpirtit, unit (egos) dhe mendjes në pikën më të lartë, gjë që, siç dëshmon historia, e ka realizuar Profeti Muhamedi me nxënësit dhe ndjekësit e tij me favorin e Allahut. Ai i pati çuar ata gjer në pikën e fundit ku mund të arrijnë mendja, uni (egoja) dhe shpirti.

Në Kur'an bëhet fjalë për unin orientues drejt të keqes që e mban njeriun vazhdimisht nën presion dhe e çon ku të dojë, për rrjedhojë, njeriu, në vend që të bëhet, me ndjenjat dhe mendimet e tij, njeri i shpirtit, kthehet në njeri trupi, lënde e materieje. Ja, nga e keqja e këtij uni qe mbështetur Hz. Jusufi (a.s.) te Allahu dhe pati thënë: "Pa dyshim, uni urdhëron me forcë të keqen dhe shpëton vetëm ai, të cilin e mëshiron Allahu!" (Jusuf, 12:53) Uni është në vetvete urdhërues drejt të keqes, megjithëkëtë, shpëtimi prej tij që është si dalja dhe shpëtimi prej një grope të thellë si Deti i Kripur, është krejt i mundur. Ja, me këto gjendje e trajton Kur'ani unin dhe thotë kështu: "O ti vete (unë, ego) e kënaqur, kthehu te Zoti yt, ti me pëlqim prej Tij dhe Ai me pëlqim prej teje!" (Fexhr, 89:27-28) Kur'ani bën fjalë veçanërisht edhe për unin urdhërues i së keqes që ndryshon duke u kthyer në unë vetëgjykues (e vetëkritikues). Madje, duke e pranuar këtë gjendje si një gradë, Kur'ani betohet në unin vetëkritikues: "Betohem në unin (veten, egon) që vetëgjykon e vetëkritikon!" (Kijame, 75:2)

Është edhe uni i kulluar. Ky është një atribut i posaçëm i njerëzve të afërt të Allahut dhe ata që e bartin këtë atribut, janë aq të pastër e të kulluar, sa që kush i sheh ata, i duket sikur sheh dhe sodit Allahun. I tillë është uni i Profetit Muhamed! Dhe ai ka sjellë në gjendjen e unit të kulluar edhe shumë kapacitete të përshtatshëm për këtë, brenda kuadrit të gradëve të tyre dhe me sa e kanë lejuar mundësitë e tyre. Duke e pastruar dhe purifikuar unin, i Dërguari i Allahut tregoi synimet më të larta ku mund të ngjitej dhe, me bujarinë e Zotit, e ngjiti gjer atje.

Kjo tregon se ai ishte i pashoq edhe në edukim. Kur shohim shekullin e shquar të Profetit Muhamed (s.a.s.) në lidhje me tregimin nga ana e tij të pikës së fundit ku mund të arrijnë mendja dhe uni, vëmë re se ai nuk pati lënë boshllëk as në edukim në mesazhin që pati sjellë.

2. Karakteri universal i kauzës së tij

E dyta është përsosmëria e edukatorit, ajo matet me gjerësinë e kauzës së tij dhe përmasat sasiore e cilësore të partnerëve dhe ndjekësve të tij. Profeti Muhamed ishte ende në jetë kur mësuesit dhe prijësit e përgatitur prej tij ishin gati ta përhapnin të vërtetën në një hapësirë shumë të gjerë, nga Maroku në Kinë. Mendoni që atë ditë, Profeti Muhamed ishte i vetmi edukator e mësues në tërë këtë hapësirë! Popujt, fiset, bashkësitë dhe grupimet etnike të larmishme si një Kullë Babilonie që përbënin banorët e kësaj hapësire, me sistemin hyjnor të sjellë prej tij, u gjenin shërim të gjitha halleve të tyre dhe njerëzit me natyra dhe temperamente të ndryshme e të rritur në kultura të ndryshme, vraponin tek ai dhe e pranonin atë pa lëkundje, me të gjitha gjërat që kishte sjellë e thoshte. Kjo do të thotë se parimet edukative të sjella prej tij ishin universale, të tilla që mund t'u përgjigjeshin dhe t'u jepnin zgjidhje të gjitha kërkesave të njerëzimit. Kështu që Profeti Muhamed (s.a.s.) është edukatori me ndikimin më të madh i të gjitha kohërave dhe se, ndikueshmëria e tij edukative, është më e madhja e të gjitha kohërave! Në mënyrë të veçantë, ne, vlerën dhe madhësinë e edukatorit e kërkojmë në qëndrueshmërinë e parimeve edukative të sjella prej tij. Dhe shihni, tani, që, megjithëse kanë kaluar kaq kohë, shumica e atyre që janë edukuar me edukatën e Profetit Muhamed, janë të nivelit që t'i kenë zili engjëjt dhe parimet edukative të tij janë edhe sot të mjaftueshme për të përgatitur njerëz të tillë.

Një herë, le të mendojmë se Profeti Muhamed del nga mesi i një popullsie beduine, nomade, tejet të egër, që ua kalonin në egërsi kafshëve të egra. Dhe nga kjo popullsi tejet beduine, tejet të egër, tejet kriminele e tejet të frikshme, përgatit njerëz engjëllorë që do ta qeverisnin botën për shekuj me radhë! Kjo do të thotë se mesazhi i paraqitur prej tij ishte i mjaftueshëm për ta shpëtuar njerëzimin me një hop, me një frymë! Personalisht, mua s'më pëlqejnë përshkrimet e këqija dhe s'dëshiroj të bëj përshkrime të tilla, por nuk do të bëj dot pa parashtruar disa fragmente që tregojnë për rënien morale të shoqërisë në kohën kur doli Profeti Muhamed.

Profeti Muhamed u shfaq në një bashkësi shoqërore ku egërsia ishte bërë pjesë ose karakteristikë e natyrës së tyre. Ata pinin alkool, luanin bixhoz, kurvëronin krejt hapur dhe asnjërin nga këto veprime nuk e quanin turp. Kurvërimi dhe prostitucioni ishin bërë pothuaj legale. Për këtë kishte shtëpi të caktuara, në dyert e të cilave valëviteshin flamurë si shenja treguese. Poshtërsia ishte e një niveli të tillë që duhej ta bënte njeriun të kishte turp që ishte njeri. Dhe sa e sa gjëra të tjera që më vjen turp t'i përshkruaj... Në mënyrë të veçantë, ata njerëz ishin në karakter aq gjaknxehtë e të nxituar, sa mund të shpërthenin furtunë në një gotë ujë! Ishte pothuaj e pamundur t'i bëje këta njerëz të ndjenin ngrohtësi ndaj njëri-tjetrit, t'i afroje ndaj njëri-tjetrit, t'i bashkoje e t'i ndërthurje me njëri-tjetrin. Siç shprehet M. Akif Ersoj, po të mbetej pa dhëmbë dikush, e hanin të vëllezërit! Intriga dhe provokimi ishin një sëmundje në dukje e pashërueshme që e kishte mbështjellë tërë Gadishullin Arabik. Atje ekzistonte çdo e keqe që mund t'i shkojë njeriut nëpërmend. Dhe dukej krejtësisht e pamundur që ata ta

dëgjonin Profetin Muhamed! Mirëpo ai ua shkuli atyre një e nga një veset dhe cilësitë e këqija dhe ua hodhi atje ku s'mund t'i gjenin më! Pastaj i pajisi ata me moralin më të lartë dhe me vetitë më të mrekullueshme duke dalë, brenda një kohe shumë të shkurtër, bashkë me ta, në ballë të botës, madje, duke u bërë mësues për botën!

Po, ai ndërtoi prej një bashkësie beduine e të egër, një shoqëri të qytetëruar që edhe sot mbetet e tillë, që s'mund t'i afrohesh as tek thembrat! Prandaj, me plot të drejtë, Molieri thotë kështu: "Është e pamundur të tregosh një shoqëri më të papërshtatshme për t'u përmirësuar se shoqëria e Muhamedit dhe është gjithashtu e pamundur që një shoqëri të tillë të papërshtatshme ta përmirësosh, reformosh dhe ta bësh njeri brenda një kohe kaq të shkurtër prej 23 vjetësh! Dhe kjo i ka takuar vetëm Muhamedit!" Kurse një tjetër personalitet perëndimor thotë kështu: "Njerëzimi ka arritur 25 % të lartësimit të paracaktuar për të nga dita e parë e ekzistencës gjer në kohën e Muhamedit. Në kohën e tij, kjo shifër u ngjit vertikalisht e u bë 50 %. Pastaj, të gjitha përpjekjet e treguara nga koha e tij e gjer më sot e kanë ngjitur nivelin e lartësimit të njerëzimit vetëm gjer në 75 %!" Sipas këtij pohimi të sinqertë, fryti i përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë profetëve dhe filozofëve dhe të të gjithë burrave të mëdhenj të shtetit dhe shkencëtarëve nga Profeti Adem gjer te Profeti Muhamed, është diku afër frytit të arritur nga Profeti Muhamed brenda 23 vjetëve! Pas tij, në katërmbëdhjetë shekujt pasues gjer më sot, me gjithë zhvillimet shkencore e teknologjike, njerëzimi ka arritur një rezultat vetëm 25 %, kurse 25 përqindëshi i mbetur do të realizohet këtej e tutje në pastë jetë bota! Ja, ky është Profeti Muhamed! Dhe shërbimi i tij ndaj njerëzimit është i hapur për ndërgjegje të tilla të shëndosha e të qeta. Në lidhje me këtë temë, Enciklopedia Britanike thotë kështu: "Gjatë historisë së njerëzimit kanë ardhur reformatorë shumë të mëdhenj. Mes tyre ka edhe profetë. Të gjithë këta kanë arritur disa suksese. Por sukseset e arritura nga Muhamedi nuk mund t'i shohim te asnjëri prej tyre!" Gjithashtu, ndër personalitetet perëndimorë, një kërkues dhe studiues i matur thotë kështu: "Çdo njeri i madh ka lënë një gjurmë pas. Profetët kanë lënë gjurmët e tyre, reformatorët kanë lënë gjurmët e tyre, novatorët kanë lënë gjurmët e tyre dhe burrat e mëdhenj të shtetit kanë lënë gjurmët e tyre. Janë edhe gjurmët që ka lënë Muhamedi, por, të tilla që, kur flitet për gjurmë, të shkojnë ndërmend vetëm gjurmët e tij, me të cilat nuk mund të krahasohet asnjë gjurmë tjetër!" Dhe ky studiues është një njeri që ka marrë çmim në shkencë. Edhe miku e pohon, edhe armiku e pohon...

Allahu na e përshkruan veten me këto atribute: "... Ai e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla..." (En'am: 6:95) Allahu është ai që nga gjërat e ngurta e pa jetë nxjerr gjëra të gjalla. (U jep jetë gurit e dheut dhe te karboni tregon nuancat e diamantit.) Me këto atribute të shkëlqyera, të jashtëzakonshme e marramendëse, Allahu sikur i jep ngushëllim e qetësi Profetit Muhamed (s.a.s.). Në atë shkretëtirë të egër, në Gadishullin Arabik, mes atyre beduinëve, Profeti Muhamed ka marrë në dorë gurin, dheun, qymyrin, bakrin dhe prej tyre ka nxjerrë ar të pastër në personat e Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit, Aliut, Halidit, Ukbe bin Nafiut, Tarik bin Zijadit, etj., etj. (Allahu qoftë i kënaqur me ta përjetësisht!)

Gjer në çastin kur Profeti do të shfaqej në atë mjedis me profetësinë e tij dhe bashkëkohësit do të njiheshin me këtë profet të madh e të shkëlqyer, ata gjithsesi kishin mundësitë e tyre mendore, ndjesore, shpirtërore dhe ndërgjegjësore si dhe forcat dhe dhuntitë e tyre. Profeti kurrsesi nuk i cungoi mundësitë dhe dhuntitë e tyre. Ndoshta i vuri në punë dhe i zhvilloi më tej ato duke i zëvendësuar me mundësi, forca dhe dhunti më të fuqishme e më të mrekullueshme. Siç thotë një mendimtar i madh, shembulli më i bukur i kësaj është Omeri para Islamit dhe Omeri pas Islamit! Omeri para Islamit ishte një njeri i hapur dhe i prirur për t'u bërë i madh. Sjelljet dhe veprimet e tij të fëmijërisë, si garat e ndryshme të forcës me të tjerët, zëniet, përkulja e qafës së deveve dhe futja e kokës së tyre nën shalë, kanë rëndësi për të kuptuar se ç'embrione ndodheshin tek ai. Kurse Omeri pas Islamit ishte një njeri i butë e i ndjeshëm që nuk shkelte milingonën, që nuk vriste karkalecin! Aq i dhembshur ishte dhe aq përgjegjësi të gjerë ndjente si kalif, saqë thoshte: "Sikur të bjerë një qengj në Eufrat e të mbytet, Allahu i kërkon llogari Omerit për të!" Ja, pra, Omeri dhe të tjerët si ai qenë ngjitur në këtë nivel duke u shndërruar në mbinjerëz në sajë të edukatës së marrë prej të Dërguarit të Allahut! Po, të tillë njerëz nxirrte i Dërguari i Allahut nga ajo bashkësi beduine, e egër dhe fanatike në zakonet e veta që u qenë ngulitur në gjak!

Tani, le ta zgjerojmë edhe pak temën me një shembull të thjeshtë. Një zakon të vogël si duhani nuk mundemi ta heqim megjithëse përdorim të gjitha mundësitë e shtetit. Jo vetëm që s'e heqim dot, por nuk po e ulim dot në një nivel normal rritjen e shpejtë të përdorimit të duhanit! Kjo punë qëndron kështu jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën. Ndërkaq, çdo ditë mbahen fjalime e biseda kundër duhanit, organizohen simpoziume, zhvillohen konferenca.

Bota e shkencës, në përgjithësi, dhe e mjekësisë, në veçanti, thonë njëzëri se duhani bëhet shkak për kancerin e laringut, trakesë, hapësirës së gojës, etj. dhe statistikat tregojnë për përqindje që arrijnë në shifrat 95%. Megjithëkëtë, të gjitha përpjekjet nuk arrijnë dot t'i bëjnë njerëzit të heqin dorë prej këtij vesi të keq! Kurse në kohën e Profetit, kur dhjetëra e dhjetëra zakone të këqija si duhani u kishin hyrë në gjak njerëzve duke u bërë natyrë e dytë e tyre, Profeti ua shkuli me rrënjë të gjitha ato zakone dhe me një hop, me një frymë, duke u ngulitur zakone krejt të tjera, të bukura, duke e dhënë atyre një natyrë që do t'ua kishin zili edhe engjëjt në qiell! Kush i shihte ata, thoshte: "Zoti ynë! Këta nuk janë engjëj, megjithëkëtë, janë qenie më të përsosur se engjëjt!" Kur do të jenë duke kaluar ata nëpër Sirat dhe kur drita dhe bukuria e shpirtit të tyre do ta mbështjellë gjithkahjen sa ta shuajë xhehenemin, të gjithë engjëjt, të ngrirë nga habia dhe mahnitja, do të thonë: "Këta të rinj, mos janë profetë, mos janë engjëj?" Kurse ata s'janë as profetë, as engjëj, janë vetëm umeti i Profetit Muhamed, të rritur e të përgatitur nën edukimin e tij!

Abdullah b. Mes'udi ishte një njeri që ruante dhentë e Ukbe b. Ebi Muajtit. I Dërguari i Allahut e mori në rrethin e vet të edukimit dhe prej atij bariu nxori një prijës të tillë që mund të thuhet se shkolla e Kufes është vepra e këtij sahabeje të famshëm. Mendoni që njerëz si Alkame, Neahi, Hammad, Thevri, Ebu Hanife e të tjerë janë nxënës të po kësaj shkolle. Këta njerëz të mëdhenj, secili një kulm në fushën e vet, dijenitë e tyre në një masë të madhe i kanë marrë nga burimi i Ibni Mes'udit. Ja, të tillë gjeni përgatiste i Dërguari i Allahut nga njerëzit që gjer atë ditë kur i kishte marrë ai në dorë, kishin kullotur bagëtitë!

Janë disa dijetarë të mëdhenj islamë që e kanë preokupuar prej kohësh botën shkencore perëndimore. Secili prej tyre janë është objekt studimi i vëllimeve të tëra. Njëri prej tyre është Imam A’dhami Ebu Hanife, i famshëm në fushën e jurisprudencës. Sipas një mendjeje të madhe, Soloni dhe Hamurabi mund të jenë vetëm çirakë të tij! Po kush është Ebu Hanife? Nxënësi i nxënësit të nxënësit të Ibni Mes'udit, ish çobanit dhe, pastaj, nxënësit të Profetit! Na ruajttë Zoti! Të mos pandehet se po e tregoj të vogël Ebu Hanifen! Qëllimi i fjalëve të mia është të shpreh madhështinë e mjeshtrit të mjeshtërve! Është në sajë të edukimit dhe përgatitjes së Profetit që nga këta njerëz që s'ishin asgjë, kanë dalë njerëz që janë bërë gjithçka! Nga i vdekuri është nxjerrë një njeri i gjallë dhe nga qymyri (karboni), diamanti!

Është përsëri në sajë të asaj edukate që, një skllav nga fiset berbere e pati kapërcyer konstelacionin e Herkulit, e pati ndërruar emrin dhe u pati treguar botëve detare gjëra që s'i kishin dëgjuar gjer atë ditë, duke parashtruar dhe ekspozuar gjëra të mrekullueshme që e kapërcenin mundësinë konceptuese të tyre. Gjer në çastin kur u njohën me muslimanët, europerëndimorët nuk i njihnin gjëra të tilla si nënvleftësimi i jetës, dëshira për të rënë dëshmor, dëshira për të vdekur. Prandaj perëndimorët nuk e patën kuptuar dot dhe ishin hutuar atë ditë kur Tariku kaloi Gjibraltarin dhe vuri këmbën në Spanjë, kur, pasi ushtria e tij shkeli e tëra në tokën spanjolle, ai dha urdhër dhe i dogji të gjitha anijet me të cilat kishte ardhur gjer aty, kur me një repart zbulimi 5 mijë vetash, ishte përleshur me ushtrinë spanjolle 90 mijë

vetash dhe kur ai s'binte moralisht dhe s'e humbte perspektivën edhe në kushtet më të pafavorshme! Para një armiku 20 herë më të madh në numër, ai i pati mbledhur ushtarët e tij e u pati thënë kështu: "Ushtarët e mi! Para keni një armik si një det, kurse pas keni një det armik. Ose do të ikni dhe do të vdisni me turp duke u qëlluar nga pas e duke u mbytur në det, ose do të fitoni duke luftuar dhe do të bashkoheni me Allahun!" Historiani na tregon se vetëm brenda disa orësh, Tariku dhe ushtria e tij dolën fitimtarë mbi turmat e pafund të ushtrisë spanjolle të shtrirë për tokë! Pastaj Tariku shkoi dhe e ngriti selinë në Toledo, në pallatin ku ndodheshin thesaret e mbretit! Dhe shiheni, tani, se ku ka arritur skllavi i djeshëm! Shiheni dhe përpiquni të dalloni thellësinë e kuptimit që u fryu Islami shpirtrave! Tariku ka vënë këmbët mbi thesarin e mbretit dhe thotë me vete: "O Tarik! Dje ishe një skllav me kular në qafë, kurse Allahu të dha lirinë dhe pastaj u bëre komandant! Sot ke triumfuar mbi Spanjën dhe ndodhesh në pallatin e mbretit, por mos harro se nesër do të dalësh para Allahut!" Aman, o Zot, ç'mendim i thellë, ç'mendim i madh! Në fakt, te njerëzit e shtresës së ulët, kur ngjiten lart dhe pësojnë ndryshime të tilla, shfaqet kompleksi i inferioritetit i cili i bën agresivë. Ata mbahen më të madh, fryhen dhe vazhdimisht kërkojnë t'ua tregojnë të tjerëve veten. (Këtë e shohim shpesh te njerëz të tillë që, pasi hipin në fuqi, u bien në qafë popujve.)

Kurse me Tarikun s'ndodhte kështu! Ç'edukatë kishte marrë, vallë, ai, që, si një skllav që kishte qenë, pritej të rrëmbehej nga ndjenjat, kurse ai vazhdonte të mbetej jashtëzakonisht dinjitoz dhe po aq vetëkërkues!

Një tjetër personalitet i rritur dhe përgatitur nën edukimin e Profetit, Ukbe bin Nafi, pasi e pushtoi tërë Afrikën dhe arriti në breg të Oqeanit Atlantik, donte të shkonte më tej dhe erdhi në vete kur uji i arriti në gjunjët e kalit. Atëherë, me fytyrën drejtuar kah qiejt dhe ndjenjat, në botët përtej, shprehej kështu: "Allahu im! Sikur të mos më kishte dalë para ky det errësire, emrin tënd burim drite do ta shëtisja gjer në fund të botës duke e çuar në botët e tjera përtej detit!" Në lidhje me këto fjalë, Abdylhak Hamit thotë kështu: "Nuk e di, a këto fjalë të Ukbe bin Nafiut buçisnin më shumë në qiej, apo zërat e shpirtrave në qiell?" Sipas meje, edhe engjëjt e kishin të njëjtën dëshirë, por Ukbeja ishte tjetër, ishte nxënës që kishte marrë mësime në shkollën e Profetit Muhamed Mustafait (s.a.s.), ishte një ndër nxënësit e edukuar dhe përgatitur prej tij!

Profeti i pati marrë dhe trajtuar njerëzit me të gjitha kapacitetet mendore, ndjesore e ndërgjegjësore pa ua cunguar, përkundrazi, duke ua nxitur dhe, kështu, nxori nga njerëzit me natyrat më të këqija, njerëz me natyrat më të mrekullueshme! Dhe fakti që pati vepruar aq drejt dhe me aq sukses në të gjitha kapacitetet, mund të shpjegohet vetëm me profetësinë e tij, sepse në veprimtarinë e tij nuk qe parë asnjë stonaturë!

D. NE PERSPEKTIVEN E KUR’ANIT DHE SUNNETIT

1. Aksioni dhe akti besimor

Në një pohim të tij që kërkon vëmendje dhe gjykim të gjithanshëm, i Dërguari i Allahut thotë kështu për aksionin dhe aktin besimor: "Allahu e do besimtarin artist i cili di të bëjë punë!"55 Po, kështu! Sepse as që mund të thuhet ndryshe! Sepse Allahu thotë kështu në Kur'an: "Thuaju: "Bëni ç'të doni se Allahu, i Dërguari dhe besimtarët do t'i shohin ato që keni bërë!" (Tevbe, 9/105) Kjo do të thotë se bëmat e njerëzve do të vlerësohen sipas disa kritereve dhe normave të caktuara. Në vendin e grumbullimit pas ringjalljes (mahsher), të gjitha bëmat do të ekspozohen dhe secili do t'i shohë me sy inspektues. Ja, me këtë mendim duhet të veprojë e të bëjë punë njeriu! Në një hadith thuhet: "Allahu dëshiron që, kur të bëni punë, ta bëni siç duhet,

domethënë, të plotë, të saktë e pa të metë!" Ajeti që cituam më lart është një nga mrekullitë në lidhje me nxitjen për dituri dhe, sipas meje, ka vlerën e një postulati që duhet të vihet në krye të çdo libri. Një përmasë e këtij postulati është zëri që vjen prej Profetit: "Allahu e do besimtarin artist i cili di të bëjë punë!" Një tjetër hadith, por me dokumentim të dobët, që shumica e vënë në kornizë dhe e varin në dyqan, është: "Ai që punon dhe fiton është i dashuri i Allahut!"

Po, Allahu i do ata që punojnë, përpiqen, rropaten, lodhen e fitojnë në përputhje me ligjet e krijimit dhe në mënyrë legale. Po deshët, mund ta trajtojmë këtë çështje edhe nën hijen e sures "Asr", përmbajtjen e së cilës, poeti M. Akif Ersoj e vargëzon kështu:

Mos harroni që sahabet, kur u ndakëshin,

Patjetër do ta këndokëshin suren "Asr"! Po pse?

Sepse në atë sure të madhe u përmblidhka e fshehta e shpëtimit.

Në krye vjen besimi i vërtetë, pastaj falja,

Pastaj drejtësia, pastaj qëndresa; ja, o bir, njerëzia!

Po të bëhen bashkë që të katra, s'ka më për ty disfatë!

Besimi, puna e mirë, besnikëria ndaj të drejtës dhe të vërtetës, këshillimi për drejtësi, durimi, vendosmëria në durim dhe këshillimi për durim janë që të gjitha aksione dhe akte besimore dhe ai që i bën këto, është njeriu i dashur i Allahut. Veprimi brenda botës së Hz. Muhamedit dhe sipas botëkuptimit të tij mbi aksionin dhe aktin besimor është akti më i çmuar dhe ai që të çon më shpejt te dashuria e Allahut. Hz. Muhamedi kurrë s'ka thënë që të mbyllemi si murgjërit brenda mureve të kishës, të mos martohemi, të mos hamë, ta braktisim botën gjersa të bëhemi të afërtit e Zotit! Ai e ka marrë fuqinë epshore të njeriut dhe, duke e orientuar drejt formës së saj legjitime e të pranueshme, ka porositur: "Martohuni me gra pjellore që t'ju duan e t'i doni!" Kurse në një hadith tjetër, Profeti ka bërë këtë tërheqje vëmendjeje: "Martohuni dhe shtohuni sepse ditën e kiametit do të krenohem me shtimin tuaj para umeteve të tjera!" Me këtë porosi ai kërkon të na thotë se, sa më shumë që të bëhemi, aq më shumë do të kënaqim atë, se, kur të kthejë kokën për të parë pas e të shohë ata që përkulen në ruku, ata që bien në sexhde dhe ata që thërrasin në ekstazë "Allahu Ekber, Allahu Ekber!" të vënë në radhë pas tij, do të gëzohet e do të bëhet i lumtur! I Dërguari i Allahut nuk e ka gjymtuar, nuk e ka shtrembëruar, nuk e ka burgosur ndjenjën njerëzore të prirjes ndaj seksit tjetër dhe të martesës, për rrjedhojë, nuk ka hyrë në rrugë që do të bëheshin shkak për depresione. Këtë ndjenjë ai e ka kanalizuar në rrugë legjitime dhe edhe në këtë pikë ka treguar rrugë që çojnë në pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut! Edukata e dhënë prej tij ka synuar orientimin e krijimit e të natyrës dhe gjetjes së synimeve në përshtatje me qëllimin final të krijimit!

2. Tregtia, bujqësia dhe lufta

Profeti është i pashoq edhe në ekuilibrimin e punëve. Në një hadith ai thotë: "Kur ju ta lëshoni veten në marrëdhënie me humbje, kur të mjaftoheni vetëm me bujqësi, kur të shkoni vetëm pas bagëtive dhe kur ta braktisni luftën, Allahu ju lëshon kokës një poshtërim të tillë, nga i cili nuk mund të shpëtoni pa iu rikthyer fesë!" Në origjinalin e hadithit është përdorur fjala íne që më sipër e perifrazuam në formën "marrëdhënie me humbje". Në të drejtën e marrëdhënieve të shitblerjes, íne përshkruhet kështu: "Një person blen një gjë veresie nga një person tjetër dhe pastaj ia shet po atij personi me një çmim shumë më të ulët." Ka edhe përshkrime të tjera të kësaj, por ky më duket i mjaftueshëm. Le të quhet kjo marrëdhënie kamatë e fshehtë apo spekulacion, sipas sheriatit është e gabuar. Ndërkaq, në thelb të porosisë profetike qëndron

marrëdhënia, akti apo veprimtaria me humbje dhe kritika e saj. Më duket se gjërat që kërkon të na tregojë porosia profetike, ne i kuptuam vetëm pas revolucionit industrial dhe lëvizjeve industrializuese, në i paçim kuptuar drejt! Luftën e patëm harruar; duke u dhënë pas industrisë dhe industrializimit, i lamë pas dore edhe bujqësinë me blegtorinë dhe e gjetëm veten në kushtet e një çekuilibri të ri. Mirëpo i Dërguari i Allahut na kishte treguar qysh katërmbëdhjetë shekuj më parë se ç'duhet bërë! Si në çdo punë tjetër, edhe këtu ai ishte jashtëzakonisht i ekuilibruar.

Sigurisht që do të ketë edhe bujqësi dhe blegtori. Ka edhe hadithe që e nxisin këtë veprimtari. E gabuar dhe e dëmshme është njëanshmëria, në rastin konkret, përqëndrimi i të gjitha përpjekjeve në bujqësi dhe blegtori!

Hadithi i mësipërm ku përfshihet një numër i madh individësh me qëndrim të çekuilibruar nga njeriu që dëshiron të largohet nga jeta e qytetit, të ngjitet në mal apo në pyll ku të jetojë vetëm për vetëm me ndjenjat e tij, gjer te bujku dhe blegtori i zhveshur nga çdo lloj iniciative përmirësimi dhe përparimi, na jep një mësim ekonomie me rëndësi të madhe. Veçanërisht na kujton se, kur të mos e mbajmë më në dorë fuqinë që do të na jepte mundësi të zinim vendin tonë në ekuilibrin ndërmjet shteteve, kur ta braktisim luftën dhe ta humbim vendin tonë në ekuilibrin ndërmjet shteteve, Allahu do të na lëshojë sipër një poshtërim të tillë që të mos e ngremë dot kokën vetëm se duke iu rikthyer Islamit për të fituar jetë me të! Shembulli që dhamë, me sa na e lejon edhe vendi, është një pikë nga oqeani dhe i Dërguari i Allahut ka edhe shumë porosi në lidhje me këtë çështje. Por ne do të mjaftohemi me kaq. Ashtu siç nuk i ka kufizuar mundësitë dhe dhuntitë, i Dërguari i Allahut nuk i ka parë me nënvleftësim as shëndetin dhe forcën trupore e fizike. Përkundrazi, ai porosit kështu: "Besmitari i fuqishëm është më i dobishëm dhe i dashur para Zotit!" Ata që dëshirojnë të jenë të dashur para Zotit, duhet t'i kenë të shëndoshë, bashkë me ndjenjat, edhe trupin, bashkë me shpirtin, edhe lëndën. Siç vihet re, i Dërguari i Allahut nuk thotë: "Duhet të dobësoheni, duhet të mbani pehriz, duhet ta thyeni fuqinë dhe forcën e trupit që të pranoheni te Allahu!" Ndoshta Profeti nxjerr në pah realitetin, realizmin, natyrshmërinë kundër murgjërisë dhe asketizmit dhe kërkon t'i fusë çështjet në një rrjedhë të natyrshme duke na orientuar ne në atë rrjedhë!

E. MBI DIJEN DHE SHKENCEN

Edhe gjërat që i ka sjellë dhe përftuar i Dërguari i Allahut botës së dijes në lidhje me jetën diturore dhe ideore, janë shfaqje e mesazhit të tij universal.

Kur'ani i jep rëndësi dijes e diturisë dhe i nxit hapur të gjithë njerëzit që të marrin dije e dituri. Në Kur'an theksohet: "A mund të jenë njëlloj të paditurit me të diturit?" (Zumer, 39/9) Gjithmonë dhe pa përjashtim, Kur'ani u jep epërsi të diturve ndaj të paditurve me aq sa ta kenë nivelin e dijes.

Në një ajet tjetër të Kur'anit theksohet: "Dijetarët janë ata që e kanë më shumë frikë Allahun!" (Fatir, 35/28) Në një mënyrë këndimi të ndryshëm që s’është i saktë dhe që thuhet se i kushtohet Ebu Hanifes, theksi logjit bie mbi fjalën "Allah" dhe kuptimi i ajetit bëhet kështu: "Allahu ndjen respekt vetëm ndaj robve të Tij dijetarë!" Gjithsesi, kjo ndjenjë respekti duhet menduar me një cilësi që i përshtatet Individualitetit të Lartë! Kjo mënyrë këndimi s’është e saktë, domethënë që bie në kundërshtim me rregullat.62 Por, meqë i përfton një dimension të ri kuptimit esencial të ajetit, e vlen të qëndrohet mbi të. Duke bërë analizën e një teme lidhur me dijen dhe diturinë, Fahruddin Razi thotë diçka shumë të qëlluar mbi këtë specifikë: "Tri shkollat e tjera veç malikive pranojnë se qeni është tërësisht i pistë (nexhis)!" Pra, duke mos pasur asnjë anë të pastër, qeni s'duhet mbajtur në shtëpi.

Por, nëse qeni është i mësuar për gjueti ose ruajtjen e bagëtisë, puna ndryshon. Gjahu i kapur prej tij me gojë dhe i sjellë, hahet, vendet nga kalon konsiderohen të pastra dhe s'ka ndonjë të keqe të mbahet në shtëpi.

Ndryshimi mes qenit të zakonshëm, nga njëra anë, dhe qenit të gjahut ose të bagëtisë, nga ana tjetër, është se i pari s'është i mësuar, kurse të dytët janë të mësuar! Duke e rrokur kuptimin e thellë të këtij ndryshimi, Fahruddin Razi vazhdon: "Po qe se një qen merr nga dituria aq pjesë sa të gjuajë apo të ruajë bagëtinë dhe, si rrjedhojë e kësaj, fiton të drejtën të dalë nga cilësimi i fëlliqur për t'u cilësuar i pastër, për më tepër, fiton të drejtën për të jetuar në shtëpi e për t'u bërë pjesëtar i familjes, ecni e mendoni ju se ç'maja mund të arrijë njeriu që mëson dhe bëhet i ditur!"

Ja pra, mendësia e sheriatit, ja pra, mesazhi i fesë që e ndan të drejtën nga e shtrembra dhe ja ç'gjëra na erdhën me Profetin Muhamed Mustafanë (s.a.s.)! Ata që s'e njohin Allahun, janë injorantë. Çdo njeri që e njeh Allahun dhe e ndjek Atë, është "i ditur, dijetar". Sipas pohimit të sheriatit dhe fesë, ata që s'e njohin Allahun dhe Profetin, nuk quhen "të ditur, dijetarë". Kurse ata që e njohin Allahun dhe e njohin Profetin, në një kuptim konsiderohen të ditur edhe sikur të dinë pak dhe Allahu do të tregojë respektin e duhur - pavarësisht se si duhet kuptuar kjo cilësisht - për ata që i dinë dhe i njohin Allahun, Profetin, kiametin, ringjalljen, librat hyjnorë, xhenetin dhe xhehenemin.

Në lidhje me mendimin dhe meditimin do të mjaftohem vetëm me fjalën e bekuar, sipas së cilës, "një orë meditim është më e dobishme se një vit adhurim"! Perëndimi as e pa këtë gjë, as e gjeti dhe as arriti dot në këtë pikë! Do të meditoni një orë në mënyrë sistematike, do të gjeni disa gjëra për t'ia ofruar dobisë së njerëzimit ose do të mendoni në një kuadër legal për lumturinë e jetës tjetër duke e matur dimensionin e mendimit tuaj me dimensionet e asaj jete. Dhe vetëm nëse do t'i bëni këto, do të fitoni mirësinë e një viti adhurim!

Ka vite që ne, duke u larguar nga mendimi e meditimi, këto na janë bërë të huaja. Ne u larguam vetë ose na larguan të tjerët nga ky lloj adhurimi shumëdimensional. Ky largim nuk është faj i Islamit, por i muslimanëve. Profeti Muhamed i ka mbajtur hapur gjer në fund dyert dhe dritaret e mendimit dhe na ka porositur të hyjmë aty të sigurtë! (Hixhr, 15:46) Pasi u bëmë të huaj për dijen dhe meditimin, ne u bëmë mëngjarashë e vulgarë dhe, duke mos e ruajtur dot, për pasojë, vendin tonë ndaj Perëndimit, në ekuilibrin botëror, e drejta e fjalës kaloi tek ta. Dhe, natyrisht, ne ramë në pozitën e dëgjuesit të tyre. Por besoj se do të vijë dita kur muslimanët të zhvillohen sërish e të zënë vendin për të cilin janë të denjë!

I Dërguari i Allahut pati ardhur me një mesazh morali e edukate. Por edukimin dhe ngulitjen e moralit të lartë, ai e pati bërë duke i trajtuar njerëzit siç ishin, pa ua gjymtuar dhe shtrembëruar mundësitë dhe dhuntitë. Dhe kjo mënyrë trajtimi u qe dukur jashtëzakonisht tërheqëse njerëzve të asaj kohe dhe i pati vënë në lëvizje. Në sistemin e tij edukativ nuk kishte antagonizëm dhe përplasje me atë çka ishte e natyrshme dhe në përputhje me ligjet e krijimit. Çdo mesazh i tij kryente një funksion shtytës. Ndërkaq, ai e zhvillonte veprimtarinë e tij në një bashkësi që s'dinte asgjë për moralin dhe edukatën. Në dashtë Zoti, në shembujt që do të jap, do të shohim bashkë se nga i mori njerëzit ai, ku i nxori dhe gjer ku i lartësoi!

F. SHEMBUJ NGA SISTEMI I TIJ EDUKATIV

1. Qëndrimi ndaj personit që ndyu në faltore

Buhariu dhe Muslimi na përcjellin këtë ngjarje: "Një ditë, i Dërguari i Allahut po rrinte në faltore. Brenda hyri një beduin që, ndoshta kishte për ta pyetur Profetin për ca gjëra. Por beduini

më parë shkoi në një skaj të faltores dhe nisi të urinonte pranë murit. Të pranishmit nisën të thërrisnin "mos, mos!" dhe deshën të ndërhyjnë, por Profeti s'i lejoi dhe u tha: "Lëreni njeriun, mos ia pritni ujët!" Ai ishte një beduin. Ata mund ta rrihnin, por një veprim i tillë do të ishte gjithashtu veprim beduini! Pastaj Profeti u tha të pranishmëve: "Shkoni, sillni një kovë ujë e derdheni mbi vendin e fëlliqur. Uji e merr me vete urinën dhe vendi bëhet sërish i pastër!" Po, në fillim, shumica e njerëzve ishte aq beduine dhe e egër sa të përmirrte brenda faltores! Ja, nga njerëz të tillë pati nxjerrë Profeti atë bashkësi ideale shokësh e pasuesish! Kush e di, ai beduin ishte, ndoshta, Tarik bin Zijadi, Shurahbil bin Hasene ose babai i Ukbes...

2. Vlera që i jepte femrës

Periudha e paganizmit, politeizmit dhe injorancës së plotë kishte mbetur pas dhe, tashmë, çdo gjë që i përkiste asaj periudhe, tregohej e përshkruhej ose me ndjenja të hidhura, ose me mall, ose me një mënyrë ironike e tallëse. Po, kur flitej për atë periudhë, ose mblidheshin buzët, ose shprehjet mbuloheshin me buzëqeshje, ose visheshin me një rrudhje ndjenjash të brendshme. Një ditë, një person i ardhur përsëri nga shkretëtira, i pati treguar disa gjëra profetit. Në tregimin e tij ishin edhe këto kujtime: "O i Dërguari i Allahut! Unë i kam groposur vajzat e mia me duart e mia! Ja ç'më pati ndodhur me njërën. Ishte ende e vogël për të kuptuar veprimet e mia. E mora për dore dhe u largova me sa munda në shkretëtirë. Më në fund, ndala diku dhe fillova të hap një gropë. Edhe vajza gërmonte bashkë me mua gropën e vet! (Profeti ishte mbushur si një re dhe kishin filluar t'i rridhnin lot.) Kur mbaroi, u tërhoqa pak pas. Vajza e vogël shihte në gropë pa kuptuar se ç'kishte për të ndodhur. Befas e godita me shqelm në kurriz. Ajo u rrokullis brenda duke thërritur: "Baba! baba!" Profeti nisi të qante me ngashërim. Shokët nisën ta qortojnë beduinin që po e prekte kaq thellë Profetin! Ja, i tillë ishte njeriu i asaj periudhe! Femra nuk gëzonte as të drejtën për të jetuar! Dhe i Dërguari i Allahut u shfaq pikërisht brenda një shoqërie të tillë dhe, duke e trajtuar çdo gjë brenda vlerave të veta, edhe femrës i përftoi vlerat që i takonin. Në atë periudhë, femra shihej me përbuzje dhe nënçmohej, përzihej, nëpërkëmbej, i ati e shihte duke thartuar fytyrën dhe vajzat e lindura fshiheshin dhe mbaheshin të fshehura prej të etërve. Sigurisht që atë kohë nuk njihej statistika dhe as që ka qenë mbajtur statistikë mbi përqindjen e jetesës së femrave, por pandeh se 50% e femrave të gjalla ishin nga ato që kishin mbetur gjallë duke u mbajtur fshehur nga të etërit. Ndoshta vetëm persona me shpirt të pastër si Ebu Bekri nuk i patën vrarë vajzat e tyre. Me përjashtime të tilla, shumica, rinia e të cilëve i përkiste asaj kohe, do të ishin patjetër kriminelë të paktën të një vajze. Ja, mes një shoqërie të tillë, i Dërguari i Allahut i ngrinte femrat në vlera të larta!

Shihni se ç'ngjarje na përcjell Nesaiu prej Hz. Aishes: "Para Profetit erdhi një vajzë dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Im atë kërkon të më martojë me djalin e xhaxhait pa dëshirën time!" I Dërguari i Allahut e thirri menjëherë të atin dhe i tha: "Nuk mund ta detyrosh vajzën të martohet me dikë që nuk e do!" I ati i vajzës iu përgjigj Profetit me bindje: "Si të urdhërosh, o i Dërguari i Allahut!" Ai hoqi dorë nga vendimi i vet. Fundja, as që mund të pritej që shoku dhe pasuesi i profetit të mbante qëndrim tjetër! Ndoshta, duke ia dhënë vajzën të nipit, ai kishte dashur ta shpëtonte atë nga ndonjë vështirësi, por urdhri i të Dërguarit të Allahut ishte mbi çdo gjë! Pas fjalëve plot bindje të të atit, vajza u ngrit në këmbë dhe tha kështu: "O i Dërguari i Allahut! Qëllimi im i vërtetë nuk qe t'i dilja kundër tim eti, por të mësoja ç'urdhëronte Islami për këtë rast. Gjer ku ka të drejtë një prind t'ia japë vajzën dikujt? Ja, këtë desha ta mësoj dhe me këtë qëllim erdha këtu!"66

Vajza që gjer një ditë më parë shihej me përbuzje, nënçmohej dhe groposej për së gjalli, dilte para profetit dhe e kërkonte të drejtën e qetë. A mund të përdorte forcën i ati për ta detyruar të martohej me dikë? Ja, këtë pyeste ajo. Po të tregonte dikush për një ngjarje të tillë

disa vjet më parë, dëgjuesit nuk do t'u besonin veshëve ose do të mendonin se rrëfyesi kishte lojtur. Mirëpo, ja që të gjitha këto po ndodhnin pas Islamit!

3. Njeriu i të kënaqurit me atë që ka

Imam Muslimi dhe Ibni Maxhe përcjellin prej Avf bin Malikut: "Një ditë ndodheshim pranë të Dërguarit të Allahut dhe bëheshim gjer 9-10 vetë. Ai na tha: "Jepni besën!" Të gjithë mbetëm të habitur. A nuk ishim ne që i kishim dhënë besën disa herë? Prandaj e pyetëm: "O i Dërguari i Allahut! Për ç'gjë të të japim besën?" Ai na u përgjigj: "Të më jepni besën se do ta adhuroni vetëm Allahun dhe nuk do të njihni zot tjetër veç Tij, se do të falni pesë kohë namaz dhe se s'do të kërkoni asgjë prej të tjerëve!"

Duke i thënë këto fjalët e fundit, e uli shumë zërin dhe dukej sikur bënte përpjekje të mos e dëgjonte kush. Mund që, po të dëgjohej, sahabet, shokët të cilëve u kërkohej të jepnin besën, të turpëroheshin. I Dërguari i Allahut ishte njeri shumë i ndjeshëm. Ai kurrë nuk e kishte kaluar masën e konfidencës me shokët.

Dhe vitet kalojnë, kurse disa prej personave që morën pjesë në atë dhënie bese, bien në varfëri. Bien në varfëri, por nuk ia zgjasin dorën askujt dhe aq të ndjeshëm tregohen në këtë drejtim, saqë, po t'u bjerë kamxhiku nga dora tek shkojnë kaluar, nuk i luten ndonjë kalimtari t'ua japë! Ka mundësi që pas asaj besëdhënieje, askush prej tyre nuk i ka kërkuar ndokujt qoftë edhe një gotë ujë!

Në veprën e vet "Sahih", imam Buhariu tregon: "Hakim b. Hizam erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i kërkoi diçka. I Dërguari i Allahut ia dha. Por ai nuk u mjaftua me aq. Ai i kërkoi diçka tjetër të Dërguarit të Allahut dhe ai ia dha. Pastaj personi i kërkoi edhe diçka tjetër dhe i Dërguari i Allahut ia dha edhe atë. Mirëpo kërkesat e personit nuk kishin të mbaruar. Pasi i plotësoi disa kërkesa, i Dërguari i Allahut i tha: "Kjo botë është e ëmbël, e këndshme, e blertë. Shumica prej jush mund të jepeni pas tërheqjes së saj dhe të humbni. Po t'ju jepet diçka pa kërkuar, ju bëhet e bekuar. Por po t'ju jepet me të kërkuar, ju bëhet barrë dhe mbeteni nën detyrimin e mirënjohjes. Kurrsesi mos kërkoni!" Më vonë ky person ra në gjendje për të lypur, por as Ebu Bekri, as Omeri nuk mundën ta bënin të pranonte ndonjë gjë si sadaka, zekat apo nga plaçka e luftës. Ai thoshte "jo" dhe këmbëngulte për të mos marrë!"

4. Një fragment nga periudha e injorancës

Duke i vënë gjoksin çdo zakoni të keq dhe injorant, Profeti e kthente një periudhë errësire në shekull të dritës!

Për t'i bërë dritë kësaj specifike, dëshiroj të kujtoj këtu fjalët që Xhafer ibni Ebi Talib tha para mbretit etiopian Nexhashi: "O sundimtar! Ne pinim gjak, hanim ngordhësirë, kurvëronim, vidhnim, vrisnim dhe bashkoheshim për të grabitur. I forti e shtypte të dobëtin dhe bënim sa e sa gjëra të tjera të turpshme për njeriun!.." Me këto fjalë ai i tërhiqte vëmendjen mbretit se në ç'errësira ndodheshin ata para se të vinte Profeti Muhamed!

Në atë shoqëri shpërthente kiameti në një pikë ujë, dy grupe njerëzish përlesheshin dhe vriteshin me njëri-tjetrin vetëm me pretendimin se kishin të drejtë, kurvërimi kishte rrugë të hapur, vjedhja konsiderohej aftësi dhe numri i njerëzve që s'pinin alkool numërohej me gishta. Ja pra, në një shoqëri të tillë fanatike dhe tejet të egër, brenda një kohe tepër të shkurtër, ai i shkuli nga rrënjët dhe i hodhi tej të gjitha gjërat e turpshme, krejt moralin e tyre të ulët dhe, në vend të tyre, nguliti vetitë, vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, moralin e lartë! Autorë

utopistë si Thomas Muri kanë përmendur vazhdimisht për model të moralit të lartë shoqërinë e republikës platonike, kurse Profeti Muhamed (s.a.s.) e kishte vënë me kohë në jetë atë shoqëri virtyti!

Nxjerrja nga një shoqëri që nuk njihte tjetër gjë veç egërsisë dhe fanatizmit në egërsi, një shoqëri që do t'i jepte njerëzimit mësime qytetërimi, ishte krejt si nxjerrja e dijeve nga errësira! Ja, këtë pati arritur Hz. Muhamedi me atë veprimtarinë e tij të mrekullueshme dhe pati treguar se ishte një person i jashtëzakonshëm e i mrekullueshëm!

Ne që nuk mundemi ta bëjmë dikë që rri me vite pranë nesh, të heqë dorë nga një ves, përkulemi më dysh para Profetit Muhamed që u pati shkulur nga rrënjët zakonet e këqija njerëzve që u patën hyrë ato zakone në gjak dhe u qenë bërë natyrë e dytë, dhe e përsërisim edhe një herë tjetër dëshmimin tonë se ai është profet i vërtetë. Po, me të gjitha qelizat e trupit bërtasim dhe themi: "Ai është i Dërguari i Allahut!"

Unë pata ngritur në përfytyrimin tim një sistem edukimi që e pata konsideruar si sistem ideal edukimi, natyrisht duke u frymëzuar prej tij dhe me burim Medineje, por kurrsesi nuk munda t'i bëj më të afërmit që ta pranonin në kuptimin e vërtetë të fjalës. Thashë virtyt, por më ra goja dhe s'nxora dot gjë. Ç'fuqi e jashtëzakonshme ishte ajo me të cilën i Dërguari i Allahut nxirrte nga egërsia qytetërim, nga vulgariteti lartësi dhe nga njerëz nomadë, njerëz të qytetëruar dhe pastaj i bënte mësues në krye të popujve! Pandeh se në ditët tona, njerëz si unë të dobët e të paaftë për t'u thënë diçka dy-tre vetëve në shtëpi, do ta kuptojnë më mirë madhështinë e Profetit Muhamed që e pati ngritur lart njerëzimin me një hop dhe që u pati zbrazur njerëzve ndër zemra frymëzimet e veta, mjafton që të mos pengohen nga paramendimet dhe kryeneçësia!..

Në atë periudhë, Islami u përhap gjer në Iran dhe në Turani. Ndërkaq, iraniani ishte nën ndikimin e një kulture tjetër, turaniani, nën ndikimin e një kulture tjetër, turku, nën ndikimin e një kulture tjetër, romaku, nën ndikimin e një kulture tjetër, kurse mesazhi i tij u përshtatej atyre sikur të ishte një rrobë e prerë dhe e qepur sipas masës së trupit të secilit prej tyre! Ja mrekullia! Fakti që ai bënte t'i shkonte fjala në të gjithë botën, ishte një mrekulli e madhe dhe është argument se ai person ishte i dërguar nga Allahu! Pra, Hz. Muhamedi ishte përfaqësues i Allahut. Kjo është ajo që duam të kuptojmë ne!

Me gjeninë e vet, një njeri mund ta zbulojë shekullin e vet. Për shembull, Aleksandri i Madh mund ta ketë njohur në një farë mase shekullin e vet, Qesari mund ta ketë kapërcyer kohën e vet, Napoleoni mund ta ketë kuptuar mirë kohën e vet, por vetëm Profetit Muhamed i ka takuar që ta bëjë mozaikun e kombeve të mëvonshëm të vendeve të ndryshme të botës t'ia dëgjojnë fjalën dhe t'i thonë "po" mesazhit të sjellë prej tij në sajë të përshtatshmërisë së atij mesazhi me konstitucionin shpirtëror të tyre. Dhe neve s'na mbetet tjetër veçse t'i themi mrekulli këtij fenomeni. Fundja, unë nuk di të ketë fjalë tjetër që ta shpjegojë dhe shprehë këtë sukses!

Jemi në pragun e shekullit XXI dhe katërmbëdhjetë shekujt që kanë kaluar, nuk kanë ndryshuar asgjë dhe mesazhi i sjellë nga Profeti Muhamed, duke e ruajtur freskinë e vet, na u pëshpërit zemrave, shpirtrave, mendjeve dhe ndërgjegjeve gjëra krejt të reja, sepse ai e pati marrë mesazhin nga Individualiteti Hyjnor që na i njeh zemrat, që na bën ta ndjejmë në ndërgjegjet. Ndryshe, paraqitja e një sistemi që t'u përgjigjet nevojave të të gjitha kohërave është diçka që i kalon mundësitë e një njeriu, kushdoqoftë ai!

G. SISTEMI I TIJ I MESIMIT

Parimet e mësimit dhe edukimit që parashtroi Profeti janë shprehur me hollësi në Kur'an dhe Sunet. Në të vërtetë, vetëm fakti që ai u kumtoi njerëzve Kur'anin dhe i bëri ta pranojnë dhe përvetësojnë, është diçka shumë e mrekullueshme. Tema jonë nuk është Kur'ani, por unë do të flas për këtë, meqë ra fjala, në parantezë.

Profeti doli nga një shoqëri që s'dinte asgjë, që s'dinte shkrim e këndim, që s'dinte ç'është shkolla. Kurse kur ndërroi jetë, në bashkësinë e tij, nga i riu i porsahyrë në jetë, gjer te më i moshuari që priste të hynte në varr, s'kishte mbetur njeri pa mësuar shkrim e këndim. Gjithashtu, s'kishte shok të tij që të mos dinte të këndonte Kur'an. Jo vetëm shokët e tij, por dhe bujqit e Medinës që plugonin në arë njihnin shtatë a dhjetë mënyra të këndimit të Kur'anit. Sot, shkencën që merret me mënyrat në fjalë të këndimit të Kur'anit nuk e njeh as autori i këtyre radhëve si dhe numri i atyre që e njohin është shumë i pakët.

Është e drejtë se ata njerëz ishin shumë të zgjuar nga natyra si dhe kujtesën nuk e kishin të lodhur. Mirëpo këtë punë të madhe nuk e bënë vetëm zgjuarsia dhe kujtesa e tyre. Ndoshta ishte sistemi i të mësuarit, që solli i Dërguari i Allahut e që i pati njësuar kështu me Kur'anin!

Më parë këta njerëz ishin të hapur ndaj çdo lloji të moralit të keq. Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, i Dërguari i Allahut ua shkuli të gjitha veset e këqija dhe në vend të tyre u nguliti shprehi të mira.

Për shembull, Kur'ani u thoshte atyre: "Allahu e dha vendimin e vet. Nuk do të adhuroni tjetërkënd veç Tij dhe do të silleni mirë me prindërit!" (Isra, 17:23) Ky urdhër ushtronte një ndikim të tillë mbi ata njerëz që gjer një ditë më parë silleshin egërsisht me prindërit, saqë dikush prej tyre i drejtohej të Dërguarit të Allahut dhe e pyeste se ç'dënim do t'i jepej nëse i ati e shihte dhe ai nuk i përgjigjej me vështrim, me buzëqeshje!

Gjithashtu, Kur'ani tha: "Mos iu afroni mallit të jetimit!" (En'am, 6:152) Ky ajet i preku aq shumë muslimanët, saqë shumica shkuan te Profeti me mallrat e jetimëve në duar për t'ia dorëzuar që ai, pastaj, t'ua jepte të zotërve. Po të vihet re me vëmendje, ajeti nuk thotë "mos e hani mallin e jetimit", por "mos iu afroni mallit të jetimit"! Prandaj sahabet dëshironin të çliroheshin një çast e më parë nga malli që i përkiste një tjetri, konkretisht, një jetimi! Ç'kishte ndodhur me këta njerëz që gjer aty s'i kishin njohur të drejtë jete jetimit dhe që ishin përpjekur për t'ia marrë nga dora çdo gjë që kishte, kurse tani pësonin një transformim të menjëhershëm? Marrëdhëniet seksuale jolegjitime, kurvërimi dhe prostitucioni ishin shumë të përhapur në atë shoqëri, madje, kishin marrë formë legjitime. Dukej sikur nuk kishte njeri që ta dënonte këtë gjë të keqe. Ndërkaq, erdhi dita që Kur'ani të jepte urdhrin: "Mos iu afroni kurvërimit!" (Isra, 17:32) Pas këtij urdhri, marrëdhëniet seksuale jolegjitime u prenë si me thikë! Pastaj, në periudhën në vazhdim, ndodhën a s'ndodhën nja dy raste shkeljeje.

Vjedhja dhe grabitja konsideroheshin shenja guximi e trimërie. Pastaj erdhi dekreti kur'anor: "Prejani dorën atij që vjedh, qoftë burrë apo grua!" (Maide, 5:58) Dhe çdo gjë ndërroi menjëherë. Me sa di unë, pas këtij ajeti ndodhën vetëm nja dy ngjarje vjedhjeje që u dënuan me prerje dore.

Njerëzve kriminelë të asaj kohe, Kur'ani u tha: "Mos kryeni krimin e vrasjes që Allahu e ka bërë haram (të ndaluar, të dënueshëm)!" (Isra, 17:33) Dhe ky ajet mjaftoi që krimi i vrasjes të merrte fund. Pastaj ndodhën vetëm dy ngjarje vrasjeje: vrasja me qëllim e një çifuti nga një musliman dhe një vrasje tjetër aksidentale.

Dhe tani shihni: gjatë një periudhe kohore prej 23-vjetësh dhe në të gjallë të Profetit, ndodhin vetëm një marrëdhënie seksuale jolegjitime e pohuar, vrasja e një çifuti dhe, me sa di unë, prerja e dorës së një gruaje për vjedhje! Nga një shoqëri vampirësh që hante ngordhësira dhe pinte gjak, i Dërguari i Allahut nxori njerëz të përsosur e me moral të lartë. Nga ajo baltovinë del një shoqëri e shkëlqyer? Në s'është kjo një mrekulli, ç'është?

Unë e kam të pamundur ta paraqes dhe trajtoj këtë temë me hollësi. Unë dëshiroj vetëm që, me lejen tuaj, duke dhënë vetëm nja dy shembuj për tri-katër parime të moralit të lartë, ta parashtroj edhe një herë madhështinë dhe shkëlqimin e veprimtarisë së Profetit Muhamed

(s.a.s.)!

1. Bujaria dhe vetëmohimi

Shoqëria arabe paraislamike ishte një shoqëri ku njeriu nuk mendonte tjetër veç interesave të veta. Ndihmën ndaj dikujt tjetër ata s'e kishin menduar as në ëndërr. Kurse parapëlqimi i tjetrit para vetes, vetëmohimi, ishte një gjë e padëgjuar ndonjëherë mes tyre. Vetëm profetësia e Muhamedit, ashtu siç ndryshoi shumë gjëra në jetën e atyre njerëzve, e hoqi edhe koprracinë, zemërngushtësinë dhe edukoi dhe nguliti ndjenjën e bujarisë, parapëlqimit të tjetrit dhe vetëmohimit.

Një ditë, te Profeti shkoi një njeri. Ai ishte Ebu Hurejre. Iu afrua Profetit dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ka ditë që s'kam gjetur gjë për të ngrënë dhe kam agjëruar disa ditë njëra pas tjetrës i pangrënë!" I Dërguari i Allahut e hodhi vështrimin përreth, por nuk pa kënd që do të mund të priste mik në shtëpi. Pas pak, u ngrit në këmbë Ebu Talha që i Dërguari i Allahut e donte shumë dhe tha: "O i Dërguari i Allahut, po e marr unë si mik në shtëpi!" Dhe e mori mikun dhe e çoi në shtëpi. Në duart e familjes së tij që kishte dhënë gjithçka për Islamin, nuk kishte mbetur asgjë. Vetëm herë pas here ata mund të gatuanin ndonjë supë. Kishte mundësi që atë ditë, e shoqja, Ummu Seleme, t'u kishte bërë fëmijëve ndonjë supë. Kur erdhi miku në shtëpi, burrë e grua u morën vesh mes tyre: "Sonte supën do t'ia lëmë ta hajë miku. Sido që të jetë, ne mund të agjërojmë edhe sot pa ngrënë! Fëmijët duhen marrë me të mirë që të flenë. Në mëngjes shohim e bëjmë edhe për ta!.." Do të vepronin kështu: Sapo të vihej supa në sofër, gruaja do ta shuante qiriun si pa dashur dhe miku me të zotin e shtëpisë që do të uleshin në sofër, do të hanin në errësirë. I zoti i shtëpisë do ta fuste dhe nxirrte lugën bosh, kështu që miku do të kishte mundësi të ngopej se supa nuk mjaftonte për dy burra. Dhe bënë siç e menduan. Kur u bë mëngjes, Ebu Talhai me mikun, Ebu Hurejren, zunë vend pas Profetit për të falur namazin e mëngjesit. I Dërguari i Allahut e drejtoi faljen. Pas mbarimit të faljes, i Dërguari i Allahut ktheu kokën pas, kërkoi me sy Ebu Talhain me Ebu Hurejren dhe pyeti: "Ç'keni bërë mbrëmë që për ju zbriti ky ajet: "Edhe sikur të jenë vetë ngushtë, e parapëlqejnë tjetrin në vend të vetes së vet!" (Hashr, 59:9)

Në librat dhe në traditat e njeriut arab të periudhës pagane, politeiste e injorante paraislamike nuk njiheshin gjëra të tilla si parapëlqimi i tjetrit në vend të vetes, pra, vetëmohimi, ushqyerja e të uriturve, veshja e të zhveshurve, vetëflijimi për tjetrin, kënaqja e tjetrit duke mbetur vetë i pakënaqur, etj. Por i Dërguari i Allahut ua bëri të njohura, i nguliti këto ndjenja të larta tek ta, sikur t'i kishte ngulitur me daltë mbi mermer dhe i transformoi. Ju quajeni si të doni këtë frymë altruizmi e vetëmohimi: durim, tolerancë, nënshtrim, përfundimi nuk ndryshon. Le ta kujtojmë edhe një herë fjalën që thotë: "Besimi çon në nënshtrim, nënshtrimi çon në dorëzim, dorëzimi çon në lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë". Po, nëse keni besuar, do t'i nënshtroheni Allahut; pasi t'i jeni nënshtruar Allahut, do t'i dorëzoheni Atij, do të mbështeteni te Ai. Ja, atëherë do ta arrini lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë!

2. Heroizmi i Hansas

Me elegjitë që kishte shkruar për vdekjen e të vëllait, Hansa kish bërë botën të qajë. Ndërkaq, kjo grua e madhe ende s'kishte shpëtuar dot nga tymi dhe mjegulla e injorancës, nuk ishte ndikuar nga Profeti Muhamed, nuk e kishte njohur ende atë, nuk i kishte vënë dot veshin zërit magjepsës të Kur'anit dhe s'ishte hapur ende ndaj tij. Pastaj, kur e njohu Kur'anin, ndërroi menjëherë. Dhe si! Ai shpirt i madh që i kishte thurur elegji të vëllait pagan, erdhi dita që të japë dëshmorë të katër djemtë menjëherë dhe, me gjithë dhimbjen e madhe amësore, ta

shprehë me këto fjalë nënshtrimin e thellë ndaj Allahut: "Lavdi Ty, Allahu im, që më fale mundësinë të t'i dhuroj në të gjallë të katër djemtë që më pate dhënë!"

Ja pra, aftësia e madhe transformuese e Profeti Muhamed (a.s.) dhe transformimi i madh që realizoi ai te njerëzit! Ai nxori dritën nga errësira dhe tregoi nuancat e dritës në errësirë. Prandaj po pyes edhe një herë: Ndryshimi i njerëzve kështu, në mënyrë të menjëhershme, nëse s'është mrekulli, ç'është?

3. Heronjtë e një çasti ndryshimi

a) Ikrime (r.a.)

Kur u fitua Meka, Ikrime u arratis, por, pastaj, i bindur nga e shoqja, u kthye sërish në Mekë. Kur armiku më i tërbuar i të Dërguarit të Allahut doli para tij, ai e priti me buzëqeshje dhe me fjalët: "Tungjatjeta, o kundërshtar i mërguar!" Këto fjalë mjaftuan për t'ia fituar zemrën Ikrimes. Ai i dha fjalën vetes: Edhe vetë, edhe i biri i vetëm, Amr, do të jepnin jetën për atë çështje! Pastaj, në Jermuk, ndërsa po numëronte minutat e veta të fundit, erdhën e i thanë: "Yt bir Amri ra dëshmor!" Ikrime u drejtua dhe tha: "O i Dërguari i Allahut, të pata dhënë fjalën se do ta flijoj edhe tim bir në udhën tënde! A e mbajti fjalën Kundërshtari i Mërguar?" A mund të dilte Kundërshtar i Mërguar nga i biri i Ebu Xhehlit? Nga ai "njeri që i kundërvihej Profetit në çdo front, që kishte për qëllimin më të madh ta vriste të Dërguarin e Allahut", pra, nga ai njeri i errësirës, a mund të dilte një Kundërshtar i Mërguar që i linte pas edhe engjëjt? Ja që mund të dilte dhe doli!

Në periudhën paraislamike të paganizmit, politeizmit dhe injorancës, Ebu Xhehli ishte i pasur dhe i fuqishëm. Ai i shtypte të dobëtit dhe ua priste rrugën. I dobëti nuk kishte të drejtë jete, femrat, jo që jo! Fëmijët vriteshin për hiçgjë. I varfëri nuk thoshte dot "edhe unë kam të drejtë"! Kishte ligje, siç kishte pasur gjithmonë, por ato përdoreshin kundër të dobëtëve dhe të varfërve. (A s'është kështu edhe sot?) Ja pra, nga një shoqëri njerëzish tejet të egër, që s'njihnin drejtësi, i Dërguari i Allahut nxirrte njerëz si engjëj që e përfaqësonin drejtësinë në përmasa botërore!

b) Omeri (r.a.)

Një ditë, mes kalifit Omer që ndodhej në krye të shtetit islam, i cili shtrihej në një hapësirë të gjerë dhe Ubej Ibni Kab-it, krijohet një mosmarrëveshje. Ubej i thotë kalifit Omer: "O kalifi i të Dërguarit të Allahut, po bën padrejtësi!" Kalifi shkon te gjykatësi dhe kërkon gjykimin e çështjes. Gjykatës apo kadiu i çështjes ishte Zejd ibni Thabit. Gjykimi do të bëhej në shtëpinë e tij, prandaj palët shkuan atje. Kur gjykatësi pa kalifin të hynte brenda, për hir të edukatës dhe respektit, i tregoi shilten pranë dhe e ftoi të ulej me fjalë të zgjedhura: "O prijësi i besimtarëve, uluni këtu!" Kalifi Omer, i zemëruar e me vetullat të kreshpëruara, i tha gjykatësit ato fjalë që do të mbeten vëth në vesh të historisë: "Ja, tek e bëre padrejtësinë e parë në gjykimin tënd!"75

c) Ngjarja Maiz dhe Sistemi i Kontrollit me Vetëdije

Një frymë llogaridhënëse që të rrëqeth ose një fragment nga ngjarja Maiz. Muslimi ka veçuar një kapitull të veçantë që e ka titulluar "Vetëflijuesi". Ja kush është Maizi!

Maizi hyn një ditë te i Dërguari i Allahut dhe arrin gjer pranë tij. Është zverdhur, kërrusur dhe s'i ka mbetur fuqi për të folur. Ai arrin t'i thotë Profetit vetëm kaq: "O i Dërguari i Allahut, më pastro!" I Dërguari i Allahut e kthen fytyrën nga ana tjetër. Njeriu i dhembshurisë nuk dëshiron ta dëgjojë atë që ka për t'i thënë i ardhuri që ka para. Maizi i del në anën tjetër ballë përballë dhe ia thotë të njëjtat fjalë. Profeti përsëri e kthen fytyrën nga ana tjetër dhe kjo gjë përsëritet për të katërtën herë. Herën e katërt, Profeti e pyet: "Nga ç'mëkat të të pastroj?" "Nga zinaja, o i Dërguari i Allahut!" - I përgjigjet Maizi. Të gjithë të pranishmit kanë ngrirë. Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, fjala "ziná" shqiptohej ndoshta për herë të parë! Pohimi i Maizit kishte shkaktuar te të pranishmit një shok të vërtetë! Ata që gjer një ditë më parë e shihnin si legjitime dhe normale çdo marrëdhënie seksuale të parregullt, së bashku me pranimin e Islamit ishin larguar aq shumë prej saj, saqë ishin hutuar sikur po dëgjonin një gjë të re për herë të parë! Heshtjen e prishi i Dërguari i Allahut që i pyeti të pranishmit:

Mos ka ndonjë marrëzi te Maizi?

Jo, o i Dërguari i Allahut, - i thanë shokët, - Maizi është njeri me mend në kokë!

A mos është i pirë?

Shokët i morën erë dhe u përgjigjën:

Jo!

Maizi vazhdoi të këmbëngulte në pohimin e tij dhe, tashmë, i Dërguari i Allahut s'kishte më gjë në dorë. Ai u tha shokëve: "Ekzekutojeni!"

Profeti nuk mori pjesë në ekzekutuesit e Maizit me gurë. Maizi u çua në një shesh dhe filloi ekzekutimi i tij. Mbi kokën e Maizit ra një breshër gurësh. Një çast dhe ai deshi të ikte, por dikush e arriti dhe e qëlloi në kokë me një kockë të madhe nofulle kafshësh. Ajo u bë goditja e fundit që i solli vdekjen. Maizi ra. Ai kishte vdekur!

Çështja iu përcoll Profetit. Ai u prek shumë nga mënyra se si kishte përfunduar ekzekutimi dhe u tha shokëve: "A s'duhej të ma linit mua atëherë?" Maizi mund të hiqte dorë nga pohimi dhe atëherë gjendja do të ndryshonte.

Pas tri-katër ditësh, para Profetit u paraqit një grua. Ishte bashkëfajtorja e Maizit. Si Maizi, edhe ajo i tha: "O i Dërguari i Allahut, më pastro!" I Dërguari i Allahut u soll me të si me Maizin dhe, më në fund, i tha: "Shko dhe bëj pendesë!" Por gruaja këmbëngulte. Atëherë, Profeti i tha: "Ti mund të jesh shtatzënë. Ne s'mund ta prekim gjakun e atij të pafajshmit!" Dhe gruaja u largua. Kaluan muaj dhe gruaja e lindi fëmijën. Në rastin më të parë, ajo shkoi përsëri te Profeti dhe ia përsëriti kërkesën. Këtë radhë, Profeti e ktheu prapë atë duke i thënë: "Fëmija ka nevojë për gji dhe kujdes!" Gruaja u largua. Kaluan kohë, fëmija u rrit dhe u mësua të hante vetë. Atëherë gruaja shkoi përsëri te Profeti dhe i tha e vendosur: "Ja, tani s'ka më nevojë për mua! Pastromë, o i Dërguari i Allahut, dhe më shpëto nga kjo vuajtje ndërgjegjeje!" E morën gruan dhe e çuan në vendin e ekzekutimit. Ndërsa po vdiste, dukej e kënaqur dhe e lumtur! Kur dikush nga ekzekutuesit e shau tek po e qëllonte me gur, Profeti që po e vëzhgonte ekzekutimin nga larg, vrenjti vetullat dhe tha: "Vallahi, kjo grua bëri një pendesë të tillë që, po të përpjesëtohej për të gjithë popullin e Medinës, do të mjaftonte!"78

Pse ashtu? Sepse ajo kishte bërë një mëkat pa e parë askush, por, që llogaria të mos i mbetej për Përtej, e pati pohuar dhe e pati bartur turpin e kryer para Allahut dhe shoqërisë si një këmishë të zjarrtë gjer në çastin e ekzekutimit. Vërtet, i kishte rrëshqitur këmba dhe ishte rrëzuar, por nuk kishte hequr dorë nga kërkimi i shpëtimit te porta e fesë!

Është e pamundur t'i radhisim këtu të gjitha rregullat dhe disiplinat morale, sepse janë me qindra të tilla. Kurse ne këtu mundëm të preknim vetëm disa prej tyre. Po të mundej të radhiteshin të gjitha rregullat morale një e nga një, mund të siguroheshin prova edhe më të fuqishme për veprimtarinë mbinjerëzore të të Dërguarit të Allahut. Sepse njeriu i asaj dite ishte në kundërshtim me të gjitha rregullat morale që ekzistojnë. Kurse i Dërguari i Allahut jo vetëm i shkuli nga rrënjët të gjitha veset dhe shprehitë e këqija, por edhe nguliti në vend të tyre cilësi dhe shprehi të reja e të mira.

Edhe në edukim, i Dërguari i Allahut tregoi mrekulli dhe parashtroi një sërë parimesh themelore të edukimit, të cilat ishin të tilla që, duke u shumëzuar dhe shtuar me anë të analogjisë, mund ta përfshinin tërë njerëzimin për të gjitha kohërat. Sipas opinionit tim modest, kur t'i kemi rrokur thellësitë e mendimit dhe projektimit pas këtyre parimeve dhe ta kemi arritur mendësinë e tij, do të kemi fituar nivelin që do ta kishin zili engjëjt. Ç'e do se, siç e ka shprehur edhe Kutubi me një rast, ne jemi ende në rrugë. Profeti Musa ia shpreh kështu Allahut një habi të tijën: "O Zot! Shoh shumë njerëz që, pasi të kanë gjetur Ty dhe janë duke ecur në rrugën tënde, papritmas ndërrojnë rrugë dhe shkojnë në drejtim tjetër!" Zoti i drejtohet atij me plot urtësi dhe i thotë: "O Musa, ata kurrë nuk erdhën te Unë, nuk më gjetën dot Mua dhe nuk arritën dot gjer te Unë! Ata qenë ende rrugëtarë dhe ndërruan rrugë!" (Allahu na ruajttë nga mbetja në rrugë dhe nga ndërrimi i rrugës!) Me të vërtetë, ne nuk jemi të siguruar. Dhe askush nuk mund t'i japë tjetrit garanci se s'ka për t'u shmangur nga rruga!

Frerët e çdo gjëje janë në dorën e Allahut. Allahu që ka në dorë frerët e çdo gjëje, mos na ndaftë nga rruga e drejtë! Allahu mos na lëntë vetëm për vetëm me vetveten gjersa të mbyllim sytë!

Mes një mjedisi injorant, mes një shoqërie injorante, mes njerëzve të regjur me zakone injorante, i Dërguari i Allahut kreu një transformim madhështor e të shkëlqyer që i mahnit mendjet. Dhe ky transformim realizohet në mënyrë që ta përfshijë gjithë jetën. Ç'është e vërteta, gjatë historisë së njerëzimit janë përgatitur shumë gjeni, të cilët kanë mundur të realizojnë një sërë ndryshimesh në fusha të caktuara, por dhe të posaçme vetëm për ato fusha. Për shembull, një gjeni shoqëror, brezin e përgatitur prej tij e ka ngjitur në majë, në fushën shoqërore, për të cilën e ka përgatitur, por e ka lënë të gjymtuar në ekonomi, nuk i ka dhënë dot gjë në fushën psikologjike, nuk e ka çuar shumë para në fushën e edukimit dhe, sidomos, në fushën shpirtërore nuk i ka dhënë asgjë! Për shembull, ka dalë një tjetër gjeni dhe ka bërë një revolucion ekonomik për vendin e vet, e ka çuar shoqërinë gjer në një pikë të caktuar. Por edhe ky ka mbetur i kufizuar me kaq, në jetën shoqërore nuk e ka çuar dot shoqërinë as dhe një hap para, ndërkaq që nuk ka thënë dot asgjë për vetëkontrollin dhe vetëllogarinë. Kështu, me radhë, dikush në një fushë e dikush në një fushë tjetër, por askush nuk e ka arritur dot përsosmërinë në të gjitha unitetet e jetës. Është vetëm Profeti Muhamed që e ka përfshirë jetën me të gjitha unitetet, e ka ngjitur në maja dhe atij i është dhënë garancia se do të mbetet përjetësisht në maja! Po, ai është në majë me ekonomi, është në majë me sociologji, është në majë me artin e luftës, është në majë me vetëllogari, është në majë me aftësinë për t'i bërë të tjerët që ta pranojnë, është në majë me ngritjen e ekuilibrit botë-përjetësi, është në majë me zotërimin e sendeve dhe ngjarjeve, është në majë me kompetencën e njohjes së jetës tjetër, është në majë me çdo gjë! Në veprimtarinë edukative të të Dërguarit të Allahut, asnjë ndjenjë njerëzore s'ka mbetur e cunguar, asnjë gjë s'është nënvleftësuar, përkundrazi, çdo gjë është zhvilluar dhe njerëzve u është hapur rruga për t'u përmirësuar tërësisht. Duke e spërkatur edhe kaderi rrugën me ujë, në çdo fushë janë përgatitur njerëzit më të përsosur e më të mrekullueshëm!

PJESA E DYTË

ORIGJINALITETI I PROFETIT NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE

Shënimet

  1. 1.Mexhmau'z-Zevaid, 9/246; Muslim, Radá, 47.
  2. 2.Nesai, Talak, 76; Mexhmau'z-Zevaid, 9/244.
  3. 3.Ibni Hisham, Sire, 4/305.
  4. 4.Buhari, Salat, 80; Fedailu'l-As'hab, 3.
  5. 5.Ibni Sad, Tabakat, 2/231; Ibni Hisham, Sire, 4/298.
  6. 6.Tirmidhi, Nikah, 41; Ibni Sad, Tabakat, 2/231. 7 Buhari, Edeb, 68.
  7. 7.Buhari, Shurut, 15.
  8. 8.Ebu Davud, Sunnet, 15; Tirmidhi, Rada, 11; Darimi, Rikak, 74.
  9. 10.Në origjinal: mukarrebin.
  10. 11.I'lá: lartësim (në vlera). 13 Muslim, Talak, 34, 35.
  11. 12.Ebu Nuajm, Hilje, 8/100.
  12. 13.Muslim, Talak, 35.
  13. 14.Mexhmau'z-Zevaid, 9/252; Ibni Sad, Tabakat, 2/108.
  14. 15.Tirmidhi, Menakib, 64.
  15. 16.Në origjinal: mevhibe-i subhanije.
  16. 17.Në origjinal: sirati mustakim.
  17. 18.Muslim, Fedail, 63; Musned, 3/112.
  18. 19.Ibni Kethir, el-Bidaje, 5/328.
  19. 20.Mexhmau'z-Zevaid, 9/161; Muslim, Fedail, 62.
  20. 21.Buhari, Xhenaiz, 44; Muslim, Fedail, 62, 63; Xhenaiz, 12; Ibni Maxhe, Xhenaiz, 53; Musned, 3/194; Ebu Davud, Xhenaiz, 24.
  21. 22.Mexhmau'z-Zevaid, 9/181. 25 Kenzu'l-Ummal, 13/650.
  22. 23.Mexhmau'z-Zevaid, 2/297; Kenzu'l-Ummal, 13/663.
  23. 24.Musned, 2/279; Muslim, Zekat, 161.
  24. 25.Hajatu's-Sahabe, 3/182.
  25. 26.Buhari, Edeb, 18; Ibni Sa'd, Tabakat, 8/39.
  26. 27.Muslim, Fedailu's-Sahabe, 98; Buhari, Menakib, 25; Mexhmau'z-Zevaid, 9/203.
  27. 28.Muslim, Fedailu's-Sahabe, 93-96.
  28. 29.Po aty, 93-96.
  29. 30.Muslim, Fedailu's-Sahabe, 98-99; Buhari, Menakib, 25.
  30. 31.Mexhmau'z-Zevaid, 9/211; Ibni Sa'd, Tabakat, 8/29; Ibn Haxher, el-Isabe, 4/379.
  31. 32.Të tjerët: njerëzit dhe banorët e qiellit, tërë krijesat.
  32. 33.Nesai, Zinet, 39.
  33. 34.Muslim, Birr, 165.
  34. 35.Buhari, Fedailu'l-As'hab, 9; Muslim, Dhikr, 80, 81; Ebu Davud, Edeb, 100. 39 Shah evlija, kreu i të gjithë evlijave 40 Bediuzzaman, Lem'alar, 4/4.
  35. 36.Ebu Davud, Nikah, 41.
  36. 37.Ibni Hisham, Sire, I, 262. 43 Nesai, Sehv, 18.
  37. 38.44 Nesai, Ishretu'n-Nisa, 4.
  38. 39.Buhari, Menakib, 18; Muslim, Fedail, 20-23; Musned, 2/257, 398.
  39. 40.Në origjinal: nefsi emmare.
  40. 41.Në origjinal: nefsi levvame.
  41. 42.Në origjinal: nefsi safije.
  42. 43.Buhari, Nikah, 36; Ebu Davud, Talak, 33.
  43. 44.Taberi, Tarih, 5/195; Ebu Nuajm, Hilje, 1/53; Ibn Sa'd, Tabakat, 3/305.
  44. 45.Musned, 1/379; Ibni Sa'd, Tabakat, 3/150.
  45. 46.Fjala Gjibraltar vjen nga arabishtja Xhebel el Tar(ik), Mali i Tarikut. Ngushtica e Gjibraltarit mori këtë emër nga komandanti i famshëm arab Tarik që e kaloi atë, i dogji të gjitha anijet duke e prerë rrugën e kthimit dhe u hodh në Spanjë.
  46. 47.Ibni Ethir, el-Kamil fi't-Tarih, 4/106.
  47. 48.Abdylhak Hamid Tarhan, fragment nga drama mbi Tarikun. 55 Munavi, Fejdu'l-Kadir, 2/290.
  48. 49.Kenzu'l-Ummal, 3/907.
  49. 50.Ebu Davud, Nikah, 3; Nesai, Nikah, 11; Musned, 3/158, 245.
  50. 51.Munavi, Fejdu'l-Kadir, 3/269.
  51. 52.Ebu Davud, Buju, 54; Musned, 2/84.
  52. 53.Muslim, Kader, 34; Ibni Maxhe, Mukaddime, 10; Musned, 3/366.
  53. 54.Pra, të mos mendohet në mënyrë antropomorfiste. 62 Kurtubi, 14/220.
  54. 55.Në origjinal: dini mubin, fe diferencuese, që e dallon dhe e diferencon të drejtën nga e shtrembra, të vërtetën nga gënjeshtra! Kështu cilësohet Islami.
  55. 56.Axhluni, Keshfu'l-Hafa, 1/370.
  56. 57.Darimi, Mukaddime, 1. 66 Nesai, Nikah, 36.
  57. 58.Muslim, Zekat, 108; Ibni Maxhe, Xhihad, 41.
  58. 59.Buhari, Vesaja, 9.
  59. 60.Musned, 1/201, 201.
  60. 61.Buhari, Dijat, 5; Muslim, Kasame, 15, 16.
  61. 62.Buhari, Tefsir, (59) 6; Muslim, Eshribe, 172; Ajni, Umdetu'l-Kaarii, 19/227, 228.
  62. 63.Ibn Esir, Usdu'l-Gabe, 7/88-90; Ibni Haxher, el-Isabe, 4/287, 288.
  63. 64.Mustedrek, 3/242-243; Ibni Haxher, el-Isabe, 2/496; Mexhmau'z-Zevaid, 9/385.
  64. 65.Kenzu'l-Ummal, 13/541; Bejhaki, es-Sunenu'l-Kubra, 9/44. 75 Kenzu'l-Ummal, 5/808.
  65. 66.Në origjinal: "Xhade bi nefsihi".
  66. 67.Ziná: adulter, marrëdhënie seksuale e jashtëligjshme, shkelje e besnikërisë bashkëshortore, kurvërim, prostitucion. 78 Muslim, Hudud, 22, 23.